Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, në Fier

Përshëndetje të gjithëve!

Shumë, shumë faleminderit që keni ardhur këtu kaq të shumtë në numër!

Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu! Më kujtohet që kemi qenë në këtë shesh në një tjetër takim fantastik me gratë e Fierit. Më vjen shumë mirë që, sot, kur flasim për Bashkinë kemi shumë gjëra që mund të themi, të cilat provojnë më së miri se besimi dhe mbështetja juaj për Armandon dhe për Partinë Socialiste 4 vite më parë ishin një fuqi e investuar në drejtimin e duhur.

Para se të vinim këtu, së bashku me Armandon, Gramozin dhe të tjerët shkuam vizituam fushën e re sanitare të grumbullimit dhe të përpunimit të mbetjeve, që, së shpejti do të fillojë të prodhojë dhe energji elektrike. Sinqerisht, pamë pasqyrën ku mund të lexosh qartësisht dallimin mes nesh dhe atyre që qysh në embrion bënë çmos që ta kthejnë atë projekt kaq të rëndësishëm për shëndetin dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë zonës në një tjetër arsye për të baltosur dhe për të alarmuar qytetarët.

Ju kujtohet shumë mirë se çfarë nuk thanë për atë projekt. Është një nga ato projekte për të cilat ne me të drejtë sot jemi krenarë që janë rrugën e realizimit, sepse, më në fund, ky qytet, që është një nga pikat më të rëndësishme të zhvillimit tonë, do të shpëtojë nga gangrena e tmerrshme e fushës së plehrave që mblidhen dhe digjen në mes të jetës së komunitetit, e sidomos gjatë muajve të verës, kur, ju e dini shumë mirë që, për shkak të temperaturave të larta marrin flakë dhe krijojnë një situatë të pakonceptueshme.

Te ajo që fushë që pamë sot bëhet dallimi i qartë mes mesjetës, në adresimin e këtij problemi të jetës së përditshme të një komuniteti, që është trajtimi i mbetjeve dhe kohës së re që jetojmë, që, me të gjitha dobësitë, të metat dhe gabimet e veta e mishëron vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë, e mishërojnë vetëm burrat dhe gratë pa dallim moshe, pa dallim krahine, pa dallim feje që i japin mbështetje dhe vlerësim kësaj force të madhe të ndryshimit të vendit.

Nga ana tjetër, ju jeni këtu sepse nuk keni nevojë për shpjegime, nuk keni nevojë për punë bindëse, por, të gjithë atyre që na ndjekin dhe që akoma kanë nevojë të binden u them, është shumë e thjeshtë për këdo që jeton dhe banon në Fier, s’ka gjë më të thjeshtë, mjafton të mendosh se ku ishim dhe të shohësh se ku jemi.

Atje ku ishim, janë ata që duan të na kthejnë përsëri mbrapa.

Ku jemi, jemi ne të gjithë së bashku.

Ku do të shkojmë, do të shkojmë së bashku dhe me plot të tjerë që do të na bashkohen.

Jam i sigurt për këtë, sepse në Fier nuk ka vetëm socialistë, ka edhe demokratë. Ka plot njerëz të zakonshëm të këtij vendi, që, për 1001 arsye të historisë, apo të të përditshmes së tyre asnjëherë nuk e kanë vlerësuar mundësinë që të votojnë për Partinë Socialiste, por, ama, jam i bindur që ata njerëz nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk duan të kenë asnjë lidhje me ata 100 petritët e Saliut atje të kthesa, të cilët përfaqësojnë ekzaktësisht dëshpërimin e madh të Saliut dhe të çetës së tij plakë që tani ka mbetur aty ku i takon, rrugëve.

Rrugët e lëna rrugëve, ne i morëm trashëgim, një trashëgimi e rëndë plot me borxhe, plot me gropa, plot me rreziqe dhe pak nga pak po i sistemojmë.

Siç la rrugët rrugëve, e mori e nxori Partinë Demokratike rrugëve. Unë dua t’ju them të gjithëve që të mos shqetësohen. Çojnë vazhdimisht mesazhe: “Mos u dorëzo!” “Mos lëshoni!”

