Turi i bashkëbisedimeve të Kryeministrit Edi Rama me qytetarë vijoi sot në Fier, ku qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme, online dhe të pranishëm në sallë, diskutuan me Kryeministrin, lidhur me problematika shqetësuese, tema të ditës, si dhe plane e projekte zhvillimore për qytetin e Fierit dhe më gjerë.
Tema, e cila ka ngjallur interesin e shumë qytetarëve kohët e fundit, por veçanërisht të mjekëve është Spitali i ri Rajonal i Fierit, që po ndërtohet nga qeveria turke. Një nga mjekët e spitalit ekzistues të qytetit, pjesëmarrës në bashkëbisedim, u interesua lidhur me infastrukturën dhe shtrirjen e shërbimeve të spitalit edhe përtej qytetit të Fierit, për të cilën Kryeministri Rama u përgjigj:
Nevoja për një spital rajonal me standarde dhe kapacitete në tërë këtë zonë është e hershme, siç është e hershme dhe pritshmëria për shkak se edhe të tjerë përpara se ne të merrnim detyrën e kanë premtuar këtë spital. Këtë premtim e kemi bërë dhe ne. Në fakt i kemi bërë përpjekjet tona prej shumë kohësh. Kemi vite që përpiqemi për të materializuar këtë spital, kemi bërë projektin, kemi bërë perpjekje për të gjetur mënyrën e financimit. Sepse nuk është thjeshtë çështja e godinës, por e gjithë logjistika brenda që ka një kosto shumë të lartë dhe kemi dështuar me sukses, më shumë se një here, si rezultat i mosarritjes në një skemë bindëse, edhe pse kemi patur interesa të shprehura nga anë të ndryshme, pasi për buxhetin e shëndetsisë dhe buxhetin e shtetit ishte një operacion goxha i rëndësishëm dhe i pamundur, në kushtet kur kemi patur nevojë të adresojmë shumë nevoja në infrastrukturën e shëndetsisë, që nga transformimet në QSUT-ë dhe nga transformime të tjera që besoj i keni parë në të gjithë vendin.
Sot kemi mundësi, më në fund, të shohim realizimin e ketij projekti, pasi edhe me qeverinë turke, edhe me Presidentin e Turqisë, kjo çështje ishte shtruar edhe më parë. Ky spital nuk do t’i shërbejë vetëm Fierit, por do t’i shërbejë një zone më të gjerë. Do të jetë një spital që do të duhet të harmonizojë veprimtarinë e tij me spitalin aktual rajonal, që natyrisht do të lehtësohet shumë nga ndërtimi i spitalit të ri. Kështu, duke u harmonizuar në programin e aktiviteteve të shërbimeve që përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë do të funksionojnë si struktura komplementare.
Spitali Rajonal i Fierit do të jetë spital publik, do të jetë njësoj si gjithë spitalet e tjera të sistemit tonë publik, pra, do të jetë pa pagesë, jo një spital privat, jo spital me ndonje fature ekstra për njerezit. Ajo që është më e rëndësishmja, nuk do të jetë vetëm një qendër ku do të transferohet gjithë teknologjia më moderne, – që do të thotë se spitali do të pajiset nga A-ja tek Zh- ja nga sistemi turk i shëndetsisë, – por do të jetë dhe një qendër e transferimit të dijes. Që do të thotë që në një periudhë tranzicioni që do të zgjasë nga 1 deri në 3 vjet në spital do të funksionojë nje personel i përzierë, ku do të jenë 50 persona personel turk dhe 320 persona personel shqiptar. Personeli turk do të jetë që nga drejtuesi i spitalit, menaxherët, shefat e pavioneve, mjekët specialistë, kryeinfermierët, ndërkohë që personeli shqiptar do të përzgjidhet nga personeli i Fierit dhe më gjerë sesa Fieri, mbi bazën e një testi që do të bëhet nga vetë menaxhimi turk.
Kjo periudhë tranzicioni do të shërbejë për të kaluar të gjithë eksperiencën, dijen, njohuritë dhe për të përgatitur menaxhimin e spitalit 100% nga personeli shqiptar.
Spitali Rajonal Memorial, siç kemi vendosur ta quajmë, do të jetë spitali i parë ku do të pilotohet autonomia spitalore, kalimi në fazën tjetër të reformës së sistemit tonë shëndetësor, që ne e kemi përshkruar qëkurse e kemi prezantuar reformën në krye të herës, ku spitalet do të marrin përgjegjësinë e administrimit 100%.
