Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Nëntor 2021:

 

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, e të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI), PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E KONVENTËS 190, “KONVENTA PËR DHUNËN DHE NGACMIMIN”, TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS, 1986

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin”, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E KONVENTËS 190, “KONVENTA PËR DHUNËN DHE NGACMIMIN” ,TË ORGANIZATËS NDËRKOMBËTARE TË PUNËS, 1986

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin”, të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 1986, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2020”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2020”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2020

Në mbështetje të neneve, 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, MBI TRANSFERIMIN E PERSONAVE TË DËNUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit e relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BASHKUAR TË BRITANISË SË MADHE DHE IRLANDËS SË VERIUT, MBI TRANSFERIMIN E PERSONAVE TË DËNUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, mbi transferimin e personave të dënuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

***

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR TË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR ZBUTJEN E PANDEMISË COVID-19

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, e 100, të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES KUADËR TË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR MBËSHTETJEN E PËRPJEKJEVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR ZBUTJEN E PANDEMISË COVID-19

Në mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1 e 2, dhe 121, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për mbështetjen e përpjekjeve të Republikës së Shqipërisë për zbutjen e pandemisë COVID-19, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLI

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.35/2016, “PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË LIDHURA ME TO”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në pikën 2, të nenit 5, pas fjalëve “… përjashtimet dhe kufizimet e së drejtës së autorit …” shtohen “… veprat pa autor dhe kërkimi shterues …”.

Neni 2

Pas nenit 16 shtohen nenet 16/1, 16/2, dhe 16/3, me këtë përmbajtje:

“Neni 16/1
Veprat pa autor

1. “Vepër pa autor” konsiderohet vepra kur, pas kryerjes dhe dokumentimit të një kërkimi shterues, në kuptim të nenit 16/2, të këtij ligji, asnjë nga autorët ose bashkautorët e një vepre nuk është identifikuar ose nëse autori ose një a më shumë bashkautorë të veprës janë identifikuar, por asnjërit prej tyre nuk i dihet vendndodhja.

2. Nëse, pas kryerjes dhe dokumentimit të kërkimit shterues, në kuptim të këtij ligji, jo të gjithë bashkautorët e një vepre janë identifikuar ose nëse janë identifikuar dhe u dihet vendndodhja, zbatohen nenet 75/1 dhe 75/2, të këtij ligji. Kjo pikë e këtij neni zbatohet vetëm nëse të gjithë bashkautorët e identifikuar dhe që u dihet vendndodhja kanë lëshuar autorizimin e tyre për riprodhimin dhe vënien në dispozicion të publikut për një vepër të tillë, sipas parashikimeve të nenit 75/1, të këtij ligji. Të drejtat e bashkautorëve të identifikuar dhe që u dihet vendndodhja do të mbeten të pacenuara.

3. Pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen për:

a) vepra të botuara në formën e librave, gazetave, revistave ose shkrimeve të tjera të përfshira në koleksionet e bibliotekave, që janë të aksesueshme nga publiku, të institucioneve arsimore dhe muzeve, të personave të tjerë juridikë që kryejnë veprimtari muzeore, si dhe në koleksionet e arkivave ose të institucioneve arkivore filmike ose audiovizuale;
b) veprat kinematografike ose vepra të tjera audiovizuale të përfshira në koleksionet e institucioneve që janë të aksesueshme nga publiku, të institucioneve arsimore dhe muzeve, të personave të tjerë juridikë që kryejnë veprimtari muzeore, si dhe në koleksionet e arkivave ose të institucioneve arkivore filmike ose audiovizuale;
c) veprat kinematografike ose vepra të tjera audiovizuale të prodhuara nga transmetuesit publikë deri më 31 dhjetor 2002, të cilat janë të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe që gjenden në arkivat e tyre, që publikohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë ose, në mungesë të publikimit, transmetohen për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.

4. Pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen, gjithashtu, për veprat e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, të cilat nuk janë publikuar ose transmetuar ndonjëherë, por që për herë të parë janë bërë të njohura në publik nga bibliotekat që aksesohen nga publiku, institucionet arsimore ose muzetë dhe personat e tjerë juridikë që kryejnë veprimtari muzeore, arkivat, institucionet arkivore filmike ose audiovizuale dhe transmetuesit publikë krijuar në Republikën e Shqipërisë, vetëm me pëlqimin e autorëve, me kushtin që, në mënyrë të arsyeshme, të mendohet se autorët e këtyre veprave nuk do të kundërshtonin përdorimin e referuar në nenet 75/1 dhe 75/2, të këtij ligji.

5. Pikat 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohen, gjithashtu, për veprat që janë përfshirë/integruar ose që janë pjesë përbërëse e veprave të përmendura në pikat 3 dhe 4, të këtij neni.

6. Autori ose bashkautori i veprës pa autor gëzon në çdo kohë të drejtën t’i japë fund statusit si vepër pa autor në lidhje me të drejtat e tij.

7. Një vepër që konsiderohet vepër pa autor në përputhje me ligjin e çdo shteti anëtar të Bashkimit Evropian do të konsiderohet, gjithashtu, një vepër pa autor edhe në Republikën e Shqipërisë, pa qenë nevoja për të kryer procedurën e kërkimit shterues, të parashikuar në nenin 16/2, të këtij ligji.

8. Prezumimi i autorësisë te veprat pa autor dhe ushtrimi i së drejtës së autorit, anonim apo pseudonim, zbatohet për sa kohë nuk bie në kundërshtim me parashikimet e këtij neni.

Neni 16/2
Kërkimi shterues me qëllim dhënien e statusit të veprave pa autor dhe dokumentimi i informacionit

1. Bibliotekat me akses publik, institucionet arsimore ose muzetë, personat e tjerë juridikë që kryejnë veprimtari muzeore, arkivat, institucionet arkivore filmike ose audiovizuale dhe transmetuesit publikë që janë krijuar në Republikën e Shqipërisë për identifikimin ose gjetjen e vendndodhjes së autorëve ose të bashkautorëve ose dhënien e statusit të veprave pa autor, përkatësisht, kryejnë në mirëbesim një kërkim shterues për çdo vepër. Kërkimi shterues kryhet përpara përdorimit të veprës, duke kërkuar te burimet që janë të përshtatshme për kategorinë përkatëse të veprave.

2. Në rast se evidentohet që informacioni përkatës mbi mbajtësit e së drejtës gjendet në shtete të tjera, kërkimi shterues, për aq sa është e mundur, do të shtrihet edhe te burimet e informacionit që gjenden në ato shtete.

Neni 16/3
Burimet e kërkimit shterues

1. Burimet e përshtatshme sipas këtij neni janë:

a) Për librat e botuar:

i. depozitimet e kopjeve të detyruara, në veçanti të bibliografisë kombëtare, katalogëve të bibliotekave, leksioneve biografike, të dosjeve dhe të bazave të të dhënave bibliografike të mbajtura nga bibliotekat dhe institucionet e tjera;
ii. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i mbajtur nga institucionet arkivore, shoqatat e botuesve dhe autorëve në Republikën e Shqipërisë;
iii. bazat e të dhënave ekzistuese dhe regjistrat nga shkrimtarët, artistët dhe mbajtësit e tyre të të drejtave së autorit, ISBN (International Standard Book Number) dhe bazat e të dhënave që listojnë libra për printim;
iv. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i agjencive përkatëse të administrimit kolektiv, në veçanti Agjencia e Administrimit Kolektiv për të Drejtat e Riprodhimit;
v. burime që integrojnë bazat e të dhënave dhe regjistrave të shumëfishtë, duke përfshirë Bibliotekën Botërore Digjitale (World Digital Library) dhe Regjistrat e të Drejtave të Informacionit dhe Veprave pa Autor – ARROW) si dhe Portalin on-line European;
vi. burime që tregojnë bazat e të dhënave, informacionin dhe koleksione nga organizata e autoritete ndërkombëtare partnere të bibliotekave.

b) Për gazetat, revistat, ditaret dhe periodikët:

i. ISSN (International Standard Serial Number) për botime periodike;
ii. indekset dhe katalogët nga fondet bibliotekare dhe koleksionet;
iii. depozitimet e kopjeve të detyruara, në veçanti nga bibliografitë kombëtare të veçanta;
iv. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i mbajtur nga institucionet arkivore, nga shoqatat e botuesve, autorëve dhe gazetarëve në Republikën e Shqipërisë;
v. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i agjencive përkatëse të administrimit kolektiv, në veçanti Agjencia e Administrimit Kolektiv për të Drejtat e Riprodhimit;
vi. leksionet biografike.

