Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e fundvitit me mësues në Vlorë:
Mirëmbrëma në radhë të parë mësueseve, pastaj edhe mësuesve mirëmbrëma!
Është kënaqësi e veçantë që na jepet mundësia t’ju mikpresim në këtë darkë festive për fundvitin, që padyshim është një detyrim si shprehje mirënjohjeje për të gjitha ju dhe për të gjithë ju, për punën që bëni, një punë që vazhdon të jetë e vështirë, pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme që kanë ndodhur. Mbi të gjitha, për faktin se është merita juaj që këtë vit Shqipëria mori një rezultat befasues nga programi i vlerësimit ndërkombëtar “PISA 2015”, ku ne fituam shumë pozicione në raport me edicionet e shkuara që kanë qënë vërtetë turpëruese për Shqipërinë dhe lamë pas edhe vende që në aspekte të caktuara janë më të zhvilluara se ne, si Turqia, apo edhe vende në rajon, si Mali i Zi, apo Maqedonia.
Ky është një tregues i një të vërtete shumë të thjeshtë që potenciali ynë është shumë i madh dhe mundësitë që ne këtë potencial ta përkthejmë në rezultate janë absolutisht reale. Patjetër që çka kemi arritur duhet parë në radhë të parë kështu, jo si arsye për tu vetëkënaqur, se s’ka vend për vetëkënaqësi pasi problemet që duhet të zgjidhim janë ende plot dhe punët që duhet të bëjmë janë ende shumë, në raport me çfarë kemi bërë, por si një arsye për të qënë të vetëdijshëm se sa shumë mund të bëjmë me vendosmëri, me kurajo dhe me aftësi.
Besoj që ndryshimi themelor që ka ndodhur në procesin ende të gjatë të transformimit të arsimit në Shqipëri, nën lidershipin e ministres së Arsimit, e cila duhet t’ju bëjë krenare të gjithave ju që jeni këtu, sepse ka qënë mësuese gjimnazi, ka drejtuar një gjimnaz për disa kohë dhe në 25 vjet është ministrja e Arsimit që i ka lënë pas të gjithë profesorët dhe shkencëtarët që kur u bënë ministra arsimi bënë secili vrimën e tyre në ujin e ndenjur dhe asnjë gjë tjetër. Siç i thoni nga Vlora: “Vër në ujë”.
Merita, pra aftësia në bazë të të gjithë procesit ka qënë ngulmimi i Lindita Nikollës.
Reforma jonë synon pikërisht këtë. Tipari dallues i saj, një nga tiparet, është transformimi i procesit të rekrutimit të mësuesve, nga një proces komplet jashtë kontrollit dhe tërësisht subjektiv, i bazuar tek korrupsioni, tek teserat e partisë, tek tarafi, e kështu me radhë, në një proces bazuar tek merita.
Faktikisht, shifrat janë domethënëse. E nisëm me një sistem arsimor, ku afro 4000 mësues ishin ose pa arsimin përkatës, skandal, 1900 e ca pa arsimin përkatës, ose jashtë profilit, 2000 e pak të tjerë. Jemi sot në një sistem ku këta janë larguar në pjesën e tyre dërrmuese dhe kanë mbetur vetëm pak në zona shumë të largëta, aty ku janë edhe orët e përbashkëta të mësimit, për arsye të numrit shumë të vogël të nxënësve dhe janë zëvendësuar me afro 3000 mësuese dhe mësues, që kanë hyrë në sistem nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
Ky është fakt!
Ky është një nga ato fakte kokëforta që ta sjell pastaj në majë të gjuhës shprehjen: “Qentë le të lehin, karvani do eci përpara”.
Ndërkohë që, edhe këtu ka mësuese që votojnë Partinë Demokratike, unë e di shumë mirë, por kur e kam fjalën për qentë, mos të ngatërrojmë absolutisht njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që kanë të drejtën e tyre të votojnë për kë të duan, por nëse duan adresë ua japim dhe adresën, por kjo është një çështje tjetër.
