Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbisedim i Kryeministrit Edi Rama me studentë të Fakultetit të Juridikut dhe të Magjistraturës, mbi reformën në drejtësi:

 

Mirëdita!

Faleminderit që erdhët!

Ishte dëshira për të bërë një bisedë me ju që studioni për drejtësi qoftë në juridik, qoftë në magjistraturë dhe që mbase jeni njerëzit më të interesuar për një sistem drejtësie, ku të mund të mund të funksionojë merita, ku të njihet karriera dhe ku të mos bashkëjetojnë njerëzit e ndershëm me prokurorë apo gjykatës të inkriminuar. Në fund të fundit edhe ajo që po ndodh në këto orë dhe që paraqitet në forma të ndryshme nga aktorët politikë është në thelb një ngërç i krijuar për shkak se një pjesë duan ta ndajnë krimin dhe korrupsionin nga roli i prokurorit dhe gjykatësit ndërsa një pjesë tjetër duan që të ruajnë “status quo”-në e krimit dhe korrupsionit si pushtet sovran brenda sistemit të drejtësisë.

Mbase mund të tingëllojnë fjalë të rënda, por unë nuk di çfarë mund të thuhet për një sistem drejtësie ku nëse do të merrnim dhe do të mblidhnim në një raport historitë e njerëzve të këtij vendi në këto 25 vjet në dyert e gjykatave, mbase do të na duhej të bënim një varg librash aq të gjatë sa ç ‘është distanca e tokës me hënën dhe do të mund të lexonim hatara të pabesueshme.

Çfarë mund të thuhet për një sistem drejtësie dhe për një pushtet gjyqësor, ku dikush me letra të falsifikuara paraqitet si përfaqësues i një familjeje pronarësh dhe kërkon 50 hektarë tokë shtetërore, në bregdet,  duke marrë në fund të procesit gjyqësor 300 hektarë. Për ju që studioni drejtësi a ka mundësi që të vish tek gjykatësi të kërkosh një gjë dhe të marrësh 5 gjëra?!

Është e qartë sepse ka ndodhur, sepse toka shtetërore ishte më e madhe se 50 hektarë dhe përpara hartës është bërë një pazar mes kërkuesit dhe gjykatësit, i cili ka përdorur kërkuesin për t’i grabitur shtetit jo 50, por 300 hektarë dhe për t’i ndarë bashkë.

Si mund të dalim ne nga kjo situatë e rënduar prej 25 vjetësh që na ka bërë një vend me damkë në të gjithë kontinentin tonë për sistemin më të korruptuar të drejtësisë?! Duke bërë ligje më të mira?! Nuk janë ligjet që na kanë penguar. Na ka penguar keqzbatimi, moszbatimi ose shkelja e tyre.

Duke ndërtuar një arkitekturë të re për një sistem që duhet shembur me themel, që nga KLD, që ju jeni dëshmitarë, i mohoi përpara pak javësh 4 apo 5 studentëve më të mirë të magjistraturës të drejtën që ia u jep ligji.

Të gjitha këto janë pjesë të zgjidhjes, por nuk e garantojnë zgjidhjen sepse nëse do të shembim ngrehinën e kalbur, banesën e rrënuar ku sot jeton korporata e prokurorëve dhe gjykatësve dhe do të ngremë një ngrehinë të re akull, por duke lejuar që në atë ngrehinë të futen të gjithë banorët, të ndershmit dhe të zotët, qoftë të paaftit dhe të korruptuarit, atëherë thjeshtë dhe vetëm kemi spostuar trupën brenda një ngrehine të re, por nuk kemi vendosur në themel të punës së sistemit, garancinë se gjithë ky proces i konceptuar përmes reformës do të mund të  japë rezultat.

Nuk kemi pasur nevojë të shpikim rrotën, por thjesht t’i referohemi eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare që kanë adresuar këtë problem në situata të ngjashme.

Nuk është Shqipëria i vetmi vend që ndeshet me korrupsionin në histori, në drejtësi.

Historia e largët dhe e afërt ka pasur përballje të kësaj natyre në vende të tjera që mund të kenë qënë edhe më të egra, me sisteme mbase edhe më të korruptuara. Eksperiencat dhe praktikat me të mira tregojnë se ka një instrument që është vetingu apo ndryshe skanimi i të gjithë njerëzve të sistemit në procesin e kalimit nga një ngrehinë e rrënuar, në një ngrehinë të re dhe moslejimi i infiltrimit përmes klientelave politike apo rrugëve që iu hap paraja në sistemin e ri, të njerëzve të korruptuar. E vetingu ka dhënë kudo rezultate pozitive, diku të shkëlqyera, diku më pak të shkëlqyera, por gjithmonë rezultate pozitive.

Kemi diskutuar qysh në krye të herës për këtë çështje, qysh kur ndërmorëm këtë rrugëtim kaq të vështirë të një reformë që është jashtëzakonisht e vështirë dhe vetingu ka qënë një koncept i gjithë pranuar edhe nga qeveria, edhe nga opozita madje opozita ka kërkuar një përfshirje sa më të fortë të ndërkombëtarëve në këtë proces të vetingut. E kam treguar disa herë dhe ju kërkoj ndjesë, në qoftë se për dikë është përsëritje e bezdisshme. Në 1 prill të vitit 2014 në zyrën e kancelares, gjatë vizitës zyrtare në Berlin, unë kamë pasur një diskutim të hapur për pse sipas meje Bashkimi Europian kishte gabuar, duke mos ia dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit qysh në fund-dimrin e 2013.

Ne kishim ardhur në qeveri në mes shtatorit kishim bërë disa punë të lavdëruara prej tyre dhe me plot të drejtë, kërkuam që të na jepet statusi kanditat. Me disa argumenta me të cilat as kam rënë, as kam për të rënë ndonjëherë dakord, – nuk na u dha. E duke i kundërargumentuar gjithë këto argumente me kancelaren, në një moment të caktuar ajo më ndalon dhe më thotë: Dakord, le të marrim të mirëqenë se ke të drejtë, mbase duhet të kishim vepruar ndryshe dhe mbase duhet t’ju kishim dhënë statusin e kandidatit qysh në fund dimrin e vitit të kaluar, tani më shiko në sy dhe më të njëjtin sinqeritet që kritikove Bashkimin Europian më thuaj a ka shans sipas teje që Shqipëria të bëhet një vend i BE me sistemin e korruptuar të drejtësisë që ka, me ata prokurorë dhe gjykatës që janë një nam i zi për Shqipërinë në sy të Europës?!

I thashë, natyrisht që jo. Kjo është arsyeja pse na duhet procesi i integrimit, dhe kjo e statusit të kandidatit do ishte një rritje e përgjegjësisë në këtë proces, përgjegjësisë së vendit ndaj vetvetes dhe BE-së.

E aty kemi diskutuar gjatë si duhet qasur reforma në drejtësi.

Sot jemi në këtë udhëkryq. Ne besojmë që pa përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e skanimit nuk ia dalim dot.

Opozita kërkon një relativizëm të kësaj përfshirje, që faktikisht e bën të pamundur instrumentin e kontrollit.

Ka bërë një propozim që është refuzuar, jo vetëm nga ne, por është refuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. I keni dëgjuar argumentet, sovraniteti, atdheu, aftësia jonë për ta bërë këtë punë vetë, të huajt dhe të gjitha llojet e fjalive propagandistike, kur siç thotë ajo fjala e mençur, “patriotizmi bëhet strehë, – s’po e them tamam siç e thotë, por po themi, – për  njerëzit që nuk e kanë ndershmërisht.” Po e modifikoj meqë jemi në proces mirëkuptimi. Atëherë, në këtë moment, mbasi ne kemi pranuar gjithçka, jemi përpara një situate absurde.

Unë i kam bërë opozitës një propozim shumë serioz. Shumë sinqerisht, ne nuk kemi një formulë që e qetëson lepurin e frikës në barkun e opozitës dhe ndërkohë na jep ne miratimin e SHBA dhe BE për reformën. Nuk e kemi. Nuk e gjejmë dot këtë, si mund të bashkëjetoje lepuri i  frikës nga drejtësia, me kërkesën themelore të procesit të integrimit të vendit për reformën në drejtësi.

Atëherë, opozitës i kemi thënë, i kam thënë, përmes këtij propozimi që “mendo, se ndoshta e gjen”. Ne jemi gati, por ne nuk dimë si ta pajtojmë këtë gjë. E për ta thënë copë nuk e kemi ne lepurin, e mbase dhe nuk e kuptojmë se çfarë lloj tensionesh të brendshme krijon ai lloj lepuri që dridhet, por mbase dhe nga përgjegjësia e madhe që ka mbi shpatulla dhe opozita për reformën, gjendet një zgjidhje të cilën duhet ta miratojë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara. Se reformë drejtësie ne mund të bëjmë, ju e dini shumë mirë që këtu është bërë reformë drejtësie, por i është vënë emri reformë drejtësie, dhe urdhëro ku është sot drejtësia. E një reformë drejtësie si ato që janë bërë, ne mund ta bëjmë, por e bëjmë për vete, se Bashkimi Europian nuk na e merr si detyrë të kryer.

Dëgjova ambasadorin amerikan para pak çastesh që doli dhe unë e mirëkuptoj plotësisht. Sepse në këtë qerthull, ka një moment absurd. Dhe absurdi të lodh. Tha: Të takohen. Unë ndërkohë po sot, thashë: jo vetëm ditën, por dhe natën, në çdo orë, mjafton që të kenë një propozim dhe një propozim që të jetë i pranueshëm. Se para se të flisja sot, nga Holanda erdhi mesazhi i opozitës që propozimin e ke në tavolinë. Atë propozim në tavolinë unë e marr, por siç e dëgjuat nga ambasadori nuk pranohet nga Shtetet e Bashkuara. Atëherë për çfarë na duhet? Çfarë të bëjmë me atë propozim?

E nga Bashkimi Europian jo e jo, se në këtë rast janë qëndrime tërësisht të njehsuara.

Tani, ju jeni studentë me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën e prindërve tuaj që investojnë gjithë shpirtin e tyre dhe kursimet e tyre për ju. synoni që të bëni karrierë në këtë sistem. E ma ha mendja që është me interes dhe për njerëzit që na ndjekin, që të zhvillojmë një bisedë, jo thjesht të pyesni, – mund të pyesni çfarë të doni, – por dhe nëse keni ju vet ndonjë gjë për të thënë më shumë se sa kaq, ose ndjesitë tuaja, ti ndajmë sëbashku.

Sepse është një moment ku politika ka 1001 arsye të brendshme për të mos menduar për ju.

Janë arsye të brendshme që vijnë nga kontakti me lepurin.  Lepuri është në tension maksimal. E kur frika flet dhe zëri i frikës dëgjohet brenda vetes më shumë se zëri i arsyes, pra nuk ka arsye.

Por nga ana tjetër, kjo është një reformë që vendos për shumëçka lidhur me ju, me gjithë bashkëmoshatarët  tuaj dhe me familjet e zakonshme të këtij vendi. Se ndoshta familjet e pazakonshme mund të gjejnë dhe rrugë të tjera për ta sistemuar veten në raport me drejtësinë, -siç ka ndodhur.

Janë familje të zakonshme ato të Gërdecit. Janë familje të zakonshme ato të 21 janarit. Janë familje të zakonshme ato që zhvishen në mënyrë plateale nga e drejta e pronës, nga njerëz të veshur me togën e gjykatësit.

Janë familje të zakonshme ato që nëse ju bie rrufeja mbi kokë, për të shkuar drejt gjykatës, nisen sikur po shkojnë drejt pushkatimit.

E këtu luhet fati i  këtyre familjeve. Kjo është familja shqiptare sot. Këtu nuk është fati i një qeverie apo i një paritë apo i tre partie apo sa parti ka, por sigurisht është dhe presioni i madh i fateve personale të njërit apo tjetrit, që me mandatin e marrë nga populli për t’i shërbyer popullit, janë ta gatshëm të zgjedhin bandën e të korruptuarve dhe jo popullin në sistemin e drejtësisë.

Kjo është pak a shumë hyrja, ndoshta pak e gjatë. E di që janë gjëra që mund ti keni dëgjuar e janë të përsëritura dhe jam shumë mirënjohës që erdhët.

 

* * *

 

-Doja t’ju pyesja nëse reforma në drejtësi, do e prekë fakultetin e drejtësisë. Për brezin tonë mund të jetë pak vonë, por besoj se për brezin e ardhshëm, për gjyqtarët e ardhshëm, është e rëndësishme që të nis me  formimin  akademik që marrin në shkollë, me seriozitetin dhe ndoshta me ndryshimin  që duhet të pësojë dhe fakulteti jonë në shumë drejtime.

Kryeministri Rama: Të them hapur, dhe shumë sinqerisht, më ke kapur keq. Sepse jemi fokusuar kaq shumë tek kjo “pjesa e zezë” që duhet fshirë nga rruga dhe unë vetë nuk jam marrë apo nuk kam marrë informacion të detajuar që me të ngjarë është në draftin e reformës për pjesën e fakultetit. Por, sigurisht që mund të them një gjë të përgjithshme, që në raport me brezin që studion, kjo është e lidhur në radhë të parë me reformën në arsimin e lartë.

Kështu që nuk po shkoj të kthehem mbrapsht në reformën e arsimit të lartë, e cila në këndvështrimin tim është reforma e duhur dhe do të sjellë rezultatet e dëshiruara, por një gjë, me siguri që zgjedhjet e bëra në universitet dhe zgjedhjet e bëra në fakultetin juridik kanë dëshmuar se, e para, vullneti ynë për të çliruar arsimin e lartë nga kthetrat e politikës është real. E sidomos në fakultetin e drejtësisë, ju e dini shumë mirë që është real sepse falë këtij vullneti, nuk e di se sa më mirë jeni në këtë aspekt, por nuk  diskutohet që jeni më mirë.

Dhe e dyta, që sëbashku me ekipin e ri të të zgjedhurve, në procesin e jetësimit hap pas hapi të reformës, pa asnjë  dyshim që do të shikohen rezultate, por reformat nuk janë ilaçe çudibërëse.

Kërkojnë kohë, kërkojnë durim, të përballin me vështirësi të mëdha në jetësimin e tyre, ama një gjë është e sigurte, sjellin rezultatet.

-Është hera e dytë që marr pjesë në një tryezë, hera e parë ka qënë me zonjën Romana Vlahutin në ambientet e shkollës së magjistraturës lidhur me draftin e parë kushtetutës. Edhe aty e kemi ngritur si shqetësim dhe duam ta adresojmë edhe në këtë moment.  Ajo që na shqetëson është çështja e përzgjedhjes së gjyqtarëve, kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë dhe më pas emërimit të tyre. Kemi dëgjuar, nuk e di se sa mund të jenë të vërteta, por procesi i reformës në drejtësi dhe i vetingut do të krijojë natyrisht shumë vende vakante në sistem. Kjo mund të krijojë dhe një handikap pasi dhe numri jonë është shumë i kufizuar, jemi vetëm 10 kandidatë, normalisht nuk do të mund të plotësojmë të gjitha vendet vakante. Ne duam që kjo gjë të mos bëhet më pas, të mos futen persona, të cilët nuk kalojnë përmes shkollës së magjistraturës. Nuk e them sepse kam një konflikt interesi. Unë e kam kaluar këtë fazë sëbashku me kolegët e mi. Por, nuk e them në sensin që shkolla e magjistraturës është domosdoshmërish etaloni i ndershmërisë. Por filtri nëpërmjet të cilit kalon, periudha e formimit 3 vjeçar është një formim i plotë dhe shumë objektiv. Shkolla e magjistraturës është vlerësuar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk e them që ata që mund të kalojnë nëpërmjet këtij procesi e të futen si gjyqtarë e prokurorë pa kaluar shkollën e magjistraturës, domosdoshmërish janë persona të cilët nuk kanë integritetin. Procesi i vetingut, mesa di do ti përfshijë dhe këta persona. Por që është mirë që shkolla e magjistraturës të mos anashkalohet edhe në këtë proces.

Kryeministri Rama: Në fakt, ka qënë herë pas here një diskutim, dhe kundërshtarët e vetingut herë pas here, në tryeza kam dëgjuar që ngrenë argumentin që ku do i gjejmë ne prokurorët dhe gjykatësit e ndershëm, se nga vetingu këtu mund të bëhet batërdia. Edhe mund të bëhet, unë nuk e di.

Unë di që në Kosovë në procesin e vetingut janë rrëzuar 35% e trupës dhe është e papranueshme për mua që nëse pyet një qytetar të Shqipërisë, çfarë vlerësimi i jep ti sistemit të drejtësisë nga 1-10, të thotë 1 ose 2.  E nëse pyet në Kosovë thotë 6 ose 7. Pse? Sepse Kosova e bëri këtë pastrim. Mund të ketë probleme sa të duash, -nuk po e tregoj Kosovën si vendin ku  drejtësia është përsosur në nivelin e një vendi të Bashkimit Europian, -por ama, nuk ka të krahasuar.

Megjithatë, çfarë përgjigje tjetër përveç se “duhet bërë” ka këtu, se përgjigja tjetër është, meqë mund të na bëhet batërdia, atëherë s’po e bëjmë, atëherë këta kriminelët dhe hajdutët që janë në sistem duam t’i mbajmë se pastaj do na ngelen vendet bosh. Pra, ky nuk është opsion. Ashtu sikundër unë kam bindjen dhe nuk e them për retorikë, që në sistemin tonë të drejtësisë ka më shumë njerëz të zotë, sesa të pazotë. Ka më shumë njerëz të gatshëm që t’i besojnë vetes dhe të investojnë në karrierën e tyre, se sa njerëz që karrierën e zgjidhin në rrugën e korrupsionit. Por nëse një mollë e kalbur prish gjithë arkën, nëse në një klasë, një minorancë nxënësish të pa interesuar shkatërrojnë gjithë orën e mësimit dhe fillojnë demotivojnë të gjithë nxënësit e tjerë për të shkuar në mësim, në sistemin e drejtësisë është e provuar botërisht se sjellje të paligjshme që sjellin përfitim janë epidemike.

Duke thënë që në sistem, njerëzit e zotë dhe njerëzit që janë të gatshëm ta përballin sfidën e reformës me diturinë dhe me integritetin e tyre, do të  çlirohen nga reforma, patjetër që kjo reformë është premisa për të hapur rrugën e një karriere sipas meritës, e sigurisht që magjistratët janë elita e gjeneratës së re në pragun e sistemit.

Kështu që nuk bën vaki që të kthehemi tek plepat. Kur ju keni lindur ju, – se ju keni lindur në kohën e plepave, – kishte rënë regjimi dhe u bë një spastrim i madh ideologjik e mbetën shumë vende bosh, – siç tha vajza – dhe u gjet një zgjidhje që është në themel të shkatërrimit moral dhe profesional të sistemit. U përgatitën në një kurs plepash. Nuk e di pse quhet kursi i plepave, a ishin si plepa këta, apo u zhvilluan kurset te Plepat në Durrës nuk e di, po u mboll me plepa gjithë fusha e sistemit. Njerëz që 3 muaj apo 6 muaj merreshin nga rruga e revolucionit për meritë se ishte “kushëriri i këtij”, “komshiu i atij”, “komshiu i komshijes së asaj”, pra “njerëz të besum”, quhen ndryshe këta për politikën modernë shqiptare dhe ju jepeshin disa nocione fillestarë nëpër këmbë dhe shkonin pastaj, togën e zezë, çekiçin në dorë, dhe “o burra përpara”.

Kjo nuk mund të ndodhë sepse nuk ka si të ndodhë. Aq më tepër që ky është një proces që lidhet me integrimin e vendit. Dua të them një fjalë këtu tek integrimi sepse shpeshherë ka një bombardim kaq të madh me këtë lloj fjalori nga ana jonë, nga ana e njerëzve që merren me politikë sa që njerëzve shpeshherë u vjen në majë të hundës, “integrimi, integrimi”. Nuk është për Brukselin sepse nuk ka kërkuar BE të integrohet në Shqipëri, nuk na rezulton deri tani që të ketë ndonjë ide madje, që të vijnë dhe të aplikojnë dhe të thonë që shiko, “ne dështuam dhe ne duam të bëhemi si ju, prandaj na pranoni dhe të spostojmë qendrën nga Brukseli në Tiranë dhe ne të bëhemi si ju dhe na mësoni si zhvillohet korrupsioni në prokurori, si zhvillohet korrupsioni në gjykatë, si mund të marrësh tokën e tjetrit për vete që të hyjmë në këtë “dolce vitën” tuaj dhe të jetojmë mirë.” Kjo nuk ka ndodhur.

Kemi aplikuar ne që të bëhemi anëtarë të BE dhe rruga drejt BE e vendeve ish komuniste është rruga e vetëtransformimit të tyre, e kalimit të tyre në një fazë të re të shtetit, e bërjes shtet demokratik, ligjor me institucione, me liri dhe të drejta të garantuara për të gjithë. Pra është e jona, është për ne, është për ju, për fëmijët tanë, është për fëmijët e fëmijëve tuaj.

Në këtë pikë është me shumë rëndësi të theksohet që kjo reformë po nxjerr në pah një problem, sovranitetin. Cilin sovranitet? Për çfarë? S’ka në Bashkimin Europian vende që thonë, “unë jam sovran, dhe dua të zgjedh ketë standard”, “më pëlqen ta respektoj, do ta respektoj këtë standard, tjetrin nuk e respektoj.” “Këtë reformë më vjen mirë ta bëj, këtë reformën tjetër nuk e bëj.”

