Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në burgun e grave, në Tiranë, ku falë amnistisë së miratuar nga Qeveria, pas Vitit të Ri do të përfitojnë lirinë 28 prej tyre, ndërsa për 28 të tjera ulet 1/3 e dënimit:

Së pari, shumë faleminderit për praninë tuaj, edhe pse në kushtet që ju jeni është një prani e detyruar, por jam i bindur që edhe nga fjalët edhe nga emocionet e zonjave që folën, është edhe një prani e dëshiruar.

Më vjen shumë mirë që ne bëjmë këtë amnisti. Kemi 56 gra që vuajnë dënimet e tyre në sistemin penitenciar shqiptar dhe ne dëshironim që të gjitha të përfitonin nga amnistia në një mënyrë, ose një tjetër dhe faktikisht, duke i parë të gjitha rastet një nga një, duke parë edhe gjithë kornizën e amnistisë, më vjen mirë që gjysma do lirohen menjëherë dhe gjysma tjetër do përftojnë një ulje me 1/3 e dënimit.

Të them të drejtën, mbase kjo nuk është shumë korrekte për tu thënë publikisht, por unë kam bërë shumë debat me gjithë ekipin e amnistisë, sepse do kisha dashur që të kishte dhe më shumë ulje për disa prej jush që kanë kryer krime shumë të rënda, jo për të justifikuar krimet, vrasjet e burrave, por për një arsye tjetër, për arsyen se unë besoj shumë fort që një grua arrin në atë ekstrem përtej faktit që kryen një krim dhe një krim të rëndë e të dënueshëm, ka me siguri 1001 arsye, 1001 plagë në mendje dhe shumë kujtime të hidhura në trup që e çojnë në atë pikë.

Megjithatë, përtej kësaj, duhet të them që predispozita e ministres ka qenë maksimale, por edhe kufizimi në këtë pikë i ka të gjitha arsyet legjitime, ligjore dhe morale. Unë e çmoj shumë Etildën në këtë drejtim, për faktin se ajo vjen nga një rrugë në karrierën e saj ku e ka nisur punën në anën e të drejtave të njeriut, duke qenë një person aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të të drejtave të grave, edhe pranë Komiteti të Helsinkit, por edhe me organizata të tjera me të cilat ka bashkëpunuar dhe është, jo vetëm shumë e ndjeshme në këtë pikë, por dhe shumë e dedikuar në përditshmërinë e punës.

Unë besoj shumë që edhe çka është nisur, jo bitisur akoma, për ta kthyer këtë institucion në një vend më të mirë, do të bëjë të mundur që dhe ato që do të qëndrojnë për të kryer dënimin deri në fund të ndihen më mirë. Unë kam pasur një bisedë të gjatë me drejtoren tuaj kur ajo nisi këtë punë. Kemi biseduar vazhdimisht me Etildën për të krijuar kushte që ju, pavarësisht se jetoni brenda rrethimit të telave me gjemba, të mund të keni një jetë të përditshme dhe një aktivizim që ta bëjë më të lehtë dënimin. Është fatkeqësi e madhe që kur sheh gjithë historinë e sistemit tonë gjyqësor, sheh se në kapitullin e gjyqeve mes burrave dhe grave raporti i vendimeve që shkojnë në favor të burrave e atyre që shkojnë në favor të grave është skandaloz.

Këtu kam parasysh gjyqe që të rrënqethin mishin kur lexon dosjet për gra të dhunuara, të përdhunuara, me protagonistë që shpëtojnë, ose si të pafajshëm fare, ose me dënime qesharake dhe edhe me përsëritës, pra, burra të dënuar për akte dhune ndaj grave që ribëjnë akte dhune pasi lirohen në sallën e gjyqit dhe dalin të lirë duke e bërë edhe shtetin bashkëpunëtor në krim në këtë rast.

Po ashtu, përtej shumë përmirësimeve që i janë bërë në vite legjislacionit kundër dhunës ndaj grave, në zbatim është shumë e qartë që përsëri gratë janë viktima në masën më të madhe, viktima jo më të fajit të tyre, por të një sistemi që gjithmonë priret prej vitesh që fajësinë ta lërë tek pjesa më e dobët, tek gratë, tek më të varfrit, tek ata që nuk kanë mundësi ta blejnë të drejtën, përkundër palësh përballë që janë më të fortë, janë më “të shkathët”, janë më të pasur.

Me reformën në drejtësi unë kam shumë besim që gjërat do të ndryshojnë. Natyrisht që është e vështirë për njerëzit e lodhur dhe të neveritur për shumë vite nga sistemi i drejtësisë që të kuptojnë që ky është një proces që kërkon një durim shumë të madh, sepse ndërton një shtëpi që është me duart e tua, me të ardhurat e tua, me tulla e me llaç dhe ajo kërkon një vit, dy vjet, jo më të ndërtosh një sistem ku ka kaq shumë ndërveprim, njerëz, duar, sy, mendje e kështu me radhë që kërkon kohën e vet.

Ndërkohë që ajo që është bërë në këtë periudhë nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera të marra sëbashku në historinë e shtetit shqiptar në raport me kundërvënien e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë, ndaj atyre që do ta kishin merituar 1000 herë më shumë se sa dhe ajo që këtu ka bërë krimin më të rëndë, që të ishin ata në burg dhe që në fakt, me kostum e me kravatë kanë dhënë vendime që e kanë shkelur, rishkelur dhe stërshkelur të drejtën e njerëzve të zakonshëm.

