Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend:
Këtu në sallë ka jo pak deputetë, të cilët kanë qenë pjesë e trupës parlamentare të Republikës së Shqipërisë edhe kur u bë një Rezolutë për Liberalizmin e Vizave dhe Partia Socialiste ishte në bojkot parlamentar. Nuk dua t’i kthehem arsyeve të atij bojkoti parlamentar, por e sjell në vëmendje të publikut këtë fakt, për të nënvizuar se sot është e para herë në historinë e parlamentarizmit demokratik shqiptar që një parti politike braktis sallën e Kuvendit, kur bëhet fjalë për një Rezolutë me interes kombëtar të kësaj natyre.
Kujtoj se asokohe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste erdhi në Kuvend, kontribuoi në hartimin e asaj rezolute dhe votoi në unanimitet me Partinë Demokratike, në atë kohë në qeveri, Rezolutën.
Kujtoj po ashtu se në ndërkohë që Shqipëria priste të merrte ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, ndodhi katastrofa e Gërdecit, me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, shkatërrimin e pronës dhe çative të një fshati të tërë, plagosjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve. Në atë kohë, ne u kritikuam, unë personalisht u kritikova nga shumëkush, pikërisht sepse nuk e kthyem atë moment tragjik në një mjet politik për të cenuar një proces që ishte drejt finalizimit të vet, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Dhe ja sot, kur jemi në metrat e fundit të një rruge shumë të gjatë dhe kur Parlamenti ka detyrën të bëjë përpjekjen e vet për të votuar një rezolutë, e cila nuk është e njëanshme, por është shprehje vullnetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë, qofshin zgjedhës të Partisë Socialiste, qofshin zgjedhës të Partisë Demokratike, ndodh ajo që s’ka ndodhur kurrë. Partia Demokratike bën atë që nuk e ka bërë kurrë as vetë ajo, kur në të shkuarën e largët ka qenë në opozitë dhe situata ka qenë nganjëherë shumë e ngarkuar politikisht, ikin nga salla, refuzojnë të votojnë një rezolutë, e cila nuk është një akt i të folurit me vete, por është një akt vullneti i Parlamentit për t’u bërë me dije të gjithë vendeve anëtare të Bashkimit Europian se Parlamenti i Shqipërisë në unanimitet kërkon çeljen e negociatave.
Kjo Rezolutë, nga një shprehje e vullnetit të mirë, duke u votuar vetëm nga ne, kthehet në një tjetër problem në përpjekjen tonë për të bindur të gjitha vendet anëtare, sepse është e njëanshme dhe cilido në korridoret e parlamenteve europiane që është kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë, apo me Maqedoninë, sepse është kundër vizionit të zgjerimit të Bashkimit Europian, këtë Rezolutë mund ta ketë një arsye më shumë, për të trokitur nëpër dyert e atyre korridoreve dhe për t’iu thënë të tjerëve, Parlamenti i Shqipërisë nuk është unanim për çeljen e negociatave. Shikoni, një rezolutë e bërë vetëm nga shumica qeverisëse! Opozita nuk ka marrë pjesë, nuk ka votuar.
Natyrisht në Berlin, në Paris, në Hagë, apo kudo qoftë tjetër, këta lloj individësh nuk lënë argument pa shfrytëzuar, por ndërkohë të tjerët nuk mund të bëhen me faj, nëse s’kanë as kohën dhe as mundësinë që të hyjnë më thellë dhe të kuptojnë si qëndron e vërteta. E kështu, i gjithë procesi i përpjekjes sonë shumë të vështirë për të bindur të gjithë që në fund të qershorit të na japin atë që meritojmë, shoqërohet nga një proces paralel, po nga Shqipëria, për t’i bindur që të mos ia japin Shqipërisë atë që meriton.
E vërteta është se, absolutisht, të gjithë ata që merren me Shqipërinë, edhe ata të cilët janë në pozicion kundërshtues e kanë shumë të vështirë të kuptojnë se si ka mundësi që Shqipëria është i vetmi rast në të gjithë historinë e procesit të integrimit, qëkur ra perandoria komuniste dhe filloi afrimi dhe pastaj integrimi i vendeve ish komuniste në Bashkimit Europian, ku nuk ka konsensus dhe nuk ka unitet kombëtar në komunikimin me të huajt, por ka një opozitë që nuk lë gur pa lëvizur për ta shkatërruar këtë proces. I vetmi!
