Fjala e Kryeministrit Edi Rama në bashkëbisedimin me temë “Shëndet për të gjithë” në COD:
Shumë faleminderit Drejtores së OBSH-së për Europën dhe të gjithëve ju që jeni këtu për këtë takim, i cili është organizuar për të krijuar mundësinë e një komunikimi mes Drejtores së OBSH-së për Europën dhe jush, por përmes kësaj edhe publikut. Takim që vjen pas një vizite dyditore, që rezulton nga çfarë dëgjova këtu, por edhe më parë nga zonja Jakab, të ketë qënë e mjaftueshme për të konstatuar një ndryshim rrënjësor, që ka nisur natyrisht, por larg së qeni i përfunduar në rrugën e rilindjes së shëndetësisë.
Dua të veçoj theksin që Drejtorja e OBSH-së për Europën vendosi tek disa komponentë të programit tonë, që tanimë kanë gjetur zbatim dhe që padrejtësisht, sipas nesh, janë anatemuar dhe kritikuar, për të thënë një fjalë të butë, në fakt. Duke filluar nga check-up-i falas, për të cilin OBSH jep një vlerësim maksimal, si një hap shumë i rëndësishëm për të krijuar një bazë të dhënash lidhur me shëndetin e popullsisë dhe për të evidentuar pikat më të dobëta ku duhet më pas të fokusohet sistemi.
Nga ana tjetër, duke krijuar mundësinë për një numër shumë të konsiderueshëm njerëzish në periudhën e rrezikshmërisë nga sëmundjet, që të mund të pararendin me një kosto shumë më të ulët në të gjitha planet përshkallëzimin e sëmundjeve, me të cilat praktikisht njihen vetëm pasi bëjnë check-up-in.
Po ashtu, dëgjova fjalë superlative për një sërë ndërhyrjesh të tjera, duke filluar nga krijimi i kushteve për një kujdes shëndetësor falas tek mjeku i familjes; tek partneriteti publik-privat për hemodializën. Madje, teksa po më tregonte lidhur me komunikimin me disa pacientë që kishte pasur rastësisht gjatë vizitës në spital dhe për tonet e tyre shumë komplimentuese, e pyeta se mos vallë kanë qënë të organizuar paraprakisht nga ministri apo nga ministria, që të flasin mirë për shërbimin. Dhe përgjigja e saj ishte që shërbimi fliste vetë për vetveten.
Po ashtu, ndërhyrja për ripërtëritjen e gjithë mjeteve për ndërhyrjet kirurgjikale, që ka filluar nga spitali “Nënë Tereza” dhe do të shtrihet më tej në gjithë territorin, përmes partneritetit publik-privat.
Jam i bindur që do të kemi më tutje, në vijim, lajme të tjera të mira nga ky front. Një front shumë i vështirë, sepse është e njohur botërisht që çfarëdo të bësh në shëndetësi, nuk ka se si të jetë mjaft dhe për më tepër nuk ka se si të mund të mjaftojë për njerëzit që kanë nevojë për këtë shërbim.
Por me nënvizimin që në 25 vjet, për herë të parë, financimi publik për shëndetësinë ka tejkaluar financimin privat, ende në një shifër shumë të ulët në raport me nivelin e OECD-së, vlen të theksohet se të gjitha indikacionet që nga vendet që ne kemi studiuar, tek ekspertët e vendeve të ndryshme që na kanë asistuar dhe deri tek zëri autoritar i OBSH-së, që nga pikëpamja e ekspertizës nuk ka të sharë, na shtyn pashmangshmërisht në drejtimin ku jemi nisur; Të vazhdojmë të ndërtojmë partneritet publik-privat, për t’i dhënë njerëzve një shërbim më të mirë; Të krijojmë përmes partneritetit-publik privat, kushtet që të financojmë shumë më shpejt dhe shumë më shumë në një kohë të shkurtër, duke shlyer në një afat të mesëm apo të gjatë, investimin për të cilin njerëzit kanë nevojë tani. Gjë që me buxhetin e shtetit, sado ta rrisim atë, është e pamundur.
