Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Nëntor 2025:

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK NË KUJDESIN SHËNDETËSOR, ENERGJINË, MJEDISIN, INDUSTRINË E SIGURISË DHE MBROJTJES, MENAXHIMIN E MIGRACIONIT, ARSIMIN, INOVACIONIN, DIASPORËN, TRANSFORMIMIN EKONOMIK DHE RRITJEN INTELIGJENTE

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 2

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për lidhjen e marrëveshjeve të veçanta të bashkëpunimit ndërmjet subjekteve publike shqiptare dhe subjekteve publike dhe/ose private të Italisë në fusha, projekte dhe programe konkrete, në përputhje me parashikimet e marrëveshjes sipas nenit 1, të këtij ligji.

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR BASHKËPUNIMIN STRATEGJIK NË KUJDESIN SHËNDETËSOR, ENERGJINË, MJEDISIN, INDUSTRINË E SIGURISË DHE MBROJTJES, MENAXHIMIN E MIGRACIONIT, ARSIMIN, INOVACIONIN, DIASPORËN, TRANSFORMIMIN EKONOMIK DHE RRITJEN INTELIGJENTE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik në kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, arsimin, inovacionin, diasporën, transformimin ekonomik dhe rritjen inteligjente”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ
PËR

SINJALIZIMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky ligj përcakton rregullat për mbrojtjen e sinjalizuesve në sektorin publik dhe privat, të cilët raportojnë shkelje të mundshme të kuadrit ligjor nëpërmjet mekanizmave të krijuar për raportimin e tyre, procedurat për shqyrtimin e sinjalizimeve, mekanizmat për mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe detyrimet e autoriteteve publike dhe të subjekteve private në lidhje me sinjalizimin.

Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është të parandalojë dhe të godasë çdo veprim të kundërligjshëm në sektorin publik e privat nëpërmjet krijimit të mekanizmave të përshtatshëm ligjorë dhe institucionalë, si dhe të nxisë sinjalizimin e shkeljeve të mundshme të kuadrit ligjor, duke garantuar mbrojtjen efektive të sinjalizuesve dhe trajtimin e drejtë të sinjalizimeve.

Neni 3
Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për mbrojtjen e sinjalizuesve, që raportojnë ose disponojnë informacion për veprime të kundërligjshme, që cenojnë interesin publik, përfshirë keqpërdorimin e funksionit publik, korrupsionin e keqadministrimin e fondeve ose të burimeve publike, si dhe çdo veprim tjetër që dëmton transparencën, llogaridhënien e integritetin në administratën publike dhe përbën shkelje të dispozitave të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë, si dhe të normave të nxjerra nga organizata ndërkombëtare, në rastet kur, nëpërmjet një marrëveshjeje të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, parashikohet shprehimisht zbatimi i drejtpërdrejtë i këtyre normave në fushat e mëposhtme:

a) Përdorimi i fondeve të buxhetit të shtetit, të Bashkimit Evropian apo të organizatave ndërkombëtare, si dhe çdo veprim ose mosveprim që cenon ose mund të cenojë interesat financiarë të Bashkimit Evropian, në kuptim të nenit 325 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian;
b) Prokurimi publik;
c) Shërbimet financiare, produktet e tregjet financiare, parandalimi i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit;
ç) Shkeljet që lidhen me rregullat e tregut të brendshëm, sipas paragrafit 2, të nenit 26, të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, duke përfshirë shkeljet e rregullave të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore, rregullat mbi tatimin e fitimit apo marrëveshjet që synojnë përfitim tatimor, në kundërshtim me përcaktimet ligjore;
d) Siguria dhe përputhshmëria e produkteve;
dh) Siguria e transportit;
e) Mbrojtja e mjedisit;
ë) Mbrojtja nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
f) Siguria ushqimore dhe ushqimit për kafshë, shëndeti dhe mirëqenia e kafshëve;
g) Shëndeti publik;
gj) Mbrojtja e konsumatorit;
h) Mbrojtja e të dhënave personale, privatësia e siguria e rrjeteve dhe të sistemeve të teknologjisë së informacionit.

2. Ky ligj zbatohet për çdo person, që sinjalizon një shkelje të mundshme ligjore, gjatë angazhimit në një kontekst pune, përfshirë:

a) punonjësit në sektorin publik dhe privat;
b) personat që ushtrojnë veprimtari si të vetëpunësuar;
c) personat që janë pjesë e organeve drejtuese, administrative ose mbikëqyrëse të një subjekti, përfshirë edhe anëtarët jodrejtues dhe praktikantët;
ç) personat që punojnë nën mbikëqyrjen dhe drejtimin e kontraktorëve, nënkontraktorëve ose furnitorëve.

Në kuptim të këtij ligji, termat “punonjës” dhe “person i vetëpunësuar” interpretohen në përputhje me parimet e së drejtës së Bashkimit Evropian dhe nuk kufizohen vetëm nga përkufizimet e parashikuara në legjislacionin shqiptar.

3. Ky ligj zbatohet gjithashtu për sinjalizuesit, marrëdhënia e punës e të cilëve nuk ka filluar ende, në rastet kur informacioni për shkeljet është siguruar gjatë procesit të rekrutimit ose në faza të tjera parakontraktuale, si dhe për sinjalizuesit, marrëdhënia e punës e të cilëve është ndërprerë, por që raportojnë përmes mekanizmit të jashtëm ose publik një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor në fuqi.

4. Ky ligj zbatohet edhe për sinjalizuesit që raportojnë publikisht, në përputhje me dispozitat e parashikuara në këtë ligj, informacione për shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, si dhe për sinjalizuesit anonimë.

5. Dispozitat e këtij ligji nuk cenojnë përgjegjësinë e shtetit për garantimin e sigurisë kombëtare dhe as të drejtën për mbrojtjen e interesave të tij thelbësorë të sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

6. Ky ligj nuk zbatohet për fushat e rregulluara në mënyrë të posaçme dhe që lidhen me:

a) mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sipas ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”;
b) ruajtjen e sekretit profesional të avokatit, sipas ligjit nr.55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”;
c) konfidencialitetin e informacionit mjekësor, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për kujdesin shëndetësor;
ç) konfidencialitetin e diskutimeve dhe të vendimeve të marra në dhomë këshillimi, sipas legjislacionit procedural në fuqi;
d) rregullat e procedurat që rregullojnë ndjekjen penale.

7. Në rastet kur në aktet sektoriale të Bashkimit Evropian parashikohen rregulla të veçanta për raportimin e shkeljeve, zbatohen rregullat e atyre akteve sektoriale. Dispozitat e këtij ligji zbatohen vetëm për pjesët që nuk rregullohen specifikisht nga këto akte.

