Konferencë për mediat e Kryeministrit Edi Rama:
Mirëdita!
Dua të falenderoj dhe të përshëndes me mirënjohje, të gjithë anëtarët e shumicës parlamentare në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht Kryetarin e Komisionit, Fatmir Xhafa, për kurorëzimin e një pune kolosale me votimin e sotëm të shumicës parlamentare në këtë Komision.
Dua të falenderoj me mirënjohje të thellë, Bashkimin Europian dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë këtij procesi historik. Posaçërisht dy ambasadorët, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, për punën e tyre këmbëngulëse dhe të paanshme në interes të popullit shqiptar, qysh prej ditës së parë të këtij procesi të gjatë.
Dua të falenderoj po ashtu, me shumë mirënjohje, më të rëndësishmin, publikun shqiptar, socialist, demokrat, pa parti, njerëz të zakonshëm të këtij vendi, të cilët në shumicën më dërrmuese të mundshme kanë qënë dhe mbeten arsyeja kryesore, por edhe burimi kryesor i presionit mbi klasën politike për ta kaluar këtë reformë që do të përmbysë një sistem të vjetër, të korruptuar dhe vrastar të drejtësisë në Shqipëri.
Votimi i sotëm dhe përmbyllja e punës së Komisionit të Reformës në Drejtësi u krye në kohën e kronometruar paraprakisht dhe në rrugën e njoftuar publikisht prej meje, pas takimit të pasuksesshëm të delegacionit të shumicës sonë parlamentare me lidershipin e Partisë Demokratike.
Jam i keqardhur që dje, Kryetari i Partisë Demokratike bëri një përpjekje të kotë, nuk e di nëse me vetëdije apo për mungesë qartësie, por kjo ka pak rëndësi, për të hedhur hi në sytë e opinionit publik. Ai tha se unë paskësha pranuar dje, vendet e rezervuara. Ndërkohë që, unë nuk kam thënë asgjë të tillë dhe këtë e dëshmon fare qartë deklarata ime e djeshme, të cilës ai iu referua, duke e shtrembëruar thellësisht.
Në fakt, ne as që kemi pranuar dhe as i pranojmë vendet e rezervuara, por kemi ofruar gatishmëri për të negociuar një zgjidhje që siguron përfshirjen substanciale të opozitës, me përzgjedhjen nga Kuvendi të asaj pjese të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët do të votohen nga trupa parlamentare dhe kemi negociuar e jemi gati të vazhdojmë të negociojmë për këtë zgjidhje.
Por duke dëgjuar Lulzim Bashën të flasë për lepuj që ai tha se e di ku flenë, dua t’ju them se, nëse në barkun e atyre që nuk e duan Reformën në Drejtësi ka lloj-lloj lepujsh, lepuri më i madh është pa asnjë dyshim, makthi nga vetingu, ose siç e quaj unë për lehtësi komunikimi, radiografia etiko-profesionale e çdo prokuroi dhe gjykatësi. E cila, do të vendosë se kush mund të vazhdojë të paguhet me taksat e shqiptarëve, për të hetuar apo gjykuar dhe kush duhet të zhvishet njëherë e përgjithmonë nga e drejta për të ushtruar këto role kyçe për cilësinë e jetës demokratike dhe për jetën e njerëzve në këtë vend.
Me keqardhje, por vendosmërisht, e përsëris sot se kjo frikë e madhe dhe plotësisht e kuptueshme, në fakt, nga radiografia e gjithë atyre prokurorëve dhe gjykatësve që kanë bërë krime në emër të drejtësisë, por dhe atyre politikanëve që kanë përfituar nga lidhjet e nga bashkëpunimi me këta njerëz të inkriminuar brenda sistemit të drejtësisë, as nuk është problemi ynë, as nuk kemi ndërmend ta bëjmë pjesë të hesapeve partiake në Kuvendin e Shqipërisë.
