Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev:

 

Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama:

Mirëmbrëma!

Sapo kemi përfunduar takimin e parë të mbledhjes së përgjithshme dhe mund të them me plot gojën se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë ngrihet në një stad të ri cilësor, i cili do t’iu përgjigjet shumë më mirë pritshmërive të të dy popujve tanë. Kemi dakordësuar në tërësi një plan dypalësh si kontribut në krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale brenda suazës së Procesit të Berlinit. Kemi prioritizuar korridoret rrugore, hekurudhore dhe të energjisë, në funksion të ndërlidhjes më efikase mes të dy shteteve tona.

Dua ta nënvizoj, sepse e di interesimin e posaçëm për këtë çështje, se Rruga e Arbrit, për të cilën nga ana jonë kemi bërë progres të konsiderueshëm, është një segment ku ndajmë të njëjtin mendim me Kryeministrin Zaev, se vjen si domosdoshmëri edhe zgjatimi dhe bashkimi nga ana tjetër e kufirit. Jam shumë i kënaqur që mora nga Kryeministri garancinë se pala maqedonase do të punojë për të përgatitur një studim të thelluar fizibiliteti, duke konsideruar edhe impaktin e rëndësishëm mjedisor që kryerja e këtyre punimeve ka në anën maqedonase, por njësoj e sheh edhe ai rëndësinë e madhe të këtij segmenti për të ardhmen, si një urë shumë e dobishme lidhëse, jo vetëm në sensin fizik, po edhe në sensin shpirtëror mes të dy popujve tanë.

Po ashtu është folur për hekurudhën dhe shtrirjen e saj në lidhjen mes Ohrit dhe Linit, si dhe për ambicien që Porti i Durrësit të jetë gjithnjë e më shumë një port me akses për palën maqedonase në funksion të intensifikimit të tregtisë edhe nga ky port. Ndërtimi i linjës së interkonjuksionit 400 kw Shqipëri-Maqedoni, që është një projekt i fituar në kuadrin e Procesit të Berlinit, përbën një arsye shumë të fortë për të qenë optimistë përsa i përket integrimit të tregut energjetik mes dy vendeve, por edhe në rajon.

Jemi shumë të interesuar që të ecim sëbashku përpara për përmirësimin e standardeve në funksion të fluksit të mallrave, të njerëzve dhe të kapitalit. Në këtë aspekt, duke parë dhe trendin rritës të vëllimit tregtar dhe prurjet turistike të viteve të fundit nga Maqedonia, do të punojmë intensivisht që deri në mbledhjen e dytë mes dy qeverive të kemi modelin e parë One Stop Shop mes dy vendeve, domethënë, pikën e parë të përbashkët doganore dhe të kalimit në Qafë-Thanë. Do punojmë gjithashtu që edhe në pikën tjetër Xhepisht-Trebisht të rikualifikojmë regjimin në 24 orë të pandërprera, si një nevojë që e kemi konstatuar dhe është e dyanshme.

Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar u identifikua në të gjithë periudhën përgatitore të mbledhjes, si një përmasë me një rëndësi të veçantë dhe dëshirojmë që të gjithë këtë hapësirë të përbashkët, ku e dimë mirë, të dy shtetet kanë një pasuri jo vetëm të tyre, po dhe një pasuri që konsiderohet trashëgimi botërore e njerëzimit nga ana e UNESCO-s, ta vëmë në funksion të rritjes së mëtejshme të investimeve dhe të mirëqenies së njerëzve në të dyja anët e kufirit.

Siç e keni ndjekur, në mbledhje u fol edhe për Marrëveshjen e Ohrit. Jemi shumë të inkurajuar nga vizioni, nga kurajo dhe nga vullneti i Kryeministrit Zaev për ta çuar përpara dhe më në fund, për ta mbyllur këtë kapitull me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila është në interes të madh reciprok dhe është një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe për rritjen e mirëqenies, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, pasi i jep përfundimisht fund, një historie ku konfliktet e të shkuarës kërcënojnë të na rikthehen si pengesa në rrugën e të ardhmes.

Dua ta përgëzoj edhe një herë Kryeministrin për kurajon dhe vendosmërinë me të cilën ka çuar përpara axhendën e tij programore elektorale dhe posaçërisht në këtë rast, për inicimin e ligjit të gjuhëve në Parlament dhe për mbajtjen e një zotimi madhor lidhur me gjuhën shqipe. Presim me padurim që ligji të kalojë dhe zbatimi i ligjit të nisë një orë e më parë, sepse është një tjetër forcim i konsiderueshëm i themeleve të Maqedonisë moderne të të ardhmes.

