Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin publik “Bashkia që duam”, në qytetin e Durrësit:

 

Përshëndetje!

Po më thonte Gjushi kur po vinim, që nesër do keni vizitorë nga Vora, nga Kamza, nga Kavaja, nga Vau i Dejës, nga Shkodra, punonjës të bashkive përkatëse që zhvillojnë turizëm politik, spostohen sipas datave të agjencisë turistike të protestave në Tiranë, vijnë kur ka Parlament, njëherë në muaj në Bulevard, edhe në qytete të ndryshme. Mua më vjen shumë mirë që do vijnë në Durrës, sepse do mund të shohin, jo vetëm të dëgjojnë, madje unë kam bindjen që ata nuk i dëgjojnë ato për të cilat mblidhen, sepse është i njëjti disk që rrotullohet, por do kenë rastin të shohin Durrësin siç nuk e kanë parë, jam i bindur.

Ndërkohë që do vihet nesër gramafoni për Dakon, ata do mund të shikojnë rreth e rrotull punët e bëra nga Dako dhe nga Bashkia e Durrësit. Kështu do bëjnë me vete edhe krahasimin mes Durrësit, për të cilin kanë dëgjuar lloj-lloj çudirash dhe qytetit nga vijnë, krahasimin mes këtij sheshi dhe shesheve të qyteteve të tyre, apo me siguri do shkojnë edhe te Veliera për të parë se çfarë “krimi” i madh po bëhet dhe ndërkohë do shohin që diçka e re dhe çdo ditë e më bindëse është duke marrë formë aty.

Sot isha me 30 gazetarë italianë që kishin ardhur nga Italia për turizmin, nga të gjitha gazetat italiane, po flisja për çfarë ofron Shqipëria dhe në fund iu thashë, “ofrojmë edhe protesta”. Ata hapën sytë, “çfarë po thotë?” “Po, – iu thashë, – kujt i qëllojnë pushimet me të enjte në mes mund të vijnë te Parlamenti dhe të shohin se si zhvillohet një protestë. Kujt i qëllon në një datë të caktuar të një muaji mund të shohin Bulevardin me protestues”. “Por, – iu thashë, – siç do e shikojnë edhe turistët, janë protesta që zhvillohen vërtet si një furtunë në gotë dhe jo siç i keni parë ju në televizionet tuaja, apo siç i keni parë në fotografitë e artikujve që shoqërojnë protestat që ndodhin këtu. Janë protestues profesionistë, punonjës bashkish që nuk iu shërbejnë qytetarëve në rast se agjencia turistike i nis për protestë.”

Këtu është momenti që çdo qytetar i arsyeshëm të bëjë dallimin. E më e bukura është që mbyllin edhe sportelet e shërbimeve, mblidhen në protestë, i quajnë “mitingu i shekullit”, “mitingu i jetës”, “mitingu i të gjitha kohërave”. Kur mblidhemi ne për një Kongres është antimiting.

Ndërkohë që ne besojmë shumë që edhe ata qytetarë, të cilët nuk na kanë votuar interesin e zhvillimit, interesin e ndryshimit, interesin e çuarjes përpara të gjërave e kanë me ne, ndërsa me ata kanë interesin e ardhjes vërdallë, interesin e shkatërrimit, interesin e kthimit pas. Këto janë kushtet në të cilat sot zhvillohet jeta politike, por ne flasim me gjuhën e rezultateve dhe të fakteve.

Para se të vinim këtu ishim në përfundimin e një investimi shumë të rëndësishëm për të gjithë zonën turistike në të gjithë Gjirin e Lalzit, ku vetëm këtë sezon rriten me herë krahasuar me 5 vite më parë shtretërit për turistët dhe ku vetëm para pak ditësh u firmos një kontratë për 2 hotele me 5 yje dhe ku qysh prej vitit 1967 nuk ishte bërë asnjë investim në rrjetin elektrik të shpërndarjes. Asnjë. Investimi prej afro 10 milion eurosh do të garantojë që më në fund e gjithë ajo zonë të mos ketë më probleme me energjinë elektrike.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë më shumë investime. Kjo do të thotë më shumë punësim. Kjo do të thotë më shumë të ardhura. Ashtu sikundër, janë më shumë se 1000 shtretër që i shtohen këtë sezon vetëm zonës së plazhit të Durrësit, ku, nëse kthejmë kokën pas, duhet ta kujtojmë pak, s’kishte kanalizim ujërash të zeza. Ishte i vetmi plazh ku shikoje gjelbërim në rërë. Ju e dini shumë mirë se çfarë e ushqen gjelbërimin poshtë rërës. Jo uji, ujërat e zeza. Një zonë që përmbytej rregullisht deri këtu në qendër, për të mos folur pastaj për ujin. Sot ne jemi në kushtet kur kemi mbyllur përfundimisht problemin e kanalizimeve, edhe të ujërave të zeza edhe të ujërave të bardha dhe në kushtet kur po ecim përpara me investimin madhor të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ka filluar të ndjehet nga qytetarët ndryshimi i madh që do të vazhdojë, sepse investimi nuk është ende i kryer, është investim i madh që i është dedikuar Durrësit.

