Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancë parlamentare:
Kjo është një seancë për dokumentin më të rëndësishëm që parlamenti voton gjatë një viti, për buxhetin. Ndërkohë, kujt i qëllon të jetë duke parë punimet e parlamentit, ndjek një muhabet pa lidhje, prej një klubi ku një grup njerëzish qesharakë vazhdojnë të flasin me vete.
Unë dua të them disa gjëra lidhur me ato që na janë vënë përpara si amendamente të opozitës për buxhetin, të cilat provojnë katërcipërisht atë që njerëzit dinë, atë që njerëzit shohin dhe dëgjojnë përditë, që Partia Demokratike nuk ka asnjë vizion alternativ për Shqipërinë, nuk ka asnjë program alternativë për të ardhmen dhe nuk ka asnjë ide tjetër, përveç ideve të saj të vjetra, të shkruara në programin elektoral të vitit 2005 dhe të rezultuara thjesht dëshira të natyrës elektorale për 8 vjet me radhë, në qeverisjen e vendit.
Faktikisht është një paketë propozimesh që bazohet e gjitha tek programi elektoral i vitit 2005. Nuk ka absolutisht asgjë të re. Është e hatashme të shikosh sesi një grup parlamentar, që i bie të jetë i katërti në radhë pas 2005-ës, i propozon Kuvendit ide të 2005-ës, masa të parashikuara në programin elektoral të 2005-ës, zgjidhje të ofruara në atë program të 12 vjetëve më parë, të cilat gjatë zbatimit të programit në qeverisje rezultuan zgjidhje pa zgjidhje.
Kjo është e vërteta!
E po t’i marrim me radhë, e shohim qartë se uji që rreh sot, në havan, Partia Demokratike, s’ka asnjë lidhje me rrjedhën e zhvillimit të vendit. Është thjeshtë “më ka çu nana me la gojën”. Në ndërkohë që jeni të zënë me bolorinë “Krim. Drogë. Akuza”, meqë na doli buxheti përpara, në çastin e fundit po bëjmë edhe ne ca propozime, që të themi se jemi gjallë akoma.
Në fakt, Partia Demokratike është në agoni. Një agoni që vazhdon dhe nuk ka asnjë shenjë se mund të përballohet për ta nxjerrë PD-në në dritën e jetës reale dhe për ta bërë PD-në një forcë që propozon. Një forcë që ka një vizion alternativ të vizonit tonë, që ka një program alternativ me tonin, që ka një qasje dhe një filozofi qeverisëse alternative me tonën. Asgjë!
Mjafton të shikosh të gjitha propozimet dhe të bësh një kalkulim shumë të thjeshtë. Është një tërësi propozimesh të papërgjegjshme, që nuk marrin në konsideratë as kuadrin e sotëm ekonomik, as kuadrin e sotëm financiar, as mundësitë dhe potencialet, por thjeshtë rreshtojnë njëra pas tjetrës një listë qesharake muhabetesh, për t’ua hedhur atyre që ju nuk ua keni hedhur dhe s’do ua hidhni dot, shqiptarëve që na dëgjojnë të gjithëve, na vlerësojnë të gjithëve, na gjykojnë të gjithëve dhe na votojnë të gjithëve. Nuk ja hidhni i dot!
Në tërësinë e tyre, propozimet janë aritmetikisht rritje e menjëhershme prej 10% e borxhit publik.
Janë automatikisht rënie e menjëhershme e 710 milionë dollarëve të ardhura në buxhetin e shtetit. Ndërkohë që ne me buxhetin e ulim borxhin në 68.9 %, ju vini këtu, – natyrisht nuk e keni pasur fare mendjen tek ky aspekt, – me një listë propozimesh që aritmetikisht e çon borxhin 79%.
Vijojnë me radhë propozimet, kthimi tek taksa e sheshtë e Saliut, siç ishte parashikuar në programin e vitit 2005; Taksimi njësoj i të mëdhenjve dhe i të vegjëlve, që nënkupton më shumë taksa për ata që fitojnë më pak, më pak taksa për ata që fitojnë më shumë; Një propozim për ta ulur TVSh 15%, shifër që nuk ekziston në asnjë vend të Europës së vjetër dhe Europës së re; Një propozim për uljen e tatimit mbi të ardhurat personale, që kontradikton filozofinë tonë në thelb dhe që në thelb përbën një turrje të re kundër atyre që fitojnë më pak dhe një lëshim të ri për ata që fitojnë më shumë.
Vazhdojmë me propozime të tjera. Dividendi zero, një propozim që s’ka lidhje fare 47me realitetin. Propozimi për regjistrimin e koncesioneve në borxhin publik, çka tregon se ndërkohë nuk keni lexuar fare nenin 19, që e përcakton qartësisht tavanin për vlerën totale të kontratave në përqindje të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Një tjetër amendament që ju kontradikton edhe vetë juve, sepse e kemi thënë këtu disa herë, një nga gjërat që në kohën e qeverisë suaj u bënë mirë, ishte pikërisht bashkimi i taksës së qarkullimit me çmimin e karburantit, që qysh në atë kohë shënoi rezultate në mbledhjen e të ardhurave dhe në luftën ndaj evazionit.