Zoti Kryeministër, jemi shumë të kënaqur për praninë tuaj këtu. Më vjen shumë mirë që nesër, ne do të kemi mundësi të vizitojmë komunitetin maqedonas që jeton në Bashkinë e vogël të Pustecit, e cila, siç e thashë dhe e përsëris, në numër është e vogël, por në rëndësinë që ne i japim është e madhe, pasi aty, ne besojmë fort se na jepet mundësia që të tregojmë me fuqinë e shembullit, respektin tonë për të gjitha etnitë e tjera përbërëse të republikës tonë dhe për t’u dhënë atyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë një kombësi tjetër, mundësinë që të ndihen qytetarë të lirë, të barabartë dhe të sigurt të Republikës së Shqipërisë!

Shumë faleminderit, edhe njëherë!

Fjala është për ju.

 

 

Fjala e Kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev:

Të respektuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë dhe të Republikës së Shqipërisë!

I respektuar Kryeministër Edi Rama, miku im i ndershëm!

Të respektuar pjesëtarë të mediave!

Më lejoni së pari, të shpreh kënaqësinë time që jam i pranishëm në këtë mbledhje të parë të përbashkët, historike, mes qeverive të Republikës së Maqedonisë dhe Republikë së Shqipërisë. Kjo mbledhje hap një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona miqësore.

Kjo është më shumë se mesazh në rajon, që do të thotë se udhëheqësitë përgjegjëse politike të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë e marrin nderin nga qytetarët e tyre, që t’i prijnë shteteve pa paragjykime. Mbajmë vendime inkurajuese dhe të guximshme, që jemi të hapur dhe të pastër para qytetarëve. Punojmë që të përmirësojmë cilësinë e jetës në vendin tonë dhe për një të ardhme të mirë, të sigurt të vendeve tona në familjen euroatlantike.

NATO dhe integrimet europiane nuk janë vetëm përcaktim politik, por edhe nevojë ekonomike për qytetarët e dy vendeve tona, pra, le të punojmë në të dy fushat. Në aspektin e integrimeve euroatlantike i identifikuam aktivitetet në kuadër të Procesit të Berlinit, rreth objektivave të vendosur në Trieste dhe të punojmë në nivelin praktik rreth krijimit të një zone rajonale ekonomike. Me perspektivat që i hapim për avancimin e lidhshmërisë reciproke dhe infrastrukturës për lehtësimin e këmbimit të mallrave dhe shërbimeve, si dhe për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, shkojmë një hap përpara në procesin drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike.

Sot u firmosën disa marrëveshje dhe memorandume dhe u rrumbullakësua një bashkëpunim në fushën e sigurisë, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në fushën e kulturës dhe arsimit dhe në fushën e bashkëpunimit qeveritar si Deklaratë e Përbashkët që kishim kënaqësi ta firmosnim në emrin e dy qeverive.

Biseduam për angazhime të rritura, për zhvillimin e infrastrukturës në kuadër të Korridorit 8-të, për mundësinë e një lidhshmëri më të mirë hekurudhore dhe energjetike. Kënaqësia do të jetë të realizohet projekti energjetik që bën lidhjen nga Manastiri deri në Elbasan, që të do jetë një mundësi e madhe për bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Kemi mundësi që të bisedojmë për projektin e ardhshëm, që do të thotë një lidhje plotësuese të Korridorit 8-të. Kjo është hekurudha nga Kërcova deri në Lin, në kufirin me Shqipërinë, që definitivisht, Republikën e Maqedonisë përmes rrugës hekurudhore e çon në Portin e Durrësit, që është me rëndësi të madhe për komunitetin e biznesit dhe tregtinë e ardhshme, që paraqet një pjesë të dëshirës sonë për rritjen e zhvillimit ekonomik, me çka do të kemi mundësi në Durrës të kemi vendin tonë që definitivisht do të thotë edhe lidhje të Detit Adriatik me Detin e Zi përmes Korridorit 8-të që po e ndërtojmë.

Sot konfirmuam edhe para qeverisë së Shqipërisë, bashkërisht si qeveri e Maqedonisë, që ekziston një interes i madh të vazhdojë aksi që ndërtohet në anën shqiptare në dalje drejt Dibrës, që të vazhdojmë edhe në ndërtimin e këtij aski të rëndësishëm që do t’i avancojë dhe lehtësojë mundësitë për komunikim dhe bashkëpunim midis qytetarëve të dy vendeve, gjithsesi, nga ana jonë, duke pasur parasysh studimin ekologjik për mbrojtjen e Parkut Kombëtar Mavrovë.