Është njësoj si të thuash, dua të marr pjesë dhe unë në atë dasmë apo në atë festë apo në atë darkë, por unë kam zakonet e mia, unë ha me dorë, jo me pirun, unë ha sipër tavolinës, nuk ulem në karrige, unë gjatë kohës që jam duke ngrënë kam shumë qejf që t’ia hedh pjatat të tjerëve. Këtë nuk mundet. Është një tryezë që ka rregulla të pranuara nga të gjithë dhe të respektuara nga të gjithë. Është një familje që është destinacioni ynë, s’kemi destinacion tjetër ne. Kush është alternativa, a kemi alternativë tjetër? Midis njërit prej jush dhe një bashkëmoshatarit tuaj në Mosul ky është dallimi: Për ju ka një perspektive që është Shqipëria europiane dhe vendi ynë vend në familjen europiane. Për atë bashkëmoshatarin në Mosul perspektiva është shumë më e turbullt dhe e zymtë. Nëse ne mbyllim këtë perspektivë me duart tona çfarë ndodh?! Asgjë e mirë nuk ndodh. Vetëm gjëra të këqija mund të vijnë. Nuk forcohen institucionet nëse ne mbyllim këtë perspektivë.

Nuk rritet mirëqenia nëse ne mbyllim këtë perspektivë. Nuk bëhet e ardhmja më e sigurt për asnjërin nga ju, nëse ne e mbyllim këtë perspektivë. Pra nuk është një kontratë biznesi, me një palë tjetër që nuk e nënshkruajmë dhe “hajde shëndet”. Është një kontratë për mënyrën e të jetuarit, në hapësirën ku banojmë dhe me të gjithë ata që kemi përreth.

-Çfarë parashikon strategjia e reformës në lidhje me gjendjen e dobët të infrastrukturës fizike dhe teknologjike të gjykatave. Kush na jep garancinë se edhe pas filtrimit, realisht do të kemi një gjykatë më të drejtë dhe me të moralshme. Kush do t’i zgjedhi gjyqtarët dhe kush do të bëjë kontrollin dhe kush do ta zbatojë dhe kontrollojë reformën në praktikë, pasi ne ligjet nuk është se na kanë munguar, por na ka munguar zbatimi i tyre. Si do ta rregullojë reforma në drejtësi këtë pikë?

Kryeministri Rama: Të falënderoj! Sigurisht që infrastruktura është një problem shumë i rëndësishëm, nuk diskutohet, dhe një problem i madh për gjithë sistemin e drejtësisë në kuptimin e kushteve, por midis një kuvendi pleqsh tek pema e moçme e fshatit që mblidhej dhe jepte drejtësi fshatçe dhe një gjykatë të ndërtuar sipas gjithë standardeve, nga pikëpamja e infrastrukturës me banditë brenda të veshur më së miri që me çekiç i bien në kokë njerëzve që kërkojnë drejtësi, – sigurisht që të gjithë themi që drejtësi është ajo të pema e moçme e fshatit.

Pra gjithçka fillon nga njeriu dhe nga krijimi i një sistemi funksionimi të një bashkësie njerëzish, që janë aty për arsye se i lidh profesioni dhe për shkak të profesionit objektivat e atij sistemi, është e pamundur të imagjinosh gjëra të mira nëse nuk kurohet sëmundja në sistem, në organizimin e brendshëm të njerëzve.

Patjetër që pastaj duhen të gjitha kushtet dhe ato janë gjëra që do të vijnë hap pas hapi, duke i shtrirë këmbët sa do të kemi mundësi të zgjasim jorganin. Nga ana tjetër, reforma parasheh një sistem të ndërtuar me mekanizma kontrolli dhe vetëkontrolli. Pra është një sistem që parashihet të jetë shumë më i pavarur nga politika dhe me mekanizma të brendshëm vetëkontrolli, ku dhe proceset e zgjedhjeve brenda përbrenda, janë shumë më të pavarura dhe më demokratike.

Ne besojmë tek një e vërtetë shumë e thjeshtë, njerëzit nuk e korruptojnë një sistem që është ndërtuar në mënyrë të drejtë. Ndërsa një sistem i gabuar korrupton pafund njerëz. Pra duhet të kombinojmë shkallmimin e këtij sistemi që kemi, pastrimin e të korruptuarve që janë molepsur dhe kanë molepsur gjithë sistemin e marrëdhënieve brenda trupës, me ngritjen e një sistemi të ri dhe më një trup të operuar, që në procesin e vetingut duhet që t’i nxjerri jashtë tumoret e kancerit. Është kancer dhe kanceri nuk shërohet me aspirina apo me makijazh. Kanceri shërohet me terapi shumë të rëndë, radikale, dhe kjo është një reformë radikale. Siç kanë bërë vendet e tjera, ne nuk kemi bërë ndonjë shpikje.

-Unë do të doja të dija nëse synohet për t’i thirrur studentëve që kanë mbaruar jashtë, nëse do të ketë parashikime konkrete për përfshirjen e tyre në administratë apo në administrimin e drejtësisë. Meqënëse u fol për shkollën e magjistraturës, është folur për një mundësi aksesi të diversifikuar për këta studentë që kanë mbaruar jashtë. Është reale mundësia?

Kryeministri Rama: Edhe në këtë pyetje do të isha i rezervuar të jepja një përgjigje shteruese, por padyshim që ka një angazhim në këtë tërësi masash që do të shoqërojnë reformën, që të ketë një rritje të shpërblimit për njerëzit e sistemit.

