Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me mësues të edukimit fizik, sportistë profesionistë, nxënës, etj.. mbi masivizimin e sportit në shkollat e vendit:

Përshëndetje të gjithëve!

Mirëserdhët!

Jemi këtu për të kremtuar një moment që unë besoj është shumë i rëndësishëm në përpjekjen tonë të madhe dhe shumë të vështirë për rilindjen e sportit; rilindjen e një federate speciale, jo si të tjerat, që është Federata e Sportit Shkollor për t’i dhanë sportit në shkollë, edhe një shtëpi që drejtpërdrejtë administron lëvizjen sportive në bazë.

Jemi të gjithë dëshmitarë se si u shkatërrua i gjithë sistemi i sportit në Shqipëri dhe se si u asgjësua baza e lëvizjes sportive, e cila në çdo vend normal gjendet në shkollë qysh në ditën e parë dhe e shoqëron çdo fëmijë deri kur del nga dyert e Universitetit.

Për më shumë se 20 vjet, sporti shqiptar mbijetoi vetëm falë përpjekjeve krejtësisht sporadike dhe individuale të atyre që e duan me gjithë zemër sportin dhe të skuadrave që u mbajtën aq sa u mbajtën dhe ashtu si u mbajtën në këmbë, falë pasionit dhe shpenzimeve sporadike të individëve të ndryshëm.

E nëse futbolli mund të konsiderohet si një rast specifik për vetë natyrën e tij dhe për vetë faktit që i takon një industrie të rëndë të sportit përgjithësisht dhe prapëseprapë kaloi dhe është ende në një proces ku nuk mund të thuhet se organizimi dhe funksionimi është vendosur mbi baza të shëndetshme, as nuk mund të bëhet krahasim pastaj me sportet e tjera që u lanë totalisht në mëshirë të fatit.

Në mëshirë të fatit për sa i përket kompeticionit, por në mëshirë të fatit dhe për shkak se u këput gjithë zinxhiri që furnizonte në të shkuarën dhe furnizon në çdo vend aktivitetin sportiv kompetitiv.

Këtu ka personalitete të sportit dhe sportistë të shquar që kanë vazhduar t’i përkushtohen këtij pasioni të jetës në kushte mizërabël, sipërmarrës që janë përpjekur që të mbështesin sportin vetëm për shkak të pasionit të tyre dhe të tjera personalitete që e njohin mirë historinë e këtyre viteve dhe që mund të dëshmojnë se sa shumë regres dhe sa shumë kaos u krijua edhe në pikëpamje të bazës ligjore të funksionimit të sportit; sa shumë regres dhe sa shumë kaos u krijua edhe në raportin mes shtetit dhe federatave sportive; se në çfarë mënyre të papërgjegjshme u tretën dhe ato fare pak fonde që duhet t’i dedikoheshin federatës sportive, apo se si shumë federata sportive e humbën krejtësisht kuptimin e tyre.  Pa folur këtu për stimuj dhe për mbështetje të strukturuar për sportistë elitarë apo për shpërblimet e merituara për çka ata kanë arritur në këto 20 e ca vite, që iu takonin me ligj dhe që nuk i morën kurrë.

U desh që kjo qeveri të angazhohej drejtpërdrejtë për t’i paguar një më një të gjitha shpërblimet e prapambetura të shumë viteve për sportistët elitarë. Infrastruktura sportive u degradua deri ku s’thuhet. Territoret ku zhvillohej aktiviteti sportiv u zaptuan dhe u tjetërsuan deri ku s’thuhet nga persona privatë, gjithfarësoj, që nga njëra anë e grabitën sportin dhe nga ana tjetër i shkatërruan imazhin gjithë lëvizjes sportive në Shqipëri.

Për ne është shumë e qartë që lëvizja sportive në shkollë sigurisht që është një bazë për të furnizuar nivelin kompetitiv të sportit në të gjitha disiplinat. Mbi të gjitha është një bazë e pazëvendësueshme për kulturën shoqërore dhe për shëndetin publik, një fushë ku çdo lek i investuar është i barabartë me 3 lekë të kursyera për shëndetësinë dhe për rendin publik. Është fakt i njohur që në vendet e zhvilluara në territoret e kësaj bote ku lëvizja sportive në bazë është e stimuluar dhe funksionon, – qoftë shifrat e shëndetit publik, qoftë shifrat e kriminalitetit janë më të ulëta sesa në vende të tjera, ku lëvizja sportive çalon ose nuk funksionon.