Vazhdoni te avazi i rritjes së pagave, ndërkohë që rritja e pagave gjatë 4-vjeçarit të shkuar është në tërësinë e vet më e lartë sesa 8 vitet tuaja, të marra sëbashku dhe do të vazhdojë sipas atyre që kemi paraparë dhe për të cilat jemi zotuar. Jo siç ua ka qejfi juve, kur “nana ju çon me la gojën”, ndërkohë që gojën e keni plot me llum që e nxirrni ku të mundeni, pa llogaritur fare dëmet që i bëni Shqipërisë, pa llogaritur edhe dëmin që vazhdoni i bëni vetes.
Sigurisht nuk jeni fare të gjykueshëm për faktin që nuk lexoni, sepse ju dihet që nuk lexoni. I vetmi njeri që lexon në partinë tuaj është Saliu, por e ka bibliotekën magazinë pa inventar dhe i ngatërron ato që lexon në një libër, me ato që i lexon te libri tjetër. Nuk e keni lexuar që ne e kemi parashikuar shpërblimin e fundvitit për pensionistët. Keni propozuar shpërblim, duke thënë që nuk u është akorduar pensionistëve shpërblim, ndërkohë që shpërblimi është parashikuar. E kuptoni sa larg nga realiteti jeni!
Edhe amendamenti i kurdoherë ndodhur, ai i çuarjes së buxhetit për arsimin 5%, është në programin e 2005-ës. Pyetja e thjeshtë është, kur e kishit në program në 2005-ën, pse nuk e bëtë për 8 vjet? Kësaj pyetjeje ju nuk i përgjigjeni, sepse, kur ju dëgjon juve këtu, po të mos t’ju njohësh, mendon që sapo keni zbritur nga një raketë kozmike, pas jetës në hënë.
Dëgjova kur flisnin për tokat, ata që në 8 vjet qeverisje, jo vetëm nuk bënë asgjë për pronën, por e bënë pronën leshin dhe linë më të madhe të historisë së këtij vendi. Keni qeverisur 8 vjet, keni bërë, ç’nuk keni bërë dhe të tërë plagët që i keni hapur këtij vendi, vini na i numëroni neve, sikur i kemi hapur ne. Ndërkohë që ne po i kurojmë dhe do vazhdojmë t’i kurojmë me reformat që ju nuk i bëtë kurrë.
Është edhe i gjithëndodhuri, amendamenti për rritjen e subvencioneve në bujqësi. Zotërinj, buxheti për bujqësinë në 2013-ën ka qënë 48 milionë dollarë në total. Sot, në totalin e vet është 109 milionë. Deri para 4 vjetësh ishte sa gjysma e atij që është sot. Ne e kemi dyfishuar. E prapë nuk mjafton, por nuk jeni ju ata që mund ta thonë. Ju jeni arsyeja, pse nuk është më shumë sot. Ju jeni arsyeja, pse sot, Shqipëria nuk ka më shumë, sepse duhet të kishte shumë më tepër në çdo aspekt, por në 8 vjet i bëtë gropën.
Testet falas. Pse nuk i bëtë falas tekstet, se e kishit edhe në program? Ne tekstet kemi mundësi tani t’i bëjmë falas për të gjithë fëmijët nga klasa e I-ë në klasën e 4-rt dhe flas për të gjithë fëmijët nga klasa e 5-të e më tutje të familjeve në nevojë. Ndërsa ju, jo nuk i bëtë falas, por i bëtë tekstet faqen më të zezë të historisë së dijes në këtë vend. Futet altertekstin që ishte në fakt alterkorrupsioni me tekstet shkollore.
Po vazhdoj me propozimin për të përndjekurit politikë. E kuptoni që në radhë të parë jeni ju, partia që mori flamurin e të përndjekurve politikë. Pak me vonesë në fakt, sepse mua më kujtohet kur jam takuar me Saliun, në janar të vitit 1991, tek sheshi i stadiumit. Shoku Sali atëherë, sepse ishte me teserën e Partisë së Punës në xhep, më tha ju – unë d.m.th, së bashku me të ndjerin Kasem Trebeshina dhe të ndjerin Ardian Klosi, – doni të nxirrni llumin e Shqipërisë nga burgjet. Partia Demokratike është prerazi e ndarë nga i llum. Domethënë, fjalia e dëgjuar dhe e stërdëgjuar në të gjitha instancat e partisë së parë dhe të vërtet të Saliut, se këtë të dytën e mori të vërtetë dhe e ka kthyer në një karagjozllëk kombëtar.
Kishit 8 vjet kohë për të bërë për të përndjekurit politikë gjithçka dhe bëtë një çorap. Ngatërruat me të burgosur, me spiunë, me dëshmitarë të rremë, me familjarë, me trashëgimtarë dhe jeni ju që kemi bërë që plotë të burgosur politikë të ikin nga kjo botë, pa marrë asnjë qindarkë të vetme. Ndërkohë që spiunët kanë marrë paratë e pamerituara nga fondi për ta. Ne e kemi thënë dhe nuk është një gjë që tjetër thamë e tjetër e bëmë, do t’i japim lekët një më një të gjithë atyre që kanë qenë në burg politik e që janë gjallë, jo kushërinjve, as spiunëve të tyre. Sepse është rënie në fund të kazanit të moralit të një qeverisjeje demokratike, qoftë e majtë, qoftë e djathtë, pas 50 vjetësh në ferrin e Enver Hoxhës dhe të Saliut bashkë me Enver Hoxhën, që ata të gjallit të mos prekin dot një qindarkë dëmshpërblim, se duhet t’i marrin lekët fara e fisi i SHQUP-t, siç i ka marrë.
