Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik:

Përshëndetje të gjithëve!

Organizatorët do të më lejojnë një sqarim për publikun, që gjithë kjo skenografi është konceptuar dhe financuar nga investitorët.

Dua ta filloj me një detaj, në dukje të vogël, por në fakt shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me përmbajtjen e këtij projekti dhe përkatësisht me shkollën “Andon Profka” në Fier, e cila pak javë më parë hapi dyert tërësisht e rindërtuar, falë kontributit financiar të këtij projekti. 270 nxënës janë përfituesit e drejtpërdrejtë nga një aspekt i projektit, që për ne është shumë i rëndësishëm, që ka të bëjë me programi e investimeve për komunitetin nga ana e TAP-it. Ky program është një shprehje shembullore e përgjegjësisë sociale të investitorëve dhe njëkohësisht e  përfitimit nga ky projekt përtej përmbajtjes themelore të tij, që është kalimi i gazsjellësit.

Është një prej investimeve më të mëdha në historinë e shtetit shqiptar që merr formë dhe bashkëpunimi me komunitetin ka qenë deri më sot, shembullor, për të kapërcyer të gjitha pengesat, që nga ato të natyrës psikologjike, krejtësisht të mirëkuptueshme për komunitete të caktuara, që duhet të përballen psikologjikisht me një projekt, madhështia e të cilit krijon edhe frikëra legjitime për dëmtim të territorit, apo për ndotje të pariparueshme të mjedisit.

Duke pasur garancinë e plotë se këto aspekte janë të trajtuara jo vetëm me përgjegjësi, por edhe me synimin për të përcaktuar standarde të reja në marrëdhëniet mes një investimi të kësaj natyre dhe mjedisit, ne sot jemi këtu, për të lajmëruar fillimi e punës për fazën e parë të një investimi që shtrihet në 5 vitet e ardhshme. Fazë që lidhet me ndërtimin e gjithë rrjetit të infrastrukturës lidhëse.

Ashtu sikundër u pasqyrua në mënyrë të sintetizuar edhe në prezantimin e bërë nga investitorët, pas përfundimit të kësaj faze do të vazhdojë ndërtimi i tubacionit kryesor, i stacioneve të kompresorëve dhe të pjesës detare dhe gazsjellësi do të përshkoi 211 kilometra në truallin shqiptar.

Në këtë fazë të parë, vlera e investimi është shumë e konsiderueshme dhe krijon në mënyrë të drejtpërdrejtë më shumë se 500 vende të reja pune, ndërkohë që mijëra vende të tjera pune do të jetë rezultat i marrëdhënieve indirekte me këtë projekt.

Etapa e ndërtimit të rrugëve lidhëse përshkon 51 kilometra rrugë aksesi, përshkon 41 kilometra për t’u rindërtuar në gjurmët ekzistuese, ashtu sikundër edhe shëron plagë të mëdha për komunitetet që e kanë jetën të lidhur me 42 ura ekzistuese, jashtë çdo standardi, të cilat do të rindërtohen dhe do t’i shërbejnë komunitetit në vijim, për gjithmonë, sëbashku me 3 ura tërësisht të reja.

Qarku i Korçës, Qarku i Beratit dhe Qarku i Fierit, në territore goxha të shtrira përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto investime në infrastrukturë. Investime që do të kenë një impakt shumë të rëndësishëm, edhe në funksion të përmirësimit të rrjetit të komunikimit për gjithë prodhuesit në bujqësi.

Padyshim që për komunitete më të thella si komuniteti i Potomit apo i Vithkuqit, rruga sjellë një perspektivë të re ekonomike dhe sociale, pasi siguron një lidhje të qëndrueshme me zonat urbane, duke i dhënë fund një izolimi shumë të gjatë, të imponuar pikërisht për shkak të mungesës së lidhjes normale me rrugë me pjesën tjetër të vendit. Edhe në rastin e zonës bregdetare në Bashkinë e Fierit, aty ku deri dje ishte komuna e Topojës, rrugët e reja që çojnë në stacionin e kompresimit do të kenë një efekt të padiskutueshëm zhvillimor për turizmin në gjithë atë rajon.

Sipas një studimi të Universitetit të Oksfordit, që daton në vitin 2013, nga fillimi i punimeve që praktikisht ndodh sot dhe deri në 2018-n, pra, në tre vitet e ardhshme, vetëm nga ky investim, Prodhimi i Brendshëm Kombëtar do të rritet me rreth 160 milionë euro në vit. Ndërsa me fillimin e rrjedhjes së gazit në përfundim të investimit, po sipas këtij studimi, të ardhurat për ekonominë shqiptare do të pësojnë një shumëfishim dhe ekonomia jonë vetëm nga ky projekt do të përfitojë 1 miliardë euro, në 20 vitet në vijim.

Por këto studime, sikundër nënvizohet edhe në vetë studimin e Universitetit të Oksfordit, nuk përfshijnë efektin zinxhir që krijon një investim i kësaj natyre, nëpërmjet të ardhurave komplementare për dhjetëra nënkontraktorë vendas apo të huaj.