8. Parashikimet e këtij ligji nuk kufizojnë të drejtën e sinjalizuesit për të paraqitur në çdo kohë kallëzim drejtpërdrejt pranë organeve kompetente për ndjekjen penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 4
Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Autoritet publik” ka të njëjtin kuptim me atë të parashikuar në ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”;

2. “Autoritet kompetent”, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), i caktuar për të pranuar, për të shqyrtuar e për të ndjekur sinjalizimet e jashtme, si dhe për të garantuar mbrojtjen nga veprimet hakmarrëse ndaj sinjalizuesit;

3. “Informacion publik”, çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik;

4. “Informacion për shkeljet”, çdo lloj informacioni, që përmban dyshime të arsyeshme dhe lidhet me shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, të kryera ose që ka gjasa të kryhen në një autoritet publik ose subjekt privat, të cilat janë përftuar në një kontekst pune, përfshirë rastet kur informacioni është marrë nga kontraktorë, nënkontraktorë, furnitorë apo punonjësit e tyre;

5. “Kontekst pune”, çdo marrëdhënie profesionale, aktuale, e mëparshme ose e mundshme, përmes së cilës një person, pavarësisht nga natyra e saj juridike, ka akses në informacione për shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, përfshirë marrëdhëniet e punësimit ose të vetëpunësimit, ofrimin e shërbimeve, kontratat e furnizimit, nënkontraktimin, si dhe aktivitetet vullnetare apo praktikat profesionale;

6. “Ndihmës”, çdo person që ndihmon një sinjalizues gjatë procesit të sinjalizimit në një kontekst pune dhe ndihma e tij është konfidenciale;

7. “Ndjekje” nënkupton çdo veprim të marrë nga njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për të vlerësuar saktësinë e pretendimeve të parashtruara nga sinjalizuesi dhe për të trajtuar shkeljen e sinjalizuar;

8. “Njësi përgjegjëse”, organi i posaçëm, i caktuar brenda autoritetit publik ose subjektit privat, i përbërë nga një ose më shumë punonjës dhe i ngarkuar me detyrën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit, shqyrtimin e kërkesës për mbrojtjen e sinjalizuesit dhe ndjekjen e saj, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

9. “Masa të përkohshme”, masa të marra nga ILDKPKI-ja ose të vendosura nga gjykata, me qëllim garantimin e mbrojtjes së sinjalizuesit deri në përfundim të procesit administrativ apo gjyqësor përkatës;

10. “Personat e lidhur me sinjalizuesin”, bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë, sipas Kodit të Procedurave Administrative, si dhe kolegët e të afërmit, që punojnë për të njëjtin punëdhënës, ose që ushtrojnë veprimtari në të njëjtin kontekst pune.

11. “Person i përfshirë”, çdo person fizik ose juridik, që përmendet në sinjalizim ose publikim si personi, të cilit i atribuohet shkelja ose që ka lidhje me autorin e shkeljes;

12. “Përgjigje”, çdo veprim ose njoftim i dhënë nga autoriteti kompetent sinjalizuesit, për të informuar për masat e marra ose të planifikuara pas marrjes së raportimit;

13. “Sinjalizim”, raportimi apo sinjalizimi i informacionit verbal ose me shkrim, nga sinjalizuesi te njësia përgjegjëse ose te ILDKPKI-ja, për shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, të kryera në një mjedis pune në një autoritet publik ose subjekt privat, nëpërmjet kanaleve të brendshme, të jashtme ose nëpërmjet publikimit, në përputhje me këtë ligj;

14. “Sinjalizim anonim”, sinjalizimi i kryer nga një sinjalizues, identiteti i të cilit nuk është i njohur për autoritetin kompetent ose për njësinë përgjegjëse në momentin e paraqitjes së sinjalizimit ose kur vetë sinjalizuesi ka kërkuar të mbetet anonim gjatë këtij procesi;

15. “Sinjalizim i brendshëm”, sinjalizimi i kryer nga sinjalizuesi brenda njësisë përgjegjëse të organizatës, sipas këtij ligji;

16. “Sinjalizim i jashtëm”, sinjalizimi i kryer nga sinjalizuesi pranë autoritetit kompetent, sipas ligjit;

17. “Sinjalizim publik”, sinjalizimi, zbulimi ose komunikimi publik i informacionit në lidhje me shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj, nëpërmjet medias së shkruar e audiovizive, medias on-line dhe sociale, takimet publike, njoftimet publike e të gjitha komunikimet verbale, të shkruara dhe të regjistruara.

18. “Sinjalizues”, çdo person fizik që, në një kontekst pune, sinjalizon ose publikon informacione për shkelje të mundshme;

19. “Subjekt privat”, personi juridik privat, sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, përfshirë tregtarin, sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

20. “Shkelje”, veprime ose mosveprime të paligjshme, të cilat prekin fushën e zbatimit të këtij ligji, që kanë ndodhur ose ka të ngjarë të ndodhin dhe përbëjnë baza të arsyeshme për t’i konsideruar në kundërshtim me kuadrin ligjor, përfshirë këtu edhe përpjekjet për të fshehur shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, si në sektorin publik dhe privat, ose veprimet që bien ndesh me rregullat e Bashkimit Evropian dhe tregun e brendshëm në fushën e tatimeve, konkurrencës, prokurimit publik apo menaxhimit financiar.

21. “Veprim hakmarrës”, çdo veprim apo mosveprim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, i ndërmarrë në një kontekst pune, që ndodh pasi një individ ka sinjalizuar ose planifikon të sinjalizojë një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor nëpërmjet mekanizmave të brendshëm, të jashtëm ose publikisht, që shkakton ose mund të shkaktojë dëm për sinjalizuesin.

Neni 5
Parime të përgjithshme

Procesi i sinjalizimit udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:

1. Parimi i integritetit dhe i konfidencialitetit, sipas të cilit pjesëmarrësit në një procedurë administrative kanë të drejtë të kërkojnë që të dhënat e tyre personale e konfidenciale të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Parimi i paanshmërisë, sipas të cilit shqyrtimi dhe zgjidhja e sinjalizimeve kryhet në mënyrë objektive, pavarësisht nga bindjet dhe interesat e personave përgjegjës për zgjidhjen e tyre.

KREU II
TË DREJTAT E SINJALIZUESIT, TË NDIHMËSIT DHE TË PERSONAVE TË LIDHUR ME SINJALIZUESIN

Neni 6
E drejta për mbrojtje

1. Mbrojtja e sinjalizuesit nga çdo formë hakmarrjeje sigurohet nëpërmjet mekanizmave të parashikuar në këtë ligj.

2. Sinjalizuesi gëzon të drejtat e mëposhtme:

a) Mbrojtje nga të gjitha format e hakmarrjes;
b) Mbrojtje të identitetit dhe ruajtje të konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, përfshirë edhe rastet e sinjalizimit anonim;
c) Ruajtje të konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuar;
ç) Ndihmë juridike falas, në përputhje me ligjin nr.11/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”;
d) Kompensim të dëmit të shkaktuar si rezultat i veprimeve hakmarrëse.
3. Ndihmësit, personat e lidhur me sinjalizuesin, si dhe personat juridikë, që sinjalizuesi zotëron, përfaqëson, punon ose ka një marrëdhënie biznesi me ta, gëzojnë të drejtën e mbrojtjes, sipas pikës 2, të këtij neni.

4. Të drejtat e sinjalizuesit garantohen, sipas këtij ligji:

a) gjatë kohëzgjatjes së procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit;
b) pas përfundimit të procedurës së hetimit administrativ të sinjalizimit, për të siguruar vijimin normal të ushtrimit të detyrës në autoritetin publik ose në subjektin privat;
c) pas përfundimit të marrëdhënies së punës së sinjalizuesit në autoritetin publik ose në subjektin privat, kur sinjalizuesi, mbi bazën e rrethanave të arsyeshme, ka paraqitur kërkesë për mbrojtje pranë ILDKPKI-së.