Unë jam shumë krenar që Partia Socialiste ka kompletuar plotësisht të gjithë listën e të gjallëve. Edhe një pjesë e vogël, nën 200 persona, të cilët nuk kishin aplikuar, me Daut Gumenin në krye, sepse nuk besonin tek sekretari i Partisë së Punës, i futëm në listë dhe me plotësimin e dëmshpërblimit të tyre, ne i themi me krenari të gjithë shqiptarëve, që këtë borxh moral dhe këtë angazhim ligjor për këtë grup njerëzish , Partia Socialiste e Shqipërisë, jo Partia Demokratike, e lau deri në qindarkën e fundit.
Tani bëni edhe amendament, me portretin hipokrit të Saliut, të sekretarit të Partisë së Punës, i cili le të hidhet përpjetë, dy jetë ka, 25 vjet si i Partisë së Punës dhe 25 vjet si i Partisë Demokratike. Pastaj ia dorëzoi shokut Ramiz. E mori nga Ramizi, tani ja la Ramizit dhe Ramizi po e rregullon mirë PD-në, siç rregulloi ai tjetri, partinë e Saliut.
Një tjetër amendament për shtresat në nevojë. Sa e kishit ju ndihmën ekonomike? Ne e kemi 2 deri 3-fishin tuaj. Patjetër se është shumë pak, por është 2 deri në 3-fishin tuaj.
Ka edhe një tjetër për transfertën e pakushtëzuar. Edhe këtu është të vësh duart në kokë. Nuk po e zgjas se çfarë bëtë ju me pushtetin vendor, por di një gjë, në çdo bashki ku futet një njeri tuajin e vutë qytetin në gjumë, por jo në gjumë pasiv, por në gjumë aktiv. Ndërkohë që ju flinit, qyteti shkatërrohej. Kudo. Më tregoni një bashki dhe një komunë që e keni drejtuar ju nga viti 1991, që të mund të thoni, ja kështu qeverisim ne. Merrni zyrat, mbyllni derën e bëni fshatin tuaj aty. Sigurisht me buzëqeshjen monumentale të sekretarit të Partisë së Punës dhe të shokut Ramiz Junior.
Nuk mund të mungonte sigurisht amendamenti për mësuesit ndihmës, pra, mësues për fëmijët me aftësi të veçanta. Sa mësues ndihmës kishte në Shqipëri, në vitin 2013? Asnjë, zero. Sot vijnë e kërkojnë hesap.
Sot, ne kemi 310 mësues dhe buxheti i 2018 i dyfishon, bëhen 620 mësues për fëmijët me aftësi të veçanta. Ku e gjeni këtë kurajo? Unë e di ku e gjeni, është kurajo e pafytyrësisë. Pafytyrësia ka një kurajo që ju e dëshmoni çdo ditë, e dëshmoni me gjithë akuzat që bëni, me gjithë shpifjet që bëni, me të gjithë papërgjegjshmërinë që keni në raport me detyrat që ka opozita, në raport me vlerat që kishte Partia Demokratike.
Me të njëjtën kurajo të pafytyrësisë vjen edhe amendamenti i fundit, që është qershia mbi tortë. Këta duan rritje të buxhetit për kulturën dhe për sportin. Buxheti i sportit në 8 vjet të PD-së ishte 80 mijë dollarë. Po të shikojmë buxhetin e kulturës sot, ku krahasohet ! Duke filluar me muzeumet, me teatrot, më tutje me monumentet kulturës të shpëtuara dhe të restauruara, që të mos shkoj tek stadiumet, – se aty ishit të falur, sepse Saliu, futbollin e ka luajtur me gurë dhe kur luan me gurë, nuk duhet fushë e sheshtë, por një kodër në mes e hidh, të hedhin. Edhe këtu, Saliu është i justifikuar.
Ne do të vazhdojmë prapë, do të bëjmë stadiumin e Korçës, stadiumin e Vlorës, do të përfundojmë projektin e Parkut Olimpik në Korçë, që ju thoshit nuk bëhet kurrë e kështu me radhë. Ndërkohë nuk do lëmë shkollë në Shqipëri pa terrene sportive. Përsa i përket kulturës, në këtë 4-vjeçar do ta ndërtojmë Teatrin Kombëtar aty, në vend të asaj “dopo lavore”-s, që 20 vjet e latë atje, se e quanit si relike të madhe të Shqipërisë. Sot, ne do ta shembim dhe do të bëjmë teatrin e ri. Ndërkohe që një skenë e re e teatrit përfundon shumë shpejt në Tiranë, pranë shkollës “Petro Nini” e me radhë.
