Projekligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Shkurt 2017
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.107/2014, “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 1 hiqen fjalët “… dhe zhvillimit …” .
2. Pika 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“33. “Regjistër Kombëtar i Planifikimit të territorit”, në vijim regjistri, është baza e të dhënave shtetërore, sipas përcaktimit të legjislacionit përkatës, në të cilin regjistrohen dhe administrohen nga autoritetet kombëtare dhe vendore, në mënyrë të pavarur, të dhënat për territorin, dokumentet e planifikimit, në proces miratimi apo të miratuara, së bashku me të drejtat apo kufizimet ligjore, që rrjedhin prej tyre, si dhe studime apo materiale të tjera në funksion të planifikimit e me interes për publikun, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.”.
3. Pika 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“38. “Rregullore e Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit” është rregullore e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohen rregullat për administrimin e mirëmbajtjen e të dhënave, si dhe detyrimet e autoriteteve publike dhe të personave të tjerë, fizikë e juridikë, për sa i përket mirëmbajtjes e dorëzimit të dokumenteve dhe të dhënave në Regjistër.”.
4. Pas pikës 39 shtohet pika 39/1, me këtë përmbajtje:
“39/1. “Sistemi elektronik i lejeve” është sistemi i integruar i programeve dhe pajisjeve elektronike, i përdorur për përpunimin dhe ruajtjen (përfshirë edhe përpunimin dixhital) e të dhënave dhe dokumenteve, që transmetohen në rrugë elektronike, për kryerjen e procedurave të aplikimit dhe shqyrtimit të kërkesave për leje në fushën e ndërtimit, sipas legjislacionit në fuqi.”.
Neni 2
Shkronja “dh”, e pikës 1, të nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) për kontrollin e përputhshmërisë së akteve të botuara në regjistër me ligjet, dokumentet e planifikimit në fuqi;”.
Neni 3
Në pikën 2, të nenit 12, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) miratuar me Planin e Përgjithshëm Vendor;”.
2. Shkronja “d” shfuqizohet.
Neni 4
Në nenin 22 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 5 e 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“5. Nisma private duhet të mbështetet nga pronarët që kanë në pronësi, jo më pak se 51% të sipërfaqes së zonës, për të cilën propozohet plani i detajuar vendor.
6. Kryetari i bashkisë merr vendimin mbi miratimin e planit të detajuar vendor brenda 45 ditëve nga data e paraqitjes për shqyrtim të dokumentacionit të plotë përfundimtar, pasi ka informuar palët e interesuara përmes një a më shumë mjeteve tradicionale të informimit dhe kryen takime publike me ta, në rast se kërkohet.”.
2. Pikat 10 dhe 11 shfuqizohen.
3. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Plani i detajuar vendor regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme si bazë për kryerjen e transaksioneve me pronën. Parcelat e reja, që krijohen nga nënndarja dhe/ose bashkimi i parcelave ekzistuese, janë objekt transaksioni vetëm pasi të jenë regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme.”.
4. Në pikën 13, fjala “… zhvillimit …” zëvendësohet me “… planifikimit …”.
5. Fjalia e parë, e pikës 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Procesi i hartimit të PDV-së shoqërohet nga përgatitja e një dokumenti teknik të shpërndarjes së balancuar të të drejtave të zhvillimit, ku llogariten përqindjet e përfitimeve nga zhvillimi, në mënyrë të drejtë dhe proporcionale me kostot dhe kontributin në zhvillim.”.
Neni 5
Pika 1, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Autoriteti përgjegjës për hartimin e dokumentit të planifikimit organizon një ose më shumë seanca takimi publik dhe këshillimi, përpara çdo vendimmarrjeje që ka lidhje me dokumentet e planifikimit në nivel qendror dhe me Planin e Përgjithshëm Vendor dhe i përsërit ato, sipas nevojës, me qëllim informimin e plotë të palëve të interesuara dhe zgjidhjen e konflikteve”.
Neni 6
Në nenin 26 bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit do të jetë subjekt vlerësimi, në përshtatje me faktorët e rinj, socialë, ekonomikë dhe mjedisorë, të paktën në fund të çdo 5-vjeçari, në përputhje me kornizën kohore të SKZHI-së”.
2. Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Planet ndryshohen edhe kur ka ndarje administrative e territoriale, ndryshime të paparashikuara demografike, sociale e ekonomike, ndryshime të shkaktuara nga kriza sektoriale apo nga forca madhore, si dhe në rastet kur lind nevoja e harmonizimit me dokumente të një niveli më të lartë planifikimi apo me ndryshime të kuadrit ligjor në fushën e mbrojtjes e të menaxhimit të territorit, si dhe për arsye të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
3. Rregullat dhe procedura e ndryshimit të planeve apo rishqyrtimit të plotë të tyre, sipas këtij neni, do të përcaktohen në rregulloren e planifikimit.”.
Neni 7
Pika 1, e nenit 28, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. KKT-ja është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi për llojet e zhvillimit komplekse, të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit dhe ato që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare apo me investime strategjike për interesat e vendit.”.
Neni 8
Në fund të pikës 1, të nenit 31, shtohen fjalët “… si dhe hapësirave publike …”.
Neni 9
Pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 42, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Në fund të procesit të zhvillimit, autoriteti përgjegjës i planifikimit lëshon certifikatën e përdorimit të objektit, që vërteton përfundimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes së ndërtimit si dhe zbatimin e kritereve të dokumenteve të planifikimit e të kontrollit të zhvillimit.
2. Në të gjitha rastet, subjekti që kryen punimet lëshon deklaratë se objekti është ndërtuar në përputhje me projektin dhe kushtet teknike në fuqi.
3. Certifikata e përdorimit lëshohet vetëm kur aktet e kontrollit vërtetojnë realizimin e punimeve, në përputhje me kushtet e lejes sipas fazave dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin për punimet e ndërtimit.”.
Neni 10
Pika 1, e nenit 43, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Aplikimi për leje ndërtimi duhet të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat e organizimit e të funksionimit të sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit.”.
Neni 11
Pika 1, e nenit 46, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja zbatohet për zhvillimet e reja që, sipas këtij ligji, kërkojnë pajisjen me leje ndërtimi dhe llogaritet sipas legjislacionit për sistemin e taksave vendore.”.
Neni 12
Pas shkronjës “gj”, të pikës 1, të nenit 52, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“gj) refuzimi i lejes së ndërtimit në kundërshtim me legjislacionin e zbatueshëm dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;”.
Neni 13
Në shkronjën “b”, të nenit 54, hiqen fjalët “… dhe kontrollin e zhvillimit …”.
Neni 14
Në pikën 1, të nenit 56, hiqen fjalët “… zhvillimin dhe kontrollin e zhvillimit të territorit …”.
Neni 15
Shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 57, shfuqizohet.
Neni 16
Kudo në ligj emërtimet “Plani i Përgjithshëm i Territorit” dhe “Plani i Përgjithshëm Kombëtar” zëvendësohen me “Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit”(PPKT) dhe emërtimi “Regjistri i Integruar i Territorit” zëvendësohet me “Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit”.
Kudo në ligj ku përshkruhen përgjegjësitë dhe detyrat e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit fjalët “… planifikim dhe zhvillim i territorit …” zëvendësohen me fjalët “… planifikim i territorit …”.
Neni 17
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.107/2014, “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA