Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend mbi debatin për Universitetin e Tiranës dhe Teatrin Kombëtar:

 

Nuk dua të hyj në këtë debat pa përmbajtje, por dua të hyj në një tjetër debat pa përmbajtje që lidhet me çka zonja e nderuar tha në interpelancën e saj për plehrat, duke futur artistët dhe pedagogët brenda. Ngriti një akuzë që sipas saj na qenka fyer çdokush që na paska studiuar në Universitetin e Tiranës, për shkak të qëndrimit tim lidhur me problematikat për të cilat kemi diskutuar dje me senatin e universitetit.

Unë nuk e di pse zonja e nderuar është ndjerë e fyer me çka unë thashë. Unë di që zonja e nderuar dhe të gjithë ata që kanë mbaruar Universitetin e Tiranës duhet të ndihen të fyer nga fakti që Agjencia britanike e Akreditimit e ka rankuar Universitetin e Tiranës të fundit në gjithë listën e universiteteve që ka marrë në shqyrtim kjo agjenci. Në gjuhën popullore, kjo quhet bishti i fundit i kavallit.

Ku është këtu tani fyerja për zonjën dhe për të gjithë zonjat dhe zotërinjtë që kanë kaluar nga Universiteti i Tiranës? Është tek fakti që Universiteti i Tiranës është katandisur jo për shkak të potencialeve të veta, jo për shkak të traditës së vet, por për shkak të keqqeverisjes së brendshme, në bishtin e fundit të kavallit.

Në takimin me senatin e universitetit, unë dëgjova as më shumë e as më pak, por zotërinë e tij Dhori Kule, anëtar aktiv i Partisë Demokratike, që të thoshte shumë më tepër seç thashë unë për Universitetin e Tiranës dhe për gjendjen e Universitetit të Tiranës. As më shumë dhe as më pak, por zoti Dhori Kule, i cili ka pasur detyra të larta në PD, e ka përfaqësuar PD-në në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha se i vjen turp nga Universiteti i Tiranës sot, jo nga fakti se zonja e nderuar ka studiuar në atë universitet, as nga fakti që këtu, shumica dërrmuese kanë kaluar nga ai universitet. As nga çka Universiteti i Tiranës ka dhënë në histori, por nga çka Universiteti i Tiranës është sot, një vend ku ka një ngërç të brendshëm, sepse rektori grindet me kryetaren e bordit të administrimit dhe përfundon puna në çështje bravash. Kush ka bravën… Ndërrohen bravat, – zonjë e nderuar, – në universitet. Këtë të bravave e kisha dëgjuar nga Federata e Mundjes, në një palë zgjedhje ku mundësit ngatërruan federatën me tapetin.

Ja dhe zonja tjetër e nderuar që ka kaluar nga Universitet i Tiranës ngre pyetjen, bravat i ndërron akti nënligjor. Sapo e dëgjova këtu dhe është shumë e qartë. Ashtu sikundër është shumë e qartë dhe një gjë tjetër, që ju merrni përsipër të thoni që po fyhet elita e kombit, po fyhen artistët dhe aktorët. Po pse po fyhen artistët dhe aktorët? Nga çfarë? Nga se? Duhet të na e thoni, ku është fyerja? Apo se ju jeni të gatshëm të kapeni mbas çdo fije bari si i mbyturi dhe të kujtoni se fija e barit është leva e Arkimedit, që do ju kthejë prapë aty ku me këto mend, ju nuk ktheheni dot më.

Ne nuk jemi të përsosur, ne nuk jemi të pagabueshëm, ne patjetër që bëjmë gabimet tona, por një gjë është e sigurt, jemi të pakonkurrueshëm, nuk na konkurroni dot. Kështu që ngatërresa që “jepni kaq milion për PPP, ndërkohë që aktorët po vuajnë”, nga se vuajnë aktorët? Për çfarë? Mos duhet t’ua shpërndajë qeveria rolet? Mos duhet të ringremë kinostudion “Shqipëria e re” dhe t’ju japim punë? Mos duhet që t’ju vëmë tapetin e kuq që të vijnë e të bëjnë shfaqje? Përse? Keni parë ndonjëherë në ndonjë vend normal që aktorët të ngrihen, sa herë flitet për mure dhe sa herë flitet për kartonxhes dhe për pupulit? Beteja është komplet pa përmbajtje. Siç është pa përmbajtje e gjithë mënyra juaj e degradimit të debatit, “po jepni para për PPP, këtu po vuan ai”. Cili ai?