5. Çdo rregull ose marrëveshje private, që synon të përjashtojë ose të kufizojë të drejtat e sinjalizuesit, të parashikuara në këtë ligj, është e pavlefshme. Të drejtat e sinjalizuesit kanë epërsi ndaj çdo marrëveshjeje për konfidencialitetin.

6. Sinjalizuesi informohet nga autoriteti publik, subjekti privat ose nga ILDKPKI-ja për të drejtat dhe mbrojtjen e ofruar, sipas këtij ligji.

Neni 7
Kushtet për mbrojtjen e sinjalizuesit

1. Sinjalizuesi gëzon të drejtën për mbrojtje, sipas këtij ligji, pavarësisht mekanizmit të përdorur, kur plotësohen njëkohësisht këto kushte:

a) Ka pasur shkaqe të arsyeshme për të besuar se informacioni i sinjalizuar ose i bërë publik për një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor ishte i vërtetë në momentin e sinjalizimit ose të publikimit, pavarësisht nëse më pas rezulton ndryshe;
b) Ka pasur shkaqe të arsyeshme për të besuar se informacioni i sinjalizuar përfshihet në fushën e zbatimit të këtij ligji;
c) Sinjalizimi është kryer në përputhje me dispozitat e këtij ligji nëpërmjet një mekanizmi të brendshëm, të jashtëm ose nëpërmjet publikimit të informacionit.

2. Në rastet kur sinjalizimi është bërë në mënyrë anonime dhe përmbush kriteret e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, sinjalizuesi gëzon të drejtën për mbrojtje edhe nëse identiteti i tij është zbuluar më vonë pa pëlqimin e tij të shprehur dhe është bërë objekt i veprimeve hakmarrëse.

3. Sinjalizuesi, që sinjalizon publikisht një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor në fushat e përcaktuara, sipas këtij ligji, gëzon të drejtën për mbrojtje në të njëjtat kushte.

4. Personat që sinjalizojnë pranë institucioneve, organeve, zyrave ose agjencive të Bashkimit Evropian shkelje që hyjnë në fushën e këtij ligji, gëzojnë mbrojtjen e parashikuar në këtë ligj në të njëjtat kushte si personat që sinjalizojnë në mënyrë të jashtme.

Neni 8
Mbrojtja kundër veprimeve hakmarrëse

1. Sinjalizuesi, që sinjalizon një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, gëzon mbrojtje ndaj çdo veprimi hakmarrës, të ndërmarrë nga autoriteti publik ose nga subjekti privat kundrejt tij, si:

a) shkarkimi nga puna;
b) pezullimi nga detyra;
c) transferimi brenda ose jashtë institucionit ose ndryshimi i orarit të punës;
ç) ulja në detyrë;
d) ulja e pagës dhe shpërblimeve financiare;
dh) humbja e statusit profesional ose e privilegjeve të lidhura me pozicionin;
e) mohimi i mundësisë për ngritje në detyrë;
ë) përjashtimi nga programet e trajnimit;
f) vlerësimi negativ në marrëdhënien e punës;
g) intimidimi, ngacmimi, presioni psikologjik apo përjashtimi nga ambienti i punës;
gj) diskriminimi ose trajtimi i padrejtë;
h) mosrinovimi i kontratës së përkohshme në një kontratë të përhershme, kur punonjësi kishte pritshmëri të ligjshme për punësim të përhershëm;
i) përfundimi ose mosrinovimi i kontratës së përkohshme;
j) dëmtimi i reputacionit, kryesisht në mediat sociale, ose humbja e të ardhurave apo të mundësive të biznesit;
k) përfshirja në “listë të zezë” nëpërmjet marrëveshjeve formale ose informale, që pengojnë punësimin në sektorin përkatës në të ardhmen;
l) përfundimi ose anulimi i parakohshëm i kontratës për mallra ose shërbime;
ll) anulimi i licencës ose i lejes së ushtrimit të aktivitetit;
m) referimi i pajustifikuar për ekzaminim psikiatrik ose mjekësor;
n) kërcënimi ose përpjekja për të ndërmarrë secilin nga veprimet e mësipërme;
nj) izolimi profesional, përjashtimi nga proceset vendimmarrëse apo margjinalizimi i heshtur në ambientin e punës.

2. Sinjalizuesi paraqet kërkesë për mbrojtje pranë autoritetit kompetent, nëse vlerëson se është bërë objekt i veprimeve hakmarrëse për shkak të sinjalizimit.

3. Nëse sinjalizuesi kërkon zhvendosjen në një njësi tjetër, brenda autoritetit publik ose subjektit privat, për shkak të krijimit të një mjedisi pune armiqësor si pasojë e sinjalizimit, autoriteti publik ose subjekti privat merr masat e nevojshme për realizimin e kësaj zhvendosjeje.

4. Në rast të mosmarrjes së masave, ILDKPKI-ja, me kërkesë të sinjalizuesit, i drejtohet autoritetit publik ose subjektit privat për të urdhëruar marrjen e masave përkatëse.

Nëse autoriteti publik ose subjekti privat nuk zbaton masat e urdhëruara, brenda një afati prej 10 ditësh kalendarike nga data e marrjes së kërkesës, sinjalizuesi ose çdo person i interesuar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës.

Neni 9
Ndalimi për veprimet hakmarrëse

1. Pengimi, ndërhyrja, përpjekja ose kërcënimi për të penguar sinjalizimin, në çfarëdo forme, janë të ndaluara dhe të dënueshme sipas ligjit.

2. Çdo akt, kontratë apo marrëveshje, individuale ose kolektive, që parashikon ndalimin apo kufizimin e së drejtës për sinjalizim, është e pavlefshme dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik.

3. Veprimet hakmarrëse, përpjekjet për veprime hakmarrëse apo kërcënimet për veprime hakmarrëse, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, ndaj sinjalizuesit ose personave të lidhur me të, për shkak të sinjalizimit të brendshëm, të jashtëm, anonim ose publik, janë të ndaluara dhe të pavlefshme.

Neni 10
Konfidencialiteti dhe detyrimi për ruajtjen e identitetit të sinjalizuesit

1. Identiteti i sinjalizuesit dhe të dhënat e tjera të përfshira në sinjalizim ruhen në kushte konfidencialiteti nga njësia përgjegjëse dhe nga ILDKPKI-ja dhe identiteti i sinjalizuesit mund të zbulohet vetëm me pëlqimin e tij të shprehur.

2. Identiteti i personit të sinjalizuar, si dhe çdo informacion tjetër që lidhet me të, ruhet dhe mbrohet në kushte konfidencialiteti nga njësia përgjegjëse dhe nga ILDKPKI-ja.

3. Punonjësi i njësisë përgjegjëse dhe ILDKPKI-ja kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave e të informacionit të marrë nga sinjalizimi dhe të mos i përdorin apo t’i zbulojnë ato për qëllime të tjera, përveç rasteve kur është e nevojshme për zbatimin e këtij ligji.

4. Zbulimi i identitetit të sinjalizuesit dhe i të dhënave të përpunuara, sipas pikës 1, të këtij neni, mund të kryhet edhe pa pëlqimin e tij, vetëm në rastet kur është i domosdoshëm në mënyrë të arsyetuar e proporcionale për nevoja të hetimit penal ose të procesit gjyqësor.

