Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Shtator 2026: 

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

KRIJIMIN, MBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E REZERVAVE MINIMALE TË SIGURISË SË NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1
Objekti

Ky ligj ka për objekt përcaktimin e rregullave për krijimin, administrimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj (në vijim rezervat e sigurisë), me qëllim garantimin e një niveli të lartë të sigurisë së furnizimit në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është:

a) sigurimi i një niveli minimal të rezervave të sigurisë, në pëputhje me standardet e Bashkimit Evropian;
b) përcaktimi i procedurave për administrimin dhe monitorimin e rezervave të sigurisë;
c) rregullimi i kushteve dhe i mënyrës së përdorimit të rezervave të sigurisë, në rast të reduktimit të papritur, deri në mungesë të furnizimit të tregut me naftë bruto dhe nënprodukte të saj;
ç) garantimi i reagimit të koordinuar dhe efektiv në situata emergjente, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë;
d) ngritja e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë (në vijim Autoriteti), në cilësinë e strukturës përgjegjëse për krijimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë.

Neni 3
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aditivët/produktet shtesë”, përbërës johidrokarburë, të shtuar ose të përzier me një produkt për të modifikuar vetitë e tij.

2. “Autoriteti” Autoriteti për Rezervën e Sigurisë së Naftës, i autorizuar për të blerë, për të shitur dhe për të dopozituar (mbajtur) në kapacitetet depozituese të disponuara prej tij ose të operatorëve ekonomikë rezervat e sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj në Republikën e Shqipërisë, përfshirë dhe rezervat specifike.

3. “Biokarburante”, lëndë djegëse të lëngëta ose të gazta për sektorin e transportit, të prodhuar nga biomasa, e biodegradueshme e produkteve, mbeturinave dhe mbetjeve nga bujqësia, përfshirë substancat bimore dhe shtazore, pylltaria dhe industritë e ndërlidhura, si dhe pjesë e biodegradueshme e mbetjeve industriale e urbane.

4. “Rezervat me lëndë djegëse të anijeve detare ndërkombëtare”, sasitë e lëndëve djegëse të depozituara në anije të të gjitha kombësive, që janë të angazhuara në transportin detar ndërkombëtar. Ky transport ndërkombëtar mund të zhvillohet në det, në liqene dhe në rrugë ujore të brendshme, si dhe në ujërat bregdetare. Përjashtohen rezervat me lëndë djegëse për:

a) konsum nga anijet e angazhuara në transportin e brendshëm. Ndarja vendase apo/ndërkombëtare përcaktohet bazuar në portin e nisjes dhe portin e mbërritjes dhe jo në bazë të flamurit që mban ose të kombësisë së anijes;
b) konsum nga anijet e peshkimit;
c) konsum nga anijet e forcave ushtarake.

5. “Disponueshmëria fizike”, menaxhimi për vendosjen dhe transportin e rezervave, me qëllim garantimin e shpërndarjes ose dërgimin efektiv të tyre deri te përdoruesi fundor dhe tregjet, brenda afateve kohore dhe kushteve të favorshme, për zbutjen e problemeve të furnizimit, që mund të kenë lindur.

6. “Konsumi vendas”, sasia totale e llogaritur sipas nenit 3, të këtij ligji, e shpërndarë brenda vendit për përdorim energjetik dhe joenergjetik, përveç lëndës djegëse për rafineritë.

7. “Ministër”, ministri përgjegjës për energjinë.

8. “Ministria”, ministria përgjegjëse për energjinë.

9. “Ndërprerje e madhe në furnizim”, rënia e konsiderueshme dhe e papritur në furnizimin e naftës bruto ose nënprodukteve të saj në vendet anëtare të BE-së/Komunitetit të Energjisë, pavarësisht, nëse është marrë apo jo një vendim ndërkombëtar për përdorimin e rezervave të sigurisë.

10. “Ndërprerje lokale në furnizim”, rënia e konsiderueshme dhe e papritur në furnizimin e produkteve të naftës në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht, nëse për këtë është marrë apo jo një vendim ndërkombëtar për përdorimin e rezervave të sigurisë.

