Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Bashkë​bisedimi i Kryeministrit Edi Rama me fermerë të njësisë administrative Sukë, Këlcyrë:

 

Përshëndetje të gjithëve!

 

Faleminderit që keni ardhur për të më pritur! U jam shumë mirënjohës! Kemi kaluar një moment të bukur në këtë zonë. Kemi parë kantieret e Rilindjes Urbane edhe në Përmet edhe këtu në Këlcyrë, ku do vazhdojmë të investojmë disa projekte të tjera. Kemi biseduar me Klementin për këtë Bashki që ka qenë e harruar për kaq shumë vite dhe ku sigurisht ka një potencial të madh si pjesë e një zone me një natyrë të mrekullueshme, që përbën një fuqi të madhe tërheqëse për vizitorët dhe për turistët e huaj.

 

Faktikisht, këtë sezon që kaloi ka një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në këtë zonë. Jam i bindur që është një numër që do vijë duke u rritur vazhdimisht, sepse mjafton që ne të bëjmë gjërat e duhura, hap pas hapi, për të rritur interesin dhe përmes përmirësimeve në infrastrukturë, që ju jeni dëshmitarë vetë që po bëhen; përmes rrugës që lidh rrugën kombëtare me Këlcyrën dhe Përmetin; përmes lidhjes që do mundësojmë me Korçën dhe me Ersekën, por patjetër edhe përmes stimulimit të bujqësisë dhe blegtorisë në gjithë këtë territor do t’i japim në hov të rëndësishëm ekonomisë familjare dhe ekonomisë lokale në gjithë këtë zonë.

 

Kemi parë me sytë tanë se si në Përmet ka filluar një ndryshim i rëndësishëm edhe në pikëpamje të rritjes së investimeve private të transformimit të shumë mjediseve, deri dje të braktisura, në mjedise hotelerie. Jam i bindur që e njëjta gjë do ndodhë edhe në Bashkinë e Këlcyrës, me vënien në jetë të projekteve të radhës të kryetarit të Bashkisë, që ne do i financojmë me Programin Kombëtar të Rilindjes Urbane, por edhe me stimulin e madh financiar që ne kemi përgatitur për investimet tuaja në zhvillimin bujqësor dhe në zhvillimin blegtoral.

 

Ju e dini mire se sa vështirë ka qënë në gjithë këto vite, për shkak të mungesës së plotë të mbështetjes nga shteti; për shkak të braktisjes së qëllimshme të një territori të tërë, që është konsideruar si bastion i të majtës dhe ku qeveria e mëparshme s’ka dashur t’ia dijë fare, ndërkohë që ne, pavarësisht se në Bashkinë e Përmetit ka fituar një kandidat i cili përfaqëson opozitën e sotme, kemi financuar disa herë më shumë sesa çka financuar në 8 vjet Partia Demokratike kur ishte në qeveri.

 

Për ne nuk ka fare rëndësi se kush e drejton Bashkinë si person dhe si përfaqësues politik, për ne ka shumë rëndësi që çdo projekt, çdo propozim që është në të mirën e komunitetit ne ta mbështesim. Kemi mbështetur Përmetin. Kemi mbështetur dhe zonën me investimin e madh këtu për rrugën. Do të mbështesim dhe Bashkinë e Këlcyrës më tutje. Ka filluar Bashkia e Këlcyrës një projekt, që është projekti i parë, realisht me një vizion dhe me një qasje europiane, në kushtet kur, besoj e keni parë, e vetmja gjë që bëri Partia Demokratike kur drejtoi Bashkinë ndërtoi një shatërvan, nuk e di a e keni parë, ai shatërvani është tamam fytyra e Partisë Demokratike: një legen i madh blu me pllaka banjoje në mes të qytetit dhe kuptohet pa ujë, me një si skulpturë të lënë nga dhia që ka kaluar atje, të bardhë, një çmenduri që tregon ekzaktësisht vizionin dhe konceptin e Partisë Demokratike për zhvillimin e komunitetit. Jam i befasuar nga ai shatërvan. E pashë sot. Është një vepër monumentale e budallallëkut politik dhe njerëzor që zor se e gjen dot në ndonjë qytet tjetër të botës.

 

Nga ana tjetër, ju jeni dëshmitarë se si në 20 e kusur vite nuk u pastrua një kanal vaditës, nuk u pastrua një kanal kullues, ku u bukosën familje të tëra fermere në gjithë Shqipërinë vetëm sepse nuk iu vinte uji dhe të tjera sepse edhe atë pak prodhim që bënin ua u merrte uji pastaj kur përmbyteshin.

Ndërkohë që këtu ka një potencial të madh edhe për blegtorinë dhe ne duam ta mbështesim fuqimisht këtë sektor në gjithë këtë zonë, sepse është drejtpërdrejtë i lidhur me turizmin. Për këtë arsye, ne kemi ndërtuar një instrument financiar që përtej buxhetit të shtetit, i cili është rritur në krahasim me vitet e shkuara, në funksion të mbështetjes së skemave të zhvillimit në bujqësi, që nga projektet e investimeve për pika grumbullimi, për përpunim produktesh, tek subvencionet e drejtpërdrejta për familjen fermere, një instrument i ri që jep mundësi familjeve fermere dhe grupeve të fermerëve që të marrin para nga bankat, para të garantuara nga shteti.

 

Unë jam i mahnitur se si një parti, e cila deri dje qeveriste vendin, sot iu thotë fermerëve mos merrni NIPT-in, mos merrni kredi, “mos, mos, mos” dhe iu premton qiqra në hell, njësoj siç ua ka premtuar tërë jetën. Ndërkohë që, ajo që ne ju themi është: Nuk mund dot ta zhvillojmë dot bujqësinë dhe blegtorinë ashtu sa duhet, sa doni ju dhe sa duam ne, nëse rrimë të varur vetëm nga buxheti i shtetit, sepse nuk mund të jemi ne këtu i vetmi vend që e bën ndryshe këtë punë nga si bëjnë të gjitha vendet e rajonit dhe të Europës.

