Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama mbajtur sot në konferencën e Reformës Administrative  Territoriale

Së pari, besoj që nuk është e vështirë të biem dakord që prezantimi i bërë nga Ministri i Çështjeve Vendore ishte mbresëlënës dhe shumë inkurajues në një moment kur ajo është, pikërisht, sfida e madhe që lidhet me një transformim rrënjësor të organizimit të vetë shtetit. Duke i shprehur ministrit konsideratën më të lartë për gjithë punën e bërë, nuk mund të rri pa ndarë me ju dhe një reflektim që pata; Një ministër me pak njerëz bën më shumë se sa një ministri me shumë njerëz. Ndoshta, ky është një shembull i mirë për të reflektuar mbi një shkurtim të mëtejshëm të burimeve parazitare njerëzore.

Mu kujtua një histori shumë domethënëse e jetuar. Ma ka treguar drejtori i Fondit të Zhvillimit Kuvajtian. Kur Kuvajti u pushtua dhe qeveria u detyrua të largohej në mërgim, Fondi i Zhvillimit Kuvajtian që në atë kohë ishte një strukturë prej 600 personash e zhvilloi gjatë gjithë periudhës së pushtimit veprimtarinë e vetë në dy dhoma hoteli në Londër, ku ishte akomoduar gjithë qeveria në mërgim. Ai tregon se gjatë asaj periudhe janë bërë disbursimet më të shpejta dhe më masive të fondeve që Fondi i Zhvillimit Kuvajtian i ka akorduar gjithë aplikantëve në 100 e ca vende që mbulon. “Në atë kohë -tha,- diskutonim që si ka mundësi që në dy dhoma hoteli, 6-7 veta bëjnë një punë shumë më të shpejtë dhe shumë më efikase se 600 veta që ishim. Kur të çlirohet Kuvajti dhe të kthehemi duhet ta reformojmë fondin, sepse praktikisht qenka ndryshe puna.” U çlirua Kuvajti u kthyen dhe e bënë 1200 veta Fondin e Zhvillimit Kuvajtian. Ky është tundimi i fortë i të qenurit në qeveri dhe në pushtet.

Nga ana tjetër, dua që t’i shpreh dhe një herë mirënjohjen njeriut kyç të kësaj reforme historike, me gjithë respektin dhe padyshim vlerësimin e merituar që Ministri tregoi për donatorët, kjo reformë pa Bashkim Finon nuk do të ishte e mundur. Nga lartësia e eksperiencës së tij si kryeministër dhe e urtësisë së tij si një politikan, tanimë ndër më të zhdërvjellëtit, ai ka bërë të mundur që një reformë e cila prej 20 vitesh diskutohej e flitej edhe politikisht, gjithmonë mbetej e bllokuar të kalonte dhe të kalonte në një formë shumë konstruktive, pavarësisht përmbajtjes së vet shumë agresive dhe radikale si reformë.

Sot ka dy gjëra të rëndësishme për të nënvizuar.

E para, që pavarësisht se jemi në një periudhë zgjedhore, janë zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë pluraliste, ku nuk ka fryrje të shpenzimeve të shtetit. Jo vetëm nuk ka fryrje, por ka një vazhdimësi krejtësisht të konsoliduar, a thua se në Shqipëri në fakt nuk ka zgjedhje, përsa i përket Buxhetit të Shtetit dhe përsa i përket qasjes ndaj të ardhurave të arkës së shtetit. Besoj që, kjo është një arritje e jashtëzakonshme që duhet nënvizuar me fjalë prej nesh, se po s’e thamë ne nuk ka për të na e njohur njeri si arritje. Po s’e thamë, asnjeri nuk ka për ta pasur vëmendjen. Por, unë do t’ju kujtoj vetëm një gjë, nga janari në gusht të 2013-ës, borxhi ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike u rrit me 220 milionë dollarë. Janë tetë muajt e rritjes më eksponenciale të borxhit të kompanisë. Pse?! Sepse ishte periudhë elektorale dhe synoheshin vota duke falur energji dhe duke përkëdhelur hajdutët e energjisë elektrike.