Ne e dimë shumë mirë jetën politike dhe ecurinë e zhvillimeve politike në Maqedoni. Ne e dimë shumë mirë se sa e vështirë është bashkëjetesa në Maqedoni mes shumicës dhe opozitës, por as dje dhe as sot, as opozita dje, as opozita sot nuk janë pjesë e diçkaje sado pak të ngjashme me këtë që ndodh këtu. Jeta politike në Bullgari është jashtëzakonisht konfliktuale, por qysh kur u filloi përgatitja për Presidencën Bullgare, shumica dhe opozita u bënë bashkë, u ulën në tryezë, diskutuan dhe formuluan të gjithë programin e Presidencës Bullgare, sepse brenda kufijve është familja e madhe e një populli, ku si çdo familje ka mendje të ndryshme, por jashtë kufijve populli është një, vendi është një, shteti është një, flamuri është një.
Nuk shkohet në asnjë vend, sapo kapërcen kufirin, me flamurin e partisë në dorë. Sapo kapërcen kufirin është vetëm një flamur, flamuri i Shqipërisë, flamuri i vendit. Kur kapërcen kufirin nuk je më një socialist, apo një demokrat i vendit tënd. Je një shqiptar që përfaqëson vendin tënd. Ata që të shohin, ata që të dëgjojnë dhe ata që të flasin, nuk të shohin, nuk të dëgjojnë dhe nuk të flasin si socialist apo si demokrat, por si përfaqësues i një vendi që po kërkon të hedhë një hap historik për t’u afruar përfundimisht me një familje vendesh ku gjëra të tilla janë të paimagjinueshme.
Askush si këta, fatkeqësisht dhe fatkeqësi e madhe për këtë vend dhe për njerëzit e këtij vendi, sepse ky vend, sot e ka një bekim, ky është i vetmi vend ku nuk ka një forcë të strukturuar antieuropiane, sikundër nuk ka as një parti komuniste, sepse në këtë vend myslimanë e të krishterë, nga veriu apo nga jugu, të rinj apo të moshuar, nëse kanë 1001 sebepe për të qenë të ndarë në opinione për 1001 gjëra, kanë një mendim të njëjtë, një qëndrim të njëjtë, një shpresë të njëjtë dhe një ëndërr të njëjtë, që të jenë pjesë e familjes europiane.
Thyerja brutale e kësaj pasqyre shpirtërore të një populli të tërë, për qëllime dhe arsye që s’kanë lidhje fare me interesat kombëtare, me interesat e një populli të tërë dhe as me interesat e të gjithë atyre që nuk duan ta shikojnë me sy Partinë Socialiste, që nuk duan ta shikojnë me sy qeverinë, që kanë votuar dhe do votojnë për Partinë Demokratike, është një akt i pashembullt pabesie historike ndaj këtij vendi dhe këtij populli. I pashembullt, nuk ka një të dytë!
Individë aktesh të pashembullta pabesie dhe tradhtie në histori, Shqipëria ka pasur plot, por një forcë e tërë, e organizuar dhe e votuar, që sillet si të ishte jo Partia Demokratike e Shqipërisë, që lindi me thirrjen “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, por si të ishte një forcë që për program ka testamentin e Esat Pashës, kjo është e pabesueshme!
Pyetja është shumë e thjeshtë:
Pse?
Çfarë arsyesh kanë këta që sillen kështu?
Të jetë vallë, thjesht arsyeja e pushtetit?!
Të jetë vallë, thjesht ambicia e verbër për t’u rikthyer në pushtet?!
Nuk mjafton!
Është shumë e vështirë të thuash, po, kjo është dhe s’ka tjetër. Mund të jetë dhe është mbase pjesërisht, por nuk është ky thelbi. Nuk mund të jetë ky motivi, që pa u mbushur ende një vit nga zgjedhjet, një forcë e tërë politike alternative të transformohet në një fuqi që gjakon për shkatërrim. Për shkatërrimin e një segmenti rruge, që është rruga e shqiptarëve, nuk është rruga e Partisë Socialiste, nuk është rruga e një pjese, është rruga e shqiptarëve.
