Takimi javor me njerëzit e zakonshëm që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre në Platformën e bashkëqeverisjes Shqipëriaqëduam.al:
Faleminderit për praninë tuaj këtu, për të dëshmuar eksperiencën tuaj me Platformën e bashkëqeverisjes. Egesta për të prezantuar rastin e parë.
Egesta, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot, nga qyteti i Beratit ka ardhur Zonja Drilona Tomorri, nënë e tre fëmijëve, e cila adresoi shqetësimin e saj në Platformën e bashkëqeverisjes, pasi prej 3 muajsh nuk ka mundur dot të përfitojë pagesën për lejen e lindjes për fëmijën e saj të tretë. Kjo për shkak të mosrakordimit dhe moskomunikimit mes dy institucioneve, Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Berat dhe institucionit shëndetësor që në këtë rast ka tagrin për të lëshuar raportin mjekësor. Ankesa u trajtua përmes Zyrës së Bashkëqeverisjes dhe në më pak se 10 ditë, ajo gjeti zgjidhje, duke bërë të mundur kalimin e të ardhurave për barrë lindjen në llogarinë e saj për të gjithë periudhën. Zonja Drilona është sot, këtu me ne, për të treguar diçka më shumë për rastin e saj.
Zonja Drilona Tomorri: Me lindjen e fëmijës së tretë hasa probleme në dokumentacionin për pagesën e lejes së lindjes dhe gjeta zgjidhje në portalin ku shkruam sëbashku me bashkëshortin. Ju falenderojmë shumë!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Drilona për mundimin që more për të ardhur deri këtu dhe kije parasysh që, nëse do bëni dhe një fëmijë tjetër, me buxhetin e vitit 2019 dhe në vijim, i katërti vjen me 1200 dollarë me vete.
Dorela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot prezantoj rastin e Zonjës Klodiana Alla, vjen nga Librazhdi, mësuese në profilin e gjuhë-letërsisë. Si pasojë e rënies së numrit të nxënësve në shkollën 9-vjeçare në fshatin Polis Sheh, Zonja Klodiana del pa ngarkesë mësimore dhe automatikisht largohet nga puna, pavarësisht se ju premtua që do të sistemohej në një vend tjetër pune, bazuar në procedurën e lëvizjes paralele të detyrueshme. Në fillim të vitit shkollor 2018-2019, pavarësisht se institucioni e ka për detyrim që në fillim të sistemojë mësuesit bazuar në procedurën e lëvizjes paralele të detyrueshme, Zonja Klodiana Alla nuk u punësua. Pas trajtimit të ankesës në Zyrën e Bashkëqeverisjes, Ministria e Arsimit vendosi që mësuesja të emërohet me kontratë definitive në shkollën “Dalip Tocka”, Kotodesh, Librazhd.
Zonja Klodiana Alla: Jam diplomuar në vitin 2009 për gjuhë-letërsi dhe nga 2009 e deri në 2015 kam qenë pothuajse e pa punë, me pak muaj punë si zëvendësuese. Në 2015 hyra në portal dhe u rendita e katërta. U punësova definitive në fshatin Polis Sheh të Librazhdit, por me rënien e numrit të nxënësve, unë mbeta e papunë. Më premtuan që në shtator do filloja punë definitive, por nuk e gjeta zgjidhjen. U mundova të gjej rrugë të tjera, por nuk munda. E mbetur pa zgjidhje, duke parë çdo ditë që Kryeministri ka dhënë ndihma të gjitha shtresave të popullit, edhe unë mora iniciativën ta provoj Platformën e bashkëqeverisjes. Dërgova një ankesë aty dhe mora përgjigje të menjëhershme, për 10 ditë, ashtu siç ishte shkruar në Platformë. U emërova definitive në fshatin Kotodesh të Librazhdit. Faleminderit Kryeministër! Faleminderit dhe suksese platformës!