11. “Operator ekonomik”, një person juridik që kryen veprimtarinë e rafinim-përpunimit apo tregtimit me shumicë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, si dhe disponon impiante për depozitimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tjera dhe që është i pajisur me lejet përkatëse të lëshuara nga autoriteti kompetent përkatës për një ose disa nga veprimtaritë e mësipërme.

12. “Operator publik”, operatori ekonomik, aksionet e të cilit zotërohen pjesërisht nga shteti.

13. “Paguesit e tarifës”, operatorët ekonomikë.

14. “Rezerva nafte”, produktet energjetike me bazë hidrokarbure, ku përfshihen nafta bruto, gazet natyrore të lëngshme, ato të prodhuara nga rafinimi i thellë i naftës bruto, përfshirë dhe biokarburantet e biogazet.

15. “Rezervat e sigurisë së naftës”, rezervat e naftës dhe/ose nënprodukteve të saj, që duhet të mbahen në vendet anëtare të BE-së/Komunitetit të Energjisë, përfshirë dhe Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 4, të këtij ligji.

16. “Rezervat specifike”, rezervat e naftës që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 13, të këtij ligji.

17. “Rezervat tregtare”, rezervat e naftës të depozituara nga operatorët ekonomikë, që nuk janë objekt i këtij ligji.

18. “Sekretariati i Komunitetit të Energjisë – SKE”, institucioni i Komunitetit të Energjisë, që funksionon në bazë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

19. “Shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, grupim i përgjithshëm i shteteve evropiane partnere, të cilat janë pjesë të Bashkimit Evropian.

20. “Vendimi efektiv ndërkombëtar për shpërndarjen e rezervave”, çdo vendim në fuqi, i marrë nga bordi drejtues i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, për të vënë në dispozicion naftën bruto ose nënproduktet e saj në treg nëpërmjet zhbllokimit të rezervave nga anëtarët e tij dhe/ose masave shtesë.

21. “Vendimi për përdorimin e rezervave të sigurisë”, çdo vendim i Këshillit të Ministrave për të nxjerrë produkte energjetike hidrokarbure, në dispozicion të tregut, e duke marrë masa shtesë, nëse është e nevojshme, dhe/ose duke përdorur rezervat e anëtarëve të Komunitetit të Energjisë.

22. “Vështirësi në furnizim”, një rënie e konsiderueshme dhe e menjëhershme në furnizimin e produkteve të energjisë në një shtet anëtar të Komunitetit të Energjisë apo të Bashkimit Evropian, e cila mund të shoqërohet me një vendim efektiv ndërkombëtar për përdorimin e rezervave të sigurisë.

23. “Viti referues”, viti kalendarik, të dhënat e konsumit apo të importit neto të të cilit përdoren për të llogaritur rezervat që do të mbahen ose rezervat e depozituara në një kohë të caktuar.

Neni 4
Krijimi dhe llogaritja e rezervave të sigurisë

1. Rezervat e sigurisë krijohen gradualisht në përputhje me planin e veprimit, sipas nenit 7, të këtij ligji, deri sa shuma e përgjithshme e rezervave të sigurisë në Republikën e Shqipërisë të jetë të paktën 90 ditë mesatare ditore të importeve neto ose të paktën 61 ditë të mesatares ditore të sasisë të konsumit të brendshëm, cilado nga dy sasitë është më e madhe. Mesatarja ditore e importeve neto llogaritet në bazë të ekuivalentimit në naftë bruto të importeve të produkteve energjetike hidrokarbure gjatë vitit paraardhës kalendarik. Mesatarja ditore e konsumit të brendshëm llogaritet në bazë të ekuivalentimit në naftë bruto të produkteve energjetike hidrokarbure me konsumin e brendshëm gjatë vitit paraardhës kalendarik.

2. Metoda e llogaritjes, përbërja e rezervave të sigurisë, përfshirë dhe llojet e produkteve, që mund të mbahen nën regjimin e rezervës specifike, si dhe procedurat, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, referuar standardeve të legjislacionit evropian për mbajtjen e rezervës minimale të sigurisë për naftën dhe/ose nënproduktet e saj.