 

Jemi i vetmi vend ne këtu në Europë që kemi varfëri në fshat. Nuk ka varfëri në fshat në asnjë vend të Europës, sepse fshati prodhon ushqimin për vete dhe për popullin e atij vendi. Është strategjik për shoqërinë dhe është vetëm mungesa e përkrahjes nga shteti dhe lënia jetim e familjes fermere që e ka sjellë situatën në vite të tëra në një rrënim të vazhdueshëm dhe i ka bërë të rinjtë e fshatit që gjëja e vetme që mendojnë është: “Si të ikim!”

 

Ndërkohë që këtu janë tokat e të parëve, ndërkohë që këtu në fshat janë tokat që punojnë prindërit e tyre, po normalisht, një vajzë, një djalë i ri që rri në “Facebook” dhe që e shikon botën nëpërmjet internetit nuk mundet dot ta imagjinojë të ardhmen e vet si skllav, siç është i ati, për shkak se ka qënë i braktisur nga shteti, por duhet të shikojë se si babai dhe nëna, nëpërmjet punës, jo thjesht ushqejnë familjen, por bëjnë para.

 

Ajo që ne jemi të bindur se do të bëjmë sëbashku me ju, është se përmes bashkëpunimit me bashkitë e reja, që sot janë struktura shumë më solide seç ishin deri dje, të shpërndara në gjithë ato komuna që s’kishin fuqi t’iu përgjigjeshin nevojave të njerëzve, të hyjmë në një proces financimi të drejtpërdrejtë të të gjithë iniciativave të fermerëve që sjellin fitim për ju, fitim për ekonominë lokale. Shteti është garant.

Sot e 20 vjet fermerët nuk kanë mundur të shkojnë dot në bankë për dy arsye themelore.

E para, sepse nuk kanë pasur titullin e pronësie mbi tokën. Unë habitem si flasin. Me çfarë kuraje flasin këta, kur nuk bënë gjënë më elementare: të zbatonin ligjin që është miratuar në vitin 1991 me konsensus nga të dyja partitë e atëhershme dhe të sotme të mëdha, 7501-in, çdo familje të marri tokën që i takon dhe të jetë pronare e tokës, jo akti i marrjes në përdorim të tokës, që s’je as pronar, as e shet dot, as e trashëgon dot, e ke sot, s’e ke nesër dhe ndërkohë që ti e punon të vjen tjetri të thotë: “Jam vetë Ali Bej Këlcyra, është toka ime”.

Ne e kemi filluar procesin për shpërndarjen e titujve të pronësisë. Bashkitë kanë përgjegjësinë që ta çojnë përpara këtë proces.

Ne duhet bashkërisht të bëjmë gjithçka që me shpejtësi t’i japim titullin e pronësisë mbi tokën të gjithë atyre që kanë tokën e tyre prej 20 e kusur vjetësh dhe që kanë një copë  letër pa asnjë vlerë dhe me atë copë letër nuk shkojnë dot askund për të marrë mbështetje, sepse po s’pate pronësi mbi tokën nuk të jep njeri asnjë lloj financimi.

E dyta, arsyeja pse fermerët nuk kanë mundur të marrin dot financime nga bankat ka qenë sepse nuk kanë pasur çfarë të vënë në bankë kolateral. Ndërkohë që sot nuk ka nevojë për këtë gjë. Është shteti që ka ngritur Fondin Kombëtar të Garancisë për bujqësinë dhe për fshatin, që i jep mundësi të gjithë atyre që duan të financojnë aktivitetin e tyre bujqësor, blegtoral të marrin paratë me garanci nga shteti. Është një ndryshim themelor ky, me garanci nga shteti. Kështu ne kemi mundësi të fusim në fshat në tre vitet e ardhshme 300 milionë euro, një shumë e barabartë me nuk e di se sa vite e vite para të financuara nga vetë buxheti i shtetit për mbështetjen e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral.

Faktikisht, 50 vjet, pak a shumë, do të duheshin për të pasur këto para nga xhepi i shtetit. Ndërkohë që në tre vjet ne mund t’i fusim këto para në investime këtu në fshat, për ju, investimet tuaja private, me garanci nga shteti.

 

Unë nuk do rrija të bëja këtë bisedë me kaq guxim, nëse nuk do kisha parë në shumë vende në Shqipëri, edhe këtu në këtë zonë, realitete konkrete njerëzish si ju, njerëzish në fshat që me kurajë kanë ndërtuar sipërmarrjen e tyre, kanë bërë baxho, kanë bërë pikën e grumbullimit, kanë bërë punishtet e përpunimit të shumë produkteve dhe bëjnë sukses.

Por, ka edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm. Nuk mund të vazhdojmë ne me historinë e gjithë këtyre viteve, ku secili jep e merr me ato 2-3 dynym, 5 dynym që ka, sepse, duke qenë secili më vete rriten kostot dhe nuk ka treg. Prandaj shumëkujt i mbetet pa shitur prodhimi, ose shumëkush merr domatet në krah e del te rruga.

Ndërkohë që nëse unë kam 2-3 dynym, ti ke 4 dynym, ai tjetri ka 3 dynym, tjetri ka 2 dynym, ne biem dakord së bashku që do mbjellim këtë produkt, secili në tokën e vet, por ama do mbjellim këtë produkt të gjithë bashkë, me këtë farë, do përdorim këto kimikate dhe në fund fare nuk do dalim secili të presim të vijë greku nga Selaniku, apo të vijë tjetri nga Tirana, apo tjetri nga Maqedonia, por gjithë produktin do ta shesim bashkë që mos të na vijë të na thotë “unë ta marr me çmim më të ulët, ma jep mua, mos ia jep atij”, etj, etj dhe pastaj  ca e shesin, ca të tjerë qajnë dhe ata që e shesin e shesin me çmim qesharak.