Është fakt, po ashtu, që sot vendet e zhvilluara janë përshirë në një proces të jashtëzakonshëm të ristrukturimit të koncepteve bazë për rolin e lëvizjes sportive në ekonominë e vendit, në eficencën e institucioneve të vendit.

Studime të tëra të financuara nga qeveritë e vendeve të zhvilluara, komisione të tëra ekspertësh, jo vetëm të sportit, por edhe të fushave të tjera, janë sot në punë për të vendosur objektiva të qarta dhe të patjetërsueshme në nivelin e Bashkimit Europian, lidhur me çfarë qeveritë duhet të bëjnë për të stimuluar pjesëmarrjen e qytetarëve në lëvizjen sportive në të gjitha grupmoshat, për të rritur volumin qoftë në kohë, qoftë në numër të pjesëmarrjes së të rejave dhe të rinjve në lëvizjen sportive.

Padyshim që, sporti, njësoj si kultura, njësoj si arsimi, njësoj si shëndetësia është një fushë ku ajo që investon sot, nuk kthehet në fryt që nesër, por ajo që nuk investon sot kthehet në një pasojë negative, e cila shkon duke u thelluar që nesër.

Kam parë me shumë interes një pjesë të studimeve për të cilat fola. Kam parë se si ka një parkim befasues mes nivelit të pjesëmarrjes në lëvizjen sportive dhe këtu kam parasysh lëvizjen sportive ku marrin pjesë të gjithë si individë, si njerëz, si qytetarë, jo lëvizjen sportive në nivel profesionistësh. Pra, si përkon volumi i pjesëmarrjes së lëvizjes sportive me shifrat e ekonomisë së një vendi; me shifrat e shëndetit publik në një vend; me treguesit e zhvillimit social dhe në tërësi më të gjithë treguesit e mirëqenies.

Aty ku nivelet e mirëqenies janë të larta lëvizja sportive është në nivelet më të larta të organizimit. Vendet me mirëqenie të lartë, duke filluar nga Britania e Madhe, që është kampion në kërkimin shkencor për të përputhur nevojat ekonomike dhe sociale me stimulimin e lëvizjes sportive, sot e kanë kuptuar thellësisht këtë dhe e shikojnë projeksionin e politikave të tyre në 20-30 vitet e ardhshme, të lidhur pazgjidhshmërisht me rritjen e volumit të financimit dhe të përfshirjes në lëvizjen sportive. Sot nuk ka nevojë për studime. Mjafton t’i shikosh shqiptarët.

Mjafton të shikojmë njëri-tjetrin dhe mund ta nxjerrim lehtë konkluzionin se bashkë me rënien e regjimit ka filluar një rritje e pandalshme e dhjamit në gjak.

Po të peshojmë popullin shqiptar sot dhe të krahasojmë me atë që ishte dje, jemi mbipeshë. Kjo sigurisht që ka të bëjë me shumë elementë, por është e lidhur drejtpërdrejtë edhe me mungesën e plotë të një lëvizje sportive në bazë; me mungesën e plotë të asaj diturie minimale jetësore që të jep lëvizja sportive dhe të asaj përgatitje minimale shëndetësore që nuk mund dot ta zëvendësojë asgjë, por mund ta garantojë vetëm përfshirja në lëvizjen sportive.  Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik shqiptar, por edhe të dhëna të tjera të specializuara në nivel europian, tregojnë se jemi 54.4% mbipeshë.

Po të krahasojmë këto të dhëna me të dhëna të vendeve të tjera do të shikojmë përsëri disa përkime shumë befasuese të raporteve mes sportit, shëndetit dhe ekonomisë.

Sigurisht që, kemi shifrën më të ulët në Europë për numrin e popullsisë që merret me aktivitet fizik: 4%. Nuk e ka askush tjetër.

Parafytyroni që beteja sot e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës së Veriut është për ta çuar pjesëmarrjen në mënyrë të rregullt të individëve në aktivitet fizik përtej 70%-shit. Ne jemi 4%.  Fatkeqësia më e madhe është që nëse e përkthejmë 4 %-shin në shtresa popullsie do të shikojmë që pjesëmarrja në lëvizjen sportive, ose e thënë më thjeshtë, aktivizimi në mënyrë të rregullt fizik tek rinia është edhe më pak: nën 4%. Finlanda, që konsiderohet sot lideri botëror në sportin e bazës, e ka pjesëmarrjen e individit në aktivitet fizik 92% të popullsisë.