Megjithatë, dy gjëra janë shumë të qarta. Ligji i ri për Arsimin e Lartë është i duhuri dhe i stërvonuari dhe ju që jeni e djathta, për thjesht dhe vetëm një pozicionim në letër, por që prej kohësh jeni djathi kaçkavall plot vrima, që nuk hahet, merrni pozicione që nuk kanë lidhje fare, as me të djathtën, as me idetë e të djathtës, as me programin e të djathtës. Ju jeni gati të kapeni pas çdo gjëje, sepse faktikisht jeni në ajër dhe doni vetëm të kapeni.

Ashtu sikundër, ne do ta ndërtojmë Teatrin e ri Kombëtar, më në fund. Nuk e ndërtuam dot në atë kohë kur filloi mbledhja, se kjo që vazhdoi edhe këto ditë, është një mbledhje që ka filluar përpara 20 vjetësh. Kanë vdekur të tërë ata që e nisën mbledhjen, përveç Robert Ndrenikës. Të shkretët shkuan në botën tjetër, mbledhja vazhdon dhe Teatri akoma nuk është ndërtuar. Pse? Se askush nuk pati mendjen të ndërtojë teatro. Askush nuk pati mendjen të ndërtojë muzeume. Askush nuk pati mendjen të ndërtojë stadiume në këtë vend.

Ju që vini këtu e na qaheni për elitën dhe na qaheni për kulturën e për artin, ndërkohë që ne nuk kemi bërë aq sa ka nevojë ky vend, se nuk mund t’i ndërtojmë të gjithë teatrot, muzetë, stadiumet që i duhen këtij vendi, në një kohë kaq të shkurtër për këto investime kaq të mëdha, por ama është pak, por e sigurt, që kemi ndërtuar për herë të parë që nga viti 1991, teatro, muzeume, stadiume e do vazhdojmë të ndërtojmë të tjera, doni ju, apo nuk doni ju.

Teatrin e ri Kombëtar do ta bëjmë dhe atë godinën aty do ta shembim, që ta keni shumë të qartë. Aty do krijojmë hapësirën europiane për të dhënë shfaqje, për të bërë teatër e për të parë teatër. E ky teatri që nuk ka lidhje me teatrin që bëni ju këtu, por që e ka kthyer politikën në një teatër, mund të vazhdojë, ju mund t’i bini sa të doni daulleve të gjëmave, gjëma nuk ka, gjëma nuk do ndodhin dhe qoftë ligji i ri i Arsimit të Lartë, qoftë Reforma në Arsimin e Lartë, qoftë universiteti, qoftë teatri i ri, qoftë rruga e re për teatrin dhe për kulturën nuk do ndalen prej jush.

Ju, këtu hajde mallkoni, të jeni të sigurt që në Teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do filloni nga e para të mësoni se çfarë është teatri, se keni që në vitin 1991 që nuk keni shkuar më në teatër dhe e keni kthyer këtë këtu në një teatër, ku jeni njësoj si ata aktorët që zihen për muret, ndërkohë që fatkeqësia e tyre është që nuk kanë role.

 

* * *

 

Tani u ngrit niveli i debatit. Edhe profesori, si gjithmonë e meriton t’i përgjigjem sfidës. Profesor, the një të vërtetë që e ndajmë jo vetëm unë dhe ju, por edhe unë me Dhori Kulen, që ka një shqetësim sesi po administrohet Universiteti i Tiranës. Ky është thelbi.