Po ashtu u ngjitëm lart për të pirë një kafe, duke pritur që të vinim këtu dhe pamë se po ndërtohet shkolla e re e muzikës. Këta nuk i shohin gjërat që duhen parë dhe po vrapojnë të baltosin gjërat që bien më shumë në sy. E mbajtën të bllokuar Velierën pa asnjë arsye, një projekt që do të transformojë më tutje Durrësin në një atraksion turistik. Një vepër arkitektonike që do të hyjë në revistat më të njohura të arkitekturës europiane dhe që do të jetë një nga pikat ku do të mblidhen vazhdimisht edhe banorët edhe më të rinjtë, por edhe turistët siç është sot Sfinksi. Shkojnë deri te Sfinksi për të dalë në fotografi. Më thoni ju mua, ku tjetër mund të bëje fotograf në Durrës, përveçse te Torra që edhe ajo ishte e mbuluar dhe duhet të shkojë afër 5 metra për ta parë, nga gjithë ato lloj ferrash që kishte rreth e rrotull në krahun këtej. Sot edhe ajo është e ekspozuar shumë më bukur.

Por janë ndërtuar dhe rindërtuar shkolla. Një nga këta kadrinjtë thonte Edi Rama flet për veprat e mëdha, për sheshin “Skënderbej”, për stadiumin, për teatrin dhe nuk flet për gjendjen e shkollave në Tiranë. Sot në Tiranë janë në proces ndërtimi 17 shkolla të reja, ndërkohë që janë ndërtuar dhe rindërtuar thuajse të gjitha shkollat e Tiranës. Po këta nuk kanë sy për të parë. Këta shohin vetëm atë që duan dhe ajo që duan të shohin është vetëm zi, zi, zi.

Si mundet një televizion kombëtar të japë lajmin që në Guatemala u përplas një autobus?! Sa autobusë përplasen nëpër botë, pse duhet t’u jepen lajm shqiptarëve?! “Në Guatemala u përplas një autobus”! Për të mos folur për lajmet që jepen çdo minutë, “ra një tjegull nga çatia në filan fshat mbi kokën e një të moshuare, e moshuara është jashtë rrezikut”. Po lajmi ku është këtu tani? Apo, “u përplas një mikrobus se shoferi i tij preu majtas, po asnjë s’është dëmtuar”. Vetëm tek lajmet që krijojnë sekëlldi, që krijojnë stres, që krijojnë shqetësim.

Ndërkohë që vetëm para pak ditësh del raporti i Bankës Botërore që thotë “Shqipëria në vitin 2018 ka krijuar më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që janë krijuar në të gjithë rajonin tonë”. E thotë raporti i Bankës Botërore dhe është fakt. Mezi del diku nëpër rreshta dhe kaq. E ndërkohë, vazhdon historia, “s’ka punë, s’ka punë, s’ka punë”. “S’ka ekonomi, s’ka ekonomi, s’ka ekonomi”. “Krimi, krimi, krimi”. “Droga, droga, droga”.

Patjetër që ne kemi problem me papunësinë, por kemi sot nivelin më të ulët të papunësisë prej 27 vjetësh. 12%. Kur ne morëm qeverinë ishte 18.6%. Ulje shumë e rëndësishme. Kemi shifrën, – jo sipas nesh, sipas BB, që bën raportet për rajonin dhe sipas KE, – më të ulët të papunësisë në rajonin ku jetojmë. Ne nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë, apo me Zvicrën, apo me Italinë, apo me vende të tjera shumë të zhvilluara të BE. S’mund ta bëjmë këtë. Iku koha kur ishim të dytët pas Gjermanisë. Nuk jemi të dytët pas Gjermanisë. Por ama, jemi në një rrugë ku çdo ditë bëjmë nga një hap të vogël përpara. Ndërkohë, ata të cilët sot kanë dalë rrugëve duan të na kthejnë mbrapa, duan të na kthejnë përsëri në kohën e rrumpallës.