Autonomia spitalore do të thotë gjithashtu që nuk do të ketë një sistem pagash njësoj për të gjithë, por do të ketë një sistem pagash që vlersëson atë që ka më shumë kontribut, sipas kritereve të performancës, duke bërë atë që është bërë në shumë vende, por siç është bërë dhe në Turqi që faktikisht është një sistem që i jep mjekëve zotërimin e punës dhe mundësinë që nga puna të fitojnë më shumë, duke shërbyer më mirë. Sistem, i cili ndikon shumë fuqishëm në pastrimin e elementëve abuzivë.
Në këto kushte kaq dramatike pandemie, mjekët dhe inferemierët e spitaleve tona, veçanërisht ato COVID, për mua janë heronj. Puna e tyre është përtej limiteve që ne mund të kuptojmë, duke e parë punën nga larg, nga pikëpamja psikologjike dhe fizike. Është e dhimbshme që një “Tire” apo disa “Tire” të hedhin hije mbi heroizmin e tyre. Por kjo është një çështje që adresohet me sistem. Sistemi kërkon reformë dhe reforma kërkon kohën e vet.
Kush e njeh sadopak historinë e transformimit të shëndetësisë në Turqi dhe po marr Turqinë se në vende të tjera që janë në pjesën tjetër të Europës, transformimi ka ndodhur shumë kohë më parë, por në Turqi ku transformimi i përket një periudhe më të afërt, e dini që Turqia para 15 vitesh ka patur të njëjtën situatë, goxha të vështirë në sistemin shëndetësor. Ka patur “Tire” lart e poshte, ka patur probleme të mëdha me efiçencën me transparencën e shërbimit dhe ja ku është sot. Turqia ka ndjekur të njëjtat faza që po ndjekim dhe ne sot.
Shumëkush, sot flet për spitalet sikur vjen nga hëna, ose sikur nuk është fare pjese e historisë së këtij vendi. Gjendja e spitaleve ishte katastrofike. Kur ne kemi marrë detyrën, borxhi që shteti i kishte furnizuesve ishte katastrofik dhe furnizuesit nuk e furnizonin më shtetin. Sot, depo e barnave në QSUT, që ishte një magazinë ordinere, është një depo me frigoriferë, me të gjitha standardet si një depo spitalore në Europë. Krahasimi me të kaluarën shërben sepse po nuk e kujtove se nga je nisur, s’ka shans të arrish aty ku do.
-Lidhur me kërkesën në formë sugjerimi të një mjekeje radiologe për çeljen e një filiali të Fakultetit të Mjeksisë në Fier, si dhe me ecurinë e planit të qeverisë për vaksinimin, Kryeministri Rama u shpreh:
Çështjen e filialit, në perspektivë kjo është diçka që vlen të diskutohet. Por paraprakisht duhet të sigurohemi nëse bëjmë një filial, të jetë një filial ekselence, jo thjeshtë hap nje universitet më shumë. Nuk është thjeshtë si programet e tjera që janë të fryra me prani studentësh dhe pastaj nuk u japin një pjese të madhe të tyre mundësinë të thithen nga tregu, sepse tregu është i mbingopur, juristë p.sh. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të shtojmë përpjeket që t’i japim arsimit tonë të lartë cilësi, që univeristet tona të fitojnë në cilësi. Me reformën që kemi bërë, universiteti ka marrë një autonomi të madhe, por nga autonomia e madhe shfrytëzon shumë njërën anë të autonomisë që është liria dhe nuk respekton sa duhet anën tjetër që është përgjegjësia.
Ambicia jonë është që në mandatin e tretë, ne do të përpiqemi shumë të sjellim këtu universitetet që janë me reputacion të madh në vende të mëdha. Hapi i parë është ardhja e Universitetit Teknologjik të Stambollit që është një nga universitetet më me reputacion në Europë dhe ku ne kemi patur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Është një universitet që funksionon perfekt për nevojat e tregut, nga teknologjia e lartë tek gjithë spektri i teknologjive të ndryshme, duke krijuar një prurje ekspertësh për shumë aspekte të tregut që ka nevojë të madhe. Gjithashtu shpresoj se do të kemi edhe universitete të reja që do të sjellim.