3. Pavarësisht parashikimit të pikës 2, të këtij neni, mesataret ditore të importeve neto dhe konsumi i brendshëm do të përcaktohen sa lidhet me periudhën nga 1 janari deri më 30 qershor të çdo viti kalendarik, në bazë të sasive të importuara ose të konsumuara gjatë vitit të parafundit, të vitit kalendarik në fjalë.

4. Biokarburantet dhe produktet shtesë do të merren në konsideratë në llogaritjen e shumave aktuale të rezervave të sigurisë, vetëm kur ato:

a) janë të përziera me nënproduktet e naftës bruto përkatëse;
b) janë të depozituara si rezerva të sigurisë dhe së bashku me nënproduktet e naftës bruto do të ruhen në të njëjtën depo ose magazina, të cilat janë të lidhura me instalime funksionale në Republikën e Shqipërisë.

Biokarburantet do të merren në konsideratë vetëm kur ata do të përdoren në sektorin e transportit, në masën në të cilën ato do të jenë të përziera me produktet ekzistuese të naftës, sipas specifikimeve teknike.

Neni 5
Disponueshmëria e rezervës

1. Rezervat e sigurisë dhe ato specifike duhet të jenë, në çdo kohë, fizikisht të disponueshme, të aksesueshme dhe kontrollueshme, për qëllimet e këtij ligji. Rezervat e sigurisë nuk mund të jenë objekt i barrës hipotekore, pengut, konfiskimit apo çdo forme tjetër kufizimi, që cenon disponueshmërinë e tyre.

2. Autoriteti siguron disponueshmërinë fizike të rezervave të sigurisë dhe rezervave fizike në çdo kohë. Këto rezerva nuk transferohen nga subjektet depozituese të autorizuara, përveç rasteve kur miratohet paraprakisht nga Autoriteti.

3. Autoriteti ofron shërbime të depozitimit të rezervës së sigurisë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian ose të Komunitetit të Energjisë, me marrëveshje ndërinstitucionale.

4. Rezervat e sigurisë, të depozituara në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 3, të këtij neni, nuk do të jenë objekt i barrës hipotekore, pengut, ose konfiskimit apo çdo forme tjetër kufizimi, që cenon disponueshmërinë e tyre.

5. Rezervat e sigurisë, të depozituara në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas pikës 3, të këtij neni, do të transferohen pa pengesa te shteti zotërues, në përputhje me kushtet e parashikuara në marrëveshjen përkatëse.

Neni 6
Grumbullimi i të dhënave, ruajtja e tyre për llogaritjen e detyrimit të mbajtjes së rezervave të sigurisë dhe raportimi

1. Grumbullimi dhe përpunimi i të dhënave për llogaritjen e detyrimit të depozitimit të rezervës së sigurisë dhe rezervave specifike, si dhe për produktet hidrokarbure, që nuk llogariten si rezerva të sigurisë, bëhet nga Autoriteti, në bashkëpunim me INSTAT-in dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

2. Metodologjia e grumbullimit, ruajtjes, përpunimit të të dhënave, forma dhe mënyra e paraqitjes së tyre, si dhe mënyrat e raportimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

3. Për qëllime të raportimit periodik, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si edhe menaxhimit të të dhënave, Autoriteti krijon Regjistrin Kombëtar të Rezervave të Sigurisë, i cili përditësohet për të dhënat në lidhje me vendndodhjen e kapaciteteve depozituese, kapacitetit depozitues dhe sasive të depozituara.

4. Të dhënat, dokumentacioni dhe veprimtaria e Autoritetit klasifikohen sipas legjislacionit për informacionin e klasifikuar.

Neni 7
Rregullat për përcaktimin e sasisë dhe strukturës së rezervave të sigurisë

1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton planin e veprimit për krijimin e rezervave të sigurisë. Plani i veprimit përcakton sasinë e përgjithshme të rezervave të sigurisë në Republikën e Shqipërisë, duke e krijuar atë në mënyrë graduale, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji.

2. Krijimi, depozitimi dhe përtëritja me shitblerje e rezervave të sigurisë realizohet nga Autoriteti, duke u bazuar në planin e veprimit për krijimin e rezervave të sigurisë, sipas pikës 1, të këtij neni.

