Bashkëbisedim i Kryeministrit Rama me fermerë të Maliqit, Korçë:
Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit që jeni këtu për të diskutuar mbi gjithë programin tonë të rilindjes në fshat, i cili për shkak të një trashëgimie shumë mizerabël të kaq shumë viteve, ka nisur nga dy gjëra thelbësore jetike që normalisht as nuk duhet të diskutoheshin në vitin 2016 në mes të Europës, uji në parcelë nga njëra anë dhe titujt e pronësisë nga ana tjetër.
Është e pabesueshme, por në fakt është realiteti i përditshëm i qindra, mijëra familjeve të fermerëve në 25 vjet që në këtë vend këto dy çështje jetike themelore nuk u trajtuan kurrë me seriozitet dhe u arrit që dhjetëra e dhjetëra, mijëra familje fermere të jetonin në mëshirën e fatit për shkak të mungesës së ujit në parcelë, ashtu sikundër u arrit që në 25 vjet Shqipëria të mos krijonte tregun e tokës. I vetmi vend në Europë dhe ndoshta nga të paktët në botë që nuk ka një treg toke sepse s’ka akoma tituj legjitimë pronësie mbi tokën në fshat.
Sigurisht që ky është një proces që nuk mund të fillonte pa u bërë reforma territoriale administrative, sepse nuk mundet dot të hapnim këtë operacion kaq themelor dhe kaq kapilar në gjithë territorin me 400 njësi administrative, me një situatë copëzimi në të gjitha aspektet, dhe me administrata që ishin pa lidhje fare me problemet themelore.
Menjëherë me kryerjen e reformës territoriale administrative dhe me krijimin e këtyre 61 bashkive të reja që janë njësi administrative dhe ekonomike, ne i dedikuam rilindjes në fshat paketën më të madhe financiare që ndonjë qeveri shqiptare ka vënë në dispozicion të ujitjes dhe sot jemi në kushtet kur mund të themi me plot gojën që nga 130 mijë afërsisht hektarë që ishin nën ujë, pra që ujiteshin normalisht në vitin 2013, në sezonin e ardhshëm do të shkojmë në 225 mijë hektarë. Parafytyroni një vend i cili e ka këtë klimë, ka këtë tokë, ka kaq shumë ujë që u desh të priste 25 vjet për të pasur rentabilitet në tokën e bukës që u pengua vetëm për shkak të ujit.
Këtu në Maliq është bërë një punë kolosale nga bashkia dhe janë pastruar rreth 90 km kanale, mbeten për t’u pastruar akoma një sasi e konsiderueshme, por me ardhjen e ekskavatorëve të rinj dhe me krijimin për herë të parë pas rënies së regjimit të vjetër të një flote moderne ekskavatorësh dhe të bërthamave të ndërmarrjeve bashkiake të ujitjes dhe të kullimit do kemi një pasqyrë krejt tjetër dhe nuk do kemi nevojë të merremi me këto histori dhe me këto aksione sepse do të jetë një normalitet i punës së bashkisë të mirëmbajë kanalet ujitëse dhe kulluese. Parafytyroni që ekskavatori i fundit në Shqipëri nga shteti ka ardhur në vitin 2005 dhe parafytyroni që flota e ekskavatorëve që është baza mekanike për të patur normalitet në bujqësi ishte një flotë që kishte mjete të viteve’70, akoma dhurata të dashurisë me Kinën. Ndërkohë që e kam treguar edhe në vend tjetër, shkova në një bashki në një zonë tjetër edhe bëra një vizitë në godinë dhe shikoj disa fotografi aty ku mes të cilave ishte dhe fotografia e një personazhi që s’kishte lidhje fare me atë zonë. U bëra kurioz dhe i thashë po ky çdo këtu? – E kemi qytetar nderi, – më thanë. Po pse e keni bërë qytetar nderi? – Se para 15 vjetësh, – thanë – na solli një ekskavator që s’punonte. E faktikisht ishte një nga ekskavatorët që s’punonin në zona të tjera dhe ai ja kishte dhuruar këtyre dhe mesa duket ata e kishin vënë në punë duke e shtyre, po ç’ rëndësi ka. Kjo tregon se çfarë mesjete ka qënë marrëdhënia e shtetit me fshatin.
