Fjala e Kryeministrit Rama në ceremoninë e hapjes së shtëpisë farmaceutike italiane Dompé në Tiranë:
Përshëndetje të gjithëve!
Kisha premtuar që do të isha i pranishëm në këtë moment me rëndësi. Erdha për arsyen e thjeshtë se momente si këto janë me një vlerë të posaçme për vendin tonë, për ekonominë tonë dhe për shoqërinë tonë.
Barnat e Dompés kanë qenë prej vitesh në shërbim të qytetarëve shqiptarë, por tanimë hapja e një vendqëndrimi permanent të kësaj shtëpie farmaceutike në Tiranë, përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm në funksion të rritjes së cilësisë dhe, po ashtu edhe, të forcimit të imazhit të një sistemi që ka një nevojë të jashtëzakonshme për të rritur besueshmërinë e vet.
Nga ana tjetër, ky fakt përbën një lajm të mirë edhe sepse kjo përfaqësi e çelur në Tiranë me një numër të konsiderueshëm personash nuk ka thjesht dhe vetëm misionin që të punojë me Shqipërinë dhe për Shqipërinë, por edhe të zgjerojë bazën në të gjithë rajonin, duke përdorur Tiranën si një hap për shërbime që do të shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur për faktin që pas një vëzhgimi të kujdesshëm të diçkaje që ka ndodhur dhe të tjera zhvillimeve në sektor, kjo shtëpi farmaceutike vendosi që ta hedhë këtë hap, që për ne është njëkohësisht edhe një inkurajim i rëndësishëm, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të klimës për sipërmarrjen e huaj, për sipërmarrjen italiane, padyshim duke pasur bindjen se prani të tilla kanë dhe një efekt të paçmuar promovues për mundësitë që ofron vendi dhe për mundësinë që sot krijon Shqipëria për të investuar dhe për të zhvilluar sipërmarrjen edhe në vendin tonë.
Besoj që jemi në një fazë ku mund të themi pa frikë se po ndodh një transformim në tregun dhe në shërbimin farmaceutik dhe, faktikisht, prej thuajse një viti tanimë, kemi një ligj të ri për barnat që është tërësisht i përputhur me direktivat e Bashkimit Europian për shërbimin farmaceutik. Është një ligj që ka një cilësi të garantuar për faktin se është hartuar në një ndërveprim të gjerë me grupet e interesit dhe me ekspertizë ndërkombëtare.
Po ashtu që ka qenë një hap i rëndësishëm përpara zbatimi i një sistemi krahasimor me çmimet referenciale të vendeve të tjera dhe vendosja e një raporti të drejtë më në fund pas shumë vitesh nëpërmjet çmimeve të barnave origjinatore dhe atyre gjenerike. Padyshim që, kanë përfituar nga kjo jo vetëm qytetarët, por edhe sipërmarrësit, të cilët e kanë mirëpritur zbatimin e reformës për çmimet e barnave, sepse ishim i vetmi vend në botë ku çmimet e barnave gjenerike ishin më të shtrenjta sesa origjinatori përkatës. Faktikisht kjo sot ka ndryshuar dhe prej 1 tetorit të 2013-ës dhe deri në 30 qershor, pra deri para pak ditësh ne kemi 491 barna të reja të regjistruara.
Ndërkohë që, sigurisht nuk dua që askush të mendojë se ideja ime është që kemi bërë ndonjë mrekulli apo se kemi bërë gjithçka. Pasi në të njëjtën kohë jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se sistemi ka ende boshllëqe dhe nuk ishte e rastit që një kontroll i ushtruar në Fondin e Sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor me theks tek rimbursimi i barnave, nxori në pah një skemë korrupsioni të patolerueshme. Sigurisht që nga njëra anë, ne nuk kemi pse të mos jemi të inkurajuar për faktin që e zbuluam dhe e goditëm këtë skemë, por nga ana tjetër është padiskutim e domosdoshme që të përmirësojmë sistemin në një pikë që të mos jetë më vulnerabël ndaj vullneteve negative të individëve.