Negociatat, çelja e negociatave janë një problem shumë i madh për ta dhe jo thjesht për arsyen se, duke u çelur negociatat, qeveria dhe shumica jonë me gjasë do të marrë një energji të re besimi dhe mbështetjeje. Negociatat janë një problem shumë i madh për ta, sepse duke u çelur negociatat mbaron përfundimisht historia e pandëshkueshmërisë. Duke u çelur negociatat, vendi kalon nga një fazë ku mjaftonte të bënte ndryshimin e Kushtetutës, ndryshimin e të gjithë arkitekturës së sistemit të drejtësisë, ndryshimin e ligjeve që garantojnë pastrimin e sistemit të drejtësisë, në një fazë ku vendi duhet të tregojë se prokuroria e pastruar nga vetting-u dhe gjykatat e pastruara nga vetting-u funksionojnë si një pushtet që nuk i ndan njerëzit në të fortë e në të dobët, në të pasur dhe në të varfër, në të pushtetshëm dhe të pazëshëm, por si një pushtet ku gjithkush që ka shkelur ligjin, gjithkush që ka kryer akte në dëm të interesave publike, gjithkush që ka prekur pasurinë e shqiptarëve ndëshkohet.
Ky është themeli i të gjithë kësaj përpjekjeje prej barbarësh në mes të Europës, në kulmin e këtyre përpjekjeve, të cilat janë strategjike edhe për një arsye tjetër, sepse ky vit është themelor në këtë Europë që lëkundet nga presioni i forcave dhe i grupimeve që janë kundër saj. Vitin e ardhshëm, sot një vit janë zgjedhjet në Europë. Ndryshon Parlamenti Europian. Askush nuk di ta thotë sesa shumë do ndryshojë për keq, jo për mirë, në drejtimin që na intereson ne. Ndryshon Komisioni Europian. Askush nuk di ta thotë se çfarë Komisioni Europian do kemi dhe sa do jetë Komisioni i ardhshëm Europian i prirur që të vazhdojë punën e Komisionit të sotëm Europian, që është një Komision tërësisht proeuropianist dhe historia e negociatave të Shqipërisë, edhe të Maqedonisë, por ne flasim për Shqipërinë, mund të shtyhet në pafundësi.
Këta e dinë këtë. Dhe midis vrasjes së kësaj ëndrre, varrosjes së kësaj shprese dhe rritjes së mëtejshme të pasigurisë së më të rinjve lidhur me në çfarë vendi do të jetojmë nesër, në Europë apo në një vend jashtë Europës dhe frikës së tyre nga drejtësia, ambicies së tyre të verbër për pushtet, si dhe shurdhërisë së tyre për të dëgjuar zërin e arsyes kombëtare, këta zgjedhin të dytën; Zgjedhin frikën; Zgjedhin ambicien e verbër; Zgjedhin shurdhërinë ndaj zërit të arsyes kombëtare.
Unë kam shumë besim që në fund, Shqipëria dhe shqiptarët do t’ia dalin! Dhe kur them në fund, nuk them në fund të jetës tonë, por në fund të qershorit. Është shumë e vështirë, sepse nuk ka lidhje me Shqipërinë, nuk ka lidhje me çfarë kemi bërë ne, apo me çfarë nuk kemi bërë ne. Në Samitin e Sofjes ishte më e qartë se asnjëherë, sepse ishin të gjithë aty, që nuk vihet në diskutim se sa shumë përpjekje dhe sa shumë rezultate ka arritur Shqipëria dhe sa shumë përpjekje titanike po bën Maqedonia, të cilës i kërkohet të ndryshojë emrin e vendit dhe jo vetëm emrin e vendit, por emrin me të cilin thirren, të cilëve u kërkohet që të mos thirren më maqedonas, por të thirren me një emër tjetër.
Ashtu sikundër askush nuk vë në diskutim që Shqipëria është shumë më përpara në prag të hapjes ë negociatave, sesa çdo vend tjetër në pragun e hapjes së negociatave. Të gjithë e dinë, të gjithë e flasin dhe të gjithë e duartrokasin reformën në drejtësi dhe posaçërisht këtë pastrim radikal që ka filluar të sistemit të drejtësisë. Është një revolucion paqësor, por shumë i pamëshirshëm.
Kush e ka bërë?