Shqipëria i ka marrë të gjitha masat që të përfitojë gjithçka që potencialisht mund të përfitojë nga ky projekt i madh. Procesi i negocimit dhe dakordësimit me TAP-in për pikat e daljes ka qenë një proces konstruktiv, që ka garantuar pikërisht çka sapo thashë.

Ndërkohë, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe falë punës së shkëlqyer të ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të gjithë ekipit të tij, tanimë ka nisur puna për hartimin e Masteplanit të Gazit në Shqipëri, për të cilin Bashkimi Europian jo vetëm ka akorduar një grant prej 1.1 milionë eurosh, por edhe na ka vënë në dispozicion ekspertizën më të lartë ndërkombëtare.

Përgatitja e Masterpanit është vlerësuar si një hap drejt krijimit të një dokumenti kombëtar unik në sektorin e gazit, që të jetë në të njëjtën kohë dhe një udhëzues për programin e hapave të mëtejshëm të këtij sektori dhe për diversikimin e burimeve të energjisë.

Në këtë studim do të vlerësohen edhe mundësitë e sigurimit të furnizimit me gaz nga vendburimet aktuale dhe ato të reja, duke bërë një vlerësim real të rezervave të gazit në Shqipëri. Me mbështetje të qeverisë së Azerbajxhanit dhe kompanisë shtetërore të naftës SOKAR po punohet njëkohësisht për Studimin e Fizibilitetit të Gazifikimit të vendit tonë. Ky studim do të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme të Masterplanit të Gazit, për të identifikuar parakushtet teknike dhe tregtare për zhvillimin e sektorit, duke përfshirë një udhëzues të detajuar për infrastrukturën në transportin e gazit natyror dhe rrjetet e shpërndarjes, lidhjen e rrjetit shqiptar të gazit me rrjetet fqinje, si dhe infrastrukturën shoqëruese, prodhimin e gazit natyror në Shqipëri, magazinimin nëntokësor të gazit, terminalet e gazit të lëngshëm natyrorë dhe impiantet e prodhimit të energjisë në Shqipëri.

Njëkohësisht, TAP-i po bashkëpunon me zhvilluesit e Gazsjellësit të planifikuar Adriatiko-Jonian për të diskutuar mundësitë e lidhjes me tregjet në Kroacinë Jugore, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën përmes territorit shqiptar.

Ne jemi të angazhuar ta kthejmë TAP-in edhe në një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por gjithashtu për Kosovën. Ndërtimi i një segmenti të TAP-it deri në Kosovë do të përbëjë de facto autostradën e dytë energjetike midis dy vendeve tona, pas përfundimit të ndërtimit të linjës së tensionit të lartë, që po ecën me shumë shpejtësi, me cilësi të lartë dhe padiskutim do të jetë gati në vitin e ardhshëm.

Me mbështetjen e komunitetit të energjisë në Vjenë është hartuar Studimi i Fizibilitetit dhe tanimë po punohet për gjetjen e financimit për ndërtimin e Gazsjellësit Jonian-Adriatik, pra, të lidhjes me Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë Jugore. Përfaqësuesit e katër shteteve kanë rënë dakord për ngritjen e një njësie operacionale të përhershme, e cila do të koordinojë të gjitha veprimet dhe nuk e teproj po të përsëris edhe njëherë, kontributin e jashtëzakonshëm të Ministrisë sonë të Energjisë dhe Industrisë, e cila nën drejtimin e ministrit ka treguar një kapacitet të admirueshëm në administrimin e gjithë këtij procesi kaq të komplikuar, por njëkohësisht dhe kaq të ri për Shqipërinë. Këtë nuk e them unë, por e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur nga partnerët tanë të projektit TAP.

Për herë të parë, në konferencën e Vjenës në fund të gushtit të ardhshëm, që pason atë të Berlinit një vit më parë, vendet e Ballkanit do të paraqiten me një plan të përbashkët për përthithjen e investimeve të huaja kryesisht në infrastrukturë. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, sëbashku me Korridorin Blu do të jenë dy prej projekteve më ambicioze rajonale, që do të kërkojnë financim nga Bashkimi Europian dhe për të cilat jam shumë krenar që qeveria jonë ka pasur një rol lider në konceptimin dhe çuarjen përpara të procesit të dakordësimit me të gjitha vendet e tjera.

Kjo qasje e re e qeverisë shqiptare dhe padyshim, kjo marrëdhënie e re mes qeverive të rajonit është parakushti për ta shndërruar Ballkanin në një destinacion shumë më tërheqës investimesh, pasi investimeve europiane dhe më gjerë iu ofrohet përmes këtij procesi, një treg më i madh dhe shumë më dinamik që tejkalon kufijtë e shteteve dhe të ekonomive tona, gjithsesi të vogla.

