Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Dibra është një nga zonat me prodhim të lartë të qershive në vend, që i shërbejnë jo vetëm tregut vendas por edhe atij të huaj. Ditën e sotme Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Bujqësisë Frida Krifca u ndalën në plantacionet me qershi të Veipit Salkurtit, i cili është në pikun e sezonit të vjeljes së tyre.

Veipi jo vetëm kultivon dhe shet qershi në tregun vendas e të huaj, por ka dhe një linjë të prodhimit të lëngjeve të frutave të ndryshme që ai kultivon në një hapësirë prej 8 hektarësh. “Ne fermerët kemi një problem. Na vijnë mallrat nga Italia e shiten këtu. Pse? Spisë ne nuk kemi mbjellë atë që kërkon konsumatori. Para se të mbillet toka, duhet pyetur çfarë kërkon tregu. Qershiat e mia shiten se unë e kam lexuar konsumatorin, prandaj e shes”, – thotë Veipi teksa shoqëronte kryeministrin në plantacionin e mbjellë me qershi.

“Disa njerëz lodhen, mundohen e nuk duan të kuptojnë që kjo kërkon informacion, kërkon dije, kërkon bashkëpunim, se vendos tregu, nuk vendos ti. Megjithatë në krahasim me ku e kemi filluar ne, sot jemi në botë tjetër se ka plot si ty. Shiko eksportin, se thonin, “jo po i nxjerr ti me dollar se janë rritur çmimet”. E vërtetë është që janë rritur çmimet, por kemi 29% sasi më shumë dhe 41 milionë dollarë më shumë se sa viti i kaluar, në këtë periudhë” – nënvizoi Kryeministri Rama.

Një nga shqetësimet e fermerëve të Dibrës është gjetja e tregut në momente kur ka mbiprodhim, problem ky që mendohet të adresohet me ngritjen e një tregu të ri për fermerët e kësaj zone. “Ne do të ndërtojmë sëbashku me bashkinë e Bulqizës, me buxhet nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, një treg që synojmë ta ndërtojmë brenda këtij viti, ku fermerët e vegjël të mund të shesin prodhimin. Njëkohësisht me bashkinë e Tiranës, me të njëjtin model po i ndihmojmë për të ndërtuar tregun e Farkës. Kjo do ta çlirojë shumë këtë mbiprodhim të zonës së Dibrës. Njëkohësisht do vazhdojmë t’i mbështesim nëpërmjet programit IPARD, do t’i mbështesim me linjat e përpunimit, siç e kërkon Veipi për qershinë”, – u shpreh ministrja Krifca.

Rruga e Arbrit, tregu i ri në Bulqizë dhe tregu i ri në Tiranë që do të ndërtohen, do ti japë një shtysë të re dhe motivim  më tepër për të punuar tokën të gjithë fermerëve të Dibrës dhe Shqipërisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.