Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama shpreh angazhimin dhe vendosmërinë e Qeverisë për të rilindur Gjirokastrën.

Këtë deklaratë Kryeministri e bëri gjatë vizitës së zhvilluar sot në Gjirokastër, së bashku me Presidentin e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff dhe ministrat Erion Veliaj e Mirela Kumabro.

Në këtë kuadër, Kryeministri foli për ndërhyrjen në 29 rrugë të qytetit dhe për lidhjen e qytetit me parkun e liqenit të Viroit, përmes një rruge të re. “Ne jemi zotuar se do ta Rilindim këtë qytet, që është një vlerë  e madhe, jo vetëm e gjirokastritëve, as vetëm e shqiptarëve, por është një vlerë e madhe e qytetërimit evropian, është një qytet që i përket trashëgimisë kulturore botërore dhe është braktisur e rrënuar për vite te tëra. Do të fillojmë me një ndërhyrje masive në 29 rrugë të qytetit, pastaj me lidhjen e qytetit me liqenin, përmes një rruge të re, duke krijuar kushte tërësisht të reja në të gjithë parkun e liqenit”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për një projekt që Qeveria po përgatitet ta realizojë në bashkëpunim me partnerë të huaj për të gjithë shtëpitë monumente kulture të kategorisë së parë, duke synuar kthimin e këtyre monumente në instrumente të zhvillimit ekonomik e turistik për qytetin.  “Po përgatitemi për një projekt të marrjes në dorë të të gjithë monumenteve të kategorisë së parë, shtëpive monumente kulture të kategorisë së parë, në bashkëpunim me një koalicion miqsh dhe partnerësh të huaj, në mënyrë që ky rrënim i tmerrshëm dhe kjo shpërbërje e pafalshme, që për vite të tëra bashkudhëtoi me ne dhe praktikisht përbën një njollë të madhe turpi për ata që e qeverisën këtë vend deri dje, të marrë fund. E, nga ana tjetër, qyteti të fillojë të rimarrë frymë, duke i’u rikthyer shkëlqimi dhe duke i kthyer këto monumente në instrumente të zhvillimit ekonomik, në instrumente të zhvillimit të një turizmi që sot Gjirokastrës i mungon, padrejtësisht, jashtëzakonisht shumë”, nënvizoi Kryeministri.

Duke e konsideruar si të pa tolerueshëm nivelin e papunësisë në këtë qytet, Kryeministri siguroi se me planet edhe me investimet e duhura, Gjirokastra do të kthehet në një burim mirëqenies. “Gjirokastra hyn ndër qytetet e rralla të Europës, pa asnjë dyshim, dhe përbën një pasuri të jashtëzakonshme që me zgjuarsi dhe me planet edhe me investimet e duhura, mund të kthehet, pa asnjë diskutim, në një burim mirëqenie. Varfëria dhe papunësia në Gjirokastër janë sot në nivele të pa tolerueshme. Dhe s’ka asnjë arsye që me punën e duhur dhe me kohën e duhur sigurisht, – se nuk bëhen të gjitha përnjëherë, – Gjirokastra të mos jetë një vend me punësim të plotë dhe pa asnjë të varfër. Kjo është një ‘minierë’ e vërtetë mirëqenie, në rast se ne do të dimë ta transformojmë përmes ndërhyrjeve të duhura dhe investimeve të duhura” – theksoi Kryeministri Rama.

Në vijim, Kryeministri tha se ndodhet në Gjirokastër së bashku me zotin Granoff, për të parë nga afër dhe për të diskutuar çuarjen përpara të planit të rilindjes së qytetit, duke shprehur bindjen se “në këto 4 vite Gjirokastra do të çelë një kapitull të ri”. “Dhe jo vetëm ata që jetojnë këtu, – theksoi Kryeministri, – por edhe ata që janë larguar me idenë se kurrë nuk do të mund të kthejnë kokën pas për shkak të varfërisë dhe të rrënimit, do të kenë dëshirë të kthehen në Gjirokastër, do të kenë dëshirë të investojnë në shtëpitë e braktisura, sepse do të fillojë një jetë tërësisht e re. Vitet e ardhshme do ta provojnë këtë konkretisht”.

Më herët, duke përshkuar në këmbë Qafën e Pazarit, Kryeministri Rama dhe zoti Granoff ndanë të njëjtin mendim për zhvillimin e Gjirokastrës edhe në një tjetër aspekt, atë të një qyteti studentor. “Nëse Universiteti i Gjirokastrës do të fokusohet tek turizmi, zhvillimi ekonomik, zonat turistike, atëherë ky qytet do të shihej edhe si qyteti i studentëve”, theksoi Rama.

Në zonën muzeale të qytetit, Kryeministri së bashku me zotin Granoff vizituan edhe disa investime modeste të bëra nga familjet gjirokastrite për restaurimin e objekteve dhe më pas shfrytëzimin e tyre për turizëm. “Ky mund të jetë një investim shumë i mirë. Ne mund t’i ndihmojmë njerëzit te transformojnë këto xhevaire në instrumente të biznesit të vogël”, theksoi Rama.

Gjithashtu, ata vizituan edhe disa nga shtëpitë karakteristike gjirokastrite, monumente kulture, shtëpinë e Babametove, të Zekatëve, të Skëndulajve, si dhe Kalanë e Gjirokastrës. Gjatë vizitës, në shenjë simbolike, Kryeministri Rama i dhuroi Presidentit Granoff librin “Kronikë në gurë”, të shkrimtarit Ismail Kadare.

Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, Kryeministri vizitoi edhe Zyrën e Punës së këtij qyteti. Drejtori i Zyrës së Punës e njohu Kryeministrin lidhur me profilet dhe kapacitetet e punësimit që janë në dispozicion të punëkërkuesit, duke nënvizuar se në këtë muaj të parë janë sistemuar në punë gra dhe njerëz në nevojë.

Kryeministri vlerësoi rolin e Zyrave të Punës, si një urë ndërmjetësuese dhe shumë të rëndësishme mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Në 4 muajt e parë, nëpërmjet gjashtë Zyrave të Punës të çelura në vend, janë punësuar 4100 qytetarë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.