Vërtet kemi pasur nivelin më të lartë të financimit të shëndetësisë në Shqipëri gjatë 25 viteve të fundit, vërtet kemi bërë shumë ndryshime, por të pamjaftueshme, në fund të ditës, llogaria është shumë e thjeshtë; Me partneritetin publik-privat mund të bëjmë shumë herë më tepër investime dhe mund të garantojmë shumë herë më tepër cilësi shërbimi.
Jemi shumë të fokusuar në bashkëpunim dhe me Drejtoren e QSUT-së, që bën një punë absolutisht të shkëlqyer, por edhe me të tjera struktura, për të rritur kapacitetet spitalore, duke përfshirë në këtë proces sipërmarrjen private dhe përmes sipërmarrjes private duke përfshirë bankat. Por, gjithmonë, pa rritur asnjë qindarkë, përkundrazi, barrën tek njerëzit në nevojë për shërbim shëndetësor. Ky është thelbi.
Rruga jonë drejt asaj që e kemi quajtur shëndetësia falas dhe që në gjuhën e OBSH-së është Mbulimi Shëndetësor Universal, është e domosdoshme që të vazhdojmë të ulim atë çka njerëzit nxjerrin direkt nga xhepi, kur kanë nevojë për shërbim shëndetësor, çka e kemi ulur në mënyrë drastike, sepse e kemi ulur mesatarisht 6 herë tarifat e personave të pasiguruar në shërbimin shëndetësor. Të shkojë në një ulje të mëtejshme, çka e diskutuam edhe në takim, por që të bëjmë këtë, duhet të gjejmë dhe të rrisim burimet alternative të financimit.
Ndryshimi themelor në konceptin tonë të partneriteti publik-privat, apo që ka hyrë në debatin për shëndetësinë me fjalën e “pisët” koncesion dhe koncesioni që kemi dhënë më parë është pikërisht ky, të krijojmë kushtet për të thithur më shumë para në një kohë më të shpejtë nga sipërmarrja, por nuk ia ngarkojmë personave në nevojë shërbimin. Nuk i themi personave që shkojnë sot, për të marrë një shërbim në spital, paguaj 6 herë më shumë se ne kemi futur privatin në këtë mes, përkundrazi, sot personat që shkojnë në spital dhe marrin shërbim paguajnë 6 herë më pak sesa paguanin deri në fillim të këtij viti. Dhe do të paguajnë edhe më pak, ndërkohë që shërbimet rriten.
Si ndodh kjo?
Kjo ndodh, sepse shteti merr përsipër që në afat të mesëm apo të gjatë të shlyejë këto investime që vijnë nga privati, i cili sigurisht që futet në këtë bashkëpunim për të fituar, jo për të nderuar Nënë Terezën, por e rëndësishme është që në fund të këtyre proceseve të kemi një situatë “win-win”, ku fitojnë të dyja palët. Mbi të gjitha, ku përfituesi i drejtpërdrejtë është njeriu në nevojë për shërbim shëndetësor.
Si e vlerësoni ju zbatimin e programit të qeverisë në shëndetësi?
Kryeministri Rama: Përsëri po i referohem zonjës Jakab, e cila në bisedën që bëmë, vlerësoi qasjen strategjike të qeverisë dhe të ministrit të Shëndetësisë në raport me problematikën e sektorit. Po marr një shembull shumë të thjeshtë. Nëse nuk do të kishim një qasje strategjike, sigurisht që do të kishim bërë siç bënë paraardhësit tanë dhe nuk do ishim marrë fare me parandalimin. Nuk do kishim harxhuar as energji, as para dhe do të merreshim thjesht dhe vetëm me të përditshmen. Kjo sigurisht që flet shumë për ndryshimin në qasje.
Po ashtu, çka kemi bërë lidhur me duhanin dhe më në fund, zbatimi i ligjit kundër konsumit të duhanit në mjediset publike është përsëri pjesë e kësaj qasjeje strategjike. Edhe rritja drastike e akcizës së cigares, që ka influencuar jo pak buxhetin tonë, është përsëri pjesë e kësaj qasjeje strategjike.
