Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama me qytetarë të Burrelit për bashkëqeverisjen:

 

Arsyeja pse ne erdhëm këtu, duke qenë e gjithë qeveria qysh prej ditës së djeshme në këtë Qark dhe pse ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që të vazhdojmë të rrisim ndjeshmërinë e qytetarëve dhe t’i nxisim ata të bëhen pjesë e koalicionit të madh qeverisës të forcës tonë me njerëzit e zakonshëm, pa dallim bindjesh politike, është sepse kjo platformë është një instrument që secili duke u regjistruar mund ta përdorë lehtësisht, pa humbur kohë për të kontaktuar drejtpërdrejtë me nivelin më të lartë të qeverisjes, me qeverinë.

Një nga hallet më të mëdha në këtë vend është se, po qe se nuk ndesh në nëpunësin e duhur në zyrën ku troket, je në det të hapur dhe nuk dihet a del matanë, apo mbytesh, për shkak se ne kemi një fenomen të trashëguar të një administrate ku ka shumë njerëz të mirë, ka shumë njerëz që shkojnë në punë për të shërbyer dhe jetojnë me rrogën e tyre, por ka edhe jo pak parazitë, grabitqarë, njerëz që i shikojnë qytetarët nga xhepi. Edhe në rast se nuk i shikojnë nga xhepi, as nuk shqetësohen fare se kush është përballë, mund të jetë një prind, një nënë që ka një nevojë urgjente, mund të jetë një i sëmurë që ka një nevojë urgjente, por i përcjellin dhe i sorollatin njerëzit pafund.

Tradita thotë, të gjesh një mik, të gjesh një kushëri që ka mundësi t’i thotë dikujt që ka më shumë influencë, të shkosh e të kërkosh të takohesh me “x”-in apo “y”-in , të marrësh rrugën të vish në Tiranë për të kapur deputetin, d.m.th, gjëra që kushtojnë kohë, kushtojnë edhe nga pikëpamja financiare dhe mbi të gjitha kushtojnë shumë nga pikëpamja psikologjike, që rrisin stresin, rrisin mërzinë.

Kjo është një platformë që ne do ta shtrijmë në të gjitha njësitë administrative, sepse jo të gjithë kanë kompjuter në shtëpi e kanë akses në internet dhe hap pas hapi do të bëjmë që në çdo njësi administrative, cilido mund ta aksesojë direkt platformën. Nga ana tjetër janë të panumërt ata që kanë në telefonin e tyre celular Facebook-un. Facebook është një hapësirë për të folur dhe për të dëgjuar, por nuk është një hapësirë për të zgjidhur probleme. Ky është një aplikacion për të zgjidhur probleme. Ky është një aplikacion që duke e futur në telefon, fut në xhep qeverinë. Qeveria bëhet miku yt më i afërt dhe nuk ka nevojë të gjesh miq për të futur tek drejtori, apo shefi i madh, por drejtpërdrejtë çdo ankesë, sipas sektorit, shkon në zyrën e ministrit.

Koordinatorët që punojnë në Kryeministri punojnë drejtpërdrejtë me zyrën time. Ndërkohë që koordinatorët që punojnë nëpër ministri punojnë drejtpërdrejtë me zyrën e ministrit dhe ministri apo ministrja janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për çdo ankesë dhe për çdo kërkese të qytetarëve.

Është shumë më e gjatë rruga, është shumë më me kosto dhe ka shumë më tepër mundësi dështimi që të kërkosh t’i vish rrotull. Kjo është një rrugë shumë e shkurtër. Mjafton të hysh në platformë, të regjistrohesh, të bësh me dije problemin dhe menjëherë një skuadër që është e përbërë nga vajza dhe djem, të cilët vijnë të gjithë, jo nga rruga e të qenit të papunë, por nga punë të tjera që kanë pasur më parë në sektorin publik, në sektorin privat, apo nga jashtë shtetit, nga ku kanë ardhur për të kontribuar, vihet në lëvizje për t’i dhënë përgjigje brenda 10 ditëve kërkesave apo ankesave. Kur përgjigja kërkon kohë pak më të gjatë për shkak komplikimesh, sidoqoftë, brenda 10 ditësh t’i merr përgjigje që kërkesa jote po shqyrtohet.