Ndërkohë që paralelisht ne kemi filluar një fazë komplet të re të sistemit të ujitjes me projektin e parë të teknologjisë më të avancuar të ujitjes me sistem hidraulik, pra njësoj siç janë ujësjellësit që sjellin ujin në shtëpi, duhet të jenë në fakt edhe kanalet që sjellin ujin në parcelë, të mbuluar me matësa dhe me eficencë maksimale të përdorimit të ujit. Është një projekt që fillon në fund të këtij muaji, në fillim të muajit tjetër në zonën e Myzeqesë, mbulon Divjakën, Lushnjën, Roskovecin dhe një pjesë të zonës së Fierit dhe është hapi i parë i një procesi që po të kishte filluar 20 e ca vite më parë, sot do ishte mbyllur dhe s’do kishte më asnjë problem.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për pritshmëritë e larta të njerëzve dhe për padurimin e njerëzve sepse kanë 20 e ca vjet që durojnë, por nga ana tjetër është e qartë që me mundësitë që kemi duke i shfrytëzuar ato maksimalisht me kohën që kemi në dispozicion nuk është se mund të bënim edhe më shumë se kaq, pasi çfarë është shkatërruar në 20 e ca vite nuk mund të rindërtohet përsëmbari në vetëm 3 vjet.
Po kështu me titujt e pronësisë, një problem gjigand që ne kemi filluar të adresojmë. Bashkitë po merren seriozisht me të gjithë territorin. Kanë filluar të jepen titujt e parë të pronësisë sepse 7501 që u bë një legjendë, në fakt mbeti një farsë. Morën fermerët aktet e marrjes në përdorim të tokës, por nuk u bënë dot kurrë pronarë, Ndërkohë që shumë e shumë familje kanë hasur gjatë rrugës çudira të kthimeve të tokës bujqësore me demek pronarë që shfaqen dhe zënë hektarë të tërë, pastaj mundohen t’i devijojnë për ndërtime e histori të këtij lloji. Konflikte pafund, mjafton të kujtojmë shifrën 8 mijë vetë janë vrarë në Shqipëri nga viti 1990 për konflikte pronësie dhe një pjesë e konsiderueshme të tyre janë në zonën e fshatit. Një tmerr! Po ashtu ne kemi ristrukturuar programin e mbështetjes duke kaluar nga një mbështetje që thërrmohej në mijëra thërrime për militantë e për miq e për shokë e për ryshfete në një mbështetje që nuk është mbështetje për lëmoshë, por është mbështetje për të shkuar drejtë krijimit të sipërmarrjes bujqësore. Ato sipërmarrje bujqësore që janë ndërtuar i kemi mbështetur për t’u zgjeruar dhe për të shkuar drejtë ciklit të mbyllur. Ndërkohë që duam të mbështesim fuqimisht të gjithë ata që duan ta kthejnë familjen fermere në një biznes të vogël. Biznes të vogël që pastaj mund të bëhet biznes i mesëm dhe i madh. Por ama fakti është që nuk ka fshatar të varfër në Europë. Nuk ekziston koncepti sepse bujqësia është baza e çdo ekonomie kombëtare dhe e ushqimit të çdo populli. Por ama nuk ka fshatar në Europë pa shtetin në krah. Kjo është dhe arsyeja që nuk ka fshatarë të varfër dhe ajo që ne jemi shumë të vendosur të bëjmë, është të forcojmë partneritetin midis shtetit dhe familjes fermere përmes bashkive, si instrument i ri që ne kemi në dispozicion tani, i cili na jep mundësinë që të kemi një lidhje më të shpejtë dhe më efikase. Tani çështja themelore mbetet financimi i prodhimit. Financimi i familjes fermere. Ne nuk mund ta përballojmë kërkesën legjitime të fermerëve për të qënë të financuar në mënyrë dinjitoze dhe nuk mund ta përmbushim ambicien tonë për të bërë këtë transformim rrënjësor në fshat, nëse mbetemi vetëm te buxheti i shtetit.