Kujt t’i dorëzohemi ne?!  Atyre atje te kthesa, që në kthesë janë e në kthesë do mbeten dhe kthesën s’kanë për ta marrë dot për sa kohë nuk do ndahen nga kush i ka marrë peng?!

Peng ata nuk i ka marrë as qeveria, as shumica qeverisëse në Parlament, as Partia Socialiste. Peng ata i ka marrë koka që s’di ku i çon.

Ju kujtohet shumë mirë, përpara 1 viti e gjysmë, thuajse dy vjet bëhen pak nga pak, i kishim në mes të Bulevardit, nën dritaren e punës time. E fillonin mëngjesin me himnin kombëtar. E mbaronin ditën me birra edhe thonin “s’dalim më nga çadra, po nuk iku ky bashkë me qeverinë”. Ne i morëm në qeveri. Dolën nga çadra erdhën në qeveri.

Morën çfarë deshën: “Ministrinë e Brendshme, se kemi hall se na blihen votat”. “Patjetër! Merreni Ministrinë e Brendshme dhe jepini, garantoni gjithçka”. “Ministrinë e Financave, se aty ka shumë para dhe kemi hall se paratë shkojnë për zgjedhje,” – a thua se Ministria e Financave është një thes që hapet çdo natë dhe paratë ikin sipas qejfit të atyre që janë në pushtet! “Patjetër! Merreni dhe Ministrinë e Financave!” “Ministrinë e Arsimit, se ka shumë arsimtarë dhe ata përdoren për zgjedhje”. “Po. Merreni dhe Ministrinë e Arsimit”. Ministrinë e Shëndetësisë, se ka shumë infermiere dhe ato përdoren për zgjedhje”. “Merreni dhe Ministrinë e Shëndetësisë!” “Duam edhe OSHEE-në, se te OSHEE ka shumë punonjës, elektricistë dhe kemi hall se na fiken dritat gjatë zgjedhjeve!” “Merrini dhe elektricistët!” “Duam dhe ALUIZNI-n, se aty bëhen legalizime dhe mos përdoren!” “Merreni dhe ALUIZNI-n!” “Duam edhe Hipotekën!” “Patjetër dhe Hipotekën!” Pastaj, ju kujtohet, sa shumë beteja janë bërë për KQZ-në? Sa shumë beteja janë bërë: kush ka shumicën, kush ka kryetarin! “Duam kryetarin e  KQZ-së!” “Pse vetëm kryetarin? Mbani dhe shumicën!” Morën kryetarin e KQZ-së, morën edhe shumicën e KQZ-së, si asnjëherë më parë.

Për çfarë arsye?

Për një arsye shumë të thjeshtë: “Merrini të gjitha, ama, nënshkruani këtu, – nënshkruaj, më saktë, Lulzim, – që, kush fiton qeveris, kush humbet bën opozitën dhe të gjithë bashkë, kemi, çfarë kemi, në gjuhë të huaj nuk i biem në qafë qeverisë. Në rregull?” “Në rregull”.

U bënë zgjedhjet? Po. I humbën? Në rregull. U lodh Luli nëpër Shqipëri. Fjeti gjumë të gjithë verën. Gjumë gjithë verën, as nuk pipëtiu njeri. Zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë që Kolegji Zgjedhor, Gjykata që merr ankesat, u pagua pa punë. Asnjë ankesë nga askush. Zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë, në 5500 komisione, ku 50% të komisioneve i kishin ata, asnjë nuk vuri firmë me ankesë. 7-0 të gjitha firmat, deri në KQZ.

Tani, çfarë ka ndodhur?

Përsëri nga e para. Tani, rrugëve. Përsëri nga e para.

Kë duan të bëjnë për budallenj këta?