Në bazë të ligjit të ri të Arsimit të Lartë, qeveria nuk ka asnjë të drejtë dhe asnjë detyrim të administrojë Universitetin e Tiranës. Administrimi i Universitetit të Tiranës është kompetencë ligjore e Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës. Në bazë të ligjit të ri, Bordi i Administrimit është i ndarë nga drejtimi akademik, që fillon me Rektorin dhe zbret poshtë.

Tani vijmë tek tjetra që ju thatë profesor, që është një fakt, që në Universitetin e Tiranës nuk ka shumë njerëz që dinë të bëjnë letra. Atëherë jemi plotësisht dakord me ndryshimin që unë nuk mendoj se nuk ka njerëz që nuk dinë të bëjnë letra, por unë mendoj që ata, të cilët kanë detyrën t’i bëjnë letrat, nuk bëjnë detyrën.

Nuk është e vërtetë që ne shkuam në universitet, që të jemi të saktë, nuk është e vërtetë. E vërteta është që ne morëm një shqetësim publik nga një grup pedagogësh dhe duke qenë se jemi gjithmonë të gatshëm të komunikojmë me këdo që ka një shqetësim për të ndarë me ne, shprehëm menjëherë gatishmërinë që të takohemi me të gjithë Senatin e Universitetit, pikërisht sepse ne nuk kemi të drejtën që të bëhemi palë, apo të zgjedhim një palë kundrejt një pale tjetër dhe të ndërhyjmë në një proces diskutimi të brendshëm, që është legjitim.

Nuk është se u mblodhëm për bravën profesor, se as nuk e dinim që situata ka degraduar deri tek ndërrimi i bravave mes Rektorit dhe Bordit të Administrimit. Këtë gjë na e thanë përfaqësuesit e Senatit, dekani i nderuar për ju dhe i respektuar për të gjithë ne, Dhori Kule, kontribuues aktiv i Partisë Demokratike, përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike dhe dekanë të tjerë, të cilët u shprehën literalisht: Na vjen turp të dalim në rrugë në këtë gjendje që është katandisur sot, Universiteti i Tiranës, për shkak, – sipas tyre, – të keqdrejtimit dhe të abuzimeve me ligjin të Rektorit.

Natyrisht që rezerva për ligjin mund të kenë pedagogë apo studentë, por rezervat për ligjin janë çështje e tyre, nuk janë më çështje e jona. Ligji ka kaluar dhe do zbatohet. Ajo që është më interesantja, është se dekanët e Universitetit të Tiranës kërkojnë zbatimin e ligjit, nuk kërkojnë ndryshimin e ligjit. Kjo është ajo çka ne na u kërkua me forcë edhe dje, zbatimi i ligjit.

Ju thoni është problemi i autonomisë. Jam shumë dakord me ju. Është problemi i autonomisë së zgjeruar që i është dhënë universitetit dhe i paaftësisë që po shfaqet për të administruar hapësirën e dhënë nga autonomia.

Nuk është kompani britanike, është Agjencia e Akreditimit, njëra ndër më të njohurat në planet, e cila ka bërë pikërisht atë që bëhet, për të parë jo potencialet, jo traditën, jo heroizmat e së shkuarës, por si qeveriset aktualisht universiteti dhe e ka nxjerrë të fundit Universitetin e Tiranës, që në shqip i thonë bishti i fundit i kavallit.

Asnjëherë, – madje dhe dje, unë e kam përsëritur, – nuk e kam mohuar se këtu nuk është çështje potencialesh, sepse potencialet e Universitetit të Tiranës janë padyshim më të mëdha se të çdo universiteti tjetër. Kapacitetet e Universitetit të Tiranës janë padyshim më të mëdha se të çdo universiteti tjetër, por është problem i qeverisjes së universitetit. Kjo është arsyeja pse universiteti sot është në një ngërç të pashembullt, që i bën dekanët, drejtuesit e departamenteve, studentët të thonë se iu vjen turp të dalin në rrugë, – fjalët e tyre, jo të miat, – në këtë situatë qesharake, por dhe shumë të dëmshme. Universiteti i Tiranës, me gjithë nevojat e mëdha që ka për të bërë investime, – e thanë ata, nuk e them unë, – nuk ka arritur dot të bëjë asnjë investim, për shkak të luftës së bravave mes Rektorit, që nuk ka punë farë të futet tek çështja e investimeve dhe Bordit të Administrimit.