c) Për veprat e artit pamor, përfshirë artet e bukura, fotografinë, ilustrimin, dizajnin, arkitekturën, skicat, krijimet hartografike:

i. burimet e referuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni;
ii. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i agjencive përkatëse të administrimit kolektiv, në veçanti Agjencia e Administrimit Kolektiv për Veprat e Arteve Pamore dhe ajo për të drejtat e riprodhimit;
iii. sipas rastit, bazat e të dhënave të organizatave dhe institucioneve arkivore dhe të fotografisë.

ç) Për veprat audiovizuale, shfaqjet, veprat e vendosura në fonograme dhe videograme:

i. depozitimi i detyrueshëm;
ii. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i mbajtur nga agjencitë kolektive të prodhuesve në Republikën e Shqipërisë;
iii. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i institucioneve arkivore filmike ose audiovizuale dhe bibliotekave kombëtare;
iv. bazat e të dhënave me standardet përkatëse dhe identifikuese, si Standardi Ndërkombëtar Audiovizual për materialin audioviziv, Kodi Ndërkombëtar i Veprës Muzikore për veprat muzikore dhe Kodi Ndërkombëtar i Regjistrimit Standard për fonograme;
v. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i agjencive përkatëse të administrimit kolektiv, në veçanti për autorët, interpretuesit, prodhuesit e fonogramit dhe prodhuesit audiovizualë;
vi. shënime dhe informacione të tjera që paraqiten në materialin e veprës ose në lëndën e paketimit të të drejtave të lidhura;
vii. bazat e të dhënave dhe dokumentacioni i organizatave të tjera përkatëse që përfaqësojnë një kategori të veçantë të mbajtësve të të drejtave.

2. Një kërkim shterues kryhet nëse vepra është botuar për herë të parë ose, në mungesë të botimit, transmetuar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Një kërkim shterues për veprat kinematografike dhe veprat e tjera audiovizive do të kryhet, nëse prodhuesi i filmit ka selinë e tij kryesore të biznesit ose vendbanimin e përhershëm në Republikën e Shqipërisë. Një kërkim shterues për veprat e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 3, të nenit 16/1, të këtij ligji, kryhet nëse transmetuesi publik, që i ka bërë ato publike me pëlqimin e autorit ose mbajtësve të tjerë të së drejtës, ka selinë e saj në Republikën e Shqipërisë.

3. Institucionet e parashikuara në pikën 1, të nenit 16/2, të këtij neni, duhet të mbajnë evidenca dhe të dhëna për kërkimet shteruese të kryera. Informacioni që duhet të përmbajnë këto evidenca dhe të dhëna do t’i komunikohet Drejtorisë për të Drejtën e Autorit.

4. Evidencat dhe të dhënat e referuara në pikën 3, të këtij neni, duhet të përfshijnë të paktën informacionin e mëposhtëm:

a) Rezultatet e kërkimeve shteruese të kryera nga organizatat, sipas të cilave u arrit në përfundimin se vepra ose fonogrami konsiderohet vepër pa autor;
b) Përdorimi që i bëjnë institucionet veprave pa autor, në përputhje me nenin 75/1, të këtij ligji;
c) Çdo ndryshim i statusit si vepër pa autor për veprat dhe fonogramet që përdorin institucionet;
ç) Informacioni përkatës i kontaktit të institucionit në fjalë.”.

Neni 3

Neni 75 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 75
Kufizime në përfitimin e institucioneve të veçanta

Arkivat publike, bibliotekat publike, muzetë dhe personat e tjerë juridikë, që kryejnë veprimtari muzeore, institucionet arsimore e shkencore dhe institucionet sociale (bamirëse) mund të riprodhojnë një vepër të autorit nga kopja e tyre me anë të çdo mjeti, për konservimin dhe ruajtjen, restaurimin teknik dhe riparimin e materialeve, administrimin e një koleksioni dhe për nevoja të tjera të institucionit, nëse nuk kanë qëllime direkte ose indirekte për përfitim ekonomik.”.