Buxheti i shtetit nuk i përballon dot këto kërkesa as sot, as për 50 vjet. Duhet që të fusim linjat alternative të financimit. Qoftë ato të bashkimit europian që kanë filluar, por që prapë janë të pamjaftueshme, qoftë linjat e financimit nga bankat. Këtu është programi ynë i ri që unë po mundohem ta prezantoj bashkë me Nikon e të tjerë në gjithë Shqipërinë.
Për të krijuar mundësi që familja fermere të marri para të lirë dhe ta investojë. Sot për sot, ju e dini shumë mirë që për një fermer është shumë e vështirë në mos e pamundur dhe përgjithësisht e pamundur që të shkojë në bankë dhe të kërkojë një kredi për zhvilluar fermën e tij sepse kredia është e shtrenjtë dhe llogaria nuk del, plus që për të marrë një kredi duhet garanci. Ne e kemi bërë shtetin garant të çdo fermeri që do të marri një kredi. Kemi krijuar një fond kombëtar të garancisë, i cili është praktikisht zëvendësues i garancisë private që secili duhet të japë tek bankat. Kemi bërë një marrëveshje deri tani me 6 banka të nivelit të dytë që në çdo transaksion me fermerët, shteti të jetë ndërmjetës dhe garant.
Kjo e bën paranë që fermeri do marri nga banka, të lirë dhe e nxjerr si duhet llogarinë kredi dhe përfitim. Pra thelbi është që kemi në dispozicion tani një mundësi të madhe që mund të shkojë deri në 300 milion euro investime përmes kësaj linje financimi. Por ama për të përfituar këto financime duhen projekte, duhen aplikime serioze dhe bindëse për bankat dhe duhet një ndërveprim shumë shumë i mirë me bashkitë, të cilat kanë ngritur bërthamat e sektorëve të bujqësisë në bashkitë e reja. Ne do t’i mbështesim që t’i forcojmë këta sektorë, në mënyrë që marrëdhënia e fermerit të jetë me bashkinë, siç ndodh në çdo vend normal dhe bashkia të ndihmojë për hartimin e projektit, për aplikimin, etj. Ndërkohë që është shteti që duhet të ndërmjetësojë me bankat. Pra nuk është se ju do shkoni në dyert e bankave të kërkoni financimin, këtë do ta bëjmë ne për ju duke mbështetur aplikimet tuaja dhe duke qenë avokatët tuaj, në mënyrë që ju të merrni financimin.
Ka filluar puna për ngritjen e sporteleve unike. Çdo Bashki do të ketë një sportel të vetin në dispozicion të fermerëve për informacion, për asistencë teknike, në mënyrë që të hyjmë në një fazë të re, sepse nuk mund të rrimë të presim çdo gjë nga shteti. Duhet të jemi në një ndërveprim ku secili luan rolin e vet. Nuk mund ta bëjë shteti rolin e fermerit dhe rolin e sipërmarrësit në fshat. Shteti duhet të bëjë rolin mbështetës të tij, duhet të bëjë asistencën teknike të tij.
Faktikisht edhe këtu, por në gjithë qarkun e Korçës dhe në të gjithë Shqipërinë kemi plot shembuj të njerëzve që kanë nisur nga një fermë e vogël dhe janë bërë sipërmarrës të mëdhenj, qoftë grumbullues, qoftë linja përpunimi. Në këtë zonë ka edhe eksportues dhe një volum eksporti shumë serioz. Mundësitë janë të jashtëzakonshme. Për t’i shfrytëzuar këto mundësi duhet të bëjmë një kapërcim të jashtëzakonshëm për të shkuar në një fazë tjetër të kuptimit të këtij raporti shtet-fermer.