5. Në çdo rast, ILDKPKI-ja apo njësia përgjegjëse i dërgon sinjalizuesit një njoftim me shkrim, që përmban arsyet e justifikuara për zbulimin e të dhënave konfidenciale, si dhe masat e marra për të kufizuar sa më shumë rrezikun e ekspozimit të panevojshëm.

Neni 11
Përpunimi i të dhënave personale

1. Përpunimi i të dhënave personale të individëve të përfshirë në hetimin administrativ kryhet vetëm për qëllime të zbatimit të këtij ligji e në përputhje me parimet dhe procedurat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Të dhënat personale, që nuk konsiderohen të nevojshme për trajtimin e një sinjalizimi, nuk mblidhen. Nëse këto të dhëna mblidhen rastësisht, ato fshihen pa vonesë.

3. Në rast se gjatë zbatimit të këtij ligji konstatohet shkelje e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, çështja i referohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

4. Të dhënat personale, që nuk i shërbejnë trajtimit të sinjalizimit, nuk përfshihen në hetimin administrativ.

Neni 12
Ruajtja e të dhënave dhe administrimi i dokumentacionit

1. Njësitë përgjegjëse dhe ILDKPKI-ja sigurojnë gjurmueshmërinë e të dhënave e të informacionit, si dhe ruajnë dokumentacionin e krijuar në formë shkresore ose elektronike, në mënyrë që të mundësohet rindërtimi i fazave të ndryshme të procesit të sinjalizimit, duke garantuar njëkohësisht konfidencialitetin e mbrojtjen e të dhënave personale të sinjalizuesit dhe të personit të sinjalizuar.

2. Dokumentacioni origjinal ruhet për një periudhë pesëvjeçare nga data e komunikimit të rezultatit përfundimtar të procedurës së sinjalizimit, përveç rasteve kur procedura ligjore përkatëse është ende në proces dhe nuk ka përfunduar.

3. Kur sinjalizimi bëhet nëpërmjet një linje telefonike të regjistruar ose një sistemi tjetër të mesazheve zanore të regjistruara, sinjalizuesi informohet paraprakisht për regjistrimin. Sinjalizimi dokumentohet nëpërmjet një regjistrimi zanor në pajisje të përshtatshme për ruajtje dhe dëgjim ose nëpërmjet një transkripti të plotë. Në rast transkriptimi, sinjalizuesi ka të drejtë të verifikojë, të korrigjojë dhe të konfirmojë përmbajtjen, duke nënshkruar dokumentin përkatës.

4. Kur sinjalizimi bëhet nëpërmjet një linje telefonike të paregjistruar ose një sistemi tjetër të mesazheve zanore të paregjistruara, biseda përshkruhet me shkrim në mënyrë të detajuar nga njësia përgjegjëse ose nga ILDKPKI-ja. Sinjalizuesi ka të drejtë të verifikojë, të korrigjojë dhe të konfirmojë përmbajtjen, duke nënshkruar dokumentin përkatës.

5. Kur sinjalizimi bëhet verbalisht gjatë një takimi me njësinë përgjegjëse ose me autoritetin kompetent, sinjalizimi dokumentohet me pëlqimin e sinjalizuesit nëpërmjet regjistrimit zanor ose nëpërmjet hartimit të një procesverbali të takimit. Sinjalizuesi ka të drejtë të verifikojë, të korrigjojë dhe të konfirmojë përmbajtjen e dokumentuar, duke nënshkruar përkatësisht regjistrimin ose procesverbalin.

KREU III
PROCEDURA E SINJALIZIMIT DHE HETIMIT ADMINISTRATIV

Neni 13
Procedura e kryerjes së sinjalizimit

1. Sinjalizimi bëhet pranë njësisë përgjegjëse, pranë ILDKPKI-së ose nëpërmjet deklarimit publik.

2. Procedura e sinjalizimit fillon me paraqitjen e sinjalizimit pranë njësisë përgjegjëse ose pranë ILDKPKI-së.

3. Sinjalizuesi mund të përdorë mekanizmin e sinjalizimit të brendshëm, të jashtëm ose publik. Sinjalizimi përmban, sipas rastit:

a) të dhënat e identitetit dhe të kontaktit të sinjalizuesit, përveç rasteve kur sinjalizimi bëhet në mënyrë anonime;
b) organin ose personin e sinjalizuar ndaj të cilit raportohet shkelja;
c) përshkrimin e informacionit për shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, të shoqëruar me fakte, rrethana dhe dokumentacion mbështetës, për aq sa është e mundur;
ç) referimin përkatës të legjislacionit të shkelur, për aq sa është e mundur.

4. Sinjalizimi verbal realizohet nëpërmjet një linje telefonike të dedikuar ose përmes pajisjeve të tjera të regjistrimit zanor ose nëpërmjet një takimi fizik, brenda një afati të arsyeshëm.

5. Sinjalizimi i jashtëm mund të bëhet në çdo fazë dhe pa u kushtëzuar nga sinjalizimi i brendshëm, përfshirë:

a) drejtpërdrejt pranë autoritetit kompetent;
b) në rast se sinjalizimi është kryer fillimisht pranë njësisë përgjegjëse dhe sinjalizuesi vlerëson se shkelja nuk mund të trajtohet në mënyrë efektive, brenda autoritetit publik ose subjektit privat, apo kur ekziston rrezik për veprime hakmarrëse ndaj tij apo personave të lidhur me të;
c) në rast se sinjalizuesi ka paraqitur fillimisht sinjalizimin pranë njësisë përgjegjëse dhe nuk është informuar për ecurinë ose trajtimin e tij.

Neni 14
Krijimi i njësisë përgjegjëse

1. Çdo autoritet publik dhe subjekt privat me më shumë se 50 punonjës, si dhe çdo ent me kapital shtetëror apo që është nën kontrollin e subjekteve shtetërore kanë detyrimin të krijojnë njësi përgjegjëse për sinjalizimin, duke garantuar funksionimin efektiv të një mekanizmi të dedikuar për raportimin dhe ndjekjen e sinjalizimeve të brendshme.

2. Ky detyrim zbatohet pavarësisht nga numri i punonjësve për personat juridikë, që ushtrojnë veprimtari në fushat e shërbimeve financiare, të produkteve dhe të tregjeve financiare, të sigurimeve e të fondeve të pensionit, të parandalimit të pastrimit të parave e të financimit të terrorizmit, si dhe në çdo fushë tjetër të parashikuar nga aktet e Bashkimit Evropian, që kërkojnë ngritjen e kanaleve të brendshme të raportimit.

3. Autoritetet publike e subjektet private miratojnë një rregullore të brendshme për përcaktimin e rregullave të sinjalizimit, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

4. Njësia përgjegjëse merr masa për ndërgjegjësimin dhe nxitjen e sinjalizimit nëpërmjet kanaleve e të procedurave të brendshme të sinjalizimit para përdorimit të kanaleve të jashtme, në rastet kur shkelja mund të trajtohet në mënyrë efektive brenda institucionit dhe kur sinjalizuesi vlerëson se nuk ekziston rrezik hakmarrjeje, si dhe siguron informacionin e nevojshëm për përdorimin e këtyre kanaleve dhe për procedurat për raportim të jashtëm pranë ILDKPKI-së.