Neni 4

Pas nenit 75 shtohen nenet 75/1 dhe 75/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 75/1
Përdorimi pa kufizim i veprave pa autor

1. Bibliotekat publike, institucionet arsimore ose muzetë, personat e tjerë juridikë që kryejnë veprimtari muzeore, arkivat, institucionet arkivore filmike ose audiovizuale dhe transmetuesit publikë që janë krijuar në Republikën e Shqipërisë mund të riprodhojnë vepra pa autor që janë të përfshira në koleksionet e tyre për qëllime të digjitalizimit, mundësisë për vënien në dispozicion të publikut, indeksimit, katalogimit, ruajtjes apo restaurimit.

2. Institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, mund të kryejnë riprodhimin e këtyre veprave dhe t’i vendosin në dispozicion të publikut vetëm për të arritur qëllimet që kanë të bëjnë me misionet e tyre me interes publik, në veçanti, ruajtjen, restaurimin dhe sigurimin e aksesit kulturor dhe arsimor për veprat pa autor të përfshira në koleksionet e tyre.

3. Institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, mund të përfitojnë të ardhura gjatë përdorimeve të tilla të veprave pa autor, për qëllimin e vetëm të mbulimit të kostove të tyre të digjitalizimit dhe vendosjen e tyre në dispozicion të publikut. Ky parashikim nuk ndikon në lirinë kontraktore të këtyre institucioneve për ndjekjen e misioneve të tyre me interes publik, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet e partneritetit publik-privat.

4. Në çdo rast të përdorimit të një vepre pa autor, institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij neni, duhet të tregojnë përkatësisht autorin e identifikuar dhe bashkautorët e këtyre veprave.

Neni 75/2
E drejta e kompensimit për përdorimin e veprës pa autor

1. Autori ose bashkautori, i cili vendos të përfundojë statusin e veprës pa autor sipas parashikimit të pikës 6, të nenit 16/1, të këtij ligji, gëzon të drejtën për kompensim të drejtë për përdorimin që i është bërë veprës së tij sipas parashikimeve në nenin 75/1, të këtij ligji. Kompensimi do të kryhet nga institucionet e parashikuara në pikën 1, të nenit 75/1, të këtij ligji.

2. Shuma e kompensimit, e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, do të përcaktohet sipas kategorive të veprave pa autor, duke marrë parasysh, ndër të tjera, qëllimet e promovimit kulturor, natyrën jofitimprurëse të përdorimit të bërë nga institucioni përkatës, qëllimet që kanë të bëjnë me misionet e tyre me interes publik, të tilla si promovimi i mësimnxënies dhe përhapjes së kulturës, si dhe dëmet e mundshme që mund t’u shkaktohen autorëve. Kompensimi i drejtë paguhet në mënyrë prapavepruese, jo më shumë se tre vjet nga dita e përfundimit të statusit të veprës pa autor.

3. Kërkesa për pagesën e një kompensimi të drejtë mund të paraqitet nga autori ose agjencia përkatëse e administrimit kolektiv, e autorizuar nga autori për paraqitjen e kësaj kërkese. Kërkesa për pagesën e një kompensimi të drejtë i nënshtrohet statusit të kufizimeve, duke llogaritur nga dita e mbarimit të statusit të veprave pa autor.

4. Procedura dhe mënyra e kompensimit të drejtë për përdorimin e veprës pa autor, në zbatim të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Dispozitat e këtij neni nuk do të ndikojnë në të drejtat dhe detyrimet e fituara nga dispozitat e tjera ligjore në lidhje me të drejtat e tjera të pronësisë intelektuale, aksesin e kushtëzuar, aksesin në shërbimet e transmetimit me kabëll, mbrojtjen e thesareve kombëtare, kërkesat për depozitimet, arkivimet ligjore të veprave, mbrojtjen e tregtisë së lirë, ligjet antitrust, sekretet tregtare, sigurinë, konfidencialitetin, mbrojtjen e të dhënave dhe privatësinë, aksesin në dokumente publike, legjislacionin përkatës për marrëdhëniet kontraktuale dhe rregullat për lirinë e shtypit dhe shprehjes në media.”.