Ajo që është tjetër gjë shumë e rëndësishme, është se këtu të gjithë ju bashkë nuk jeni të ftuar nga partia. Nuk jeni të pranishëm sepse i përkisni partisë që është sot në qeveri. Por jeni të ftuar nga merita juaj. Ju e dini shumë mirë që të gjithë sëbashku, që të gjitha sëbashku, që prej tyre vjetësh, pavarësisht se ju ka rënë që ta keni deputetin e Vlorës edhe kryeministër, nuk ju ardhur ndonjëherë ndonjë urdhër të mbyllni shkollën që të prisni kryeministrin. As nuk iu ka ardhur ndonjë urdhër kur keni bërë edhe fushatë këtu, se keni patur dhe zgjedhje që të mbyllni shkollën, të merrni dhe nxënësit dhe të dilni në shesh pavarësisht se, besoni, apo nuk besoni tek një parti si kjo e jona.
Unë këtu nuk po flas si kryetar partie, po flas si kryeministër i të gjithëve ju sëbashku, me shumë respekt për të gjitha dhe për të gjithë dhe jam shumë krenar që, pavarësisht se çfarë bindjesh kanë mësuesit, bindjet i kanë për veten e tyre dhe janë të lirë t’i shprehin dhe t’i ushtrojnë jashtë orës së mësimit, sot nuk ndihen të kërcënuar nga fakti se mund të largohen nga puna ditën e hënë, apo të martë, apo të mërkurë dhe mund t’i thonë: “ik tani çohu, do shkosh të japësh mësim në Dermenas të Fierit.”
As nuk i largon dot njeri dhe as nuk i zëvendëson dot njeri arbitrarisht.
Unë nuk po them që sistemi sot është i përsosur.
Patjetër ka plot gjëra për të korrigjuar edhe në këtë sistem, përtej portalit, kur vjen puna te ato kontratat e përkohshme, apo historitë e tjera që duhet standardizohen, por fakti është që, sot figura e mësuesit nuk është më një mish për top në dorën e partive. Është një autoritet i respektuar nga ne, në mënyrë që të respektohet pastaj edhe nga të tjerët.
Nga ana tjetër, unë nuk besoj se ju e keni harruar, që në aq vite sa keni në arsim t’ju ketë pyetur ndonjëherë njeri: “Çfarë mendoni për tekstet e shkollës?” E kundërta është e vërtetë. Hoqët një picir të madh vite të tëra, me një mori tekstesh që ca nuk i kuptonit as ju, ca nuk i donin dhe nuk i kuptonin as prindërit, ca, nxënësit as kishin dëshirë të dëgjonin dhe të kuptonin çfarë mund të kuptonit ju dhe faktikisht rezultatet e “PISA-s” në të kaluarën ishin dhe shprehje e kësaj çorodie totale me tekstet.
Duhet të vinte Lindita Nikolla, njëra nga ju, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, – se këtë parullën: “Jam njëri nga ju-jam zëri juaj”, e keni dëgjuar shumë shpesh, por jo gjithmonë është e vërtetë, – e cila ja nënshtroi tekstet një referendumi të mirëfilltë brenda mësuesve, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës. Ishit ju që keni skualifikuar afro 600 tekste shkollore. Ndërkohë që, sot, hap pas hapi, vit pas viti po futen tre alternativa që janë ndër alternativat më të mira të kontinentit tonë, të Cambridge-t, të Oxford-it, të Pearson-it që lehtësojnë jetën tuaj, e bëjnë mësimin shumë më atraktiv për ju, por edhe për nxënësit dhe i fusin ata në një botë të të nxënit që bazohet në standarde bashkëkohore didaktike.
Kjo është prapë një tjetër arsye pse ne besojmë që në edicionin tjetër do të përmirësojmë m tutje rezultatet.
Ka dhe një detaj tjetër që ju e dini, por unë dua ta përsëris këtu, që po të ishin vlerësuar vetëm vajzat nxënëse, do ishte dhe më mirë Shqipëria në rezultat.
Sikundër, po ta kishin gratë fuqinë, edhe publike, siç e kanë nëpër shtëpi, – se në shtëpi gratë e kanë, pavarësisht se burrat bëjnë sikur drejtojnë, – Shqipëria do ishte shumë më mirë. Ashtu sikundër, pikërisht sepse është një grua ministrja e Arsimit është shumë më e mirë se gjithë burrat që kemi pasur në të kaluarën.
Patjetër që Matura Shtetërore ka qënë një tjetër hap i rëndësishëm përpara.