Nga një studim i bërë prej komisionit të ngritur nën drejtimin e Sebastian Coe në Britaninë e Madhe, Britania e Madhe projekton për 15 vitet e ardhshme që të shkojë në 90% aktivitet fizik me një targetim shumë preciz të uljes së kriminalitetit; të uljes së shpenzimeve për spitalet dhe për shëndetin publik në tërësi; të rritjes ekonomike dhe të rritjes së punësimit vetëm nga rritja e volumit të pjesëmarrjes në aktivitetin fizik.

Ne nuk mund të themi sot se kemi bërë ndonjë çudi në këto aspekte, por kemi impostuar një qasje tërësisht të ndryshme nga e shkuara dhe modestisht me vetëdijen se, nëse duam vërtet të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme, nuk mund të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme, le të bëjmë të gjitha reformat në të gjithë sektorët, nëse nuk reformojmë thellësisht mënyrën e të jetuarit përmes sportit.

Sigurisht ky është një vizion shumë afatgjatë, por ka qenë e paimagjinueshme që në shkollat tona u zhduk figura e mësuesit të edukimit fizik. U zhduk edukimi fizik si praktikë. Iu caktua detyra për të bërë ndonjë orë sporadike të edukimit fizik mësuesit të muzikës, mësuesit së vizatimit e mësuesve të tjerë, sipas rastit, të cilët, kuptohet vetë se si mund ta bënin atë edukim fizik, që është tërësisht një shkencë më vete.

Hartuam statusin për sportistin elitar dhe likuiduam të gjitha shpenzimet e bëra prej vitesh, por tani jemi gati për të kaluar një ligj të ri për sportin; një ligj që adreson shumë nga problemet që jo vetëm nuk u zgjidhën me vite të tëra, por vetëm u agravuan për shkak të mungesës së një baze ligjore solide që disiplinon marrëdhëniet mes shtetit dhe lëvizjes sportive.

Qeveria e mëparshme investoi në 8 vjet, 80 mijë euro për sportin dhe infrastrukturën sportive.

Ne, vetëm nga buxheti i shtetit, në dy vitet e fundit, kemi investuar 25 milionë.

Nëse do të fusim brenda dhe gjithçka që kemi realizuar edhe falë partneritetit Publik Privat, shkojnë në 50 milionë. Prapë është shumë pak. Janë ndërtuar mbi 50 terrene sportive dhe janë rindërtuar shumë impiante sportive. Po ndërtohet Parku Olimpik i Tiranës.

Më e rëndësishmja, më në fund, pas 25 vjetësh, të gjitha federatat e sportit do të kenë selinë e tyre dinjitoze si çdo federatë simotër në vendin më të zhvilluar të Bashkimit Europian, një seli që do të jetë shtëpia e përbashkët e shumësportit dhe ku, pa as më të voglin diskutim, çdo ndërveprim, çdo takim me çdo federatë homologe do të zhvillohet në kushte optimale.

E gjithë puna e federatave nuk do të jetë më një punë nëpër skuta, nëpër cepa e nën shkallë stadiumi me lagështirë, nëpër zyra private që nuk gjenden dot as me të pyetur, edhe ata që punojnë në zyrë duhet të pyesin që t’i gjejnë të nesërmen, – e nëpër ato mjediset e degraduara të ish-klubit “Dinamo”.

Po ndërtohet paralelisht një Pallat i ri Sporti, shumë më cilësor sesa ëndrra më e bukur e Gaz Çaçit në 20 e ca vite.Padyshim, shumë pak në krahasim se çfarë meriton Gaz Çaçi. Kur them Gaz Çaçi kam parasysh të gjithë ata që kanë vazhduar t’i përkushtohen basketbollit, volejbollit, sporteve të tjera, komplet falë pasionit të tyre dhe pa asnjë respekt, pa asnjë mbështetje, pa asnjë lloj rruge tjetër përveç rrugës që janë munduar ta mbajnë hapur vetë.

Do të ndërtohet pishina olimpike e mbyllur.

Jam shumë i keqardhur për shumë prindër, janë shumë në Shqipëri, që bëjnë çdo ditë rrugë me kilometra të tëra, lëvizin nga një qytet në një qytet për të çuar fëmijët e tyre për të bërë not në një pishinë të lodhur këtu afër.

Shqipëria s’ka një pishinë olimpike të mbyllur. Një katastrofë! Këto nuk janë luks.

Këto janë bazë jetike për një komunitet dhe për një vend që synon të zhvillohet dhe të jetë një vend i shëndetshëm për njerëzit e vet.

Do të vazhdojmë jo vetëm me infrastrukturën e stadiumeve. Le të thonë çfarë të duan. Ajo shprehja e tmerrshme: “S’kemi bukë, ç’na duhen stadiumet!” – është shprehja më e tmerrshme e varfërisë së aspiratave.  Ne do vazhdojmë të ndërtojmë stadiume. Ne do t’i ripërtërijmë Pallatet e Sportit.