Neni 5

Pikat 1 dhe 2, të nenit 77, ndryshohen , si më poshtë vijon:

“1. Përdorimi i veprave me të drejtë autori do të lejohet për personat fizikë dhe juridikë që përfaqësojnë interesat e personave me aftësi të kufizuara, kur ata veprojnë pa qëllime përfitimi ekonomik, pa autorizimin e autorit të një vepre apo titullarit të së drejtës së autorit për këtë vepër dhe pa shpërblim, por duke treguar, kur është e mundur, burimin, duke përfshirë edhe emrin e autorit, për të përdorur një vepër të botuar në mënyrë të ligjshme ose për të përcjellë për publikun, sipas mënyrave të parashikuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, me kushtin që vetëm personat me aftësi të kufizuara do të kenë mundësinë për të përdorur dhe aksesuar këto vepra, në masën që dikton paaftësia specifike, me përjashtim të veprave të krijuara posaçërisht për këtë qëllim.

2. Përdorimi i veprave me të drejtë autori do të lejohet për nevojat e personave të verbër, me shikim të dëmtuar ose ndryshe me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara, për të riprodhuar, botuar, përshtatur dhe për të përcjellë për publikun, duke përfshirë edhe vënien në dispozicion të publikut të një vepre me anë të rrjeteve kompjuterike (internetit), me anë të një versioni audio ose në formë elektronike dhe me anë të një versioni në formën e të lexuarit dhe të shkruarit në relieve të veprës (Braille).”.

Neni 6

Pas nenit 77 shtohen nenet 77/1 dhe 77/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 77/1
Përdorimi i veprave me të drejtë autori nga personat e verbër, me shikim të dëmtuar ose ndryshe me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara

1. Për qëllimet e parashikimeve të përmendura në pikat 1 dhe 2, të nenit 77, të këtij ligji, zbatohen përkufizimet e mëposhtme:

a) “Vepra ose objekte të të drejtave të lidhura, të destinuara për personat me aftësi të kufizuara” konsiderohen veprat në formën e një libri, ditari, gazete, reviste ose forma të tjera me shkrim, shënime, përfshirë pamflete muzikore dhe ilustrime të lidhura, në çdo media, përfshirë në formën audio, si librat audio dhe në formatin digjital, të cilat janë të mbrojtura nga e drejta e autorit ose të drejtat e lidhura me to dhe janë botuar apo vendosur në dispozicion të publikut në mënyrë të ligjshme;

b) “Person përfitues” konsiderohet një person i cili, pavarësisht nga ndonjë paaftësi tjetër:

i. është i verbër;
ii. ka një dëmtim në shikim, i cili nuk mund të përmirësohet aq sa t’i japë atij shikim thelbësisht të njëjtë më atë të një personi që nuk ka një dëmtim të tillë dhe që është, si rezultat, i paaftë të lexojë vepra të printuara me të njëjtën shkallë si personi pa dëmtime të tilla;
iii. ka aftësi të kufizuar në lexim ose perceptim dhe është, si rezultat, i paaftë të lexojë vepra të printuara me të njëjtën shkallë si personi pa kufizime të tilla;
iv. është i paaftë, për shkak të një paaftësie fizike, të mbajë ose të përdorë një libër ose të fokusohet apo të lëvizë sytë në atë masë që do të ishte normalisht e pranueshme për lexim;

c) “Kopje e një vepre në një format të përshtatshëm” do të thotë kopje e një vepre me të drejtë autori ose objekteve të të drejtave të lidhura në një formë të përshtatshme, e cila lejon personin përfitues të përdorë dhe të aksesojë këtë vepër apo objektet e të drejtave të lidhura në mënyrë të thjeshtë dhe në të njëjtat kushte si një person pa aftësi të kufizuara;

ç) “Subjekt i autorizuar” do të thotë një entitet që është i autorizuar nga institucioni shtetëror përkatës të japë edukim, trajnime institucionale, lexime të përshtatura ose akses në informacion për personat përfitues, pa qëllim përfitimi ekonomik. Gjithashtu, përfshin një institucion publik ose një organizatë jofitimprurëse, që siguron të njëjtat shërbime te personat përfitues, si një nga veprimtaritë e saj primare, detyrimet institucionale ose si një pjesë e misioneve të saj në interes të publikut.

