Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Fier:
Problemet janë pak a shumë po ato kudo, edhe në Kukës, edhe në Fier, edhe në Gjirokastër, edhe në Sarandë. Së pari, mua më bën realisht përshtypje se 90% e probleme nuk lidhen me buxhetin, por janë probleme që lidhen me shtetin, në kuptimin e shërbimit. Natyrisht, një pjesë e tyre janë të thjeshta dhe nuk ka asnjë arsye në botë që të ekzistojnë si probleme për njerëzit, por janë krijuar nga sjellja dhe papërgjegjshmëria e administratës. Një pjesë e tyre nuk janë të lehta, sepse problemi, për shembull, ai i konflikteve të pronësisë, i marrëdhënieve të pronësisë dhe i titujve të pronësisë, që del kudo, shpeshherë është shumë i ngatërruar për shkak të gjithë batërdive e gjurulldive që janë bërë me pronën për shumë e shumë vite.
Së dyti, një pjesë e problemeve janë probleme që lidhen me marrëdhëniet mes bashkive dhe individëve. Edhe në këtë aspekt, ne kemi çfarë mësojmë, në radhë të parë, për të ndryshuar qasjen e njësive administrative, të cilat duhet të jenë fuqimisht njësi shërbimi për zgjidhjen e problemeve të njerëzve dhe ne nuk i kemi të tilla. Kemi kaluar nga komuna tek njësia administrative dhe ajo që ka ndodhur është që jo vetëm nuk e kemi ulur numrin e njerëzve që shërbejnë në pushtetin vendor, përkundrazi na është rritur edhe kostoja financiare, për shkak të një politike shumë të gabuar, në këndvështrimin tim, punësimesh në shtet, që nuk përkthehen në shërbime për njerëzit.
Njësitë administrative duhet dhe unë besoj se do ta bëjmë të mundur të kthehen në pika shumë të rëndësishme shërbimi për qytetarët. Shumë nga gjërat që qytetarët i kanë probleme jetike të familjes për vite të tëra, mund të zgjidhen direkt te njësia administrative brenda një dite. Po të llogarisësh gjithë stresin, energjitë negative dhe dëshpërimin që prodhohet nga kjo marrëdhënie skandaloze me administratën shtetërore, natyrisht që e kupton sesa shumë potencial për të kundërtën, në të mirë të vendit e në të mirë të njerëzve, ka në zgjidhjen e këtyre problemeve që kanë të bëjnë me administratën.
Nuk do të jetë diçka e lehtë. Ne kemi një sfidë shumë të madhe që në radhë të parë t’i gjejmë punës së shtetit njeriun, jo njerëzve punë shteti. Janë dy gjëra komplet të ndryshme. Nëse i gjejmë njërit një punë që ai s’e bën dot, vërtetë mund të rregullojmë dikë, në kuptimin që nga i papunë u bë i punësuar, por shkatërrojmë punën e qindra, nganjëherë mijëra të tjerëve. Unë besoj shumë që, pavarësisht problemeve me burimet njerëzore, çdo bashki i ka aq kapacitete të mjaftueshme sa na duhen për aq drejtues, për të pasur një administratë shumë më të përgjegjshme.
Nuk është vetëm çështja e njerëzve. Mund t’i heqim të gjithë drejtorët e hipotekave, siç u hoqën, mund të marrim të rinj dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë. Çështja është tek reformimi i gjithë sistemit të punës. Në rastin konkret do ta ndryshojmë krejtësisht sistemin, duke mos pasur edhe komision pronash, edhe ALUIZNI-n, edhe hipotekë, që njerëzit të mos të shkojnë sa në një institucion tek tjetri dhe kur ai ka qenë duke bërë këtë gjë, i del papritur e pa kujtuar dikush që e ka marrë ndërkohë pronën. Një institucion i vetëm, një agjenci kombëtare e titujve të pronësisë që do të marrë përsipër, së pari, regjistrimin përfundimtar të të gjithë titujve të pronësisë në Republikën e Shqipërisë dhe si rezultat dhënien e hipotekës brenda 30 minutash, maksimumi, siç ndodh në vendet normale. Mjafton të bësh kërkesën dhe del vetë titulli i pronësisë nga kompjuteri, nuk ka nevojë për njerëz. Kjo është një gjë e domosdoshme.
