Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Vlorë për Programin e ri Kombëtar Punësimi 2021:
Faleminderit për praninë! Faleminderit edhe profesor Anastasit [A. Angjeli] për kontributin, bashkë me skuadrën e deputetëve dhe të ekspertëve që janë angazhuar në funksion të Programit të ri Kombëtar “Punësimi 2021”, një program që qeveria qysh prej ditës së parë po e përgatit për ta lancuar së shpejti. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha Ministritë me grupe të posaçme. Në këtë proces është përfshirë edhe kjo skuadër që drejtohet nga profesor Anastasi. Në këtë proces, ne kemi përfshirë edhe pjesën e diskutimeve të drejtpërdrejta me sipërmarrjen në çdo territor, që koordinohet nga ky grup, nga kjo skuadër deputetësh.
Çfarë duam të bëjmë?
Duam që së shpejti të lancojmë këtë Program Kombëtar, që nuk është një strategji në kuptimin e një dokumenti thjesht të shkruar, nuk është një plan i mbështetur mbi dëshira, por është një program i detajuar sektor për sektor që adreson punësimin dhe ka objektiva, shifra dhe instrumente për realizmin e objektivave, duke përmbushur shifrat.
Nuk diskutohet që, nëse do të kthejmë kokën pas, sot kemi shumë arsye për t’u ndjerë të inkurajuar në raport me këtë problem madhor që është papunësia dhe nevoja për të punësuar sa më shumë njerëz dhe për t’i nxjerrë nga kthetrat e papunësisë, sepse, nëse në 3-mujorin e parë të vitit 2014, shkalla e punësimit ishte 41.5%, në 3-mujorin e fundit të vitit 2017, shkalla e punësimit është 57.7% dhe jemi pak mbi mesataren e rajonit nga kjo pikëpamje. Por, pavarësisht se papunësia në 2014-ën ishte 18.2% dhe sot është 13.2%, kjo nuk do të thotë shumëçka në raport me nevojën e jashtëzakonshme për punësim, që do të thotë se me kokën mbrapa mund të ndihemi relativisht të qetë, por me sytë përpara jemi absolutisht të shqetësuar për të adresuar këto problematika shumë komplekse që kanë të bëjnë me punësimin.
Përpara se të vijmë këtu, me kryetarin e bashkisë po shikonim të dhënat lidhur me ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe me mundësitë që ne u ofrojmë për të hyrë në punë, pavarësisht se një pjesë e madhe e tyre janë aktualisht të papunësueshëm, si rezultat i mungesës së aftësive profesionale, gjë për të cilën ne kemi angazhuar edhe programin e pagesës së drejtpërdrejtë, që është më shumë se vetë ndihma ekonomike, që ata të trajnohen nëse duan punë.
Ka një shifër shumë konkrete nga marsi. Kemi 28 persona, të cilët kanë dalë nga ndihma ekonomike, 4 prej të cilëve u zbulua se nuk jetojnë fare në Shqipëri, 24 të tjerë janë të hënën në punë, nëse duan punë. Janë 6 kompani me të cilat ka ndërmjetësuar kryetari i bashkisë dhe zyra e punës në bashkëpunim, që i janë përgjigjur pozitivisht nevojës që të 24-t ata të shkojnë të punojnë në rajonin 1, 2, 3, 4 dhe 5 të Vlorës.
Pyetja është, a do pranojnë të gjithë të punojnë. Jo më larg se dje pasdite, ne kemi pasur një takim me socialistët e Vlorës, ku çohet një kryetar organizate dhe kërkon punë në shtet për anëtarët e organizatës. E pyeta, sa anëtarë organizate ke? Më dha një shifër vlonjatçe, 60, – nga organizatat më të fuqishme të Bashkimit Sovjetik nga pikëpamja e numrit – dhe unë i them se të 60 anëtarët e organizatës, nëse janë të papunë, unë do rri këtu, bashkë me kryetarin e bashkisë dhe me drejtorin e zyrës së punës, pa t’i futur në punë, por ama në privat. Ah, në privat jo, – tha. Domethënë, për shumë njerëz tanët, partia nuk mund t’i lërë në dorë të privatit, duhet t’i fusë në shtet. Epo në shtet nuk ka. Në shtet hyjnë njerëz në punë për të bërë detyrat e shtetit. Shteti nuk është zyrë punësimi, që kush është papunë të marrë një punë në shtet. Ajo që më shqetëson më shumë është fakti që “dua të ma bësh gruan pastruese”. Dakord, që nesër në privat. Ah jo! – të përgjigjen. Atëherë ku ndryshon fshesa e shtetit nga fshesa e privatit? Se fshesën e privatit duhet ta tundësh, fshesën e shtetit mund ta lësh në cep dhe të pish kafe. Kjo është ideja?
Duke qenë se unë iu përgjigjem të gjithë atyre që më çojnë mesazhe, një prind, edhe ky me shumë karrierë “heroike” në Partinë Socialiste, sipas tij, më çon mesazh nga Kukësi, po vdes për bukë, unë dhe familja ime. I them se që nesër në punë, nëse pranon punë dhe unë mund të të ndihmoj vetëm nëse ti punon në privat. Unë pranoj çdo punë, – tha, – po vdes bashkë me familjen. Ia çoj direkt mesazhin zëvendësministres që merret me gjithë këtë fushë dhe që ka dhe taksiratin të ndjekë personalisht të gjitha mesazhet që unë marr për këtë aspekt dhe dje më vjen mesazhi, – s’po e lexoj se është për të qeshur dhe për të qarë, – i drejtorit të zyrës së punës. Katër oferta për punë zotërisë, për vete dhe për djalin. Sa shikon ofertën e parë, që ishte një punë-punë, thotë jo nuk ka nevojë, të paktën më fusni djalin. Sa klasë ka djali? – e pyesin. Tetë. Katër oferta për punë, kamarier, ndihmës banakier, lavazhier dhe në ngarkim-shkarkim. Djalë i ri, fizikisht perfekt. Përgjigja ishte se nuk e kam djalin për t’iu shërbyer të tjerëve, se ka plot 8 klasë.
Këto janë sfida. Jam shumë i inkurajuar dhe shumë i frymëzuar nga vizita që kemi bërë dje, bashkë me Damianin, Dajnën dhe kryetarin e bashkisë, në shkollën profesionale industriale, një shkollë fantastike. E kam parë përpara 3 vjetësh dhe kam ikur me një lëmsh në grykë, se më vinte për të qarë. E pashë dje, një ndryshim fantastik. Ajo që ndodh në atë shkollë është realisht garanci për të ardhmen. Ato vajza dhe ata djem, që në atë shkollë marrin zanate, e kanë të ardhmen të garantuar këtu në Vlorë, apo kudo që do duan të shkojnë. Ajo që ne shohim është se ata që shkojnë në arsimin profesional janë të punësueshëm më shumë, se ata që mbarojnë universitetin dhe më shumë se ata që mbarojnë shkollën e mesme të përgjithshme. Drejtori i shkollës tha dhe ky është lajm i mirë se interesi për të shkuar në atë shkollë është rritur shumë dhe problemi është rritja e kapaciteteve, që do të thotë që shumë shpejt duhet të programojmë një tjetër shkollë profesionale edhe këtu, në mënyrë që t’iu japim sa më shumë mundësi vajzave dhe djemve të marrin zanate. Në Gjermani, Zvicër dhe në të gjitha vendet që janë model i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik i mbajnë në nivelet më të larta të zhvillimit shkollat profesionale, njerëzit që dinë të bëjnë gjëra. Është absolutisht e lidhur drejtpërdrejtë me qëndrueshmërinë e rritjes së mirëqenies, kapaciteti i një komuniteti, kapaciteti i një shoqërie dhe i një kombi për të bërë shumë gjëra, jo për t’u specializuar vetëm në një gjë. Ne këtu kemi vetëm një specializim të trashëguar nga 20 e ca vjet, për të punuar në shtet.