Kur duan të vijë në Tiranë, mbyllin e Bashkisë e Kamzës, mbyllin Bashkinë e Shkodrës, mbyllin Bashkinë e Kavajës, mbyllin Bashkinë e Lezhës, mbyllin Bashkinë e Kukësit, i marrin të gjithë dhe i fusin nëpër autobusë, vijnë atje bashkë me disa të tjerë që janë nga këta që iu mbyllën lojërat e fatit, vijnë dhe ata nga mbrapa se thonë kushedi po na del fati rrugës edhe po e hedhim njëherë zarin se s’dihen dhe çfarë kërkojnë, kërkojnë vetëm dy gjëra:

E para, kërkojnë t’i shmangen qershorit që vjen, se, çfarë do bëjnë? Ja, do vijnë këtu në Fier. Kë do kandidojnë? Do vijë Luani këtu?! E ç’do bëjë Luani këtu me ata 100 veta atje! Çfarë do thonë? Do thonë që, “më jepni votën që ta kthejmë Gjanicën siç ishte!” “Më jepni votën që ta anulojmë projektin e fushës teknologjike të mbetjeve dhe t’i djegim plehrat këtu ku i kemi!” “Më jepni votën që t’i bllokojmë përsëri kanalet vaditëse!”

Ne kemi zhbllokuar 500 km kanale vaditëse dhe kulluese këtu në Bashkinë e Fierit dhe kemi akoma dhe 500 të tjera për të zhbllokuar, këta thonë, “jo, na jepni votën neve, t’i bllokojmë përsëri, se ishim më mirë atëherë kur s’shkonte uji në arë fare!” “Më jepni votën që të hapim lojërat e fatit përsëri, t’i çojmë fëmijët në bixhoz!” “Votën, që atë binanë e madhe të Astrit Veliut ta bëjmë UFO përsëri dhe të gjithë prindërit këtu t’i çojnë fëmijët atje për të marrë diploma pa vlerë!” “Na jepni votën që biznesi i vogël të mos paguajë nga 0 deri në 50 milionë, as 5% deri në 140 milionë, por të paguajë 9%!” Ky është programi.

Kush i ha këto?

Ata e dinë vetë. Ata e kuptojnë vetë që as nuk hahen, as nuk treten. Prandaj nuk duan të ballafaqohen në zgjedhje në qershor. Këtu e kanë të gjithë hallin. Duan të krijojnë të gjithë alibinë që, “zgjedhjet këtu janë kot, zgjedhjet këtu blihen, zgjedhjet këtu shiten, një popull i tërë këtu ka dalë në ankand edhe e blejmë ne”.

E dyta, kanë dhe një hall tjetër, që është ajo e shkreta reforma në drejtësi, se po fillon po shtrëngohet laku. U krijuan institucionet e para, tani do krijohet Prokuroria Speciale Antikorrupsion dhe disa halle ata i kanë, ua di i gjithë populli, ua di e gjithë Shqipëria, kështu që, hajde dhe njëherë të shkojmë pas berihait.

Këtu në Fier, më thoni ju mua, a e gjejmë dot ne, jo një socialist nga ju, apo nga ata që na votojnë ne, por, a e gjejmë dot ne një që voton PD-në ose LSI-në, që, po t’ia hapësh zemrën të mos gjesh Monikën duke blerë vota?

A e gjen një që të thotë, “Jo. Monika nuk blen vota”?

E keni parë Monikën kur ngre sytë nga qielli thotë, “O Zot ndihmoji shqiptarët nga shitja e votës?” Që tregon që Zoti nuk ndërhyn në procesin zgjedhor, se po të merrej Zoti me zgjedhje Monikës i kishte rënë rrufeja dhe largqoftë kishim mbetur pa doktoreshë.

Çfarë duhet të bëjmë ne?

Po kur thonë që, “këta që vijnë tani në parlament janë të Ramës”. Pse unë i vura ata në listat e deputetëve?! Unë ia kapa dorën Monikës dhe i thashë, “shëno këtu emrat e këtyre”, apo i mbajta dorën Lulit?! Unë Lulin e kapa për dore, por nuk i mbajta dorën.

