Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në takimin e javës me qytetarë që kanë gjetur zgjidhjen, duke adresuar problemin e tyre në Platformën e Bashkëqeverisjes Shqiperiaqeduam.al

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit të ftuarve të sotëm! Është vërtetë një gjest që e çmoj shumë, fakti që pasi keni zgjidhur problemi tuaj me platformën keni pranuar të merrni mundimin për të ardhur e për të dëshmuar eksperiencën tuaj, pasi dëshmia juaj na ndihmon për të përcjellë tek gjithë qytetarët mesazhin e thjeshtë që, nëse ke një problem me zyrat e shërbimit për publikun të shtetit, mos humb kohë, mos kërko rrugë të vjetra të mikut, të ryshfetit, por thjesht drejtohu tek shqiperiaqeduam.al dhe të mjaftojnë 3 minuta për të gjetur mikun më të fortë, që në krahun tënd do të bëjë të mundur zbatimin e ligjit për ty, duke kërkuar nga administrata ekzaktësisht këtë gjë. Pa humbur kohë, po ftoj Flamurin për të paraqitur rastin e parë.

Flamuri, Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Përshëndetje! Një nga zgjidhjet e kësaj jave është rasti i familjes Doko e cila jeton në Itali, por që është ndjekur nga familjarët e tyre në Shqipëri. Ka të bëjë me regjistrimin e një leje ndërtimi të një banese dy katëshe në Divjakë të miratuar nga Bashkia Divjakë dhe të dërguar zyrtarisht në zyrën e regjistrimit në Lushnje. Qytetari ishte paraqitur pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Lushnje në 27 mars dhe kishte bërë aplikimin. Për 7 muaj rresht kishte vajtur dhe nuk po merrte zgjidhje. Duke parë këtë, qytetari e regjistroi ankesën në platformë, në 3 tetor 2018 dhe brenda 10 ditësh, qytetari u njoftua që leja ishte regjistruar dhe qytetari u pajis me certifikatën.

Marko, pjesëtar i familjes Doko: Fillimisht shkruajta tek e-albania se nuk e dija ku të shkruaja. Aty më adresuan që të shkruaja tek shqiperiaqeduam.al Pasi shkruajta, në bazë të problematikës, brenda 4 ditëve më kthejnë përgjigje që do shqyrtojmë kërkesën tuaj. Brenda 9 ditëve më lajmërojnë me email që certifikata ka dalë dhe mund ta tërheqësh në postë. Faleminderit shumë, do të thotë që funksionon.

Kryeministri Edi Rama: Jo vetëm funksionon, por po sot, siç është tanimë e përcaktuar çdo javë, ministrja e Drejtësisë që drejton dhe task-forcën e antikorrupsionit, do të bëjë publike masat sepse juve e keni zgjidhur çështjen, por pasi çështja juaj është zgjidhur ka filluar një hetim administrativ në hipotekën e Lushnjës dhe e njëjta gjë bëhet në të gjitha rastet, kur pas zgjidhjes së një çështjeje, ne kërkojmë të dimë pse dhe kush e ka penguar këtë zgjidhje. Janë çdo javë masa administrative, deri dhe penale për ata punonjës apo drejtues në zyrat e shërbimeve që bëhen shkaktarë për vonesat e pajustifikueshme, në dhënien e shërbimeve për qytetarët.

Fatmiri, Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Përshëndetje zoti Kryeministër. Rasti i radhës është rasti i zotit Fazlli Shehaj nga qyteti i Tiranës, i cili në vitin 2006 kishte aplikuar pranë Agjencisë së Legalizimet në Tiranë, në lidhje me pronën e tij, por që nga 2014, vit në të cilin atij i kishin ardhur 12 herë specialistët e Agjencisë së Legalizimit për t’i bërë matjet, ai nuk kishte mundur që të gjente dot zgjidhje. Në 2 tetor të këtij viti, zotëria i është adresuar platformës dhe në datën 12 tetor i është emetuar leja e legalizimit. Për më shumë ftojmë djalin e tij për të prezantuar rastin.