Ka ardhur koha që të rindërtojnë “Asllan Rusin” dhe ta kthejmë në një Pallat Sporti elitë. Nuk mund ta zëvendësojë, sidoqoftë, Pallatin e Sportit Kombëtar, Pallati i Parkut Olimpik.

Ajo që është më e rëndësishmja, është: Çfarë bëjmë ne për mendësinë sportive?

Si e trajtojmë ne sportin, duke nisur që nga kopshtet, për të cilët për herë të parë kemi hartuar një program edukimi fizik; për të shkuar të shkollat, të cilat për herë të parë kanë një program fizik të mirëfilltë edukimi fizik; për të shkuar deri tek profesionistët. Kemi bërë tre orë te detyruara edukimi fizik minimalisht në shkolla, duke filluar nga viti 2014. Kemi pasur telashe të mëdha për të rekrutuar mësuesit dhe akoma edhe sot nuk e kemi plotësuar numrin e mësuesve të specializuar të edukimit fizik. Unë kam shumë shpresë që edhe Universiteti i Sporteve do të rilindë dhe do të jetë realisht një mbështetje e fuqishme, në radhë të parë, e lëvizjes sportive në shkollë. E kam parë programin e Rektorit të ri.

Jam shumë besimplotë që do arrijë ta realizojë atë kthesë të domosdoshme për një Universitet që arriti në pikën që të jepte diploma edukimi fizik pa e parë fizikisht personin. Deri këtu ka arritur Universiteti i Sportit.

Ka shumë gjasë që njerëz që janë 1.60 të gjatë, të kenë marrë diploma sikur janë 1.90 se nuk i kanë parë fizikisht. Pa diskutuar pastaj se ç’mund të bëjnë ata me ato diploma, që mund të marrin në qafë dynjanë.

Kemi miratuar një kartelë individuale për çdo nxënës dhe një pyetësor për gjendjen shëndetësore.

Kartela individuale synon të ofrojë një vlerësim të plotë të nxënësit, qysh në fillimet e tij. Një kartelë që i shërben çdo individi në vazhdimësi të jetës së vet, por që është edhe një kujtesë kombëtare në fushën e edukimit fizik të popullatës.

Sigurisht edhe kjo është një fazën më fillestare.

Duhet ta kthejmë në një regjistër dixhital të të dhënave fizike dhe të edukimit fizik të çdo individi. Po ashtu, edhe pyetësorin e gjendjes shëndetësore edhe gjithë analizat shëndetësore gjatë rrugës deri në daljen nga Universiteti, siç i kanë vendet normale të zhvilluara. Është një pyetësor që përmban një grup pyetjesh shumë të thjeshta, por që është bazë për të detajuar më tutje panoramën e gjendjes fizike dhe të nivelit të edukimit fizik të çdo nxënësi për ta forcuar maksimalisht lidhjen midis shkollës, nxënësit familjes dhe prindit, mbi bazën e modelit të “Shkollës, si Qendër Komunitare”, ku, edukimi fizik është një komponent në letër i rëndësishëm, por duhet të bëhet një komponent themelor në praktikën e përditshme të “Shkollës si Qendër Komunitare”.  Nuk diskutohet efekti domino i kësaj lëvizjeje në luftën kundër gjithë veseve që kërcënojnë sot e gjithë ditën vajzat dhe djemtë që shkojnë në shkollë.

Kemi një platformë të veçantë për nxënësit me aftësi të kufizuar, me paketë speciale të edukimit fizik të tyre. Janë punësuar 700 mësues të rinj të edukimit fizik në nivel vendi.

Janë trajnuar të gjithë mësuesit që vazhdojnë ta bëjnë detyrën pa qenë specialistë të edukimit fizik se ky është boshllëku që kemi trashëguar dhe ndërkohë në bashkëpunim të ngushtë me universitetin e sporteve ne do të vazhdojmë të plotësojmë nevojat në rang vendi që çdo shkollë të ketë specialistët e edukimit fizik të cilët të kenë absorbuar të gjithë programin kombëtar të edukimit fizik dhe të ndjekin në vazhdimësi individualisht çdo nxënës. Duke ardhur tek federata, kjo federatë që është krijuar sapo dhe që tani fillon aktivitetin e saj. Është një strukturë e domosdoshme për të koordinuar të gjitha sforcot tona, për të koordinuar sforcot e qeverisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe sporteve, sforcot e Universitetit të Sportit, sforcot e gjithë klubeve dhe objektivat e tyre për skuadrat elitare dhe padyshim sforcon e gjithë mësuesve, trupave mësimorë, të drejtorive arsimore, të zyrave arsimore, për të ngritur  peshë lëvizjen sportive në rang republike.