Flas vetëm për një zë. Sot jemi akoma në kushtet kur përballemi me borxhin katastrofik të akumuluar në periudhën janar-qershor 2013, për shkak të një orgjie elektorale me paratë e Buxhetit të Shtetit, në mungesë të plotë të çdo përgjegjësie dhe çdo përgjegjshmërie.

Gjëja e dytë, që besoj vlen të nënvizohet dhe që lidhet shumë me këtë reformë është ajo që ne po bëjmë me Bankën Botërore dhe që nuk është bërë asnjëherë më parë, për të bërë maksimumin dhe për të nxjerrë përftimin më efektiv për Shqipërinë dhe për shoqërinë tonë me fondin më të madh të akorduar në historinë e marrëdhënieve me Bankën Botërore, nga Banka Botërore për Shqipërinë; 1.2 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme. Ajo që ne kemi vendosur të bëjmë dhe kemi filluar të punojmë sëbashku është që të ndërtojmë mbi bazën e këtyre 1.2 miliardë dollarëve dhe bashkëngjitur projeksionin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të pesë viteve të ardhshme të Buxhetit të Shtetit, një kolonë vertebrale të mënyrës, një kolonë vertebrale të të gjithë organizimit financiar dhe të shpenzimeve për ta pasur parasysh në çdo kontakt dhe në çdo negociatë me të gjithë donatorët e tjerë, në mënyrë që të arrijmë të konsolidojmë një qasje sa më të përbashkët dhe të mbyllim një kapitull të gjatë fragmentarizimi dhe shpeshherë mbivendosjeje të fondeve dhe të financimeve për çka ne zhvillojmë në territorin tonë.

Ky është një ushtrim vërtetë i vështirë, por i domosdoshëm që na çon në një fazë krejtësisht të re të marrëdhënies me financat publike dhe me fondet, që siguron shteti shqiptar edhe nga bashkëpunimi me institucionet financiare apo me donatorët.

Këtu vlen të thuhen disa fjalë për çfarë u paraqit.

Është e qartë, ne nuk kemi bërë një bashkim mekanik njësish dhe nuk ka qenë qëllimi të shkurtojmë shpenzimet. Sigurisht, kemi qenë të vetëdijshëm që shkurtimi i shpenzimeve dhe kalimi i një mase rreth 50-60 milionë dollarësh nga para që harxhoheshin për të mbajtur administrata inkompetente në investime është llogaritur si përfitim nga kjo reformë. Por, thelbi i reformës është krijimi i njësive ekonomike të zhvillimit. Nuk kemi krijuar 61 bashki më të mëdha se ato që kishim për të vazhduar me avazin që patëm 25 vjet. Kemi krijuar 61 njësi ekonomike zhvillimi. Më saktë 58 njësi ekonomike zhvillimi dhe 3 bashki ku vendimmarrja ka qenë e përcaktuar nga sensi ynë i vlerësimit të të drejtave të minoriteteve. Nëse deri dje kemi pasur, parafytyrojeni vetë, 50% të këtyre njësive vendore që nuk nxirrnin asnjë kokërr leku vetë dhe që mbaheshin me subvencion nga Buxheti i Shtetit, kjo nuk do të jetë më kështu, por e kundërta do të jetë e vërtetë për të gjitha njësitë vendore, të cilat do të mbështeten nga Buxheti i Shtetit, por do të jenë në kushte që do të gjenerojnë edhe fonde për shpenzimet e tyre.