Partitë nuk mund të ndajnë mes tyre se cilët “doktorë” do çojnë në Komisionin e radiografimit, sepse e dimë shumë mirë se çfarë rezultatesh mund të dalin nga një pazar i këtij lloji. Pa një radiografim të pavarur nga partitë të gjykatësve e të prokurorëve dhe pa përjashtuar nga puna në sistemin e drejtësisë, njëherë e mirë, prokurorët e gjykatësit që janë fryrë nga xhepat e trutë duke vrarë drejtësinë në këtë vend, kjo nuk është më Reformë në Drejtësi.
Çdo konsensus për të manipuluar për interesa palësh e individësh në politikë rezultatet e radiografimit, jo vetëm do të ishte vrasja me duart tona e shpresës së madhe që ka ngjallur me të drejtë kjo reformë në popull dhe e mundësisë historike që ajo ka krijuar për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, por edhe nuk do të njihej kurrë si një reformë reale në drejtësi, as nga Bashkimi Europian, as nga Shtetet e Bashkuara Amerikës. Aq më pak pastaj do t’i shërbente një lloj pazarllëku i tillë me emrin konsensus, drejtësisë që meriton Shqipëria e gjeneratës tjetër. Konsensus po, por pa shkelur parimin e panegociueshëm të transparencës, pavarësisë dhe profesionalizmit në radiografimin një për një të të gjithë individëve që janë sot në sistem dhe që do të duhen të vazhdojnë të punojnë edhe në sistemin e ri.
Edhe mesazhi i sotëm i Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë është besoj, fare i qartë.
Pa këtë reformë, jo vetëm nuk ka negociata, por kushedi se kur rikthehet përsëri kjo mundësi historike për Shqipërinë, në përpjekjet e saj për të hyrë në Bashkimin Europian. Ama, se çfarë reforme duhet për të qënë të denjë për Bashkimin Europian, fjalën e fundit për këtë nuk e themi dot as ne, as PD-ja, por e thotë vetë Bashkimi Europian. Dhe Bashkimi Europian nuk e pranon kurrsesi për reformë që meriton notë kaluese, se nuk ka sesi ta pranojë, një reformë ku radiografimin e pasurisë, të vendimmarrjeve dhe të aftësive profesionale të prokurorëve dhe gjykatësve e bëkan të dërguarit e partive në një komision, ku karriget e anëtarëve i japin partitë. As Shtete e Bashkuara nuk e pranojnë dot si zgjidhje këtë lloj loje kukafshehti. E kanë thënë qartë!
Një lojë kukafshehti ku Partia Demokratike na kërkon të përfshihemi edhe ne, duke kushtëzuar votën e saj për Reformën në Drejtësi. Unë e rinënvizoj dhe sot, atë që thash dje;
Nuk e votoj një reformë që fut partitë në komisionin e radiografimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Komision që, sa për t’ju dhënë një shembull, bëhet i ngjashëm si dy pika uji me KQZ-në famëkeqe të vitit 2011, ku përdoreshin kutitë e gabuara për të nxjerrë rezultatet e duhura.
Radiografinë çdo prokurori e gjykatësi në këtë vend mund dhe duhet t’ia bëjnë vetëm njerëz të përzgjedhur nga një mekanizëm që kontrollohet rreptësisht prej partnerëve ndërkombëtarë. Kjo është dhe zemra e Reformës në Drejtësi. Ndërsa çdo lloj kompromisi i natyrës që pretendon Partia Demokratike do ta kthente këtë organ jetik për sistemin e ri të drejtësisë, në zorrën e partive në sistem.
Dy falë për Venecian. Nuk po i kthehem kronikës së deklaratave lidhur me Komisionin e Venecias dhe as kundërthënieve jo të pakta të Partisë Demokratike mbi çfarë ka thënë dhe çfarë nuk ka thënë Venecia, hap pas hapi. Ju i keni arkivat, mund t’i referoheni dhe do të gjeni plotë të tilla.