Neni 8
Mbajtja e rezervave të sigurisë

1. Mbajtja e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj në territorin e Republikës së Shqipërisë përbën detyrim publik dhe garantohet në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij.

2. Rezervat e sigurisë së naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj depozitohen nga:

a) Autoriteti;
b) operatori ekonomik, i autorizuar në bazë të marrëveshjeve kontraktore të lidhura me Autoritetin, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji.

3. Rezervat e sigurisë, që janë në pronësi të shtetit shqiptar, duhet të jenë të siguruara në çdo kohë kundrejt rreziqeve, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Operatorët ekonomikë, që depozitojnë rezervat e sigurisë së naftës, janë përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe sigurinë fizike të tyre, si dhe respektimin e standardeve teknike e të sigurisë, të përcaktuara me aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

5. Në rastet kur rezerva e sigurisë mbahet nga operatorët ekonomikë, Autorieti siguron që:

a) marrëveshjet kontraktore të garantojnë kontroll të plotë dhe disponueshmëri të menjëhershme të rezervave;
b) rezervat të mos jenë objekt i barrëve, pengjeve apo kufizimeve, që cenojnë përdorimin e tyre, në rast emergjence.

Neni 9
Të drejtat dhe detyrimet, që rrjedhin nga depozitimi i rezervave të sigurisë

1. Objektet depozituese duhet të jenë të pajisura me vërtetim teknik për respektimin e normave e të kushteve teknike për depozitimin e naftës bruto dhe nënprodukteve e saj, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

2. Operatorët ekonomikë, që depozitojnë rezervat e sigurisë në bazë të marrëveshjeve kontraktore, janë të detyruar të garantojnë cilësinë e rezervave të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, në përputhje me rregullat për cilësinë e këtyre produkteve në Republikën e Shqipërisë.

3. Operatorët ekonomikë janë të detyruar që të lejojnë monitorimin pa asnjë lloj pengese nga ana e Autoritetit, organeve fiskale, si dhe përfaqësuesve të autorizuar të tyre. Grupi i punës, i përcaktuar në pikën 2, të nenit 16, të këtij ligji, në çdo kohë, mund të kërkojë verifikimin e cilësisë dhe sasisë në objektet e depozitimit dhe të kërkojë dokumentacionin e plotë lidhur me rezervat e sigurisë. Në këtë proces merret në konsideratë vetëm ndryshimi i gjendjes për shkak të firove të miratuara, që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, por në çdo rast, operatorët ekonomikë do të mbajnë rezervën e sigurisë në nivelin e përcaktuar.

4. Autoriteti dhe operatorët ekonomikë, që depozitojnë në depozita rezervat e sigurisë, lejojnë grupin e punës, të përcaktuar në pikën 2, të nenit 16, të këtij ligji, për të kontrolluar dokumentet që kanë të bëjnë me rezervat e sigurisë, si dhe depozitat dhe vendet ku mbahen rezervat e sigurisë.

5. Autoriteti dhe operatorët ekonomikë, që depozitojnë në depozita rezervat e sigurisë, janë të detyruar të mbajnë të gjitha dokumentet dhe të dhënat për llojin, sasinë, cilësinë dhe vendndodhjen e rezervave.

Neni 10
Autoriteti për Rezervën e Sigurisë

1. Autoriteti për Rezervën e Sigurisë është struktura përgjegjëse për krijimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë. Autoriteti është entitet publik, i cili autorizohet për blerjen, shitjen, depozitimin, vetë ose nëpërmjet operatorëve ekonomikë, dhe vënien në qarkullim të rezervës së sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, për qëllime të këtij ligji për Republikën e Shqipërisë.

2. Autoriteti është person juridik publik jofitimprurës, në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë.

3. Krijimi i Autoritetit, mënyra e funksionimit, organet drejtuese, kompetencat e Autoritetit e të organeve drejtuese, trajtimi me pagë i titullarëve, si dhe procedurat konkurruese për shitjen, blerjen dhe kontraktimin e shërbimeve të depozitimit të rezervës miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

4. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Autoritetit rregullohen nga Kodi i Punës.

