Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 qershor 2016
 
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9270, DATË 29.7.2004, “PËR SISTEMIN E ADRESAVE”, TË NDRYSHUAR
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon: 
 
Neni 1
 
Neni 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:  
 
“Neni 1
 
Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e krijimit e të administrimit të sistemit kombëtar të adresave si dhe kriteret për vendosjen e adresës së saktë e unike për çdo ndërtesë, apartament dhe truall të lirë brenda së njëjtës njësi të vetëqeverisjes vendore në territorin e Republikës së Shqipërisë.”. 
 
 
Neni 2
 
Pikat 1, 2 dhe 3, të nenit 1/1,  ndryshohen, si më poshtë vijon: 
 
“1. “Adresa” përbëhet nga fjalë, numra dhe shenja ortografike, të renditura sipas një rregulli të caktuar, të cilat tregojnë vendndodhjen e saktë dhe unike të një ndërtese, apartamenti ose të një trualli të lirë. Ajo formohet nga shkronja të alfabetit shqip dhe numra arabë. 
 
2. “Bulevardi”, “rruga”, “rrugica”, “sheshi” dhe “parku” janë pjesë të territorit publik, që shërbejnë si referencë për përshkrimin e vendndodhjes së saktë dhe unike të një ndërtese, apartamenti dhe të një trualli të lirë brenda së njëjtës njësi të vetëqeverisjes vendore në territorin e Republikës së Shqipërisë. 
 
3. “Regjistri vendor i adresave” është dokumenti shtetëror ku hidhen, ruhen dhe pasqyrohen, në mënyrë të vazhdueshme, elementet përbërëse të adresës së ndërtesave, apartamenteve dhe të truallit të lirë për secilën njësi të vetëqeverisjes vendore në territorin e Republikës së Shqipërisë.”.
 
Neni 3
 
Neni 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Neni 2
 
1. Adresa shërben për të identifikuar në mënyrë të saktë e unike vendndodhjen e çdo ndërtese, apartamenti apo trualli të lirë, në shkallë vendi, dhe përbëhet nga këto elemente:  
a) Emri i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në të cilin ndodhet ndërtesa; 
b) Emri i njësisë administrative, në të cilin ndodhet ndërtesa;
c) Emri i qytetit ose fshatit ku ndodhet ndërtesa; 
ç) Emri i bulevardit/rrugës/rrugicës/sheshit ose parkut ku ka daljen ndërtesa dhe përcaktohet vetëm me njërin nga elementet e mësipërm. Emri formohet nga shkronja të alfabetit shqip dhe numra arabë, por jo vetëm me numra; 
d) Numri rendor i ndërtesës, bulevardit/rrugës/rrugicës/parkut ose sheshit. Ky numër rendor mund të jetë: 
i. një numër natyror; 
ii. dy numra natyrorë, të ndarë me shenjën e fraksionit (/). 
dh) Numri i hyrjes, që shërben për identifikimin e hyrjes në të njëjtën ndërtesë. Ky numër rendor mund të jetë: 
i. një numër natyror; 
ii. dy numra natyrorë, të ndarë me shenjën e fraksionit (/). 
e) Numri i apartamentit, që shërben për identifikimin e një banese/biznesi në një hyrje të ndërtesës. Ky numër rendor mund të jetë:
i. një numër natyror;
ii. dy numra natyrorë, të ndarë me shenjën e fraksionit (/).
f) Kodi postar, i miratuar.
 
2. Radha e vendosjes së elementeve të adresës përcaktohet me udhëzim të ministrit të Punëve të Brendshme.”.
 
Neni 4
 
Neni 3 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 3
 
Emërtimi i bulevardeve, rrugëve, rrugicave, shesheve dhe parqeve bëhet me vendim të këshillit të njësive të vetëqeverisjes vendore, nën juridiksionin e të cilave ato ndodhen, ndërsa numërtimi i ndërtesave, hyrjeve dhe apartamenteve bëhet nga seksionet/zyrat e urbanistikës në bashkitë/njësitë administrative, nën juridiksionin e të cilave ato ndodhen.”.
 
Neni 5
 
Neni 7 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Neni 7
 
Standardet dhe rregullat për emërtimin e bulevardeve, të rrugëve, rrugicave, shesheve e parqeve, nga autoritetet përgjegjëse, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 6
 
Pika 1, e nenit 14, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Në qoftë se një ndërtesë ka dy ose më shumë hyrje që dalin në një bulevard, rrugë, rrugicë, shesh ose park, të cilat përdoren për hyrje dhe dalje, secilës hyrje i vihet një numër natyror ose dy numra natyrorë, të ndarë me shenjën e fraksionit (/).”.
 
Neni 7
 
 Neni 29 ndryshohet, me këtë përmbajtje: 
 
“Neni 29
 
1. Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore duhet të bëjnë emërtimet e bulevardeve, të rrugëve, rrugicave, shesheve dhe parqeve ekzistuese të paemërtuara, brenda datës 31 dhjetor 2016.
 
2. Seksionet/zyrat e urbanistikës në njësitë e vetëqeverisjes vendore/njësitë administrative duhet të bëjnë adresimin numerik të brendshëm e të jashtëm të objekteve ekzistuese, brenda datës 31 dhjetor 2016.
 
3. Nëse njësitë e vetëqeverisjes vendore nuk përmbushin detyrimet ligjore të përcaktuara në pikat 1 e 2, të këtij neni, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, ato përmbushen nga Prefekti i Qarkut, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
 
Neni 8
 
Neni 30 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 30
 
Vënia në shfrytëzim e bulevardeve, rrugëve, rrugicave, shesheve dhe parqeve, që ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, shoqërohet, detyrimisht, me emërtimin përkatës, të bërë nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, me propozimin e kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.”.
 
Neni 9
 
Neni 31 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 31
 
Seksionet/zyrat e urbanistikës së njësive të vetëqeverisjes vendore/njësisë administrative përkatëse detyrohen të përcaktojnë adresë të plotë për objektin që në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit.”.
 
Neni 10
 
Neni 32 ndryshohet, me këtë përmbjtje: 
 
“Neni 32
 
Shkelja ose mosrespektimi i detyrimit ligjor, nga personat përgjegjës në seksionet dhe zyrat e urbanistikës të njësive të vetëqeverisjes vendore, të përcaktuar në:
a) pikën 2, të nenit 29, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) nenin 31, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.”.
 
Neni 11
 
Neni 33 ndryshohet, si më poshtë vijon: 
 
“Neni 33
 
Gjobat e parashikuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 32, vendosen nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe ankimohen në gjykatën kompetente për çështjet administrative, sipas legjislacionit në fuqi.”.
 
Neni 12
 
Pas nenit 33 shtohet neni 34, me këtë përmbajtje:
 
“Neni 34
Nxjerrja e akteve nënligjore
 
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë vendim, në zbatim të neneve 7 dhe 29, pika 3, të këtij ligji.
 
2. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme të nxjerrë udhëzim, në zbatim të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.”.
 
Neni 13
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
 
K R Y E T A R I
ILIR META
###
V E N D I M 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9270, DATË 29.7.2004, “PËR SISTEMIN E ADRESAVE”, TË NDRYSHUAR”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.