Ju vazhdoni me avazin tuaj. Ne kemi punë tonë. Fatkeqësia është se këtë punë, sigurisht që ju na e vështirësoni duke qenë kaq të paaftë, kaq jo sfidues, kaq qesharakë, faktikisht, duke na e bërë kaq të lehtë fundin e kësaj beteje politike. Por neve nuk na intereson fundi i betejës politike, sepse në fund të betejës politike, ne do të fitojmë prapë, siç kemi fituar. Jua kam thënë këtu në 2013-n, jua kam thënë në 2015, po ua them prapë, në 2019 vijnë zgjedhjet dhe e dini si do të dilni ju? Si ai që del i rruar dhe i qethur çdo mëngjes, ashtu do dilni ju, me këto mend dhe me këtë mungesë totale përgjegjësie që keni.
* * *
Dua të bëj një pyetje për të gjithë këtu e për të gjithë ata që na shohin e na dëgjojnë. Ndërkohë që unë fola ekzaktësisht për një çështje themelore të rendit të ditës, duke marrë një nga një, të gjitha amendamentet e Partisë Demokratike, a ma thoni nga çfarë dëgjuat nga Kryetari i Partisë Demokratike, ku dallonte ai nga një parazit në një kafene që i merr temat si t’i vijnë në mend. Një fjalë nuk tha për 19 propozimet që ka bërë partia e tij, bazuar në programin elektoral të vitit 2005. Madje, foli tamam si ata që nuk kanë shkrehur një pushkë e tregojnë se çfarë kanë bërë në luftë.
I kam shënuar e do t’i marr pak me radhë, se më mirë të ballafaqojmë gjërat që thuhen këtu për këtu, sesa përpiqemi të gjejmë sens tek ky grup.
Po e filloj me një citim: “Ne e përgëzojmë qeverinë e Shqipërisë, për përpjekjen e saj të vazhdueshme për zbatimin e reformave më kyçe, përfshirë reformën në drejtësi, për betejën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.” Këtë e ka shkruar dhe firmosur vetëm dy ditë më parë, Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Për çfarë e përgëzon Sekretari i DASH këtë qeveri, që po t’ju dëgjosh juve, jo që nuk duhet përgëzuar, por këtu duhet të kishin zbritur forcat e NATO-s. Apo e kemi blerë me lekët e drogës? Apo e kemi lobuar me para kompanish guaskë, në një ishull parajse fiskale?
Lulëzim, do të prezantoj me Bilalin, sepse Bilali e kaloi atë që do kalosh edhe ti, ta siguroj këtë gjë dhe në fund të hetimit e të gjykimit vazhdon jetën e tij. Por nuk e di sesi do vazhdojë çështja. Unë nuk e komentoj këtë çështje për një arsye shumë të thjeshtë, jam i bindur si këto drita që shikoj, që edhe sikur prokuroria shqiptare të mos lëvizë gishtin, ajo çështje do të hetohet aty ku nuk kalon dot deveja në vrimën e gjilpërës.
U rikthyet tek fëmijët e Bulqizës. Në Bulqizë keni dhënë afro 60 koncesione. E keni bërë minierën copa-copa, plaçkë lufte për ta rrjepur për së gjalli, gjithë atë pjesë të trupit të vendit tonë. Ne nuk kemi dhënë asnjë koncesion, por kemi hapur rrugën e një investimi që shkon në 60 milionë dollarë në atë zonë. 34 milionë dollarë janë investuar, do investohen edhe 26 milionë dollarë të tjera. Asnjë investim nuk është bërë atje në 8 vjet. Vetëm jep, merr, ik e ndaj në Tiranë dhe ato kodrat e Bulqizës ishin të mbushura me fëmijë. Ndërkohë që sot, shkoni pyetini vetë minatorët, e kanë apo nuk e kanë 870 dollarë në muaj rrogën.
Ne i hapëm rrugën, një investimi të penguar me vite. Një investim, i cili do ta nxjerrë përfundimisht atë zonë nga errësira dhe nga tmerri ku e futët ju. Edhe ata pak fëmijë, me gishtat e dorës, që janë atje jashtë kontrollit akoma, janë si rezultat i mospërmbushjes deri në fund të kushteve nga ata koncesionarët tuaj, që nuk kanë vajtur të investojnë atje, por kanë vajtur vetëm të rrjepin e të ikin. Ata nuk do jenë më aty, të jeni të sigurt për këtë.
Vazhdove me tymin e kaldajës. Më trego një kopsht në Tiranë, ku vure ngrohjen. I le çerdhet dhe kopshtet e Tiranës, si të ishin fundi i fundit të fundit të kazanit të botës. Do të bësh politikë edhe me një aksident që ndodh kudo, se nuk di ç’të bësh tjetër.
Gënjeshtra tjetër ishte lidhur me impiantin e mbetjeve në Fier. Lefter Koka mund të flasë, sepse është një politikë që e kemi bërë sëbashku dhe e cila ka shpëtuar zgjedhësit që të kanë dhënë votën në Elbasan. Çdo pasdite digjeshin plehrat dhe mbulohej qyteti me re. Reja nuk është më aty. Iku me Republikën e Re? Iku, sepse u bë ai investim që është investim ekselence dhe nuk ka asnjë rrezik minimal për shëndetin e njerëzve, përkundrazi. Është investim me makineri, të ardhura nga një vend i ekselencës në Europë, jo me hekurishte, me të gjitha parametrat dhe standardet europiane. Po i tillë është dhe ai i Fierit.