Tani, që atyre të tjerëve, – se nuk janë të gjithë budallenj, ka plot njerëz normalë, – u vjen mundësia të vijnë në Parlament, të bëhen deputetë, të marrin rrogë, të marrin pension,  – e dini ju që kur shkel në Parlament qoftë edhe një ditë merr dhe pension pastaj, – pse do rrinë? Do rrinë pas Luanit këtu me këta 100 veta këtu? Pse? Maksimumi pas Luanit mund të rrijë Nimeti, po s’ka të tjerë.

Kështu që, për sa na takon neve, ne do vazhdojmë ashtu siç kemi ecur që në fillim, drejt, drejt, drejt, pa parë mbrapa, po vetëm drejt.

Ikën nga Parlamenti sepse humbën çdo mundësi që në Parlament të fitojnë qoftë dhe një debat të vetëm. Të pafuqishëm për shkak se s’kanë asnjë vizion, s’kanë asnjë ide, s’kanë asnjë program. Mirë që nuk i kanë këto, por kanë edhe Saliun. Kështu që thanë, më mirë po ikim fare dhe po bëjmë interesantin duke treguar muskujt.

E kishin filluar në Parlament. E imagjinoni dot të vijë kandidati për Kryeministër me vezë në xhep?! E mendoni dot që kandidati për Kryeministër i Shqipërisë hyn në Parlament me xhup që të mbajë vezët në xhep?! Vjen ai tjetri, shefi i programit për zhvillimin teknologjik, i merr vezët nga xhepi dhe vjen m’i hedh mua vezët. Keni parë ju? S’po flas për socialistët, po iu them demokratëve, atyre njerëzve normale, se shumica janë njerëz normalë, nuk janë si këta 100 kokrrat këtu që po bëjnë revolucion ndërkohë, se ndërkohë tani po zhvillohet revolucion aty, por ne nuk e kemi marrë vesh akoma. A ka njeri që t’i shkojë pas një partie të katandisur në një grup njerëzish që seancën e parlamentit e mendonin vetëm si të vijnë e të bëjnë sherr, si të vijnë e të gjuajnë jo me vezë, jo me bojë e ku di unë se çfarë?

S’ka se si. Unë po ju them që pak nga pak ata do të treten rrugëve.

Ndërkohë, ne kemi detyrimin që të lexojmë edhe më mirë veten, të kuptojmë edhe më mirë dobësitë tona, të reagojmë edhe më mirë ndaj gabimeve tona, se dhe ne kemi bërë reagime, nuk jemi të rënë nga qielli dhe në çdo hap të përmirësojmë qeverisjen, ta bëjmë të denjë qeverisjen për të gjithë këtë besim, të gjithë këtë mbështetje që kemi në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë.

Unë po ju them kaq, nuk e di çfarë do bëjnë ata, – do futen në zgjedhje, s’do futen në zgjedhje, nuk e di nuk jam në gjendje ta them, unë them do futen, si të duan, si ta duan ata, – por, një gjë është e sigurt, ata nuk fitojnë dot asnjë nga bashkitë që ne kemi dhe nuk mbajnë dot as gjysmat e atyre që kanë.

Kjo është pak, por e sigurt!

Mbajeni mend këtë që po them! Nuk fitojnë dot asnjë nga bashkitë që ne kemi dhe nuk mbajnë dot as gjysmat e atyre që kanë.

Po vazhduan kështu rrugëve, atëherë edhe më keq do jetë, siç e bënë me çadrën, qëndruan në çadër dhe pastaj thonin, “prit se nuk jemi të përgatitur”.

S’jeni të përgatitur? Pse, problemi ynë është ky?

Edhe pak fjalë për tu kthyer te e jona.

