Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Përshëndetja e Kryeministrit Edi Rama, në ceremoninë e mbjelljes së pemës së Ullirit të Paqes, në Izrael:

 

Mbjellja e pemës së Ullirit të Paqes është një nder i veçantë që u rezervohet, si rregull, krerëve të shteteve.

Privilegji që më bëhet sot, duke mu dhënë mundësia të kryej një gjest simbolikisht gjithmonë domethënës, në të gjitha kulturat dhe besimet, më bën pak dyshues për të thënë të vërtetën.

Të jetë shkaku i këtij favori shumë prekës, vetëm fakti që jam Kryeministri i një vendi të vogël, djep i bashkjetesës fetare, mik i hershëm e i vërtetë i Izraelit dhe fqinj i mirë e i dhembshur ndaj hebrejve që gjatë mynxyrave të historisë, gjetën strehë dhe shpëtim në shtëpitë modeste të kombit tonë?

Jam i sigurtë që ky është një nga shkaqet, por ndoshta jo i vetmi. Ndoshta, si të dashuruar, me të drejtë, ndaj Tokës së Izraelit, jo vetëm si nocion etnik dhe fetar, por edhe si një pjesë e veçantë dhe e mrekullueshme e vetë Krijimit e cila duhet mbrojtur dhe kultivuar, ju keni dëgjuar për një nismë që na është shumë e shtrenjtë.

Në fakt, kemi vendosur që të mbjellim, në mjedise të jashtme të një qendre hapjeje dhe takimesh për bashkjetesën dhe luftën ndaj injorancës dhe terrorizmit, një nga çdo pemët që përmenden në librat e shenjtë, parësisht Biblën dhe Kuranin.

Do të doja shumë që në këtë kuadër, edhe Pylli i Jeruzalemit të sillte diçka nga ato rrënjë që formëzuan si një buqetë shpirtërore e pashoq, kopshtin poetik dhe mistik të profetëve dhe të filozofëve, për tu mbjellë e për tu rritur në këtë kopsht shpirtëror në Tiranë.

Njeriu që mbjell një pemë, ka të njëjtin qëndrim si njeriu që përkulet mbi një libër, apo si një njeri që lutet. Ndaj, kur shoh këtë fidan, më vjen të dialogoj me këtë pemë, me fjalët e psalmit të Davidit mbret: “Ti më meson rrugën e jetës: fytyra jote, vetëm plotësi ngazëllimi: në të djathtën tënde, një përjetësi gëzimi”.

“Rritu, dhe sill shumë fruta!”

 

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, në takimin me komunitetin shqiptaro-hebre, gjatë të cilit iu dorëzua Medalja e Mirënjohjes se Kryeministrisë, ish Presidentit të Izrelit Shimon Peres:

Është prekëse të jesh këtu sot, në praninë rrezatuese të Shimon Peres, por edhe në ngrohtësinë e miqësisë që dëshmojnë 15 shqiptaro-hebrejtë e mbledhur rreth nesh.

Në Shqipëri, pa shkuar thellë në histori, mund të thuhet se hebrejtë që peripecitë e jetës i prunë në vendin tonë, u bënë ura të heshtura lidhëse midis dy vendeve dhe artizanë të paqes e mirëkuptimit.

Ka një sens pra, të takohesh sot, me këtë komunitetit që, nëse mund të parafrazoj një shprehje të vogël biblike që i kushtohet popullit të Izraelit, është për ne si “drita e syrit”, në prani të një artizani të paqes, siç është Shimon Peres.

Zoti President, na keni mësuar nëpërmjet një orientimi krejt atipik, të karakterizuar nga një guxim qytetar dhe njerëzor i pashoq, ç’do të thotë forcë e shembullit, përkundrejt shembullit të forcës. Shtetar i një vendi gjithmonë fitimtar dhe me epërsi në veprim, zgjodhët, së bashku me të paharruarin Yitzhak Rabin, të pranonit “dobësinë” e përulësisë dhe të dialogut, duke e kthyer forcën në një absurditet dhe paqen në një themel që nuk zhgënjen.

Shqipëria është ndoshta pak larg tokës së Izraelit, por aspak larg frymës erëmirë që keni përhapur në Lindjen e Mesme. Vend i bashkjetesës fetare dhe etnike, tek ju Shqipëria sheh apostullin e dinjitetit njerëzor, respekti i parreshtur i të cilit është kondita çelës për të çimentuar një të ardhme të jetueshme, të drejtë e të kënaqshme për të gjithë.

Për gjithçka jeni dhe përfaqësoni, për të “urtin” e Izraelit, ju falenderoj me zemër dhe, në emër të qeverisë shqiptare dhe të gjithë atyre, nëse me lejohet, që u mblodhën sonte këtu, ju dorëzoj Medaljen e Mirënjohjes se Kryeministrisë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.