Për këtë arsye po ecim me shpejtësi drejt realizmit të recetës elektronike që besojmë do të jetë një zgjedhje përfundimtare, e qëndrueshme dhe afatgjatë, në funksion të një transparence të plotë me shpenzimin e çdo qindarke kur është fjala për rimbursimin. Paralelisht prej dy muajsh rimbursimi i barnave bëhet përmes një procesi transparent të listës së rimbursimit në rrjetin e shpërndarësve farmaceutikë. Sigurisht me mirëkuptimin dhe dakordësimin e subjekteve të interesuara ka hapësirë për ta zgjeruar më shumë gamën e informacionit dhe për të publikuar më shumë detaje lidhur me një proces, ku ne besojmë se transparenca është absolutisht e domosdoshme për t’u siguruar që fondet publike nuk shpërdorohen pasi nuk jemi në kushte kur mund t’ja lejojmë vetes një luks të tillë, përderisa mundësitë tona financiare mbeten të kufizuara.
Në Durrës ka filluar projekti pilot i recetës elektronike dhe ndërkohë është hapur dhe gara ndërkombëtare për të zbatuar recetën elektronike në të gjithë territorin e vendit.
Jemi duke negociuar me kompaninë që zbaton kontratën e trashëguar të koncesionit të pullave fiskale në mënyrë që të kemi një sistem të plotë gjurmimi track & trace, që është po ashtu një mënyrë për të pasur tërësisht nën kontroll gjithë lëvizjen e barnave dhe për të mos lejuar hapësira në të cilat ka gjithmonë mundësi për vënie në lëvizje të skemave apo veprimeve korruptive.
Po ashtu nga fondi i inovacionit që qeveria ka krijuar është vendosur të fillojë që këtë vit financimi për projektin e pajisjes së çdo mjeku dhe të çdo farmacisti me mundësinë e përdorimit të nënshkrimit elektronik. Të gjitha procedurat administrative të marrëdhënieve që kanë subjekte të ndryshme me agjencinë shtetërore janë të automatizuara. Çdo subjekt mund të marrë një emër përdoruesi dhe një fjalëkalim për të ndjekur online etapat e ndryshme të një çështje administrative me agjencinë. Ndërkohë që padyshim, e gjithë pamja e lëvizjeve në këtë drejtim monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Faktikisht, vetë drejtuesit e Dompé nga Italia mund të bëjnë lehtësisht të njëjtën gjë, duke kontrolluar funksionimin e stafit në Shqipëri dhe funksionimin e administratës shtetërore, kur është fjala për të gjitha ndërveprimet mes së përfaqësisë së Dompé dhe administratës shtetërore.
Nga prilli i vitit 2014, lista e barnave të rimbursueshme është e disponueshme për këdo që dëshiron ta aksesojë atë, qoftë nëpërmjet një kompjuteri, apo qoftë një smart phone. Besoj se këto janë të dhëna inkurajuese për modernizimin e mëtejshëm të një sektori që ka vuajtur shumë në shumë aspekte dhe ku prapambetja në organizim, në administrim dhe në menaxhim ka krijuar kosto skandaloze për publikun shqiptar në rrjedhën e viteve.
Është me rëndësi për ta ritheksuar se sot, falë gjithë këtyre ndryshimeve, qytetarët paguajnë 30% më pak për barnat. Faktikisht, të njëjtat barna për të njëjtën sasi të vendosur në treg në vitin 2013, krahasuar shifrat, sot kushtojnë 70 milionë dollarë më pak. Që do të thotë se përfitojnë qytetarët, përfiton Fondi i Rimbursimit të Barnave, përfiton dhe furnizimi spitalor. Ndërkohë që kjo, nga ana tjetër, është shoqëruar me rritjen e numrit të barnave në listën e rimbursimit. Janë praktikisht 85 barna më shumë të rimbursueshme, nga të cila 45 janë principe aktive. Nga një statistikë e bërë prej nesh, janë rreth 150 mijë qytetarë që kanë përfituar dhe përfitojnë nga mjekimi me barnat e reja, të shtuara në listën e rimbursimit.