Komisioni Euorpian ka filluar të shtrojë dhe pak nga pak do të formulojë kërkesën konkrete për Serbinë, për Malin e Zi, që janë duke negociuar, që t’i referohen modelit të Shqipërisë e padyshim për Maqedoninë, për Kosovën, për Bosnjën, sepse është e shkruara në paketën e re të zgjerimit. Është e shkruar në Raportin e Progresit, është një model për t’u shtrirë në gjithë rajonin.
Të gjithë e dinë, askush nuk e diskuton se sa shumë ka bërë Shqipëria në gjithë këto vite kundër drogës, sepse hi syve këtu mund t’u hidhet atyre që sytë i kanë, por nuk duan të shikojnë, tapa veshëve këtu mund t’u futen atyre që veshët i kanë, por nuk duan të dëgjojnë, por të tjerët e dinë shumë mirë. Dinë faktet! Dinë historinë! Ashtu sikundër, edhe se sa shumë ka bërë Shqipëria kundër krimit të organizuar.
Sot paradite, në Holandë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë së Holandës, për të çuar ne forca dhe për të ndërvepruar kundër trafikut të paligjshëm të emigrantëve midis Holandës dhe Britanisë së Madhe. Me të njëjtin model që kemi nisur të zbatojmë me Francën kundër azilkërkimit të paligjshëm. Me të njëjtin model që kemi nisur të zbatojmë me Gjermaninë kundër krimit të organizuar, sepse po bëhet e qartë dita-ditës që krimi i organizuar nuk është këtu në Shqipëri, i ndryrë në kullën e vet nga ku jep urdhrat dhe drejton operacionet botërore, por krimi i organizuar shqiptar është andej dhe këtu ka bishtin, nuk ka kokën, nuk ka kokat. Shqipëria në këtë mes është një partner shumë i vyer, siç tregojnë rezultatet që janë arritur e të tjera do të arrihen, qoftë në raport me emigracionin e paligjshëm, qoftë në raport me krimin e organizuar, edhe me Britaninë e madhe.
Këto të gjitha ata i dinë. Nuk kam dëgjuar ndonjërin të thotë, shiko ne jemi të lëkundur, ose ne jemi në pozicion të pafavorshëm, sepse ju keni këtë e keni atë. Jo, fare. Sepse ata e dinë dhe tjetrën që, natyrisht, Shqipëria i ka këto probleme, siç i kanë dhe vende të tjera të Ballkanit, që, natyrisht, Raporti i Komisionit e thotë vetë, “të gjitha këto fenomene të rrënjosura prej vitesh”, por këtu nuk bëhet fjalë që ne po kërkojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian sot. Këtu bëhet fjalë që ne të hymë në një fazë tjetër ku këto probleme, këto fenomene, këto të këqija t’i atakojmë me shumë më tepër forcë, falë instrumentit që na japin negociatat.
Diskutimi nuk është ky. Diskutimi është opinioni publik këtu, opinioni publik atje, partitë e ekstremit të djathtë këtu, partitë e ekstremit të djathtë atje, ekuilibrat e brendshëm këtu, ekuilibrat e brendshëm atje, apo se, dakord, kjo është kështu, por pastaj do përdoret kështu, se do ngrihen përpjetë e do thonë ne kërkojmë të dalim fare nga Europa, këta futën në Europë edhe Shqipërinë, edhe Maqedoninë; Ne na ra goja që si e hëngrëm këtë tek me Rumaninë dhe Bulgarinë, shikoni çfarë po na bëjnë. Pra, propaganda antieuropiane.
Sidoqoftë, unë jam besimplotë që ne do të çajme këtë rrugë, që ne nuk do të mbetemi në fund me derën të përplasur në fytyrë dhe për këtë po punojmë përditë. Ministri i Jashtëm do shkojë në Paris përsëri. Unë do shkoj në Paris prapë dhe prapë. Në Berlin po ashtu.
Por ajo që di t’ju them është që nuk ka, nuk di, nuk gjej dot një krahasim me asgjë që e kam jetuar dhe përjetuar, edhe në momentet më të vështira politike, sesa kjo. Të kesh përballë të huaj të pushtetshëm dhe të duhet të sqarosh, po si ka mundësi kjo, po si ka mundësi ajo, për këto të këtyre.