Ajo që tha Gjushi është e vërtetë. Sot diskutohet, “këto pllakat sikur s’janë ato që duhen, se unë kam parë ca pllaka kur kam qenë në Itali që ishin gri. Jo po unë i kam parë në Greqi që ishin kështu. Jo kjo drita sikur s’është tamam ajo që duhet. Kjo shtylla, palmat, rrepet…”. Janë diskutime që tregojnë që flitet për gjëra të tjera. Kush diskutonte këtu për pllaka e për rrepe e për palma e për shtylla kur edhe pse ne kishim bashkinë, qeverinë e kishin këta që nuk kanë lidhje me qytetin. Këta nuk e kuptojnë qytetin. Këta se dinë çfarë do të thotë të ndërtosh një qytet dhe të jetosh në një qytet. Këta kanë tmerr nga e bukura. I vret e bukura, i shqetëson, i sëkëlldis, i mërzit. Kurse kur shohin ndërtime pa leje thonë, “ja mrekullia e tetë e botës”. Vetëm në Shqipëri u ndërtua një qytet komplet pa leje, siç ishte dikur Bathorja që sot ka hyrë në rrugën e legalizimit falë nesh.

Ku mund të shkoje? Ku mund të çaje rrugën për të shkuar tek Këneta, tek “Durrësi i ri”, siç i themi ne? Ku çahej rruga për të shkuar atje? A ka atje përsëri akoma probleme? Ka plot probleme, nuk diskutohet. A ka akoma punë për të bërë atje? Jo atje, por kudo ka punë për të bërë, por ama është çarë rruga.

Këta mësuan një lojë të re. “Po ikim nga parlamenti. Po themi s’hyjmë në zgjedhje. Po themi s’duam këtë të gjatin. Po rrimë atje në rrugë, derisa t’i mërzisim të gjithë edhe kapim ndonjë gjë”.

Mirëpo, ke parë ti që e kapën një gjë në 2017-ën? E kapën një gjë, se morën gjysmën e qeverisë. A ju kujtohet kur tha miku im, – më ka ik në rrugë të paditur, – Lulzimi, “e rrezuam gjysmën e qeverisë. Tani, o burra në zgjedhje, të rrëzojmë dhe gjysmën tjetër!” Edhe u rrëzua vetë.

Kishte gjysmën e qeverisë. S’kishte Ministrinë e Kulturës. Kishte Ministrinë e Brendshme zotëria. Kishte Ministrinë e Financave zotëria. Kishte Ministrinë e Arsimit dhe të Shëndetësisë, se, jo se “juve se çfarë iu bëni mësuesve dhe i çoni i fusni në zgjedhje, i bëni me detyrim të votojnë”, po jo “se keni shumë infermierë”, “po prit se është dhe OSHEE-ja, ka shumë punonjës na duhet dhe OSHEE-ja”, “po te Hipoteka, – se ca bëni ju aty, – ta marrim ne Hipotekën”. Po merrini mo vlla. Çfarë do tjetër? Jo po “dua dhe ALUZNI-n, se me legalizimet ju keni bërë shumë vota dhe s’duhet të vazhdoni të bëni më vota”. Po merri dhe legalizimet. Po “dua dhe Drejtorinë e Burgjeve, se ata të burgjeve i kam qejf”. Ata i kanë qejf se, këtu kanë qenë dhe nuk kanë qenë 50 vjet përpara, por deri 5 vjet e gjysmë përpara këta të burgosurit i nxirrnin me leje.

Tani thonë “foli Gjushi në telefon me Niçen”. Na u bë Niçja si me qenë Aleksandër Moisiu. Keni parë ndonjë emision për Aleksandër Moisiun ju? Ia keni dëgjuar ndonjëherë zërin Aleksandër Moisiut ju, se ka shirita? Zëri i Niçes u bë si me qenë zëri i Luçiano Pavarotit! Nicja!

Këta i nxirrnin të burgosurit nga burgu me leje dhe e merrte në krahë deputeti dhe vinte vërdallë nëpër Durrës me të burgosurit, terrorizonin të gjithë dynjanë lart e poshtë. Diskutojnë e flasin këta! Flasin këta për krim e për kriminelë e për futje hundësh të kriminelëve në zgjedhje, këta! Këta që ne nuk çonim dot komisionerë në të gjithë zonën e Shijakut e andej në Sallmone e hatara të tjera andej! Nuk shkonin dot njerëzit në Komision. U detyrua partia këtu, i çonte nga këtu atje që të mos i njihnin e mos i shihnin të nesërmen.

Këta flasin për zgjedhje të lira e të ndershme?!

Po pse, kemi harruar ne kur u bënë një palë zgjedhje në Shijak që kërciti druri si në harados në mes të ditës atje? Kur ishte? Para 100 vitesh? Këta, flasin?!

Po mirë. Dakord! A ju kujtohet se si ua ka bërë daulle kokën, ky i imi njëherë, Luli, “votim elektronik, numërim elektronik”, edhe njerëzit flisnin me vete në mëngjes “elektronik, elektronik. Bashkimi i shkretë, kur dilte në mëngjes, dëgjonte elektronikun gjithë kohës. Merrte në telefon “elektronik, elektronik”. Vetëm ato thonte.