Kryeministri Edi Rama: Respekte! Shumë faleminderit për mundimin! Për fat të mirë kemi pak raste që nxjerrin problematika ende ekzistuese, fatkeqësisht, për mësuesit, pasi në tërësinë e vet, gjithë sistemi është futur në një regjim të ri me Portalin “Mësues për Shqipërinë”. E vërteta është që sistemimi nëpërmjet lëvizjes paralele është një nga aspektet që akoma ka problematika. Por Portali i bashkëqeverisjes funksionon më së miri për të gjithë ata mësues, të cilët njësoj si Klodiana ndeshen me këto problematika e që i drejtohen Platformës Shqipëriaqëduam,al. Sot dua ta rinënvizoj se në janar fillon një fazë e re e funksionimit të sistemit të mësueseve lidhur me pranimet, me lëvizjet paralele e kështu me radhë. Sot, Portali “Mësues për Shqipërinë” nuk është më një mekanizëm thjesht, por është një ligj. Transformimi i zyrave dhe i drejtorive arsimore në një shërbim të ri, që shkëput përfundimisht subjektivizmin e drejtuesve të zyrave me funksionimin automatik të sistemit, falë dixhitalizimit, do të sjellë që ne të kemi ende shumë më pak raste problematike. E ndërkohë, meritokracia të jetë e garantuar, ashtu sikundër edhe transparenca të jetë e garantuar, në mënyrë që çdokush që punon në sistemin e mësimdhënies të jetë në vendin e vet dhe askush të mos zërë vendin e dikujt tjetër.
Albana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Më vjen mirë që jam këtu, sot, për të prezantuar një nga shumë rastet e zgjidhura nëpërmjet platformës Shqipëriaqëduam.al. Ky rast i referohet ankesave drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Zonja Bukurie Drizi, me profesion infermiere e licencuar nga Urdhri i Infermierit e në të njëjtën kohë fituese e vendit të parë në portalin e Infermierit për Qarkun e Dibrës, ishte ende e papunë. Ky rast u ndoq nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë. Rezultoi se ishte një vend vakant në pozicionin e infermieres. Si procedurë u ngrit komisioni i vlerësimit të kandidatëve për Qarkun e Dibrës dhe Zonja Drizi u emërua si infermiere pranë Qendrës Shëndetësore Peshkopi.
Zonja Bukurie Drizi: Jam infermiere në profesion. Kam marrë pjesë në Portalin Infermierë për Shqipërinë, ku kam rezultuar e para në Qarkun e Dibrës dhe po të them që koordinatorët e Portalit kanë qenë gjithmonë të rregullt me mua për vendin vakant që u shpall për Qarkun e Dibrës, por nuk përshtateshin se ishin shumë larg qytetit ku unë jetoj. E dija që ishte një vend vakant, nuk shpallej, atëherë iu drejtova Platformës së bashkëqeverisjes ku bëra ankesën dhe brenda 3 ditësh kam gjetur zgjidhjen. Falë këtij Portali dhe unë i falënderoj ata që ideuan këtë platformë, që unë sot jam në punë. Mos të ishte Portali, unë sot do isha përsëri pa punë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për mundimin e veçantë, se e di shumë mirë sa e vështirë është akoma rruga nga Peshkopia në Tiranë dhe anasjelltas dhe e vlerësoj shumë që juve e morët këtë mundim. Besoj që me rrugën e re që po ndërtojmë, njëherë e mirë do marrin fund këto rraskapite të vajtje-ardhjeve nga Peshkopia në Tiranë dhe anasjelltas. Ndërkohë që më vjen shumë mirë që ju thatë diçka që është thelbi i gjithë kësaj përpjekjeje, që, nëse nuk do ishte kjo Platformë, ju do ishit ende sot pa punë.
Shumëkush nga ata që nuk dinë çfarë flasin, me thënë të vërtetën, vazhdojnë dhe i bien fyellit në të vetmen vrimë që ka fyelli i këtyre njerëzve, që janë të prirur vazhdimisht vetëm të akuzojnë dhe vetëm të shajnë e të ofendojnë, duke thënë për Platformën se është një fuqi ekstra legale, një fuqi ekstra institucionale, një fuqi e krijuar për show e kështu me radhë.
