Fjala e Kryeministrit Edi Rama me ambasadorët e Shqipërisë në botë:
Përshëndetje të gjithëve!
Më vjen mirë që më jepet mundësia të jem këtu me ju, pas punës së bërë në grup lidhur me çka ne sëbashku diskutuam, apo, më saktë, çfarë u shtrua në fillimet e këtij procesi përpara krijimit të qeverisë së re dhe po ashtu, duke parë edhe raportin e përgatitur nga zyra e ministrit për ecurinë e këtyre ditëve të përgatitjes dhe diskutimit për ridimensionimin e diplomacisë ekonomike. Besoj se janë të gjitha arsyet për të qenë të inkurajuar e për të qenë optimistë në funksion të një përfshirjeje shumë më sistematike të shërbimit tonë të jashtëm për të mbështetur zhvillimin ekonomik, për të mbështetur domosdoshmërinë e rritjes së investimeve të huaja e për të mbështetur sektorë të ndryshëm të ekonomisë, qoftë në nivelin qendror duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me institucionet qendrore, qoftë në nivelin vendor duke bashkëpunuar me bashkitë e vendit.
Ky ridimensionim i diplomacisë ekonomike nuk është një objektiv që mund të përmbushet thjesht e vetëm nga trupa e diplomatëve dhe nga shërbimi i jashtëm, por kërkon kalimin në një nivel krejt tjetër të koordinimit me ministritë që janë të përfshira drejtpërdrejtë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së investimeve të huaja. Kërkon një nivel të atillë koordinimi që Shqipëria apo institucionet e saj nuk e kanë pasur më parë, por që pa të cilin është e pamudnur të planifikohet dhe të implementohet një program suksesi në këtë drejtim.
Edhe diskutimet tuaja të këtyre ditëve lidhur me këtë objektiv ambicioz, por dhe puna e bërë më parë në përgatitjen e këtij plani dhe në funksion të koordinimit të institucioneve, është një bazë e mirë që natyrisht do të kërkojë kohën e vetë për t’u konsoliduar e për t’u kthyer në një platformë automatike funksionimi mes të gjithë institucioneve.
Këtu është shumë e rëndësishme që çdonjëri nga drejtuesit e misioneve tona diplomatike, çdo ambasador në vetë të parë të kuptojë rëndësinë e madhe të rolit të tij për të ndihmuar, duke këmbëngulur në kalimin sa më të shpejtë dhe me sukses të kësaj faze tranzicioni të vetë institucioneve, që duhet t’i vihen në shërbim procesit të ndërveprimit në çdo vend ku çdo trupë dhe çdo ambasadë apo konsullatë do përpiqet të bëjë punën e vet, për t’ia dalë në këtë aspekt.
Së dyti; Ne kemi sot, një bazë të rëndësishme për të mundur që të komunikojmë me fakte në dorë me të gjithë ata që janë të interesuar, apo për të nxitur më tutje interesin e të tjerëve lidhur me potencialet e me oportunitetet që ofron vendi ynë. E kemi vënë re dhe e konstatojmë këtë thuajse në mënyrë të përditshme që ka një rritje të ndjeshme të interesit për të investuar në vendin tonë, posaçërisht në turizëm, pa diskutim edhe në sektorin e energjisë apo të naftës, çka ka ndodhur dhe më parë për hir të vërtetës. Besoj se duhet të fokusohemi fort tek turizmi, tek manifaktura, tek zhvillimi rural e në radhë të parë, këtu kam parasysh zhvillimin e industrive përpunuese ku kemi ende një boshllëk shumë të madh. Duke u nisur nga shifrat shumë inkurajuese të eksporteve të prodhimeve bujqësore e duke e parë interesin real të tregjeve europiane për këto eksporte, besojmë se është plotësisht e arsyeshme që edhe në këtë aspekt të kërkojmë të përfshijmë aktorë që vijnë nga tregje të tjera, për të shfrytëzuar potencialin e vendit tonë.
Së treti; Një theks i munguar në vite e jo thjesht në dimensionin ekonomik, por dhe në vetë dimensionin politik që ne do ta vendosim shumë fort në të gjithë ecurinë e ndërveprimit tonë me shoqërinë shqiptare, është tek diaspora. Jo rastësisht e jo thjesht për të pasur një pozicionim formal në raport me këtë element gjithmonë e më të rëndësishëm të shoqërisë sonë, por pikërisht për të krijuar një qasje të re e për të marrë mbrapsht shumë më tepër, saç është mundur të merret në të kaluarën, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë, ne kemi sot një ministër të Shtetit për Diasporën. Sikundër kemi edhe një plan konkret për të zhvilluar marrëdhëniet me diasporën, duke pasur parasysh dhe kompleksitetin e diasporës shqiptare, që tanimë është një diasporë e përbërë prej disa gjeneratash, nga gjenerata e vjetër apo tradicionale e traditës së diasporës shqiptare deri tek gjenerata më e re, e atyre që kanë lëvizur jashtë Shqipërisë në periudhën pas shembjes së komunizmit.