Nuk kushton asgjë, zero nga pikëpamja financiare, nuk kushton asgjë nga pikëpamja e kohës, vetëm pak minuta për t’u regjistruar, apo për të shkarkuar aplikacionin dhe je drejtpërdrejtë i lidhur me qeverinë. Kjo është një mënyrë edhe për të realizuar me më shumë shpejtësi dhe me më shumë cilësi edhe pastrimin e zyrave të shtetit nga ata të cilët iu janë bërë morr njerëzve, për të bërë atë çuarjen e tepsisë për skrap, e cila padyshim kërkon kohën e vet. Të ndërtosh një administratë nuk është njësoj si të ndërtosh një shtëpi pa leje, ose me leje, kërkon shumë më tepër kohë, shumë më tepër mund, shumë më tepër kushte që kanë të bëjë me elementë që jo të gjithë janë në dorë të njërit apo tjetrit. Por ajo që është e rëndësishme është që ne jemi shumë të vendosur që ta bëjmë dhe jemi shumë të vendosur që shërbimet ndaj njerëzve t’i ngremë në një nivel tjetër.

Nëse bëhemi bashkë, nëse njerëzit i bien drejt dhe nuk pajtohen me ryshfetin, nuk pajtohen me vonesën, por menjëherë bëjnë me dije qeverinë që po kërkon një dokument, një hipotekë, një autorizim, apo një zgjidhje për një problem siç ishte problemi me një kabull në një lagje, ku njerëzit u bënë bashkë, e çuan ankesën dhe brenda 48 orëve iu zgjidh. Ata nuk e kishin gjetur rrugën, sepse rrugës kishin gjetur xhagajdurët që as nuk i kishin përfillur fare. Jam i bindur që edhe këtu në sallë ka plot njerëz që kanë një problem për të zgjidhur. E kjo është zgjidhja më e shpejtë, më efikase dhe një zgjidhje që nuk ndalon vetëm tek zgjidhja e problemit tënd, por ndihmon që të tjerëve mos u krijohen probleme nga zyrtari “x”, apo nëpunësi “y” që mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë, nëse është shkak për vonesën tënde. Kabulli u vu atje, por ata të cilët kishin detyrën ta zgjidhnin këtë punë ikën nga puna. Kjo është mënyra, sesi ne duam që të funksionojë platforma.

Ne duam që edhe ai fshatari atje në kufi me Dibrën e Madhe, të ketë të njëjtën fuqi shumë thjeshtë, sepse me këtë platformë ai nuk e merr në telefon ministrin, por çon atje ankesën e tij dhe ministri përkatës e merr ankesën në tavolinë. Çdo fund jave, çdo ministër raporton për çfarë u trajtua, çfarë u zgjidh, çfarë nuk u zgjidh e pse nuk u zgjidh dhe nëse ka nevojë për ndërhyrjen e të gjithë qeverisë për zgjidhje, i jepet zgjidhja. Kjo është në njëfarë mënyre që çdo qytetar të marrë pushtetin që ka, për ta influencuar qeverinë në funksion të zbatimit të ligjit për problemet që nuk ia zgjidhin ata të cilat kanë detyrë t’ia zgjidhin.

Kjo është një platformë që i bën të gjithë ata që kanë një biznes të madh, të vogël, një fabrikë apo një dyqan, që të kenë mundësinë për çdo lloj padrejtësie që mund t’ju bëhet, apo mund t’ju duket si e tillë nga dikush që i troket në derë në emër të tatimeve, në emër të sigurimeve, në emër të mjedisit dhe nuk e di se sa të tjera ka nga këto që ne po i shkurtojmë ndërkohë, menjëherë të bëjë me dije ministrin e Financave dhe është ministri i Financave që duhet të merret me drejtorin e Tatimeve dhe të kërkojë llogari për rastin konkret të një dyqani edhe në një fshat. Mjafton një zinxhir rastesh të tilla dhe ata vetë e kuptojnë që nuk është kaq kollaj t’i shkosh njeriut të zakonshëm tek dera e dyqanit me të cilën mban familjen, t’i bësh presion, sepse ai mund të të çojë ty drejtpërdrejtë tek ministri. Në këtë aspekt, është themelore të krijojmë besim. Ju duhet të na vini në provë, duhet që njerëzit të na vënë në provë dhe pastaj provat e faktet e tregojnë nëse duke e bërë këtë fiton, apo hodhe edhe një gur tjetër në lumë dhe nuk u mor vesh ku përfundoi. Ky është një bast ku vetëm mund të fitosh, nuk ke çfarë të humbasësh në fund të ditës. Jemi ne që duhet të garantojmë se ti fiton, sepse në qoftë se humbet ti, nesër humbasin ne.