Në fakt, Platforma është një inovacion që vë teknologjinë në dispozicion të çdo individi dhe transformon njëherë e përgjithmonë zyrat e ashtuquajtura të marrëdhënieve me publikun nëpër institucione, duke krijuar një nivel komplet të ri përgjegjshmërie të shtetit dhe një nivel komplet të ri marrje përgjegjësie të institucionit. Deri dje, nëse do të merrnim përsëri shembullin e Zonjë Drizi, zonja do të ishte pre e ecejakeve në të ashtuquajtura zyra të marrëdhënieve me publikun, do shkruante letra që nuk do i lexonte askush. Në rastin që do shkruante edhe në Kryeministri, do të merrte përgjigjen “drejtohuni tek institucioni përkatës”, që përsëri nuk do përgjigjej dhe faktikisht sot do ishte papunë. Ajo që bën kjo lidhje e menjëhershme, falë teknologjisë, është pikërisht kalimi drejtpërdrejtë i përgjegjësisë tek institucionet dhe tek personat që e kanë këtë përgjegjësi, me detyrimin që të veprojnë në bazë të kësaj përgjegjësie.
Ajo që shohim sot dhe besoj që këtë, edhe koordinatorët e ndjejnë në vijimësi, është një rritje e vazhdueshme e përgjegjësisë së vetë institucioneve që janë në shënjestër të shqetësimeve të qytetarëve, të ankesave të qytetarëve, sepse e dinë shumë mirë se në rast se një qytetar çfarëdo, kudo qoftë, ankohet në Platformë, atëherë jo vetëm që do të zgjidhë problemin e vet, por do të ketë pasoja për ata që nuk japin zgjidhjen e merituar. Pra, Platforma e bashkëqeverisje është bashkëqeverisje në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, pasi, në rastin konkret, Zonja Drizi, e cila doli e para në konkursin “Infermierë për Shqipërinë”, si qytetare u keqtrajtua në të drejtën e vet nga burokracia vendore, por sinjalizoi ministren dhe Ministria e Shëndetësisë, bashkë me zonjën, përmes koordinatores, vunë menjëherë në lëvizje burokracinë për t’i dhënë asaj të drejtën. E sigurisht që pas kësaj ka filluar një hetim administrativ për të parë kush janë personat përgjegjës. Siç ndodh çdo të mërkurë, pas këtij eventi javor që vlen për të çuar tek të gjithë qytetarët mesazhin që Platforma funksionon e me një klik vërtetë gjen mikun që të duhet, Ministrja e Drejtësisë bën raportin javor të goditjeve antikorrupsion. Edhe sot, përsëri raporti i referohet rasteve konkrete që kanë buruar nga Platforma e bashkëqeverisjes dhe rezultateve konkrete të hetimeve administrative.
Fatmiri, koordinator i bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm është rasti i Zotit Nori Tafa, i cili prezantohet nga djali i tij, Zoti Ylli Tafa dhe problematika e tij lidhet me Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t Tiranë, mbi pamundësinë për të patur lejen e legalizimit. Në vitin 2006, qytetari ka dorëzuar pranë kësaj drejtorie formularin e vetëdeklarimit, por që nga viti 2006, edhe pse në banesën e tij janë paraqitur katër herë punonjësit e kësaj drejtorie dhe janë kryer matjet dhe dokumentacioni teknik dhe ligjor kanë qenë konform procedurave, përsëri ai nuk ka mundur të disponojë lejen e legalizimit. Në datën 5 nëntor të këtij viti, qytetari i është drejtuar Platformës dhe brenda afatit ligjor i është mundësuar emetimi i lejes së legalizimit dhe përcjellja e lejes për procedura të mëtejshme pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
Zoti Ylli Tafa: Në emër të babait tim, të familjes time, shfrytëzoj rastin, meqë më jepet rasti t’ju falënderoj për zgjidhjen e problemit. Babai im shkonte pothuajse shumë shpesh në zyra, duke mbajtur radhë, por pa zgjidhur problemin. Me sugjerimin e një shokut tim, ne përdorëm Platformën bashkëqeverisëse dhe në kohë rekord morëm përgjigje. Babai u kontaktua nëpërmjet telefonit dhe morëm lejen e legalizimit të shtëpisë. Do ju këshilloja që, për të eliminuar radhë të tëra, të përdorni sa më shumë Platformën e bashkëqeverisjes, por dhe aplikacionin e-albania, sepse janë dy gjëra që shkurtojnë radhë, strese e ankthe.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shumë respekt për marrjen e mundimit për të ardhur këtu! Nuk është hera e parë që fëmijët në emigracion ndihmojnë prindërit që janë këtu, duke ju mundësuar aplikimin në Platformë. Më vjen shumë mirë që edhe në procesin e pafundmë të kërkesave për legalizim, Platforma po jep rezultate shembullore.