Patjetër që duhen të shpërblehen më mirë. Ata që do të kalojnë skanimin dhe do të dalin të aftë dhe të gatshëm nga pikëpamja morale dhe të papërlyer me krime dhe me çudira të së shkuarës do të shpërblehen me mirë. Ashtu sikundër, patjetër që inkurajimi i njerëzve që kanë studiuar jashtë ka dy incentiva. E para, garancinë që duhet ta japi sistemi, sektori, për meritën dhe e dyta shpërblimin tërheqës. Këto të dyja janë, se nuk mund të ketë një politikë ndryshe, ata që kanë studiuar brenda me ata që kanë studiuar jashtë. Se ka njerëz që kanë studiuar brenda dhe janë po aq të shkëlqyer sa ata që kanë studiuar jashtë. Pra nuk është një ndarje midis dy shtresash shoqërore, kush ka studiuar jashtë për definicion është më i zoti dhe kush ka studiuar brenda për definicion është më pak i përgatitur. Kjo nuk është e vërtetë. Unë kam pasur fatin të punoj me shumë njerëz që kanë studiuar jashtë, edhe në bashkinë e Tiranës edhe më mbrapa dhe mund t’ju them që mes tyre kam parë njerëz ekselentë, kam parë dhe njerëz që nuk e di nëse do kishin qënë po kaq të shkëlqyer, sa të shkëlqyerit mes jush që studioni këtu.  Sigurisht që prirja për të besuar për ata që studiojnë jashtë ka më shumë përgatitje për shkak të diferencës mes shkollave qëndron, por nuk është gjithmonë e vërtetë.

-Është reale mundësia për të pasur akses të diversifikuar në shkollën e magjistraturës për ata që kanë studiuar jashtë, jo lehtësim, provim të diversifikuar?

Kryeministri Rama: Duhet të marr informacion për këtë sepse janë detaje me të cilat unë nuk jam i njohur, nuk janë çështje të mëdha të reformës. Janë shumë të rëndësishme dhe deri përpara pak javësh ajo që unë thosha gjithmonë në publik ishte e vërtetë. Unë nuk e kam lexuar draftin e reformës. Pse? Sepse që ditën e parë e kam besuar, atë që pastaj kam  vendosur dhe e kam thënë që, nëse duam të bëjmë një reformë në drejtësi që është reformë reale, ne të gjithë, që jemi në politikë duhet të bëjmë një hap mbrapa e t’jua lëmë njerëzve të sistemit pra ekspertëve, -megjithëse këtu dhe fjala “ekspert” u bë si shfaqje e huaj, si fjalë problematike, – por ekspertëve të brendshëm, ekspertëve ndërkombëtarë, atyre që janë në sistem, me të cilët janë organizuar nuk e di se sa dëgjesa, diskutime, gjykatës, prokurorë avokatë etj dhe ne të presim një produkt. E këtij produkti t’i japim mbështetjen tonë.  Në momentin kur fillon futet politika, fillojnë futen interesa të tjera që jo gjithmonë janë në favor të interesit themelor të reformës. E jam detyruar të lexoj konkretisht këtë pjesën kritike sepse është pjesa që është bërë problem. Sepse është pjesa që shqetëson jashtëzakonisht shumë opozitën, për arsye që nuk kanë të bëjnë  me të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve, me pavarësinë, me autonominë, etj. Kanë të bëjnë me të tjera gjëra. E për këto mund të flas me detaje shumë specifike.  Për elementët e tjerë të sistemit të reformës, nuk kam përgjigje shteruese. Mund të flas në parim, por nuk mund të jap detaje. Por patjetër që diskutime të kësaj natyre janë bërë e mund të vazhdojnë të bëhen për të sqaruar më shumë në detaje elementët e reformës.

-Shkolla e magjistraturës dhe në këto momente që po flasim, në ligjin e saj ka parashikuar një avantazh për  studentët që kanë mbaruar jashtë. Ata hyjnë me një mesatare të ponderuar shumë më të ulët se ne që kemi mbaruar në universitetin shtetëror. Kjo është aktualisht dhe ka qënë prej shumë vitesh. Ne duhet të kalojmë dy kritere. Mesataren e përgjithshme mbi 8 dhe mesataren e lëndëve të posaçme mbi 8.  Ndërkohë që studentët që kanë mbaruar jashtë u ponderohet mesatarja me 1.5 dhe ata hyjnë më një mesatare diku 6.67. Kjo është një avantazh  për këta. Tani, që të dalë një ligj e t’u dhurohet me projektligj personave që kanë mbaruar jashtë, duke bërë një diferencë të padrejtë me personat që kanë mbaruar këtu. Ka studentë mjaft të mirë që kanë mbaruar në fakultetin shtetëror e që kanë mundësi ta provojnë veten aty. Është tjetër gjë pastaj që nëse parashikohen mekanizma të tillë që kur mbaron të gjitha fazat e testimit dhe parashikohet një lehtësi që, nuk e di,  mund ta mbarosh shkollën për 2 vjet e jo për 3 siç e mbarojmë ne, është tjetër gjë.