Le të flasim për ato 4 milionë euro, që akuzon pas berihait, sepse të shohin sytë vetëm euro. Ky është problemi yt, ngaqë je mësuar ti bësh vetë ato pazaret me oligarkët, përpara se të dalësh të mbash fjalime e akuzon të tjerët në hava. Pyet Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, – është i partisë suaj, – e ka certifikuar apo jo KLSH atë procedurë. Por nga puna ti nuk do kuptosh ndonjëherë, se nuk ke punuar ndonjëherë. Janë 4 milionë euro për agregate, nuk janë për të vënë themele dhe janë të paguara sipas kontratës. Jeni të gatshëm t’i lini shqiptarët në mizerien ku i latë, me plehra që u digjen para syve, që digjen nëpër lumenj, duke ju futur një frikë irracionale, që e ka bazën tek Shqipëria e plehrave që bëtë ju, ndërkohë që ne me përgjegjësi të plotë ju themi, shikojeni Elbasanin. Siç shpëtoi Elbasani, do shpëtojë edhe Fieri.
Ku i gjetët ato 400 milionë eurot? Nuk të vjen zor, kryetari i opozitës vjen këtu dhe gjuan shifra mbas berihait. I gjithë angazhimi i qeverisë shqiptare për impiantin e Elbasanit dhe për impiantin e Fierit është 54 milionë euro me TVSH për 33 vjet. Po për ty, e gjitha kjo është një lojë. Ti je një lojë me një lodër që ta kanë falur, more çun. Ta kanë falur lodrën e ti nuk ia di as vlerën, nuk ia di as kuptimin, nuk ia di as funksionin dhe në fund fare do ta bësh copë e cikë, si ata kalamajtë që e marrin dhe e prishin e në fund duan lodër tjetër. Por lodër tjetër për ty nuk do ketë.
Vazhdon flet për palmat. Unë di që nga një ngricë përtej të gjitha parametrave, si ajo e vitit të kaluar, të thahen një numër pemësh, kjo mund të ndodhë kudo, por sa pemë mbolle në ti në Tiranë? Ndërsa deri tani janë mbjellë 100 mijë dhe deri në marsin e ardhshëm do mbillen edhe 100 mijë të tjera. Ndërkohë që ti nuk tregon dot një pemë.
Ti flet për Lushnjën, por gratë e burrat që janë në arë nuk dalin për film, siç thua ti, nuk dalin për të dalë në fotografi me mua, por punojnë çdo ditë, pa orar. Është zona më intensive sot e zhvillimit bujqësor të vendit, që ka kontributin kryesor në eksportet shqiptare. Për ju, Shqipëria ka vetëm kriminalë që mbjellin hashash kudo, se ju nuk e dini fare se ku është Shqipëria.
The se dy fshatarë u arrestuan. Prapë një gënjeshtër. Grupi i arrestuar nuk janë dy fshatarë, siç doli nëpër mediat e kazanit. Ajo ishte njëra çështje, ka një çështje tjetër për atë grup në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
E meqë flet për policinë greke, nuk e kuptoj, për çfarë e çove Tritanin në Greqi, që të takohet me ata që janë kundër normalizimit të marrëdhënieve tona me Greqinë? Përgjigju këtu, për të gjitha këto, se të gjitha ç’po them, janë fakte, nuk janë opinione. Na thuaj, çfarë doni ju në Greqi, që shkoni me paturpësinë më të madhe dhe nuk lini gjë pa thënë për vendin tuaj. Vendi më i keq sikur të jetë, vendi më në hall të jetë, prapë është vendi juaj. Ku e keni parë që një opozitë të shkojë tek komshiu, cilido qoftë komshiu e t’i qahet komshiut për shtëpinë e vet? Si shpjegohet që këto që thoni ju, ajo bota e kancelarive, jo vetëm nuk i thotë, por i konsideron gjëra të pabesueshme, sesi mund të thuhen nga njerëzit për vendin e tyre.
Përmende interkonjeksionin, po ta kujtoj se interkonjeksionin me Kosovën e zhbllokuam ne dhe përfundoi. Duhet ta dish shumë mirë, – kam filluar të dyshoj edhe në ato gjëra që mendoja se i dije, – se ajo nuk është një çështje se ja lamë ne serbëve, ajo është pjesë e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.
Kur fillove të zbërthesh strategjitë e mia, e para, po ta përsëris, është “shah” o Lulzim, nuk është “damë”. Ti vazhdon luan damë, ha ti këtë, të ha unë atë. Nuk funksionon kështu. Nuk ka 3 strategji, por ti, ngaqë vetëm strateg nuk ke qenë e nuk je dot, nuk di çfarë është strategjia dhe je thjeshtë viktimë e taktikave të tua dritëshkurtra, sot për nesër. Se ku është alternativa në këtë, Zoti i ruajt ata që vazhdojnë të votojnë për ju.