Nga ana tjetër, krijimi i këtyre 61 njësive të reja ekonomike zhvillimi ka si qëllim edhe një qasje tërësisht të re ndaj territorit. Sepse territori është edhe ekonomia, edhe shëndeti, edhe zhvillimi. Është trupi i një shteti, është banesa e një shoqërie dhe është hapësira që kemi në dispozicion për të krijuar mirëqenie. Jemi të vetëdijshëm që në gjithë këto vite marrëdhënia me territorin ka qenë një marrëdhënie e denjë për kohëra barbarie dhe e denjë për civilizime barbarësh, jo për një vend që jeton mu në mes të Europës dhe që nuk e ka luksin që të vetë shkatërrohet, të vetë konsumohet dhe të vetë gllabërohet, sepse është një vend i pasur, por pasuritë nuk i ka pa limit.

Këto njësi të reja ekonomike zhvillimi do të jenë një instrument jashtëzakonisht i vlefshëm për të adresuar pikërisht nevojën për një qasje të re ndaj burimeve natyrore dhe për një qasje të shumëllojshme, jo uniforme, në bazë të territoreve dhe të specifikave të territoreve. Sigurisht që, gjëja që vlen të thuhet është që ky është një organizim si asnjëherë më parë, përgatitet me shumë kompetencë dhe me shumë sens përgjegjësie nga qeveria, për t’ju vënë në dispozicion të zgjedhurve të rinj dhe kuvendeve të reja vendore, instrumentet për të përballuar shokun e tranzicionit. Sepse tranzicioni nga gjithë këto qindra njësi vendore në 61, në kushtet kur ka shumë njësi që janë audituar për herë të fundit në vitin 1970, në kushtet kur siç e nënvizoi edhe përfaqësuesi i kompanisë që ka dhënë ekspertizën, mënyrat e trajtimit të financave dhe të dokumentimit janë të atilla që nuk duket sikur nuk je nga një komunë tek tjera, po sikur je nga një shtet tek tjetri, madje ndryshojnë edhe me kontinente, pavarësisht se komunat mund të jenë afër njëra-tjetrës.

Është domosdoshmëri, por ne shohim përtej këtij momenti të përballimit të këtij shoku. Jemi të bindur se tani kemi bazën për të bërë decentralizim real. Ajo që kemi bërë, ne, në gjithë këto nuk ka qenë decentralizim, ka qenë copëtim. Edhe aty ku kemi pretenduar që kemi decentralizuar, kemi copëtuar. Le të marrim thjesht dhe vetëm një shembull. Jemi një turp i gjallë në sytë e të gjithë atyre që na rrethojnë, sepse kemi një vend të pasur si askush tjetër rreth e rrotull nesh me burime ujore dhe kemi problem madhor ujin e pijshëm dhe ujin për të vaditur. Ashtu sikundër, kemi problem madhor faktin që po na erdhi uji me tepri nga qielli ne gjithmonë përmbytemi.

Ajo që është bërë në emër të decentralizimit me sistemin e ujësjellësve është kriminale, është një barbari kriminale. Sot ne kemi trashëguar një sistem ujësjellësish që nuk e ka asnjë vend në botë. Një sistem ujësjellësish të copëtuar, të degraduar dhe të falimentuar në pjesën e vetë më të madhe. Konsolidimi i njësive ekonomike dhe kalimi në një fazë të re të trajtimit dhe të qeverisjes së ujit do të sjellë që dhe shumë kontribute që janë aty të donatorëve të shkojnë në drejtimin e duhur dhe ta konsolidojnë më në fund këtë sistem. Por si sistemi ujësjellësve ka edhe plot aspekte të tjera, por ky është shembulli më tragjik i një decentralizimi që ka qenë një copëtim, një fragmentim dhe një shkatërrim. Nuk ka qenë decentralizim.

Sot jemi në kushtet kur mund të flasim për decentralizim real dhe, faktikisht siç e patë edhe vetë, jemi shumë të përgatitur ta bëjmë këtë.

