Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë plenare në Kuvend:
Do të ishte e udhës që sot të kishim këtu opozitën, e cila thotë se është e motivuar nga një padrejtësi e madhe që lidhet me vendosjen e pagesës në Rrugën e Kombit. Por, fatkeqësisht, opozita nuk është këtu, sepse nuk është e motivuar nga problemi i krijuar nga vendosja e kësaj pagese, por është e motivuar për të shfrytëzuar këtë moment pakënaqësie legjitime të banorëve të zonës së Kukësit në funksion të halleve të ditura dhe të paditura të lidershipit të saj. Megjithatë, duke qenë se opozita nuk është këtu, unë nuk do të merrem me “pse”-të dhe “si”-të e opozitës, që e ka humbur rrugën dhe kërkon të tërheqë sa më shumë njerëz në rrugën e saj pa krye, por do të merrem me atë që është detyra jonë e ditës, shpjegimi me durim i çështjes që ka krijuar pakënaqësinë legjitime të banorëve të zonës së Kukësit.
Ajo që duhet përsëritur nga ana ime dhe nga ana e qeverisë, qysh në krye të çdo diskutimi për këtë çështje, është vetëdija për përgjegjësinë time dhe për përgjegjësinë tonë për pamjaftueshmërinë e shpjegimeve dhe të sqarimeve lidhur me këtë çështje. Nuk kemi bërë sa duhet, jo sepse kemi qenë indiferentë, apo kemi lënë me vetëdije në harresë impaktin negativ, që me të drejtë ka shkaktuar, kështu siç është paraqitur dhe kështu siç është manipuluar nga të katër anët vendosja e pagesës, në shpirtrat e mendjet e njerëzve që banojnë në atë zonë, por thjesht sepse nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të të gjithë kësaj çështjeje, përpara sesa të vendosej sistemi i pagesës.
Pse nuk e kemi bërë? Çfarë intuite na duhej që nuk e patëm? Pse kemi përgjegjësi, unë i pari, qeveria si e tërë, për akumulimin e kësaj pakënaqësie?
Sepse, pa dashur aspak të justifikohem, u kam kërkuar ndjesë publike banorëve të zonës dhe do ua kërkoj deri në fund, sa herë të flas për këtë temë, por jemi nisur thjesht nga praktika ndërkombëtare dhe duke qenë një eksperiencë e parë, nuk kemi qenë mjaftueshmërisht të përgatitur për çfarë mund të krijonte një risi e tillë nga pikëpamja psikologjike për njerëzit e painformuar sa duhet dhe pastaj, edhe të vendosur në shënjestrën e të tjerëve, opozitës, por jo vetëm, për t’u përdorur si mish për top për axhendat e tyre.
Në praktikën ndërkombëtare, çka është e nënshkruar në kontratë, kërkohen 6 muaj pas vendosjes së sistemit të pagesës për të nxjerrë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe për të trajtuar me një sistem të veçantë pagese përdoruesit e shpeshtë, që në këtë rast janë banorët e zonës. Kjo është e shkruar në kontratë. Në fund të muajit shkurt, unë jam ulur me ministrin e Infrastrukturës, me ministrin e Financave dhe kam kërkuar fillimin e diskutimit me kompaninë për të adresuar pikërisht këtë aspekt, sepse asnjëherë nuk ka qenë qëllimi dhe asnjëherë nuk është vënë në diskutim nevoja për të adresuar problematikën nga pozicioni i banorëve të zonës. Kjo është e shkuar në kontratë. Nuk është një fjalë e thënë pas shfaqjes së problemit, por është një fjalë e shkruar në kontratë. Sidoqoftë, ne jemi duke vazhduar intensivisht punën për zgjidhjen e kësaj problematike dhe për krijimin e mundësisë optimale, që edhe procesi i mirëmbajtjes jetike të Rrugës së Kombit të garantohet, edhe problemi i banorëve të adresohet.
Në këtë aspekt, vendimi ynë është i qartë;
Ne nuk do të fillojmë sistemin e pagesës, pa dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë.