5. Njësia përgjegjëse garanton akses në të gjitha format e sinjalizimit, përfshirë ato verbale, me shkrim ose përmes mjeteve të tjera të njohura të komunikimit.

6. Emërimi i punonjësit në njësinë përgjegjëse bëhet pas dhënies së pëlqimit të tij me shkrim.

7. Njësia përgjegjëse përbëhet nga një ose më shumë persona, në varësi të numrit të punonjësve e të strukturës së autoritetit publik ose subjektit privat, të cilët duhet të jenë të trajnuar posaçërisht në fushën e sinjalizimit dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.

8. Mekanizmi i sinjalizimit administrohet nga një person, drejtori ose sektor i veçantë, brenda autoritetit publik ose subjektit privat. Në subjektin privat ky shërbim mund të ofrohet edhe nga një palë e tretë e jashtme.

9. Palët e treta, që menaxhojnë mekanizmin e sinjalizimit për subjektet juridike në sektorin privat, duhet të ofrojnë garanci të përshtatshme për respektimin e pavarësisë, konfidencialitetit, mbrojtjes së të dhënave dhe anonimitetit, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

10. Subjektet juridike në sektorin privat, që ushtrojnë të njëjtën fushë veprimtarie dhe kanë nga 50 deri në 249 punonjës, mund të krijojnë një njësi të përbashkët përgjegjëse për trajtimin e sinjalizimeve, duke garantuar në çdo rast respektimin e parimit të konfidencialitetit, të së drejtës për informim dhe detyrimin për të trajtuar çdo rast të sinjalizuar.

11. Nga detyrimi për krijimin e njësisë përgjegjëse përjashtohen bashkitë, që kanë më pak se 10 000 banorë ose më pak se 50 punonjës.

12. Njësia përgjegjëse paraqet pranë ILDKPKI-së, jo më vonë se data 15 janar e vitit pasardhës, raportin vjetor të konsoliduar për sinjalizimet e marra dhe trajtimin e tyre, sipas formatit të përcaktuar nga ILDKPKI-ja.

13. ILDKPKI-ja përcakton me udhëzim strukturën dhe kriteret e përzgjedhjes e trajnimin e punonjësve të njësisë përgjegjëse të subjekteve private. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim marrëdhëniet e punës, strukturën dhe kriteret e përzgjedhjes së punonjësve të njësisë përgjegjëse në autoritetet publike.

Neni 15
Detyrimet e njësisë përgjegjëse

1. Njësia përgjegjëse ka detyrimin:

a) të pranojë, të regjistrojë dhe të konfirmojë marrjen e sinjalizimit, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes, përveç rasteve kur sinjalizuesi ka kërkuar shprehimisht të mos merret konfirmim ose kur konfirmimi rrezikon mbrojtjen e identitetit të tij;
b) të ndjekë me përgjegjshmëri e të informojë sinjalizuesin për ecurinë e sinjalizimit dhe rezultatin përfundimtar, jo më vonë se 3 muaj nga data e konfirmimit të regjistrimit të sinjalizimit. Ky afat zbatohet edhe në rastet kur konfirmimi nuk është dërguar;
c) të sigurojë që kanalet e sinjalizimit të organizohen e të funksionojnë në mënyrë të sigurt, duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të identitetit të sinjalizuesit dhe të çdo personi të tretë të përmendur në sinjalizim, si dhe duke parandaluar aksesin e paautorizuar ndaj informacionit të përfshirë në sinjalizim;
ç) të sigurojë informacion të qartë e të nevojshëm për procedurat e raportimit të brendshëm, përfshirë mënyrën e përdorimit të tyre dhe masat e mbrojtjes për sinjalizuesit.

2. Punonjësi i ngarkuar me trajtimin e sinjalizimeve në njësinë përgjegjëse gëzon pavarësi në ushtrimin e kompetencave të tij, veçanërisht në rastet kur sinjalizimi lidhet me veprimtarinë e punëdhënësit ose përfshin masa për mbrojtjen e sinjalizuesit.

3. Punonjësi i autorizuar për regjistrimin dhe shqyrtimin e sinjalizimeve gëzon të drejtën e mbrojtjes sipas këtij ligji, nëse bëhet objekt i veprimeve hakmarrëse për shkak të ushtrimit të detyrës.

4. Nëse sinjalizimi është marrë nga një person që nuk është i autorizuar për të vepruar sipas ligjit, ky person ka detyrimin ta përcjellë pa vonesë sinjalizimin te punonjësi i njësisë përgjegjëse ose tek autoriteti kompetent, duke ruajtur identitetin e sinjalizuesit dhe të çdo informacioni, që mund ta zbulojë atë.

Neni 16
Autoriteti kompetent

1. Në përputhje me këtë ligj, ILDKPKI-ja:

a) pranon, regjistron dhe konfirmon marrjen e sinjalizimit, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes, përveç rasteve kur sinjalizuesi ka kërkuar shprehimisht të mos merret konfirmim ose kur konfirmimi rrezikon mbrojtjen e identitetit të tij;
b) brenda 7 ditëve nga marrja e sinjalizimit, harton një raport, ku vlerëson nëse të drejtat e sinjalizuesit janë shkelur ose janë vënë në rrezik;
c) vlerëson nevojën për marrjen e masave të përkohshme për mbrojtjen e sinjalizuesit nëse krijohet bindja se ai mund të jetë objekt i veprimeve hakmarrëse;
ç) përcjell raportin për shkeljen e mundshme tek institucioni përgjegjës, ndjek ecurinë e hetimit dhe informon sinjalizuesin për rezultatet;
d) trajton kërkesat për mbrojtje nga veprime hakmarrëse të paraqitura nga sinjalizuesi;
dh) heton çdo veprim hakmarrës ndaj sinjalizuesit;
e) jep informacion të përgjithshëm për procedurat e sinjalizimit dhe mbrojtjen e të drejtave të sinjalizuesit;
ë) garanton ruajtjen e identitetit të sinjalizuesit dhe të të dhënave të marra nga sinjalizimi ndaj çdo zbulimi të paautorizuar;
f) harton një dokument të plotë dhe lehtësisht të aksesueshëm, që përshkruan procedurat për paraqitjen e një sinjalizimi pranë autoritetit kompetent.

2. ILDKPKI-ja ndjek procedurën e mbrojtjes së sinjalizuesit dhe të personave të lidhur me të, në përputhje me këtë ligj.

3. ILDKPKI-ja siguron e përdor burimet e nevojshme për regjistrimin, ndjekjen dhe komunikimin me sinjalizuesin gjatë trajtimit të sinjalizimit.

4. ILDKPKI-ja krijon mekanizma të jashtëm të pavarur e funksionalë për marrjen dhe trajtimin e sinjalizimeve; i kthen përgjigje sinjalizuesit brenda tre muajve nga data e konfirmimit të regjistrimit të sinjalizimit ose jo më vonë se gjashtë muaj, në raste të justifikuara me shkrim; njofton sinjalizuesin për rezultatin përfundimtar të hetimit administrativ dhe për përfundimet e raportit të trajtuar nga institucioni përkatës; si dhe mban komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për vijimin e hetimit.

