Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot dy biznese fason në Krujë, për të prezantuar masat e reja të paketës së re fiskale në mbështetje të këtij sektori.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Nisur edhe nga kërkesat në rritje të tregut europian, ky sektor konsiderohet ende në zgjerim dhe në zhvillim. Kryeministri Rama theksoi se për vetë këto specifika, qeveria po rishikon politika të posaçme që synojnë t’i japim më shumë frymëmarrje këtij sektori.

“Ne po përgatisim një paketë të plotë për industrinë fason, sepse duam të shfrytëzojmë edhe faktin që është një mënyrë investimi shumë e shpejtë dhe punësimin e ka shumë të shpejtë. Ky sektor mund të ketë punësim në shifra shumë të larta, ndërkohë që përballemi me shumë kërkesa edhe nga bizneset që duan të shtrihen, edhe nga jashtë po shtohet interesi,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa informoi se paketa e re, që përmban 42 masa të reja, pasqyron kërkesat e sugjerimet këtij biznesi dhe së shpejti kalon për miratim.

Gjatë vizitës në fabrikën e prodhimit të këpucëve, Kryeministri u njoh me faktin se aktualisht, kjo sipërmarrje ka kaluar me cikël të mbyllur prodhimi dhe se një tjetër projekt ishte gati në përfundim. Një projekt që sipërmarrësi informoi se do të punësonte 1000 gra dhe vajza.

Kryeministri Rama nënvizoi se kryerja e ciklit të mbyllur të prodhimit, edhe në referencë të paketës së re të masave mbështetëse, vlerësohet një objektiv i rëndësishëm i kësaj industrie, çka do t’i jepte asaj edhe një tjetër avantazh konkurrues.

“Tani jemi në fazën finale që t’i kthejmë në një paketë të re masash,  për të mbështetur industrinë fason dhe për të bërë të mundur që nga njëra anë, bizneset ekzistuese të shtrihen e të zgjerohen  dhe të mund të shkojnë drejt ciklit të mbyllur, siç e keni ju, nga ana tjetër, edhe ata që janë të interesuar të vijnë, të mos kenë pengesa burokratike,” – u shpreh Kryeministri.

Po ashtu, Kryeministri Rama u ndal në një tjetër sipërmarrje fason, në ndërtim, në Krujë.
Në bisedë me sipërmarrësin, ndërsa e vlerësoi paketën e masave përmbushje të një premtimi, Kryeministri siguroi për vëmendjen e qeverisë ndaj këtij sektori, që sjell punësim në shifra të konsiderueshme, duke vlerësuar se vetëm në këto dy biznese në Krujë pritet të punësohen në 3 muajt e ardhshëm, 1500 vetë.

“Tani po bëjmë një paketë të posaçme, siç e kemi premtuar, sepse jemi në kushtet që mund të përfitojmë realisht jashtëzakonisht shumë si vend. Ne shkojmë në 1500 vende të reja pune vetëm me këto dy biznese brenda Krujës. Ne e shohim këtë sektor me shumë perspektivë, sepse nga një anë, investimet janë të shpejta, nga ana tjetër, punësimi është i shpejtë.”

Në vizitën e tij në Krujë, Kryeministri Rama shoqërohej nga Ministri Zhvillimit
Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.