Është një punë e vështirë. Ne kemi përfshirë dhe ekspertë të huaj që e thonë këtë. Është një punë e vështirë të parashikohet gjithçka përpara, duke mos pasur fillimisht rezultatet e 6-mujorit të parë që të japin në dorë shifrat dhe flukset, por ne ia detyrojmë këtë të gjithë njerëzve të asaj zone dhe duke bërë më të mirën e mundshme, do të arrijmë, besoj, që ta lehtësojmë barrën e tyre në mënyrë të ndjeshme dhe ta bëjmë të funksionojë sistemin.
Megjithatë, në këtë proces nuk është e rëndësishme vetëm që ne të kuptojmë ata, por është e rëndësishme që edhe ata të na kuptojnë ne, sepse nuk ekziston në këtë botë, nuk ka ekzistuar kurrë një udhëheqës, apo një kryeministër, apo një përfaqësues i zgjedhur i popullit, që të vendosë pagesa me dëshirë, apo nga qejfi i vet, që të vendosë detyrime që nuk janë të domosdoshme. Kjo nuk ka ekzistuar, por kanë ekzistuar gjithmonë dy lloje drejtuesish, udhëheqësish kryeministrash, përfaqësuesish; ata që preferojnë të duartrokiten duke gabuar dhe duke ua lënë faturën njerëzve gjatë rrugës për të ruajtur rehatin e tyre në karrige dhe ata që preferojnë të shahen duke bërë gjënë e drejtë në funksion të së nesërmes.
Unë hyj tek këta të dytët.
Midis duartrokitjeve, duke marrë me të mirë një grup interesi, apo një komunitet, apo një bashkësi të tërë, siç bënë të tjerët që i lanë njerëzit disa të paguajnë dhe disa të mos paguanin dhe pakënaqësisë, apo dhe sharjeve, duke bërë sot, një gjë që shumëkush mund të mos e kuptojë që është e duhura për nesër, unë kam zgjedhur. Zgjedh dhe do zgjedh gjithmonë këtë të dytën! Sepse ta shohësh greminën përpara njerëzve që udhëheq dhe ta llogarisësh rrugën drejt greminës me gjatësinë e mandatit tënd, duke thënë deri kur do jem unë, s’do jetë afruar gremina te këmbët e mia dhe ta lësh popullin tënd që pastaj të ballafaqohet me greminën, siç e lanë të tjerët përpara nesh, nuk hyn në raporton tim me njerëzit dhe unë e konsideroj tradhti të interesit të tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Të mos ndërhysh sot, për ta mirëmbajtur Rrugën e Kombit dhe të zgjedhësh rrugën më të lehtë, duke thënë vazhdoni se është falas për të gjithë, mund të fitosh kohë duke ndenjur rehat në këtë aspekt, por thjesht e vetëm zgjeron hendekun e së nesërmes dhe thellon greminën ku nesër do gjendet jo vetëm ai komunitet, por e gjithë bashkësia jonë dhe jo vetëm në funksion të një pagese që nesër do jetë shumë më e lartë, por dhe me pasoja shumë të mëdha në ekonominë tonë.
Historikun e dini. Nuk dua ta përsëris.
Kur i jam kthyer historikut dhe kur i kthehemi historikut, duke iu thënë njerëzve që këta që sot kërkojnë që rruga të jetë pa pagesë, dje, jo vetëm e pranuan se rruga nuk mirëmbahej dot më pa kontributin e përdoruesve të saj, por bënë edhe një tender me 8.5 euro, që fatmirësisht dështoi, nuk e bëjmë për t’ju thënë që ne jemi më të mirë, se ne ju bëjmë të paguani juve më pak, s’ka lidhje kjo, por e bëjmë për t’ju thënë që kjo rrugë nuk mirëmbahet dot. Ajo rrëshqitje katastrofike, që përpiu një pikë shërbimi përpara pak muajsh, sikur u hap dheu, është e para, por nuk është e fundit, në rast se ne nuk ndërhyjmë për ta mirëmbajtur rrugën dhe në rast se ata që e përdorin më shpesh nuk japin kontributin e tyre.
Ajo që të gjithë duhet të kuptojnë – dhe këtu është përgjegjësia jonë, që ta bëjmë të kuptueshme – është se ne nuk i kemi rritur taksat.
