Qyteti i Lezhës edhe disa nga fshatrat përreth saj, pjesë të bashkisë së re nga, tashmë do të kenë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Pas një investimi prej 13.25 milionë eurosh, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimit Europian, në qytetin e Lezhës ka përfunduar rehabilitimi tërësor i rrjetit të ujësjellësit të Lezhës. “Qyteti i Lezhës bashkë me fshatrat përreth furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm. Projekti përfshin ndërtimin e veprave të marrjes së ujit, ndërtimin e rrjetit kryesor të ujësjellësit, rezervuarët e qytetit. Kemi vendosur matësit shtëpi për shtëpi dhe monitorohet me sistemin Scada. Kemi në projekt të realizojmë ujësjellësin e Shëngjinit dhe një studim fizibiliteti për fillimin e investimeve në fshatra,” tha drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Në inaugurimin e investimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, zëvendës ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein dhe ambasadori i Zvicrës, Christoph Graf.
Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të vazhdojë investimet në ujësjellës për të siguruar furnizimin me ujë të pijshëm deri në fshatrat më të largët të bashkisë së re, por nënvizoi se investimet në ujësjellës do të mbështetjen mbi performancën dhe ecurinë e reformës së ujit. “Me shumë respekt për punën e kryer nga Ndërmarrja e re e Ujësjellësit, një nga shembujt pozitivë që kemi në territorin e Shqipërisë përsa i përket ndarjes së politikës nga logjika e shërbimit për konsumatorin, dua t’i siguroj të gjithë banorët e Lezhës, pa dallim, se ne do vazhdojmë këtë punë. Por ndërkohë dua po ashtu që të rinënvizoj domosdoshmërinë që sëbashku, qeveria, bashkia, ndërmarrja të çojmë përpara reformën, sepse, nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë,” u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Edhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë, Anke Holstein, e vlerësoi të suksesshëm bashkëpunimin dhe mbresëlënës punën e bërë. Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen për reformën në sektorin e ujit, të cilën e konsideroi të domosdoshme. “Rreth 13.4 milion euro janë investuar në këtë projekt. Banorët e Lezhës dhe zonave përreth kanë tani 24 orë ujë në ditë, me presion të përshtatshëm. Dëshiroj t’ju siguroj juve zoti Kryeministër dhe ministër Gjiknuri, mbështetjen tonë të plotë në reformën e ujit që keni ndërmarrë. Masat e tanishme për t’i dhënë fund informalitetit janë të nevojshme, po aq sa edhe reformat në kuadrin ligjor, institucional dhe financiar,” deklaroi zëvendësambasadorja Holstein.
Ndërsa ambasadori zviceran Christoph Graf u shpreh se ky është një investim që mbështetet në performancë. “Kjo është një qasje që bazohet në performancë, pastaj vijnë investimet. Kjo është një qasje që mendoj se po implentohet edhe në reformën e ujit dhe ne do të vazhdojmë me projektet në qytete të tjera në jug dhe në qendër të Shqipërisë.”
Kryeministri Edi Rama ritheksoi apelin drejtuar qytetarëve, por veçanërisht bizneseve të mos abuzojnë me ujin e pijshëm dhe të deklarojnë brenda muajit janar lidhjet e paligjshme me rrjetin. Ndërkohë qeveria ka vendosur të subvencionojë familjet në ndihmë ekonomike. “Edhe njëherë tjetër ju bëj thirrje të gjithë atyre që vazhdojnë të vjedhin ujin, që të përfitojnë nga muaji janar të shkojnë te ndërmarrja të bëjnë kontratën e ligjshme, të bëjnë lidhjen e ligjshme dhe të marrin matësin. Pas 1 Shkurtit nuk do ketë më asnjë tolerancë, nuk do ketë më asnjë lloj kompromisi, por kush do kapet që vjedh ujin do penalizohet sipas ligjit, duke filluar që na bizneset e mëdha. Në mes të Tiranës ne kemi sot, hotele që deklarojnë se furnizohen me pus dhe në fakt vjedhin ujin nga tubi i ujësjellësit. Po kështu ka në Lezhë, në Vlorë, ka në të gjithë territorin. Turpi i dheut! Në mbledhje kemi kaluar edhe masën e subvencionit. Për të gjithë familjet në nevojë që janë me ndihmë ekonomike, ne do të subvencionojmë ujin dhe matësit do të bëhen falas se do i subvencionojë qeveria. Ama të tjerat nuk do të tolerohen. Është e pafalshme që me ujë të pijshëm të vadisim bahçen e me ujë të pijshëm të marrim shërbim dhe faturën t’ua lëmë të tjerëve, fëmijëve dhe të ardhmes, siç është lënë 20 e kusur vite. Ne nuk do financojmë asnjë projekt për ndërmarrje që dalin me humbje dhe nuk do të mbështesim asnjë bashki që nuk performon në reformë,” u shpreh Kryeministri Rama.
Ky investim është pjesë e Programit “Infrastruktura Bashkiake I”, i bashkëfinacuar nga Zvicra, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, i cili do të vazhdojë me përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë në 7 bashki në jug të vendit.