Djali i zotit Fazlli Shehaj: Përshëndetje! Në radhë të parë kam kënaqësinë të vij këtu të shpreh mirënjohjen për platformën. Prej vitesh, ne kishim hall familjar dhe im atë ishte përpjekur shumë ta zgjidhte këtë problem. Këtë gjë e bëri vetëm platforma. Më tha im atë të bëja aplikimin në vendin e tij. E bëra dhe arrita të merrja legalizimin, jo pas 10 ditësh, por dhe më shpejtë. Shumë faleminderit! Ju jam shumë mirënjohës!

Kryeministri Edi Rama: Shumë të fala babait dhe ajo që, për fat të keq, shumëkush në botën e medias nuk arrin dot ta kuptojë dhe për këtë arsye, në mënyrë shumë për të ardhur keq arrijnë deri dhe në përqeshje të platformës, është se platforma po bën një transformim të madh epokal.

Unë jam i bindur që e ardhmja e shërbimeve publike, jo vetëm është dixhitalizimi i plotë dhe robotizimi i marrëdhënieve mes administratës dhe qytetarit, në kuptimin që nuk do ketë asnjë nevojë më, për të bërë asnjë metër rrugë në këmbë për të shkuar për të marrë një shërbim, por gjithçka do të jetë online, – por ajo që është dhe më e rëndësishme, është që nuk kuptohet se në fakt platforma është pjesë e mekanizmit të administratës. Se në fakt, është administrata që vihet në lëvizje përmes platformës dhe se platforma është një armë shumë efikase kundër korrupsionit dhe kundër parazitizmit në administratë. Gjithmonë e më shumë ne e shohim dhe kjo është diçka që ndjehet në të gjitha kontrollet dhe në të gjitha proceset e brendshme të administratës, se ka një rritje të vetëdijes së punonjësve të administratës, që janë në zyrat e shërbimeve, që çdo qytetar mundet të të marrë në qafë, në kuptimin e pozicionit dhe në kuptimin e privilegjit që ke për të shërbyer dhe të cilin e shfrytëzon fatkeqësisht për të rrëmbyer ose thjesht dhe vetëm për të marrë një rrogë, – pasi çdo qytetar që shkruan në platformë, jo vetëm që merr asistencën e menjëhershme dhe merr zgjidhje, por ndez një llambë për t’u fokusuar tek një çështje dhe përmes çështjes për të zbuluar individë që janë përgjegjës për mostrajtimin si duhet të çështjes. Aleko për rastin tjetër.

Aleko, Koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Përshëndetje të gjithëve! Rasti që dua të prezantoj sot tregon edhe një herë mundësinë që të jep platforma e bashkëqeverisjes për alternativa të shumta punësimi për qytetarët, sigurisht përveç të tjerave. Ishte zoti Kosta Çuçka nga Sukthi i Durrësit, i cili në fillim të muajit tetor iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes duke kërkuar një mundësi punësimi për vajzën e tij Sarën, e cila ka mbaruar studimet në degën Administrim Biznes në fakultetin e Ekonomisë me rezultate të shkëlqyera, por që ishte vënë në vështirësi pasi nuk gjente një mundësi punësimi. Me aplikimin në platformën e bashkëqeverisjes nga ana të atit të saj, koordinatoret në ministrinë e financave dhe të ekonomisë e morën rastin dhe e trajtuan nëpërmjet shërbimit kombëtar të punësimit dhe brenda 2-3 ditëve, Sarës iu mundësua punësimi në një nga kompanitë më prestigjoze që ne kemi.