Ne i kemi ulur taksat për 97% të shqiptarëve. Por, fatkeqësisht, shumë njerëz, sot e gjithë ditën e konsiderojnë taksë pagesën e energjisë, e konsiderojnë taksë pagesën e ujit, e konsiderojnë taksë pagesën për çdo shërbim.
Këto nuk janë taksa.
Këto janë kosto të shërbimeve, në mënyrë që shërbimet të funksionojnë. Natyrisht që kush është mësuar deri dje që të mos paguajë asgjë nuk është i lumtur, nuk ka si të jetë i lumtur që sot duhet të paguajë edhe dritat, edhe ujin etj.. Por, nëse u katandisëm, siç u katandisëm dhe humbëm 25 vjet, duke rënë pre e politikave dhe politikanëve që për rehatin e tyre, për karrigen e tyre, për jetëgjatësinë e pushtetit të tyre ia lanë të ardhmes problemet që ne hasim sot, nuk mundet dot ne t’i lëmë të ardhmes problemet që duhen zgjidhur sot.
Në aspektin konkret të kësaj rruge kam dëgjuar krahasime që nuk kanë lidhje. Po filloj nga një teori. Në Zvicër paguhet një kartë e përdorimit të rrugëve 40 franga dhe bredh të gjithë Zvicrën gjatë gjithë vitit. Po, është e vërtetë, por e paguan çdo njeri që ka makinë. A janë të gatshëm shqiptarët sot të paguajnë çdo vit për të gjitha rrugët e Shqipërisë, ndërkohë që sot shqiptarët vazhdojnë dhe adresojnë problemin e naftës?
Nuk janë të gatshëm.
Nuk mundet t’i faturohet çdo personi që ka një makinë një pagesë për të gjithë rrugët e Shqipërisë që ai nuk i përdor. Ndërkohë po, është e vërtetë, ne kemi vendosur një taksë, e vetmja taksë e rritur për ata që kanë makinë, që janë përdoruesit e rrugëve dhe që janë dhe ndotësit më të mëdhenj të mjedisit, është taksa mbi karburantin. Është e vërtetë. Por pyetja është shumë e thjeshtë: Nëse kjo taksë ulet, ku dalin paratë që merren nga kjo taksë, për të vazhduar dhe për të bërë gjërat e tjera?
Do duhet një taksë tjetër dhe aty pastaj do duhet të taksohen të gjithë, me makinë, pa makinë. Ndërkohë që çmimi i naftës, sot që flasim, jo për meritën tonë fare, por për konjukturën ndërkombëtare është më i ulët, sesa ditën kur ne rritëm taksën dhe çmimin, meqë ishte konjukturë ndërkombëtarë e padiskutueshme, njerëzit e paguanin atëherë, sot e kontestojnë.
Dakord, mirë bëjnë që e kontestojnë, por duhet t’i bëjmë vetes një pyetje: Si mundet ne ta bëjmë Shqipërinë që duam, si mundet ne të bëjmë një shtet si të gjithë të tjerët, nëse jemi të gatshëm që kur shkojmë në Maqedoni, të paguajmë pa bërë naze, se s’kemi çfarë nazesh të bëjmë, nga 0.5 euro deri në 5.5 euro në varësi të aksit rrugor?
Kur shkojmë në Mal të Zi dhe duam të hyjmë në tunelin që shkurton rrugën nga Podgorica për në Bar dhe Ulqin paguajmë nga 2.5 euro, kur shkojmë për në Tivat paguajmë 4.5 euro. Kur shkojmë në Greqi, nga Janina në Athinë paguajmë dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra euro të tjera. Kur shkojmë në Itali paguajmë në çdo rrugë, aq sa rruga Tiranë-Durrës do kushtonte 6 mijë lekë.
Pse e them këtë? E them për një arsye shumë të thjeshtë. Këto detyrime, kur paguhen në vendin tënd, kanë vlerë njëmijëfish, sesa kur paguhen në vende të tjera. Nëse në vende të tjera i paguan pa bërë naze, në vendin tonë duhet t’i paguajmë me vetëdije, sepse ndryshe, kostoja vetëm mund të na rritet, e ardhmja do të na bëhet gjithmonë e më e shtrenjtë dhe gjithmonë e më largët.