Ne jemi të gatshëm me ta të flasim të dialogojmë, të diskutojmë për çdo gjë. Kemi përgatitur reformën zgjedhore. Ju kujtohet kur thoshte Luli, – se Luli varet çfarë kasete fut, në atë kohë kishte kasetën e asaj këngës, “votim elektronik, numërim elektronik o lale, se ndryshe nuk bëhet gjë”, mëngjes, drekë, darkë, aq sa na e futi dhe ne në kokë dhe ne, ja ku është Bledi Çuçi këtu, kemi bërë studime, kemi bërë testime dhe jemi gati. Kemi kohë që ia kemi thënë, jemi gati dhe hajde ta provojmë. Ta provojmë në disa njësi administrative, votimin elektronik, numërimin elektronik, nëse funksionon mirë, ta fusim në zgjedhjet e ardhshme? Po me kë e ke? Ai ka ndërruar kasetën ndërkohë, nuk e mban mend. Kaseta e vjetër iku. Tani është kaseta e re. Plus që kur këndonte kasetën e vjetër, doktoreshë e takonte fshehtas, kurse tani doktoresha e mban për krahu, kështu që, ne do vazhdojmë pjesën tone, ndërkohë që këtu në Fier, kemi bërë shumë, por realisht ka shumë gjëra të tjera për të bërë. E rëndësishme është që çfarë u tha në zgjedhjet e shkuara janë zotime të dhëna, janë zotime të mbajtura.

Sot, juve përmbyteshit sa herë binte shi, tani po shikoni që jo vetëm është çliruar njëherë e mirë Fieri nga ai ankth, por po ndërtohet një qendër e re moderne, siç i ka hije një qyteti që është një nga forcat më të mëdha të ekonomisë së vendit.

Ashtu sikundër e tha Armando, mbasi të përfundojmë këtë projekt që besoj do të jetë gati për të na mbledhur shumë herë më tepër se a jemi sot, në sheshin e ri kur të festojmë fitoren e Armandos, ne do të fillojmë punën për Pallatin e ri të Sportit se kishit një skuadër kampione në basketboll, që stërvitej në Durrës dhe luante në Tiranë dhe thoshte Apollonia. Stërvitu në Durrës e luaj në Tiranë dhe as nuk i shikonit, as nuk ju shikonin. Pallatin e Sportit do ta ndërtojmë aty ku ka qenë këndi i vjetër i lojërave. Ndërkohë që kemi folur dhe për stadiumin e ri të Fierit.

Fieri meriton të ketë një stadium të ri, jo aty ku është ai i vjetri, por diku që do ta identifikojmë me bashkinë. Fushën e plehrave do ta kthejmë në park, një tjetër park i qytetit për familjet dhe ajo që është më e rëndësishmja, gjatë mandatit të ardhshëm do të fokusohemi shumë më tepër tek zona rurale, tek zona e fshatit në bashkinë e re të Fierit. Është koha për shumë më tepër.

Sigurisht që në këto vite, kushdo që punon tokën, nuk ka nevojë të dëgjojë as mua, as të tjerët në televizor se e di vetë. E di vetë që kush punon, ka fituar shumë më tepër, kemi dyfishuar eksportet dhe me uljen ose me heqjen e taksës mbi imputet bujqësore një premtim që e keni dëgjuar 28 vjet nga të gjithë, por e bëmë ne realitet, do të ketë një shtysë të re për fermerin, për prodhimin por nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë shumë fort të shtyjmë për agroturizmin. Rruga e re e Semanit drejt detit do të fillojë të ndërtohet. Është në përfundim të procedurave. Kemi bashkë me Armandon një projekt që shpresoj ta çojmë deri në fund, të ndërtimit të resortit të parë turistik që nxjerr në det, jo vetëm ata që jetojnë në Fier, por edhe turistët sepse Fieri ka nevojë për një dimension të fortë të  industrisë së turizmit. Nuk mund të jetë vendi ku vetëm kalon për të shkuar në Vlorë, por duhet të kthehet në vendin ku qëndron dhe ka detin, por ka dhe zonën rurale ku ne duam t’i japim shumë më tepër shtysë agroturizmit, duke inkurajuar ata që janë në emigracion që të kthejnë kokën nga shtëpitë e tyre.