E kam të pamundur të evitoj sot dy fjalë, që nuk janë të gjitha fjalët që duhen thënë dhe që do të them në vijim, lidhur me ata që protestojnë te Unaza e Re, sepse kemi njohur një kategori deri dje të panjohur, edhe pse ka ekzistuar, – por është ajo shprehja “Ujku, ujku dhe çakalli bën kërdinë!” – kategorinë e zaptuesve profesionistë të pronave publike, apo të pronave të tjetërkujt. Individë që shfaqen kërcënues dhe të lënduar në bllokimin e paligjshëm dhe tërësisht të pandershëm të rrugës për të gjithë qytetarët dhe që rezultojnë me nga 4, 5 dhe deri 8 ndërtime pa leje në Tiranë, në bregdet, apo në zonat nga ku kanë ardhur. Pra, individë që gjatë të gjithë këtyre viteve nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë ndërtuar pa leje dhe kanë krijuar pasuri pa leje dhe sot kërcënojnë sepse duan dëmshpërblim 100% nga taksat e qytetarëve, me gjasë të zaptuar në pronën e tyre nga këta individë, apo të komunitetit, të cilit i është marrë prona e përbashkët dhe i cili meriton të ketë Unazën e Re, sipas të gjitha standardeve dhe pa asnjë gajle bllokojnë qarkullimin. Natyrisht janë shprehja më spektakolare e një degradimi total të të menduarit shoqëror dhe politik të një vendi.
Nuk po zgjatem më tutje, por, meqë folëm për legalizim dhe meqë abuzohet shumë me “jam në proces legalizimi”, dua ta theksoj se të kesh aplikuar për legalizim, nuk do të thotë të legalizohesh medoemos, nëse ngrehina jote bie në shtratin e rrugës, bie në një zonë arkeologjike, bie mbi tubacionet e ujësjellësit, të kanalizimeve, apo aty ku kalojnë linjat e energjisë elektrike e kështu me radhë. Janë qartësisht të përcaktuara në ligj të gjitha rastet që e bëjnë të palegalizueshme një godinë, që nuk mund të kthehet në një pronë të ligjshme aty ku cenohet prona e përbashkët e të gjithë komunitetit dhe e gjithë bashkësisë sonë shqiptare. E për më tepër ka një abuzim të madh me këtë koncept, pasi nuk është e njëjta gjë fare, të kesh ndërtuar një shtëpi për të futur kokën në një territor ku nuk je bërë pengesë zhvillimi i nesërm dhe të ndërtosh kate të tëra për biznes në shtratin e rrugës e të pretendosh pas 15 e kusur vitesh që kanë filluar prishjet dhe kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë, dëmshpërblim 100%.
Dëmshpërblim 100% për cilën arsye?
Mbi bazën e cilit ligj dhe të kujt të drejte morale në raport me ata që jo s’kanë zaptuar kurrë një metër katror, por përkundrazi kanë paguar rregullisht të gjitha detyrimet?
Dëmshpërblim nga buxheti i shtetit, i cili është kontributi i të gjithëve për të ndërtuar çerdhe, kopshte, shkolla, për të ndërtuar rrugë, spitale, për të rritur pagat e pensione?
Nga i gjithë ky buxhet duhet të marrim para për të dëmshpërblyer zaptuesit profesionistë me nga 5, 6, 7 dhe deri 8 vila e biznese të ndërtuara gjatë të gjithë periudhës së rrumpallës së madhe?