5. ILDKPKI-ja ofron masa mbështetëse për sinjalizuesit, duke përfshirë këshillim dhe orientim për të drejtat e detyrimet që rrjedhin nga ky ligj, si dhe akses në informacion, në çdo rast që vlerësohet i nevojshëm.

6. Pas shqyrtimit të rrethanave dhe fakteve të paraqitura, ILDKPKI-ja vendos mbylljen e procedurës kur vlerëson se nuk ekziston shkelje ose kur ka arsye të tjera të objektive.

7. ILDKPKI-ja mbyll shqyrtimin e sinjalizimeve të përsëritura, që nuk përmbajnë informacione të reja, përveç rasteve kur paraqiten rrethana të reja ose prova të rëndësishme, që justifikojnë rihapjen e çështjes.

8. Në rastet kur ka për trajtim një numër të lartë sinjalizimesh, ILDKPKI-ja u jep përparësi atyre që lidhen me çështje me interes të lartë publik.

9. Çdo autoritet që merr një sinjalizim, por nuk është kompetent për trajtimin e tij, është i detyruar ta përcjellë atë tek ILDKPKI-ja dhe të njoftojë sinjalizuesin, duke ruajtur identitetin e sinjalizuesit e çdo informacion, që mund ta zbulojë atë.

10. ILDKPKI-ja cakton personel të trajnuar posaçërisht për të informuar personat e interesuar për procedurat e sinjalizimit, për të pranuar e për të ndjekur sinjalizimet, si dhe për të mbajtur kontakt me sinjalizuesin gjatë gjithë procesit.

Neni 17
Sinjalizimi anonim

1. Sinjalizimet anonime trajtohen nga njësia përgjegjëse ose nga ILDKPKI-ja në të njëjtën mënyrë, si çdo sinjalizim tjetër, pa vendosur kushte shtesë për marrjen, shqyrtimin dhe verifikimin e tyre.

2. Sinjalizimi anonim duhet të bëhet nëpërmjet mekanizmit të brendshëm, të jashtëm ose nëpërmjet publikimit, në përputhje me parashikimet e përcaktuara në këtë ligj.

3. Identiteti i sinjalizuesit, në rastet kur identifikohet, mund të bëhet i njohur vetëm me pëlqimin e tij të shprehur ose me kërkesë të organeve procedurale kompetente, në përputhje me ligjin.

Neni 18
Sinjalizimi publik

Sinjalizuesi, që bën publikisht një sinjalizim për një shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, përfiton mbrojtje sipas këtij ligji, nëse plotësohet të paktën një nga kushtet e mëposhtme:

a) Personi fillimisht ka sinjalizuar nëpërmjet mekanizmit të sinjalizimit të brendshëm e të jashtëm të sinjalizimit ose ka kryer drejtpërdrejt një sinjalizim të jashtëm të autoritetit kompetent, por brenda afateve dhe kushteve të përcaktuara në këtë ligj, nuk janë ndërmarrë veprime të nevojshme si përgjigje ndaj tij;
b) Sinjalizuesi ka arsye të bazuara për të besuar se:

i. shkelja paraqet një rrezik të menjëhershëm ose serioz për dëme të pakthyeshme në shëndetin publik, sigurinë, mjedisin ose interesin publik; ose
ii. adresimi efektiv i shkeljes është i kufizuar për shkak të rrethanave të veçanta, siç janë rastet kur ekziston rreziku, që provat të fshihen ose të shkatërrohen, ose kur autoriteti kompetent është bashkëpunëtor me të sinjalizuarin apo është vetë i përfshirë në shkelje.

Neni 19
Mbikëqyrja dhe informimi nga autoriteti kompetent

1. ILDKPKI-ja është organi përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji dhe për ofrimin e informacionit për të.

2. ILDKPKI-ja raporton një herë në vit në Kuvend edhe për zbatimin e këtij ligji dhe veprimtarinë në mbrojtje të sinjalizuesve, përgjatë raportimit vjetor institucional.

3. ILDKPKI-ja publikon në faqen e saj zyrtare të internetit informacion të përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji, përfshirë veçanërisht:

a) kushtet për përfitimin e së drejtës për mbrojtje;
b) të dhënat e kontaktit për marrjen e sinjalizimeve, përfshirë adresën e postare, adresën elektronike dhe me një sqarim të qartë nëse bisedat telefonike regjistrohen;
c) procedurat e ndjekura për hetimin e sinjalizimeve, duke përfshirë mënyrën se si njësitë përgjegjëse, në bashkëpunim me ILDKPKI-në, mund të kërkojnë nga sinjalizuesi sqarime apo informacion shtesë, afatet për paraqitjen e tyre, si dhe llojin e përmbajtjen e kërkuar të tyre;
ç) mjetet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen nga veprimet hakmarrëse;
d) kushtet në të cilat personat, që sinjalizojnë pranë autoritetit kompetent, përjashtohen nga përgjegjësia për shkelje të konfidencialitetit;
dh) monitorimin dhe nxjerrjen e udhëzimeve për funksionimin e mekanizmit të raportimit të brendshëm e të jashtëm, sipas parashikimeve të këtij ligji;
e) kontrollin për funksionimin e njësive përgjegjëse;
ë) konstatimin e kundërvajtjeve administrative dhe vendosjen e sanksioneve përkatëse, në përputhje me parashikimet e këtij ligji;
f) hartimin e vlerësimeve dhe nxjerrjen e rekomandimeve për zbatimin e këtij ligji, bazuar në raportet vjetore të paraqitura nga njësitë përgjegjëse;
g) ofrimin e këshillimit dhe të mbështetjes për zbatimin e këtij ligji;
gj) ndërmarrjen e veprimtarive ndërgjegjësuese për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;
h) regjimin e konfidencialitetit të zbatueshëm për sinjalizimet, përfshirë informacionin për mënyrën e përpunimit të të dhënave personale, bazën ligjore e qëllimin e përpunimit, afatet e ruajtjes së tyre, si dhe të drejtat e subjekteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

4. ILDKPKI-ja rishikon periodikisht zbatimin e këtij ligji dhe efektivitetin e procedurave për marrjen, trajtimin e ndjekjen e sinjalizimeve, të paktën një herë në tre vjet.

5. Rishikimi bazohet në përvojën e zbatimit të ligjit në të dhënat e mbledhura nga njësitë përgjegjëse e në bashkëpunimin me autoritetet e tjera publike, si dhe përfshin rekomandime për përmirësimin e sistemit të sinjalizimit e të masave mbrojtëse.
Neni 20
Procedura e hetimit administrativ
1. Sipas rastit, çdo njësi përgjegjëse ose ILDKPKI-ja heton administrativisht sinjalizimin, në përputhje me procedurën e përcaktuar në këtë ligj. Për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këtë ligj, njësia përgjegjëse pranë autoritetit publik dhe pranë ILDKPKI-së zbatojnë dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

2. Procedura e hetimit administrativ të sinjalizimit përfundon sa më shpejt që të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 90 ditë nga data e fillimit të saj.

3. Gjatë hetimit, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja shqyrton dhe vlerëson pretendimet e sinjalizuesit. Për këtë qëllim, mund të kërkojë dokumentacion dhe të dhëna, të urdhërojë inspektime ose analiza, të mbledhë deklarata, të marrë në pyetje persona që kanë dijeni për çështjen, si dhe të angazhojë ekspertë të jashtëm, kur vlerësohet e nevojshme.