Në rrugën Durrës-Kukës janë investuar 1.3 miliardë dollarë. Historia e rrugës Durrës-Kukës dihet, por është një rrugë që ka nevojë edhe për 200 milionë euro të tjera për të përfunduar. Tani, më lejoni t’ju them se këtu ishim dhe bëmë dhe një debat. Kryetari i opozitës që nuk e kishte marrë vesh akoma, duke qenë ish ministër Transporti, duke qenë njeriu që drejton alternativën, se s’ka taksë regjistrimi dhe taksë qarkullimi, ka dalë sot me teorinë që 200 milionë që merren nga taksa e qarkullimit duhet të shkojnë atje.
Po mirë, ai nuk e di dhe s’ka për ta mësuar, por ia vlen të pyeten të gjithë, a e dini sesa paguan çdo vit arka e shtetit për borxhin e Rrugës së Kombit?
1.3 miliardë eurot nuk janë para që i kishte në arkën e shtetit qeveria e kohës, i harxhoi atje dhe historia mbaroi. Janë para, të cilat u morën borxh. Më lejoni që t’ju informoj që 42 milionë dollarë janë pagesa e detyrimit principal dhe interesit që në vitin 2018 do të shkojë për Rrugën e Kombit.
E dini sa është totali i pagesës së detyrimit principal dhe interesit që ne paguajmë çdo vit për rrugët e bëra me borxhe dhe të lëna rrugëve nga Saliu?
Është 110 milionë dollarë në vit, meqë paaftësia dhe verbëria kërkon që të na çojë tek ideja se taksa e qarkullimit, siç merret, të shkojë atje.
Po borxhet që duhen paguar çdo vit, detyrimi principal, interesat nga dalin? Nga paguhen?
Rruga e Kombit ka 37% çdo vit të pagesës së detyrimit principal dhe të interesit të Shqipërisë ndaj bankave prej ku është marrë borxh për të ndërtuar atë rrugë ku edhe u vodh e u grabit, sipas KLSH dhe prokurorisë dhe sot, shqiptarëve që thonë shkoni merrjani paratë atyre që e grabitën dhe mos vini pagesë për banorët, iu them shumë thjeshtë; Ne nuk jetojmë në sistemin e konfiskimeve që vendosen në mbledhjen e partisë dhe ekzekutohen nga qeveria në sistemin diktatorial. Ne jetojmë në një sistem tjetër. Për këtë arsye po e bëjmë Reformën në Drejtësi. Për këtë arsye janë ata sot rrugëve, duke përdorur për mish për top çdo shqiptar që ka një pakënaqësi, duke kërkuar çdo komunitet që ka një pakënaqësi, për t’i hedhur në zjarr e për t’i lënë pastaj të shkojnë të përballen me ligjin, ndërkohë që ata vetë kërcejnë vallen në stacionin tjetër.
Është drejtësia që duhet të bëjë drejtësi. Nuk e bëjmë ne drejtësinë. Nuk e bëj unë drejtësinë. Nuk ka qeveria asnjë detyrim kushtetues dhe asnjë të drejtë, mbi të gjitha, kushtetuese, që të shkojë e të bëjë drejtësi, kap këtë e kap atë. Kujt më thotë se ju e harruat atë që thatë, që do të shkojnë përpara drejtësisë të gjithë ata që bënë 21 janarin, të gjithë ata që bënë Gërdecin, të gjithë ata që vodhën këtu, të gjithë ata që vodhën atje, i them na merr të keqen. Na merr të keqen, sepse jo vetëm nuk e kemi harruar, por kemi ndërmarrë reformën më të vështirë, duke vënë në rrezik me vetëdije edhe qeverinë tonë, kur ishte puna për të kaluar ndryshimet kushtetuese, për të vendosur në shina një sistem drejtësie që do t’i marri përpara ata, të cilët i ngulin çdo ditë, thika pas shpine këtij vendi dhe njerëzve të këtij vendi.