5. Autoriteti, për një periudhë të caktuar, ka të drejtën të delegojë detyra që kanë të bëjnë me depozitimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë, të krijuara sipas nenit 4, të këtij ligji, me përjashtim të shitjes dhe blerjes së rezervave specifike, vetëm tek:

a) entet publike, që ushtrojnë veprimtari për depozitimin e rezervës së sigurisë në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian ose nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë apo autoriteteve përkatëse për rezervat në këto shtete, në bazë të një marrëveshjeje shërbimi, e cila lidhet nga ana e Autoritetit. Detyrat e deleguara në këtë mënyrë nuk mund të nëndelegohen.

Kur një delegim i tillë ose çdo ndryshim ose zgjerim i atij delegimi përfshin detyra, që lidhen me menaxhimin e rezervave të sigurisë dhe rezervave specifike, të depozituara në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian ose të Komunitetit të Energjisë, delegimi do të autorizohet sipas parashikimeve të marrëveshjeve ndërinstitucionale, që do të lidhen mes shteteve.

b) operatorët ekonomikë, në bazë të një marrëveshjeje shërbimi, që lidhet midis Autoritetit dhe operatorit ekonomik. Detyrat e deleguara në këtë mënyrë nuk mund të nëndelegohen.

5. Delegimet nuk do të ndryshojnë në asnjë mënyrë detyrimet për mbajtjen e rezervës së sigurisë, sipas këtij ligji.

6. Autoriteti kontrakton detyra të deleguara, si dhe menaxhon nëpërmjet shitjes, blerjes, depozitimit dhe kontraktimit të shërbimit, rezervës së sigurisë, bazuar në procedura konkurruese, objektive, transparente dhe jodiskriminuese, duke synuar edhe përdorimin e platformave elektronike për tregtimin e produkteve energjetike.

7. Autoriteti, për qëllime të krijimit, depozitimit dhe administrimit të rezervave të sigurisë së naftës, mund të kryejë blerjen, shitjen dhe kontraktimin e shërbimeve të depozitimit të rezervave nëpërmjet procedurave të veçanta, të cilat nuk u nënshtrohen rregullave të prokurimit publik, për aq kohë sa justifikohet nga natyra specifike dhe funksioni i rezervave të sigurisë, duke garantuar parimet e transparencës, konkurrencës dhe mosdiskriminimit.

8. Të gjitha rezervat e sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj, që depozitohen në emër dhe për llogari të Autoritetit, u nënshtrohen rregullave dhe përjashtimeve, sipas legjislacionit fiskal dhe doganor në fuqi.

Neni 11
Metodat e financimit

1. Fondet për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, depozitimin, mirëmbajtjen, monitorimin e rezervave të sigurisë, si dhe për ushtrimin e aktiviteteve të Autoritetit sigurohen nga burimet e financimit, si më poshtë vijon:

a) Të ardhurat nga tarifa e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë, që aplikohet në produktet energjetike hidrokarbure, që i nënshtrohen detyrimit për pagimin e taksës së akcizës, në përputhje me ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshirë dhe aplikimin e kësaj tarife mbi karburantin e aviacionit;
b) Të ardhurat nga marrëveshjet për mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave;
c) Kredi ose forma të tjera financimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) Të ardhurat nga shitja e rezervave, në përputhje me këtë ligj;
d) Të ardhurat nga shërbime të ofruara nga Autoriteti;
dh) Fonde nga buxheti i shtetit, në rastet e mëposhtme:

i. Në momentin e themelimit të Autoritetit;
ii. Financimin e rezervave specifike.

e) Burime të tjera të ligjshme.

2. Të ardhurat e gjeneruara, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, depozitohen në llogari të Autoritetit dhe përdoren vetëm për qëllimet e përcaktuara në këtë ligj.

3. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë dhe të ministrit përgjegjës për financat, përcakton tarifën e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni. Shuma e tarifave mbi produktet energjetike hidrokarbure në lekë/litër ose lekë/kg, për çdo kategori të produkteve energjetike hidrokarbure, sipas nenit 4, të këtij ligji, përcaktohet në bazë të nevojave të financimit, për vitin fiskal përkatës, për mbulimin e kostos së mbajtjes së rezervës nga Autoriteti.