Përsa i përket asaj që thatë profesor, nuk ka ligji asnjë hapësirë për t’u përplasur për kompetencat. Shkoni dhe dëgjoni Dhori Kulen, meqë ne jemi të pabesueshëm. Keni Dhorin, e keni të partisë tuaj, e keni të angazhuar plotësisht në të gjithë procesin e bërjes së ligjit, shkoni se jua mëson Dhori. Siç e keni dëgjuar kur ju shkruante programet ekonomike, bashkë me Ridvanin, por Ridvanin e “vratë”, Dhori është gjallë atje në universitet, dëgjojeni Dhorin përsëri. Mos dëgjoni Rektorin, se Rektori nuk kupton, ky këtu, Rektori juaj.

Problemi me studentët është i vërtetë, pati një problem që e krijuat ju këtu, një stuhi të madhe në gotë, që po bëhej nami. Si ka mundësi që këtë vit nuk pati një student të vetëm, një prind të vetëm që të ngrejë zëri, një të vetëm?! Sepse sistemi funksionoi perfekt. Probleme me studentët dhe probleme me pedagogët nuk kemi ne. Probleme me studentët dhe me pedagogët ka Rektorati dhe ka mes dekanateve dhe Rektoratit. Ajo që ne bëmë, thjesht dëgjuam.

Tani, tek prerja e kokave, – se edhe këtë e morët dhe e kthyet në një tjetër argument abuziv, siç i merrni të gjitha dhe i ktheni në argumente abuzivë, tamam si i mbyturi që kapet pas çdo fijeje bari, – prerjen e kokave e kërkon Dekanati, dekanët, janë katër dekanë me në krye Dhori Kulen, që i janë drejtuar me letër ministres së Arsimit, qysh prej disa muajsh, duke i kërkuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit dhe duke e shoqëruar kërkesën me dokumentacion, që, sipas tyre, provon shkelje të ligjit, abuzime etj.. Kanë përfunduar edhe në gjykatë ata. E dini ju, apo jo? Në Gjykatë. Kanë fituar dhe gjyqe, bazuar në ligj.

Ajo që ne kemi bërë ka qenë pikërisht e kundërta, për t’i dhënë kohë që të adoptohen me ligjin e ri dhe që të vetëadministrohen, se është kollaj të thuash duam autonomi, por të qeverisësh një hapësirë autonome është e vështirë. Ne nuk kemi ndërhyrë. Ajo që na u kërkua dje, përsëri me forcë nga dekanët, nga shumica e Senatit, nga studentët e Senatit që ishin atje të pranishëm, ishte: Duam ndërhyrjen e qeverisë në bazë të nenit 7. Lexojeni nenin 7 çfarë thotë; shkarkimin e Rektorit.

Ne nuk e kemi bërë këtë, pikërisht se kemi dashur t’i japim kohë gjetjes së rrugës për t’u mirëkuptuar midis Senatit, dekanëve, Rektorit, Bordit të Administrimit e kështu me radhë. Për çudi, por s’është çudi fare për mua, është i vetmi universitet në të gjithë universitet sot, ku shumicën në Bordin e Administrimit e ka vetë universiteti, të zgjedhur nga vetë universiteti, jo nga qeveria.

Tani është e bukur kjo, më pëlqen shumë kjo e artistëve, se ju entuziazmon ju shumë, se jeni të pandashëm nga kinostudio “Shqipëria e re”. Jeni si produkte të kinostudios “Shqipëria e re”, se keni produktin më vizual të kinostudios “Shqipëria e re”, që është komisari juaj, Saliu dhe jeni të gjithë të lidhur me arkivat e kinostudios. Atëherë kur filloi debati, ngatërronit të ndjerin Vangjush Furrxhi me Latif Borën, ngatërronit dhe të ndjerin Bujar Lako me Halit Beratin dhe ju dukej sikur unë po luftoja me heronjtë tuaj.