Nëse ka diçka që është e kuptueshme nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër dhe unë e kuptoj më mirë se të gjithë, është padurimi i çdo shqiptari që nuk jeton si unë, nuk jeton si ju, nuk jeton si ne, që nuk e kemi problemin se çfarë do hanë fëmijët tanë nesër e që kërkon drejtësi. Por në të njëjtën kohë i them se sistemi që kemi zgjedhur, e përjashton mundësinë e drejtësisë së vendosur nga padurimi dhe është mundësia për të bërë drejtësi, duke ngritur një sistem drejtësie të pastër e të drejtë.
Atyre që më thonë që Vettingu qenka loja, se këta ikin vetë, por nuk japin llogari, ju them e keni gabim, sepse ata do të japin llogari, – të gjithë ata që kanë ikur, nëse kanë llogari për të dhënë dhe nuk u paraqitën në vetting, ashtu sikundër dhe ata që shkojnë në vetting dhe rrëzohen, – kur sistemi të jetë i ngritur. Sepse, nëse kishim nevojë për vetting, kishim nevojë për vetting sepse nuk kishim prokurori dhe gjykatë që ta bënte vettingun e ligjit për të gjithë, nga fillimi deri në fund. Kur ta kemi këtë sistem, atëherë nuk ka nevojë për vetting, atëherë vepron ligji ndaj çdokujt, prokuror, gjykatës, politikan, ministër, kryeministër, kushdo që të jetë.
Kush e ka harruar se ku ishim, – atyre që më thonë, lëre se ku ishim, po ku jemi. U them që të kuptojmë ku jemi, duhet të mos harrojmë ku ishim!
Kush harron ku ishte, nuk arrin dot kurrë, aty ku ka vendosur të arrijë. Historia e përmbysjeve të vazhdueshme rrugës dhe e kthimeve të vazhdueshme mbrapsht në gjithë 20 e kusur vite është historia e njerëzve që nuk kanë dashur kurrë të shohin se ku ishin, për të kuptuar ku të shkojnë. Kjo nuk është për të fajësuar Saliun. Saliu nuk ka nevojë të fajësosh. Saliu është faji vetë që qëndron mes nesh, në sytë e të gjithë shqiptarëve, në raport me shumë zullume të ditura e të paditura dhe mbi të gjitha, në raport me dy herë mundësi dhe dy herë rrënim. Një herë në formën e piramidave, një herë në formën e asaj gropës së madhe në buxhet, që e dinte më mirë se të gjithë, prandaj vinte këtu e predikonte se shumë shpejt ne do përfundonim si Greqia.
Pse nuk përfunduam si Greqia?
Rreziku ishte të përfundonim edhe më keq se Greqia. Pse nuk përfunduam si Greqia? Sepse bëmë gjënë e duhur.
Kujt thotë ju punoni për 5 oligarkë, ju jepni koncesione, u them, na tregoni një koncesion të vetëm ku futen duart në xhepat e atyre që marrin shërbimin. Më tregoni një! Ejani diskutojmë, duheshin bërë, apo nuk duheshin bërë. Opozita thotë nuk duheshin, ne themi duheshin. Ejani diskutojmë, u bënë mirë, apo nuk u bënë mirë. Por të më tregojnë një koncesion që ka dhënë Partia Socialiste e Shqipërisë dhe qeveria e saj, ku futen duart në xhepat e atyre që marrin shërbimin.
Ata që ankohen sesa do jetë tarifa e kamionit, kur të kalojnë atë pikën e pagesës, ku ishin ata, kur tarifën e një fature në çdo kamion, kur dilnin nga Durrësi dhe kur hynin në Durrës, e kishin 36 euro. E një kamion ka edhe deri në 15 fatura, llogariteni sa kanë paguar për të hyrë e për të dalë. E kjo për një koncesion për të bërë skanimin, që e ka detyrë shteti ta bëjë e duke paguar kudo, edhe ku nuk ka skaner. Për kë? Për konceisonarin. Kush është konceisonari? E thoshte Erjon Braçe, por “Erjoni si Erjoni”, thoshin njerëzit. E dëgjuat vetë, e patë vetë, e panë të gjithë, kur e thanë të tjerë investigatorë amerikanë se kush është koncesioni.
Për check up-in falas, a është falas për njerëzit, apo nuk është falas? Atëherë, ku është kjo që “një i pasur po i merr lekët njerëzve”? Sigurisht që për të dhënë një shërbim falas, ose do paguajë njeriu nga xhepi, ose do paguajë shteti për të. Se shërbim falas ku askush nuk paguan, ka vetëm tek motrat e Nënë Terezës, që Zoti u dhëntë frymë.