Një tjetër projekt për të cilin ne po punojmë me SHBA-në është Akademia Ushtarake, transformimi i saj në një akademi amerikane me profesorë, me kurrikula nga SHBA-ja, të miksuar me profesorë shqiptarë. Akademia e Sigurisë po ashtu. Kjo do t’i japi një mundësi tjetër Arsimit tonë të Lartë dhe do t’u japë një mundësi të rinjve tanë të studiojnë në universitet prestigjozë, pa qenë nevoja të lëvizin nga Shqipëria. Në këtë kontekst do të ishte fantastike që edhe filiali i Mjeksisë në Fier të ishte filiali i një universiteti mjekësie të huaj.
Sa i përket vaksinimit, ju e shihni se çfarë po ndodh me vaksinën në Europë, por edhe në botë. Edhe SHBA-ja që ka bazën e tyre prodhuese, ka shqetësime të ndryshme në shtete të caktuara. Përveç vendeve që kanë bazën e tyre prodhuese, të tjerët janë në hall. Por ka halle e halle, në këtë mes, se tjetër është Gjermania, tjetër është Italia, tjetër jemi ne dhe tjetër janë 140 shtete, përfshirë edhe shtete të rajonit tonë që nuk kanë marrë akoma asnjë dozë vaksine dhe nuk kanë asnjë perspektive se kur do ta marrin dozën e parë të vaksinës. Ne nuk jemi për fat të mirë në këtë kategori, por jemi në kategorinë e shumë shteteve që e kanë filluar vaksinimin. Brenda muajit mars e gjithë sasia e vaksinave që do të vinte nga Pfizer-i nga mesi janarit, shkurt dhe mars – do të vijë. Jemi në diskutime me të tjerë për të marrë sasi të tjera vaksinash, ndërkohë që me Pfizer-in vazhdojmë çdo ditë kontaktet për të afruar dozat. Kjo është situata. Sidoqoftë, brenda marsit, ne mbarojmë të gjithë vaksinimin e mjekëve dhe të infermierëve. Mbarojmë brenda disa ditësh vaksinimin e të gjithë të moshuarve në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Aty dua ta them se është diçka që nuk është thënë nëpër media, që ne në shtëpitë e të moshuarve kemi rreth 700 të moshuar dhe kemi 300 personel. Nuk kemi patur asnjë fatalitet, siç kanë ndodhur në disa vende. Nuk kemi patur sepse personeli i shtëpive të të moshuarve është mbyllur Brenda, bashkë me të moshuarit, janë karantinuar totalisht. Janë faktikisht njerez që kanë bërë një sakrificë të jashtëzakonshme, duke lënë familjet e tyre për muaj e muaj të tërë.
Fillojmë ditën e dielë vaksinimin e moshës 80 e lart. Unë thashë që do ta fillojmë vaksinimin për disa personalitete që i kanë dhënë shumë shoqërisë tonë, kulturës tonë, shkencës sonë, vendit tonë dhe që nuk duhet t’i kujtojmë vetëm kur marrim lajmin e hidhur që u ndanë nga jeta. Por sot që kemi mundësi të kujdesemi për ta, duke filluar vaksinimin për moshën 80+, – pra, flas për personalitete 80+, nuk flas për personalitete që hajde marrim Bujar Nishanin ta vaksinojmë, këtu çfarë nuk u tha. Një filozof që shfaqet shpesh me qëndrime të hatashme thoshte “genocide”. Presidenti thoshte “ndarje klasore”, “diktaturë”, d.m.th, është ndarje klasore që një mbi 80-vjeçare si Tinka Kurti ta vaksinosh kur fillon vaksinimi i më të moshuarve. Është “diktaturë” që të vaksinosh dikë tjetër, që të mos marrim emra mbi 80 vjeç, Anesti Kondilin p.sh, një professor, mjek që i ka dhënë tërë jetën mjeksisë dhe studentëve, ndërkohë që është mbi 80 vjeç. Është “ndarje klasore”, “diktaturë” që të vaksinosh Alfred Moisiun.
Të mos harojmë edhe që vaksinimi i tyre është dhe një ndihme që i jepet fushatës së vaksinimit, për të kaluar mesazhin që duhet të vaksinohemi sepse është gjëja e duhur, në kushtet kur qarkullojnë lloj-lloj teorish konspiracioni.