“Vetëm votimi elektronik, numërimi elektronik mund ta zgjidhë këtë punë”.

Shkuam, studiuam votimin elektronik, studiuam numërimin elektronik, bëmë edhe teste te PS-ja, bëmë edhe qendra votimi aty duke mbledhur njerëz, si voton një që është nga qyteti, si voton një që është nga fshati, si voton një me shkollë si voton një pa shkollë. A e kupton mrrokllën, apo se kupton mrrokllën? Mbaj shënime, bëj studime edhe i themi ok, dakord, hajde ta provojmë. Që në këto zgjedhje e provojmë.

“Reforma zgjedhorë, reforma zgjedhore”.

Ok! Reforma zgjedhore. Çfarë të doni. Çfarë të doni ju, hajde ta bëjmë. Na ikën. Sa iu thamë “hajde ta bëjmë”, na ikën. Keni parë ju, “du, du, du”, i thua “hajde” e të ikën?! Ja, Luli. Po nuk është se s’do, por mendon që, sa më larg të ikë aq më shumë do fitojë.

Mirëpo bëri gabim të madh se tha, “herën e kaluar, pa u djeg, d.m.th., pa djeg mandatet mora gjysmën e qeverisë. Po sikur të digjem, mund t’i marr të gjitha edhe mund të mi japin pa zgjedhje”, se me zgjedhje e di që s’ka.

Edhe, me atë fallxhoren në krahë, i ka thënë fallxhorja, “dëgjo, kam parë filxhan mbrëmë, harroje. Ti do digjesh komplet”. I keni parë ato flakët e fallit. Ndezi flakët ajo. U hodh Luli në flakë. Saliu nga mbrapa, benzinë, benzinë. Shkrumb mandatet të gjitha. “Mos u mërzit, – i thotë fallxhorja, – se isha dje ke njona, pu pu pu ç’i bën filxhanit ajo. Pashë aty një “L” të madhe dhe një “E” që po shkonte poshtë”.

Mirëpo do e shohin që, sill turistë nga Vora, e sill turistë nga Shkodra, sill turistë nga Kavaja vjen puna në fund, gjithë ajo ekstazë del një bojë e zezë aty edhe ikin. Iu thashë sot, “gjeni disa kova me bojëra të bukura të paktën”, se s’njohin as bojërat, vetëm të zezën njohin. Hidhet e gjithë ajo bojë e zezë aty, më thoni?! Hidh gjithë atë bojë të zezë dhe të tjerët duartrokisnin, “doli boja jashtë”.

Puna është se nuk kemi çfarë i bëjmë kësaj radhe dhe duhet të vazhdojmë përpara dhe duhet të bëjmë punën tonë. Ne nuk na kanë dhënë detyrën që të sjellim Lulin në pushtet. S’na e kanë dhënë këtë detyrë. Nuk na e kanë kërkuar. S’besoj se ndonjë nga ju këtu mendon që detyra ime dhe e jona është që të vrasim mendjen si do vijë Luli në pushtet. Madje besoj që ka shumë nga ju që thoni, “shyqyr, iku Saliu nga Parlamenti njëherë!” E më bukur se iku, s’ka. Iku vetë, me këmbët e veta.

Ishin brenda në Parlament, tani vijnë rrinë te dera. Çfarë është kjo? Çfarë politike? Çfarë mendje është kjo? Je brenda, del jashtë dhe pastaj lufton për të hyrë. Të nxori njeri jashtë? Jo. Ike vetë. Çfarë do tani? Jo “diktatura”, “junta”, “Maduro”, “ja policët janë aty”. Policët ruajnë derën për ata që s’kanë punë me Parlamentin. Këta u dorëzuan vetë. Ikën vetë.

Po ai Saliu bëri mirë që iku, me thënë të drejtën. Është vërtet kënaqësi besoj për çdo njeri normal kur e sheh aty jashtë Parlamentit që, në vesh Lulit, “çfarë digjet mol Lul?”, – Luli u dogj u bë shkrumb. Çfarë i thotë tani? “Hidhu në erë!” Po jo në erë të hidhen, por të hidhen atje ku drejton sytë Mona…. E keni parë kur thotë, “o Zot, shpëto Shqipërinë nga ata që blejnë vota”? Monika! E kuptoni ku ka ardhur puna!  Monika i thotë Zotit, “lëri punët e tjera, hajde këtu, shpëtoi shqiptarët nga ata që blejnë vota”. Kjo e shkreta që ngelën duke ia blerë dhe kjo meazallah se ka blerë një votë. Monika të blejë vota? Mos!

