Së pari, përgëzime për nxënësit që prezantuan projektet! Ju siguroj që në shumë institucione të shtetit shqiptar, nuk ka aftësi projektuese kaq të mira, sa këto që unë pashë këtu sot. Kjo tregon që ka ende shumë punë për të bërë, por me siguri e ardhmja është më shumë se sa e sigurtë. Kështu që ju falënderoj për cilësinë e prezantimit dhe të argumentimit dhe për sintezën që i bëtë ideve tuaja.
Jam i bindur që projekti i shkollës, qendër komunitare është projekti i të ardhmes dhe transformimi i mjedisit të shkollës në një mjedis, jo vetëm mësimi, por dhe edukimi, ku që në hapat e parë të fillojë dhe të kultivohet kultura e projektit, – është një projekt fitues.
Është një projekt fitues sepse ajo çka ne ndjemë deri në palcë, në procesin e qeverisjes së vendit është mungesa dramatike e kësaj kulture të projektit, një mungese që i kushton shumë Shqipërisë, i kushton shumë institucioneve, i kushton shumë shoqërisë, i kushton shumë të ardhmes. Faktikisht, jemi mbase të fundit në Europë për kapacitetin projektues.
Sigurisht, që ky është rezultati tragjik i një 20 vjeçari ku kultura e projektit, as nuk u mendua, jo më të kultivohej. E kjo ka sjellë në kushtet e një shoqërie ku njerëzit ndihen të pafuqishëm shpeshherë për të përballuar sfidat e jetës së tyre dhe rëndom edhe më të rinjtë e shikojnë si të vetmen të ardhme të sigurte, punën në shtet.
Ndërkohë që kultura e projektit transformon individin, transformon komunitetin, transformon shoqërinë, sepse transformon në themel mënyrën e të parit të botës, mënyrën e të parit të vetvetes dhe mënyrën e të maturit me ëndrrat dhe me ambiciet.
Unë jam një besimtar i palëkundur i idesë se një ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, është një ëndërr që njeriu mund ta realizoje. Por sigurisht, nga momenti që e sheh deri në pikëmbërritjen e realizimit, është në mes një det i tërë, siç thotë populli.
E vetmja rrugë për t’ia dalë është kapaciteti për ta transformuar vizionin e asaj ëndrrës me syhapur, në një projekt dhe për ta bërë projektin të besueshëm dhe të financueshëm, në të gjitha nivelet.
Padyshim ajo që po bëjmë me shkollën qendër komunitare, është një hap i parë dhe shpeshherë i ndrojtur, siç dëshmuan edhe nëna dhe mësuesja që folën në fillim, por është një hap që s’ka më të voglin dyshim që sjell një hap tjetër, e më pas një tjetër.
Ajo që ne po diskutonim me ministren është që na duhet të hedhim një hap tjetër dhe këto projekte ti kthejmë në shembuj suksesi, jo vetëm për të vlerësuar dhe për të mbështetur shkollat që i kanë prodhuar, por edhe për t’ju dhënë të tjerëve mundësinë konkrete që të shikojnë se si mund të transformohet një realitet me fuqinë e një ëndrre te përbashkët dhe të një projekti të përbashkët, pa pritur që atë realitet ta transformojnë të tjerët, duke filluar që nga shteti, tek bashkia, apo tek kushdo qoftë tjetër që imagjinohet si një forcë çudibërëse që do të ndërhyjë dhe do të bëjë natën, ditë.
Jam i bindur që ky kapacitet që po nis të marrë frymë, ende në një fazë foshnjore është një kapacitet që mund të rritet me një shpejtësi shumë të madhe, sepse eksperienca shumë modeste e imja, por dhe e të tjerëve në kabinetin qeveritar me shkollat që kemi marrë në patronazh, ka qenë befasuese. Unë kam mbetur i befasuar në të dyja shkollat ku kemi shkuar për të parë përgjigjen konkrete të nxënësve ndaj kërkesës për tu angazhuar përtej orëve të mësimit dhe përtej jetës rutinë të mësimit. Ka qenë një përgjigje mbresëlënëse dhe shumë inkurajuese.
Ne jemi shumë të inkurajuar dhe unë kam shumë besim se edhe me transformimin që po i bëhet rrënjësisht organizimit të qeverisjes vendore me bashkitë e reja që do të vihen në funksion pas 21 qershorit, do të arrijmë të krijojmë trekëndësha jashtëzakonisht produktiv mes shkollave si qendër komunitare, bashkive dhe qeverisë.
Në do të bashkëpunojmë shumë fort me bashkitë për të mbështetur projektet e shkollës qendër komunitare dhe për sa na takon ne po mendojmë për të krijuar një fond të veçantë, serioz, mbështetjeje të drejtpërdrejtë, në mënyrë që projektet të mos mbeten peng i burokracive apo i vendimmarrjeve shpeshherë të pafavorshme për shkak të mentalitetit.