U dhanë disa drejtime, por unë besoj që ka vend për të shkuar shumë më thellë. Ka vend për të bërë një reflektim të shpejtë, bazuar mbi gjithë këtë eksperiencë të akumuluar në kohë për planifikimin. Kemi planifikuar në mënyrën më të gabuar. Kemi planifikuar në mënyrën më të vjetër dhe më të lënë pas kohe, duke bërë plane, masterplane, stërplane dhe duke krijuar një realitet virtual planesh dhe një realitet real në territor ku gjërat kanë vazhduar pavarësisht sesi kanë qenë planet.

Mjafton t’ju them vetëm një fakt tjetër, që është njësoj si fakti i ujësjellësve. Kemi shtetin e vetëm në Europë ku rrugët kombëtare janë si korridore magazinash. Nuk ka shtet tjetër në Europë, sa kalon kufirin, nga cilado anë që mund të dilet nga Shqipëria, menjëherë e shikon ndryshimin. Jemi i vetmi shtet ku në rrugët kombëtare kemi magazina e gjithfarë lloj ngrehinash nga të dyja anët, çka i ka zhvlerësuar tërësisht rrugët dhe një pjesë të madhe të rrugëve e bën të pa certifikueshme nga Bashkimi Europian si rrugë të standardeve europiane.

Kjo situatë, sepse, ndërkohë që kemi bërë sikur kemi planifikuar, kemi shtuar hartat e pseudoplaneve rregulluese, komunat dhe bashkitë kanë vazhduar të japin leje, apo të mbyllin sytë përpara ngrehinave të paligjshme mu në buzë të rrugës, duke shkelur një nen shumë të qartë të Kodit Rrugor, që thotë se 20 metra në të dyja anët e rrugës kombëtare nuk mund të ndërtohet. Është e shkruar aty dhe është “fantastike” që asnjë nuk është dënuar për këtë. As edhe një! Kjo është një shkelje flagrante, barbare, që ka sjellë një kosto shumë të madhe në jetë njerëzish për shkak të aksidenteve dhe një kosto shumë të madhe përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm.

Na duhet një qasje e re në planifikim, një ndërthurje e eksperiencave dhe një ndërveprim institucional për planifikimin. Ne nuk kemi luksin që të lejojmë të vazhdojë të planifikohet me metodat e vjetra të vendosjes së njollave, një njollë këtu dhe një njollë atje dhe pastaj, me vazhdimin në realitet të një jete krejt ndryshe, sepse janë plane jashtë realitetit.

Ne kemi nevojë të rishikojmë prefekturat. Prefekturat në Shqipëri janë institucione, të cilat, në rastin më të mirë nuk duhet të jenë, në rastin më të keq duhet të ndryshojnë tërësisht formë dhe përmbajtje. Ne nuk jemi Franca e Napoleonit që duhet të kemi patjetër edhe prefektura, pavarësisht se kur i kemi bërë, kemi qenë napoleonian në qasje.

Po ashtu na duhet të rishikojmë emergjencat, bazuar dhe në eksperiencën e përmbytjeve dhe bazuar në impotencën e plotë që ka demonstruar pushteti vendor, jo për faj të tij, por për shkak të një sistemi të supercentralizuar të emergjencave.

Na duhet patjetër të shikojmë titujt e pronësisë. Jemi në kushtet kur një pjesë të madhe të tokës bujqësore e kemi pa tituj pronësie. E kemi mbushur me konflikte dhe askush nuk përgjigjet, në kuptimin që askush nuk jep dot zgjidhje. Hipotekat nuk e bëjnë dot këtë punë. Nuk është e mundur që me zyrat e hipotekave të zgjidhet problemi i titujve të pronësisë. Këtë përgjegjësi duhet patjetër ta ndajmë me bashkitë dhe t’i japim mundësi bashkive që të kenë pjesën e tyre të përgjegjësisë lidhur me kadastrat dhe të kenë pjesën e tyre të kompetencës lidhur me regjistrimin e titujve të pronësisë të tokës bujqësore.

