Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Angazhimin personal, të plotë me zemër dhe mendje për të mbështetur idetë, projektet, planet e artistëve e ka garantuar sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi, jashtë protokollit zyrtar, për prezantimin e dy drejtuesve të rinj të institucioneve të mëdha të kulturës në vend.

Drejtuesit e rinj të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e Galerisë Kombëtare të Arteve, Ilir Kerni dhe Artan Shabani, u shpreh Kryeministri, janë përballë përgjegjësisë për krijimin e një hapësire artistike shqiptare si një referencë e re, në hartën kulturore të Evropës Juglindore

Duke vlerësuar personalitetin e tyre të spikatur, në komunitetin e artistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, Kryeministri shprehu bindjen se nën drejtimin e tyre, këto dy institucione të rëndësishme do krijojnë hapësira dhe këndvështrime të reja komunikimi dhe dialogu.

Kryeministri garantoi për angazhimin e Qeverisë, në realizimin e një reforme tërësore dhe rrënjësore të sistemit të kulturës dhe arteve, për të hapur një faqe të re të qeverisjes së kulturës dhe të institucioneve të saj.

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

“E nderuar zonja ministre,

Të nderuar Ilir Kerni dhe Artan Shabani,

Shumë të dashur dhe të respektuar miq, po edhe ndër ju dhe shumë ish kolegë të botës sonë të artit!

E tepërt të them se sa i emocionuar jam të flas, para jush dhe para komunitetit të artistëve si Kryeministër i vendit, por aspak e tepërt t’ju siguroj që në fillim për angazhimin tim të plotë me zemër dhe mendje, për të mbështetur idetë, projektet, planet tuaja dhe sigurisht të dy institucioneve tona të mëdha, të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve, por jo vetëm.

Jam po aq, plotësisht i angazhuar për të mbështetur një reformë tërësore dhe rrënjësore të sistemit tonë të kulturës dhe të arteve, ku sot ndjehen dhe preken ngado gjurmët e një rrënimi të papranueshëm.

Sikur të mos ishit ju, të gjithë njerëzit e talentuar dhe protagonizmi individual i tyre, në botën e brishtë, të varfër dhe thuajse fare të braktisur, ku jeton mes sakrificash dhe përpëlitjesh të mëdha, krijimtaria juaj, politikat rrënuese kulturore të gjithë këtyre viteve do të ishin shkretuar krejt në mjedisin tonë të artit dhe të kulturës.

Përgëzime për rezistencën e madhe në kushte kaq të pafavorshme dhe thënë e drejta, në një sundim aq të gjatë të shurdhërisë dhe të verbërisë së injorancës politike mbi botën tuaj.

Unë kam besim se nën drejtimin e Ministres Kumbaro dhe në bashkëpunim me ju, me të gjithë njerëzit e artit të dhe të kulturës, përmes dialogut, përgjegjësisë reciproke dhe partneritetit, ne do të hapim një faqe të re të qeverisjes së kulturës dhe të institucioneve kulturore për mbrojtjen e thesarit të trashëgimisë sonë kulturore dhe promovimin e talenteve, risive dhe vlerave bashkëkohore, për rritjen e cilësisë së produkteve kulturore dhe artistike, por dhe rritjen e cilësisë së edukimit artistik e kulturor.

Sot, dua ta falënderoj sinqerisht para jush, por edhe publikut që na ndjek, Ministren tonë të kulturës për vizonin e kthjellët, vullnetin e fortë dhe për punën mbresëlënëse që ka nisur, duke hedhur piketat e një reforme tërësore dhe rrënjësore të sistemit të kulturës dhe të arteve që padyshim do të diskutohet gjerësisht me ju.

Por dua ta falënderoj edhe posaçërisht sot, për këmbënguljen me të cilën kërkoi dhe mundësoi çuarjen në një shkallë më lart besoj, të nivelit të drejtimit të TKOB dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke emëruar në krye të tyre dy njerëz, me histori suksesi jo vetëm në Shqipëri, por ashtu edhe jashtë atdheut, në emigracion.

I falënderoj me mirënjohje Ilir Kernin dhe Artan Shabanin për këtë rikthim me kohë të plotë në Atdhe, si përgjigje e një apeli që dua ta ribëj edhe sot për të gjithë njerëzit tanë të suksesshëm jashtë atdheut, të cilëve u them se Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin e tyre dhe profesionin e dashurinë e tyre për këtë vend, ku pa asnjë dyshim do të gjejnë të gjithë mbështetjen time dhe te Qeverisë sonë për të kontribuar në sektorin publik, në të gjitha fushat.

Faleminderit Ilir!

Faleminderit Artan!

Jam absolutisht i bindur se ju do ta çoni një shkallë më lart institucionin, të cilin do të drejtoni me mbështetjen e plotë të Ministres së Kulturës, por edhe timen personalisht.