Në aspektin e interesit të madh kombëtar dhe interesit të madh të shoqërisë sonë sot, diaspora është një burim i jashtëzakonshëm e i pashfrytëzuar, qoftë përsa i përket përfshirjes në jetën ekonomike të vendit, qoftë sa i përket kapaciteteve të jashtëzakonshme që ajo ka, akademike, intelektuale në të gjitha nivelet dhe thuajse në çdo vend ku ajo është e pranishme. Të dyja ne i shikojmë të pandara nga njëra-tjetra, sepse në fund të ditës kemi mësuar që diferencën midis vendeve që zhvillohen, apo janë të zhvilluara dhe vendeve që përpiqen të zhvillohen nuk e bën ajo që vendet kanë në kuptimin e pasurive natyrore, por ajo që vendet dinë në kuptimin e kapaciteteve që kanë në dispozicion për të zhvilluar vetveten e për të arritur objektiva që shpeshherë mund të duken dhe krejt të paarritshëm. Mjafton shembulli i përsëritur i një krahasimi të thjeshtë mes Shqipërisë dhe Izraelit. Shqipëria është vendi i dytë më i pasur me ujë në Europë dhe një nga problemet e veta kryesore prej çerekshekulli ka ujin. Izraeli nuk ka asnjë pikë uji si pasuri të vet natyrore dhe është vendi me sistemin më ekselent të ujësjellësit në botë, çka tregon atë që sapo thashë, që aftësitë janë ato që në fund të fundit përcaktojnë edhe mundësinë reale të rritjes së një vendi dhe të arritjes së objektivave të veta, në funksion të mirëqenies, varësisht, ose pavarësisht pasurive të veta natyrore.
Në funksion të kësaj qasjeje të re që ne duam të ndërtojmë e në funksion të objektiveve që duam të mbërrijmë, për ta vënë shërbimin tonë të jashtëm shumë më tepër në dispozicion të zhvillimit ekonomik të vendit, ne kemi edhe një zëvendësministër të dedikuar për këtë objektiv. Ai ka detyrë të vetme dhe të posaçme, pikërisht ndërveprimin me të gjithë shërbimin e jashtëm, me ambasadorët dhe me kompanitë, për të bërë të mundur që të marrim shumë më tepër dhe të anashkalojmë shumë burokraci e vështirësi në komunikim nga vendet ku ju operoni në Ministrinë e Jashtme, apo në institucionet e tjera. Në mënyrë që në kohën që kemi në dispozicion, të mund të bëjmë shumë më tepër seç është bërë më parë dhe të mund të përfitojmë nga gjithë kjo forcë e shtrirë në territorin e Europës, apo në kontinente të tjera, që është shërbimi i jashtëm, për të sjell shumë më tepër në ekonominë e vendit dhe në rrugën e zhvillimit tonë shoqëror.
Unë besoj se me disa objektiva të qarta, me vullnetin për ta bërë këtë ndryshim sëbashku, rezultatet do të flasin në favor të kësaj përpjekjeje të përbashkët. Jam i bindur që kjo përpjekje e përbashkët do të sjellë edhe ndikimin e vet të padiskutueshëm në përmirësimin e mëtejshëm të imazhit të vendit, nga një këndvështrim tjetër, i atyre që Shqipërinë mund dhe duhet ta shohin si një vend oportunitetesh të rëndësishme dhe jo si një vend rreziqesh imagjinare.
Në kontekstin e ri të rajonit, kjo bëhet edhe më tërheqëse, sepse nuk është më fjala thjesht për një treg të vogël si Shqipëria, por për një treg që përmes Shqipërisë, ashtu sikundër përmes vendeve të tjera të rajonit ndërvepron në një hapësirë relativisht të madhe, sigurisht shumë më të madhe se hapësira e tregut shqiptar dhe krijon perspektiva që nuk ishin këtu, vetëm pak vite më parë, për të gjitha kompanitë që e shikojnë Shqipërinë, apo shikojnë një vend të këtij rajoni si një destinacion të mundshëm për të investuar, apo për të qëndruar për një periudhë afatgjatë në funksion të investimit të tyre.
Edhe një herë ju falënderoj. Besoj se është fillimi i duhur i një pune të vështirë. Nuk desha të prek aspektin e mundësive të një mbështetjeje më të madhe financiare të ambasadorëve të trupave që sjellin rezultate konkrete në këtë drejtim. Faktikisht, kjo është një temë e rëndësishme, por çka besoj i mbetet hapave të mëtejshëm, do të na tregojë sa rezultat do të ketë e kështu, për supersticion nuk desha ta prek këtë aspekt.
Ndërkohë që dua ta mbyll këtë falënderim timin për të gjithë ata ndër ju që gjatë kësaj periudhe janë treguar aktivë dhe vërtetë na kanë ndihmuar për të mundur ta konceptojmë ashtu si duhet këtë punë, që nuk është aspak e lehtë dhe deri më sot ka qenë thjeshtë një fjalë goje, punën e diplomacisë ekonomike. Kam shumë besim që me eksperiencën e shumëkujt në këtë sallë, me eksperiencën e shumëkujt nga ambasadorët që janë në terren, ne do t’ia dalim që të kemi një ndryshim të prekshëm, që do të vijë me hapa të vegjël, por çdo hap i vogël, çdo ditë na garanton që të bëjmë një rrugë të gjatë përpara.
Shumë faleminderit të gjithëve për kontributin, për opinionet dhe angazhimin deri këtu dhe për angazhimin e mëtejshëm në jetësimin e këtij procesi, që është një vlerë e shtuar për diplomacinë tonë, është një vlerë e shtuar për vendin tonë dhe besoj, edhe një vlerë e shtuar për karrierën tuaj profesionale, e cila është e pasur, por që mund të pasurohet shumë më tepër përmes këtij procesi.
Shumë faleminderit!