Libofsha ka 15 kisha të mrekullueshme, ku ne kemi filluar dhe do të vazhdojmë të bëjmë restaurimet e nevojshme, ashtu si dhe në monumentet e tjera të kulturës dhe aty ka një potencial shumë të madh për turistët që të vijnë e jo thjesht për të pirë një kafe se do bëjmë edhe qendrën e re të Libofshës dhe të qëndrojnë. Ku do qëndrojnë? Duhet të ndërtojmë bujtina, duhet të ndërtojmë agroturizme e për këtë, qeveria ka një program që ju jep lekë, jo kredi, por grant dhuratë atyre që marrin përsipër t’i kthejnë shtëpitë në bujtina apo që ndërtojnë agroturizme. E nëse krijohet mundësia që në ato zona aq të bukura, turistët vijnë, shikojnë kishat, shikojnë Apoloninë, shikojnë zonat e tjera arkeologjike apo me trashëgimi kulturore dhe kanë mundësi të qëndrojnë, të hanë ushqimet e zonës, të flenë nëpër shtëpia se ata që vijnë, turistët e zonës rurale nuk kërkojnë hotele me 5 yje në fshat. Kërkojnë ekzaktësisht atë që fshati ka dhe në këtë mënyrë, japim një shtysë të re ekonomisë familjare. Agroturizmi, bujtinat janë instrumente të suksesshëm, i ka provuar Italia fqinje, i kanë provuar vende të tjera për ta zmbrapsur përfundimisht varfërinë dhe papunësinë sidomos të të rinjve sepse një pjesë janë dedikuar tek prodhimi, prodhojnë, eksportojnë, një pjesë tjetër, me parcelat e vogla dhe për arsye nga më të ndryshmet, nuk i dedikohen dot prodhimit, atëherë duhet që ta kthejnë atë parcelë në shërbim të bujtinës dhe shtëpinë në bujtinë për të pritur njerëz dhe ata njerëz të vijnë e të paguajnë.

Është e llogaritur, nëse kursimet e emigrantëve investohen në këtë drejtim, fitimi nga bujtinat, fitimi nga agroturizmet është i barabartë me më shumë se sa c’fitojnë në një vit pune jashtë shtetit e këtu ne do të mbështesim fuqimisht me grante të gjithë ata që kanë projekte.

E fundit që kam është që ne kemi marrë një zotim, si qeveri, si shumicë, që administratën ta vëmë në shërbim të njerëzve dhe që në zyrat e shtetit njerëzit të shërbehen me dinjitet. Akoma jemi larg. Kemi akoma parazitë, kemi akoma grabitqarë, kemi akoma njerëz të padenjë në zyrat e shtetit por ama, i kemi dhënë mundësinë njerëzve të zakonshëm që ndryshe nga më parë, nëse ju përplaset dera e një zyrë në fytyrë, me një klik, tek Shqipëria qe duam, të kenë menjëherë qeverinë në krah. Mjafton një ankesë, në tre minuta dhe qeveria është në krahun tënd. Nuk je më rrugëve se nuk njeh njeri, se nuk paguan lekë apo se nuk ke doktoreshën që të vijë të të zgjidhi problemet. Menjëherë qeverinë e ke në krah, në çdo sektor. Sipas sektorit, ministri përkatës, ministrja përkatëse të vihet në dispozicion e unë këtu, si në takimet e tjera kam kënaqësinë të kem dëshmitarë nga kjo zonë të këtij fakti sepse dëshiroj që të gjithë ta mësojnë këtë rrugë që askush të mos rrijë dhe të presë. Shkove në hipotekë, të kthyen mbrapsht. Shkove tek ALUIZNI, të kthyen mbrapsht, të erdhi fatura e dritave më e shtrenjtë? Nuk ta llogarisin si duhet pensionin? Të erdhën tatimet e të ranë në qafë? Mos rri, mos prit, mos shko në kafe të nxjerrësh duf e sidomos mos shko tek gruaja t’i qash hallin dhe t’i bërtasësh gruas se nuk ta ka borxh, por direkt tek Shqipëria që duam dhe menjëherë ti ke në krah qeverinë, ministrin, ministren dhe brenda 10 ditësh, nëse të takon, ti merr zgjidhje.