Sara Çuçka: Përshëndetje! Kam mbaruar studimet bachelor dhe master në administrim biznes. Isha në kërkim të një pune prej disa muajsh, por pa rezultat. Iu drejtuam sëbashku me babin platformës së bashkëqeverisjes dhe brenda disa ditësh, unë u punësova në një kompani prestigjioze. Ju falënderoj shumë dhe ju jam shumë mirënjohëse!

Kryeministri Edi Rama: Nuk të pyeta për rrogën. Sa e ke rrogën?

Sara: 600 mijë lekë.

Kryeministri Edi Rama: Po mirë e paske, pse e thua me gjysmë zëri? Se shumëkush që na ndjek, me siguri është duke përqeshur tani faktin që flasim për punësimin se sidomos këta që jetojnë mirë kafeneve me lekët e babit dhe të mamit dhe që e kanë iphone si shokun e ngushtë për t’u tallur me ditën që u ka dhënë perëndia, menjëherë sa flitet për punësim thonë, pse mo jetohet me 240 mijë lekë që është rroga minimale sot?

E ndërkohë, ja ku është rasti konkret që, që në ditën e parë të punës, 600 mijë lekë rrogë, sepse rroga merret në bazë të asaj që ofron dhe për më tepër edhe mua vetë më bëri përshtypje që në një nga ndërhyrjet që do bëjmë në paketën fiskale, është një lehtësim i bazës së tatimit mbi të ardhurat personale të atyre që paguhen nga 1.2, në 1.5 milionë dhe janë afro 16 mijë njerëz. Shumica në kompanitë private.

Pra, kush di, kush është i kualifikuar dhe kush ka diçka për të ofruar, sigurisht që mund të marrë një rrogë më  të arsyeshme, pastaj më të mirë, pastaj dhe shumë më të mirë dhe sigurisht që rroga shkon duke u rritur në bazë të punës dhe të kualifikimit. Entela për rastin tjetër.

Entela, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Faleminderit zoti Kryeministër! Përshëndetje të gjithëve! Është këtu mes nesh sot dhe zoti Sherif Duqi nga Tirana, i cili u drejtua në platformën Shqipëriaqëduam.al në emër të bashkëshortes së tij, zonjës Shqipe Duqi. Ajo ishte vlerësuar invalide e plotë në komisionin mjekësor të caktimit të aftësisë për punë, në janar të vitit 2018, por ende nuk kishte përfituar pensionin e invaliditetit, edhe pas disa kërkesash të bëra në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Pas marrjes së kërkesës në platformë, dosja e zonjës u rivlerësua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe sot zonja Duqi përfiton pensionin e invaliditetit me të drejtë përfitimi, që nga prilli i vitit 2018. E ftojmë zotin Sherif që të ndajë me ne eksperiencën.

Zoti Sherif Duqi: Përshëndetje! Unë kam 8 muaj që vij vërdallë, derë më derë, nga muaji janar e deri më sot. Për një kohë shumë të shkurtër iu drejtova portalit. Nuk kam lënë derë pa trokitur tek Sigurimet Shoqërore. Iu drejtova bashkëqeverisjes dhe për një kohë shumë të shkurtër, punë jave, gjeta zgjidhje dhe sot ajo merr pension si gjithë të tjerët. Shumë faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Këtë shpejtësi dhe këtë rrugëzgjidhje të menjëhershme që ofron platforma e bashkëqeverisjes, deri dje, mund ta garantonin vetëm ata që kanë influencë politike apo tarafi, pra të fortët me pushtet apo me lidhje. Ndërkohë që, gjithë pjesa tjetër e njerëzve ishte e këputur nga këto lidhje dhe e pamundur për të pasur akses të drejtpërdrejtë tek pushteti dhe për të marrë mbështetjen e pushtetit, që shteti të funksionojë njësoj për të gjithë dhe ndryshimi i koalicionit të partive me koalicionin me njerëzit që materializohet në këtë platformë të bashkëqeverisjes është pikërisht ky, se në koalicionin e partive, njerëzit që nuk janë të lidhur drejtpërdrejtë dhe nuk janë në tepsinë e partisë, janë të shpërfillur.