Këto janë gjëra të rëndësishme që janë bërë dhe po bëhen, por nuk dua të mendojë njeri që ne jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë, apo që ne nuk jemi të vetëdijshëm për disa gjëra që nuk kemi arritur t’i bëjmë akoma ashtu siç duhet, ose fare.
Ne kemi bërë një punë shumë të mirë duke vendosur nivelin më të lartë të rimbursimit të TVSh-së për prodhimin e shitur në rajon dhe në Europë, 20 %. Nuk e ka asnjë. Është një kosto e lartë për buxhetin, por e kemi marrë përsipër si një nxitje për fermerin që të shesë në mënyrë formale. Kush shet prodhimin me dokumente mund të përfitojë 20% mbrapsht para në dorë nga shteti rimbursim të TVSh-së.
Kjo është një masë e përkohshme që do të rrijë disa vjet, nuk është e përjetshme, por duhet përfituar nga kjo si një masë që shtetit i intereson për formalizuar bujqësinë, juve ju intereson për të marrë mbrapsht 20%-in.
Në momentin kur mundësia për të marrë mbrapsht 20% të TVSh-së është aty, atëherë të gjitha të tjerat si nafta apo gjërat e tjera janë asgjë, janë brenda, por ama duhet shfrytëzuar kjo mundësi.
E vërteta është që ne nuk e kemi arritur akoma të ndërtojmë një skemë transparente dhe funksionale për të gjithë. Faktikisht, ka që e marrin, ka që se marrin. Skema nuk funksionon si duhet dhe ne tani po punojmë për një skemë tjetër që këtë rimbursim ta bëjmë nëpërmjet bashkive. Besoj që do të na funksionojë edhe për shkak të kontaktit shumë të afërt që kanë njerëzit me Bashkinë edhe për shkak të interesit primar që ka Bashkia për t’iu shërbyer njerëzve.
Po ashtu jemi të vetëdijshëm për një problem tjetër, problemi i falsifikimit dhe manipulimit të farërave ose të kimikateve. Është një problem shumë i madh. Ne shumë shpejt do të kemi një skemë që do të sigurojë që shteti të japë adresat e gjithë pikave të garantuara. Pra, kur ti shkon dhe e blen në pikat që kanë garanci shtetërore, atëherë është shteti përgjegjës në qoftë se fara, ose kimikati është i trukuar apo i manipuluar.
Ka një treg shumë të çoroditur dhe çoroditës të farave dhe të kimikateve, ku jo rrallë fermerët e pësojnë ngaqë blejnë, iu duket sikur e blejnë më lirë, e pastaj iu del që kimikati nuk ka asnjë efekt, ose farat janë të deformuara.
Këto janë dy çështje që ne akoma nuk kemi arritur t’i zgjidhim siç duhet dhe besoj që shumë shpejt do të kemi gati dy zgjidhje të qëndrueshme për ta lehtësuar këtë proces.
E fundit që dua të them është, duhet gjithnjë e më shumë të kuptohet në fshat ajo që është kuptuar në disa zona të cilat kanë arritur të ndajnë qartësisht punën nga shitja. Pra prodhimin veç, shitjen bashkë. Nëse nuk bëhet shitja bashkë atëherë ndodh, siç ka ndodhur edhe në disa zona të Korçës, ku grosistët ulin çmimet, secili përpiqet ta shesë më shpejt. Dhe çfarë ndodh? Praktikisht, njerëzit i ulin çmimin njëri-tjetrit dhe në fund fare detyrohen të shesin me çmime që nuk janë të kënaqshme. Për këtë arsye, të gjithë iniciativat që janë marrë edhe në këtë zonë për të krijuar bashkësi në organizimin e shitjes janë iniciativa që ne mendojmë që meritojnë të promovohen dhe të mbështeten në mënyrë që të kthehen në normalitet. Nuk mund të vazhdohet më secili tek e tek.