4. Fondet e arkëtuara nga tarifa gjatë një viti mbarten në vitin pasardhës, për qëllime të llogaritjes së tarifës së atij viti.

Neni 12
Tarifa e rezervës së sigurisë

1. Tarifa e krijimit dhe e depozitimit të rezervës së sigurisë, në bazë të pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji, paguhet për llogari të Autoritetit. Institucionet që do të bashkëpunojnë me Autoritetin për mbledhjen e kësaj tarife dhe mënyra e mbledhjes së saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Tarifa, në çdo rast, do të mblidhet në momentin e vënies në qarkullim të produktit në treg, sipas përcaktimeve të legjislacionit doganor në fuqi, pranë operatorëve ekonomikë.

3. Operatorët ekonomikë janë të detyruar, që, brenda afatit prej 20 ditësh pas përfundimit të muajit kalendarik, në të cilin paguhet pagesa e kësaj tarife, të dorëzojnë të dhënat në lidhje me pagesën e realizuar pranë Autoritetit.

Neni 13
Rezervat specifike

1. Këshilli i Ministrave, me vendim, mund të krijojë dhe të depozitojë rezerva specifike, si pjesë e rezervave të sigurisë, të përmendura në nenin 4, të këtij ligji.

2. Rezervat specifike mund të përbëhen vetëm nga një ose disa prej kategorive të mëposhtme të produkteve:

a) Etan;
b) Gaz i lëngëzuar nafte;
c) Benzinë automjetesh;
ç) Benzinë mjetesh të fluturimit ajror;
d) Lëndë djegëse për furnizimin e motorëve reaktivë;
dh) Lëndë djegëse për furnizimin e motorëve reaktivë dhe turboprop;
e) Lëndë djegëse vajguri të tjera;
ë) Gazoil (diezel);
f) Lëndë djegëse me përqindje të lartë sulfuri dhe lëndë djegëse me përmbajtje të ulët sulfuri (mazut);
g) White Spirit;
gj) Vajra lubrifikante;
h) Bitumet;
i) Dyllërat e parafinës;
j) Koksi i naftës.

3. Niveli i rezervave specifike dhe kohëzgjatja e detyrimit për të depozituar rezervat specifike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji, si dhe me standardet e Bashkimit Evropian për llojet e produkteve, që mbahen nën regjimin e rezervës specifike.

4. Krijimi dhe mbajtja e rezervave specifike ka efekt të paktën 1 (një) vit kalendarik.

Neni 14
Plani Kombëtar i Reagimit

1. Në rast të ndërprerjes së furnizimit të tregut me nënproduktet e naftës bruto ose rritjes së ndjeshme të çmimit të tyre në tregun ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit, merr vendim për përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit, të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni.

2. Në Planin Kombëtar të Reagimit parashikohen të paktën elementet e mëposhtme:

a) Arsyeja për përdorimin e rezervave të sigurisë;
b) Afatet për lëvrimin dhe furnizimin për shitje të rezervave të sigurisë;
c) Kushtet për përdorimin e rezervave të sigurisë;
ç) Lloji dhe sasia e nënprodukteve të naftës që do të përdoret;
d) Veprimet e nevojshme për zëvendësimin e rezervës së sigurisë që do të përdoret;
dh) Mënyra e bashkëveprimit me operatorin publik për vendosjen në qarkullim të rezervës, në momentin e përdorimit.

3. Në rast se rezervat e sigurisë janë përdorur, rezervat zëvendësohen në nivelin e kërkuar gjatë periudhës së rënë dakord në Planin Kombëtar të Reagimit.

4. Rregullat dhe procedurat e hartimit të Planit Kombëtar të Reagimit, përfshirë përcaktimin e çmimit të hedhjes në treg dhe mënyrën e përdorimit të rezervave të sigurisë, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Neni 15
Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare

1. Ministria është përgjegjëse për koordinimin dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian dhe organet e Komunitetit të Energjisë. Kjo përfshin të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e furnizimit të produkteve energjetike hidrokarbure në vendet e Komunitetit të Energjisë, si dhe në rastet e vështirësive të mëdha në furnizim dhe çështjet, që lidhen me raportimin për gjendjen e rezervave të detyrueshme të Shqipërisë. Autoriteti siguron mbështetje profesionale për ministrinë në këtë bashkëpunim.