Ndërkohë që po, është një histori që është e filluar nga unë dhe është fatkeqësisht një histori që mbeti aty ku e lashë unë, sepse ju, partia e djathtë, s’patët kurajon të çonit përpara një reformë shumë të thjeshtë dhe vazhduat të mbani iluzionin se një vend demokratik mund të ketë aktorë rrogëtarë, se një vend demokratik mund të ketë lista pagash nëpër teatrot e vendit. Një çmenduri!

Një çmenduri komuniste që buron nga admirimi juaj për kinostudion “Shqipëria e re”.

Ajo që unë kërkova atëherë ishte shumë e thjeshtë. Sot çohet miku im, Bujar Asqeriu dhe thotë, pse na ndodhi kështu? Po ashtu do ndodhte. S’kishte si të ndodhte ndryshe, se, nëse nuk do të bëhej skema siç e ka e gjithë bota normale, që mendon normalisht, që fondi që shteti jep për artin, që jep për teatrin, që jep për filmin është në dispozicion të atyre që bëjnë teatër, që bëjnë film, jo me rroga në dispozicion të atyre që dikur kanë bërë teatër, dikur kanë bërë filma, dikur kanë qenë rrogëtarë të partisë së Saliut, të Punës së Shqipërisë, d.m.th, që të jemi të qartë se për kë parti e kam fjalën dhe vazhduat t’i mbani me rroga. E kthyet përmbys reformën dhe ja ku jemi sot, një degradim i pashembullt i të gjithë jetës teatrore.

Natyrisht, më të talentuarit mbeten gjithmonë ata që janë dhe më të diskriminuarit, sepse nuk janë të barabartë në garë. Ndërkohë që është shumë e thjeshtë, 5 lekë ke për Teatrin? Atëherë ato 5 lekë t’i marrin ata që bëjnë teatër, jo ata që luajnë bingo në teatër, t’i marrin ata që vënë shfaqje, jo ata që jetojnë me lavdinë e të shkuarës.

Përsa i përket godinës, aty është apoteoza e marrëzisë tuaj dhe të të gjithë atyre që vazhdojnë merren me godinën. Unë ua kam thënë dhe e kam besuar atëherë dhe nuk do ishte aspak mëkat, sikur të kishte ndodhur ashtu, sepse sot do kishim jo vetëm teatër për të vënë shfaqje, por do kishim dhe shfaqje, jo si Teatri Kombëtar, ku po vajte në dimër duhet të shkosh me ambulancën te dera, se mund të dalin të ngrirë njerëzit. Kurse po vajtët në verë duhet të marrësh peshqir me vete, se kullon. Me një godinë absurde. Atëherë e kam thënë, ashtu ishte Shqipëria atëherë dhe mund të bëhej ashtu. Teatrot më të mëdha të Amerikës janë nën grataçelat më të mëdha të Manhatanit. Çfarë problemi ka këtu? Ndërkohë që sot jo. Sot është tjetër situatë dhe tjetër mundësi.

Kështu që ne Teatrin Kombëtar, Sali, do ta ndërtojmë, që ta dish ti. Ti nuk do shkosh në Teatër, se ti s’ke nevojë. Ti je regjisor, je aktor, je edhe spektator, ke edhe teatrin tënd dixhital. Ti vazhdo te teatri yt.