Do t’i lutesha atyre që kanë ardhur sot, të vijnë pak këtu me mua dhe të dëshmojnë vetë konkretisht rastin e tyre.

-Përshëndetje të gjithëve! Unë jam një nga ato që kishim probleme me tapinë e tokës. Menjëherë bëmë ankesën tonë tek portali i zotit Rama dhe për një afat shumë të shkurtër morëm përgjigje. Ju faleminderit! Në datën 5 mars unë mora dokumentacionin e rregullt.

Kryeministri Edi Rama: Një korrigjim kam, nuk është portali i zotit Rama. Unë kam portal tjetër, por nuk e them. Është platforma e bashkëqeverisjes. Ju kemi thënë, na jepni votën, na hiqni nga prehri këta që na çmendën. Na jepni mundësinë të kemi përgjegjësi të plotë dhe ne do të bashëkëqeverisim. Nuk na duhen aleatë partish. Të tëra partitë janë të krijuara për hesapet e tyre siç e shikoni, pavarësisht se hesapet i bëjnë gabim. Na duhen aleatë njerëzit e zakonshëm. Na e dhatë votën? Atëherë u angazhuam edhe për këtë që çdo qytetar i zakonshëm, çdo grua, çdo burrë, në qytet, në fshat, i pasur, i varfër, me emër, pa emër, në momentin kur ka një nevojë, të ketë mundësi të kontaktojë drejtpërdrejtë anëtarin përkatës të qeverisë, njësoj sic e ka një deputet. Madje deputetët ankohen se ndonjëherë ministrat nuk u hapin telefonin kurse këtyre kërkesave nuk kanë shans t’ju ikin sepse duhet të përgjigjen e për çdo ankesë ka një ekip njerëzish që rrinë mbrapa ekranit ku ju shkruani dhe ndjekin afatet.

-Përshëndetje të gjithëve. Jam një qytetar që kam marrë zgjidhje nga portali në lidhje me një pronë që unë posedoja. Nga zyrat përkatëse nuk merrja zgjidhje, u drejtova portalit për Shqipërinë që duam dhe në shumë pak kohë, unë posedoj një certifikatë pronësie falë atij portali. Ju faleminderit të gjithëve!

-Edhe unë që po flas jam një qytetar i Fierit, me të njëjtat probleme. Dokumentet e mia kishin 7 vjet brenda dhe falë portalit arritëm dhe i morëm në kohë rekord këto certifikata pronësie. Ju faleminderit!

– Kam 7 vjet që vuajta me tokën. Doja të merrja certifikatën. Kisha 7 dynym tok dhe nuk po e merrja dot. I bëra një mesazh vajzës që kam në shkollë të lartë t’i bëj mesazh Edi Ramës. Direkt, unë mora certifikatat. E përshëndes dhe faleminderit shumë dhe pa një kokërr leku.

Kryeministri Edi Rama: Më ka çuar mesazh. Unë mesazhin e çova tek Shqipëria që duam. Unë çdo mesazh që më vijnë e çoj tek Shqipëria që duam dhe menjëherë janë 35 vajza dhe djem që punojnë me të gjitha këto mesazhe me të gjitha këto që shkruhen, shkon tek ministri përkatës dhe po të takoi është e sigurt që e merr. Ndërkohë ajo që është më e rëndësishme për ne është që jo vetëm zgjidhet problemi por ne bëjmë hetim administrativ për arsyet pse është penguar qytetari dhe në rastet kur konstatojmë që punonjësi apo drejtuesi i zyrës është përgjegjës marrim masë. Nga platforma, si rezultat i hetimeve administrative janë 300 drejtues dhe punonjës të zyrave që janë larguar nga puna vetëm sepse nuk janë përgjigjur me korrektesë qytetarëve.

-Jam një qytetar i njësisë administrative të Zharrzës. Midis atyre 72 familjeve që morën dëmshpërblimet. Jam shumë i kënaqur, njëkohësisht dhe bashkëfshatarët e mi që morën dëmshpërblimet.

