Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Viti 2023 shënoi një progres të dukshëm për ekonominë e vendit, e cila u vlerësua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore si një nga ekonomitë më rezistente në rajon, ndërsa Standard and Poor’s rishikoi në rritje perspektivën e vendit nga e qëndrueshme, në pozitive, për herë të parë pas 7 vitesh. 

Por jo vetëm. Shqipëria doli nga lista gri e FATF/MONEYVAL, si rrjedhojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve.

Mes të dhënave të prezantuara në këtë fillimviti nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, theksohet fakti se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë të re zhvillimi, pas një sezoni të suksesshëm turistik me mbi 10 milionë vizitorë të huaj, ku vlerësohet se për 9-mujorin e parë të vitit 2023, të ardhurat nga turizmi në vend kanë qenë afro 3.2 miliardë Euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Kjo rritje erdhi edhe si rezultat i investimeve të huaja direkte që kanë patur një trend rritës, duke e mbyllur nëntëmujorin e vitit 2023 në nivelin 1.1 miliardë Euro, me rritje prej 10.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Ndërkohë që inflacioni ka ardhur në ulje, pas një piku, që përsëri ishte ndjeshëm më i ulët se vendet e rajonit dhe më i ulët sesa mesatarja evropiane. 

Referuar të dhënave të paraqitura nga Ministri Mete, mbledhja e të ardhurave ka patur një performancë të mirë, duke u realizuar ndjeshëm mbi pritshmëritë e fillimit të vitit dhe në linjë me planin e rritur sipas Aktit Normativ, ndërsa papunësia ka zbritur në nivele të ulëta historike, prej 10.5% dhe tendenca është për rënie të mëtejshme poshtë 10% në periudhat në vijim, – tregues këto inkurajues,  për të vijuar reformat, me fokus uljen e mëtejshme të papunësisë sidomos për gratë dhe të rinjtë. 

Ndërkohë që gjatë vitit 2024 do të vijohet me rritjen e pagave në sektorin publik, ku në muajt e parë të vitit do të finalizohen vendimet që specifikojnë rritjen për të gjitha kategoritë, për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe punonjësit e niveleve zbatuese të administratës. Për të gjitha këto kategori, nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrihet paga mesatare prej 900 Euro në sektorin publik. 

Në tërësi, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë Euro dhe parashikohet që rritja të vijojë më tej, për të mbështetur punësimin cilësor dhe për të arritur ndër pagat më konkurruese në rajon. 

Rritja e mëtejshme ekonomike do të mbështetet nga buxheti i vitit 2024, i cili parashikon 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara, zbritje të borxhit publik nën nivelin 60 % dhe mbi 634 miliardë lekë të ardhura tatimore të parashikuara. 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.