 

Nëse në punë jemi të harmonizuar, por secili më vete dhe në shitje jemi të gjithë bashkë këtu është suksesi. Po të shikoni në shumë komunitete, aty ku shesin bashkë, aty bëjnë para. Aty ku shesin secili më vete, aty hanë dynjanë. Aty ku shesin bashkë, kostot i kanë më të ulëta dhe fitimin e kanë të konsiderueshëm. Aty ku shesin veç e veç, kostot i kanë më të larta, sepse secili ka kostot e veta dhe nuk ulin koston, duke u bashkuar dhe në fund fare disa mund të fitojnë diçka, të tjerë mbeten me gisht në gojë dhe detyrohen ta hedhin prodhimin nëpër lumenj.

Në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm organizimi që bëjnë bashkitë dhe kryetarët e bashkive që në fshat duhet të shikojnë një nga themelet e suksesit ekonomik të bashkive të reja. Se dakord, investimet në infrastrukturë, në sheshe, në parqe etj, etj, që janë themelore për të stimuluar jetën komunitare, jetën e përbashkët, turizmin, lëvizjen e biznesit të vogël dhe kështu me radhë, por fshati është mbështetje e çdo bashkie të re dhe prandaj bashkitë e reja dhe kryetarët e bashkive janë të qartë që duhet të punojnë në fshatin dhe të organizojnë prodhimin, të organizojnë dhënien e titullit të pronësisë, të organizojnë pastrimin e kanaleve të ujit dhe të kullimit.

 

Këtë vit ne ju kemi dhënë fondin më të madh që ka vënë në dispozicion qeveria e Shqipërisë ndonjëherë në 25 vjet, pikërisht për të pastruar 25 vjet llum që bllokuan kanale dhe lanë mijëra hektarë tokë.

 

Ka vajtur pak nga pak 1000 mijë kilometra sasia e kanaleve që ne kemi hapur për herë të parë pas 20 e ca vitesh. Ka akoma të tjera, por zotimi ynë është që nuk do ketë parcelë në Shqipëri që mund të punohet, pa ujë, dhe do të realizojmë këtë brenda sezonit të ardhshëm. Ama është shumë e rëndësishme që edhe njerëzit në fshat të fillojnë të funksionojë në bazë të modeleve më të mira që janë krijuar nga fshati vetë, duke marrë shembull nga vetë njerëzit e tjerë në fshat, bëjnë para, jo thjesht ushqim për mbijetesë.

Sigurisht që fshati nuk është vetëm tokë, prodhim, shitje, punë e palodhur me tokën, por ka nevojë edhe për tjera gjëra dhe ne jemi të vetëdijshëm për sa gjëra mungojnë akoma, por unë jam i bindur se këtu në fshat ne kemi mirëkuptimin më të madh se këtu nuk ka qofte te daja. Këtu të tërë duhet ta nxjerrin bukën e gojës me luftë dhe me punë të madhe dhe ju e dini më mirë se sa të tjerët, më mirë se ata që dhe bëjnë teori nëpër kafenetë e Tiranës, se sa e vështirë është të ngresh një sukses nga hiçi, se sa e vështirë që atë kokrrën e grurit apo misrit që është sa një thua, ta kthesh në fund fare në bukë në tavolinë. Do punë, do mundim, do sakrifica, do dije, do kohë. Parafytyrojeni tani, shtëpinë tonë të përbashkët Shqipërinë që e bënë çorap dhe që e gjetëm të zhytur në borxhe dhe që e gjetëm në një rrëmujë pa asnjë disiplinë, pa asnjë rregull, pa asnjë ligj, pa asnjë lloj shteti. Për të bërë shtet është ende më e vështirë. Është një shtëpi e madhe e përbashkët shumë më e komplikuar dhe prandaj unë besoj se në 3 vjet nuk kemi bërë asnjë mrekulli sepse mrekullirat nuk janë për qeverinë, janë për perëndinë, por kemi bërë aq sa sot mund të themi me plot gojën që po vendosim bazën më në fund të një shteti, ku për secilin ka disa detyrime dhe rregullat janë të përbashkëta po ku për çdo njërin ka një mundësi për të bërë sukses.

 

Tani unë nuk dua vetëm të flas, por edhe të dëgjoj dhe jeni të mirëpritur të merrni fjalën dhe të ngini këtu probleme, shqetësime, pyetje, çfarë të doni.

 

Ne, në 91 kur u nda toka, e përmende vetë, u nda me ligjin 7501. Këshillat popullore të asaj kohe që ishin nëpër fshatra u mblodhën morën udhëzimet nga qeveria dhe mblodhën popullin duke thënë: Do ndahet toka me ligjin 7501 dhe do të hidhet me lotari ku të bjerë. U nda. U morën dhe tapitë. Fjala që the ti qëparë që u dha një copë shënim, ja ku kam unë një këtu, kjo është ajo akt-tapia që na kanë dhënë në atë kohë, akti i marrjes së tokës në përdorim. Legjislatura e parë e zgjedhjeve mbas ‘90 ai 4 vjeçari i parë vazhdoi mirë. Kështu u nda toka. Lindën disa idera, po flas gjithmonë për nga fshati im andej, se komuna e Sukës përbëhet nga 5-6 fshatra. Unë po flas për Podgoranin. Para 4-5 vjetësh diçka e tillë mos gaboj erdhi një komision nga qeveria për të bërë azhornimin e tokës. Suka konkretisht ky fshati ku jemi e fshatra të tjerë u matën, u bë azhornimi. U kopsitën dokumentet. Janë shumë në rregull. Ne të Podgoranit përtej lumit këtu as azhornim u bë , asgjë, sepse ata të komisionit thanë që juve nuk keni problem dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Kështu që ne të Podgoranit nuk kemi as tapi për shtëpitë që kemi pavarësisht se shtëpitë tona 100 vjeçare aty, por nuk kemi. Ky është mos vullneti i qeverisë. Ta themi troç sepse jo se nuk është ankuar ky popull, aq është ankuar sa që po të shkoni në dosjet e gjyqit të gjykatave të Përmetit, dosjet e Podgoranit janë pilaf atje se gjyqet shtyhen nga dy e nga tre vjet dhe nuk u japin dot drejtim pale duke thënë ato të tjerët që duhet një thes me euro apo me dollar se me lek shqiptare harroje dhe ky tani që po flasim para një jave këta fshatarët e mi, ja këtu do të jenë vërdallë po për tokën.