2. Çdo çështje e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, duke përfshirë dhe eksportin e naftës bruto dhe nëprodukteve të saj, duhet të jetë në përputhje me veprimet e koordinuara ndërkombëtare, në bashkëpunim me grupin koordinues për naftën dhe produktet e naftës, të krijuar nga Komisioni Evropian.

3. Ministria dhe Autoriteti përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në punët dhe këshillimin profesional në organet e Komunitetit të Energjisë apo Komisionit Evropian, që merren me çështjet e sigurisë së furnizimit.

Neni 16
Organet kompetente për monitorimin

1. Monitorimi për zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të marrëveshjeve për depozitimin dhe përtëritjen e rezervave të sigurisë dhe rezervave specifike kryhet nga një grup pune, i ngritur nga ministri, i cili përbëhet nga punonjës të ministrisë dhe të institucioneve të saj të varësisë, që operojnë në fushën hidrokarbure.

2. Grupi i punës, ndër të tjera, ka për qëllim:

a) monitorimin për zbatimin e kontratave për depozitimin e rezervës së sigurisë;
b) shqyrtimin dhe kontrollin e dokumentacionit për pagesën e tarifave për mbajtjen e rezervës së sigurisë për detyruesin e pagesës së tarifës, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji;
c) shqyrtimin e dokumentacionit të operatorëve ekonomikë, që kanë të bëjnë me përdorimin, ruajtjen dhe aktivitete të tjera, në lidhje me rezervat e sigurisë, të marra në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret në fuqi;
ç) çdo detyrë tjetër, të përcaktuar në aktin e miratuar nga ministri për ngritjen dhe funksionimin e grupit të punës.

3. Grupi i punës, i përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, monitoron dhe merr masa, në bashkëpunim me organet e autorizuara për kontrollin teknik të produkteve dhe kapaciteteve depozituese, në lidhje me:

a) kontrollin e sasisë së nënprodukteve të naftës, të depozituara si rezerva sigurie;
b) kontrollin e cilësisë së nënprodukteve të naftës, të depozituara si rezerva sigurie.

Neni 17
Të dhënat për rezervat e sigurisë

1. Autoriteti mbledh, administron dhe përpunon të dhëna, që lidhen me krijimin, depozitimin dhe përdorimin e rezervave të sigurisë, në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.

2. Të dhënat e përmbledhura për sasinë dhe strukturën e rezervave të sigurisë, të krijuara në përputhje me këtë ligj, bëhen publike në mënyrë periodike, në përputhje me parimet e transparencës.

3. Të dhënat e detajuara për shpërndarjen territoriale të kapacitetit depozitues, të rezervave të sigurisë së nënprodukteve të naftës, sipas sasisë dhe strukturës së saj, përfshirë Regjistrin Kombëtar, trajtohen si konfidenciale, për shkak të rëndësisë së tyre për sigurinë e furnizimit.

4. Autoriteti merr masat e nevojshme për të garantuar saktësinë dhe përditësimin e vazhdueshëm të të dhënave, të përmendura në pikën 2, të këtij neni.

Neni 18
Kundërvajtjet administrative

1. Shkeljet e dispozitave të këtij ligji nga operatorët ekonomikë, kur nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Gjobë, në vlerën 2 000 000 lekë, ndaj operatorit ekonomik, nëse ai përdor rezervat e detyrueshme në mënyrë të paautorizuar ose ndryshon fushëveprimin ose hapësirën e tyre depozituese ose në rast se disponon produkte të naftës nga rezervat e detyrueshme, në kundërshtim me kontratën e shërbimit dhe me nenin 4, këtij ligji;
b) Gjobë, në vlerën 5 000 000 lekë, ndaj operatorit ekonomik, nëse ai përdor rezervat e detyrueshme si mjet për sigurimin e aplikacioneve ndaj palëve të treta, garanci ose çdo lloj mirëmbajtjeje dhe sigurimi dhe si mjete ekzekutimi e konfiskimi, sipas nenit 9, të këtij ligji;
c) Gjobë, në vlerën 10 000 000 lekë, ndaj operatorit ekonomik, përkatësisht, detyruesit për pagimin e tarifës së mbajtjes së rezervës, nëse:

