Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Samitin e organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për Ballkanin Perëndimor, me synim tërheqjen e investimeve të huaja. Samiti i mbajtur në zyrat qendrore të BERZH në Londër, i katërti i këtij formati, ka si objektiv promovimin e Ballkanit Perëndimor si destinacion investimesh. Këtë vit, Samiti u përqendrua në promovimin e projekteve në transport dhe energji, duke inkurajuar bashkëpunimin rajonal.
Në Samit merrnin pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në prezantimin e tij, Kryeministri Edi Rama e vuri theksin në potencialet gjithnjë në zhvillim që Shqipëria ofron në sektorin energjetik, i cili ka tërhequr kompani prestigjioze që të investojnë aty. “Të gjithë e dinë se ne kemi mjaft potencial në sektorin energjetik. Javën e kaluar kemi nënshkruar një kontratë të re me SHELL për eksplorim onshore në bregdet. Por që është një kontratë e madhe sepse përgjithësisht SHELL e ka ulur në mënyrë të ndjeshme planin e vet të eksplorimit në vende të tjera dhe kemi optimizëm të arsyeshëm se ka burime të reja të mëdha të gazit dhe naftës në Shqipëri dhe për rajonin.”
Turizmi mbetet një fushë me potencial të lartë për investime, për të cilin Kryeministri u shpreh se kërkesa është në rritje nga viti në vit. Kryeministri theksoi se ky sektor ofron mundësi investimi në mënyrë të veçantë në turizmin elitar, interesi për të cilin është rritur ndjeshëm.
“Sërish do të doja të theksoja turizmin si fokusin kryesor së paku për 10 vitet në vijim, sepse ka një kërkesë jashtë mase të madhe dhe që po rritet shumë. Po ju sjell një shifër sa për të krijuar ide. Operatorët tanë turistikë janë të detyruar të kthejnë mbrapsht 25 % të kërkesës për shkak të mungesë së infrastrukturës sonë pritëse, edhe pse shifrat janë rritur në mënyrë të ndjeshme vit pas viti. Kushdo që vjen, po kërkojnë të shqyrtojnë mundësi eksplorimi në nivelin e lartë. Ata janë të mirëpritur për të ardhur dhe për ta bërë këtë.”
Në këtë pikë, Kryeministri shtoi se është miratuar tashmë një legjislacion i ri që është shumë avantazhues për kompanitë që investojnë në turizëm, si heqja taksave për 10 vjet për këdo që do të investojë në hotele me 4 e 5 yje.
Infrastruktura është një tjetër element i rëndësishëm bazë në bashkëpunimin rajonal, duke e lehtësuar atë dhe bërë shumë më tepër efikas. Një projekt infrastrukturor tek i cili Kryeministri Rama u ndal është edhe autostrada Adriatiko-Joniane, për të cilën Kryeministri u shpreh se është shumë e rëndësishme pasi lidh Ballkanin Perëndimor me pjesën tjetër të Europës. Lidhur me mënyrën e financimit të saj, Kryeministri u shpreh se është thelbësore të gjendet një mënyrë sa më efikase e financimit, e cila do të mund të përshpejtojë ndërtimin e saj. Duke theksuar angazhimin e qeverisë shqiptare, për të forcuar më tej bashkëpunimin rajonal në këtë sektor, Kryeministri tha se Shqipëria ka filluar të ndërtojë pjesë të kësaj autostrade dhe e njëjta gjë po ndodh edhe në Serbi dhe në vende të tjera.
Krijimi i një tregu rajonal u vlerësua nga Kryeministri Rama si një aspekt thelbësor që do të çonte në një nivel krejt tjetër bashkëpunimin rajonal dhe tregtinë. Të dhënat e Bankës Botërore, u shpreh Kryeministri, tregojnë se potenciali është shumë i lartë, por po ashtu edhe kufizimet. Janë 3600 vjet orë pritjeje në kufijtë e rajonit tonë, sipas BB, si rezultat i tarifave jo doganore dhe burokraci të tjera doganore.
Kryeministri inkurajoi investitorët të vizitojnë Ballkanin, duke siguruar se klima që vendet ofrojnë është mikpritëse dhe dashamirëse.