Po ashtu, hapat e hedhur, disa të ndjeshëm disa të pandjeshëm, në krijimin e bazës për të shkuar drejt një sistemi shëndetësor që ne e quajmë falas apo mbulimi universal, janë elementë të kësaj qasjeje strategjike. Ju e keni dëgjuar që ditën e parë dhe nuk do e harroj kurrë ditën e prezantimit të programit të qeverisë në parlament, kur mbas fjalës time, fjala sigurisht i takonte opozitës dhe aty u ngrit pyetja: Ku e keni shëndetësinë falas? Ne nuk kishim marrë ende votën për të filluar punën, ndërkohë kishin kaluar dy muaj tranzicion, nga një qeveri tek tjera.
Ndërkohë ajo që dihet botërisht dhe nuk ka nevojë të jesh fare ekspert, është se ti nuk mund të ndërtosh një sistem shëndetësor me mbulim universal, nëse nuk ke të dhëna. E Shqipëria që ne trashëguam ishte vendi i vetëm në Europë pa të dhëna mbi shëndetin e popullsisë. Zero!
E dyta, nuk mund të ndërtosh një shërbim shëndetësor falas pa protokolle. Edhe këtu, zero!
E treta, nuk mund të ndërtosh një sistem të besueshëm me mbulim shëndetësor universal pa autonominë spitalore. Po si mund të shkojë tek autonomia spitalore, në rast se dy të parat mungojnë? Si mundet që t’ia japim barrën e administrimit të drejtpërdrejtë të buxhetit, spitaleve, në rast se nuk kemi një sistem të dhënash dhe protokollesh me koston përkatëse, pra, kostimi i shërbimit.
Prandaj, për t’iu përgjigjur pyetjes, vlerësimi im është ky: Ajo që ne kemi bërë për shëndetësinë në këto 33 muaj, nuk është bërë në 20 e kusur vite. Jo ajo që kemi shpenzuar, por ajo që kemi bërë nga pikëpamja e reformës dhe e qasjes strategjike për të ndërtuar një sistem që pastaj vetëfunksionon.
Po të marrim paratë që janë harxhuar në 20 e kusur vite për shëndetësinë dhe të shikojmë çfarë kemi marrë mbrapsht, minimumi që duhet të kërkojmë është që kush është marrë me këtë punë, nuk ka gojë të hapi gojën. Ndërkohë që, sigurisht, ajo që mbetet për t’u bërë është shumë më tepër se ajo që kemi bërë.
Nuk ka një vend ku shëndetësia të konsiderohet nga opinioni publik si çështje e kryer. Nëse flasim për SHBA-të – dhe unë kam pasur eksperiencë personale shumë të vështirë, -ku realisht fjala dora e Zotit është e mishëruar tek dora e mjekut, vazhdon edhe sot, në qendër të debatit elektoral për presidentin e ardhshëm të jetë çështja e shëndetësisë. Po ashtu, nëse shikojmë vende të tjera që kanë bërë reforma në shëndetësi, për shembull, Gjeorgjia, që hyri në histori si një vend që në periudhë kohe rreth 6 vjet shfarosi korrupsionin, i vetmi sektor ku pikët që publiku jepte lidhur me korrupsionin ishin më të ulëta, ishte shëndetësia.
Edhe për një arsye tjetër, sepse ndryshimet në shëndetësi janë më të ngadalta dhe ndryshimi i perceptimit për një sistem shëndetësor të marrë fund, siç ishte i yni, është shumë më i ngadaltë, pasi ata që marrin shërbim direkt janë shumë më pak sesa ata që jetojnë me perceptimin që është keq.
Unë kam marrë mesazhe më shumë se nga çdo fushë tjetër, nga njerëz që shprehin kënaqësi, respekt, konsiderata, vlerësime për shërbimin që marrin në sistem. Janë njerëz nga Tirana dhe zona të tjera. Kjo nuk do të thotë që sistemi sot është i kënaqshëm, është larg kësaj. Por kjo do të thotë që këta njerëz shikojnë që diçka ka ndryshuar. Ndërkohë që beteja me ryshfetin, beteja me mungesën e gjithë medikamenteve të nevojshme, beteja me personel që jo gjithmonë është në lartësinë e detyrës, apo me sjellje që janë jashtë çdo lloj standardi, padyshim që është e hapur dhe vazhdon. Por qëllimi ynë është të ndërtojmë një bazë që të jetë pa kthim.