Monika blen çizme, vota jo. Dhe pastaj fillon bërtet, “Zoti do ta ndëshkojë Edi Ramën”. Se ku komunikon kjo me Zotin unë nuk e di, duhet të kenë karta.

Nejse, po të paktën na bëjnë për të qeshur, më në fund na bëjnë për të qeshur se na lodhën, na rrokanisën kokën. Të shkoje në parlament sikur të shkoje në mundje. Mund të shkojë deputeti në parlament e të mendojë “nga do më dalin, ku do më kapin, si do më sulmojnë me çfarë do më gjuajnë”. Mund të jetë opozita që në vend të mendojë çfarë do t’i themi këtë radhë këtyre për ekonominë, për punësimin, more edhe për korrupsionin, çfarë do t’i themi e si do t’i drejtohemi njerëzve që ne e zgjidhim më mirë. Jo, me vezë. Ikën 6 muaj bojkot, u kthyen me vezë në xhep. Po ishin në kotec apo ishin në luftë këta? Shoh Lulin unë, futet me pallto në parlament. Aty me ngrohje, me të gjitha, ky me pallto dhe kishte një lloj palltoje se kam parë ndonjëherë. Shoh atë pulën, që është një pulë nga Elbasani si pulë deti, i shkon atje, tek xhepi, vezë. Nxjerr vezët nga xhepi se nuk kontrollohet kryetari i opozitës tek dera, e kishin mbushur me vezë kryetarin, se këta të tjerët kontrollohen. Këta kishin bërë vezët, ia kishin futur kryetarit në shportë, mbushur me vezë. Nuk e di. Del ai tjetri, me shiringë ai. Opozitë! A votohen këta? Kush i voton këta? Pse i votojnë? Nuk e di.

Ka shumë që i votojnë për inerci. Hajde – thonë – se nuk më shohin dot mua. Këta nuk duan, as shumë të gjatë, as shumë të shkurtër, as kështu, as ashtu, as me zgjedhje, as me reformë, as me fjalë. Këta e duan me gurë, me vezë, me bojë, me të shara, me luftë, nuk e di. Kanë gjetur dhe kapsollat. Mund të rrijë opozita me kapsolla? Hidh këtej dhe hidh andej. Po kur hipin nëpër pemë i keni parë? Po në pemë pse hipin. Detyrohet bashkia të lyej shtyllat me graso se vjen opozita dhe hipën nëpër shtylla. Ku shkojnë? Se mirë, të hipte Monika e kuptoj po këta të tjerët çfarë bëjnë nëpër pemë? Nëpër pisha? Mirëpo hipin ca, ca të tjerë poshtë, “jepi, jepi”. Ca ti japi? Ku të shkojë? Thashë se po na bie ndonjëri ndonjë ditë e po thonë ja, ka mbjellë pemë të thyera Erjon Veliaj.

Në mbyllje të kësaj fjale, dua të kthehem prapë tek pjesa serioze sepse kjo që folëm është shumë serioze, por nuk mund ta marrim seriozisht ne, por është serioze për ata që i kanë votuar. Sepse të votosh, ti shkosh njerëzve, “më jep votën, do bëhem zëri yt, më jep votën, unë do jem ti atje”, jepi votën motrës se do ti mbys kur të shkojë atje e të ikësh pastaj të thuash jo, ne jemi si ju e të futesh mbrapa këtyre dhe nxit ata, gjuaje, digje. Dhe pastaj “lironi djemtë tanë”. Po është problemi i atyre që i votojnë prapë. Ndërkohë që ne kemi shumë gjëra që duhen bërë më mirë, kemi shumë gjëra që s’janë bërë ende, por ama një gjë është e sigurt. Për herë të parë, sot në Shqipëri, çdo njeri s’ka rëndësi fare a jeton në qytet a jeton në fshat, a njeh njeri a nuk njeh njeri, a e njeh njeri a nuk e njeh njeri, sa lekë ka në xhep sa lekë nuk ka në xhep. Nëse shkon për të marrë një shërbim nga shteti dhe në një zyrë nuk i përgjigjen, mjafton që të na drejtohet ne, qeverisë, mua dhe ministrave personalisht tek platforma “Shqipëria që duam” dhe menjëherë na kanë në dispozicion.