Ndërkohë që në kohën e tyre, check up-i, kontrolli shëndetësor mund të bëhej, por çdo njeriu u kushtetonte 81 mijë lekë për ta bërë në sistemin e falimentuar të shëndetësisë. Ne sot paguajmë 15 mijë lekë për çdo kontroll, ama e paguan shteti për njerëzit që duhet të kontrollohen. Ideja që në një vend, njerëzit nuk duhet të bëjnë kontroll mjekësor është barbare. I keni parë shembujt që ka sjellë këtu ministrja e Shëndetësisë, që institucionet europiane nuk të marrin në punë, nëse nuk sjell certifikatën e kontrollit shëndetësor. Kontrolli shëndetësor është kursim për atë që do shpenzosh më pas, kur sëmundja ka shkuar në gradën që duhet të kalojë në trajtime të tjera.
Koncesioni tjetër, dializa. Përsa i takon dializës, që bëhej, po njësoj bëhej, po tek privati dhe bëhej në një pikë, këtu në Tiranë ku vinin 3 herë në javë, pyetja ime është, kush do t’i japë përgjigje atyre në Kukës që bënin dializën në Tiranë, apo në një repart të marr fund në Shkodër dhe rrinin me tre turne në radhë për ta bërë. Tre turne, tre herë në javë, me shpenzime për makinën, karburantin dhe një njeri të familjes me vete?
E bëmë koncesionin dhe çfarë solli? Ata nuk paguajnë kokërr leku, trajtohen si njerëz dhe e kanë pranë qendrës së banimit. Diferencën e dinë ata, nuk mund ta dinë ata që ngrenë përpjetë llumin e kazanit kundër oligarkëve, kundër koncesioneve, kundër kullave, kundër tullave. Barbarë, më keq sesa ata që vunë zjarrin, edhe më keq janë këta. Të paditur, të ligj dhe mbi të gjitha, njerëz pa atdhe.
Koncesioni i mbetjeve në Elbasan. Po, ne e paguam. Pas 7 vitesh është pronë e Bashkisë së Elbasanit.
Ku është reja e tymit që ngrihej nga plehrat çdo pasdite? Ku është qyteti që vinte era qen çdo darkë? Nuk është më. Sepse ai ishte qyteti i këtyre.
Qyteti ynë ka 1001 plagë atje, por këtë plagë të madhe që ishte poshtëruese, që ishte drejtpërdrejtë kërcënim i shëndetit të njerëzve, ne e shëruam. Me koncesion patjetër, me se ta bënim? Ama dallimi është nata me ditën. Tjetër është kur thua do kolaudoj makinat dhe duhet ta bëjmë shërbimin më të mirë dhe për të bërë shërbimin më të mirë, do marr një privat. Merre, por do paguash ti, jo të rritet çmimi që paguan qytetari.
Këta që ankohen për rrugën, jo banorët e Kukësit, por këta të tjerët që kanë makina dhe bëjnë filozofi, e kanë bërë llogarinë, sa më shumë paguajnë tek shërbimi i targave dhe e dinë që ai është koncesion? E dinë që atë koncesion e kanë dhënë këta dhe ia kanë dhënë një privati që të fusë duart në çdo xhep të çdokujt që bën kolaudimin. Ky nuk është koncesion, kjo është vjedhje. Ndërkohë që koncesionet tona janë shërbime të përmirësuara. Sigurisht që dikush do paguajë; ose do paguajë individi, ose do paguajë shteti për individin. Ky është dallimi.
Kujt ia tregojnë këta, oligarkët që ndërtojnë kulla? Unë e di, të gjithë ata që shkruajnë lloj-lloj poshtërsish, lloj-lloj shpifjesh, nëse i merrni me radhë, e kanë nga një shtëpi, kanë edhe nga dy, një në qytet dhe një në plazh. Si i kanë marrë ato? Nga kush? Nga rrogat e analizave, apo nga gjobat e artikujve? Nuk dalin. Do donin të bënin dhe kulla, por kullat i bëjnë ata që kanë pronën, i bëjnë ata që kanë paratë. Nuk i zgjedh qeveria, nuk i zgjedh bashkia se kush ndërton kulla. E sa për atë, a duhen apo a nuk duhen kulla, kjo është temë tjetër, është temë e mbyllur me kohë për mua.