Nuk flasim për kooperativat e vjetra, të cilat ishin bashkime të detyruara, aspak vullnetare, flasim për bashkësi që lidhen në interes, nuk i lidh partia, nuk i lidh shteti, i lidh interesi.
Kjo është themelore për të marrë maksimumin nga prodhimi në një treg që është shumë i egër, shumë konkurrues, shumë i gjerë dhe për të mundur pastaj për të rritur eksportin, duke pasur kapacitete negociuese shumë më të forta se s’mund të negociosh tek e tek.
Ky program financimi do të stimulojë pikat e grumbullimit, frigoriferët, linjat e përpunimit dhe këto bashkësi të krijuara mund të aplikojnë për të ngritur një pikë grumbullimi të re, për të ndërtuar një frigorifer aty ku ju intereson, e kështu me radhë.
Sigurisht që fshati nuk është vetëm punë, prodhim dhe shitje. Fshati ka nevojë edhe për infrastrukturë sociale, ka nevojë për çerdhe, për kopshte, për shkolla. Ne me bashkitë po ecim mirë. Ajo që është për t’u kënaqur është që po marrim maksimumin nga paratë që po shpenzojmë, por jemi të vetëdijshëm që duhen më shumë fonde dhe duhet bërë akoma më shumë, sidomos në këtë aspekt.
Gjëja e fundit është komponenti i turizmit që këtu në zonën e Korçës po merr gjithmonë e më shumë përparësi. Ka mundësira të jashtëzakonshme për t’i ndërlidhur këto pika, për t’i ndërlidhur këto bashki dhe për ta bërë gjithnjë e më atraktive paketën turistike.
Po flisnim me Gëzimin pak më parë për pyllin e fazanëve. Është një aset i jashtëzakonshëm i zonës. Sigurisht, fazanët dhe kaprojtë i hëngri Saliu. Siç tmerruan pelikanin kaçurrel në Karavasta. Iku kaçurreli se iu bë jeta kaçurrel me Saliun, u zhdukën të gjithë.
Tani kanë filluar të kthehen. Moratoriumi i gjuetisë ka bërë të veten. Sot në gjithë lagunën atje është e pabesueshme që janë rikthyer cicërimat, janë rikthyer speciet që e kishin braktisur lagunën. Edhe këtu pylli i fazanëve dhe kaprojve është një atraksion shumë i madh që, i lidhur në hartë me çfarë po bëjmë në Korçë, me zhvillimet e reja në Voskopojë, do të sjellë gjithmonë e më shumë njerëz, që do të thotë gjithmonë e më shumë ekonomi.
Ka shumë njerëz që nuk arrijnë të bëjnë dot lidhjen midis investimeve që ne bëjmë qoftë edhe në kulturë. Dje inauguruam Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, një mrekulli dhe shumë njerëz nuk e kuptojnë. “Ç’na duhen në muzeumet ne s’kemi bukë?!” Por në fakt, ai Muzeum është një arsye më shumë për të shkuar në Korçë. Sa më shumë njerëz të shkojnë në Korçë do të thotë gjithmonë e më shumë vizitorë, turistë; do të thotë gjithmonë e më shumë para që qarkullojnë në Korçë; do të thotë gjithmonë e më shumë përfitim nga bizneset në Korçë, nga bizneset e mikpritjes, që nga restorantet deri hotelet.
Por, nëse kjo hartë do të zgjerohet, me Voskopojën që kemi filluar punën dhe që brenda sezonit të ardhshëm do të jetë e transformuar rrënjësisht, por edhe me Maliqin, ku qoftë dhe vetëm pylli i fazanëve është një atraksion i jashtëzakonshëm për fëmijët dhe për njerëzit e interesuar për këtë lloj turizmi. Pastaj, e shtrirë kjo edhe në pika tjera bëjmë që të rritet një ekonomi e shëndetshme lokale dhe bashkitë të fuqizohen, duke rritur kapacitetin e tyre, përmes mbledhjes më shumë të taksave nga të ardhurat që shtohen.