Po shikoja herën e fundit kur bëmë atë eventin në kryeministri, 30 e ca mijë përgjigje i janë dhënë njerëzve. A mund të imagjinonit ju 30 e ca mijë përgjigje, të marri çdo njeri, kudo që ndodhet në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë? Edhe nga Australia kur shkruan, për një çështje sado të vogël, por që është hall për të? 30 e ca mijë përgjigje ky shtet nuk i ka shkruajtur në 30 e ca vjet, që t’i shkruajë me letër, ndërsa sot e merr përgjigjen për 10 ditë. Nëse të takon, është e drejtë, jo vetëm që ti merr të drejtën, por kush të ka penguar, hetohet dhe janë 600 e kusur zyrtarë që janë larguar nga puna vetëm për shkak të mos përgjigjes së njerëzve kur hetimi ka nxjerrë që kanë qenë ata përgjegjës. Kjo është që një njeri i zakonshëm të ketë akses të drejtpërdrejtë te kryeministri, tek ministrat njësoj siç deri dje kishin vetëm deputetët, miqtë, kushërinjtë, shokët, telefoni, miku dhe kjo do të shkojë duke u perfeksionuar. E ndërkohë dhe shërbimet do shkojnë gjithmonë e më shumë duke u bërë të thjeshta në xhepin e qytetarit që ka një telefon apo në ekranin e kompjuterit apo mjafton të shkohet tek një sportel dhe aty drejtohesh për të marrë shërbimin. E unë këtu, si në të gjithë ato takime kam disa persona që janë nga Durrësi dhe që kam kërkuar që të vijnë të dëshmojnë për eksperiencën e tyre.

– Përshëndetje! Unë doja të përgëzoja zotin Kryeministër sëbashku me stafin e tij duke bërë të mundur që çdo qytetar i thjeshtë, pati mundësinë që të gjente zgjidhje për problemin që kishte. Unë faktikisht nuk pata problemin tim, por aplikova në portal për një njeriun tim, i cili ishte drejtuar shumë herë administratës për problemin që ai kishte. Ishte irrituar, i mërzitur dhe vendosa që t’i jap dhe unë një mendim që “pse mos ta provojmë njëherë”, duke e parë si mundësi të fundit. Aplikova në portal dhe nuk zgjati shumë. Sinqerisht nuk e prisnim, që ditën e dytë reagimi ishte shumë i shpejtë, duke na njoftuar që problemi do kishte zgjidhje dhe faktikisht pati një zgjidhje shumë të shpejtë. Doja të përgëzoja dhe një herë zotin Kryeministër për punën dhe stafin që ai ka, duke na dhënë mundësinë çdo qytetari të thjeshtë, t’i drejtohet pa frikë, për problemin që ka.

– Unë jam nga Pogradeci. Kam bërë një shtëpi këtu në Durrës që në 2006. U bëra kaq kohë nëpër zyra poshtë e lartë. Iu drejtova platformës dhe brenda 2 ditëve mora certifikatën dhe dokumentat.

– Përshëndetje të gjithëve! Unë jam një qytetare e Durrësit. Aktualisht jam në pension. Në muajin nëntor dola në pension dhe më mungonin disa vite vjetërsi. Unë kam punuar në një ndërmarrje të përbashkët italo-shqiptare. Për 4 muaj rresht më sorrollatën , derisa unë aplikova në portalin e qeverisë dhe mu dha zgjidhja për 10 ditë. Falënderoj qeverinë tuaj.

– Përshëndetje! Unë jam i ardhur para dy vitesh në Durrës, nga Elbasani. Edhe unë si gjithë shqiptarët, kisha një hall, të cilin e zgjidha, duke aplikuar tek platforma e qeverisë. Problemi im ishte i thjeshtë, pensioni. Unë mbushja moshën në qershor. Në 26 nëntor pensionin e parë. Të gjitha dokumentet i kishin në zyrë dhe nuk i çonin në Durrës. Vajta disa herë në zyrat në Elbasan dhe dokumentat mi çonin gabim. Edhe kur i ballafaqoja me origjinalet, ato prapë i çonin gabim. Unë nuk e kuptoja këtë gjë dhe kështu u detyrova t’i shkruaj dhe zgjidhja erdhi shumë shpejt, brenda 3 ditëve. Kështu që e falënderoj, por kjo nuk është e vetmja për të zgjidhur hallet e qytetarëve, pasi administrata që kemi është për të mëshiruar. Nuk kuptojnë detyrën që kanë. Për këtë zoti Kryeministër duhet ta keni parasysh. Ju falënderoj dhe të gjithë ata që kanë probleme të shkruajnë se do gjejnë zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama: Ishte dhe një qytetar i pestë, por i kishin thënë tek sheshi “Iliria”, ai kishte ndaluar tek Iliria atje dhe po më thonin këto vajzat që kishin komunikuar, që i kishin thënë hajde, i tha “qenka bukur këtu dhe nuk po vi, të fala Edi Ramës”. Epo mirë, të fala edhe ti vlla, rëndësi ka që e zgjidhe hallin dhe ti bëj qejf tek Iliria.