4. Në procesin e hetimit administrativ merr pjesë sinjalizuesi dhe çdo palë e tretë, kur dyshohet se posedon dokumente ose ka dijeni për rrethanat e sinjalizuara, përfshirë edhe personin e sinjalizuar, kur kjo çmohet e nevojshme nga drejtuesi i hetimit.

5. Çdo pale pjesëmarrëse në hetimin administrativ i garantohet një proces i rregullt, në përputhje me parashikimet në Kodin e Procedurave Administrative, përfshirë:

a) të drejtën për të paraqitur deklarata me shkrim, argumente ose opinione;
b) të drejtën për t’u njohur me dosjen e hetimit, me përjashtim të çdo informacioni, që mund të çojë në identifikimin e sinjalizuesit; të dhënat e sinjalizuesit paraqiten në mënyrë të anonimizuar;
c) të drejtën për t’u dëgjuar për pretendimet e parashtruara.

6. Çdo institucion publik ose subjekt privat është i detyruar të vërë në dispozicion të hetimit të dhënat, dokumentet dhe provat që disponon.

7. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja njofton sinjalizuesin për çdo masë të marrë në përgjigje të sinjalizimit, jo më vonë se 30 ditë nga data e marrjes së masës. Gjithashtu, njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja është e detyruar të përgjigjet, brenda 30 ditëve, për çdo kërkesë me shkrim të paraqitur nga sinjalizuesi në lidhje me ecurinë e çështjes.

8. Çdo autoritet publik dhe subjekt privat miraton rregullore të brendshme për procedurat e hetimit administrativ dhe masat për mbrojtjen e konfidencialitetit, sipas këtij ligji dhe në përputhje me udhëzimet e autoritetit kompetent.

9. Për çështjet që bëjnë pjesë në fushën e zbatimit të ligjit nr.9049/2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të personave që ushtrojnë funksione publike dhe disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.9367/2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, autoriteti kompetent për trajtimin e tyre është ILDKPKI-ja.

Neni 21
Mosfillimi dhe përfundimi i hetimit të sinjalizimit

1. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja vendos mosfillimin e hetimit administrativ kur:

a) sinjalizimi, me përjashtim të rasteve të sinjalizimit anonim, nuk është depozituar sipas formës dhe përmbajtjes së kërkuar nga ky ligj dhe sinjalizuesi nuk i korrigjon këto të meta, brenda 7 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për plotësim;
b) sinjalizimi përmban fakte apo rrethana, që nuk përfshihen në fushën e zbatimit të këtij ligji;
c) nga përmbajtja e sinjalizimit, si dhe nga verifikimi paraprak rezulton qartë se nuk ekzistojnë elemente të një kundërvajtjeje administrative ose të një vepre penale.

2. Njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja përfundon hetimin administrativ kur:

a) gjatë hetimit administrativ, konstatohet se sinjalizimi është i bazuar; ai referohet pranë autoritetit kompetent, kur përmban elemente të kundërvajtjes administrative, ose në organet e prokurorisë, kur dyshohet për vepër penale. Referimi bëhet me të dhëna të anonimizuara ose të depersonalizuara në lidhje me identitetin e sinjalizuesit;
b) sinjalizimi rezulton i pabazuar në fakte dhe të dhëna;
c) sinjalizuesi ka paraqitur me dashje informacion të rremë ose të pasaktë.

3. Në dosjen e sinjalizimit dokumentohen vendimi për mosfillimin ose përfundimin e hetimit administrativ, arsyet përkatëse, që justifikojnë vendimmarrjen, dhe çdo masë e marrë në lidhje me sinjalizimin.

KREU IV
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E SINJALIZUESIT, NJËSISË PËRGJEGJËSE E TË AUTORITETIT KOMPETENT

Neni 22
Procedura e hetimit të kërkesës për mbrojtje

1. Procedura e hetimit të kërkesës për mbrojtje nga veprimet hakmarrëse fillon me dorëzimin e kërkesës së sinjalizuesit pranë autoritetit kompetent.

2. ILDKPKI-ja regjistron dhe shqyrton kërkesën për të vlerësuar nëse ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të besuar se një veprim hakmarrës ka ndodhur, është duke ndodhur ose pritet të ndodhë.

3. Brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës, ILDKPKI-ja njofton me shkrim sinjalizuesin për regjistrimin e saj dhe i bën me dije emrin e punonjësit përgjegjës për ndjekjen e çështjes.

4. ILDKPKI-ja merr masa të menjëhershme, jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e kërkesës dhe, kur çmon se ekziston rreziku i një veprimi hakmarrës, vendos me një akt të ndërmjetëm të arsyetuar pezullimin e çdo veprimi hakmarrës ndaj sinjalizuesit, deri në përfundimin e hetimit.

5. Vendimi i përkohshëm i njoftohet vetëm sinjalizuesit, përveç rasteve kur zbatimi i tij kërkon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të institucionit apo të subjektit privat për ndalimin e një veprimi të identifikuar.

6. ILDKPKI-ja njofton me shkrim sinjalizuesin, brenda 7 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për mbrojtje, për statusin e hetimit administrativ dhe për çdo veprim procedural të ndërmarrë.

7. Pavarësisht afatit të njoftimit të parashikuar në këtë nen, ILDKPKI-ja është e detyruar t’i përgjigjet çdo kërkese për informacion, të paraqitur me shkrim nga sinjalizuesi, në çdo kohë, në lidhje me shqyrtimin e kërkesës së tij për mbrojtje.

8. Procedura e hetimit administrativ të kërkesës për mbrojtje përfundon sa më shpejt të jetë e mundur, por, në çdo rast, jo më vonë se 60 ditë nga data e regjistrimit të kërkesës.

9. Autoriteti publik ose subjekti privat, me kërkesë të ILDKPKI-së, duhet të provojë se masat e marra në dëm të sinjalizuesit nuk lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me sinjalizimin.

10. ILDKPKI-ja përcakton rregullat për procedurën e shqyrtimit të kërkesës së sinjalizuesit për mbrojtje nga veprimet hakmarrëse.

Neni 23
Mbrojtja nga veprimet hakmarrëse

1. Personat që sinjalizojnë shkelje të mundshme të kuadrit ligjor, në përputhje me këtë ligj, nuk konsiderohen si shkelës të ndonjë ndalese për informacionin e publikuar dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore për raportimin ose publikimin e tyre, me kusht që ata të kenë pasur shkaqe të arsyeshme për të besuar se raportimi ose publikimi ishte i nevojshëm për të zbuluar një shkelje, në përputhje me këtë ligj.

2. Sinjalizuesit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për marrjen ose aksesimin e informacionit, që raportohet apo që publikohet, për sa kohë që ky veprim nuk përbën një vepër penale të veçantë. Në rastet kur marrja ose aksesimi përbën një vepër penale të veçantë, përgjegjësia penale vlerësohet dhe trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.

3. Çdo përgjegjësi tjetër e sinjalizuesit, që rrjedh nga veprime ose mosveprime të palidhura me sinjalizimin, ose që nuk janë të domosdoshme për të zbuluar një shkelje, do të trajtohet sipas legjislacionit specifik në fuqi.