Dhe nga çka ndodh. Ka konflikte zënie. Zihet vëllai me vëllanë, me kushëririn, me fshatarin, kur kalojmë në rrugë njëri e kthen kokën nga jugu, tjetri e kthen kokën nga veriu, sepse jemi zënë për tokën. Ky ishte problemi i parë.

Problemi i dytë që dua të ngre unë se e the atë fjalën e ujit që behari që vjen do të rregullohet të gjitha tokat do të vaditen. Po duhet ta dinë ata fshatarë kë do të vadisim. Do të vadisë tokën e tij apo të tjetrit? Prandaj duhet zgjidhur. Dhe një problem tjetër kisha unë si komunitet ne, duke u nisur nga ky vend këtu rreth 200 metra 250  është lumi këtu që kalon poshtë. Kemi një urë. Ura është bërë para 6 -7 vjetësh. Dimrin që kaloi na u rrezikua se është rërë anash. Ndoshta kërkonte kushte teknike më të mira. U bë ashtu si u bë dhe na u rrezikua nga lumi gati në të rënë. Ajo ura me një shpenzim minimal tani shpëton nga rrëzimi, n.q.s. nuk i ndërhyhet tani që ska ujë lumi se pastaj zënë shirat e dimrit atëherë zoti kryeministër ti do ta shikosh në Facebook kur ta hedhin, ou ajo ura që ma ngritën ata fshatarët ata në Sukë.

 

Kryeministri Rama: Si jeni me hashashin nga fshati juaj? Ti ke parë gjë? Përtej shakasë ja dhe një arsye tjetër pse e bëra këtë pyetje. Sepse ndërkohë që ne shikojmë dhe e shikojmë jo thjesht me sy në terren ose në letra, po e shikojmë në paratë që bën shteti buxheti i shtetit që bëjnë njerëzit, rritjen shumë të ndjeshme të prodhimeve bujqësore, duke parë në televizor edhe unë vetë them, more po gjithë këto prodhime bujqësore që shkojnë për eksport, ku bëhen? Nëse kudo këtu qenka siç thonë këta maluketërit, ku bëhet këto të tjerat. Po ku? Se kjo punë ik fshat në fshat, tako njerëz, më thonë këtu kemi baxhot, atje kemi vreshtat, atje kemi domatet, këtu na duhet mbështetje për mollët, atje prit të dëgjoj çfarë duhet ndonjë mbështetje për këtë tjetrën. Unë shikoj vetëm njerëz kështu. Nuk them që nuk ka nga ajo tjetra, po si i bëhet kësaj pune. Si i bëhet këtij halli që na ka rënë të tërëve me një parti që e kishte 8 vjet në qeveri dhe flet për fshatin, ndërkohë që 2 gjëra themelore, jetësore elementare që duhet të ishin zgjidhur 25 vjet përpara, kanalet e ujit dhe titujt e pronës, jo nuk i bëri, por përkundrazi pronën e bëri aq çorap sa ti thua nuk kam qënë shumë i kënaqur si u bë në fillim, por tani ti dhe gjithë të tjerët thoni aman të kthehet dhe një herë si në fillim.

 

Ndërkohë kur i dëgjon “droga droga droga” fillon i bën pyetje vetes mos marrin këta vetë që iu duket sikur kudo është kështu? Ne nuk mundet dot ta bënim as pastrimin e kanaleve, as politikën e re që kemi filluar me ujësjellësat – ne flasim për ujin në vaditje por kur vijmë për ujësjellsat për ujë në shtëpi është dhe ajo histori më vete, – as këtë  të titujve të pronësisë me 400 bashki e komuna, nuk bëhej dot. Ishte kot. Tani që kemi 61 bashki dhe që kemi një njësi të integruar kemi filluar të bëjmë këtë punë, kemi filluar të ndajmë titujt e pronësisë. Sigurisht do të kërkoj akoma kohë dhe punë, por patjetër që do t’i zgjidhim, s’kemi asnjë rrugë tjetër, nuk mund të  lëmë të shkosh deri në fund me atë copën e letrës që ke atje  në xhep se ajo copa e letrës nuk ka asnjë vlerë, është kot. Thjesht ti e ke tokën, punon se nuk të vjen njeri të të nxjerri jashtë, por nesër të vjen ai, siç the vetë, thotë “unë jam këtu pronari hajde mirupafshim te gjykata e Përmetit” dhe ti mbete pa gjë. Ky është fakt. Tani këto janë themelet e shtetit. Se çfarë është shteti në fund fare. Pastaj thonë “Ne e kem pas shtetin”. Cilin shtet kemi pas? Se këto janë themelet e shtetit. Shteti nuk do vijë të marrë lopatën dhe të punojë tokën tënde. Atë do e bësh vetë. Por ujin atje do ta sjellë shteti. Nëse uji s’ka ardhur, s’ka shtet. Nëse ti e ke tokën dhe e punon, ke 25 vjet, ti se merr dot me dhunë pronën. Nuk bëhesh dot pronar me letra, do t’i japë shteti. Nëse s’ti ka dhënë ku ka qenë shteti? S’ka shtet, nuk ka. Ky është thelbi. Pastaj kërkojnë qiqra në hell. Tregojnë varfërinë e fukarallëkun, tregojnë se si po ikin të rinjtë. Po pse, kur u mboll ky fukarallëk? Në vitin 2013? Po të ishte 2013-ta viti kur u mboll fukarallëku, pse do na votonin ne njerëzit? Për çfarë do na votonin? Mbanin ata që ishin atje. I morën njerëzit i nxorën jashtë me 1 milion shuplaka. Vazhdojnë sikur asgjë s’ka ndodhur, të njëjtën histori. Tregojnë të njëjtat përralla. Iu thonë fermerëve mos merrni NIPT-in ju, se do ju marrin taksa. Si mund ta thuash këtë! Ndërkohë që NIPT-i ndihmon fermerin për disa gjëra. E para, ne kemi lënë 20% rimbursim për çdo prodhim që fermerët shesin me dokumente.