The edhe një gjë të bukur, shkova në restorant dhe restoranti ishte plot. Po si ka mundësi që ishte restoranti plot more Lulzim? Këtu, me këtë Shqipëri që përshkruani ju e me këtë kiamet që recitoni ju, nuk duhet të ketë njeri as në restorante, as në dyqane, asgjëkund. Këtu, sipas jush, gjithë njerëzit duhet të jenë vargan, duke ikur me sirianët. Restoranti ishte plot, sepse konsumi vazhdon dhe rritet, sepse fuqia blerëse vazhdon dhe rritet. Sa për gjobat që qan hallin, ne do t’i vëmë gjoba kujtdo që nuk do zbatojë ligjin. Sepse e mësuat ju shqiptarin “haje ti këtu, ta haj unë atje” e prandaj e bëtë shtetin lesh e li dhe na ra ne përsipër ta ngremë gjithçka nga e para. I çmësuat shqiptarët që të respektojnë edhe rregullat e qarkullimit, jo më rregulla të tjera. Ne, luftën kundër informalitetit do ta çojmë deri në fund e të gjithë do marrin gjobë, deri sa të mësojnë që nuk vidhet konsumatori, ajo që i takon shtetit, ajo që i takon shoqërisë, ajo që i takon njerëzve.
Pyete, a e dini ju se çdo ishte Shqipëria po të kishte ardhur ky që në 2005-n, unë nuk e di çfarë do, por di çfarë do ishte Shqipëria, po të mos kishit ardhur ju që në 2005-n, nuk do ishte vendi që gjetëm në 2013-n;
Nuk do ishte vendi ku 52% e njerëzve nuk paguanin energjinë elektrike; Nuk do ishte vendi ku askush nuk respektonte asnjë rregull;
Nuk do ishte vendi ku kushdo ndërtonte ku ti tekej;
Nuk do ishte vendi ku pronarët e tokave shfaqeshin nga një krahinë, sikur ishin autoktonë në një krahinë tjetër;
Nuk do ishte vendi që do kishte 720 milionë dollarë borxhe për kontrata të parespektuara;
Nuk do ishte vendi ku spitalet nuk do kishin asnjë ilaç e njerëzit do shkonin me batanije me vete në spital;
Nuk do ishte vendi ku policët do hanin fara kungulli në udhëkryq, me kapelën drejtuar për të marrë ndonjë lek e nuk do ishte vendi ku Flamuri do ishte ministër i Brendshëm, dreqi e mori.
Projekti “Një miliardë” – the diçka, jo gjithçka, se e ke hall të madh se atë 1 miliardëshin e shikon si llokmën që po të ikën ty, – nuk është llokëm, as për mua, as për ty, por është për gjithë Shqipërinë.
The që bëtë shumë rrugë. Në fakt, ju keni tenderuar shumë rrugë. Rruga e Kombit, e cila është vepra e vetme me të cilën ju mund të thoni bëmë këtë, kërkon sot që flasim edhe 150 milionë të tjera për t’u përfunduar. Të gjitha rrugët e tjera, më thoni një që e filluat dhe e mbaruat. Mbaruat rrugën e Elbasanit? Mbaruat rrugën që shkon në Vlorë? Mbaruat rrugën që shkon në Laç? Kë mbaruat, që ju ka mbaruar vaji i kandilit? Juve keni mbaruar vetëm një rrugë, keni mbaruar rrugën e Partisë Demokratike, e keni çuar ballë përballë me murin tani dhe i bini murit.
Nga ana tjetër, ne me programin “1 miliardë” do t’i bëjmë të gjitha rrugët me certifikatë sigurie dhe lëvizshmërie. Meqë jemi tek paratë e pista, Rruga e Arbrit, e cila në projektin tuaj ishte 27 kilometra e kushtonte 344 milionë euro, në projektin tonë është 42 kilometra, kushton 163 milionë euro dhe propozimin e ka bërë Rrok Gjoka. Ju të Republikës së Re mos më shihni me çudi se ju nuk e njihni. Këta të Republikës së vjetër e dinë që Rrok Gjoka është firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike. Rrok Gjoka është sponsor i çdo fushate të Partisë Demokratike, është përfitues i tenderave të kryetarit aktual të Partisë Demokratike, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Rrok Gjoka do pastrojë paratë? Parat e kujt do pastrojë?
Propozimin tjetër e bërë për rrugën Thumanë-Kashar, – ëndrra e vjetër e bacës Sali, në programin e vitit 2005, – e bën Bashkim Ulaj. Kompani shqiptare ekselence.
Vitin tjetër do ju ftoj në inaugurimin e fillimit të punimeve për aeroportin e Vlorës. Do të të japim edhe një biletë për Air Albania në fluturimin e parë.
Biznesin e vogël e do me taksë të sheshtë 9%. Ne e kemi zero taksën e biznesit të vogël. Ata e kanë zero, ti thua ta bëjmë 9%, pse? Taksa e biznesit të vogël do jetë zero. E të voglit ama, jo e të mëdhenjve që bëjnë si të vegjël. Se Saliu tha “peshku i madh”, në fakt e vetmja qenie që llokoçitet si peshk në rrjet është Saliu kur bën not. Duam, nuk duam ne, lodrën këta ta dhanë ty. Ta fali Saliu, po ti kësaj lodre nuk i di kuptimin, nuk i di vlerën, nuk i di funksionin dhe kujton se mjafton që i ke hipur ti lodrës e lodra do të të çojë në destinacion. Nuk të çon asgjëkund.
