Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Sot startoi operacioni kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”, i iniciuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe pushtetin vendor. Në partneritet edhe me Green Line Albania dhe përfshirjen e shoqërisë civile, komunitetin e biznesit e vullnetarë, operacioni shtrihet në 61 bashkitë e vendit. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, iu bashkua qytetarëve të Lushnjes.

“Qytetarët janë njoftuar, edhe në bashkëpunim me shkollat dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike janë të shpërndarë në të gjithë Lushnjen, për të bërë pastrimin e qytetit dhe për ta bërë një qytet sa më atraktiv e të jetueshëm,” – u shpreh kryetari i Bashkisë Fatos Tushe.

Operacioni që do të shtrihet deri në 24 maj ka në fokus pastrimin nga mbeturinat urbane, sensibilizimin qytetar për problematikën e mbetjeve në vend dhe promovimin e një mjedisi të pastër dhe turizmi të qëndrueshëm. Mbi 160 000 vullnetarë në të gjithë Shqipërinë janë angazhuar në këtë operacion dhe pastrimi i territorit do të bëhet në bazë të hartës digjitale të mbetjeve. Deri më sot, në hartën e mbetjeve shënohen mbi 9100 vendgrumbullime mbeturinash, të identifikuara në të gjithë territorin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.