 

Pra, jo në rrugë, por me dokumente. D.m.th. të gjithë ato kosto që mund të ankohen jo nafta, jo kimikatet jo dreqi, jo i biri, me rimbursim 20% shëndet, mirupafshim. Po si do e marrësh ti rimbursimin 20% nëse nuk je i regjistruar? Si, ku, ca do tregosh? Te Sudja, apo te Vebiu? Se kemi dhe Veliun mos ngatërrojmë. Prandaj ne jemi të detyruar që të merremi me gjëra që që nuk duhet të ishin fare në diskutim. Çfarë diskutojmë ne? Ujin në ara. Diskutojmë që kanali që ka qenë aty. Se nuk u kërkoi njeri këtyre të hapin kanale të reja, po këta mbyllën dhe të vjetrat. E futën dynjanë nëpër sherre. 8 mijë konflikte që kanë me vrasje, plagosje, cënin fizik, vetëm nga prona në Shqipëri, nga viti 1990. Të vrarë e të plagosur për pronën. Po pse u vranë e u plagosën, se u bë ashtu siç the ti: “E ke, po s’e ke. Ta jap, po s’ta jap. E ke ti po e ka dhe ai.” Po mund të vijë dhe një tjetër dhe ju të dy mbeteni me gisht në gojë. Çfarë bëjnë njerëzit pastaj. Iu ikën mendja. Ikin të rinjtë nga fshati. Po si mos të ikin? Nëse nuk është toka aty, nëse nuk është uji aty, nëse nuk shikojnë babain që bën para, ca do bëjnë, do thonë: “Do plakem dhe unë si ky, që vijnë për të më dhënë mua një copë bukë!”

 

-Të falënderojmë për takimin. Ke ardhur në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Kjo krahinë ka qenë dikur me prodhimet e fruta-perimeve, mirëpo sot, për fat të keq është në një situatë shumë të vështirë. Këto projekte që na thatë na gëzojnë, por më shumë na gëzon besimi, sepse kemi parë dhe jemi dëshmitarë që ekonominë e gjete pranë greminës, në katastrofë, bëre ndryshime.  Të falënderojmë për këtë. Ka njëfarë ngritje, por pa bujqësi nuk ka ekonomi. 

 

Kryeministri Rama: Çfarë kulture ka qënë atje si kryesore?

 

-Atje dorëzoheshin 5000 kuintal rrush në vit. I prodhonim. Bile prodhonim dhe më shumë. Edhe gruri është bërë. Mirëpo sot ka një problem mjaft të madh ky fshat. Po flasim për bujqësinë, por bujqësia pa rrugë nuk bëhet. Ka 20 nxënës që vijnë këtu në shkollë. Shkolla është katandisur atje në pikë të hallit. Jemi 7 kilometra larg si rrugë. Më e keqja është se çdo mëngjes fëmijët dhe prindërit terrorizohen nga frika se mos bie furgoni. Furgoni kalon mbi një humnerë 700 metra të lartë.  Ne i kemi dërguar një letër ministres së Mbrojtjes për të na bërë një urë. E na ktheu përgjigje, “Po”. Erdhën inxhinieret e panë vendin. Edhe vazhdon sot e kësaj dite, asgjë. Ta thash këtë problem sepse kemi 25 vite që kanë ardhur kryetarë partish, ish presidenta, kanë premtuar e nuk e kanë bërë. Tani, probleme ka shumë, por rruga është më emergjente.

 

Kryeministri Rama: Ngrite dy çështje shumë me vlerë për diskutim. E para, është ajo që thashë. Nëse secili rri më vete, nuk ka shans që të bëhet ndonjë bujqësi më atje. Por ama nëse ju bashkoheni, – nuk ka nevojë të bashkohen të terë, se tërë iku ajo punë, s’bëhen më bashkë këtu, – po të bashkohet një grup fermerësh që kanë atë pjesë të tokës e të thonë: “Ne do ripërtërijmë këtë traditë për vreshtarinë, ose çfarë ka pas tjetër dhe me kushtin që s’ka rëndësi dynymët e mia, dynymët e tua, për aq sa unë marr në dynymët e mia, do pjesëtojmë bashkë prodhimin në varësi të dynymëve që kemi si kontribut, por ama të biem dakord që do mbjellim këtë kulturë. Këtë farë do ta marrim gjithë bashkë. Do i bëjmë këtë hyzmet, jo njëri me squfur, tjetri me qymyr. Atëherë me këtë ide ju mund të merrni direkt mbështetje nga Fondi Kombëtar i Garancisë dhe të jesh i sigurte që mund të bëni sukses. Sepse nuk ka shans të bëni sukses nëse njëri ka 50 kg, tjetri ka 1 kuintal. Në qoftë se gjithë bashkë kanë një sasi të konsiderueshme, atëherë patjetër që ke dhe treg.