Nuk është diçka që mbyllet në 4, në 8 apo më shumë vjet si punë. Shëndetësia është kantier i hapur, ku secili do vëri tullën e vet. Por është shumë e rëndësishme që tulla mbi tullë të bëhet një mur i qëndrueshëm në sistem.
E kam thënë para dy vjetësh e gjysmë dhe po e përsëris, kur ne të kemi përmbyllur mandatin, unë kam shumë dëshirë që të shikojmë spitalin “Nënë Tereza” e të bëjmë krahasimin si ishte dhe si është. Sigurisht që do ballafaqohemi dhe me atë që si duhet të jetë ende. Por që nuk ka krahasim të mundshëm, kjo as nuk diskutohet.
Sot që flasim, dikush sillet keq, dikush ka iphone në dorë dhe e filmon. Të tilla ka pasur, ka dhe do ketë dhe këto na ndihmojnë për të përmirësuar. U bë një skandal i madh kombëtar, me të drejtë, për drejtuesen e një kopshti ilegal, në një apartament, që në mënyrë barbare keqtrajtonte një fëmijë. Por larg qoftë të bëjmë gabimin të mendojmë që gjëra të tilla ndodhin sot për herë të parë.
Gjëra të tilla, sot për herë të parë janë në sytë e publikut falë teknologjisë, se sot në çdo mjedis ku janë tre vetë ka një kameraman dhe jo vetëm që ka një kameraman, por kameramani ka median me vete, sepse ka Facebook-un e tij. Kështu, shumë nga gjërat që ndodhin janë shumë më vizibël dhe kjo është shumë pozitive për të marrë masa, për të krijuar shembujt e duhur të ndëshkimit dhe për të ndërmarrë veprimet e duhur. Por largqoftë që të mendojmë, aq më tepër të bëjmë sikur kemi rënë nga qielli, që këto gjëra po na ndodhin, se nuk na kishin ndodhur më përpara. E kundërta është e vërtetë, që sot, fakti që në çdo tre veta ka një kameraman, dy të tjerët i bën më të vëmendshëm. Dhe dhëntë Zoti që bëhen gjithnjë e më të vëmendshëm në sjelljen publike, në institucione e kështu me radhë.
Ju kujtoj çfarë ndodhi me një video në Qendrën Spitalore Universitare. Një nga problemet kryesore të Qendrës, 20 e kusur vite pa u trajtuar, ishte që të gjithë shkonin atje. 75% e njerëzve që kanë nevojë jo për kurim, por dhe për një diskutim, edhe për një dhimbje koke, shkojnë atje. Askush nuk u mor me ndarjen midis kush vjen atje për realisht për të marrë shërbimin spitalor dhe kush vjen atje për të pyetur. E pra, duhej ngritur një infrastrukturë. E sot infrastruktura është. Është në ndërtim dhe për të hyrë në funksion të plotë.
Ashtu sikundër për sistemin e konsultave. Ishin mësuar të gjithë që të vinin në ora 7. Është njësoj si të bjerë një rrebesh që përmbyt edhe Parisin, megjithëse është i njohur botërisht si vendi me kanalizimet më të përsosura në Europë. Sepse rrebeshi është i atillë që nuk e mban dot sistemi. Ndërtohet sistemi i ri, ku njerëzit duhet të mësohen me idenë që duhet ta prenotojnë vizitën. Prenotimi bëhet online. Pra, nuk ka nevojë të vish tek dera, mjafton të shohësh sistemin online, bën prenotimin tënd, merr orarin dhe vjen në orar, siç bëjnë kudo. Ne e hapëm, por të nesërmen sigurisht që nuk kishte si të ndryshonte, se është një zakon 25 vjeçar, njerëzit u dyndën dhe të gjithë, me kamera xhepi e trupi, kameramanë të vetvetes apo të kanaleve të mëdha, nxituan “ja, inaugurimi ishte për show”. Në fakt është një sistem krejtësisht i ri dhe njerëzit pak nga pak po mësohen.
Vlerësimi im është që jemi absolutisht në drejtimin e duhur, por rruga është e gjatë, e vështirë, është plot të përpjeta dhe e mbushur me kameramanë. Shumë faleminderit!