Unë ju falënderoj shumë për durimin. Siç tha dhe Niko është me rëndësi që edhe të dëgjojmë disa ndërhyrje tuajat për shqetësime apo për sugjerime, kështu që kush e do fjalën, mikrofonin e ka me zë dhe e ka në dispozicion.
-Unë kam aplikuar për vaditje me pika. I kam dorëzuar të gjitha dokumentet, i kam bërë projektet me profesorë të nderuar që kanë mbaruar shkollën. Pasi i dorëzova të gjitha dokumentet, faturat, të gjitha, më kthehet përgjigjja: “Nuk ke pikatore tamam nëpër pemë.” Plus që erdhi Komisioni, i pa pikatoret, e pa projektin e firmosi.
Kryeministri Edi Rama: Do ta ndjekim. Edhe dje kishim një problem të ngjashëm, që faktikisht ishte një problem komunikimi dhe e zgjidhëm. Të shohim nëse mund ta zgjidhim dhe këtë që na the.
-Përshëndetje dhe faleminderit për vizitën! Ju thatë pak më parë të lidhim turizmin me rrugët, apo jo? Këtu është një problem, nga kryqëzimi Libonik dhe deri këtu nuk kemi trotuar. Unë më shumë e kisha për fëmijët që venë në shkolla. Kur u bë rruga atëherë, trotuari nuk u bë. Domethënë po të bëhet trotuari dhe dritat siç janë vënë për nga pylli, për të cilat na u bë qejfi shumë, se dhe ne pjesë e kësaj jemi, këtu banojmë. Mos hyjmë pastaj për nga fshati, ato i di kryetari.
Kryeministri Edi Rama: Jam shumë i vetëdijshëm që jo vetëm aty ku the ti, por ka plot zona, fshatra, plot segmente të komunikimit në infrastrukturë, ku nuk ka ndodhur asgjë e shumë njerëz mund të thonë: “Unë jam në këtë fshat; Unë votova për Rilindjen; Votova për PS-në; Votova për këtë qeveri; Çfarë po shoh unë?”
Të gjithëve ju them këtë gjë, që, duhet të kini parasysh që siç është një shtëpi që administron mundësitë e veta, të ardhurat e veta dhe i merr gjërat me radhë, – sepse nuk mund t’i bëjë dot të gjitha përnjëherë, nuk mund t’i ketë dot të gjitha përnjëherë, – kështu është dhe shtëpia jonë e përbashkët, kështu janë dhe financat tona.
Ajo që është e rëndësishme është që ne po ecim hap pas hapi, i kemi marrë gjërat me themel, nga koka dhe jo nga këmbët. Nëse ne bëjmë sheshin e Korçës, nëse ne bëjmë sheshin e Maliqit, nëse ne bëjmë disa ndërhyrje në Korçë e Maliq, apo disa ndërhyrje të tjera këtu dhe atje, kjo është t’i bësh gjërat me radhë. Patjetër që duhet të vijë dhe tek ju. Patjetër edhe kjo është e rëndësishme. Nuk janë më pak të rëndësishëm njerëzit që janë në një fshat të thellë, sesa ata që jetojnë në mes të qytetit. Por, për të ndërtuar një sens të zhvillimit, duhet t’i marrim gjërat nga A-ja te Zh-ja, jo nga Zh-ja drejt A-së, siç bënte Saliu, që pastaj i la qytetet pa sheshe, pa hapësira, pa mundësi. Faktikisht e la Shqipërinë pa qytet, pa qendra.
Bashkitë e reja janë një mundësi shumë e madhe. Por, ama, ajo që kemi bërë ne, nuk është ndonjë mrekulli, po kemi filluar të vëmë bazat. Kështu që gjërat t’i bëjmë me radhë.
Unë ju falënderoj shumë për këtë bashkëbisedim. Ju siguroj që ne jemi shumë, shumë të vëmendshëm për të gjitha shqetësimet, por dhe ju duhet ta keni të qartë që bëhen me radhë.