Së dyti, ne duhet dhe do të bëjmë çmos të realizojmë që, nëse qytetarit i duhen 10 dokumente të ndryshme për të marrë një shërbim, së pari të shikojmë duhen apo s’duhen të gjitha. Ne kemi ngritur një grup pune që po punon dhe nesër kemi një mbledhje tjetër, për të parë të gjithë rezultatet e punës për të zvogëluar numrin e licencave, të vërtetimeve, dokumenteve, por edhe nëse duhen, t’i marrë shteti dhe jo njerëzit. Për shembull, dikush shkon te ALUIZNI dhe i kërkohen shtatë dokumente. Nëse këto shtatë dokumente janë në zyra të tjera të shtetit, le t’i marrë ALUIZNI vetë. Qytetari paguan shërbimin dhe aq.
E treta, duke vëmë në shfrytëzim të gjithë kapacitetet teknologjike, nuk është e nevojshme që një gjyshe të dijë të përdorë kompjuterin për të paguar dritat, por në njësinë administrative mund të ketë një pikë shërbimi me kompjuter që i shërben. Nëse mbi 300 njësi i kemi të lidhura në rrjet për t’i dhënë qytetarëve shërbimet pa pasur nevojë që të nisen nga fshati e të ikin në qendër, apo edhe deri në Tiranë, atëherë aty nuk është problem që të jenë edhe dy a tre njerëz që e bëjnë atë shërbim.
Sot, ne kemi mundësi realisht të ndërtojmë një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm. Koalicion real, jo propagandë, që do të thotë t’i japim mundësi çdo njeriu të zakonshëm të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes dhe nëse ka një problem të vetin apo të familjes të mund ta trajtojë në rrugë zyrtare menjëherë dhe të marrë zgjidhje, nëse problemi zgjidhet. Por çështja është që edhe kur problemi nuk zgjidhet, të lënë varur pa fund, ndërkohë që administrata duhet të thotë brenda afatit “po” ose “jo”. Me teknologjinë e re, me ndërtimin e një platforme bashkëqeverisjeje online, kjo është plotësisht e mundur. Kush është në një zyrë dhe është përgjegjës që qytetari nuk e ka marrë të drejtën, ai s’mund të rrijë më në zyrë.
Natyrisht kemi shumë parazitë e grabitqarë në administratë. Drejtorë parazitë dhe grabitqarë, siç kemi dhe të tjerë kudo ku ka kontakt me qytetarin, që janë gati të të bëjnë golin në sekondë. Por kemi edhe plot njerëz të mirë, njerëz të drejtë dhe të ndershëm që punojnë në shtet. Ne duhet t’i japim maksimumin e vlerësimit atyre që janë pozitivë dhe duhet t’iu bëjmë një luftë pa kompromis atyre që janë negativë.
Edhe bujqësia është një problem shumë i madh. Ka vetëm një shpëtim për fermerët që shesin nën kosto, të bashkohen. Të bashkuar çmimin e vendosin ata, të ndarë, çmimin e vendos tregtari. Këtu s’është puna të bashkohemi me kooperativa, me toka. Nëse janë 7 veta që shesin në një fshat dhe janë të ndarë, tregtari do vijë dhe do t’i fusë në garë kush ia jep më lirë. Nëse janë të bashkuar, do jenë ata që do fusin tregtarët në garë, kush e merr më lirë. Ne duhet të bashkojmë konceptin, çfarë kulture do mbjellim, çfarë fare do përdorim, çfarë kimikatesh dhe shërbimi do t’i bëjmë. Kështu do ulim edhe koston e prodhimit. Nëse secili prodhon veç, kosto shkon më e lartë. Nëse shesim veç, shkon nën kosto. Ka plot realitete në Shqipëri që e kanë kaluar këtë fazë, shesin bashkë.
Bashkitë të jenë afër fermerëve për të ndërtuar strukturat e grumbullimit dhe të përpunimit. Që të ndërtohet një frigorifer, duhet të shfrytëzohen financimet alternative. Ne kemi krijuar një Fond Kombëtar të Bujqësisë, që është para e lirë, gati për të gjithë ata që duan të ndërtojnë struktura të tilla. Por merren nga banka, ndaj kërkon projekt, kërkon organizim, kërkon edhe bashkëpunim me bashkitë. Duhet të ketë një ndërmjetës dhe këtë ndërmjetës bashkia mund ta bëjë shumë mirë.
Ne do reformojmë komplet, të gjithë sistemin e bujqësisë. Drejtoritë e Bujqësisë nuk do jenë më këto që janë. Drejtori bujqësie shteti, drejtori bujqësie bashkia, agjenci pagesash etj., një çorap i madh. Do t’i ndajmë qartësisht punët. Qeveria do të bëjë politikat dhe të përcaktojë buxhetet. Pjesën tjetër duhet ta ndajmë midis agjencisë së pagesave dhe bashkive. Ajo që fermerët kanë nevojë, nuk është vetëm leku, është edhe informacioni.