Nëse ne do të arrimë ta çojmë drejt tek shkollat si qendër komunitare, mbështetjen financiare, për atë që i takon vetë shkollës dhe realitetit transformues të shkollës, ky do të jetë një revolucion që jo thjeshtë do të sjelli produktet që ne pamë këtu, apo të tjera që janë në tentativë në këtë panair, por do ti japi një shtysë shumë të fortë kulturës së projektit në Shqipëri.
Në se ju e shikoni BE dhe se si BE financon vendet anëtare apo vendet kandidate, do të mbeteni shumë të befasuar nga fakti se vendet më të zhvilluara arrijnë të përfitojnë më shumë financim. Këtu nuk kam parasysh ndarjen e financimit në potencë, që ndahet paraprakisht për të gjithë. Kam parasysh përfitimin nga financimi që i është vënë në dispozicion një vendi. Do të shikoni se si Gjermania apo Austria janë vende që arrijnë të thithin deri në 95-96 % të financimit, asnjëri nuk thith 100 %. E do të shikoni sesi vende që kanë shumë më tepër nevojë, arrijnë të thithin shumë pak. Madje po të shikoni disa nga vendet anëtare të reja të BE do të habiteni se si vende që kanë nevoja shumë të mëdha kanë arritur të përfitojnë vetëm 3 % , 4 % të fondeve që i kanë pasur në dispozicion. Kjo nuk vjen ngaqë vendet kanë, por vjen ngaqë vendet dinë ose nuk dinë.
Niveli i dijes është ai që përcakton dhe kapacitetin e thithjes së këtyre fondeve. Tek niveli i dijes kam parasysh të gjithë kapacitetin kulturor, në raport me projektin si instrument për të pasur akses në fondet e BE-së. Por kjo vlen për të gjitha llojet e fondeve dhe për të gjitha llojet e fondacioneve, kur është fjala për të kërkuar mbështetje financiare. Sepse askush që financon nuk niset nga dhimbja që krijon nevoja tek një individ, tek një komunitet apo tek një vend, por niset nga kapaciteti që dhimbja vë në dispozicion për ta kthyer në projekt dhe për të zgjidhur pastaj nevojën.
Kështu që, ky është një program jashtëzakonisht ambicioz që ne kemi për shkollën, qendër komunitare. Është një program jashtëzakonisht largpamës, që nuk i takon një apo dy mandatesh, i takon një gjenerate.
Por ne jemi të bindur që në harkun e një numri të arsyeshëm vitesh, do të arrijmë të sjellim një transformim rrënjësor dhe do të arrijmë të krijojmë një bazë kulturore të qasjes së të rinjve dhe të të rejave ndaj nevojave të tyre, ndaj nevojave të komuniteteve ku ata jetojnë, të ndërmarrjeve ku ata mund të punojnë, apo të institucioneve ku ata nesër mund të kontribuojnë, në mënyrë që të kalojmë nga një fazë shumë e pazhvilluar e shoqërisë dhe e shtetit tonë, në një fazë më të zhvilluar dhe të arrijmë që ti adresojmë nevojat tona në një kapacitet projektues shumë herë më të madh.
Ne kemi shpeshherë, mbase gjithmonë, tendencën që themi nuk kemi para për të bërë këtë apo atë. Por kjo është qasja më e gabuar, sepse asnjëherë nuk duhet të nisemi nga kemi apo nuk kemi para, por gjithmonë duhet ti themi vetes që në radhë të parë na duhet një projekt. Sepse është projekti që gjeneron paratë dhe jo paratë që gjenerojnë projektin.
Sigurisht, kur bëhet fjalë për projekte më të mëdha, duhet dhe një sasi parash, por ajo sasi parash nuk mungon asnjëherë. Ajo që mungon mes një vendi që synon të zhvillohet me shpejtësi, një komuniteti që synon të kapërcejë një problem shumë vjeçar, një klase që synon të zgjidhë një problem banal, por që faktikisht mund të kthehet në një problem që faktikisht është aty edhe kur nxënësit kanë mbaruar shkollën, është faktikisht projekti dhe vetëm projekti.
Më bëri shumë përshtypje shembulli i parë i asaj vajzës që u ndihmua nga shokët, dhe faktikisht bëhej fjalë për një veprim dhe për një projekt minimalist, por një projekt minimalist që duhej për të zgjidhur problemin e një individi. Nëse ata djem që e kishin marrë përsipër nuk do e kishin bërë, ajo vajza edhe sot mund të ishte duke pritur që dikush ta merrte në krahë për ta çuar në klasë.
Ai episod ka një rëndësi të posaçme për të kuptuar se sa e mundur është kur gjërat që i shikojmë rreth e rrotull nuk i shikojmë me ndjesinë fataliste, që si nuk erdhi njeri të na e bëjë këtë, por i shikojmë me idenë që si mund ta bëjmë ne këtë, në dimensionin e një mjedisi shkolle.