Programi i ri Kombëtar “Punësimi 2021”, këtu në Vlorë ka një prerje që është shumë inkurajuese, sepse këtu do të kemi zhvillime të rëndësishme, me pozitivitet për ekonominë, të menjëhershëm dhe afatgjatë. Ndërtimi i aeroportit që do të fillojë këtë vit , – ministri dhe Ministria tani kanë hyrë në fazën e negocimit të kontratës, – është një investim me një vlerë të konsiderueshme, që do të krijojë menjëherë mundësi për punësim. E po ashtu projektet e tjera, që do të vijnë qoftë si rezultat i investimeve direkte nga shteti, qoftë si rezultat i investimeve private zinxhir, do të sjellin shumë mundësi. Pyetja është, a jemi ne në gjendje t’i përgjigjemi me kapacitete profesionale, apo do marrin saldatorë turq, siç ka marrë edhe ndërtuesi që bën stadiumin e ri kombëtar, sepse nuk ka saldatorë të mjaftueshëm shqiptarë, ose ata që kanë mësuar saldim dikur duan punë në shtet, apo duan ndihmë ekonomike.
Kjo është sfida e madhe e zhvillimit për nesër dhe e nxitjes së punësimit sot. Të gjithë ata që dëgjova, por i dëgjon të tërë sipërmarrësit, të gjithë thanë, ne kemi mundësi të punësojmë më shumë, por na duhen njerëz me aftësi për punën që duam ne të bëjnë. Nuk ka një kompani shqiptare dhe unë vë bast këtu, le të shkojnë ta gjejnë një kompani shqiptare që të mos ketë sot nga 1 deri në 100 vende të lira pune. Nuk ka një. Problemi është që ato vende pune kanë specifika. E tha zoti Breshani, duhen llamarinist dhe nuk duhet thjesht një person që thotë unë dua punë, por çfarë di të bësh. Prandaj ne do t’i japim shumë forcë dhe nxitje financiare programit të trajnimeve. Kemi potencial për 10 000 njerëz që mund të fillojnë trajnimet me pagesë nga shteti. Të jep shteti para, që ti të mësosh dhe këto trajnime do të bëhen qoftë në qendrat profesionale, qoftë në shkollat profesionale, siç e pamë dje në shkollën profesionale, që ishim jashtë orarit të mësimit dhe klasat ishin me njerëz që merrnin trajnime dhe pedagogë universiteti pamë dje që trajnoheshin për webmaster, qoftë dhe në kompani. Do bashkëpunojmë me kompanitë dhe nëse do kenë nevojë për tre profile, tre njerëz që janë të gatshëm për punë dhe janë pa punë, do vijnë të trajnohen tek ty për 2-3 muaj, derisa t’i kesh gati t’i marrësh në punë dhe për trajnimin e tyre do e paguajë shteti. Besojmë se kjo do sjellë një nxitje.
Nga ana tjetër, edhe rezultati i punësimeve të marsit, qoftë ata të dalë nga ndihma ekonomike, qoftë nga të tjerë është shumë inkurajues. 1369 njerëz. Kur flasim për njerëz që nuk duan punë dhe duan thjesht ndihmën ekonomike, apo duan të rrinë në kafe e ta presin punën të vijë tek kafja dhe të pijë edhe puna një kafe, pastaj të nisen për peshkim, këto janë pjesë të problemit, por nuk janë të gjithë kështu. Ka njerëz që janë të gatshëm të punojnë dhe për ata, mundësia është kudo.
Janë 4000 vende pune në Vlorë. Natyrisht ka vende pune të të gjitha llojeve, pjesa më e madhe janë vende pune bazike, me rroga të ulëta, por unë e di që edhe aritmetika është bërë opinion në Shqipëri, se 7×7 bëjnë 42 për disa, ama sipas aritmetikës që kemi mësuar, 30 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike dhe 260 mijë apo 280 mijë lekë të vjetra rrogë, me sigurime shoqërore dhe shëndetësore bashkë, më duket se janë më shumë këto të dytat sesa 30 mijë lekë të vjetra. E thonë nga Facebook, pse të punoj për 250 mijë lekë, se këto nuk dalin për drita e për ujë e për taksa dhe për taksat ankohen më shumë ata që nuk paguajnë asnjë taksë. Na mbyte me taksa, thonë. Me cilat taksa? Ata që kanë rroga të ulëta nuk paguajnë asnjë taksë. Bizneset e vogla e kanë taksën zero. Në qoftë se quajmë taksë pagesën e dritave, quajmë taksë pagesën e ujit, quajmë taksë pagesën e shërbimeve, këtu pastaj jemi tek 7×7 bëjnë 42, se këto nuk janë taksa. Këto janë pagesa për shërbime. Nëse kjo qeveri ka rritur