Me një vijë bregdetare që shtrihet midis detit Adriatik dhe detit Jon, Shqipëria ofron një Rivierë mahnitëse, të mbushur me plazhe të kristalta dhe limane të fshehura, që nuk kanë asgjë më pak se destinacionet e njohura të fqinjëve të saj, shkruan Lucy Skoulding për të përditshmen britanike “Mirror”.
Për ata që kërkojnë një parajsë bregdetare të përballueshme dhe larg turmave të mbipopulluara të vendeve si Spanja apo Kroacia, Shqipëria po shfaqet si një xhevahir i fshehur që pret të zbulohet.
Me bregdetin e saj të jashtëzakonshëm, që ofron qetësi dhe pamje mbresëlënëse, Shqipëria po krahasohet gjithnjë e më shumë me vendpushimet luksoze të rajonit – por me një prekje unike dhe më pak shpenzime.
Ekspertja e udhëtimeve, Laura Hewson, e cila eksploroi Shqipërinë vjeshtën e kaluar, ndau përvojën e saj.
“Në atë kohë, se bashku me shoqen time, Farrell Modd po planifikonim të shkonim në Kroaci. Por, një nga miqtë tanë që kishte qenë në Shqipëri tha se duhej të shkonim atje. Ai tha se ishte si Greqia dhe Kroacia, por më e lirë dhe shumë më e bukur pasi nuk kishte dyndje turistësh”, tha Laura Hewson.
Ajo shtoi se në Shqipëri, mund të përballonin një hotel me katër yje – me mëngjesin e përfshirë – me të njëjtin çmim që kishin paguar për qëndrimet në hostele në Itali dhe Spanjë.
Farrell Modd, zbuloi se rrjetet sociale kishin luajtur një rol në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacionin e tyre – duke shtuar se ishte mahnitur nga videot ku shfaqeshin peizazhe magjepsëse nga vendi.
Farrell ishte e entuziazmuar kur zbuloi se vendi i vogël mesdhetar ofronte ujëra të pastra kristal dhe vendpushime të shumta për not – të gjitha me çmime miqësore me buxhetin për turistët.
Gjatë një vizite në qytetin turistik të Vlorës në nëntor 2023, dy turistet britanike vlerësuan motin e butë 19 gradë Celsius.
Brezi i plazhit me palma ishte praktikisht i zbrazët, duke i lejuar turistet të shijonin plotësisht vendin – qytetit nuk i mungonin komoditetet për pushuesit që kërkonin argëtim – me çmime të përballueshme.
Në Shqipëri, një vakt kushton 10 deri në 15 paund për person – ndërkohë që turistët me buxhet të kufizuar mund të shijojnë picat e sapobëra për më pak se 5 paund.
Në qytetin bregdetar, Vlorë, birrat kushtojnë vetëm 2 paund, ndërsa pijet alkoolike dhe koktejet rreth 4 paund.
Fluturimet nga Britania e Madhe janë gjithashtu të përballueshme, me fluturime direkte nga Londra në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të disponueshme për vetëm 28 paund.
https://www.mirror.co.uk/travel/news/european-country-remains-completely-under-34338669