Të gjitha projektet që u paraqitën këtu, janë projekte që tregojnë se çfarë pasurie burimore idesh dhe çfarë kapaciteti i pazëvendësueshëm, i pagjetshëm diku tjetër, mund të krijohet nëse ne arrijmë sëbashku ta forcojmë idenë e shkollës, qendër komunitare, duke insistuar tek realizimi i shembujve të suksesit.
Nuk besoj se thashë ndonjë gjë që kalamajtë këtu nuk e dinë. Mbase thashë ndonjë gjë që nuk e dinë më të rriturit. Jam i bindur që potenca imagjinuese dhe projektuese e kalamajve sot në Shqipëri është më e madhe se potenca imagjinuese dhe projektuese e të rriturve, – kjo është e sigurtë.
Ne na takon vetëm që ta kuptojmë këtë, ta pranojmë këtë dhe të bëjmë maksimumin që ta vëmë në dispozicion të komunitetit dhe shoqërisë atë kapacitet, atë potencë imagjinuese dhe projektuese që kalamajtë e kanë dhe që institucionet nuk e kanë. Vetëm kaq na takon. Kjo nuk është e lehtë, sepse është shumë e vështirë për një zyrë në një komunë apo bashki, apo qoftë dhe për një zyrë në Ministri që të ketë brenda njerëz që arrijnë të kuptojnë se kalamajtë mund të jenë një ndihmë shumë e madhe për të kapërcyer probleme që mund të mbeten aty pafundësisht nëse ngelen vetëm në dorën e të rriturve që i shikojnë gjërat me një sy krejt tjetër.
Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë, dhe ajo që kemi bërë është simbolike, por jo vetëm, pasi të gjithë jemi të angazhuar në patronazhe konkrete të shkollave pikërisht me këtë qëllim; të vëmë në dispozicion pushtetin tonë për ti dhënë fuqi zërit të fëmijëve dhe për ti dhënë fuqi zbatuese ideve të tyre të kthyera në projekte. Pastaj jam i bindur që do të jemi shumë shpejt në një fazë ku fëmijët e këtyre shkollave do jenë mësuesit më të mirë, të cilët do të duhet ti marrim, t’i transportojmë dhe t’i çojmë tek shkollat e tjera dhe ata vetë të tregojnë se si arritën të transformojnë realitetin e tyre. Kjo është një ditë që do vijë shumë shpejt. Jam i bindur, që vitin e ardhshëm.
Tani na takon ne që këto projekte ti mbështesim. Ministrja më tha që për këto 4 projekte ka ndërkohë mbështetjen financiare që nuk është mbështetje financiare e buxhetit të shtetit. Për shembull, Dhoma e Tregtisë ka marrë përsipër të financojë dy prej tyre, por jam i bindur që ne mund të ndërveprojmë me shumë sponsorë potencialë për të financuar projekte të këtyre niveleve. Ndërkohë që, paralelisht do të krijojmë një fond kombëtar, në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, vetëm për shkollën, qendër komunitare dhe vetëm për fëmijët, të rejat dhe të rinjtë – mos ti ngelet hatri atyre që janë adoleshentë që po i them kalamaj, por e bëj që të mërziten më të rriturit, -që të kenë akses të drejtpërdrejtë në financimin e projekteve të tyre.
Komplimente! Sikur të kishit diplomën dhe sikur të përmbushnit ato kërkesat e ligjit të shërbimit civil, të gjithë ju që dolët këtu ishit gati për të shkuar në zyrat e administratës, dhe me siguri do kishit çfarë t’i mësonit atyre që janë sot në administratë dhe që nuk ja thekin dot të bëjnë as gjysmën e një projekti si këto që bëtë ju këtu.
Shumë faleminderit!
***
“Panairi i Ideve-Shkolla si Qendër Komunitare” është panairi më i ri i çelur në mjediset e Muzeut Historik, me pjesëmarrjen e mbi 45 shkollave nga i gjithë vendi, të cilat do të prezantojnë projekt-idetë e tyre për zhvillimin e shkollës.
Nëpërmjet ekspozimit të tyre, panairi i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me partnerët “UNICEF”, “Save the Children”, “World Vision”, synon nxitjen e përfshirjes së komunitetit, biznesit dhe aktorëve të tjerë në realizimin e këtyre projekteve, si një domosdoshmëri e mëtejshme për përmirësimin e shkollave në vend.
Shkollat që marrin pjesë në “Panairin e ideve”, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme që kanë realizuar gjatë dy viteve, prezantojnë gjithashtu edhe qëllimin dhe filozofinë e projektit të MAS, “Shkolla si Qendër Komunitare”.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vizitoi sot panairin, gjatë të cilit shpërndau edhe çmimet për projektet më të mira.