Duke u kthyer edhe një herë tek rruga. Ne do të bëjmë atë që duhet për njerëzit e zonës. Ne do bëjmë atë që duhet për këdo që është përdorues i shpeshtë i rrugës. Ne do bëjmë atë që duhet për këdo që banon në atë zonë, që nuk ka mundësi. Por mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Mundësitë e këtij vendi, të kësaj shtëpie nuk janë të pakufizuara. Çdokujt që thotë, në këtë shtëpinë tonë duhet të ketë më shumë për të gjithë, i bëj pyetjen, po pse në shtëpinë tënde nuk ka më shumë për të gjithë? Nuk do ti? Patjetër që do siç nuk do askush. Por pse nuk merr borxhe? Sepse ti e di që borxhet kanë një kufi, vjen tjetri e të merr shtëpinë. Por nuk ta djeg shtëpinë, siç mund të na e merrte, apo të na e digjte Shqipërinë, kur na e la Saliu me 720 milionë dollarë borxh për kumarin e tij elektoral, për rrugët e lëna rrugëve, për daullet e inaugurimeve dhe tunelet që hapeshin, tuneli mbyllej se nuk punonte.
Borxhe nuk marrim dot, sepse s’kemi mundësi të marrim më borxhe. Jemi në kohën kur po i lajmë borxhet pak nga pak dhe mos ta harrojë kush, 42 milionë dollarë borxh lan çdo vit nga arka e shtetit, Rruga e Kombit.
Duam të bëjmë më shumë rrugë dhe si do i bëjmë?
Këta i thonë Durrës – Kukës, po çfarë Durrës – Kukës është ajo? Ajo është kthehu fshehtas tek aeroporti, futu nëpër vreshta, dil përpara, shko tek rreth-rrotullimi me gjysmë krahu lart dhe me këmbët poshtë në Mamurras, shfaqu diku tjetër ku të vjen tjetri përballë, se midis jush janë dy karburante që kanë nxjerrë barkun në rrugë dhe pastaj ik e fshihu ose mbrapa shkëmbit për të shkuar në Shkodër, ose prapa shkëmbit për të shkuar në Rrëshen.
Pse rrugë është ajo, që shkojnë njerëzit për Shkodër dhe kthehen mbrapa shkëmbit?! Ajo nuk është rrugë.
Pse rrugë është ajo Durrës – Vlorë? Gjithë ato investime, gjithë ato para, rrugë europiane është ajo? Kujt ia tregojnë këta!
Pse për të shkuar në Sarandë e për të dalë nga Saranda, për t’u kthyer, duhet vazhduar të bëhet 50 minuta Gjirokastra? Pse nuk është aty, Delvinë – Kardhiqi me tunelin?
Apo për të ardhur këtu në Kashar nga Thumana?
Këto të gjitha duhen bërë, apo jo. Borxh nuk marrim dot. Nuk duan t’i bëjmë me pagesë, me toll-e.
Ndërkohë që tuneli i Elbasanit, një tjetër tunel i hapur, do prapë para.
Qukës – Qafë Plloça kërkon 54 milionë euro të tjerë, se janë projektuar urat një në Shan e një në Bagdad.
Si bëhen këto?
Këto po, bëhen në formën që i ndjeri Sabri Godo shpërndante pronat, thoshte prona te pronari dhe mbaroi puna. Kur nuk ke gjë në dorë, i shpërndan të gjitha pronat tek pronari dhe u thua, ikni se ju do jeni prapë. Por këto nuk bëhen kur ke çelësat. Atëherë, patjetër me partneritet publik – privat. Do t’i nxjerri paratë privati e do të paguajë shteti.
Si riparohet shtëpia, kur nuk merr dot borxh? Si e riparojnë shtëpinë në Kukës, në Tepelenë apo në Sarandë, kur ju fut çatia ujë, kur nuk marrin dot borxh? Shkojnë tek dikush që ka para dhe i thonë m’i jep tani dhe unë do të paguaj në vite. Nuk ka rrugë tjetër, është një formë për ta bërë sot, atë që nuk mund ta lëmë të bëhet kur t’i kemi të gjitha paratë për të gjitha këto.