– Përshëndetje! Edhe unë jam një qytetar që kam pasur problem me ALUZINI-n, 7 vjet nuk e zgjidha t problemin. Iu drejtova Shqipërisë që duam dhe për 5 ditë mora zgjidhje. E falënderoj kryeministrin nga zemra dhe inkurajoj të gjithë pjesëmarrësit të aplikojnë tek Shqipëria që duam.

– Përshëndetje të gjithëve!. Të them të drejtën nuk kisha qejf të dilja tani se nuk jam mësuar, por e ndjeva si detyrim moral që atë zgjidhje që unë mora nga portali, minimumi që mund të bëja ishte ta ndaj me ju këtë eksperiencë. Unë kam një biznes timin dhe para hyrje së biznesit tim ndodhej një objekt metalik i madh që më pengonte hyrjen. Më vjen mirë që e zgjidha problemin, por më vjen keq që mu desh të drejtohesh atje megjithatë jam mirënjohëse dhe faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Këto janë disa nga shembujt, por kini parasysh që janë mesatarisht 1000 raste në muaj që marrin zgjidhje dhe po të llogarisim se çdo muaj ka raste që janë kryesisht të prapambetura, imagjinoni se çfarë do ndodhte me gjithë këtë milet përpara se sa populli, ne, të na jepte mundësinë që të hynim në këtë rrugë, duke i dhënë mundësi çdo njeriu të zakonshëm që të ketë menjëherë kontaktin lart në qeveri. Ndodhte që nuk zgjidhin dot asgjë. Vinin vërdallë dhe nuk zgjidhin dot asgjë, zero. Ose duhet të faleshin tek ndonjë parti, ose duhet të paguanin lekë, ose duhet ti rrinin mbrapa ndonjë deputeti dhe përgjithësisht nuk merrnin zgjidhje. Sigurisht që kjo nuk do të thotë që ne i kemi zgjidhur të tëra, as nuk do të thotë që nuk ka edhe në këtë aspekt probleme, defekte, të meta ,por një gjë është e sigurt që ne nuk jemi më të mirët kjo nuk diskutohet por më të mirë se ne as ka pasur, as ka e as do ketë.

Ne nuk kemi rënë nga qielli, nuk jemi engjëj, jemi njerëz të gabueshëm por ama kjo qeveri kurrë nuk bën gabime të qëllimshme për të përfituar në kurriz të popullit dhe duke tradhtuar interesat e atdheut dhe interesat e publikut. Asnjëherë! Në çdo rast këto janë ato që ne na udhëheqin e do të na udhëheqin gjithmonë. Kështu që duke ju shprehur edhe njëherë mirënjohjen për këtë mikpritje fantastike, duke ju siguruar që çdo takim, çdo kontakt është një arsye më shumë që ne të bëjmë edhe më shumë dhe mbi të gjitha duke ju garantuar që Partia Socialiste, shumica jonë qeverisëse, qeveria jonë, nuk bën asnjë hap prapa, por vetëm përpara, unë ju siguroj se së shpejti këtu në Fier, ne do të marrim një fitore, jo për të festuar sikur fituam kupën dhe kampionatin, por për t’u investuar me edhe më shumë forca dhe energji që mandati i ardhshëm i Armandos dhe i Partisë Socialiste në Fier, të jetë një histori e madhe suksesi.

Gramozi thotë ke bërë shumë për Vlorën dhe mirë ke bërë se Vlora është e gjithë shqiptarëve, por tani ka ardhur koha që Feri të marri edhe shumë më tepër vëmendje se sa ka marrë në këto tre vite e gjysmë. Unë jam dakord dhe po ju them: nëse në zgjedhjet e shkuara, unë ju thashë jepni votën Armandos e do bëjmë për Fierin më shumë se sa është bërë në 20 e ca vite të marra sëbashku besoj që kjo u bë realitet. Se çfarë është bërë këtu në tre vite e gjysmë, në 20 e ca vite nuk është bërë. Tani po ju them që në mandatin tjetër, do bëjmë shumë më tepër se sa në këto 3 vite e gjysmë.

Shumë faleminderit! Rrofshi dhe çdo të mirë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.