Kjo është e papranueshme dhe sigurisht që kjo nuk gëlltitet dhe nuk tretet nga asnjë formë dhe në asnjë mënyrë. Kështu që, thirrja ime është që ata njerëz të largohen nga rruga që kanë bllokuar dhe t’i hapin rrugë zhvillimit dhe të mos turpërojnë veten dhe familjen e tyre, duke u bërë për më tepër gazi i botës dhe mish për top të atyre të tjerëve, që nuk u ka mbetur asgjë në kokë, nuk u ka mbetur asgjë në shpirt, por u ka mbetur vetëm të tundin flamurin e shqyer të një opozite që shkon zë rrugën dhe predikon dëmshpërblim për paligjshmërinë.
Flavia, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që prezantoj sot është rasti i Zotit Besnik Zeraj, qytetar nga Tirana, i cili jetesën e tij dhe të familjes së tij e siguron me anë të një aktiviteti të vogël tregtar, që ka në një kioskë. Një ditë, ai re se pranë kioskës së tij, shumë afër, ishte ngritur një kioskë tjetër dhe sigurisht shqetësimi i tij fillestar dhe kryesor ishte se tashmë fitimi do fillonte dhe do ulej, pra, të ardhurat e familjes së tij do ishin më të pakta. Por gjithashtu ai vuri re se në vendin ku ishte vendosur kjo kioskë zinte një hapësirë publike që vështirësonte kalimin e qytetarëve. Kishim 2 probleme në një. Zotëria pati besimin që t’i drejtohet Platformës së bashkëqeverisjes. Ankesa u trajtua me strukturat përgjegjëse të Bashkisë Tiranë, të cilat pas verifikimeve në terren bënë të mundur zhvendosjen e kioskës.
Zotit Besnik Zeraj: Unë kam një kioskë të vogël, një aktivitet të vogël privat, përballë “Asllan Rusi-t”, nga shërbimet publike që ka vendosur Bashkia. Një ditë gjej të vendosur një kioskë shumë më e madhe. Pas 3-4 orësh vijnë punonjësit e Policisë së Bashkisë dhe më thonë “ke zënë hapësirën”. U thashë më vjen keq, por ju nuk dini kush është e juaja, kush është e shtetit. Por më thanë, “ajo është me leje”. Pse, – u thashë, – sa lloj qytetarësh ka këtu në Shqipëri? Unë kam dy vjet që bëra kërkesë për një frigorifer ta nxjerr jashtë, 70 me 70 dhe nuk mu dha leja. Si i qenka dhënë leja dikujt tjetër që ka zënë dhe hapësirën, plus dhe konkurrencës që më bën mua? Më thotë vajza t’i shkruajmë Platformës së bashkëqeverisjes, ta provojmë, ta trajtojmë problemin. Ashtu bëmë. Më erdhi përgjigja që do merremi me problemin tuaj dhe s’kaloi as një javë ajo u zhvendos. Mua më shpëtoi biznesin, sepse, të jem i ndërgjegjshëm, e bëra dhe për veten time, por e bëra dhe për qytetarët, se ajo kishte zënë totalisht pjesën ku kalojnë qytetarët. Kishte ngelur vetëm pjesa ku kalojnë biçikletat. Falënderoj Kryeministrin dhe Portalin e bashkëqeverisjes, ku shikoj që problemet trajtohen me vëmendjen më të madhe.
Ernesti, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në adresë të Ministrisë së Brendshme ka mbërritur ankesa e Zotit Redjan Ibrahimllari, të cilit, 3 vjet më parë, gjatë një kontrolli në një pikë të postbllokut policor i është konstatuar që në çantën e tij të shpinës mbante një mjet prerës, të cilin qytetari pretendonte se e përdorte për riparimin e biçikletës së tij. Menjëherë strukturat e policisë, në përputhje me procedurat standarde kanë bërë të mundur shoqërimin e zotërisë në ambientet e komisariatit dhe pas verifikimeve është konstatuar që qytetari mund të lihet i lirë. Ndërkohë, 3 vjet më pas, si pasojë e kësaj shkeljeje, qytetari rezulton i listuar në sistemin TIMS për shkeljen që ka kryer dhe nuk mund të marrë dot një vërtetim, i cili shërben për të marrë një certifikatë me të cilën mund të punësohet pranë një kompanie private të ruajtjes së sigurisë fizike. Me të marrë ankesën, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe konkretisht, Drejtoria e Menaxhimit të Mbrojtjes së të dhënave Personale ka bërë të mundur heqjen e kësaj të dhëne nga sistemi TIMS.