4. Sinjalizuesi, ndihmësi dhe personat e lidhur me sinjalizuesin kanë akses në mjete juridike mbrojtëse kundër veprimeve hakmarrëse, përfshirë masat e përkohshme, deri në përfundimin e procedurave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

5. Sinjalizuesi, ndihmësi dhe personat e lidhur me sinjalizuesin nuk i nënshtrohen përgjegjësisë ligjore për shkak të raportimit ose publikimit të kryer në përputhje me këtë ligj, duke përfshirë veprimet, që kanë si objekt shpifjen, fyerjen, cenimin e privatësisë dhe të të dhënave personale, shkeljen e sekretit tregtar ose të drejtave të pronësisë intelektuale apo të së drejtës së autorit, kur sinjalizuesi ka pasur shkaqe të arsyeshme për të besuar se raportimi ose publikimi ishte i domosdoshëm për zbulimin e shkeljes, në përputhje me këtë ligj.

6. Me kërkesë të sinjalizuesit, gjykata mund të urdhërojë marrjen e masave të përkohshme për të shmangur pasojat e rënda dhe të pariparueshme, që rrjedhin nga veprimet hakmarrëse. Sinjalizuesi, ndihmësi dhe personat e lidhur me sinjalizuesin kanë të drejtë të kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar nga veprimet hakmarrëse.

7. Në çdo procedurë gjyqësore ose administrative, që ka të bëjë me veprime hakmarrëse, pasi sinjalizuesi ose personi i mbrojtur provon se ka bërë një sinjalizim dhe ka pësuar dëm, prezumohet se dëmi është rezultat i hakmarrjes. Barra e provës bie mbi punëdhënësin, autoritetin publik ose subjektin privat për të provuar se masa është ndërmarrë për arsye të ligjshme dhe të pavarura nga sinjalizimi.

Neni 24
Kompensimi i dëmit në rastet e sinjalizimit në keqbesim

1. Sinjalizimi kryhet me përgjegjshmëri, pa shpifur, pa mashtruar apo pa dhënë informacion të rremë, në dëm të personave të përfshirë në sinjalizim.
2. Nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor provohet se sinjalizuesi, me dijeni të plotë, ka kryer një sinjalizim të rremë, personave të përfshirë u lind e drejta të kërkojnë kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Neni 25
Masat për mbrojtjen e personave të përfshirë

1. Personat e përfshirë në sinjalizim, përfshirë ata ndaj të cilëve është bërë raportimi ose publikimi i shkeljes, gëzojnë të drejtën për një mjet juridik efektiv dhe për një proces të rregullt ligjor. Këto të drejta përfshijnë, ndër të tjera, parimin e prezumimit të pafajësisë, të drejtën për mbrojtje, të drejtën për t’u dëgjuar dhe të drejtën për t’u njohur me dokumentacionin përkatës.

2. ILDKPKI-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi, garanton mbrojtjen e identitetit të personave të përfshirë, për sa kohë që hetimet e nisura si rezultat i sinjalizimit ose, publikimit janë në proces.

3. Dispozitat e këtij ligji, që rregullojnë konfidencialitetin dhe mbrojtjen e identitetit të sinjalizuesit, zbatohen në mënyrë të njëjtë edhe për personat e përfshirë, deri në përfundimin e procedurave administrative përkatëse.

KREU V
TRANSPARENCA E SISTEMIT TË MBROJTJES SË SINJALIZUESVE

Neni 26
Raportimi

1. ILDKPKI-ja publikon çdo vit raport për zbatimin e këtij ligji, në të cilin përfshihen numri i rasteve të sinjalizuara, rezultatet e trajtimit të tyre, koha mesatare e trajtimit të rasteve, si dhe masat e marra për zbatimin e mekanizmave të mbrojtjes kundër veprimeve hakmarrëse.

2. Raporti vjetor nuk përmban të dhëna që mund të zbulojnë identitetin e sinjalizuesve ose të personave të përfshirë.

3. Raporti publikohet në faqen zyrtare të ILDKPKI-së.

4. ILDKPKI-ja publikon periodikisht të dhëna të përmbledhura për ecurinë e sinjalizimeve dhe masat mbrojtëse të ndërmarra, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

KREU VI
SHKELJET DHE MASAT ADMINISTRATIVE

Neni 27
Kundërvajtje dhe masa administrative

1. Shkelja e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, si më poshtë vijon:

a) Moscaktimi i njësisë përgjegjëse nga autoriteti publik ose subjekti privat dënohet me gjobë 100 000 lekë. Në rast se shkelja përsëritet, autoriteti publik ose subjekti privat dënohet me gjobë 500 000 lekë;
b) Mospërmbushja e detyrimit për dërgimin e raportit vjetor nga njësia përgjegjëse pranë autoritetit kompetent, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
c) Pengimi, përpjekja ose kërcënimi për të penguar sinjalizimin, sipas parashikimeve të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
ç) Çdo veprim hakmarrës ndaj personave të përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, përfshirë sinjalizuesin, ndihmësit, personat e lidhur me të, përfshirë përpjekjet dhe kërcënimet apo moszbatimin e urdhrit të ILDKPKI-së për të pezulluar ose për të ndërprerë veprimet hakmarrëse, i ndërmarrë nga autoriteti publik ose nga subjekti privat, sipas këtij ligji, përfshirë refuzimin për të vepruar sipas nenit 22, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 300 000 lekë deri në 500 000 lekë;
d) Shkelja e parimeve të hetimit të sinjalizimit nga punonjësi, sipas nenit 22, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
dh) Shkelja e detyrimit për ruajtjen e konfidencialitetit, sipas nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 150 000 deri në 300 000 lekë;
e) Mosfillimi i hetimit ose përfundimi i hetimit administrativ nga punonjësi, në kundërshtim me nenin 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
ë) Fillimi i procedurave të paligjshme ndaj sinjalizuesit dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë;
f) Sinjalizimi i rremë, vetëm në rastet kur vërtetohet se është kryer me vetëdije të plotë nga sinjalizuesi, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 300 000 lekë.

2. Autoriteti kompetent për konstatimin e kundërvajtjeve dhe vendosjen e masave administrative është ILDKPKI-ja.

3. Kundër vendimit të ILDKPKI-së mund të bëhet ankim, sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.

4. Të ardhurat nga gjobat kalojnë në buxhetin e shtetit.
KREU VII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 28
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 13, të nenit 14, të këtij ligji.

2. Ngarkohet ILDKPKI-ja, që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore, në zbatim të pikës 13, të nenit 14, dhe të pikës 10, të nenit 22, të këtij ligji.

3. Ngarkohen subjektet private dhe autoritetet publike, në përputhje me udhëzimet e ILDKPKI-së, që, brenda gjashtë muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të miratojnë rregulloret e parashikuara në pikën 3, të nenit 14, dhe në pikën 8, të nenit 20, të këtij ligji.

Neni 29
Dispozitë tranzitore

Shkronjat “a” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 3; paragrafi i dytë, i pikës 2, të nenit 3; pika 7, e nenit 3; pika 4, e nenit 7; si dhe pika 2, e nenit 14, të këtij ligji, do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Neni 30
Shfuqizime

Ligji nr.60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 31
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
NIKO PELESHI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SINJALIZIMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.