Patjetër që është i rëndësishëm decentralizmi i administrimit të rrjetit të ujitjes dhe të kullimit, por është koha për t’i dhënë fund strukturave të drejtorive të bujqësisë. Kështu siç janë, ato janë struktura parazitare, struktura komuniste pa kooperativa. Parafytyrojeni vetë që struktura të jetë komuniste dhe kooperativa të mos jetë aty. Domethënë, të kesh një strukturë që është ndërtuar për të administruar kooperativat dhe në ndërkohë, në vend të kooperativave të kesh mijëra, dhjetëra mijëra pronarë me nga një dynymë dhe nga dy dynymë tokë. Na duhet që këto drejtori t’i transformojmë. Një pjesë e tyre të ndërrojë komplet fizionomi dhe të kthehet në strukturë mbështetëse e qeverisë qendrore për investimet dhe për fermerët dhe pjesa tjetër duhet të jetë aty aktive, një strukturë ekzekutive.

Na duhet të japim sa më shumë ekzekutim në nivel vendor dhe të marrim sa më shumë politikbërje dhe monitorim në nivel qendror. Një qeveri që ekzekuton deri dhe se kush do të jetë infermierja në një fshat të humbur të një komune, edhe më të humbur, nuk e ka të mundur që të jetë cilësore dhe që të bëjë sukses. Por jo decentralizim siç është bërë më parë, kur janë lënë kompetenca dhe është hequr dorë nga çdo monitorim, nga çdo kontroll dhe nga çdo ndërveprim.

Na duhet patjetër që të kemi një qasje të re për pyjet dhe kullotat. Por edhe këtu vlen e njëjta gjë. Ekzekutimin t’ia lëmë bashkive, por të forcojmë kontrollin, monitorimin dhe të rrisim ndërveprimin në politikbërje. Disa eksperienca gjoja decentralizuese të pyjeve dhe të kullotave kanë sjellë dëme të pallogaritshme, ku kryetarë komunash i kanë trajtuar pyjet dhe kullotat si pronë private dhe ose i kanë marrë vetë me qira, ose ja kanë dhënë vëllait me qira. Kanë qenë në një delir që as gjurmët nuk janë përpjekur t’i fshehin, madje i kanë vënë gjurmët pikërisht për të thënë që këtu jam unë, pylli është i imi. Ky nuk është decentralizim, ky është shkatërrim.

Gjithashtu na duhet të decentralizojmë edhe në kujdesin shëndetësor. Nuk mundet që Ministria e Shëndetësisë të merret me gjithë infermierët që duhet të bëjnë gjilpëra në çdo mal të Shqipërisë.

Ashtu sikundër na duhet të shkojmë një hap më tutje me organizimin territorial. Qarqet janë struktura absurde, janë kushtetuese dhe qëndrojnë aty. Por duhet t’u japim mundësinë që të bëjnë gjënë e duhur dhe na duhet të shkojmë me shpejtësi drejt formave dhe një forme të re organizimi jo administrativ, por të politikbërjes. Duke u bazuar në shembujt e shumë vendeve të Bashkimit Europian, të ndërtojmë disa rajone të menaxhimit publik. Rajone të menaxhimit publik, ku të garantohet ndërveprimi midis bashkive kufitare dhe qeverisë dhe ku investimet, të cilat lidhen me sipërfaqet që i kalojnë kufijtë e një bashkie dhe me mbështetjen e qeverisë, të jenë të diskutuara dhe të dakorduara në nivelin e një menaxhimi rajonal dhe ku të gjitha ministritë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me aspektet e ndryshme të zhvillimit të infrastrukturës, kanalet ujitëse, edukimit e me radhë, të jenë pjesë e këtij ndërveprimi. Buxheti i akorduar për secilën bashki, rajon për rajon, të mos jetë një buxhet i imponuar nga kush zonë ka më shumë deputetë, apo kush zonë ka deputetë që bërtasin më shumë e kështu me radhë, por të jetë i imponuar nga logjika e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë mënyrë ta kuptojnë edhe kryetarët e bashkive, por edhe qytetarët, që, nëse këtë vit bëhet një investim në x sektor për x aspekt që nuk hyn brenda kufijve të bashkisë, kjo bëhet sepse ky është prioriteti dhe mbas kësaj, këto janë të mirat që vijnë edhe për atë bashki. Në të kundërt do të binim në fragmentimin e tmerrshëm të shumë viteve të buxhetit, duke e ndarë buxhetin, siç ndahet një çorbë ku duhet të hanë të gjithë, por nuk është kështu.