Të vijmë te rruga. Ne, Saliu na la një mal me borxhe, përveç borxhit të madh publik 720 milion dollarë për punë të papaguara, ku pjesën e luanit e kishin rrugët që medemek i bënte Saliu, po në fakt nuk i bëri, i hapi. Rruga mund të kushtonte 5 milion, 10 milion, Saliu vinte për rrugën 100 mijë euro dhe thoshte u bë dhe kjo, e firma vazhdonte me lekët e veta deri aty ku mundej, e kur firma ngecte, rruga ngecte, shteti shënonte borxhet, nuk ia jepte firmës. Firmat shkonin nëpër banka me kontratën e Saliut e kërkonin lekë, “sepse unë kam kontratë me shtetin e nesër do mi japi shteti”. U fut në kolaps gjithë historia.

 

Kur më thonë mua Saliu bëri rrugë, unë bëj vetëm një pyetje. Më thoni një rrugë që Saliu e bëri nga fillimi deri në fund. Një të vetme. Asnjë! Kur pa pikë turpi thotë nuk keni bërë ju asnjë kilometër, numëron për kilometra të veta aq sa kilometra është rruga, pavarësisht se kur filloi bën 10% të rrugës e ngeci rruga. Edhe Rruga e Kombit nuk ka mbaruar. Po të shkosh në Kosovë, e di që shkon deri në një pikë, ajo pjesë është bërë mirë, dhe është e vetmja rrugë që është bërë me standarde nga Saliu, e pastaj futesh në grykën e shishes atje. Ka nevojë për urë, ka nevojë për zgjerim, etj. Pra ka nevojë për mbi 100 milion euro të tjera.

Ne duhet njëherë të shlyenim borxhet që kompanitë që po mbyteshin të shlyenin borxhet tek bankat dhe të shpëtonim nga falimentimi total. Sikur ne mos kishim pasur ato para, gjithë ato para borxh, ne sot jo që do kishim mbaruar të tëra rrugët e nisura, por do kishim filluar dhe njëherë aq kilometra të reja, e nuk do diskutonim as për këtë e as për atë, se kudo në çdo zonë, ka rrugë të tilla. 3 vjet, dhe ndërkohë kemi dhe një pyetje tjetër.

Kemi bërë reforma që askush nuk mendoi se mund t’i niste. Kanë marrë votat për të qeverisur Shqipërinë dhe nuk kanë besuar që bëhet Shqipëria. Nuk e kanë besuar vetë, se unë nuk e shpjegoj dot ndryshe se si mund ta drejtosh këtë vend e të pranosh që energjia mund të vidhet e që vjedhja e energjisë nuk është krim. Do të thotë që të mos besosh që ky vend mund të bëhet e të thuash po e shty unë këtu sa të mundem. Unë nuk e kuptoj dot, të qeverisësh atdheun tënd e të thuash nuk ka problem. Gjysma që paguajnë janë budallenjtë që duhet të paguajnë dhe për këtë gjysmën tjetër që nuk paguajnë që janë të zgjuarit që nuk paguajnë.

Po u bë 20 e ca vjet, e kjo ishte gropa e parë e madhe. Pas këtij borxhi, që ishte një borxh tjetër ky. E gropa tjetër është kjo e tmerrshmja, për të mbaruar kilometra pa fund që janë lënë rrugëve. Të tëra rrugët janë lënë rrugëve. E la Shqipërinë rrugëve në çdo sektor. Më thoni, kë nuk la rrugëve? A nuk i la rrugëve nxënësit dhe studentët?! U thamë mësueseve, vini shënimin se kush janë tekstet e shkollës që duhen hequr. 600 tekste! E di ç’do me thënë 600 tekste shkollore që janë jashtë çdo standardi?! Do të thotë t’i mësosh fëmijët mbrapsht. A nuk i la rrugëve ata? Me tekste që nuk i kuptonin mësuesit? Me tekste që shkonte fëmija e pyeste prindin, dhe thoshte prindi unë nuk e marr vesh se çfarë është kjo. Nuk i la rrugëve studentët?! Atyre që u thoshte shkoni tek “Vitrina” e shkoni tek pasqyra dhe bëhuni të gjithë juristë, ku i la? Mijëra e mijëra student. Po ata që futeshin deri dje në universitet sikur futeshin në kafene. Imagjinoni, kemi ardhur në ditën kur një opozitë e tërë dhe një pjesë e popullit thotë po mirë çfarë ka? Pse duhet merita për të shkuar në shkollë? Në universitet mund të shkojë kush të dojë. A nuk ishte Saliu që i bëri me shkollë të lartë ata që nuk kishin shkollë të mesme?  A është Saliu ky?

Flasin për shëndetësinë këta. I keni parë ata që sot kanë filluar të marrin kurën e dializës pranë shtëpisë?  A nuk ishin rrugëve ata? Çfarë do të lësh më shumë rrugëve? Një njeri i sëmurë që duhet tre herë në javë të shkoj në spital, niset nga Përmeti e shkon në Tiranë tre herë në javë, për të marrë kurën. Se ndryshe nuk jeton dot. E ata janë të sëmurë që fizikisht e kanë të pamundur të shkojnë vetë. Atëherë çfarë duhet? Duhet dhe një familjar, duhet dhe makina, duhet dhe nafta, duhet dhe stresi, dhe e bënin dializën me tre turne. Nuk është rrugëve kjo?

Pse problem i madh për të shkuar e për të gjetur në Shqipëri spitale që janë akoma të pa rindërtuara? Pse kur u shkatërruan ato? Këto tre vjet?

Por problemi është në kokë, kur thua se në këto 3 vjet duhet të ishin bërë të gjitha. Kë nuk la rrugëve? Më thoni një shkollë të mesme bujqësore që ngrit? Përveç se i mbylli të gjitha çfarë ishin.

