Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Jo vetëm shtëpitë e banimit, por edhe objektet arsimore, të rilindura mbi gërmadhat e tërmetit, janë sot, realiteti më i ri në Bashkinë e Kurbinit. “Dan Bajrami” është shkolla 9-vjeçare, në Gjorem të Laçit, që vjen si një surprizë e bukur për 400 fëmijë të zonës dhe për stafin e mësuesve, duke garantuar kushte optimale për zhvillimin dinjitoz të mësimit.

“Shkolla ka 3200 metër katrorë ndërtim, 15 klasa, 4 laboratorë, terrene sportive, të brendshme dhe të jashtme, kopshtin, të gjitha me ngrohje qendrore dhe kushte moderne,” – tregon kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, gjatë vizitës që zhvilloi aty Kryeministri Edi Rama.

“Nxënësit janë rikthyer në shkollë që nga dita e hënë, pasi i kemi patur me turne në një fshat këtu afër”, – vijon Kryebashkiakja Cara, ndërsa thekson se shkolla me hapësirën dhe organizimin infrastrukturor do të shërbejë si qendër komunitare.

Investimi për shkollën e re është mirëpritur nga nxënësit, të cilët e dinë tashmë se detyrimi për ta ruajtur dhe mirëmbajtur, u takon atyre. “Në emër të të gjithë nxënësve do të doja t’u falenderoja për të gjithë investimin që bëtë për shkollën tonë, duke bërë një shkollë bashkëkohore me të gjitha standardet europiane. Ju premtojmë se do ta mirëmbajmë atë të re dhe të bukur”, – falenderon Kryeministrin përfaqësuesja e qeverisë së nxënësve, teksa i dhuron një vazo të mbjellë me një degë ulliri, simbolikën e fshatit, i cili shquhet për rritjen dhe kultivimin e ullirit dhe ku gjendet ulliri shekullor, ndër më të vjetrit në Ballkan.

Më pas, Kryeministri vizitoi palestrën e shkollës, një hapësirë e bollshme, ku nxënësit mund të luajnë lirshëm lojërat me dorë, si volejboll dhe basketboll. Të bësh kosh është shpesh një sfidë për ta, por nxënësit mësuan nga Kryeministri se po të përpiqesh, rezultati është gjithmonë sukses.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.