i. rezervat e sigurisë, që në aspektin e cilësisë, nuk i plotësojnë standardet e cilësisë në fuqi, për lëndë djegëse të lëngëta, në Republikën e Shqipërisë dhe që përmbajnë përbërës të paligjshëm dhe/ose papastërti, që ndikojnë ndjeshëm në cilësinë faktike dhe sasinë e rezervave të sigurisë, në bazë të neneve 8 e 15, të këtij ligji;
ii. nuk ruan të dhënat dhe nuk paraqet dokumentacionin e disponueshëm lidhur me rezervat e sigurisë, jep informacione të pasakta, të paplota, jo në kohë, ose jep informacion në një mënyrë të ndryshme nga ajo e parashikuar, në përputhje me nenet 8 e 15, të këtij ligji;
iii. nuk ofron akses në kapacitetet e depozitimit, ku rezervat e sigurisë ruhen në përputhje me nenet 8 e 15, të këtij ligji;
iv. nuk i lejon hyrje të lirë në objektet, dokumentet, sistemet elektronike ose çdo mjet tjetër të lidhur me llogaritjen dhe pagesën e tarifës së mbajtjes së rezervave dhe nuk paraqet dokumentacionin e plotë të kërkuar për kryerjen e monitorimit, në përputhje me nenet 8 e 15, të këtij ligji;
v. nuk paguan tarifën për mbajtjen e rezervave të sigurisë, në përputhje me nenin 10, të këtij ligji;
vi. nuk pranon masat, në përputhje me Planin Kombëtar të Reagimit, sipas nenit 13, të këtij ligji.

2. Ndaj operatorit ekonomik, i cili ka kryer dy ose më shumë kundërvajtje brenda një viti apo ka përsëritur kundërvajtjen e parashikuar nga shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të këtij neni, gjoba shoqërohet me vendosjen e një ndalimi të përkohshëm në kryerjen e veprimtarive për depozitimin, për qëllime të rezervës së sigurisë deri në 1 vit.

3. Përveç gjobës për kundërvajtjet, e parashikuar nga shkronjën “c”, të pikës 1, këtij neni, ndaj operatorit ekonomik, i cili ka kryer dy ose më shumë kundërvajtje brenda një viti, vendoset dhe një ndalim i përkohshëm për kryerjen e një aktiviteti, për qëllime të rezervës së sigurisë, për një periudhë prej tre deri gjashtë muajsh.

4. Autoriteti është organi kompetent për vendosjen e gjobave, sipas këtij neni.

5. Të ardhurat e përfituara nga gjobat kalojnë në buxhetin e shtetit.

6. Shqyrtimi, marrja e vendimit përfundimtar, ankimi ndaj vendimit dhe ekzekutimi i gjobave bëhet në përputhje me parashikimet e ligjit nr.10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.

7. Pas kalimit të afateve të ankimit administrativ, Autoriteti publikon vendimin përfundimtar apo një përmbledhje të tij.

Neni 19
Raportimi

1. Autoriteti harton dhe paraqet një raport për zbatimin e këtij ligji, brenda 24 muajve nga hyrja e tij në fuqi.

2. Raporti i paraqitet ministrit përgjegjës për energjinë.

3. Një përmbledhje e raportit, që përmban të dhëna të agreguara dhe jokonfidenciale, publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave.

Neni 20
Dispozita kalimtare

Dispozitat e ligjit nr.8450, datë 14.2.1999, “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, zbatohen për sa nuk bien ndesh me dispozitat e këtij ligji.

Neni 21
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, në zbatim të neneve 4, pika 2; 6, pika 2; 7, pika 1; 10, pika 3; 11, pika 3; 12, pika 1; 13, pikat 1 dhe 3.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN, MBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E REZERVAVE MINIMALE TË SIGURISË SË NAFTËS BRUTO DHE NËNPRODUKTEVE TË SAJ”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.