Nisja e punimeve të TAP-it përkon gjithashtu, me një moment dinamik pozitiv për ekonominë shqiptare. Investimet e huaja në tremujorin e parë të këtij viti, sikurse e ka certifikuar Banka e Shqipërisë, kanë pasur një kërcim prej 90 milionë eurosh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm kompani të huaja, në vitin 2014 janë regjistruar 948, me një rritje të regjistrimeve prej 30 %, e cila pa dyshim do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Po ashtu në vitin 2014 janë regjistruar në tërësi, 16 731 kompani te reja, të brendshme apo të huaja, që përbën shifrën më të lartë të regjistrimit të kompanive të reja në të gjitha vitet.

Janë 106 121 vende të reja pune të regjistruara deri tani, që nga momenti kur kemi marr detyrën.

Eksportet në pesë muajt e para të këtij viti kanë shënuar një rritje prej 11.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur u shënua shenja e parë pozitive në drejtim të rritjes së eksporteve tona.

Padyshim, të gjitha këto janë të lidhura drejtpërdrejt me sigurinë  energjetike  dhe furnizimin me energji si pjese të lidhura bashkë, për të krijuar një klimë solide për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Pa sigurinë energjetike, gjithë stabiliteti i projektit tonë ekonomik mund të vihej tërësisht në dyshim.

TAP-i për Shqipërinë nuk do të thotë vetëm furnizim me energji, por, mbi të gjitha, një vendosje e konsoliduar e Shqipërisë në një pozicion shumë të rëndësishëm përsa i takon sigurisë energjetike jo vetëm të vendit, por edhe më gjerë. TAP-i nuk është thjeshtë një tub që sjell gaz, por e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit me energji nga Lindja në Perëndim.

Ashtu si Shqipëria, Lituania, një vend me 3 milionë banorë, që vitin e kaluar përfundoi ndërtimin e një terminali rigazifikimi dhe magazinimi të gazit të lëngshëm, pati një përfitim të menjëhershëm marramendës, me një impakt të drejtpërdrejt në çmimin e energjisë në vend, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës midis burimeve të ndryshme energjetike dhe e goditjes së monopolit të shpërndarësit të vetëm të gazit në vend. Çmimi për importin e gazit në Lituani ra menjëherë me 25 %. Kjo sa për të thënë që ndërtimi i kësaj infrastrukture në Shqipëri do të lejojë që për Shqipërinë të hapet një perspektivë tërësisht e re dhe e pa menduar me parë, ashtu sikundër e pamundur për t’u menduar pa përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt. Kjo perspektivë e re do të thotë që qytetarët shqiptarë të kenë gjithmonë e më shumë opsione për të përdoruar gazin si një formë e burim më të lirë energjie, në vend të energjisë elektrike.

Faleminderit për durimin në shprehjen e kësaj panorame të përgjithshme dhe dua të ju shpreh investitorëve sigurinë e plotë të qeverisë shqiptare që, ashtu siç kemi punuar krah për krah, që në momentin e parë, për të vënë në vijë një hartë veprimesh dhe për të mbështetur në çdo hap investitorët në kapërcimin e pengesave të natyrës administrative apo burokratike, që janë tradicionalisht një problem serioz për investitorët e huaj apo të brendshëm në Shqipëri, do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, do të jemi krah për krah jush.

Pa as më të voglin diskutim do të punojmë sëbashku me ju si partnerë dinjitozë, për të çelur menjëherë çdo shteg që mund të gjendet i bllokuar në rrugën tuaj për shkaqe të natyrës administrative, apo për të mos lejuar që të krijohen pengesa nga ato tradicionalet, për të cilat shqiptarët kanë paguar kosto shumë të lartë në shumë vite, thjesht dhe vetëm sepse qeveritë dhe administrata nuk kanë ditur të jenë në lartësinë e nevojës së tyre jetike që investimet e huaja në Shqipëri të gjenden në hapësirën ideale për t’u zhvilluar.

Shumë faleminderit!

 

***

Këtë të premte nisi zyrtarisht në Çorovodë, zbatimi i fazës së parë të ndërtimit të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) në territorin shqiptar.

Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 211 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 kilometra në pjesën detare, në ujërat territoriale shqiptare të detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës dhe mbërrin në detin Adriatik, 17 kilometra në veriperëndim të Fierit.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, për të përballuar edhe një zgjerim të kapacitetit të gazsjellësit në 20 miliardë metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.

Faza e parë parashikon ndërtimin e rrugëve të aksesit dhe urave. Në zonat malore do të ndërtohen 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen edhe 42 ura dhe do të ndërtohen 3 të reja.

Në vitin 2016 nis faza e dytë, që ka të bëjë me ndërtimin e tubacionit të gazit nëpër territorin shqiptar. Ndërsa në 2019 parashikohet përfundimi i plotë i punimeve. TAP parashikohet të fillojë operacionet dhe të kalojë gazin e parë në fillimin e vitit 2020.

Paralelisht, në bashkëpunim me qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë shtetërore azere SOCAR, Shqipëria po punon për Studimin e Fizibilitetit, ndërsa me financimin e Bashkimit Europian po realizohet Masterplani i Gazit në Shqipëri. Këto dy dokumente do të mund të shërbejnë si udhërrëfyes për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në vend, me synim maksimalizimin e përfitimit nga projekti TAP.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.