Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me drejtorët e rinj të ALUZNI-t dhe ZRPP-ve:

 

Së pari, është e rëndësishme të theksohet pse ky takim pune është publik. Unë bëj edhe takime të tjera të kësaj natyre. Jo më larg se dje, sëbashku me ministren kemi bërë një takim me drejtorët e rinj të sistemit penitenciar të burgjeve dhe këto takime nuk janë publike. Por ky takim është publik, sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët ta ndjekin këtë proces përpjekjesh të mëdha, të vështira, që ne kemi ndërmarrë për të përmbysur sistemin e korrupsionit, të ryshfetit, të grabitjes dhe të parazitizmit në zyrat e hipotekave të republikës. Kjo është arsyeja, pse takimi është publik. Po ashtu, ne do të vazhdojmë të kërkojmë me insistim aleancën me njerëzit e zakonshëm, pra, me publikun, për të luftuar të gjithë grabitqarët dhe parazitët që vazhdojnë të kenë vend në këtë sistem.

Nga ana tjetër dua ta theksoj qartë që qysh nga korriku, kur unë i kam kërkuar në bllok dorëheqjen të gjithë drejtuesve të hipotekave dhe deri më sot kanë kaluar 6 muaj. E fakti që sot finalizohet emërimi i të gjithë drejtuesve të rinj, në bazë të një procesi aspak të lehtë seleksionimi, me konkurse të përsëritura, vjen si rezultat jo i ndonjë detyrimi ligjor, apo i ndonjë detyrimi të një natyre tjetër, përveç detyrimit moral ndaj publikut dhe ndaj vetes, për të bërë më të mirën në përzgjedhjen e drejtuesve dhe drejtueseve të hipotekave. Kjo është arsyeja pse jemi “vonuar” dhe kjo është arsyeja pse unë i refuzoj të gjitha pretendimet dhe të gjitha insinuatat për ndërhyrje në këto konkurse, pasi askush, as ligji dhe as ndonjë forcë jashtë forcës sonë të vullnetit për ta bërë këtë punë në mënyrën më të mirë, nuk na detyronte që të bënim konkurse.

Dua ta bëj shumë të qartë edhe për ata që hedhin romuze dhe shfaqin skërmitjet e cinizmit në publik, se një drejtor këtu, apo një drejtor aty, na paskësh qenë kontributor i Partisë Socialiste në fushatën paraardhëse, apo në fushata paraardhëse. Këto procese nuk përjashtojnë socialistët. Këto procese u japin mundësi të gjithëve që të përfshihen dhe padyshim që, për ne, kriteri i vlerësimit nuk fillon nga të qenit socialist, apo të qenit demokrat. Ai fillon nga të qenit i aftë apo i paaftë, i gatshëm apo jo i gatshëm për ta bërë këtë punë. Ashtu siç kam besim se është bërë zgjedhja më e mirë e mundshme, në kushtet kur është zhvilluar i gjithë ky proces, kam edhe bindjen se jemi ne të parët, ministrja e Drejtësisë dhe e gjithë struktura përgjegjëse, që duhet të verifikojë çdo ditë në veprim drejtësinë dhe vlerën e çdo zgjedhjeje. Të gjithë jeni në provë. Provën nuk e keni me ndonjë parti, nuk e keni as me qeverinë, por e keni me popullin shqiptar dhe me publikun e me qytetarët që vijnë në dyert e hipotekave. Kjo është prova.

Po e ndaj hipotekën nga ALUIZNI për një arsye shumë të thjeshtë; Edhe ALUIZNI ka probleme si të gjitha sistemet e shërbimit publik, por ALUIZNI ka shembuj të shkëlqyer brenda sistemit, që vlejnë për të ndarë qartë, në mënyrë të vazhdueshme, shapin nga sheqeri, edhe pse ky proces është larg së qeni i përfunduar dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm se lufta me korrupsionin, me ryshfetin, lufta me cinizmin dhe me arrogancën ndaj qytetarëve është luftë që vazhdon çdo ditë e do të zhvillohet çdo ditë. Secili nga ju duhet ta ketë shumë të qartë që duhet ta fitojë çdo ditë të drejtën për t’u paguar nga taksat e qytetarëve.