Ju që jeni marrë me bujqësi, e gjeni dot një teknik bujqësie që të vijë e të thotë, kujdes! Bujqësia sot e gjithë ditën mbahet në këmbë nga ata të “gju më gju me popullin”, siç e tha ai! Nga eksperienca e prindërve që kanë punuar dikur në kooperativë. Më shumë di një ish punëtor kooperative se sa një agronom i Saliut.

 

Jeni ju të tërë këtu më shumë juristë se sa juristët e Saliut. Kë nuk la rrugëve? Krimin? Cilin krim? Krimin që kur ne bënim fushatë në 2013, kudo ku shkonim na thonin aman vetëm na i hiqni qafe hajdutët se na shkatërruan nga të katër anët?

Ka probleme rendi? Ku nuk ka? 33 000 vriten në Amerikë nga armët. Ama pyetja është a po lufton shteti apo është bërë palë?

 

Police që e varnin rripin tek çezma. Lidhte polici rripin te çezma, i liruar komplet, mbante kapelën atje, ha fara dhe kush te pinte ujë duhet te paguante paratë atje se linte makinën atje. Ne s’kemi bërë asnjë çudi se ne s’jemi magjistrarë, por ama me siguri po ju them që në çdo sektor kemi filluar të bëjmë diçka që ata nuk e kanë çuar fare neper mend, nuk i ka shkuar fare mendja që mund të behet kjo gjë, pse ta bëjmë t’i hyjmë kësaj pune.

 

Sa here e bënë ligjin e duhanit, me thoni sa here e bënë? E di pse s’u vendos kurrë sepse nuk e besonin ata që në Shqipëri mund të mos pihej duhan nëpër lokale, nuk e besonin, se mendonin ata që Shqipëria mund të bëhej, nuk e kishin fare në kokë. Si mund të mendosh se Shqipëria mund të bëhet dhe të lesh të të sakatojnë të gjithë territorin me ndërtime pa leje dhe të thuash ky është zhvillimi. A e dëgjuat kur vajti ne atë zonë në periferi të Tiranës dhe tha: Kjo është mrekullia e 8-të e botës. Është i pari qytet, tha, në historinë e njerëzimit që u ndërtua i gjithi nga njerëzit. Domethënë pa leje, se kjo nënkuptohet, patjetër, i pari qytet që u ndërtua pa leje në botë, në histori që kur njeriu filloi të hynte në shtëpi, e beri Saliu dhe thotë është mrekullia e tetë e botës.

 

Po të them edhe këtë që i them të gjithëve dhe ia përsëris, që këto që po bëjmë ne nëpër qytete janë fillimi, nuk janë fundi, se po ta kishin filluar këta, të kishin bërë reforma, të kishin bërë punë e ta kishin filluar nga qendra e Përmetit siç e kemi filluar ne, 25 vjet mbrapa e nga qendra e Tepelenës, sot Përmeti e Tepelena do ishin pika turistike që do jetonin vetëm me turizëm se nuk do kishte më asnjë cep, asnjë rrugë pa mbaruar, po këta vinin arna, këta vinte fushata, vinin  arna. Pak asfalt këtu për Fatmir Mediun, pak asfalt këtu për ata të Ballit Kombëtar, pak asfalt atje për ata të legalitetit se dëgjoja qëparë atë që thoshte: Të dashur ballistë, më iku mëndja. Ja kjo është dhe ky zhvillim do vijë tani.

 

Ne po bëjmë programin për vitin e ardhshëm dhe do fillojmë me rrugët bujqësore. Një pjesë e programit të rilindjes urbane ka qënë aty ku janë ndërtuar qendrat më përpara, ka qënë akset e prodhimit bujqësor duke iu përgjigjur kësaj që the ti, që ku ngec rruga e prodhimit për të ndihmuar njerëzit për të dalë. Këta kanë ndërtuar rrugë, kanë ndërtuar rrugë me kilometra të tëra, aty ku mendojnë se do bëjnë vilat e tyre ne bregdet e dini ju këtë apo jo? S’ka asgjë atje, rruga me ndriçim me të gjitha, kur shkon atje nuk kas asgjë, asgjë aerodrom nuk ka. Përsa i përket urës po të them, unë nuk jam nga ata që them do bëhet sepse pastaj duhet ta bëj, se unë dua të vij prapë këtu  dhe jam i gjatë shumë për të fshehur se të shkurtrit mund të gënjejnë më kollaj se edhe fshihen, por të gënjej unë dhe pastaj të vij këtu, të thuash ore dy metra na gënjeu, nuk shkon, por urën do ta bëjmë, urën atje edhe kthesën e rrezikshme, të dyja këto do ti marr unë si detyra dhe do të bëjmë çmos që t’i bëjmë para se të na dali ndonjë hata në Facebook se ndiqke dhe facebook se s’ke faj se kështu vajti kjo punë.

 

Ju falënderojmë shumë kryeministër për ardhjen tuaj këtu. Unë kam vetëm një problem.  Fshati ynë ka 340 hektarë fushë dhe mal dhe nuk kemi një pikë ujë që të vaditim këtë fushë. Kanali ka qënë, kërkojmë një investim që të vazhdohet edhe ne fshatrat e tjera.

 

Kryeministri Rama: Ajo lart atje i vjen radha, por vjen nga poshtë, lartë. Si t’i bëj unë për tre vjet, gjëra që nuk u bënë për 25 vjet, e jo që s’u bënë për 25, – se po të mos ishin bërë për 25 e ta fillonim aty ku e filloi ai, ishim në rregull, ne – por u bënë mbrapsht për 25. Duhet prishur ajo që u bë, të bëhet nga e para kështu që do edhe pak durim kjo punë, unë të siguroj nuk do durosh aq sa ç’ke duruar. Ne duam që brenda vitit të ardhshëm të them të drejtën deri ne fund të vitit të ardhshëm që mos të bëjmë premtime fushate, ta kemi mbyllur të tërën, kështu duam dhe do bëjmë çmos që ta mbyllim të tërën kështu që besoj se deri në fund të vitit të ardhshëm edhe ajo do jetë zgjidhur, nëse kanali është.