Tani, dy raste nga këto që dëgjuat këtu, nga katër, ishin raste pensionistësh. Pensionistë që nuk arrijnë dot të zgjidhin problemin me institutin e Sigurimeve Shoqërore për shkak të një rrëmuje dokumentacioni të trashëguar, por që ende sot e gjithë ditën nuk është sistemuar siç duhet dhe që përndryshe, sikur të mos ishte platforma, do ishin edhe kushedi se sa vite të tjera me hall të pazgjidhur.Ndërkohë që janë tanimë qindra raste zgjidhjesh për pensionistët dhe unë përsëri përfitoj nga rasti t’i them të gjithë pensionisteve që janë këtu apo që na dëgjojnë që nëse kanë një problem për rillogaritje të pensionit se aty është problemi kryesor, mos u lodhni të shkoni nëpër zyra, kthehu prapë, kërko këtej kërko andej, thjesht dhe vetëm drejtohuni tek platforma shqipëriaqëduam.al. Nëse ju vetë nuk dini ta bëni këtë gjë, përdorni teknologjinë, gjeni nipin më të vogël që keni, sa më i vogël aq më i shkathët me ato mrrokllat dhe thuajini çfarë të shkruaj dhe kjo gjë zgjidhet.

Nëse nuk keni mundësi ta bëni këtë me një telefon, mjafton të shkoni në njësinë administrative ose tek posta dhe të bëni të njëjtën gjë. Janë dhe zyrat që janë hapur nga të gjithë deputetët tanë, zyrat e bashkëqeverisjes për të ndihmuar njerëzit që të zgjidhin probleme dhe deputetë kanë rënë rehat me platformën sepse nuk kanë nevoje të bredhin për të shkuar pas drejtorëve, pas ministrive, por duke futur në platformë rastin, menjëherë rasti shfaqet në ekranin e çdo ministri përkatës dhe në kryeministri ku është ekipi drejtues që koordinon gjithë punë. Pas atij ekrani janë mbi 30 vajza dhe djem që punojnë pa orar për të ndjekur çdo rast dhe ministrja janë përgjegjës drejtpërdrejtë vetë. Ne në çdo mbledhje, kur mbaron mbledhja e qeverise, shikojmë në ekran hallet që janë zgjidhur dhe ankesat që janë jashtë afati dhe për çdo ankesë jashtë afatit duhet të ketë një shpjegim pse është jashtë afati, përndryshe është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ministrit apo ministres, sepse ne kemi më shumë gra se burra në qeveri, e dini ju.

Përtej të gjithave, sot një gjë dua t’jua them e t’jua them të gjithëve, se ne jemi duke u përgatitur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe ne do të shkojmë në zgjedhjet e 30 qershorit, jo thjeshtë për atë që kemi bërë, por për ato akoma shumë gjëra që duhet të bëjmë. Përpara 4 vitesh, këtu ju kemi thënë që në këtë mandat do zgjidhet përfundimisht problemi i kanalizimeve dhe do të vihet në rrugë të zgjidhjes problemi i furnizimit me ujë dhe kjo ka ndodhur. Sot po ju them që në mandatin që vjen, ne do transformojmë të gjithë atë tmerrin e fushës së Porto Romanos në një park të madh të ri të Durrësit që është një projekt i madh. Nuk diskutohet që janë një sërë projektesh, por këto i mbeten fushatës sepse e mira ose një nga të mirat, një nga meritat, një nga cilësitë që ka kjo bashki falë Vangjushit ka qenë që qysh në ditën e parë ka pasur projekte dhe koha kur qeveriste Saliu që këtu nuk bëhej asnjë punë përkundrazi, më kujtohet, mblidheshin katër lloj policish për të bllokuar ndërtimin e asaj shkallares atje, ka qenë një kohë kur këtu janë bërë shumë projekte dhe ka shumë projekte që janë gati, presin vetëm të realizohen. Kështu që mos dëgjoni jo po do bëhen zgjedhje të parakohshme, jo po do shtyhen zgjedhjet, jo po se do vijnë ndërkombëtarët këtu dhe do thonë, “tani meqë po qan Luli, ku e ke biberonin dhe të sajojmë një biberon që Luli të pushojë së qari”. I dhamë 15 biberona përpara dy vitesh, ja prapë. Nuk rritet me metoda mirëkuptimi. Le të rrijë në rrugë dhe të forcohet dhe të bëhet gati për zgjedhjet e vitit 2021, ndërkohë që në zgjedhjet vendore, se dëgjova dhe këtë juristin e Durrësit, Oerd Bylykbashin, nuk bën vaki të hyjmë ne në zgjedhje tha. Oerd, mos hy se ti si të hysh si të mos hysh i humbur del, kështu që si hyn ti, si nuk hyn ti në zgjedhje, mos hy. Nesër ti duhet të bësh guidën turistike për ata që vijnë nga Vora, nga Kamza, se këtu durrsakë jeni ti dhe nuk e di, një grusht i vogël, se pjesa tjetër e demokratëve të Durrësit mund të mos vijë këtu, një pjesë tanimë e kanë bashkuar votën me ne ka kohë, por një pjesë tjetër, se janë dhe unë i respektoj, mund të mos vijë këtu, por mbas teje Oerd, pas Lulit, – mos fol pastaj për fallxhoren, – nuk vijnë demokratët e Durrësit. Kështu që ti nesër, çoji dhe tek Veliera atje, ata të Kamzës sidomos, kujdes mos na hipni nëpër palma nesër dhe kaq.