Nëse hyni në atë platformë, do shikoni që aty ka vend edhe për nxënësit, edhe për prindërit, edhe për mësuesit. Është një dritare që i kushtohet shkollës. Të gjithë nxënësit mund ta bëjnë këtë gjë. Të gjithë mësuesit mund ta bëjnë këtë gjë, për t’u ankuar për çfarëdo që ndodh në shkollë. Edhe rruga për të shkuar te “Fiks”-i, te “Stop”-i e te “Bum”-i është një rrugë normale për të denoncuar një fenomen që ndodh në klasë, por kjo është një rrugë shumë e shkurtër dhe shumë konkrete, jo thjesht për ta denoncuar, por për të bërë që të merren masa menjëherë për shkaktarët e atij fenomeni negativ. Nëse një mësuese s’di të sillet, sa të presësh për t’i gjetur momentin kur kthen kurrizin që ta filmosh e pastaj ta marrësh filmin ta çosh atje, të presësh që filmi të shfaqet dhe kur të shfaqet, të presësh që të tjerët të reagojnë, mjafton të shkruash në platformë shqetësimin dhe menjëherë ministrja e Arsimit do të vihet në lëvizje dhe brenda 10 ditësh, çështja do marrë një përgjigje. E njëjta gjë prindërve në raport me shkollën, e mësuesve në raport me drejtorin, apo drejtoreshën e kolektivit të shkollës në raport me Drejtorinë Arsimore.

Janë plot raste deri tani, ku njerëzit madje kanë shkuar me idenë që unë e di që s’do më dëgjojë njeri, por po e provoj se s’kam më shpresë dhe kanë marrë zgjidhje. Sa më shumë njerëzit të bëhen pjesë e kësaj platforme, aq më shumë impakti i saj do të jetë i fortë mbi zyrat, mbi nëpunësit. Duhet të bashkëpunojmë për ta bërë realitet çuarjen e tepsisë për skrap. Tepsia është shumë e fortë. Nepsi është shumë i madh dhe lufta ndaj tepsisë është luftë për Shqipërinë që Duam, në kuptimin më të thjeshtë dhe më të vërtetë të fjalës, është luftë për të pasur një administratë që iu shërben njerëzve, jo një fole që iu shërben partive, një administratë që zgjidh problemin e  njerëzve, jo një fole që jo vetëm shërben për të paguar me rrogat që vijnë nga taksat tuaja, njerëz që nuk e meritojnë, por edhe dëmton brezin që vjen, duke krijuar idenë që puna e vetme është puna të kapësh ndonjë vend në ndonjë zyrë dhe kur të rrotullohet tepsia, të kapësh edhe ti ndonjë gjë dhe punë e madhe, a po e bën punën apo jo punën.

Ky është një problem që ka krijuar shumë dëme psikologjike, morale tek brezi më i ri, tek vajza dhe djem që mbarojnë shkollën, pasi prindërit investohen që ata të kenë një formim dhe pastaj rrinë në kafe dhe presin punën t’ua sjellë shteti në kafe. Sigurisht që Shqipëria ka probleme me punësimin, por Shqipëria ka fakte konkrete që kush realisht e do një punë dhe nuk i bën naze punës, e gjen një punë. Natyrisht që më mirë një punë, sesa pa punë, edhe pse puna që gjen mund të mos jetë ajo që ti do, apo ajo që ti meriton.