Nga një kopje kolektive në sytë e të gjithëve u kthye në një proces dinjitoz, i cili ka nevojë të vazhdojë të përmirësohet, por sigurisht jep një vlerësim më realist të dijeve të nxënësve dhe na bën ne të mundur në procesin e hyrjes në Universitet, – që më në fund, pas 20 e ca vitesh, është një proces konkurrues, – me Maturën Shtetërore të balancojmë defektin që ka mesatarja, për shkak se tjetër është 10-ta tek “Ali Demi” dhe tjetër është 10-ta në një shkollë tjetër, diku në periferi të një zone të largët.
Ama, kjo balancë bëhet e mundur sepse matura shtetërore është reale.
Unë besoj që ju jeni të vetëdijshëm se duhet filluar që tani edhe edukimi i maturantëve të vitit të ardhshëm për të përballur sfidën e konkurrencës që do shkojë duke u bërë më e ashpër. Se këtu u bë aq shumë çorap kjo punë në vite, sa ju e patë: dilnin e ankoheshin në televizor politikanët se po stresojmë nxënësit me 5-a.
Ndërkohë që, unë besoj se dhe gjashta si niveli më i ulët është shumë-shumë i ulët, nëse duam vërtete një Universitet ekselence.
Kjo është e vërteta.
Nga ana tjetër, besoj që nuk është mjaft, se s’mund të ketë mjaft, por nuk është edhe pak rritja e mëtejshme e rrogave që do të bëhet për të gjitha ju dhe për të gjithë ju, duke filluar nga 1 Marsi i vitit që vjen.
Faktikisht mësueset dhe mësuesit do të kenë një vlerësim financiar shumë më dinjitoz dhe një fuqi blerëse për familjet tuaja që do të shkojë duke u rritur, edhe pse, ju e dini shumë mirë që, me heqjen e taksës 10% që kishit kur na ra ne barra që të qeverisnim këtë vend, paga reale për ju u rrit. Kjo është një rritje nominale shumë e rëndësishme që ne jemi shumë krenar që na jepet mundësia ta bëjmë, sepse rezultatet që na kanë dhënë reformat, rezultatet e para të reformave, është gjëja më e udhës që t’i ndajmë me të gjithë ju, në radhë të parë, jo thjeshtë si mësuese, apo si mësues, por edhe si familjarë që mbani një peshë të madhe dhe të dyfishtë, qoftë në një punë që është shumë e vështirë, qoftë edhe pastaj në familje ku problemet ekonomike mbeten një sfidë dhe në kushtet e reformave ndihen ndonjëherë edhe më shumë për shkak të presionit që reformat kanë.
Si përfundim, më lejoni dhe njëherë që t’ju falenderoj shumë përzemërsisht për gjithçka keni bërë.
Më vjen shumë mirë që sot e pashë shkollën “Ali Demi” në rindërtim të plotë. Por e di shumë mirë që nuk mjafton. Shkolla “Ali Demi” është, po themi, kampione e Vlorës në histori por ambicia jonë është që të rindërtojnë me shpejtësi të gjitha shkollat e tjera.
Për këtë arsye, përpara fundit të vitit, ne do të shpallim një program të ri investimesh në infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore.
Ambicia jonë është që me shpejtësi të rindërtojmë një numër të konsiderueshëm shkollash. Mbi 100 shkolla duam t’i kthejmë nga shkolla që janë në situatë emergjente, në një tjetër burim frymëzimi për ata që japin mësim në ato shkolla dhe për ata që marrin mësim në ato shkolla.
Jam i bindur që edhe vetë Vlora, pavarësisht vështirësive do fillojë të bëhet një vend shumë më frymëzues dhe shumë i dashur për nga pikëpamja e atmosferës, sepse po bëjmë investime të konsiderueshme, që kanë pasur dhe problematikat e tyre si p.sh. te Lungomare, por që me përfundimin e tyre do sjellin shumë më tepër gjallëri ekonomike dhe sociale, pa asnjë diskutim.
Para se të vija këtu u gëzova shumë se takova disa nxënës të shkollës profesionale që kanë kontribuar në ndriçimin e qytetit. Në fakt këtë herë Vlora është më bukur e ndriçuar se çdo vit tjetër që kur e mbaj mend unë për Vitin e Ri. Jo se ka ndonjë rëndësi shumë të madhe, se nuk po e numëroj tek sukseset e reformave, por është një shenjë domethënëse, edhe simbolike, e një transformimi që është në proces.
Gëzuar festat!
Jini të bindura dhe të bindur që më e mira nuk ka ardhur akoma!
Shumë faleminderit dhe respekt!