-Pyetjes së Inxhinierit gjeolog për planet e investimeve afatmesme dhe afatgjata të qeverisë për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së shpërndarjes dhe transmetimit të gazit në rajonin e Fierit dhe në Vlorë, si dhe lidhur me planin e investimeve në tëresi dhe për Fierin ne veçanti, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:
Është e vërtetë që një nga problemet për t’u adresuar për të ardhmen e sektorit të energjisë ka qenë problemi i varësisë thuajse absolute që Shqipëria ka nga hidro. Kur ka shumë shi, kemi hallet e tjera se fillon përmbytja, kur ka pak shi, duhet të importojmë dhe na shkon shtrenjtë. Ndërkohë gjatë këtyre mandateve, ne kemi vënë bazat për diversifikimin. Jo më larg se gjatë kësaj vizite, unë isha në Karavasta ku po bëhet finalizimi i punës për parkun e parë me energji diellore në Shqipëri, 140 megavat. Brenda pak ditësh do të hapen ofertat ekonomike të pjesëmarrësve në garën tjetër për parkun tjetër me energji diellore në Spitallë Durrës, ku do të ndërtohet njëkohësisht lagja e re pas tërmetit. Ne jemi në process, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, për ndërtimin e Skavicës.
Për gazin, ne jemi investuar fuqimisht për masterplanin. E kemi sot masterplanin, jemi në të njëjtën paketë me qeverinë amerikane në punë për TEC-in e Vlorës, që është një gërmadhë që u ka kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve, por edhe sot e gjithë ditën rri aty dhe nuk prodhon asgjë.
Lidhur me gazifikimin kemi dy kanale, sepse nuk është e thënë që ai projekt gjigand të bëhet vetëm me nje burim. Njëri kanal është kanali i planit të investimeve për Ballkanin të Komisionit Europian, një plan shumë ambicioz, ku janë 28 miliardë euro në dispozicion për vendet e Ballkanit dhe që kanë tre shtylla, interkonjektivitetin, energjinë dhe digjitalizimin. Ndërkohë që kanali tjetër, që ka disa kohë që është hapur, por nuk ka funksionuar për arsye të pandemisë, për arsye të konjukturave, është kanali i Azerbajxhanit nga Turqia. Ka një interes të vazhdueshëm nga Azerbajxhani. Turqia po ashtu është e interesuar të hyjë në këtë bashkëpunim, pra, Azerbajxhan-Turqi-Shqipëri.
Përsa i përket projekteve të mëdha, para 7 vitesh ka qenë shumë e lehtë të flasësh, por ka qenë e pamundur të imagjinosh që projektet e mëdha të bëhen realitet. Sot jemi në një fazë komplet tjetër. Sot kemi në proces përfundimi Aeroportin e Kukësit. Pandemia na penguar në këtë aspekt, pasi na ka bllokuar aeroportin e Vlorës, por tani shpresojmë të nxjerrim fituesin dhe pastaj të kemi një kontratë për të filluar punën në kantier. Menjëherë sapo të dali fituesi i Vlorës dhe të lidhet kontrata do të hapim aeroportin e Sarandës. Unë mendoj se me këto 4 aeroporte, ne do të kemi një fuqi të madhe plus për lëvizshmërinë dhe për ekonominë. Aeroportet sjellin bukë, në rast se do ta marrim fjalën “bukë” si metaforë, se për bukë shqiptarët nuk knë vdekur kurrë, që nga koha e Skënderbeut.
Nga ana tjetër janë dy transformimet e mëdha, Porti i Durrësit dhe Porti i Vlorës. Transformimi i tyre në porte turistike dhe spostimi i aktivitetit të mallrave në një port të ri në Durrës dhe tek Triporti i vjetër në Vlorë. Të gjitha këto porte, së bashku me atë të Sarandës, do t’i sjellin një tjetër fuqi motorike ekonomisë shqiptare, shumë më tepër sesa mund të imagjinohet.
Rruga Muriqan – Milot – Tiranë përmes kuptohet Thumanë, Rrogozhinë dhe Fier është gati. Është një projekt që do të transformojë komplet infrastrukturën, duke realizuar atë që e kemi quajtur Korridori Blu.
Janë edhe një sërë projektesh të tjera. Këto janë projekte kyçe, pjesë e planit tonë për t’i vënë në lëvizje.
