Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane vjen për Bashkinë e Tropojës si asnjëherë më pare me projekte të rëndësishme infrastrukturore, të cilat do të rijetëzojnë hapësira publike dhe rikonstruktojnë rrugë me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit të zonës, duke i dhënë atij gjallëri dhe ritëm.

Për të inspektuar kantieret e Rilindjes Urbane ishte sot atje, Kryeministri Edi Rama, i cili u mikprit nga qindra banorë të Tropojës, që kishin dalë në rrugë për t’i uruar mirëseardhjen, por edhe për t’u takuar dhe ndarë drejtpërdrejtë me të, interesimin për të ardhmen e qytetit të tyre. Në këtë vizitë të tij, Kryeministri Rama shoqërohej nga disa ministra të kabinetit, kryetari i Bashkisë së Tropojës Besnik Dushaj, deputetë, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal.

Investimi me vlerë rreth 150 milionë lekë është vënë në zbatim për të rilindur shëtitoren e qytetit Bajram Curri. Një sipërfaqe prej 30.000 m2 do të tjetërsohet nga një parkim me gropa e baltë, në një hapësire urbane europiane, deri më sot të munguar për banorët e saj dhe jo vetëm.

Me pamjen e re që do të fitojë, qyteti do të ketë më shumë arsye për të mbajtur më gjatë turistë e vizitorë. Realizimi i projektit të shëtitores pritet t’i japë një nxitje pozitive edhe zhvillimit të biznesit në qytet.

Një projekt tjetër, tejet i rëndësishëm është edhe ai për rikonstruksionin e rrugës Bajram Curri – Cernicë, me gjatësi 3.7 kilometra dhe vlerë investimi 42 milionë lekë, e lënë në harresë që prej viteve ’80-të, kur janë bërë edhe ndërhyrjet e fundit.  Ky segment rrugor lidh qytetin e Bajram Currit me rrugën nacionale dhe është shumë i rëndësishmen për qarkullimin e automjeteve në një rrugë më të shkurtër se ajo ekzistuese. Projekti konsiston në zgjerimin e rrugës dhe rindërtimin e të gjithë shtresëzimit, i cili është plotësisht i shkatërruar dhe shkaktar aksidentesh. Nga ky projekt përfitojnë drejtpërdrejtë banorët e qytetit të Bajram Currit, ndërsa tërthorazi përfitojnë të gjithë banorët e bashkisë Tropojë, pasi qyteti është qendra administrative e bashkisë së re.

“Ajo që duhet dhe që do t’i shërbejë edhe turizmit  është përmirësimi i infrastrukturës të qytetit, që për të thënë të drejtën, bulevardi po bëhet, por mbetet fasada,” – u shpreh kryetari  i bashkisë Tropojë, Besnik Dushaj në bisedë me Kryeministrin Rama, ku e informoi atë se si fazë e dytë e projektit mbeten edhe fasadat dhe lagjet e qytetit në pjesën e sipërme, të gjitha me një vlerë 60 milionë lekë.

Ndërkohë që kryeministri u përgjigj se këto projekte e kanë të hapur dritën jeshile të realizimit të tyre. “Këto janë katër kryesoret. Nga këto tani të bëjmë, gjimnazin nuk diskutohet, këtë unazën nuk diskutohet, fasadat nuk diskutohen, hyrjet po, mbas zgjedhjeve do të vij takoj prapë se ne do fitojmë.”

 

***

 

Në vijim të takimeve “Arsimi i Gjeneratës tjetër”, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, u takua në Tropojë me mësues të ciklit 9-vjeçar dhe atij të mesëm. Kryeministri diskutoi me ta mbi reformën në sistemin arsimor në Shqipëri dhe arritjet e saj, si dhe iu komunikoi drejtpërsëdrejti, lajmin e rritjes së rrogave për mësuesit dhe pedagogët e të gjitha niveleve.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla shprehu mirënjohjen për të gjithë mësuesit e Tropojës, për rezultatet e kënaqshme që kanë arritur në procesin e edukimit dhe të mësimdhënies. Në mënyrë të veçantë, Nikolla i falënderoi ata për përfshirjen në mësimdhënien me kurrikulën e re.  “Do doja t’ju falënderoja ju, emër për emër, të gjithë mësuesit e Tropojës që mundëm që bashkërisht ne të ndërtojmë një histori të re pranë nxënësve, pranë të vërtetave për të sjellë rezultate të reja në sistemin tonë arsimor. Hoqëm dorë nga kurrikula e vjetër dhe unë ju falënderoj të gjithëve ju që jeni përfshirë në mësimdhënien në kurrikulën e re, se falë jush ne bëmë një rrugë krejtësisht të re dhe efecientë. Nuk vendosëm një kurrikul të re, programe të reja, arna-arna, diku një model dhe diku tjetër një model tjetër, por morëm siç është korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar, duke mundësuar, falë jush, sigurisht, për herë të parë, një kurrikul të integruar për fëmijët nga 3 deri 18 vjeç.”

Kryeministri, duke marrë fjalën bëri të ditur se nga shuma e përgjithshme prej 100 milionë dollarë e vënë në dispozicion për rritje rrogash, 18 milionë dollarë i përfiton vetëm arsimi. “Me rritjen e rrogës që do bëjmë për ju, që do të jetë mesatarisht 10 për qind, ndërkohë që gjithë rrogat e ulëta në arsim do të rriten me 35 për qind, faktikisht ne do të kapërcejmë edhe Kosovën, edhe Serbinë, edhe Maqedoninë, edhe Malin e Zi me rrogat e ulëta dhe do kapërcejmë Kosovën dhe Serbinë me rrogat mesatare, që do të thotë që s’është maksimumi, edhe më shumë edhe më mirë, por në këtë fazë besoj se është një sforco jo e vogël që ne duhet të bëjmë dhe do ta bëjmë. Kjo rritje është 100 milion dollarë që merren nga buxheti i shtetit e shkojnë në buxhetin e familjeve. 18 milion dollarë ka vetëm arsimi.”

Kryeministri Rama iu komunikoi mësuesve se si pjesë e programit për Rilindjen Urbane do të mbështetet rindërtimi i plotë i gjimnazit të qytetit, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të vështirë përsa i takon kushteve të mësimdhënies.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.