Ne Teatrin e ri Kombëtar do ta ndërtojmë. Nuk do të jetë as nën kullë, as mbi kullë, sepse po kërkojmë një mundësi të re. Ne do bëjmë Teatrin. Siç është Stadiumi Kombëtar, i riu, që e premtoi Saliu, iu tha shqiptarëve do ju baj arenën kuqezi, – ku e ke Arenën kuqezi? – e la atje, një gërmadhë, “Qemal Stafën” dhe e ndërtojmë ne. Mirë e tha ministri, ëndrrat tuaja i bëjmë ne realitet, ju s’keni pse të shqetësoheni. Edhe Teatrin e ri Kombëtar do ta ndërtojmë ne. Do të bëjmë një nga teatrot në të bukur të këtij rajoni, sikundër stadiumi që Saliu e ka te zyra dhe e sheh përditë, do jetë një nga stadiumet më të bukur jo të rajonit, por të Europës, doni s’doni ju. Pastaj, sigurisht do vini atje. Edhe Saliu do vijë në ndonjë ndeshje, do thotë kush janë këta me të kuqe? Kush e bëri golin? Dhe në fund do fitojë gjithmonë, Skënderbeu, nuk diskutohet.

 

* * *

 

O Sali, ju këtu hoqët këpucët në mes të Parlamentit dhe nuk ju nxori njeri jashtë. Kështu që, e di dhe nuk të vë faj se është ajo thirrja e të parëve, kur i shihje njerëzit nga flokët e gjata dhe nga basetat si Zdravko Çolic. Atëherë ishe në krye të luftës kundër shfaqjeve të huaja. Ishe sekretar partie në fakultet dhe luftoje me pantallonat cowboy. Megjithëse ishe “boy of cows” se kishe ardhur nga lidhja e ngushtë me lopët dhe me delet, siç e ke thënë dhe vetë, luftoje këta që mbanin pantallona cowboy. Tani merresh me këpucët. Megjithatë nuk ka asnjë problem. Në fakt ka vetëm një problem që na ule nivelin e bisedës që ngriti profesori. Na u fute në mes kot. Unë e kisha me profesorin. Ti vjen këtu, ndërhyn, e fillon me elitën e kombit, shkon tek gardistët, del tek shkarravinat, kthehesh tek inceneratorët dhe në fund shfaqesh ai që je. Prandaj mos vizato kurrë.

Disa gjëra që janë të rëndësishme, jo për debatin me Saliun, që në fakt, duke e dëgjuar këtu, mendoj, çfarë do ishte kjo PD këtu në sallë, po të mos ishte as Saliu. Kështu që në një farë mënyre je ajo shprehja “jemi gjallë, gjallë, gjallë”, kur del këtu. Por pjesa e rëndësishme e debatit është që the se ne kemi hapur luftë me arsimin e vendit.

Tani, a është luftë me arsimin e vendit, Reforma jonë e Arsimit të Lartë, apo ishte luftë me arsimin e vendit, dhënia e bekimit, e mbështetjes dhe kryerja e pagëzimit për Kristalin, për Vitrinat, për magazinat, për UFO-n , për Çufon, edhe për Bubin Kaçurrel? Këto i bëre ti, Sali. Universitetit publik, gjëmën më të madhe ia bëri kjo politikë. Por jo universitetit publik, por vetë arsimit si qenie, ia bëtë ju.

Së dyti, përsa i përket tarifave, të çohet pak profesoresha këtu, e keni deputete dhe të thotë janë rritur, apo nuk janë rritur tarifat, pas miratimit të ligjit të Arsimit të Lartë. Qeveria nuk vë tarifa. Tarifat i vënë universitetet. Qeveria vë vetëm një tarifë tavan, për të mos lejuar eksese në vendosjen e tarifave dhe kjo është normale. Tarifat i vendos çdo universitet vetë. Këtë e dinë edhe ata që janë me shumë shkollë, të bashkuar rishtas me PD dhe që vetëm qeshin pa kuptim.

Përsa i përket Rektorit, ai nuk e ka problemin as me mua, as me ministren, as me qeverinë. E ka problemin me dekanët e universitetit. Mjafton të pyesni dekanët.