– Interesimit të një qytetari për zhvillimin e infastrukturës që lidh zonat e plazheve në qytetin e Fierit, në mënyrë që ta shndërrojnë qytetit në një pol turistik. Kryeministri Rama iu përgjigj:
Ҫështja është se thyerja e akullit me investitorët e mëdhenj në turizm ka filluar të ndodhë dhe në momentin që ndodh, hapet perspektivë për këto lloj përmasash. Nga ana tjetër nuk është se kemi patur inisiativa private nga sipërmarrës privatë për gjithë këtë zonë, kjo për faktin se është një zonë e pazbuluar, një thesar i pazbuluar dhe nuk e ka tërheqjen tradicionale që ka Durrësi apo Vlora apo zona të tjera. Jam i bindur që në momentin që thyhet akulli, bukuria e kësaj zone, por edhe e zonave të tjera lart në Divjakë është e mahnitshme. Ne kemi përfunduar studimin për zhvillimin turistik të Divjaks, një studim shumë delikat, pasi është një zonë shumë delikate për të ndërhyrë dhe për ta zhvilluar duke njëkohësisht ruajtur vlerën që ka. Këtu janë bërë disa plane, disa studime, që nuk kanë patur zhvillim të mëtejshëm, por unë jam i bindur që vjen si rezultat i atij frenimit që sjell, si të thuash, tradita në këtë rast.
Sa i përket infrastrukturës, ne e kemi bërë planin, kemi bërë një pjesë të gjësë. Por duhet të kemi parasysh se ky mandat që po mbyllim ka qenë një mandat i jashtëzakonshëm për nga ngjarjet që kanë ndodhur, ku na janë dashur të ndryshojmë qasje dhe prioritete.
-Lidhur me interesimin e fermerëve për masat e parashikuara në vijim nga qeveria për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, në mënyrë që fermerët shqiptarë me prodhimet e tyre të jenë sa më të konkurrueshëm në tregjet rajonale, Kryeministri Rama u shpreh:
Respekte për punën dhe transferimin e dijes dhe të eksperiencës nga emigracioni në vendlindje. Sot ka arsye për të qenë të inkurujur për të ardhmen e afërt të sektorit të bujqësisë. Ka një shifër, dyfishimi i tokës s punuar punuar. Kur ne kemi ardhur në detyrë, në Shqipëri punohej 115-120 mijë ha tokë, sot punohen 235-240 mijë. Nuk ka shans të jetë dyfishuar sipërfaqja që punohet e të kënë rënë prodhimet.
Dyfishimi i sipërfaqes refletohet në raportin eksport-import në sektorin bujqësor. E kemi pasur 1 me 7, sot e kemi 1 me 3. Importi i gjysmës së asaj që importohej do të thotë që është zëvendësuar me prodhimin vendas. Nga ana tjetër eksporti është rritur dhe këtë e tregojnë shifrat, doganat.
Aty ku ne duhet të investojmë më shumë dhe të mbështesim më shumë është grumbullimi, në kushte të atilla që konkurrueshmëria të fitojë shumë pikë duke e nxjerrë në treg mallin kur do ti, sipas planti strategjik që bën ti për ta shitur në momentin e duhur, kur ti kap çmimin më të mirë dhe jo e nxjerr mallin sepse të nxjerr ty malli në treg, pasi ti përndryshe duhet ta shohësh të kalbet në dorë. Rritja e infrastrukturës së pikave të grumbullimit është shumë më e ndjeshme në krahasim me shtatë vite e kusur më përpara, por duhet të jetë edhe më e madhe dhe në këto do të na ndihmojnë shumë programet e mbështetjes nga BE-ja.
Fatmirësisht, ne sot nuk jemi më vendi i fundit në rajon për thithje të fondeve nga BE-ja, por jemi vendi i parë në rajon për thithje të fondeve, sepse AZHBR-ja është kthyer në një strukturë shumë efikase. Bashkëpunimi me fermerët është shumë efikas dhe ka gjithmonë e më shumë fermerë që kanë kuptuar që rruga është që idetë t’i kthesh në projekt e projektet t’i kthesh në financë. Nuk të çon përpara një ide, nëse ti nuk je në gjendje ta kthesh në projekt, sepse institucionet financojnë projektin, nuk financojnë idenë dhe fjalët.
– E pranishme në këtë bashkëbisedim ishte edhe një arsimtare, e cila e pyeti Kryeministrin se cila është ambicia e qeverisë për të thelluar reformat në arsim dhe një tjetër pyetje e saj ishte mbi korrupsionin dhe masat që do të merren për të minimizuar këtë dukuri. Lidur me këto, Kryeministri u shpreh:
Sa i përket të parës, ju jeni mësuese dhe ju i keni parë të dyja anët e medaljes dhe e keni jetuar kohën kur mësuesi ishte i pasigurt nëse të nesërmen do të ishte po aty. Kjo ka mbaruar. Kjo ka qenë një zonë e minuar nga korrupsioni, ku nuk mund të them që nuk ekzistojnë raste, por është e pastruar nga korrupsioni, në sensin e një sistemi të korruptuar dhe sot, mësuesit janë të sigurt që nuk i merr njeri e t’i flakë sa këtej e andej. Sot, mësuesit janë shumë më të vlerësuar edhe për faktin që askush nuk i sheh shtrembër, pavarësisht bindjeve të tyre.