 

Gjithë kjo pasuri, miniera, kromi, qyteti i Burrelit është më i varfri nga gjitha zonat e veriut. Kam në 2014-ën disa fatura dritash pa paguar, më thua të fus në burg. Unë kam dëshirë t’i paguaj ato fatura, por nuk jam në gjende t’i paguaj kurrë.

Kryeministri Rama: Ti ngrite disa probleme që faktikisht janë të gjithë problemet e Shqipërisë. Në burg, njeri nuk futet pse nuk pagua drita. Këtë lloj teorie e ka nxjerrë kazani. Nuk është futur kurrë njeri në burg, pse nuk paguan drita. Në burg kanë shkuar ata që i vjedhin dritat, janë dy gjëra të ndryshme, d.m.th. që e lidhin telin me shtyllën dhe e marrin korrentin në qejf te vet, gjë që ti, shpresoj, nuk e bën asnjëherë. Rri e qetë nga kjo anë, se liria nuk të kërcënohet.

Përsa i përket asaj që the, kemi kromin, pyjet, e njëjta gjë që vlen për Shqipërinë. Ne jemi vendi i dytë i pasur me ujin në Europë, pas Norvegjisë dhe jemi i vetmi vend në Europë që problemin kryesor ka ujin. Në vend ta kishim burimin kryesor të pasurisë, e kemi problemin kryesor. Kur duam të pimë, hapim rubinetin, kollitet çezma, nuk nxjerr ujin. Ne duam të vadisim dhe s’kemi ujë. Kur na vjen, na vjen me shumicë, na përmbyt. Kjo ka të bëjë me çfarë i kemi bërë ne vetes çerekshekulli. Izraeli s’ka një pikë uji, zero, por kanë ujësjellësit më të mirë në botë. Ata kanë ujë 24 orë, por edhe një nga bujqësitë më të zhvilluara në botë. E s’kanë ujë fare, e marrin nga deti, ia heqin kripën, e bëjnë të pijshëm, e bëjnë ujë vaditës dhe e shesin. Ne sot diskutojmë akoma, a duhet paguar uji, apo nuk duhet paguar uji! Të gjithë pensionistët paguajnë edhe dritat, edhe ujin. Të gjithë ata që vjedhin dritat dhe ujin, thonë populli s’ka bukë, vetë xhepat plot.

Edhe për pjesën e kromit është e njëjta gjë, nuk është çështja se ne e kemi rritur prodhimin e kromit, problemi ynë ka qenë që ne nga kromi kemi marrë 20 e kusur vite minimumin e minimumit të minimumit, sepse ne kromin e kemi marrë nga mali dhe e kemi shitur material të papërpunuar për një copë bukë. Ndërkohë që tani që kemi filluar përpunimin këtu, sigurisht që shumë më tepër do rriten edhe të ardhurat. Po rritja nuk vjen sa hap e mbyll sytë. Kjo do kohën e vet. Duke ndërtuar edhe Rrugën e Arbrit, do ta lidhim shumë më shpejt. Ju doni 90 kilometra të shkoni në Tiranë, po nuk janë 90 kilometra në Gjermani, janë 90 kilometra në Shqipëri, janë si ato me lekët e reja, 900. Nga Rruga e Arbrit, duke bërë dhe lidhjen te Ura e Vashës dhe përmirësimin e këtij segmenti me Klosin, do të bëhet 50 kilometra. E gjithë zona e Dibrës dhe e Matit do të bëhet pjesë e Tiranës. Po të ishte bërë kjo 25 vjet përpara, sot do flisnim ndryshe, po nuk u bë. E njëjta gjë vlen edhe për pyjet. Ne kemi një pasuri të madhe, por deri më sot, jo vetëm që nuk i kemi marrë ndonjë të mirë si shoqëri, po përkundrazi, kemi shkatërruar. Patjetër që llogaria i kërkohet qeverisë, por kjo është një llogari shumë e vjetër, të cilën ne do mundohemi ta shlyejmë sa më shpejt, por nuk mund ta shlyejmë sa hap e mbyll sytë.