Ndërsa në koalicionin e bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm, çdo njeri i zakonshëm e ka fuqinë që menjëherë të vëri ministrin në dijeni dhe ta bëjë ministrin aleatin e vet për të shkuar drejt tek problemi në një zyrë të administratës. Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse detyra që duhet të bëjë çdo institucion sepse që në kohën e komunizmit dhe më pas, që nga Shqipëria deri në Francë e deri në Shtetet e Bashkuara, njerëzit shkruajnë ankesa për çështje që kanë të bëjnë me shtetin. Shkruajnë ankesa tek zyrat e deputetëve, shkruajnë ankesa tek zyrat e kongresmenëve, shkruajnë ankesa tek zyrat e senatorëve, shkruajnë ankesa tek zyra e presidentit, tek zyrat e kryeministrave. Kur deputetët në Britaninë e Madhe kanë takimet e tyre të detyrueshme me komunitetet ulen në një sallë siç jam unë këtu, përballë jush, vijnë njerëzit dhe secili ankohet për diçka që kërkon nga shteti dhe i gjithë ky fluks ankesa merret dhe kanalizohet për ta çuar zërin e qytetarit tek veshi i shtetit në atë sektor, në atë zyrë.

Kjo është gjëja që bën platforma. Kjo është gjëja që nuk e bënin dot letrat e pafundme, mijëra, dhjetëra mijëra, qindra mijëra letra ankesash. Kjo është arsyeja pse edhe Shefiti që sapo foli, ka vuajtur me dy ndërhyrje në mes, për vite, e nuk e ka marrë dot atë që i takon, invaliditetin, – e mori për një javë. Kjo është arsyeja pse çdo njeri, pavarësisht çfarë partie ka, pavarësisht se për këtë voton, pavarësisht se është në qytet, pavarësisht se është në fshat, pavarësisht se është i ri, pavarësisht se është më i moshuar, pavarësisht se është i pasur, pavarësisht se është i varfër, duhet ta ketë shumë të qartë që bashkëqeverisja është fuqia e tij e transformuar në mundësi për të marrë zgjidhje, e materializuar tek qeveria që është në krah të tij.

Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë diskutim që Platforma e Bashkëqeverisjes është materializimi më konkret dhe më efikas i asaj fjalisë që e keni dëgjuar që kur keni qenë të vegjël, ju që jeni rritur me demokracinë, “zëri juaj”.

“Më jepni zërin që unë t’ju përfaqësoj juve”, “zëri i qytetarit”, “zëri, zëri…” dhe kanë qenë vetëm zëra në fushatë e pastaj, qep gojën në qoftë se s’ke mik, qep gojën nëse s’ke lekë, qep gojën se nuk të dëgjon njeri dhe lëshohu kafeneve i dëshpëruar, apo jepi gojës në Facebook.

Dorina, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot jam këtu për t’ju prezantuar rastin e banorëve të njësisë Administrative Petran të Bashkisë Përmet, të cilët iu drejtuan Platformës së Bashkëqeverisjes në datën 15 shtator për të paraqitur shqetësimin e tyre. Këmbët e urës të fshatit Petran kishin dalë në sipërfaqe nga gërryerja e lumit. Fillimi i sezonit të shirave rrezikonte që kjo situatë të avanconte edhe më tej. Ata iu drejtuan Platformës më datën 15 shtator dhe koordinatorët e dërguan atë për trajtim pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, të cilët menjëherë ngritën grupin e punës për verifikimin e situatës në vend dhe fillimin e punimeve. Sot, ura është e rehabilituar. Këmbët e urës janë të betonuara. Për të ndarë eksperiencën e tij me ne është këtu zoti Dhimitër Mitre, banor i fshatit Petran.