Po shpreh një opinion shumë të thjeshtë, një bindje në fakt. Sado mirë ta lexojnë opinionin e Venecias partitë tona, nuk besoj se mund të ketë një parti, aq më pak Partia Demokratike, që e lexon opinionin e Venecias më mirë se ekspertiza ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Kështu që kjo këngë e fundit e mjellmës, që ka nisur të këndohet në selinë blu, tani kur jemi në metrat e fundit para miratimit të Reformës në Drejtësi, pas një rrugëtimi kaq të gjatë ku kemi dëgjuar shumë këngë, nuk ka gjasë të bindë asnjë zgjedhës demokrat që do Reformën në Drejtësi dhe jo më të bindë mbarë popullin shqiptar, të na bindë ne, të bindë Shtetet e Bashkuara, të bindë Bashkimin Europian, të bindë botën mbarë se të gjithë duhet të dëgjojmë Partinë Demokratike, sepse të gjithë e lexuakan gabim se çfarë thotë Venecia dhe vetëm tek selia e PD-së u lexuaka e vërteta e kulluar e Venecias.
Si ka mundësi që partia më e madhe, Partia Socialiste që udhëheq koalicionin, koalicioni i madh në parlament, hiqka dorë nga çdo mundësi për të kontrolluar vetingun, pra radiografimin etiko-profesional të prokurorëve dhe gjykatësve që do të pranohen të punojnë në sistemin e ri, ndërsa PD-ja, në vend që të ndihet mirë që shumica nuk do që të ketë duart e saj në këtë proces, jo vetëm nuk ndihet mirë, por do patjetër duart e veta në procesin e vetingut.
Është një pyetje retorike që çdo mendje e arsyeshme e kupton përgjigjen. Sidoqoftë unë kam një përgjigje për këtë, që është e thjeshtë në fakt; PD-ja nuk është thjesht që i trembet Reformës në Drejtësi. Nuk është vetëm kjo. PD-ja nuk do që ta prishë vëllazërinë – “brotherhood” quhet në filmat e lidhjeve të krimit me politikën, – me prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, të cilët i ka përdorur dhe i përdor për qëllimet e veta. I ka përdorur për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe jemi të gjithë dëshmitarë se çfarë ka bërë kjo drejtësi për ngjarje spektakolare, që sot e gjithë ditën mbeten të pandëshkuara dhe po ashtu i ka përdorur dhe i përdor për të sulmuar kundërshtarët me maskën e drejtësisë.
Dikush mund të thotë se duke folur kështu, troç, siç mendoj unë se janë gjërat, unë nuk e ndihmoj konsensusin, por, në fakt, unë kam një mendim tjetër.
Nëse PD-ja e do Reformën në Drejtësi dhe nuk e ka problem prishjen e vëllazërisë me prokurorët dhe gjykatësit e inkriminuar, bujrum! E ka shumë të thjeshtë, nuk ka nevojë të na bindë, mjafton ta votojë reformën. Duke votuar reformën dhe duke pranuar të mos fusë duart e veta në procesin e radiografimit të gjykatësve dhe prokurorëve ka provuar të kundërtën e gjithë atyre argumenteve që mbështesin opinionin se PD-ja nuk e do Reformën në Drejtësi, për arsye se i trembet dhe për arsye se i bie të bëjë “sakrificën e madhe” të prishjes së vëllazërisë me gjykatësit dhe prokurorët e inkriminuar.
Ky opinion nuk është vetëm i imi, por një opinion i gjerë publik, i cili, siç ju mund ta ndiqni pulsin e tij, është përditë e më i acaruar për mosvotimin ende të Reformës në Drejtësi.
Sidoqoftë, deri ditën kur PD-ja do të votojë Reformën në Drejtësi, kjo e vetingut do të jetë vija e kuqe, e pakapërcyeshme, e panegociueshme për ne. O do bëjmë reformën në drejtësi dhe do ta shembim këtë sistem nga themelet, duke pastruar radhët e gjyqësorit nga vrasësit dhe vjedhësit e drejtësisë, ose përndryshe nuk do të votojmë asgjë të ngjashme, që nuk garanton këtë qëllim të madh kombëtar dhe që nuk garanton se në harkun e 10 viteve, kur normalisht kemi ambicien dhe të drejtën legjitime të pretendojmë që Shqipëria të jetë anëtare e Bashkimit Europian, ne kemi një sistem drejtësie, për të cilin nuk jemi të detyruar të ulim kokën, të skuqur nga turpi, kur gjendemi përballë partnerëve dhe miqve tanë në Bashkimin Europian.