 

Zyra arsimore Mat më ka emëruar si edukatore në kopshtin Dom. Aty jemi dy veta. Unë nga Zyra Arsimore dhe ajo e emëruar nga Bashkia Klos, pa arsimin e duhur. U bë një muaj që jam aty dhe nuk jam paguar.

Kryeministri Rama: Për këtë problem nuk ke nevojë të shkruash tek platforma, se këtë problem e kemi shumë të qartë. Të gjitha bashkitë pa përjashtim, majtas, djathtas, në këtë pikë janë mbrapsht, që të gjitha. Rregulli është që duhet të marrin edukatore nga portali, siç je dhe ti që ke fituar. Kryetarët e Bashkive nuk e zbatojnë këtë rregull. Ky është fakt, prandaj me ministren e Arsimit po bëjmë ndryshimin e ligjit dhe portali do bëhet me ligj. Do jetë e pamundur për kryetarët e bashkive që t’i shmangin. Është skandaloze që edukatoret me shkollë, edukatoret që marrin pikët e duhura në testim nuk futen dot në punë dhe mbahen si edukatore hallat, tezet, kunatat, motrat e kunatave e kështu me radhë. Nuk kemi mundur dot ta disiplinojmë jo me kryetarët e bashkive të djathta, po as me të majtët. Në këtë pikë janë të dy palët mbrapsht. Fatkeqësisht ti e vuan personalisht. Shumë të tjera në të gjithë Shqipërinë e vuajnë këtë gjë, sepse nuk iu jepet ajo që u takon. Do ta bëjmë me ligj dhe kjo punë do të marrë fund, siç edhe për mësuesit do ta forcojmë portalin dhe nuk do të ketë më asnjë lloj kompetence drejtori apo drejtorja e Drejtorisë Arsimore që të emërojë mësues, që të bëjë kontrata të përkohshme siç i do qejfi. Shpresojmë që në fillim të vitit tjetër, kjo gjë do të zgjidhet.

 

Fati jonë i shtresës së tretë, që jemi pa shpresa, varet tek juve. Unë nuk kam dëgjuar një deputet që të diskutojë për pensionet që kemi ne. Vetëm për rrogën e vet dhe për jetesën luksoze. Hidrocentrali që është blerë me 5 astra dhe është bërë me djersën e popullit kanë filluar ta ngrenë digën në kundërshtim, nuk e di ku e kanë marrë firmën, pa lejen e bashkisë, pa marrë kontakt me njerëzit e interesit se përmbytet Lazbrushi, Bushkashi, përmbytet Bazja.

Kryeministri Edi Rama: E para, çështja e pensioneve, të jeni të bindur që, nëse ne do donim të bënim një gjë të vetme, ndër të gjitha të tjerat do ishte pikërisht kjo [rritja e pensioneve]. Por kini parasysh që situata që ne gjetëm dhe kjo është shumë e rëndësishme, ishte e tillë që skema e pensioneve mund të na shembej nga momenti në moment, për shkak se pensionet vijnë nga kontributet në sigurimet shoqërore të të gjithë atyre që punojnë. Në një sistem pa shtet që ishte, që gjithmonë e më pak njerëz kontribuonin, ne ishim të detyruar të bënim një reformë pensionesh që ishte shumë e vështirë. Faktikisht, ne kemi zgjidhur problemin e pensionit për ata që kanë dalë, ose dalin në pension pas reformës. Ata mund të marrin një pension shumë më të lartë, bazuar tek vitet e punës dhe te kontributet e tyre. Pra, nuk është më siç ishte deri në 2014-ën, që çfarëdo pune të kishe bërë, sado kontribute të kishe dhënë, ti nuk kaloje kurrë atë tavanin e tmerrshëm të pensioneve 240 mijë lekë të vjetra. Kurrë. Pastaj u shpik ajo e pensioneve speciale, për të dhënë pensione mbi 240 mijë lekë. Tani tavani është thyer dhe ka plot njerëz, mësues, mjekë, infermierë, të cilët marrin një pension më të lartë. Edhe vetë minatorët sot marrin një pension shumë më të lartë se ai që merrnin. Kur them më të lartë, nuk them pension i lartë, në kuptimin e asaj që do donim ne të ishin. Problemi ynë është me pensionistët përpara reformës. Ne jemi munduar të bëjmë diçka. Edhe në fund të vitit tani, përsëri do bëjmë një program solidariteti, ku do japim një mbështetje në fund të vitit. Akoma po diskutojmë me ministrin shumën që do jetë për çdo pensionist, jo për çdo çift, por për çdo pensionist personalisht. Por kush ju thotë që, më jepni votën se do ua bëj pensionet nga 300 mijë lekë, vetëm ju gënjen. S’ka asnjë shans, asnjë mundësi sot, që kjo të ndodhë. Nga ana tjetër mos harroni që ne kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë më shumë për nipërit dhe mbesat tuaja. Unë nuk e harroj kurrë një pensioniste në një zonë të Gjirokastrës, që u çua dhe më tha, sado që të ma rrisësh mua pensionin, do më shtosh diçka më shumë në pjatë, por unë dua që të rrisni shumë më tepër mbështetjen për nipërit dhe mbesat e mi, që të kenë mundësi të shkojnë në shkollë, të kenë mundësi të kenë libra, të kenë mundësi të kenë mësuesit e duhur. Duke filluar nga viti i ardhshëm, ne do të bëjmë librat falas për të gjithë fëmijët që janë nga klasa e parë në të katërt. Kjo do të lehtësojë familjet, sepse ato para që do i përdorin për libra, do i kenë për veten e tyre.