Zoti Redjan Ibrahimllari: Kisha 2 muaj që prisja që të zgjidhej ky problem dhe nuk dija kujt t’i drejtohesha. Më në fund mendova që Portali, me në krye zotin Kryeministër do më ndihmonte dhe pas 5 ditësh, unë mora këtë përgjigje që e keni këtu, e kam me shkrim, vepra që ky problem u zgjidh për 5 ditë. Nuk zgjat shumë, sepse këtu gjen përgjigje për çdo gjë. Portali është i vërtetë. Falënderoj zotin Kryeministër që na ka ndihmuar.
Kryeministri Edi Rama: Në fakt është për të qeshur kur e dëgjon, por është për të qarë kur e dëgjon që për një kontroll fizik, para 3 vjetësh, për një biçak, të vuash 3 vite më vonë si i listuar person i rrezikshëm, në kuptimin e punësimit në një kompani sigurie. Imagjinoni se çfarë do kishte ndodhur sikur të mos ishte kjo mundësi e Platformës dhe Redjani t’iu referohej atyre zyrave të pritjes dhe atyre zyrave të marrëdhënieve me publikut, me letra e me lloj-lloj storiesh, që patjetër nuk do t’i kishin dhënë kurrë zgjidhje, sepse do konsiderohej një dhimbje koke e tepërt një problem i tillë.
Rasti i mëparshëm, një ankesë, e lindur për interesin e drejtpërdrejtë të familjes që jeton me vetëpunësim në një njësi të vogël shërbimi, zgjidh edhe problemet e qytetarëve që rrezikuan të privohen nga hapësira e tyre publike për shkak të vendosjes së një tjetër njësie në mënyrë të paligjshme.
Platforma është reale. Platforma funksionon më së miri. E vetmja arsye, pse ne çdo javë bëjmë këtë event është për të përçuar me zërin e vetë atyre që e kalojnë eksperiencën e Platformës, mesazhin që mos ndiqni rrugët e vjetra, mos fusni dorën në xhep për asgjë që ju takon, mos kërkoni miq e shokë lart e poshtë, se mikun më të madh, qeverinë e Republikës së Shqipërisë e keni një klik larg! Vetëm një klik: www.shqiperiaqeduam.al. Maksimumi 3 minuta për të aplikuar dhe menjëherë qeveria, drejtpërdrejtë përmes ministrit apo ministres përkatëse të sektorit ku është shfaqur problemi, është në krahun tënd. Kjo është bashkëqeverisja! Kjo është ajo që për vite të tëra iu është thënë njerëzve më jep votën, të të jap zërin; voto për mua, të jem fytyra jote; unë dhe ti, ti dhe unë – dhe merr votën, kalo lumin dhe pastaj kuajt në punën tyre, ti matanë lumit.
Kjo është sot e vërteta e një realiteti krejt ndryshe për çdo qytetar që përdor Platformën.
Platforma mund të aksesohet drejtpërdrejtë në celular, duke shkarkuar aplikacionin Shqipëriaqëduam. Platforma mund të aksesohet në kompjuter në shtëpi, në njësinë administrative, te zyra postës, te zyra e Bashkëqeverisjes që kemi hapur në të gjitha bashkitë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve. Të gjithë ata që kanë provuar, e kanë parë me sytë e tyre se, nëse e drejta është në anën e tyre, ajo vjen brenda 10 ditësh.
Shumë faleminderit!
Faleminderit dhe koordinatorëve që qëndrojnë pas ekranit, një rrjet i tërë njerëzish që janë në dispozicion të njerëzve.