Sot kemi një ndryshim si nata me ditën në tekstet shkollore. Mos ta harrojmë me çfarë në stresi keni qenë ju, fëmijët e prindërit me ato tekste, altertekste, që vinin nga të katërt anët e nuk merrej vesh si të adaptoheshin me to. Ndërkohë që sot është futur komplet një linjë tjetër e prodhimit, në sensin jo të prodhimit të librave fizikisht, por të prodhimit të dijes për Oxfor, Cambridge dhe Pearson.
Nëse do më thuash se cila është pjesa më e dobët e sistemit, unë mendoj që është drejtimi i shkollave. Për këtë arsye, ne kemi hapur shkollën e drejtorëve dhe kemi futur tani në proces një shkollë me kurrikula ndërkombëtare e me profesorë të huaj për përgatitjen dhe licencimin e drejtorëve, siç kemi bërë licensimin e mësuesve. Tani kemi drejtorë që shkojnë në shkollën e drejtorëve dhe jo të gjithë licensohen.
Për shkollën, synimi është që të vazhdojmë çdo vit të shtojmë numrin e atyre që marrin librat falas. Synimi ynë është që të vazhdojmë të rrisim pagat e mësuesve dhe të vazhdojmë të forcojmë këtë sistem meritokracie që janë hedhur bazat, të vazhdojmë t’ju krijojmë mësuesve kushtet për edukimin në vazhdim, për të qenë të updatuar me sfidën e tyre. Për hir të vërtetës, në pjesën e sistemit parauniversitar, ne kemi vendosur baza goxha pozitive që shihet kjo dhe në rezultatet që kemi marrë tek PISA. Kemi pasur ndryshime të mëdha në testimin e performancës së nxënësve tanë në testimin e PISA.
Natyrisht që është bërë shumë për infrastrukturën e shkollave, por unë do doja që të bëjmë të mundur që çfarë ka mbetur si shkollë e parindërtuar, të rindërtohet pa humbur kohë me të njëjtat standarde, siç po rindërtojmë shkollat pas tërmeti, që janë standardi më i lartë që është ndërtuar për hir të vërtetës në Shqipëri.
Tek korrupsioni, çështja është pak më e komplikuar sepse lufta kundër korrupsionit është faktikisht shtetndërtim, qoftë në aspektin e krijimit të sistemit që nuk lë hapësirë për korrupsionin, qoftë në aspektin e drejtësisë. Gjermanët nuk janë më të ndershëm se shqiptarët nga geni, por, nëse në Gjermani është e paimagjinueshme që një nëpunës të të kërkojë lekë, kjo vjen sepse sistemi e bën të pamundur për nëpunësin të të kërkojë lekë. Nëse ne do të merrnim 30 shqiptarë, t’i çonim në sistemin gjerman e do të gjenim 30 shqiptarë që këtu marrin ryshfet, t’i çojmë në të njëjtin profesion në sistemin gjerman, as nuk do u shkonte mendja të kërkonin lekë se nuk i lë sistemi. Nëse do merrnim 30 gjermanë, t’i fusnim në ato sisteme që janë këtu, të pastrukturuara akoma, të jeni të sigurt që herët ose vonë, sepse nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Për të pasur një shoqëri pa korrupsion, duhet të kemi një sistem që e bën korrupsionin të pamundur dhe kjo kërkon shumë kohë. Kush flet për Gjermaninë, Anglinë, Francën apo vende të tjera ku kudo ka korrupsion, por nuk është siç ndodh në vende që janë në zhvillim si ne, nuk duhet të harrojë që janë shtete që nuk janë bërë as për 7 vjet e as për 70 vjet. Sigurisht që ne nuk do të presim 70 vjet për të arritur që të bëjmë një shtet ku fenomeni i korrupsionit të jetë i marxhinalizuar, i izoluar, sepse sot, koha na jep mundësi që të bëjmë shumë më shpejt përpara përmes digjitalizimit. Heqja e njeriut nga kontakti dhe heqja e mundësisë të atij që është mbrapa sporteli e që të thotë eja nesër ose pasnesër dhe vendosja e shtetit në pasqyrën e kompjuterit bën një ulje drastike. Unë besoj që, nëse shohim shifrat, shifrat flasin që sot është shumë më ndryshe sesa ishte sepse po të shikosh vetëm sa shërbime janë dhënë nëpërmjet kompjuterit apo celularit, shërbime publike nga e-albania, janë miliona shërbime. Miliona shërbime janë dyfish milionë ecejake që do bëheshin në rast se nuk do ishin ato shërbime online dhe njerëzit do të shkonin të përplasin nëpër sportele.
