Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të 112 apartamenteve të reja në Valias. Në fjalën e tij ai tha se i vjen mirë që sot çelen dyert për një pjesë të konsiderueshme të familjeve që do strehohen në këtë lagje të re dhe së shpejti edhe për pjesën tjetër, pasi pjesa më e madhe e punës, edhe në anën tjetër ka përfunduar.

‘’Janë vetëm detajet e fundit për apartamentet, ndërkohë që do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me Kryetarin e Bashkisë për të kompletuar edhe gjithë anën e jashtme me parqet dhe me këndet sportive për vajzat dhe djemtë më të rritur, si dhe me këndet e lodrave për fëmijët e vegjël’’- shtoi Kryeministri.

‘Ajo që është kryesorja- tha Kryeministri- dhe që unë e përsëris me shumë krenari, është që të gjitha këto apartamente janë tuajat, janë falas dhe janë pronë e patundshme e familjes suaj. Kjo natyrisht vlen për të gjithë ju, edhe për shumicën këtu që janë demokratë që duken 4 orë larg, por nuk humbni gjë të qeshni me gjithë zemër se shtëpi po merrni, nuk po merrni një shkelm që të ikni nga shtëpia’’.

Në fjalën e tij ndër të tjera Kryeministri Rama tha:

‘’Ky është një program që është ndërtuar për të qenë një program i barabartë për të gjithë, pavarësisht bindjeve, pavarësisht prejardhjes krahinore, pavarësisht besimeve, pavarësisht gjithçkaje. Është një progam tamam për të gjithë si njerëz, si shqiptarë, si qytetarë me të drejta të barabarta të këtij vendi dhe këtë lloj programi, më vjen keq për demokratët që janë këtu, mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë, doni ju apo nuk doni ju, se juve ju kemi hudhrën kryesore që nuk na merr njeri dot më sysh. Ndaj, ju bëmë edhe me shtëpi tani që t’ju kemi afër, t’ju kemi pranë, do t’ju mbajmë shumë mirë.

21 gropa në çdo rrugë kemi gjetur këtu, 21 kopshte dhe shkolla janë ndërtuar. Jo vetëm kaq, por një nga kopshtet që është ndërtuar këtu në Kamëz fitoi dhe çmimin ndërkombëtar si një ndër kopshtet më bukur i ndërtuar në 2020 në Europë.

Kjo është një tjetër fjalë e mbajtur. Ne vazhdojmë punën sepse ka akoma një pjesë të banorëve të prekur nga tërmeti në Tiranë, në Durrës që presin.

Patjetër, do vijë shumë shpejt dhe ajo ditë që dhe turistët të kalojnë në Kamëz.

Ndërkohë, foli pak zëvendëskryeministri edhe për pjesën tjetër, se mirë këto godinat janë pjesë e programit të rindërtimit por ndërkohë, kjo qeveri “e poshtër”, që ju keni kaq kohë që doni ta largoni, vazhdon ju paguan juve dritat dhe ju nuk keni asnjë rritje, asnjë qindarkë të çmimit të dritave, e nuk do të keni. Ndërkohë që diferenca e çmimit që qeveria paguan është në ndonjë rast më e madhe se vetë çmimi që ju paguani. Por kjo bëhet për të gjithë pa dallim. Pa asnjë dallim! Dua ta theksoj që jemi duke punuar intensivisht për të vënë në jetë edhe ato vendime që tanimë janë shumë të qarta falë këshillimit kombëtar. Do të shkojmë përpara me legalizimin e kursimeve të emigrantëve, në radhë të parë të emigrantëve por edhe të gjithë shqiptarëve që pavarësisht se kanë qenë dikur në emigracion, tani janë këtu ose anasjelltas kanë punuar në të zezë dhe duhet që ti formalizojnë, t’i legalizojnë paratë e tyre që vijnë nga puna, jo nga aktivitetet kriminale natyrisht. Do të bëjmë një mbështetje të posaçme për nënat me tre fëmijë e kështu me radhë.

Ju uroj vërtet shëndet të gjithëve dhe uroj që ti gëzoni shtëpitë. Janë tuajat! Janë falas! Janë me hipotekë!

Programi i Rindërtimit ka transformuar nga themelet Valiasin, një prej fshatrave të Kamzës, të dëmtuar rëndë nga tërmeti, të cilit sot nuk i ka mbetur asgjë nga panorama e vjetër. Dy vjet më parë, qeveria shpalli Zonën e Re për Zhvillim në Valias, me një projekt modern infrastrukturor të  përbërë nga 3 blloqe banimi, me 20 banesa kolektive 4 dhe 5 kate.

Aktualisht, kanë përfunduar punimet për 112 apartamente të reja në bllokun e parë të banesave kolektive, që iu dorëzuan sot familjeve të Valiasit, që humbën strehën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama ndau  me banorët gëzimin e hyrjes në shtëpitë e reja, ndërkohë që janë shumë afër mbarimit edhe punimet në dy blloqet e tjera, ku rindërtimi vijon me ritme shumë të shpejta.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.