Ndërsa ato paratë që thotë Taulanti, ato ka se kush i gjen. Ato i gjejnë ustallarët deri në fund. Oerdi thotë ne i kemi deklaruar. Këtu pyetja është shumë e thjeshtë, çfarë janë këto kompani të huaja që paguajnë për llogari të Partisë Demokratike. Ju i keni deklaruar, por çfarë janë këto kompani të huaja fantazmë, në një parajsë fiskale që paguajnë 1 milionë dollarë për llogari të Partisë Demokratike. Kjo është pyetja. Deklaroni apo nuk deklaroni, ky është muhabet tjetër. Ka plot që deklarojnë e pastaj kapen me deklaratat e tyre. Këtu do jemi, unë jam shumë i qetë, se Shqipëria nuk është vetëm. Kur ju thosha që do vijë FBI-ja këtu, jo nuk vjen FBI-ja këtu, ne i bëjmë me forcat tona. Këtu e keni FBI-në, mos u mërzisni, hap pas hapi do t’i shihni të gjithë llojet e peshqve në zgarë. Vetëm lutuni që mos ju kapi zgara.
* * *
Unë jam nxënës i Konicës dhe i Fan Nolit. Sigurisht, pjesë e kësaj shkolle është gjuha sarkastike, por është një shkollë që në këndvështrimin tim është shkolla më e lartë e oratorisë shqiptare. Por unë as dje, as sot dhe as nesër nuk do t’i them kundërshtarit “horr” dhe “klloun”. Horr dhe klloun ishin dy fjalë që sapo i përdori kryetari i opozitës. I shpreh keqardhjen. Le të vazhdojë kështu. Sarkazma, sigurisht të dhemb më shumë se këto fyerjet e drejtpërdrejta të rrugës, por për këtë punë është bërë, që të dhembi.
Ju keni dy rrugë, Lulzim; Ose ktheje dhimbjen në forcë dhe drejtohu për ndihmë Faikut dhe priftit të madh, ose vazhdo me gjuhën e rrugës, që janë pjesë e një fjalori që në atë shkollë quhet fjalor ngelësi në oratori. Je ngelës me standardet e shkollës që bëj unë. Unë përpiqem, nuk kam si ata, por mësoj nga ata dhe mësoj çdo ditë dhe është një mësim që e vë në jetë, sepse ju jeni njësoj siç ishin kundërshtarët e atyre në atë kohë, siç i quante imzot i madh, gdhe.
Gënjeshtar ti, apo gënjeshtar unë? Nëse janë 400 milionë euro për impiantet e përpunimit dhe trajtimit të mbetjeve, unë jap dorëheqjen. Ti e jep dorëheqjen? Po e them publikisht, le ta marrin, ta analizojnë analistët, ta fusin deri në fund të kazanit , ta nxjerrin në ballë të kazanit dhe po doli 400 milionë euro shuma e dedikuar për këto vepra shpëtimi të shëndetit, të mjedisit, të së ardhmes, unë jap dorëheqjen.
Ti vazhdon me të tënden, siç edhe vazhdove e the, është e vërtetë që emrat që unë përmenda, janë ashtu siç them unë. Domethënë, ti thua nuk është e vërtetë që Rrok Gjoka është themelues i PD-së. Është themeltar i themelimit të PD. Bashkim Ulaj është personi, po ta kujtoj publikisht, që ka rindërtuar SHQUP-in si mbështetës i PD dhe ta ka bërë gati, që ta marrësh ti lodrën, apo jo Lulzim?
Programi “Një miliardë” e përcakton shumë qartë burimin e financimit, është sistemi bankar i Republikës së Shqipërisë, apo kudo qoftë tjetër, me banka të certifikuara dhe të sigurta. I ke rënë bankave, ke bërë atë që as Saliu nuk e ka bërë kurrë, ke bërë atë që as Partia Socialiste, mirë a keq, kjo është çështje tjetër, nuk e bëri, kur një i njohuri yt, Vehbi Alimuça, bashkë me një simpati të Saliut, Sudën, ndërtonin bankat piramidale. Megjithatë nuk u çua njeri, për një arsye shumë të thjeshtë, se çdo politikan që ka përgjegjësi dhe mban përgjegjësi për ato që thotë, nuk prek aty ku mund të çelet një proces që e çon vendin në zjarr.
Por ti ngaqë ke një lodër në dorë, që ta kanë falur e nuk ia di as kuptimin, as vlerën, as funksionin, s’ke si ta kuptosh që ajo lodra në dorë, kur e përdor si armë, është e rrezikshme.