2. Parashikimet ligjore të pikës 2, të nenit 77, të këtij ligji, lejohen për çdo veprim të nevojshëm nga:

a) një person përfitues apo përfaqësues i tij për të bërë kopje në një format të përshtatshëm të një vepre apo objekti të të drejtave të lidhura, ndaj së cilës ka akses në mënyrë të ligjshme për përdorimin ekskluziv;
b) një subjekt i autorizuar për të bërë kopje në një format të përshtatshëm të një vepre apo objekti të të drejtave të lidhura, ndaj së cilës ka akses në mënyrë të ligjshme, apo për të përcjellë, për të vendosur në dispozicion të publikut, për të shpërndarë ose për të dhënë hua kopje të formatit të përshtatshëm te një person përfitues ose subjekt tjetër i autorizuar pa qëllime përfitimi ekonomik, me qëllim përdorimin ekskluziv nga një person përfitues.

3. Çdo kopje në një format të përshtatshëm duhet të respektojë tërësinë e veprës duke mos cenuar nderin, personalitetin dhe reputacionin e autorit.

4. Përcaktimi në pikën 2, të këtij neni, aplikohet në raste të veçanta dhe nuk duhet të bjerë në konflikt me shfrytëzimin normal të veprës dhe nuk duhet të cenojë interesin legjitim të mbajtësit të të drejtave.

5. Përcaktimi në pikën 2, të këtij neni, do të përfshijë dhe parashikimet ligjore të neneve 70, pikat 1 e 4, dhe 87, të këtij ligji.

6. Përcaktimi në pikën 2, të këtij neni, nuk mund të parashikohet ndryshe përmes një kontrate.

Neni 77/2
Detyrimet e subjekteve të autorizuara

1. Subjekti i autorizuar, që kryen veprimet e referuara në shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 77/1, të këtij ligji, garanton:

a) shpërndarjen, komunikimin dhe vënien në dispozicion të kopjeve në një format të përshtatshëm vetëm për personat përfitues ose subjekte të tjera të autorizuara;
b) marrjen e masave të përshtatshme për të parandaluar riprodhimin e paautorizuar, shpërndarjen, komunikimin te publiku ose vënien në dispozicion të publikut të kopjeve të formatit të përshtatshëm;
c) dhe tregon kujdesin e duhur dhe mban të dhëna për veprat e objektet e të drejtave të lidhura e të kopjeve në një format të përshtatshëm dhe të disponueshëm;
ç) publikon dhe përditëson, në faqen e tij zyrtare apo nëpërmjet çdo forme tjetër të komunikimit, informacion për përmbushjen e detyrimeve në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike.

2. Subjekti i autorizuar duhet të garantojë që përmbushja e përcaktimit të bërë në pikën 1, të këtij neni, të jetë në përputhje të plotë me parashikimet ligjore për ruajtjen e të dhënave personale.

3. Subjekti i autorizuar vë në dispozicion, sipas kërkesës së personave përfitues, subjekteve të tjera të autorizuara ose titullarëve të të drejtave, informacionin, si më poshtë vijon:

a) Listën e veprave apo objekteve të të drejtave të lidhura, për të cilat ai ka kopje të formatit të përshtashëm dhe të aksesueshëm;
b) Emrin dhe të dhënat e kontaktit të subjekteve të tjera të autorizuara me të cilat ka shkëmbyer kopje të formatit të përshtatshëm, të destinuara për personat me aftësi të kufizuara.”.