Kjo federatë do jetë përgjegjëse e drejtpërdrejtë për të mbikëqyrur mënyrën sesi do të bëhet lidhja dhe sesi do të zhvillohet zinxhiri i ekipeve për të gjitha disiplinat e kampionateve në nivele rajoni dhe në nivele publike. Ambicia jonë është që të kemi kampionate të të gjitha disiplinave në nivel rajoni dhe në nivel republike.

Ambicia jonë është që universitetet tona të krijojnë skuadrat e tyre, skuadrat e tyre të basketbollit, të volejbollit, skuadrat e tyre të disiplinave të tjera dhe në nivel universiteti të ketë kampionate te rregullta. Një masivizim i domosdoshëm jetik për Shqipërinë në këtë fazë për të mos djegur dhe një gjeneratë tjetër se ata që lindën në vitin ’90 dhe që sot janë 26 vjeç janë shumica mbipeshë dhe pa asnjë koncept elementar të aktivitetit fizik për shkak se kaluan një proces arsimimi ku edukimi fizik ishte zero, në një vend ku pastaj kaosi dhe çorodia bënë të vetën. Nuk mund ta humbim një gjeneratë tjetër. Kjo gjeneratë që sot hyn në zinxhirin e edukimit duhet të jete një gjeneratë që nesër disponon të gjitha njohuritë elementare dhe mbi të gjitha kulturën e të bërit aktivitet individual fizik.

Pa diskutim që kjo bazë do të ngrejë peshë edhe lëvizjen profesioniste, duke krijuar kushte tërësisht të tjera për të identifikuar talente dhe për të stimuluar rritjen profesionale të klubeve profesioniste në të gjitha disiplinat sepse nëse ne sot kemi një ekip kombëtar të futbollit që arrin rezultate, bazuar në një bërthamë solide lojtarësh që vijnë nga një tjetër shkollë e edukimit fizik, kjo i dedikohet pikërisht kulturës së edukimit fizik që të vegjël, qoftë ata të Zvicrës, qoftë ata të Gjermanisë, qoftë ata të Francës vijnë nga ajo shkollë. Kjo është shkolla që duhet të krijojmë ne këtu dhe i kemi të gjitha mundësitë në shkallën tonë modeste.

Si përfundim, dua t’ju them, të ndaj me ju dy shprehje që i shkojnë shumë besoj kësaj përpjekje si dhe këtij aktiviteti. Njëra është një shprehje e një poeti të madh, Friedrich Schiller i cili thotë: “Njeriu është plotësisht njeri vetëm kur luan”. Edhe një shprehje tjetër e dikujt që s’ka bërë sport kurrë në jetën e vet, Winston Churchill i cili thotë: “Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal vetëm kurajoja për të ecur përpara është ajo që bën dallimin”. Ne vijmë nga një periudhë totalisht të dështuar, në këtë aspekt. Jemi në kushtet kur mund të numërojmë arritje, por nuk mund të themi se kemi bërë sukses dhe mbi të gjitha kur me shumë kurajë do të vazhdojmë përpara, përballë një muri injorance marramendëse në raport me edukimin fizik dhe në raport me impaktin e këtij edukimit fizik në gjithë cilësinë e jetës shoqërore dhe ekonomike në vendin tonë. Me shumë respekt për gjithë ju që jeni këtu dhe meqë e përmenda Gazin po e përshëndes në mënyrë të veçantë në fund fare duke i thënë që për Gazin dhe për të gjithë ata që janë sot shëmbëlltyrat e suksesit të madh të dikurshëm në një kohë shumë të vështirë, kur s’kishte më shumë se një pallat sporti dhe një palestër profesioniste, provuan se nuk është çështje genesh. Nuk na mungojnë ne genet për të qënë kampion, por  thjeshtë dhe vetëm na ka munguar në gjithë këto vite organizimi.

Sot, Gazi dhe gjithë të tjerët si ai në gjithë disiplinat mund të ndjehen jo të qetë, por të paktën më të lehtësuar nga fakti që nuk janë vetëm dhe se ne do bëjmë çmos që edhe ta të jenë të përfshirë dhe kultura e tyre sportive, por edhe shkëlqimi i tyre i dikurshëm të jete një motiv shumë i fortë për vajzat dhe djemtë e gjeneratës tjetër. `

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.