Republika e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë e zbatojnë vizonin për ardhmërinë e përbashkët si rajon, për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO. Me të drejtë presim që vitin e ardhshëm, 2018-të, do fillojmë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, edhe ne në  Republikën e Maqedonisë dhe miqtë tanë në Republikën e Shqipërisë.

Disa hapa të ardhshme do të jenë kyçe për Republikën e Maqedonisë në avancimin drejt Bashkimit Europian dhe në aspektin e anëtarësimit në NATO. Prandaj theksova, me çfarë serioziteti të madh jemi të fokusuar si shtet, për gjithçka që është e nevojshme nga ana jonë që të marrim një depërtim drejt këtyre dy qëllimeve strategjike të vendit tonë.

Përfitoj nga momenti të falënderoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që jep një mbështetje të madhe për integrimin tonë në NATO. Është me rëndësi që udhëheqja politike e Republikës së Shqipërisë e njeh momentin me shans për një zhvillim rajonal, duke pasur parasysh mbështetjen e vendeve të Bashkimit Europian për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Përshëndes aktivitetin dhe punën e Kryeministrit Rama dhe Qeverisë së Shqipërisë në këtë takim të parë mes dy qeverive, këtu në Pogradec. Dërgova një ftesë që takimi i radhës në vitin 2018 të mbahet në Ohër, ose në Strugë. Besoj se kjo mbledhje do të mbahet në pjesën e parë të vitit 2018.

Kam kënaqësi të madhe që nesër, bashkë me Kryeministrin Rama ta vizitojmë Bashkinë e Pustecit ku jeton një popullatë me etnitet maqedonas. Për nga numri është e vogël, por është një urë e rëndësishme për lidhjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Ekziston një gatishmëri, të respektuar qytetarë, të vazhdojmë bashkërisht duke përdorur të gjitha mundësitë për avancimin e raporteve tona dhe duke i kthyer në sfida për progres të të dy vendeve tona.

Të respektuar qytetarë të Republikës së Maqedonisë dhe të Republikës së Shqipërisë, kjo është ardhmëria jonë e përbashkët. Viti 2018 shpresojmë se do të jetë i lumtur edhe për qytetarët e Maqedonisë, edhe për qytetarët e Shqipërisë.

Ju faleminderit!

 

Pyetje nga konferenca:

Zoti Kryeministër Zaev, qeveria juaj është e angazhuar, ka shprehur vullnetin për të jetësuar Marrëveshjen e Ohrit. Gjithashtu pritet të implementoni sa më shpejt përdorimin nga administrata maqedonase të gjuhës shqipe. A ka një datë, ose një periudhë të përcaktuar saktësisht kur do të nisë kjo?

Kryeministri Zoran Zaev: Shumë pyetje e rëndësishme, edhe nga interesi i qytetarëve të Maqedonisë. Aspektin formal dhe juridik do ta rrumbullakësojmë me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Gjuha ka kaluar fazën e parë në Parlament. Dje përfundoi dhe debati i Komisionit të Çështjeve Europiane, ku pas shqyrtimit të amendamenteve u rrumbullakësua dhe kjo fazë. Tani duhet që Kryetari i Parlamentit të caktojë seancën ku do të diskutohen amendamentet dhe ku përfundimisht do të votohet për ligjin. Unë dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast që të ftoj të gjitha partitë politike të mbështesin këtë ligj, sepse ky ligj paraqet një drejtim bashkëkohor, një shoqëri për të gjithë, ku në pajtim me Kushtetutën, qytetarët e bashkësisë së dytë, sipas madhësisë, pra, shqiptarët, por gjithashtu edhe pjesëtarët e bashkësive të tjera do të fitojnë një realizim të të drejtës së tyre kushtetuese të përdorimit të gjuhës së tyre amtare. Duke shkuar drejt Europës, absolutisht pres që Maqedonia me konsensus të mbështesë të gjitha këto zgjidhje europiane. Unë shpresoj se ligji do të aprovohet diku në fund të janarit, në pajtim me axhendën, e cila mu paraqit nga Kryetari i Parlamentit.

 

Çfarë mbetet për t’u zbatuar që të kompletohet Korridori 8-të, kur bëhet fjalë për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi bërë progres të rëndësishëm. Aty ku faktikisht kemi mangësi dhe për këtë edhe kemi folur dhe më parë dhe gjatë mbledhjes, është linja hekurudhore. Për këtë jemi përfshirë në programin përkatës të Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe jemi shumë optimistë që ky problem i vjetër dhe i trashëguar do të futet në rrugën e zgjedhjes.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.