Ne, zgjedhjet do i bëjmë, si me ata, si pa ata se ne nuk shkojmë në zgjedhje që të fitojmë me ata se kjo nuk diskutohet, ata thonë “jo se na vidhni votat, jo se  na blini votat”. Po mirë, po kur ishit ju në qeveri, sa herë ju ka rrahur Dako kur e kishit ju qeverinë? Si e bëni këtë punë? Sa herë? Ishit ju në qeveri, bum, bum dhe vetëm me rritje. Me kë e bëri këtë punë, me Niçen? Niçja ishte me ju. Kështu që nuk na shqetëson kjo. Sigurisht që nuk është mirë. Nuk është mirë.  Nuk ka se si të jetë mirë kur ke një opozitë të parritur, por nuk është detyra jonë të rrisim opozitën, nuk është përgjegjësia jonë, është përgjegjësia e tyre, përpara atyre të cilëve u kanë marrë votën për t’i përfaqësuar dhe tani duan t’i përdorin “mish për top” për të djegur Shqipërinë nga e para. Ta harrojnë! Shqipërisë nuk kanë çfarë i bëjnë fare, maksimumi mund ta nxijnë, po këtë mund ta bëjnë, mund ta nxijnë sepse prodhohen ato imazhet këtu, shkojnë nëpër ato televizionet andej dhe kadri ka gjithandej, kadrinjtë rrëmujë duan, klikime aty, por ne, qeverisë, shumicës nuk kanë çfarë i bëjnë fare, ta harrojnë.

Duan të pengojnë çeljen e negociatave?! Nuk e di se sa do e pengojnë. Patjetër që na e bëjnë më të vështirë punën, patjetër që atyre të cilët nuk duan ti hapin negociatat me Shqipërinë dhe duan të gjithë vetëm sebepe, ua japin një sebep më shumë se thonë “çfarë do hapim negociatat me këta ne, kur opozita hipën nëpër pemë”. Bashkimi Europian nuk është pyll për Flamur Nokën. Flamuri do pemë që të hipi. Në BE, në pemë hipin të tjerë dykëmbësha, nuk hipin deputetët. Ama edhe nëse na e vështirësojnë, edhe nëse na e pengojnë çeljen e negociatave është përgjegjësi përsëri e tyre dhe populli shqiptar vetëm budalla nuk është dhe kush përpiqet ta bëjë për budalla siç janë përpjekur këta vazhdimisht, paguan koston. Do ta paguajë përsëri.

Kanë frikë nga drejtësia? Po nuk kanë çfarë i bëjnë fare zbatimit të reformës në drejtësi sepse ka ikur nga duart e tyre, nuk kanë çfarë i bëjnë më. Prandaj ikën nga parlamenti sepse nuk e pengojnë dot më. Ua kemi hequr nga duart. Çfarë kishin për të votuar, i votuan. Ju kujtohet, kokën poshtë, kartonin lartë dhe mbaroi. Tani ajo nuk ndalon. Kështu që ata e dinë më mirë se të gjithë ne, se çfarë kanë bërë dhe njeriu kur di se çfarë ka bërë i duket sikur e dinë të gjithë dhe fillon dhe shef filma. Ata janë duke parë filma tani. Sa herë një gjykatës e nxjerr jashtë vetingu, e mbrojnë. Sa herë një gjykatës kalon vetingun, e sulmojnë, pse? Mbrohet një gjykatës që kishte vjedhur në supermarket në Itali? Imagjino çfarë gjykatësi, mirë që kishte vjedhur në supermarket, por shkon futet dhe në veting. Do me thënë komplet i papërgjegjshëm dhe këta e mbrojnë. Ndërkohë që sulmojnë ata, të cilët dalin të pastër nga vetingu. Pse i sulmojnë? Sepse i kanë frikë dhe duan të përgatisin terrenin.

Ju falenderoj shumë që të gjithëve dhe vazhdojmë rrugën përpara, për Durrësin që duam, për Shqipërinë që duam.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.