Paralelisht, ne kemi nisur procesin e reformës rrënjësore të sistemit të titujve të pronësisë dhe jemi besimplotë që deri në qershor do të kemi formësuar Agjencinë Kombëtare të Titujve të Pronësisë, që do të thotë, bashkimi i këtyre dy institucioneve dhe shërbim i unifikuar për qytetarët, për t’i dhënë fund njëherë e mirë atij ping-pongut të tmerrshëm, ALUZINI ta jep, hipoteka nuk ta njeh dhe ecejakeve pa mbarim të qytetarëve, sepse hipotekat preferojnë t’i bien shkurt. Në këtë aspekt, kjo është dhe sfida brenda sfidës e të gjithë drejtuesve të hipotekave.

Ne, sot nuk jemi vetëm, edhe pse aleatin që e kemi zgjedhur dhe që e duam çdo ditë e më të pranishëm e më të fuqishëm në këtë proces, që është njeriu i zakonshëm, nuk e kemi ende në atë pozicion e në atë fuqi që me siguri do ta kemi në vijim, pasi ka ende skepticizëm, ka ende dyshime, ka ende mosbesim se platforma e bashkëqeverisjes funksionon. Por janë 35 punonjës hipotekash, të cilët janë larguar nga detyra dhe tani janë nëpër procese penale, si pasojë e funksionimit të platformës së bashkëqeverisjes. E dua t’ju them të gjithëve ju që kjo platforme vërtetë ka në themelin e vet lidhjen direkte të qytetarit që ankohet me ministrin e sektorit përkatës, vërtetë ministrja e Drejtësisë është instanca që merr drejtpërdrejtë dhe interesohet drejtpërdrejtë për çdo ankesë të çdo qytetari në hipotekë, por nga ky moment, çdo drejtor hipoteke do mbajë përgjegjësi për çdo ankesë të qytetarëve, për dhënien në kohë të përgjigjes ndaj qytetarit dhe marrjen e masës se kush është përgjegjës që qytetari është vonuar apo zvarritur në hipotekë. Që do të thotë se nuk duhet të prisni telefonatën e koordinatorit të bashkëqeverisjes në zyrën e ministres, nuk duhet të prisni që t’ju alertojë ministrja e Drejtësisë, por duhet të alertoheni vetë në kohë reale, duke parë e duke dhe ndjekur orë për orë platformën e bashkëqeverisjes, për të konstatuar nëse ka ankesë apo kërkesë nga qytetarët për zyrën që ju do të drejtoni dhe në kohë reale duhet t’i jepni përgjigje qytetarëve.

Është e papranueshme që kërkesa të mbajtura tre vjet, katër apo pesë vjet nëpër sirtarë të zgjidhen për tre ditë, kur ndërhyn drejtpërdrejtë ministrja e Drejtësisë, në bazë të kërkesës së qytetarit, që do të thotë se është mbajtur abuzivisht, arbitrarisht dhe për këtë i është krijuar një kosto shumë e madhe morale, psikologjike, financiare, ekonomike, familjare, qytetarit. Ndërkohë që për këtë kosto ka përgjegjës direkt e këta janë individët që kanë përsipër dosjen. Për këta individë ka vetëm një metodë, çuarja përpara drejtësisë. Atje në radhë, tek dera e prokurorisë të përgjigjen, pse nuk kanë bërë detyrën dhe ping-pongu me ALUIZNI-n, duhet të marrë fund.

Sigurisht që hipoteka ka një sërë problemesh të trashëguar prej 20 e kusur vitesh, që janë edhe ajo tepsia e justifikimeve për ata që nuk i japin përgjigje qytetarëve, “jo nuk është azhornimi”, “jo nuk është harta”, “ka mbivendosje”, “nuk ka referime” etj.. Janë të vërteta të gjitha këto. Paralelisht me procesin e dixhitalizimit, – proces që ka 100 vjet, se 100 vjet janë për njerëzit 20 e ca vitet që ka filluar ky proces, por që tanimë është futur në rrugën e sigurt të kryerjes, – ka një rregull që është vendosur prej kohësh, hartat e ALUIZNI janë harta të aktualizuara dhe nuk ka asnjë justifikim. Hipoteka të thotë jo, sepse harta ime është ndryshe. Harta jote nuk është harta e duhur. Harta e ALUIZNI-t është e aktualizuar dhe në momentin kur ALUIZNI thotë legalizohet, ke vetëm një detyrë, ta hipotekosh e jo ta mbash aty peng e ta mbash aty qytetarin, sikur është top ping-pongu. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Çdo kthim mbrapa i dosjes së certifikuar e të vulosur nga ALUIZNI, do të jetë letër dorëheqjeje e drejtorit të hipotekës; Kështu do të konsiderohet. Në momentin që ke pranuar që një dosje e tillë, në vend se t’i kthehet në hipotekë qytetarit, shkon prapë te ALUIZNI, kjo konsiderohet teksti yt i dorëheqjes.