Kështu që është proces që vazhdon dhe unë jam i bindur që siç është bërë përpara jashtëzakonisht shumë me mësuesit, do të përparohet po kështu dhe me mjekët, me infermierët dhe me shërbimet nuk diskutohet.
Nga ana tjetër është drejtësia dhe këtu dua të them që i mirëkuptoj ata që ndihen të zhgënjyer nga reforma në drejtësi. I mirëkuptoj si rezultat i padurimit që kanë, por, nëse do të kishin pak durim, të reflektonin, ata do të kuptojnë që sot është më shumë se kurrë koha kur Shqipëria duhet të ketë besim e shpresë që po, drejtësia nuk është më një iluzion, por një mundësi që po krijohet. Çështja është që të krijojmë triumfin e drejtësisë në sistem. Pastrimi i llumit që ishte në drejtësi nuk është një fjalë goje. Vetting-u ka bërë një pastrim radikal, që po vazhdon, të një pjesë të madhe të llumit.
– Një tjetër problem i ngritur në bashkëbisedimin me qytetarët e Fierit ishte largimi i të rinjve nga vendi edhe nëse ka një plan konkret për të parandaluar largimin e të rinjve, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh:
Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe shumë i sinqertë, që të bësh politikë me këtë temë, do të thotë që të përbuzësh të vërtetën e të përpiqesh të manipulosh ata që emocionoalisht mund të jenë të ngarkuar për faktin që largohen fëmijët. Ky është një trend historik në një fazë zhvillimi dhe transformimi njëkohësisht të marrëdhënieve me botën. Sot, bota është shumë më ndryshe sesa ishte 30 vjet apo 40 vjet përpara. Sot, të gjithë janë me këto mrrokllat në xhep që me një klik janë pjesë e botës e ndërkohë fizikisht janë të ndarë. Gjithë ai konsum i madh, gjithë ajo mirëqënie, gjithë ai shkëlqim i madh i vendeve më të pasura që vjen edhe përmes faqeve sociale të personazheve, vipave, këngëtarëve e aktorëve krijon një tension, krijon një tërheqje shumë të madhe për pjesën tjetër, që ta shohë veten me një sy tjetër nga ai që e shihte në të njëjtën moshë njeriu, shumë e shumë vite përpara, kur kjo ndërlidhje nuk ishte kaq intensive e njëkohësisht të kërkojë ta arrijë gjënë sot, jo të presë nesër e ta kërkojë atje ku është gjëja.
Shqiptarët historikisht kanë lëvizur. E vetmja periudhë kur shqiptarët nuk kanë lëvizur ka qenë periudha kur u mbyll komplet Shqipëria nga diktatura. Por pjesa tjetër e jetës shqiptare ka qenë shumë e lidhur me lëvizjen, me emigracionin, me shkëmbimin e kulturave dhe eksperiencave dhe ikjet në këtë fazë të historisë, nga viti ’90-të e deri më sot janë më shumë sesa kthimet, nuk diskutohet, por nuk diskutohet po ashtu që gjatë kësaj periudhe nuk kanë ikur 500 mijë veta, se nuk është e vërtetë, se ka pasur edhe kthime. Pas krizës së madhe në Greqi ka pasur shumë njerëz që janë kthyer.
Çfarë duhet të bëjmë ne? Kemi ne një fuqi ta ndalim këtë?
Kjo fuqi për ta ndaluar këtë nuk ekziston. Kush e thotë, ose nuk di çfarë flet, ose me qëllim mashtron.
Kemi ne mundësi ta lehtësojmë, ta zbusim?
Patjetër, me zhvillim, me punë e me këmbëngulje, në një rrugë ku nuk ka shkop magjik, ku duhen sakrifica dhe durim.