[O Sali, kujdes se po të marrin dhe po të filmojnë dhe kushedi çfarë po të del dhe ty. Kujdes se ti je i çuditshëm dhe ku nuk futesh. Kujdes se ka kamera lart… na morët fytyrën dhe ne të tjerëve. Kujdes të lutem, mos na i hap këto muhabete. Të lutem Sali, bashkohu me aktorët se ti mund të flasësh në emër të Agron Llakajt, se Agroni ka punë. Ti bashkohu me ata të papunët dhe fol në emër të Agron Llakajt. Atë punë ke, vazhdo, vetëm kujdes ata atje lart.]

Sali, se i përsërit shpesh me atë teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet”, por po të sqaroj që asnjë qindarkë para publike nuk është shpenzuar kurrë për asnjë aktivitet timin artistik, zero. As biletat e udhëtimit, as qëndrimet në hotel jashtë, jo më pastaj ekspozitat. Por ti nuk kupton nga kjo punë. Ti ke dëshirë që të jenë të gjithë si ti. Dhe sa herë të dëgjoj që flet për tendera, për kate, për pallate, mendoj që i ke bërë vetë, prandaj mendon që i bëjnë të gjithë. Por nuk jemi njësoj Sali.

E për ta mbyllur, jeni shumë qesharakë. Ngrini këtu kauza pa kauzë, flisni këtu për gjëra pa lidhje. Keni ndarë mendjen që nuk mbani përgjegjësi për asgjë nga ato që thoni dhe e ktheni foltoren, e ktheni seancën e Parlamentit në një teatër amatorësh, që presin të enjten që vetëm të kapen si i mbyturi pas fijes së barit. E vërteta e thjeshtë për gjithë këto tema është se ne po mbajmë barrën e pastrimit të të gjithë kodrave të plehut që na ngritët ne çdo rrugë, për çdo sektor, nga arsimi, tek kultura , shëndetësia, ekonomia, financat, energjia dhe të gjitha me radhë, që të mos i numërojmë nga i pari tek i fundit sektorët. Në çdo sektor, kodra plehu në mes të rrugës. Ne kemi barrën t’i pastrojmë, se për këtë e kemi marrë detyrën, por kur qaheni ju për universitetin, pasi e mbushët hapësirën e arsimit shqiptar me universitete që shkatërruan qenien e arsimit, që shkatërruan një gjeneratë të tërë  njerëzish që kanë marrë diploma dhe nuk dinë asnjë zanat dhe nuk kanë asnjë mundësi për të jetuar me një zanat, ky është kulmi.

Ashtu sikundër është kulmi kur flisni ju për kulturë, për teatër dhe për sport e për të gjitha këto me radhë, sepse sa ishit nuk vutë një gozhdë, as për artin, as për kulturën, as për sportin. 80 mijë euro dhatë ju për sportin, gjithsej. Llogaritni pak investimet tona. Shikoni muzeumet e reja që janë ndërtuar. Edhe të tjera do të ndërtohen. E patjetër, edhe Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet, doni ju, s’doni ju. Nuk e frenoni dot punën tonë, thjesht na përziheni ne në këtë shfaqe qesharake, na bëni dhe ne që të vihemi në pozitë të vështirë, me këto lloj muhabetesh, në sy të njerëzve. Çfarë presin njerëzit dhe çfarë dëgjojnë këtu! Çfarë duan njerëzit të debatohet dhe çfarë flitet këtu! Çfarë pretendojnë ata që ju kanë votuar ju dhe çfarë flisni ju! Ky është problemi juaj, nuk është problemi jonë.

Sa për gardistët dhe për …, 350 the? E ke të nevojshme të thuash 350, se kur ishe zotrote, nuk lëvizje pa një karvan të tërë që të shoqëronte Ndërkohë që unë kam shkurtuar në mënyrë drastike të gjithë shërbimet për mua. Dhe mos hajde këtu, prapë, që të përsërisësh historitë e tua dhe të thuash gënjeshtra, se për sot boll, e dhe shfaqen tënde. Shko futu atje, në kazanin dixhital ku je vetë regjisor, vetë aktor, vetë spektator. Se këtu, vërtetë për sot e bëre tënden. Lërja profesorit ta marri udhëheqjen e grupit dhe shko kërko Lulin, se nuk di ku e ke.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.