Përsa i përket çështjes së hidrocentralit, unë do ta shikoj. Do flasim me ministrin. Do shikojmë konkretisht se për çfarë bëhet fjalë që të dimë se çfarë mund të bëjmë ne.

Ajo që unë ju siguroj është që në këto 4 vite, ne kemi mundësi financiare shumë më të mëdha për shkak të reformave. Duke qenë se reformat kanë filluar të na japin rezultate, duke qenë se kemi një rritje ekonomike të qëndrueshme, kemi rritje të ardhurash dhe duke qenë se do fusim dhe një financim ekstra për rrugët, duke filluar nga Rruga e Arbrit që është pjesë e Programit “1 Miliard për Rindërtim, ne jemi të bindur që në 4 vitet e ardhshme shumë nga gjërat që janë pritur për shumë kohë do të bëhen, do të japin rezultat.

 

Ministria ka nxjerrë një urdhër për kasapët që ta therin mishin në Vorë, ose në Lezhë, ose në Tiranë. Më duket krejt e pavend.

Kryeministri Rama: Ne duhet t’i japim fund kësaj historie që kap e ther rrugëve. Këtu nuk është fjala që ju të shkoni të therni në Lezhë, ose në Tiranë. Por kini parasysh një gjë, Holanda ther 100-fishin e mishit që therim ne. Pak a shumë është më e madhe se ne si popullsi. E di sa thertore ka gjithsej? Tre. Sigurisht që ne nuk mund të kemi tre thertore, sepse ne kemi terren më të thyer, ata e kanë fushë dhe e kanë më kollaj transportin. Por edhe kjo histori, hap dyer edhe var kafshë dhe hidh gjakun rrugëve nuk shkon edhe për barbari, por edhe për sigurinë ushqimore. Ajo që ne kemi bërë është, së pari, njëherë të mbyllen të gjitha thertoret që janë jashtë standardeve. Së dyti, thertoret që mund të futen në standarde i janë dhënë udhëzimet. Së treti, ka ardhur koha të ndërtojmë thertore moderne dhe kjo është e mundur. Ne kemi fondin tonë të garancisë shtetërore për të gjitha investimet që bëhen në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Ajo që duhet është që këta njerëz, të cilët janë profesionistë, të bëhen bashkë me bashkinë dhe ne jemi gati të mbështesim financiarisht për të ndërtuar thertoret moderne. Nuk ka nevojë pastaj që të vish nga fshati. Shkojnë vetë i marrin, i sjellin dhe e bëjnë normalisht, siç e bën e nuk po them Holanda, por siç e bën i gjithë Ballkani.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.