Dhimitër Mitre:Ne jemi në Njësinë Administrative Petran në Përmet. Me kalimin e shumë viteve, rrjedhja e Langaricës që derdhet në Vjosë i kishte ngrënë nga poshtë këmbëzat dhe mund të ndodhte që edhe mund të rrëzohej, sepse ajo është njëkohësisht edhe urë ku kalojnë automjetet Përmet, Korçë, etj.. Iu drejtuam Platformës së Bashkëqeverisjes dhe në një kohë të shkurtër, ajo u riparua shumë mirë dhe është bërë tamam siç ishte e re. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të falënderojmë Platformën, falënderojmë ARRSH-në dhe në veçanti, në emër të komunitetit, Kryeministrin, për këtë që na bëri.

Kryeministri Edi Rama: Është shumë domethënëse dhe shumë e thjeshtë. Unë e di shumë mirë se ku jetojnë banorët e këtij komuniteti. Nuk ka asnjë shans që, në rast se nuk do ishte Platforma, ata t’i dëgjonte njeri. Aty ku janë, maksimumi që do bënin dhe që me siguri e kanë bërë para se t’i drejtohen Platformës, do shkonin te Njësia Administrative dhe do u thonin s’kemi gjë ne në dorë. Do shkonin te Bashkia, do u thonin ç’të bëjmë ne? Do prisnin të padëgjuar nga askush shembjen e urës. Të merrnin rrugën për Tiranë?! Kush do i priste deri dje? Ku do trokisnin? Kush do i dëgjonte? E mbi të gjitha, edhe nëse do t’iu hapej dera e ARRSH-së, kush do t’i kërkonte llogari ARRSH-së u bë, apo nuk u bë? Do t’i prisnin, – kjo ka shumë pak gjasë, – por, ta zëmë, do u thonin dakord xhaxha, mos u mërzit! Ik tani! Do putheshin me Milon çdo natë, derisa ta gjenin urën të shembur dhe të mos kishin më as mundësi të qaheshin gjëkundi, të harruar.

Platforma është shteti në xhep. Celulari dhe një djalë apo një vajzë e re, që di të përdorë mrrokllën e epokës sonë dhe për 3 minuta vihet në lëvizje skuadra që është mbrapa ekranit, Dorina në këtë rast. Ministri i Infrastrukturës dhe ARRSH-ja shkon e bën urën, sepse ndiqet procesi, sepse ndizet një llambë alarmi për një komunitet, apo një person. Ajo llambë është e kuqe dhe shikohet deri kur bëhet e verdhë, që do të thotë se procesi fillon dhe kur bëhet jeshile, që çështja u zgjidh.

Dua ta dëgjojnë të gjithë ata që na ndjekin, mos dëgjoni këta të lodhurit e kazanit! Mos dëgjoni asgjë tjetër, përveçse, beso dhe kontrollo! Thjesht, vëreni Platformën në provë! Nuk ju kushton asnjë gjë; Tre minuta.

Ne kemi pasur raste këtu që kanë shkruar për t’u tallur dhe kanë ardhur këtu pastaj na kanë falënderuar, duke thënë as na ka shkuar mendja që do përgjigjej njeri.

Drita, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot dua t’ju sjell në vëmendje rastin e Jonsilda Shkëmbit, një mësuese në profilin Histori-Gjeografi, në Devoll të Korçës. Zonja Jonsilda, pavarësisht se ishte renditur e para në portalin Mësues për Shqipërinë, nuk kishte mundur ende të siguronte një vend pune. Në shkollën “Raif Kolami”, shkollë 9-vjecare në fshatin Tren, ku ajo synonte të punësohej, orët e këtyre lëndëve i jepte një mësuese letërsie, e cila ishte jashtë profilit dhe e punësuar pa marrë pjesë në portalin Mësues për Shqipërinë. Pasi drejtoi ankesën në Platformën e Bashkëqeverisjes, rasti u mor në shqyrtim dhe brenda 10 ditë pune, Zyra Arsimore Devoll e punësoi Jonsildën si mësuese definitive në shkollën “Raif Kolami” dhe largoi mësuesen që ishte jashtë profilit.