taksa, ka rritur taksa vetëm për më të pasurit, ka rritur taksa vetëm për sipërmarrësit më të mëdhenj. Ata e kishin 10% dhe u është bërë 15%. Kryeministri e kishte 10% taksën e fitimit nga rroga dhe sot e ka 23%. Taksat janë rritur për ata që fitojnë më shumë dhe këtë ne e kemi thënë. Të dalin e të më thonë, si janë rritur taksat për ata që fitojnë më pak? Nuk ka rritje taksash për ata që fitojnë më pak, ka ulje taksash për ata që fitojnë më pak, sepse paguanin 10% të gjithë, edhe mësuesit, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit në administratë, edhe kamerierët. Atëherë si u rriska taksa, kur askush nga këta nuk paguan më sot 10%, por paguajnë më pak. Kalimi nga taksimi i sheshtë tek taksimi i ndershëm ka bërë që taksat të ulen për 97% të atyre që marrin rrogë në shtet apo në privat. Pyetini kamerierët këtu, paguajnë taksa më shumë sot, apo deri dje? Ata që kanë më shumë se 4 vjet punë. Patjetër që paguajnë taksa më pak sot, sepse fillimisht, kush merr deri në 300 mijë lekë nuk paguan fare, asnjë taksë. Pastaj, progresivisht ajo rritet, por rritja është më e ulët sesa 10% që paguanin deri dje.
Po ashtu dua ta theksoj se jemi këtu dhe diskutuam për aeroportin. Shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit. Ministria ka filluar negociatat për aeroportin e Kukësit dhe do të ketë edhe Kukësi aeroportin e vet. Nuk do të jetë i njëjtë si profil me atë të Vlorës, do të jetë një aeroport shumë më i vogël, por do të jetë një aeroport që do t’i shërbejë sipas programit të studiuar të aeroportit dhe sipas studimit, një hapësire shumë të rëndësishme shqiptare dhe do të jetë i garantuar me një fluks të lartë, pasi do të mbulojë të gjitha fluturimet me Anglinë, me Zvicrën, me Gjermaninë, me zonat ku ka shumë shqiptare, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës që do ta kenë shumë më të lehtë të përdorin aeroportin e Kukësit për të shkuar në Kosovë, si rezultat i çmimeve të ulëta, sepse do të jetë aeroport specifik çmimesh të ulëta, pra, historia e biletave do të fillojë të ndryshojë.
Duke kaluar nga aeroportet tek infrastruktura, kemi 4 kantiere shumë të mëdha për Shqipërinë që do të hapen; Kantieri i rrugës së Arbrit; Kantieri i aksit Milot-Balldren me tunelin që do të bëjë të mundur që vajtja nga Lezha në Shkodër të mos jetë me xhep fals aty mbrapa shkëmbit, por të jetë në autostradë; Kantieri Thumanë-Kashar që do të bëjë që nga Shkodra të vish në Kashar në autostradë normale dhe jo në shtigje që nuk merret vesh nga të hyn e nga të del dhia; Kantieri i Ujit të Ftohtë deri në tunelin e Llogarasë, që është pjesë e projektit, pavarësisht se nuk është pjesë e këtij projekti specifik, pasi do të ndërtojmë gjithë rrugën nga Uji i Ftohtë deri në pikën e hyrjes së tunelit të ardhshëm të Llogarasë. Këto janë kantiere me programin e Partneritetit Publik Privat.
Kemi edhe kantierin e rrugës që do të lidhë gjithë zonën e Sarandës me Gjirokastrën përmes aksit Delvinë – Kardhiq, që do të shkurtojë në mënyrë drastike kohën dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe do të rrisë sigurinë e lëvizjes dhe do të jetë një kantier që hapet me buxhetin e shtetit. Kemi kantierin tjetër të hyrjes në Tiranë, tek “Shqiponja” ku bëhet gjithë ai grumbullim i madh rreth shqiponjës, sikur të gjithë mblidhen për shqiponjën, ndërkohë që të gjithë duan të shkojnë të mbarojnë punët e tyre, sepse nuk hyjnë dot në Tiranë. Ju kujtohet shembja e Zogut të Zi. Kanë filluar pasojat e atyre historive të pakuptimta që u bënë atëherë e që u kthyen në pengesë për projeksionin e të ardhmes, sepse sot, nëse do të kishim nënkalimin e Zogut të Zi të ndërtuar, do të ishim pikërisht në ato kushte ku unë thosha atëherë, që do vijë dita që do kemi një fluks, i cili nuk do përballohet dot dhe ja ku jemi. Sidoqoftë kantieri hapet së shpejti.