Unë jam i bindur se ju do të krijoni kushtet që në të dy institucionet e mëdha të artit dhe të kulturës sonë, të ketë më shumë art cilësor dhe më pak vetëpëlqim provincial; më shumë konkurrencë të lirë dhe më pak hierarki të paravendosur në përzgjedhje; më shumë debat të brendshëm dhe më pak mure mes disave dhe disave.

Jam i bindur se ju do të shkundni shumë pluhur dhe rrëzoni mure dhe perde të vjetruara interesash, grupesh, kategorish të privilegjuara duke krijuar hapësira të reja dhe këndvështrime të reja nga brenda, jashtë dhe nga jashtë, brenda, institucioneve tuaja.

Ministrja i ka thënë me të drejtë fjalët e mira për paraardhësit tuaj; mua më kanë mbetur vetëm fjalët e mira për ju, sepse qenien tuaj sot në krye të këtyre institucioneve e shoh jo vetëm si një garanci për ecurinë e tyre në drejtimin e duhur, por edhe si një dëshmi të shpresës dhe të kurajës së një gjenerate tjetër për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe.

Jam ndjerë më shumë se mirë, kur kam marrë mesazhe urime në disa gjuhë, nga disa personalitete të artit bashkëkohor sot në Evropë, për zgjedhjen e Artan Shabanit. Po ashtu siç jam ndjerë po aq mirë, kur kam marrë përgëzime nga miq të huaj prej vendeve, ku Ilir Kerni ka lënë gjurmën e kërcimtarisë dhe të profesionalizmit të tij të rrallë si protagonist në skenë dhe drejtues i trupave të baletit, prapa skenës.

Janë të dy, para përgjegjësisë së madhe të dhënies së një kontributi kyç, sigurisht mes të tjerësh dhe bashkë me të tjerë natyrisht, për krijimin e një hapësirë artistike shqiptare si referencë e re, në hartën kulturore të Evropës Juglindore. Koha do të provojë deri në fund vlerën e zgjedhjes së bërë nga Ministrja dhe të mbështetur me shumë entuziazëm edhe nga unë, ashtu sikundër do të provojë dhe dobinë e politikave tona të reja kulturore që po konceptohen dhe do të formësohen në dialog me komunitetin.

Po ndërkohë, ju mbetet ju, të provoni dita-ditës si komunitet, angazhimin dhe mbështetjen tonë të pakursyer për ju, për idetë, për projektet, për planet e secilit prej jush dhe institucioneve të artit dhe të kulturës, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Ky ishte një takim i parë dhe i improvizuar me shpejtësi dhe jashtë protokollit zyrtar për të prezantuar dy protagonistë të shquar të skenës së kulturës sonë kombëtare që tanimë kanë marrë përgjegjësinë të drejtojnë dy institucione të rëndësishme të kësaj kulture. Por në të njëjtën kohë ishte edhe shprehja e një nevoje, për t’ju adresuar nga kjo sallë të gjithëve ju dhe komunitetit vullnetin e plotë për ta ngritur këtë komunitet në nivelin e vëmendjes dhe të respektit që meriton prej Qeverisë dhe prej meje personalisht si Kryeministër i këtij vendi.

Ju siguroj që takime të tjera do të vijojnë dhe pjesë-pjesë; dhe të gjithë së bashku ne do të gjendemi përsëri në hapësira të debatit të brendshëm për të garantuar cilësinë e një dialogu që duhet të vendoset dhe duhet të jetë sistematik mes nesh për të përcaktuar përgjegjësitë e palëve, përgjegjësinë tuaj si protagonistë të organizuar ose krejtësisht të lirë në skenën e aktivitetit të sotëm kulturor dhe artistik e përgjegjësinë tonë si shtet, si Qeveri, si përfaqësues të një shumice, besoj unë, të zgjedhur edhe për të bërë një kthesë në këtë fushë. E, për të pasur mes nesh një partneritet të bazuar mbi domosdoshmërinë që së bashku t’i japim frymë dhe jetë ideve dhe projekteve tuaja. Së bashku, të garantojmë që konkurrenca e ideve dhe projekteve është e lirë, është e ndershme dhe është e hapur për të gjitha gjeneratat, për të gjitha grupet, për të gjithë individët, pa privilegjime të disave dhe diskriminime të disave, duke bërë çmos që prurjet e jashtëzakonshme që Shqipëria ka patur gjithmonë, sado e vogël është, në talente të reja, në muzikë, në artin skenik, në artet pamore, të gjejnë hapur dyert e skenave më të mëdha, duke nisur nga TKOB dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

Edhe njëherë, shumë faleminderit për praninë tuaj shumë të çmuar, megjithë kohën shumë të shpejtë të organizimit të këtij aktiviteti. Suksese dhe punë të mbarë për të dy drejtuesit e rinj, të këtyre dy institucioneve që me autoritetin e tyre jam i bindur do të jenë garant të të gjithëve, edhe të mjeshtrave të mëdhenj edhe të atyre që sapo e kanë nisur rrugën e ëndrrave dhe të shpresave, në botën e madhe, të vështirë, konkurruese dhe shpeshherë të pamëshirshme të prodhimit artistik.

Ju faleminderit edhe njëherë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.