Znj. Jonsilda Shkëmbi: Unë vij nga qyteti i Bilishtit dhe kam kryer studimet e larta në degën Histori-Gjeografi. Kam dalë e para në portalin Mësues për Shqipërinë, por, duke qenë se nuk po punësohesha, kam shkarkuar Platformën në telefon dhe kam aplikuar aty. Për një kohë të shkurtër kam marrë përgjigje. Ndihem shumë e nderuar që ndodhem këtu, përpara jush, të shpreh mirënjohjen time për Bashkëqeverisjen dhe për ju, i nderuar Kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Shumë respekte dhe faleminderit që ke marrë gjithë këtë mundim nga Bilishti këtu. Është rasti për të nënvizuar që tani, ne hyjmë në një fazë të re të reformës në arsim, me një ristrukturim të të gjithë rrjetit të drejtorive dhe me një transformim të shërbimeve arsimore, që do të jetë shumë më efikas. Ka ardhur koha të bëhet dhe në të njëjtën kohë, sot, Portali është ligj. Deri dje ishte një instrument i Ministrisë së Arsimit për të siguruar meritokraci dhe transparencë. Sot është ligj. Ka kaluar ligji në Parlament dhe shkelja e rregullave të Portalit është shkelje ligji. Kështu që, në rastin tuaj është vepruar menjëherë. Ju keni dalë e para në fushën tuaj, por nuk ka pasur vende të lira. Vendi ndërkohë, i mundshëm, ishte i zënë prej kohësh nga dikush që ishte jashtë profilit. Adresimi që ju keni bërë, ka ndihmuar administratën arsimore që të identifikojë një rast konkret dhe një problem konkret, në funksion të zgjidhjes. Prandaj nuk duhet mbyllur goja. Nuk duhet qëndruar në pozitën e mërzisë, apo të mosbesimit, por duhet vënë në provë ky instrument. Mjaftoi shkarkimi në telefon i Platformës, falas. Tre minuta, pa asnjë shpenzim tjetër përveç internetit që është në telefon dhe ja ku jemi këtu, me një çështje jetësore të zgjidhur në mënyrën më të shpejtë dhe me dinjitet të plotë, në respekt të të gjithë mundimeve që ju keni bërë, për të dalë shkëlqyeshëm në shkollë dhe për të dalë e para në konkurs.

Ardita, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Sot ju njoh me rastin e zotit Andrea Karriqi nga Elbasani, i cili iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes për problemin e bashkëshortes së tij. Zonja, pasi kishte pësuar një problem shëndetësor, ishemi cerebrale, nuk merrte një pagesë paaftësie, apo pagesë përkujdesjeje, por vetëm pensionin e pleqërisë. Gjendja shëndetësore e zonjës sa vinte e përkeqësohej. Në këto kushte ishte tashmë i domosdoshëm kujdesi i bashkëshortit të saj. Shërbimi Social Shtetëror ndoqi rastin, deri në të gjithë procedurën ligjore dhe më në fund, më pas, në KMCA, komisionimi e vlerësoi zonjën si përfituese të statusit të para tetraplegjisë. Sot, ky status i ofron zonjës pagesën e paaftësisë, pagesën e kujdestarisë, shërbimin ndaj paketës higjieno-sanitare, si dhe kompensimin e energjisë elektrike.

Andrea Karriqi: Unë t’ju tregoj aventurën e gruas time çfarë ka hequr, besoj se të gjithë do prekeni. Po e lë mënjanë atë. Faleminderit Platformës së Bashkëqeverisjes që më zgjidhi këtë problem. Unë e kam shtruar këtë problem 3 herë. Dy herë në Përrenjas, se jam nga Përrenjasi dhe herën e tretë iu drejtova Platformës Bashkëqeverisëse. Këtu gjeta zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama: Respekte! Edhe një rast tjetër, i fundit për sot, që lidhet me komunitetin, sepse platforma nuk është vetëm akses për probleme individuale, por dhe për çështje komunitare dhe Adela do ta referojë rastin për një grup qytetarësh nga Vlora.