Po e mbyll duke thënë se fatmirësisht, ajo që bëmë me Reformën e Ndihmës Ekonomike po provohet përditë e drejtë. 25 000 njerëz nga ata që janë të papunë kronikë kemi në plan të çojmë në punë deri në fund të vitit, duke i vënë përpara sfidës, o do punosh, o do punosh, nuk ke rrugë tjetër. 1369 njerëz u punësuan vetëm në mars. Njerëz që ajo ndihma ekonomike i mbante të mpirë. Edhe në Kukës, edhe në Dibër, edhe në Gjirokastër, edhe në Vlorë, edhe në Sarandë. Janë rroga të ulëta? Është e njëjta histori. Pse nuk i bën Gjermania rrogat dyfish saç i ka sot? Është vendi më i fuqishëm i Europës, nuk duan ata të kenë rroga më të larta? Si mund t’i bëjmë ne rrogat, aq sa do donim të ishin? Vetëm në një mënyrë, siç i ka bërë Gjermania, që pas luftës hante me tollon, për vite të tëra; Me punë, punë, punë, punë. S’ka asnjë rrugë tjetër!
Isha në Vlorë, ku fola përpara sesa të ndodhte ajo që ndodhi dhe thashë do hapim aeroportin e Kukësit. Kazani menjëherë e pasqyroi “Edi Rama i merr kuksianët me të mirë, ju mbyll rrugën, ju hap aeroportin”. Jo, kuksianët do të kenë edhe rrugën, edhe aeroportin. Të dyja këto do të zgjidhen, rruga e para, aeroporti i dyti, brenda këtij viti.
Një gjë dua t’ju them kuksianëve, tropojanëve, hasianëve, por dhe të gjithë shqiptarëve. Kemi një kulturë politike, të mishëruar tek opozita e sotme, që synon t’i prekë njerëzit në forma nga më të përçudnuarat dhe shpesh herë, Saliu i pari, por dhe të tjerët, i fryjnë këtyre dasive, “tha ai kështu, tha ai ashtu”. Njësoj si sherret e gangove që fusin në sherr gjithë lagjen; ai tha kështu për ty, se ai tha ashtu për ty.
Unë nuk jam i pagabueshëm dhe me thënë të drejtën, e kam të vështirë të hesht dhe të mos reagoj përpara budallallëkut dhe përpara injorancës dhe kur budallallëku me injorancën bashkohen bashkë, pastaj është kulmi. E mbase ndonjëherë mund të them edhe diçka më shumë seç duhet, por kurrë, asnjëherë nuk kam parasysh asnjë njeri të zakonshëm, nga Tropoja deri në Konispol. Kurrë. Faji im po, që kur thashë atëherë alpinët, nuk thashë Saliu, vajza, djali, Rrahmani, Rrahmoni, Ahmoni dhe Dermoni, që u shfaqën si trashëgimtarë pronash afër detit. Thashë “alpin”, një mënyrë sipas meje ironike për t’i rënë derës që do të dëgjojë, por ajo derë nuk do të dëgjojë dhe ajo derë ka vetëm një trokitje që i bën derman, drejtësinë. Por nuk dua të flas për ta sot, se nuk janë këtu.
Nuk po e zgjas më tutje për ta, por të jeni të bindur ju dhe të gjithë, që shumë shpejt do të shikoni në dritën e diellit se çfarë i shtyn ata të dalin atje, çfarë i shtyn ata të nxisin zjarr, të nxisin rrëmujë, të nxisin kaos. Çfarë e shtyn lala Gjonin dhe maçokun me çizme ta harrojnë atë që thanë, që ne do presim sa të dali raporti dhe sa të hapen negociatat se për ne, Shqipëria është më e rëndësishme sesa qeveria. I shtyn diçka që po ndodh sot. Jo thjesht drejtësia në tërësi, por i shtyn diçka që ata e dinë shumë mirë dhe shumë shpejt do ta shikojnë të gjithë shqiptarët.