Vijmë tek pyetja e parë që more në referencë, ndryshimet që janë bërë në Fier. Shumëkush i sheh këto ndryshime si estetikë, por, nëse hyjmë tek shifrat, do shohim që sot në Fier ka më tepër biznes sesa do kishte dhe nuk është bizës që e ka sjellë koha, por është biznes që është rritur si pasojë e këtyre ndryshimeve. Po kështu në Vlorë, po kështu kudo. Sot, në Fier vlera e pronës është më e madhe se sa ishte. Unë jam i sigurt që deri dje, për të shitur një apartament në buzë të Gjanicës, duhet të ketë qenë e vështirë. Sot me siguri, ajo vlerë ka kërcyer lart.
Ajo që është sfida kryesore në këtë aspekt është rritja e pagave. Nuk është thjesht çështja të krijojmë më shumë vende pune, por vende pune të paguara më mire, veçanërisht për të rinjtë. Duhet t’i japim shumë më tepër rëndësi pjesës së teknologjive, duhet të fusim shumë më tepër të rinj në botën e informatikës, të kodimit, që të mund të jenë të aftë të hyjnë në tregun e madh, tregun gjigand që është tregu i shërbimeve online, pa lëvizur nga Fieri. Duhet të fuqizojmë shumë më tepër shkollat profesionale dhe sigurisht të vazhdojmë të mbajmë një ekuilibër midis taksës për ata që fitojnë më pak e për ata që fitojnë më shumë.
E kemi çuar taksën për ata që fitojnë më pak në zero. Biznesi i vogël, sot e ka zero. Çfarë mund të bëhet më shumë për të të dhënë mundësinë që të bësh një biznes të vogël?
Të punësohesh e të fitosh. Deri në 140 mijë dollarë nuk ke taksë, ke vetëm TVSH-në. Duam që të bëjmë një ndryshim e po e studiojmë sepse duam ta kemi pjesë të planit që sot e kemi pagën 300 mijë lekë pa taksa, ta bëjmë pagën 400 mijë lekë pa taksa. Kush paguhet deri në 400 mijë lekë të mos paguajë tatim mbi të ardhurat. Besoj që dhe kjo do të lehtësojë jo pak dhe faktikisht, numri i atyre që preken nga kjo masë është shumë i madh.
– Një tjetër problematikë e ngritur në këtë bashkëbisedim ishte edhe ajo që lidhet me dëmet e shtëpiave të banorëve të Zharrzës në Bashkinë e Patosit. Një falënderim përsa i përket përmbushjes së detyrimi për dëmshpërblimin që duhet të bënte shteti shqiptar karshi nesh, tha një qytetar. Problematika është që kompania Bankers, pjesën e vetë të dëmshpërblimit vazhdon ta paguajë me këste, shoqëruar dhe me problematikën në vonesë, faktorë të ndryshëm që ata nxjerrin. Shkaktari i vetëm dhe kryesor i dëmtimeve nuk ndihen të përgjegjshëm. A mund të ndërhyhet nga ana e qeverisë që dhe Bankers të jetë korrekt në këtë pike, siç e bëri dhe qeveria dhe së dyti, disa nga familjet, kur u bë vlerësimi i dëmeve nuk ndodheshin në banesat e tyre, a mund të gjendet një zgjidhej për këto familje? Lidur me këto, Kryeministri u shpreh:
Duke nisur nga e dyta, besoj që kjo është e mundur nëse hapet një aplikim tjetër, siç bëmë me zonën e prekur nga tërmeti ku ndodhi një fenomen, që pas një periudhe relativisht të gjatë kohe filluan të na vinin shumë ankesa në mënyrë të çuditshme, sepse për disa muaj nuk kishim pasur ankesa. Ajo që ndodhi ishte që këta njerëz nuk e kishin besuar fare që këtu aplikimet do rezultonin me ndërtime. Kur e panë që po ndodhte, kërkuan të futeshin dhe u hap një dritare, u shtua një numër aplikuesish. Këtë gjë mund ta bëjmë me një dritare aplikimi të re për të gjithë ata banorë në Zharrës që janë prekur, siç ishit prekur edhe ju, por që nuk kanë qenë aty në periudhën e vlerësimeve. E pastaj të bëhen vlerësimet. Kujt i takon, nuk ka pse mos ta marrë.
Përsa i përket tjetrës, të jap fjalën që do interesohem. Nuk kam qenë në dijeni të këtij fakti, por do interesohem nga se shkaktohen vonesat. Mund të kuptoj teorikisht që për shkak të goditjes që ka marrë sektori nga pandemia mund të ketë pasur më pak korrektesë në pagesat e angazhuar, por do të interesohem dhe me siguri do t’ju kthej një përgjigje nëpërmjet kryetarit të bashkisë. Nuk di të ta them, sepse nuk jam i informuar për këtë.