Kemi, shpresoj, edhe mundësin për të filluar me projektin Kashar – Rrogozhine – Vlorë, në mënyrë që lidhja të bëhet direkt dhe aty do të synojmë një tjetër skemë. Pra, kemi skemat e Partneritetit Publik Privat, këtu kemi skemat e buxhetit dhe aty do të kemi skemën e pagesës. Pra, një rrugë me pagesë që mund të vish nga Tirana në Vlorë për gjysmën e kohës që vjen sot. Kush do të paguajë, paguan. Kush nuk do, kalon dhe vazhdon jetën, siç bëjmë deri më sot.
Këto janë kantieret. Në këto kantiere ka shumë profesione që duhen dhe i kthehem përsëri që sfida është që të jemi gati për të gjithë ato vende pune që hapen dhe për të gjithë atë stimul të madh ekonomik që krijon vetëm programi i infrastrukturës. Vetëm ky si program do të na çojë në një rritje ekonomike të re. Synimi ynë për të shkuar përtej 5% në vitin 2020, çka është dhe një zotim, bazohet në radhë të parë tek ky program, pa llogaritur investimet e tjera, sepse kemi më në fund hapjen e investimeve për by-pass-in e Vlorës dhe të Fierit, që u zgjidh njëherë e mirë si proces ligjor, pas një trashëgimie mizerabël të një kontrate mizerabël dhe sot, pa pikë turpi, ata që janë përgjegjës për kontratat thonë pse nuk u jepni lekët atyre që dalin protestojnë. Gropa që i është bërë aty ekonomisë sonë është një gropë e konsiderueshme, sepse jo vetëm nga pikëpamja e shpenzimeve dhe nga pikëpamja e cilësisë së punës së bërë deri më tani, por imagjinoni sa kohë zhvillimi i është humbur Vlorës, Fierit dhe gjithë kësaj zone përrallore, vetëm nga ato dy ngërçe atje që vonojnë, bllokojnë dhe tmerrojnë njerëz, sidomos në sezonin e verës. Ky do të jetë sezoni i fundit i këtij tmerri, sepse vitin e ardhshëm, by-pass-i i Fierit do të jetë i përfunduar, ndërsa by-pass-i i Vlorës do të jetë në proces, pasi do të nisin të dy në fund të kësaj vere, me kontrata të rregullta dhe me financim të rregullt, 100 e kusur milionë euro investim.
Mund të thosha dhe plot e plot gjëra të tjera, por ajo që mbetet nga ky takim, është se ne jemi shumë të përqendruar që shumë shpejt të lancojmë Programin e ri Kombëtar të Punësimi 2021, me të gjithë objektivat konkretë dhe me të gjithë rrugët e mundësive konkrete për njerëzit. Ne u kemi borxh t’u gjejmë një punë atyre që duan të punojnë, pa vënë kushtin dua punë shteti. Atyre që vënë kushtin dua punë shteti, nuk ua bëjmë dot qejfin e nuk ua plotësojmë dot kushtin. Ky është një mesazh i qartë që fillon që nga vetëdija e atyre që janë pjesë e fitores sonë, të cilët duhet ta kuptojnë, – në rolin e njerëzve me pozita drejtuese në Partinë Socialiste dhe në organizata socialiste, – që nuk mundet dot të kërkojnë që fitorja të shpërblehet me një punë shtetit për çdonjërin, sepse do të ishte fundi i shtetit dhe njëkohësisht dhe për gjithë të tjerët. Ne si shtet do të bëjmë gjithçka që në momentin kur kompania thotë unë kam nevojë për 7 veta, sepse më duhen 7 forca të reja pune në kompaninë time dhe më duhen me këto specifika, ne t’i japim paratë në dorë atyre që duan të punojnë, të shkojnë të trajnohen 2-3 muaj e pastaj të integrohen në kompani. Ndërkohë që vazhdojmë fuqizimin e arsimit profesional dhe rrisim mundësitë për vajzat dhe djemtë që të shkollohen në shkollat profesionale të këtij vendi.
Faleminderit!