Neni 7

Pika 2, e nenit 135, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Agjencia e përmendur në pikën 1, të këtij neni, ka kompetencat e përfaqësimit të mbajtësve të së drejtës, brenda Republikës së Shqipërisë, për të drejtat përkatëse respektive, vetëm përmes pëlqimit me shkrim të mbajtësve të të drejtave, i cili shoqërohet me lista të plota të titujve të veprave, që do të administrohen në zbatim të kësaj pike. Mbajtësit e të drejtave do të kenë të drejtë të zgjidhin autorizimin për të administruar të drejtat e tyre mbi veprën, dhënë prej tyre për një AAK, ose të tërheqin ndonjë prej të drejtave të tyre për të mos u administruar nga AAK-ja, në përputhje me nenin 132, të këtij ligji, për vendin e zgjedhur nga ana e tyre, duke bërë njoftimin e duhur, në formë të shkruar, jo më shumë se 6 muaj përpara. AAK-ja mund të vendosë që një zgjidhje ose tërheqje e tillë të hyjë në fuqi vetëm në përfundim të vitit financiar.”.

Neni 8

Neni 138 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 138
Sporteli unik për kryerjen e funksionit të mbledhjes së shpërblimeve

1. Për të siguruar një shërbim efektiv dhe të thjeshtuar për subjektet përdoruese, krijohet sporteli unik që kryen shërbimet për funksionin e mbledhjes së tarifave të shpërblimit për të gjitha kategoritë e mbajtësve të të drejtave në administrimin kolektiv, të mbrojtura nga të gjitha agjencitë e administrimit kolektiv të licencuara.

2. Sporteli unik krijohet si subjekt juridik dhe regjistrohet si organizatë jofitimprurëse në zbatim të legjislacionit në fuqi.

3. Sporteli unik përbëhet nga përfaqësues të agjencive të administrimit kolektiv të licencuara në Republikën e Shqipërisë. Secila prej AAK-ve ka 1 (një) përfaqësues anëtar në organin më të lartë vendimmarrës.

4. Përcaktimi i organit më të lartë ekzekutiv kryhet nëpërmjet një vendimi të anëtarëve të organit më të lartë vendimmarrës të sportelit unik. Përzgjedhja e organit më të lartë ekzekutiv kryhet duke marrë parasysh shmangien nga çdo interes direkt ose indirekt i mundshëm i veprimtarisë së ushtruar nga secila AAK. Organi më i lartë ekzekutiv është i pavarur dhe i ndryshëm nga organet vendimmarrëse dhe ekzekutive të agjencive të administrimit kolektiv të licencuara. Afati për vendimmarrjen për zgjedhjen e organit më të lartë ekzekutiv është 30 ditë kalendarike para përfundimit të vlefshmërisë së vendimit mbi përzgjedhjen e organit më të lartë ekzekutiv.

5. Nëse nuk arrihet një vendimmarrje mes AAK-ve për përzgjedhjen e organit më të lartë ekzekutiv brenda afatit të përcaktuar, këtë vendimmarrje e realizon Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit (në vijim KKDA), nëpërmjet një procedure të hapur dhe transparente, bazuar në kritere të miratuara prej tij.

6. AAK-të vendosin në dispozicion të sportelit unik bazën e të dhënave të anëtarëve të tyre me të cilët kanë lidhur kontrata, si dhe çdo informacion të nevojshëm për të kryer funksionin e mbledhjes së tarifave të shpërblimit.

7. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit dhe veprimtaria e sportelit unik miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtën e autorit.

8. Ndarja e shpërblimeve të mbledhura ndaj AAK-ve kryhet, si më poshtë vijon:

a) 40 për qind do t’i shkojë përfaqësuesve të të drejtave të autorit;
b) 30 për qind do t’i shkojë përfaqësuesve të të drejtave të interpretuesve;
c) 30 për qind do t’i shkojë përfaqësuesve të të drejtave të prodhuesve (producentëve) të filmave, të botuesve dhe prodhuesve të fonogramit.

9. Në zbatim të pikës 8, të këtij neni, KKDA-ja përcakton me vendim përqindjen e ndarjes së shpërblimeve të mbledhura për agjencitë e administrimit kolektiv, të licencuara sipas nenit 130, të këtij ligji.

10. Statuti i sportelit unik miratohet nga themeluesit e organizatës jofitimprurëse. Çdo propozim për ndryshimin e statutit është objekt i miratimit nga ministri përgjegjës për të drejtat e autorit, sipas propozimit të Drejtorisë për të Drejtën e Autorit. DDA-ja shqyrton, brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, propozimin për ndryshim të statutit të sportelit unik. Miratimi ose refuzimi i propozimit duhet të jetë i argumentuar dhe të shprehet në lidhje me përputhshmërinë e ndryshimeve të statutit. Miratimi i paraqitet gjykatës së rrethit gjyqësor, me qëllim regjistrimin e ndryshimit. Çdo ndryshim i statutit, i kryer në kundërshtim me parashikimet e kësaj pike, ngarkon me përgjegjësi anëtarët e organit vendimmarrës sipas ligjit për organizatat jofitimprurëse.”.