Më thua pse nuk flet për Habilajt, ndërsa unë pyes vetën, nëse nuk do të kishin dalë këta Habilajt, ç’do të thoshit ju? Se më krijohet përshtypja, sikur ju çdo natë shikoni në ëndërr, të bëjnë ndonjë gjë Habilajt nesër, se përndryshe na lanë pa punë. Unë as nuk i kam njohur Habilajt, ti i ke njohur, kanë qenë roje në një investim, që ti e di shumë mirë se ku ka qenë dhe si është bërë dhe mund të flasësh e me të drejtë mund të jesh shumë i inatosur me ta. Unë çfarë të flas, për një llum që është prapa hekurave, atje ku e meriton?
Edhe kur flet për ekonominë, nuk di çfarë flet. Do një bast tjetër me dorëheqje, jo me llafe? Do të provojmë, a është e vërtetë që në janar të vitit 2013, në librin e punës të Republikës së Shqipërisë kishte 420 mijë njerëz, ndërsa sot, në librin e punës së Republikës së Shqipërisë ka 657 mijë të tillë? Nëse ti i del për zot fjalëve të tua, nëse ke kurajë t’u thuash shqiptarëve që ti thua vetëm të vërtetën, – në fakt, nga këta të tutë kemi dëgjuar se edhe kur të pyesin sa është ora, bëjnë një verifikim me orën tjetër, sepse nuk e di sa del ora, – e ke shumë të thjeshtë. Nëse 400 milionë është siç thua ti, unë jap dorëheqjen. Ti ç’bën? Ti nuk bënë asgjë.
Në këtë Shqipëri, që ka sipas jush, të gjitha këto kiamete, ka 60 mijë biznese, neto, më shumë se në vitin 2013. Meqenëse iu referohesh shifrave, 423 mijë ishin në punë në vitin 2013, sot janë 657 mijë në librat e shtetit. Nuk po flas për sektorin bujqësor, por për sektorin jo bujqësor të Republikës së Shqipërisë. Janë njerëz që paguajnë kontribute. Ju thoni se janë formalizim. E vërtetë, një pjesë janë formalizim. Por formalizmi ka të mirën që njerëzit që trajtoheshin si skllevër në të zezë, i kemi nxjerrë në dritë.
Beteja tjetër është problemi me kompanitë e mëdha. 800 kompani të mëdha deklarojnë 42% të pagave nën 300 mijë lekë, që është gënjeshtër. Inxhinier, ekonomistë, juristë etj.. A ke ndonjë ide për këtë, Lulzim? Përveç taksës së sheshtë që duhet ta harrosh. Sa të jemi ne këtu, taksë të sheshtë nuk do ketë. Gjej ndonjë ide, se mjaft me idenë e Saliut të 2005-s.
Më fole për rrugët dhe për çuditë që keni bërë ju. Është e vërtetë, – Haxhinasto mund të dalë dhe ta konfirmojë, sepse së bashku me Haxhinaston kemi bërë shumë përpjekje në atë gropë ku e gjetëm situatën, – keni bërë shumë tendera rrugësh, kjo është shumë e vërtetë dhe kilometrat e tenderuar ju i quani puna juaj. Si qenka puna juaj, kur një lot të Unazës së Tiranës që kushton 20 milionë dollarë, ju e keni tenderuar me 10 mijë dollarë?! Pra, 19 milionë e 900 e 90 mijë të tjerat hajde se t’i kam dhe i quani të bëra. Sipas jush, unaza e Tiranës ishte bërë, ne tani po e prishim. Më thoni një rrugë që e filluat dhe e mbaruat, në 8 vjet. Rrugën e Kombit nuk e keni përfunduar, e keni bërë si grykë shishe në fillim e fund. Kur hynë tek kthesa për t’u ngjitur, është shteg siç ishte, kur del në fund është shteg siç ishte. Rruga do 150 milionë.
Ne kemi kaluar 4 vjet duke paguar borxhe dhe akoma, edhe në buxhetin e 2018-s kemi për të vazhduar financimin në një pjesë të konsiderueshme të rrugëve që ju i latë rrugëve. Tendera bëhen kollaj, puna është vepra nga fillimi në fund. S’po përmend kontratat. Përmendni rrugën e Elbasanit, një katastrofë, pa studim gjeologjik, që u shemb e ra në tokë një pjesë. Kontrata mizerabël, supervizim i korruptuar. Me ato para që ka harxhuar në çerekshekulli Shqipëria do të ishin bërë rrugët dy herë, do ishin bërë edhe ujësjellësit dy herë dhe do ishin bëre kanalet vaditëse 3 herë. Po nuk janë bërë dhe për fat të keq janë numëruar sikur janë bërë. Këto janë rrugët që keni bërë ju.
Lulzim, shko në shkollë tek Faiku dhe tek Im Zot Noli dhe mëso të ndash fyerjet, sharjet, gjuhën e rëndomtë të atij që i thotë tjetrit, kriminel, horr e gjithë këto dhe nëse i keni dëgjuar nga unë ndonjëherë, mi nxirrni dhe pastaj përballu me mua. Je ngelës në atë shkollë, as nuk hyn dot, nuk plotëson kredencialet. Për ta mbyllur po ta kujtoj prapë, je gati të japësh dorëheqjen, nëse nuk janë 400 milionë, siç po i rrokanis kokën shqiptarëve tash 3 ditë. Unë jam gati. Po ti je gati? Përgjijgu ose prano që fole kot.