Përpjekjet tona do të vazhdojnë dhe dua ta theksoj se mbërritja e një kompanie të tillë dhe prezenca e saj në Shqipëri, për ne është më shumë sesa funksion i tregut, sepse është funksion edhe i dijes. Është pikërisht në këtë aspekt që ne kemi edhe nevojë më të madhe, pasi unë besoj verbërisht që nuk dallohemi nga ajo që kemi, por dallohemi nga ajo që dimë, edhe kur është fjala për dallimet mes vendeve. Nëse shifrat e të ardhurave për frymë i pasqyrojnë dallimet mes vendeve, janë distancat në dije që i përcaktojnë ato shifra. Kush di më shumë, ka më shumë. Kjo vlen për të gjithë klasifikimin edhe mes vendeve të BE-së. Është e pamundur që të shikosh vende që dinë më pak dhe kanë më shumë, pavarësisht se mund të kenë më shumë burime natyrore, sesa vende që janë më lart dhe kanë më pak burime natyrore. Sepse nuk është pasuria natyrore, ajo që garanton se vendi ka, por është pasuria në dije që e bën vendin që të ketë.
Në këtë aspekt, ardhja e kësaj kompanie është një lajm shumë inkurajues, sepse për vetë profilin që ka kompania dhe për sensin e misionit që e karakterizon kompaninë si një kompani që sigurisht shet, por në ndërkohë është shumë e fokusuar tek dija, ne mund të gjejmë dhe me siguri do t’i gjejmë urat e komunikimit, për të përftuar nga eksperienca e tyre, për të përftuar nga dija dhe nga gjetjet në rrugën e tyre të kërkimit, në mënyrë që ta adoptojmë atë që mund të mësojmë për ta bërë sistemin shumë më solid, shumë më serioz dhe shumë më të besueshëm dhe për të bërë kështu të mundur që të tjerë të vijnë pas kësaj dallëndysheje që erdhi në korrik dhe që është dëshmi e faktit që duron edhe të nxehtin, edhe të ftohtin.
Faleminderit!
***
Grupi biofarmaceutik italian Dompé ka zgjedhur Shqipërinë për të hapur selinë e saj të parë në Europë. Sot, Dompé zyrtarizoi hapjen e selisë së saj në Tiranë.
Në Shqipëri, Dompé do të jetë e pranishme me një listë barnash të Kujdesit Parësor, qoftë për medikamente të vetëmjekimit, ashtu edhe për ato që kërkojnë recetën e mjekut. Kompania planifikon që brenda dy viteve të hedhë në treg edhe medikamente të reja, me synim zgjerimin e listës.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri Massimo Gaiani e konsideroi një lajm të mirë që një kompani lider në fushën e kërkimit shkencor i bashkohet komunitetit të rëndësishëm të biznesit italian në Shqipëri. “Interesi strategjik i Italisë ndaj Shqipërisë, – tha Gaiani – dhe zhvillimit të saj ekonomik, së pari shprehet tek besimi që kompanitë italiane i japin tregut shqiptar, duke zgjedhur të investojnë, duke përmirësuar edhe klimën që kërkon vendi për t’u rritur më shpejt. Unë jam i kënaqur që kompanitë italiane kanë besim tek e ardhmja e rajonit fqinj me Italinë.”
Dompé vendoset në Shqipëri pas hapjes së saj në tregun amerikan. Sergio Dompé, President i Grupit tha se “Shqipëria ka ditur të krijojë kushtet e duhura për të përthithur investime, duke e shndërruar sektorin shëndetësor në një aset strategjik për rritjen ekonomike të vendit. Perspektiva për të mundësuar këtu zgjidhjet tona terapeutike bashkohet me përvojën tonë të konsoliduar në informacionin shkencor. Objektivi është që ne të bëhemi një ndërmjetës i përgjegjshëm në skenarin shëndetësor shqiptar, duke vënë në jetë një bashkëpunim konkret dhe një dialog të qëndrueshëm me të gjitha palët e interesuara”. Ndërsa Eugenio Aringhieri, Drejtor i Përgjithshëm i Dompé, theksoi se sektori i shëndetësisë në Shqipëri paraqet mundësi të mëdha për investimet e huaja. “Shqipëria përfaqëson një partner të spikatur për Italinë, veçmas në një sektor si ai i shëndetësisë, i cili përmban potenciale të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare. Dompé vendoset në këtë kontekst me vetëdijen e aftësisë për të kontribuar në procesin e ripërtëritjes, që po zbatohet në sektor me synim përmirësimin e shërbimeve dhe zgjidhjeve për një mirëqenie më të lartë të qytetarëve,” – tha Aringhieri.
Hapja e selisë së Grupit Dompé në Shqipëri u promovua me rastin e konferencës “Modeli shqiptar, inovacioni strategjik në shëndetësi si motor për rritjen ekonomike”.