Kryeministri Rama: Kini parasysh dhe një gjë tjetër. Ne me reformën në arsim kemi krijuar premisat që të futemi në një sistem arsimor të lartë të krahasueshëm. Sepse sistemi ynë arsimor, në të gjitha nivelet, jo vetëm i lartë, nuk është i krahasueshëm me asnjë gjë. Me kë ta krahasosh? Sepse nuk ka akreditim real të standardeve europiane dhe pastaj nuk ka vlerësim dhe kuotim të shkollave, të fakulteteve. Pra, duke marrë një agjenci britanike, -agjencinë britanike të akreditimit që është një nga agjencitë më prestigjioze të Europës,- për të bërë akreditimin e universiteteve duke futur sistemin e kuotimit të shkollave në bazë të rezultateve, ne vendosim një bazë krahasimore. Pra, nëse vjen një student, flas në parim, nga një universitet i kotuar (X) në Shkollën e Magjistraturës dhe vihet në krahasim me një student që vjen nga Fakulteti i  Drejtësisë po themi, i kotuar (Y), atëherë janë këto vlerësimet prej nga vjen që bëjnë dhe ponderimin. Nuk bëhet ponderimi mbi bazën, ti ke qënë jashtë e meqë ke qënë jashtë unë po ta ul ty kërkesën. Ti që ke qënë brenda, vetëm se ke qenë brenda e ke kërkesën më të lartë. Kjo është pa sens. Kurse,  vendosja e çdo individi në një filtër krahasimor në bazë të universitetit që ka bërë, – jo domosdoshmërish jashtë apo brenda, – kjo besoj është rruga më e mirë për të mos zhvlerësuar atë që ai që vjen nga jashtë e që vërtetë e ka arritur dhe për të mos mbivlerësuar kot një tjetër që vetëm se vjen nga jashtë merr një avantazh të pamerituar, në raport me të tjerët.

-Unë jam studente  e masterit dhe aspiroj të vazhdoj në shkollën e magjistraturës. Drafti i reformës parashikon rritjen e moshës në 30 vjeç po ashtu dhe eksperincë pune.  Këto ndryshime, a nuk penalizojnë brezin tonë duke patur parasysh edhe faktin që eksperienca e punës apo një mundësi për punë kur ne nuk e kemi aq të lehtë për të patur një eksperiencë pune 5 vjeçare për të arritur në një moshë 30 vjeçare për të kandiduar. Kjo a na penalizon ne?

Kryeministri Rama: Fole si brez i vjetër, imagjino çfarë duhet të them unë. Unë mendoj që askund nuk është e lehtë të gjesh një punë në sistemin e drejtësisë. Askund! E pastaj, jo më të ngjisësh shkallë brenda sistemit. Kurse këtu po, këtu është si ajo poema “u ngritën këmbët dhe u bien kokës”, në sistemin e drejtësisë. Unë besoj që një nga gjërat më të rëndësishme që ka reforma në raport me këtë, është që garanton karrierën, duke krijuar një situatë krejt tjetër për meritën. Pastaj, procesi i vetingut është hapi i parë. Nuk është zgjidhja magjike e të gjithë problemeve. Është hapi i parë.

Reforma do kërkojë vite për t’u zbatuar dhe ajo që unë besoj është që nëse Shqipëria në një parashikim mesatar mund të jetë pak më pak apo më shumë, nuk varet vetëm nga ne, mund të bëhet anëtare e BE në 10 vjet, -me këtë reformë, ne Shqipërinë brenda një dekade, e bëjmë një vend që të jetë i gatshëm të anëtarësohet në BE, mbi çdo vlerësim që mund t’i bëhet sistemit të drejtësisë.

Sepse ju e dini shumë mirë, por kush nuk e di mund t’ia them unë që e kam mësuar për shkak të punës, që drejtësia, kapitujt e drejtësisë, janë kapitujt më të rëndësishëm të negociatave dhe jo rastësisht çdo vend që fillon negocion, fillon negocion drejtësinë, duke dhënë provat e prekshme që ka një sistem drejtësie që po zhvillohet. Imagjinoni tani se çfarë negociatash mund të hapim ne me BE nëse ne rrëzojmë reformën. S’ka premisë për të filluar negociatat. Ndërkohë që nëse ne kalojmë reformën marrim rekomandimin në fund të vitit dhe fillojmë vitin tjetër negociatat dhe fillojmë me bazën që “po” keni kaluar reformën dhe tani fillon implementimi. Ajo e kontrollit që tha vajza, në monitorimin e Bashkimit Europian në proces negociatash është një botë tjetër komplet. Prandaj unë habitem me këta sovranët së me sa duket këta nuk e dinë fare se çfarë na pret ne të gjithëve bashkë në negociata. Negociatat janë kapitulli më i dhimbshëm në ecurinë e një vendi sepse janë një presion i përditshëm për modernizim. Negociatat kanë detyra shpie dhe provime njësoj sikur je në shkollë. Kjo e bën vendin që të rritet në kapacitetet e veta institucionale se në fund të ditës ecuria e vendeve nuk përcaktohet nga gjeografia, nga klima, nga historia, etj. Përcaktohet në rradhë të parë nga dija dhe nga institucionet.

Do t’ju sugjeroja të lexoni një libër shumë interesat, “Pse kombet dështojnë”, dhe në atë libër do të gjeni shpjegime të jashtëzakonshme dhe shumë të thjeshta se çfarë e bën diferencën një pamje satelitore e dy Koreve natën, një pjesë me drita, një pjesë e zezë, njëra është Korea e Jugut, tjetra është Korea e Veriut. Është e njëjta Kore, është e  ndarë politikisht për arsye të historisë është i njëjti popull, e njëjta histori, e njëjta kulturë. Gjysma e popullit jeton në mirëqenie, gjysma tjetër jeton në mizerje. Pse? Sepse janë sisteme të ndryshme. Në kufirin mes shteteve të bashkuara dhe Meksikës një lagje e ndarë përgjysmë, si të jetë Tirana e ndarë përgjysmë. I njëjti popull, të njëjtët njerëz, familjarë madje, njëri me tjetrin. Nga njëra anë ka pastërti, ka kushte, ka shërbim shëndetësor ka kushte normale. Nga ana tjetër është në çdo cep thith njëri, shit tjetri, pse? Sepse janë dy sisteme të ndryshme institucionesh. Nuk bëhet fjalë për një komunist dhe një demokrat siç është Koreja. Bëhet fjalë për një sistem që funksionon dhe një sistem i korruptuar që ka marrë fund dhe  që mban popullin peng. Nëse unë do të bëja një krahasim mesh Shqipërisë jashtë BE dhe Shqipërisë në BE është ky krahasim. Një vend me institucione të dobëta, një vend me gjithë këto lloj historish që ne i dimë dhe nuk po i përsëris dhe një vend ku e ardhmja jo domosdoshmërish është e sigurt në varësi të meritës tënde dhe të aftësive tua, po që përcaktohet dhe nga faktorë të tjerë me një vend që ka dhe shumë më tepër qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri edhe pse pastaj kudo nuk është thjesht, vetëm aftësia, por janë edhe rrethanat që përcaktojnë pastaj si ndahen karrierat e njërit dhe tjetrit.