Fatmirësisht, në fatkeqësinë e vetë, historia e këtij audiopërgjimit ka një fund të qartë. Një fund të qartë dhe të padiskutueshëm nga askush, sepse nuk bëhet fjalë për opinion, bëhet fjalë për një fakt, bëhet fjalë për një provë konkrete që ose është autentike, ose është e fabrikuar dhe këtë nuk ka nevojë ta thotë askush këtu në Shqipëri. Dhe ajo që thonë që ajo çka unë thashë dhe e përsëris, unë e di rezultatin, sepse e kam kërkuar që atë ditë ta mësoj rezultatin dhe unë e di rezultatin, por thonë ky e thotë këtë që prokuroria e kapur prej këtij të thotë këtë, është qesharake. Se prokuroria nuk do thotë asgjë. Prokuroria thjesht duhet ta çojë atë material në një laborator shkencor të kujtdo vendi partner me Shqipërinë, t’i bëjë analizën shkencore dhe këtu nuk është çështje opinioni, është me barrë, apo duket si me barrë, apo ka brenda jastëk. Këtu është çështje analizash shkencore në një laborator shkencor, që do thotë është, apo nuk është. Unë që ju kam thënë publikisht që kjo është një histori banale dhe audiopërgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar, po ju them që historia pas audiopërgjimit është akoma më e hatashme. Çfarë shikoni, janë vetëm aktorë, luajnë rolin. Kam shumë shpresë që do të dalin nga hetimi skenaristët, regjisorët dhe producentët.
Ai ditëziu i rrugëve të Vlorës është si ata figurantët e filmave të neorealizmit italian, çfarë t’i thuash, thotë, por mbrapa, historia është shumë herë më serioze sesa duket. Sidoqoftë, se si është historia, t’ia lëmë prokurorisë. Ajo që na duhet është të vijë përgjigja e analizës shkencore, jo nëpër kompani private, jo nëpër studio private, jo nëpër zyra avokatie, në një laborator shkencor të cilitdo vend partner me Shqipërinë. Kaq!
Për ta mbyllur, unë do ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë të gjithë atyre që janë të hutuar, të çoroditur, të turbulluar, të zemëruar nga fakti që na del që vëllai i ministrit të Brendshëm na qenka trafikant aktiv droge.
Pyetja është shumë e thjeshtë:
Çfarë do mendoni për veten tuaj, kur kjo që unë them, të dali siç unë po e them dhe kur të mësoni që bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë ju?
Një tallje e madhe që synon destabilizimin e vendit, jo thjeshtë një skup mediatik, por destabilizmin e vendit.
Si do ju duket vetja mbasi të dilni në protestë, kur të mësoni se keni dalë në protestë, njësoj siç shkohet në kinema, për të parë një film dhe për të duartrokitur një film, për të mbushur sallën e kinemasë?
Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Fatmirësisht, koha kur shkohej në protestë dhe nuk ktheheshe në shtëpi, por ktheheshe në morgun e spitalit në Tiranë, ka vdekur.
Koha kur shkoje në protestë dhe ktheheshe në ilegal, me brinjë të thyera, që mos të të kapnin më mbrapa, pasi të kishin shkatërruar me shkop e me shkelma në mes të rrugës, ka vdekur.
Në protestë mund të dali kusht të dojë. Nuk e prek kush me dorë, sigurisht duke ruajtur vijat. Por pyetja këtu nuk është protesta. Pyetja këtu është tallja madhe. Mendojeni njëherë këtë që po ju them. Mendojeni thjesht që të mos ju duket vetja të keqpërdorur me paralajmërim, sepse ky është paralajmërimi, që kjo është tallje. Që videopërgjimi është i fabrikuar si një videopërgjimi i dikujt që nuk është fare aty dhe që kjo e gjitha bëhet për të shkatërruar në metrat e fundit, rrugën për çeljen e negociatave. Kush nuk i do negociatat, po. Çdo shqiptar që nuk i do negociatat duhet të iki në protestë, patjetër duhet të bëjë çmos, të shkojë atje dhe të mos lëvizi që aty deri sa t’ia arrijë qëllimit, negociatat të mos hapen. Kush i do negociatat duhet ta dijë që me ose pa dashje shkon aty për të kontribuar për të kundërtën.