Neni 9

Në nenin 157 bëhen këto ndryshime:

1. Në shkronjën “g”, të pikës 2, shtohet nënndarja “v”, me këtë përmbajtje:

“v) për veprat pa autor.”.

2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Elementet e regjistrit të të dhënave të hapura për publikun, dokumentar dhe elektronik, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas elementeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.”.

Neni 10

Pika 5, e nenit 159, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Në rastet kur DDA-ja konstaton se veprimtaria e AAK-së nuk është në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat e tjera ligjore në fuqi ose me vetë statutin e saj, në varësi të rrethanave, i propozon ministrit përgjegjës për të drejtat e autorit fillimin e procedurave për pezullimin për 3 (tre) muaj të licencës deri në heqjen e saj. Aktet e sipërpërmendura hyjnë në fuqi menjëherë dhe botohen në “Fletoren zyrtare”. Urdhri i ministrit, i dalë në vijim të një procedure administrative, merret pas dëgjimit të palëve.”.

Neni 11

Pas nenit 159 shtohet neni 159/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 159/1
Kushtet për pezullimin e licencës dhe heqjen e saj

1. Licenca e një AAK-je për kryerjen e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, sipas nenit 133, të ligjit, do të pezullohet në rastet:

a) e moszbatimit të pikave 1 dhe 2, të nenit 153, të këtij ligji;
b) e mosdhënies së informacionit të kërkuar nga ministria përgjegjëse për të drejtën e autorit brenda 10 ditëve pune, në zbatim të shkronjës “f”, të pikës 2, të nenit 157, të këtij ligji;
c) moszbatimit të detyrimeve të përcaktuara në udhëzimin e ministrit për të drejtën e autorit, për kushtet dhe procedurat për marrjen e licencës për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit apo ripërtëritjen e saj;
ç) kur AAK-të me veprimet ose mosveprimet e tyre pengojnë funksionimin normal të veprimtarisë së sportelit unik në mënyrë të përsëritur.

2. Heqja e licencës së një AAK-je bëhet në rastet e mëposhtme:

a) Kur konstatohen shkelje të kuadrit ligjor për të drejtën e autorit lidhur me shpenzimet dhe shpërndarjet e shpërblimeve;
b) Kur AAK-ja përfaqëson titullarët e të drejtave të autorit për kategorinë për të cilën nuk është licencuar;
c) Kur AAK-ja nuk ka bërë deklarimin e të gjitha fakteve materiale të mbajtura të fshehura apo të reja, të cilat mund të përbënin shkak për refuzimin e marrjes së licencës pas aplikimit;
ç) Kur shkelen parashikimet ligjore të pikës 4, të nenit 133, të këtij ligji.

3. Procedura për pezullimin apo heqjen e licencës së AAK-ve përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për të drejtën e autorit.”.

Neni 12

Neni 177 shfuqizohet.

Neni 13

Në pikën 5, të nenit 187, pas fjalëve “… pika 8, e nenit 32,…” shtohen fjalët “… pika 7 e nenit 16/1…”, “.

Neni 14

Pas nenit 187 shtohet neni 187/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 187/1
Zbatimi në kohë i veprave pa autor
Dispozitat për veprat pa autor të parashikuara në këtë ligj do të zbatohen pa cenuar kalimet e të drejtave ose të drejtat e fituara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.”.

Neni 15
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 4, të nenit 75/2, dhe të pikës 5, të nenit 157, të ligjit.

2. Ngarkohet ministri përgjegjës për të drejtën e autorit, që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 7, të nenit 138, dhe pikës 3, të nenit 159/1, të ligjit.

Neni 16

Ky ligj hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.35/2016, “PËR TË DREJTAT E AUTORIT DHE TË DREJTAT E TJERA TË LIDHURA ME TO””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.