Adela, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që dua të prezantoj sot ka një specifikë të veçantë, sepse ka të bëjë me historinë e së shkuarës. Konkretisht, një grup qytetarësh dhe veteranësh nga Vlora adresuan në Platformë një kërkesë për ngritjen e një memoriali në kujtim të familjarëve dhe të shumë qytetarëve të Vlorës, të cilët u masakruan, ose u zhdukën në kampet naziste të përqendrimit. Me marrjen e kësaj kërkese ne iu drejtuam Bashkisë Vlorë, e cila mori në konsideratë kërkesën e qytetarëve dhe javën e kaluar, në datë 10 tetor, ky memorial u inaugurua.

Polizoi Kosta, dëshmitar i kohës dhe një prej nismëtarëve të Memorialit: 3 vjet më parë, me bij e bija të rënësh në ish-kampet naziste të përqendrimit, të mbështetur nga historianë të qytetit të Vlorës, me shkrim, nga Komiteti i Veteranëve dhe shoqëria civile, kërkuam të ngrihet në qytetin e Vlorës një Memorial i Bashkimit, kushtuar të rënëve në ish-kampet naziste të përqendrimit. Ne ishim dëshmitarë të asaj kohe. Ne e mbështetëm kërkesën në Kushtetutë, në VKM 30/07/15, si dhe te Statusi i Dëshmorit, që thotë të gjithë personat që kanë vdekur në luftë, përfshirë dhe të rënët në ish-kampet naziste të përqendrimit, pra, këta janë Dëshmorë të Atdheut. Këshilli Bashkiak menjëherë u mblodh. Të gjithë anëtarët ishin dakord. Në fund, edhe kryetari i Bashkisë, zoti Leli më dërgoi një shkresë që jemi dakord, por Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit të përcaktojë vendin se ku do ngrihej. Pas shumë debatesh u vendos që të mos bëhet në shesh, por të ngrihej 10 metra më tutje. Edhe u vendos. Ka dalë shumë i bukur. Nënkryetari i Komitetit të Veteranëve, pasi u zvarrit pak kërkesa, e bëri te Platforma që të përshpejtohej pak. Edhe u realizua. Ju falënderoj!

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Më vjen shumë mirë që është zgjidhur ky problem, sepse, në fakt, kur e pashë këtë rast, thashë ku ka çaluar, por nga marrja e vendimit të Këshillit, deri tek marrja e vendimit se ku do vihet ajo shenjë, po të mos ishte Platforma… Kështu që të falënderoj shumë që erdhe dhe më vjen shumë mirë që është zgjedhur rasti juaj, sepse është një iniciativë qytetare për t’u respektuar dhe për t’u përshëndetur në funksion të kujtesës historike.

Polizoi Kosta: Ishin 600 te internuar dhe 500 të ekzekutuar.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe njëherë të gjithë juve që morët mundimin të vini për të na ndihmuar të përcjellim mesazhin e platformës www.shqiperiaqeduam.al dhe në të gjithë këtë përpjekje për ta promovuar Platformën, më duket se e kemi gjetur sloganin e reklamës: “Me një klik gjen një mik”. Kjo është www.shqiperiaqeduam.al. Meqë shqiptarët vdesin për të gjetur një mik, me një klik gjen një mik dhe gjen mik tamam, mik që ta zgjidh problemin, jo mik që të thotë “po” dhe s’ta bën, apo mik që të kërkon lekë

Shumë faleminderit të gjithëve! Faleminderit edhe të gjithë ekipit të Platformës!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.