Edhe ALUIZNI nuk është pa probleme dhe problemi i ALUIZNI-t duke më qartë, sepse ka drejtori me objektiva të realizuara dhe me pëlqyeshmëri të lartë të qytetarit. Që do të thotë që puna është e bëshme dhe ato sajesat e justifikimet e atyre drejtorive të tjera që nuk realizojnë objektivat nuk kanë bazë tek pamundësia objektive për të bërë punën, por kanë bazë tek dembelizmi, parazitizmi dhe instinkti i vjetër i grabitjes. Këto janë të thjeshta e të vërteta, kështu që shpresoj shumë se drejtuesit e rinj të ALUIZNI, – një pjesë me të drejtë janë të rinkofirmuar, sepse kanë bërë një punë shembullore dhe këtë e tregon numri i madh i legalizimeve dhe pëlqyeshmëria e shërbimeve ndaj qytetarëve, – drejtuesit e tjerë duhet të ndjekin shembullin e të parëve.

Në këtë sistem do të punohet me objektiva dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë ka detyrën dhe përgjegjësinë të organizojë të gjithë sistemin e inspektimeve të brendshme, të vazhdueshme, në të gjithë këtë sistem të titujve të pronësisë, qofshin legalizime, qofshin hipoteka, për të parë në kohë reale si funksionon sistemi. Keni shumë pak kohë për të zgjidhur përfundimisht edhe çështje banale që janë pamja, pastërtia, rregulli, sjellja formale e punonjësve të hipotekës. Nuk mund të ketë zyra shteti pis, nuk mund të ketë zyra shteti ku kur hyn, nuk merr vesh i pari të dytin. Kjo besoj që nuk duhet fare të diskutohet në harkun e 30-60 ditëve në asnjë zyrë, ku i shërbehet njerëzve, për këto aspekte kaq të thjeshta, por që janë bërë kaq të komplikuara, të marrjes së dokumenteve, certifikatave, vërtetimeve të pronësisë.

Për Drejtorin e Përgjithshëm të hipotekave kam mesazh shumë të thjeshtë dhe të qartë; Ashtu si Artan Lame është në krye vetë personalisht çdo ditë, për të ndjekur funksionimin e platformës së bashkëqeverisjes dhe për të dhënë përgjigje në kohë reale për çdo ankesë të qytetarëve përmes platformës, – po ju them është institucioni që nuk ka asnjë vonesë, zero, në përgjigje ndaj qytetarëve, që zbaton para afatit, afatin prej 10 ditësh për të dhënë përgjigje, – Drejtori i Përgjithshëm i hipotekës duhet të bëjë të njëjtën gjë. Të mos kemi më asnjë vonesë në dhënien përgjigje për ankesat e qytetareve dhe asnjë hezitim për të goditur çdo shkaktar të tyre në vonesa.

Qytetarëve, përfitoj nga rasti t’ju them, besojeni se me platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al keni në dorë instrumentin për “fshesën”, për të hequr sysh, për të hequr nga rruga juaj çdokënd në hipotekë, tek ALUIZNI, apo kudo qoftë tjetër, që ju del përpara dhe nuk ju jep atë që ju takon në kohë reale. Mjafton të futeni tek platforma dhe të tregoni rastin tuaj, të shoqëroni rastin me dokumente dhe për 10 ditë, ju do të merrni përgjigje dhe shkaktari i vuajtjes suaj nuk do të jetë më pjesë e zyrave të shtetit.

Shumë faleminderit dhe suksese në detyrë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.