 

 

-Ju përshëndes për takimin e përbashkët me ne deshnicarët, gjithashtu edhe për fjalën që e thoni dhe e mbani. Sivjet në njësinë administrative të Ballabanit u vu na zbatim rehabilitimi i kanalit ujitës në një gjatësi prej 5 km dhe shtoi sipërfaqen nën ujë në 180 hektarë, u shtuan dhe sipërfaqet e mbjella, u rritën. Po mbjelljet e kemi me prodhime bujqësore, grurin, jonxhën dhe kultura e tjera. Vënia e kësaj sipërfaqe në ujë rriti dhe rendimentin, shtoi dhe të ardhurat për fermerët tanë por ky projekt mbetet në vazhdim. Përshëndes dhe zotërinë në vazhdim, fshatarin e Podgoranit që ky projekt kërkon vazhdimin e tij në vazhdimësi për fshatra të tjera  dhe shton dhe sipërfaqen në njësinë administrative Sukë prej 250 hektarë në dy krahët. Është me interes. Gjithashtu i nderuar kryeministër në mendimet që dhatë ju për mbështetjen dhe favorizimin e  bujqësisë si për subvencionin, si për kreditimi, këto janë favore të tjera që vijnë në mbështetjen tonë për rritjen e prodhimit dhe për aktivitetet. Ju uroj suksese në mandatin e dytë të qeverisjes dhe kijeni në mendje edhe këtë ide që hodha për rrugën nacionale për rrugën e vjetër se vijnë turistë deri në Ballaban dhe kthehen mbrapsht, do na shtojë dhe lëvizjen e mallrave, edhe te njerëzve, edhe prodhimit.

 

Kryeministri Rama: Ndonjë nga gratë nuk do flasë këtu, se këtu është një nga vendet më të emancipuara të Shqipërisë dhe gratë ligjin e bëjnë kudo, por thonë se këtu sidomos vendosin gratë.

 

-Ju faleminderit për ardhjen tuaj këtu! Unë doja të thoja diçka që fshatrat po braktisen dhe po ikin në qytet, po shkojnë në qytet, i merr lumi pastaj kërkojnë nga qeveria kredi, duan tokat, duan shtëpinë, shpenzime prandaj dua që sikur të shikohet fshati, ti jepet një dorë. Unë rri në Tiranë, por dua të kthehem dhe të jetoj në fshat. Fshati ynë nuk ka xhade.

 

Kryeministri Rama: Pikërisht për këtë po flasim. Ata që vajtën në lumë i çoi Saliu, të kujtohet? Që thoshte ndërtimi është bereqet dhe ndërtoni kush të doni? E di unë këtë punë që ka kudo xhadera që duhen ribërë, por magjistar unë nuk jam dhe shkop magjik unë nuk kam. Po iu them dhe e shikoni vetë që gjërat po bëhen. Tani po bëhen me radhë. Si ti bëjmë të gjitha për njëherë?! Me se? Unë e kuptoj që çdo njeri shikon xhadenë e tij, por shikoni edhe këtë xhadenë e madhe që po ndërtohet se kjo është e juaja, e gjitha e përbashkët. Kështu që me radhë. Dhe mos harroni dhe një gjë se gjithë këto reforma që janë bërë dhe gjithë këto halle se nuk është kollaj t’i thuash tjetrit që nuk është mësuar të paguajë dritat në 25 vjet, “paguaj dritat”. Edhe me thënë të drejtën shumica nuk kanë qenë fajtorë se ua ka shkel syrin Saliu dhe gjithë këto reforma nuk do ishin çuar përpara pa mbështetjen e njerëzve. Ne duam tani që të bëjmë një rritje të fortë rrogash dhe pensionesh, që do ta bëjmë që edhe çdo njeri që ta shikojë të thotë: Shiko se këto reforma nuk janë për Brukselin, janë për ne që sjellin të mira edhe në buxhetet tona familjare. 124 milionë dollarë vuri Saliu për rroga dhe pensione në 8 vjet. 100 milionë vumë ne për 1 vit dhe po të llogarisim dhe çfarë ulëm nga taksat, ia hoqëm buxhetit të shtetit 110 milionë në vit për të ulur taksat e punës, taksat e rrogës. Besoj që për të gjithë këtë ia japim shumë të qartë mesazhin njerëzve që reformat janë për ju, janë për të gjithë ne bashkë dhe ju jeni pjesë e arritjeve konkretisht. Mirëpo këto janë paratë. Se mund të thoshim “mirë nuk do bëjmë asnjë rritje rroge dhe do të bëjmë xhade” dhe do të bënim shumë xhade me këto para, por duhet ti bëjmë të dyja me radhë, që edhe ata që janë mësues, edhe ata që janë mjekë, infermierë, policë, nëpunës, edhe ata të motivohen më shumë. Edhe ta të punojnë me më shumë motivim. Vërtet në televizion dalin ata që më shumë e qelbin, por shumica dërrmuese e këtyre njerëzve janë njerëz të ndershëm, që punojnë me punë të ndershme. Ata janë garantë të reformave sepse janë punonjës të këtij shteti. Por si familjarë janë edhe subjekt i reformave. Atëherë ne duam ta shtojmë buxhetin e familjes së mësuesit, të ushtarakut, mjekut, infermieres, nëpunësit. Patjetër të shtojmë pak dhe pensionet, jo vetëm indeksimin. T’i japim pensionistit në fund të vitit një shumë që e rrit ndjeshëm pensionin e tyre.

Ju falënderoj shumë! Ne jemi një qeveri që kemi bërë punë kemi bërë dhe gabime, por një gjë që s’do ta bëjmë kurrë është që t’ju tradhtojmë ju. Kjo është e sigurte!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.