Kundërvënia ndaj tyre, pastrimi i tyre nga sistemi i drejtësisë është një gur themelor që ndryshon rrugën e historisë, por natyrisht që kjo është një rrugë më e gjatë sesa durimi i njerëzve dhe është një rrugë që shtrohet në mundim të madh hap as hapi, vit pas viti dhe në fund të ditës ajo që është e rëndësishme është që të gjithë mendojmë se vajzat tuaja, djemtë tuaj, fëmijët tuaj nesër të jetojnë në një vend që ka një sistem drejtësie që nuk i bën më krimet e fajet e gabimet e bëra në gjithë këto 30 vjet.

Ne kemi ardhur sot që të jemi në një moment pranë jush dhe pa asnjë zbukurim unë ju them se tema juaj është një temë që është diskutuar më shumë sesa njëherë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Problemet tuaja janë diskutuar më shumë sesa njëherë në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. Është një nga temat që me ministren ne e rimarrim herë pas here për të kuptuar si po shkojnë gjërat dhe çfarë mund të bëjmë më mirë, pra ju nuk jeni vetëm, në kuptimin më të thjeshtë dhe më të vërtetë të fjalës.

Kjo prezencë e jona sot këtu nuk është një shfaqje e momentit, as një shprehje momentale e një solidariteti me dhimbjen dhe me vuajtjen tuaj, por është thjesht pjesë e një aktiviteti në mendjen tonë që zhvillohet sistematikisht. Kini besim që ne do bëjmë edhe më shumë për ju, sepse do të vazhdojmë të jemi pranë jush, qoftë për ato që do të lënë këtë institucion pasi Parlamenti të votojë amnistinë, menjëherë pas Vitit të Ri, qoftë për ato që do të mbeten këtu.

Ne do të ndjekim rehabilitimin në jetë të të gjithave që do dalin. Do kujdesemi që secilës t’i jepet një mundësi për punë. Do kujdesemi që me shumë vëmendje të kuptojmë çfarë nevojash të tjera që ne mund t’i plotësojmë kanë familjet tuaja dhe do të bëjmë atë që duhet që të paktën nga ana jonë ju të mos ndjeni indiferencë, por solidaritet.

Natyrisht ju takon juve që të mos e harroni dhimbjen, të mos tundoheni nga çfarë bota përtej këtyre mureve sjell si zgjidhje të lehta dhe të shpejta dhe që pastaj kushtojnë kaq shumë, ndërkohë që për ato që vazhdojnë të kryejnë dënimin këtu, e thashë dhe e përsëris, do bëjmë çmos që t’i përmirësojmë kushtet të krijojmë mundësi për të bërë më shumë, duke u bazuar te aktivitet që ju bëni. Duke hyrë këtu, – se ju e dini që unë e kam dhe një punë tjetër përveç punës që bëj zyrtarisht që jam piktor, – pashë me bisht të syrit një pikturë aty në mur që është një kryevepër edhe gjëja e parë që do doja të bëja është që në momentin që do më shitet një pikturë e imja, me ato që marr do blej atë pikturën që është aty. Ajo është një kryevepër. Jo për bamirësi, absolutisht jo, por është një kryevepër. Ajo është një pikturë që, ju siguroj që nëse do të stampohej në një libër pikturash të autorëve të njohur do duhet vetëm të jesh shumë specialist për të kuptuar që nuk është një nga kryeveprat e pikturës moderne të fillimit të shekullit XX.

Kemi sjellë dhe disa dhurata që janë thjesht një shenjë miqësie dhe dëshire për t’ju uruar këtë Vit të Ri të gëzuar. Është një Vit i Ri i gëzuar kuptohet për të gjitha ato që do ta lënë institucionin, ndoshta jo aq i gëzuar, por sidoqoftë i gëzuar dhe për të tjerat që do përfitojnë një ulje të 1/3-ës të dënimit të tyre dhe me shumë kënaqësi unë do kthehem përsëri edhe njëherë pas Vitit të Ri në një moment kur të gjej mundësi, jo me TV, por bashkë e Etildën dhe drejtoreshën që të diskutojmë me ju që çfarë mund të bëjmë më shumë për të ndihmuar dhe për të lehtësuar edhe për të motivuar ato që janë këtu. Zonja citoi një nga fjalët e shenjta dhe kuptova që nga mënyra se si e citoi di shumë më tepër se aq, se me siguri ka lexuar dhe ka memorizuar ndoshta gjithë librin, sepse jeta këtu të jep mundësinë që të merresh me gjëra që as do të kishte shkuar ndërmend ndonjëherë që do merreshe dhe të jesh i pasur në mendje, në drejtime të caktuara që përndryshe as nuk do i kishe ndjekur kurrë në jetë dhe në ato drejtime ne mbase mund të kishim bërë më shumë bashkërisht dhe mbase mund të ndihmojmë ne që këto vepra që janë aty në mur, apo të tjera gjëra të shohin dritën jashtë këtyre mureve dhe mbase, ne kemi biseduar edhe me drejtoreshën, të krijojmë një ekonomi të vogël të institucionit këtu, një ekonomi të vogël fare, por që nuk është e vogël për secilën individualisht.

Shumë faleminderit edhe njëherë tjetër për këtë emocion edhe këtë shkëmbim fjalësh në këtë shesh që është i paharrueshëm për të gjitha ju, por edhe mbresëlënës edhe për mua edhe për ne dhe ju thashë që pas Vitit të Ri në një moment të caktuar do vijmë përsëri, por do garantojmë që të jemi në një mjedis më pak publik edhe më të ngrohtë për të bërë një diskutim më të gjatë dhe për t’ju dëgjuar se e kuptoj shumë mirë edhe vështirësinë për të folur edhe vështirësinë për të dëshmuar, por ma do mendja që edhe me këtë pamjen prej gjysmë prifti e gjysmë e hoxhe unë do jem më i kollajshëm për ju që të rrëfeheni kur mos ketë kamera.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.