-Pyetja ime është për kërkesën që ka bërë ambasadori Lu që ju të takoheni me zotin Basha ose të arrini një zgjidhje për reformën ose siç ka thënë ai duhet të rrini të mbyllur të dy për jetë. Kë jeni të gatshëm të bëni juve dhe a do ta bëni? Me Ilir Metën  keni folur? Do tua u jap votat për draftin që ju propozoni. Faleminderit!

Kryeministri Rama:  E para unë e kam bërë ftesën Lulzim Bashës, mos gabohem dje apo pardje tani se s’mbaj mend tani, -se kaq shumë po e ftoj tani se mbaj më mend se kur ka qënë hera e fundit, – dhe i kam thënë që të hakohemi sy më sy, si dy shqiptarë, që sot janë kryetar partish, e kanë në dorë një gjë shumë të rëndësishme, nesër jemi si gjithë të tjerët.

E ftesa është e hapur e qëndron. Sot, unë kam përsëritur propozimin tim dhe nuk kam thënë që ne e braktisim negociatën, siç tha ambasadori, se dhe ambasadori është lodhur, e tha vetë që jam lodhur nga gjithë kjo punë e nuk ka faj. Kam thënë që ne nuk rrimë më në negociata absurde me një propozim në tavolinë që SHBA, kanë thënë që nuk e pranojmë. Por nëse ka një propozim që është i pranueshëm  për SHBA dhe BE, për ne nuk ka asnjë problem. Ne do ta miratojmë ekzaktësisht siç e kërkon PD, por kuptohet nuk mund të negociojmë, çfarë mund të negociojmë ne, një propozim që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian thonë ky nuk bën. Ai thotë e ke në tavolinë. Tani ta vëmë në tavolinë këtë propozimin e ta mbyllim përjetë me Lul Bashën një dhomë. Nuk e di çfarë del ditën që do dalim të marrim ajër. Por konsensus nuk ka çfarë të dali. Kështu që edhe ajo fjala “përjetë” duhet marrë me rezervë, se ambasadorit flet shqip, por mendon anglisht.

Kjo është një kërkesë e Shteteve të Bashkuara që unë nuk e pranoj dot, që të mbyllem përjetë me Lul Bashën në një dhomë. Ruajna Zot! Pastaj ka dhe një gjë tjetër, se të mbash Lul Bashën përjetë brenda dhe Saliu është jashtë, çfarë konsensusi do bësh, të paktën ai duhet të hyjë e të dali se duhet të merret vesh me Saliun. Nejse kjo është shaka, gjysma e të vërtetës por që, Sali mos u shqetëso. Mos u shqetëso se je rehat. Ti rri atje në kullë, thua “nuk ka konsensus, Luli ik përballohu vet, bëj si të bësh, kjo është prova jote e zjarrit, o me mua o me reformën.

Por ndërkohë, për sa i përket pyetjes tjetër, kemi folur me kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e LSI dhe nuk kam parë ndonjë lajm për ju. Kuptohet që ai është Kryetari i Kuvendit, e ka për detyrë përveç se për natyrë që  të predikojë konsensusin me Partinë Demokratike, por unë e mirëkuptoj këtë gjë se nuk kam ndonjë problem me këtë.

Rëndësi ka që ato 20 votat për reformën janë 20 vota për reformën. Kjo ka rëndësi deri tani, pastaj nëse ka një zhvillim tjetër që realisht të ketë një propozim nga ana e PD që pranohet nga SHBA dhe BE, sepse çfarë mund të bëjmë ne, të marrim një vendim sovran? Vendim sovran  mund të marrim për reformën, për klubet sportive. Për këtë marrim vendim sovran patjetër, duam ti kemi të financuara nga bashkitë, ti kemi të financuara nga privatët. Ky është vendim sovran. Për  këtë nuk kemi nevojë t’i kërkojmë leje SHBA dhe BE-së dhe nuk na thotë kush “plaç”. Por të marrim ne një “plaç” të madhe si popull dhe si vend duke bërë një reformë “sovrane” që nuk njihet nga Bashkimi Europian? Për çfarë na duhet kjo reformë ne? Kjo është reformë shtet formuese, pra reformë që shkon në rrugën e ndërtimit të shtetit, të një shteti modern e europian.  Se ndryshe si do na pranojnë ata brenda.

Është njësoj si të të pranojnë në kampionat europian, kur ti thua “unë luaj por kam disa rregulla të miat”. Si duhet të jetë fusha, si duhet të jetë porta, madje dhe arbitrin e dua sovran, shqiptar. Kjo është pastaj e pamundur. Tani të tjerat i komenton vet. Nuancat i ke brenda tek përgjigja po deshe t’i kapësh.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.