Ne jemi shumë më të inkurajuar, por njëkohësisht jemi dhe krenarë për faktin që ne kemi ndalur me forcë fragmentimin e buxhetit dhe jemi fokusuar në këtë periudhë tranzicioni, që ka qenë e imponuar nga kjo reformë, në investime me natyrë strategjike për zhvillimin urban dhe me kapacitet për të gjeneruar zhvillim ekonomik. Por kjo është një sfidë e madhe, pasi të krijohen këto 61 bashki dhe pasi secila prej tyre të ketë programin dhe buxhetin, sigurisht do të ketë edhe nevojat e mëdha për të qenë e mbështetur.

Këtu është absolutisht e rëndësishme, që ne të çelim një kapitull të ri bashkëpunimi me donatorët, të konsolidojmë marrëdhëniet me donatorët, duke ju bërë të gjithë donatorëve të kuptojnë se është shumë e rëndësishme që të jemi në një tryezë dhe që të mos bëjmë secili punën e vet, por të bëjmë një punë të përbashkët. Ku, padyshim, çdo donator ka spektrin e vet të aktivitetit, por të gjitha aktivitetet bashkohen në një plan të madh zhvillimi, skeleti i të cilit do të jetë plani që ne do të paraqesim shumë shpejt, bashkë me Bankën Botërore, për të gjithë donatorët, duke u bazuar në dy gjëra shumë të sigurta. Është e sigurt që do të kemi 1.2 miliardë për të investuar në pesë vitet e ardhshme nga Banka Botërore. Dhe është e sigurt që kemi kapacitetin që të bëjmë një projeksion, jo super optimist, por të bëjmë një projeksion konservativ për buxhetin tonë. Mbi bazën e këtyre dy sigurive të ndërtojmë një skelet që t’ia vëmë përpara të gjithë donatorëve dhe institucioneve financiare dhe po ashtu, të gjithë bashkive të reja, për të qenë sa më të koordinuar në një përpjekje që do të jetë shumë e suksesshme. Do të jetë shumë e suksesshme, sepse Shqipëria nuk është një vend kaq i madh dhe nuk është një vend i varfër. Shqipëria është e pasur, në kuptimin e pasurive natyrore, edhe pse është një vend i vogël.

Unë e di që Bashkim Fino është i palumtur me këtë reformë, sepse do të donte që të kishte 50% më pak njësi vendore. Kjo do të thotë që territori është i vogël, mundësitë janë të mëdha, është njeriu që duhet fokusuar në mënyrë që të nxjerrim maksimumin me territorin dhe me mundësitë.

Edhe një herë ju falënderoj shumë për të gjithë kontributin. E përsëris, ne i jemi shumë mirënjohës qeverisë suedeze, qeverisë italiane, qeverisë amerikane, qeverisë zvicerane dhe UNDP-së, që ishin fuqia e madhe mbështetëse e një reforme që pa ta do të ishte e pamundur. Por unë jam i bindur që tani hapet një front i ri ndërveprimi edhe me KfW-në dhe me të gjitha agjencitë e tjera të mbështetjes, deri tek Fondi i Zhvillimit Kuvajtian, që pavarësisht se ka 1200 veta, ka qenë gjithmonë i shpejtë në dhënien e përgjigjeve pozitive ndaj nesh.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.