Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e fillimit të punimeve për zyrat e reja të FSHF-së:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, besoj që të jetë e vërtetë shprehja “shiu është bereqet” dhe që pavarësisht klimës së papërshtatshme për të qenë këtu të mbledhur në një moment festiv për futbollin, të jetë një ogur i mirë për ecurinë e mëtejshme, jo thjesht të këtij projekti, se projekti tanimë thjesht duhet realizuar, por edhe të futbollit në tërësi.

Erdha këtu, sot, edhe duke e pasur parasysh rrezikun që të akuzohem se po futem në mes të një procesi zgjedhor që po zhvillohet në Federatën Shqiptare të Futbollit. S’ka problem. Deri dje isha i akuzuar se po dua të marr Federatën, sot do akuzohem se po dua të mbaj Federatën. Rëndësi ka që ne sot, këtu jemi për diçka që s’ka lidhje fare me këtë proces, është një proces i brendshëm i futbollit, por për një projekt që është pjesë e një programi, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për të ndërtuar zyrat e Federatës së Futbollit. Këtu bëhet fjalë për të ndërtuar një shtëpi të futbollit shqiptar, të kombëtares shqiptare, të projektimit të të ardhmes së këtij sporti dhe me modesti një mikro “koverciano” që është një qendër ekselence në Itali, ku jo vetëm mikpritet kombëtarja, ku jo vetëm bën punën e vet struktura përkatëse qeverisëse e futbollit, por ku zhvillohet dhe edukimi në vazhdim i trajnerëve, ku zhvillohen kurse kombëtare dhe ndërkombëtare e kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq. Kjo shtëpi e re e futbollit është pjesë integrale e projektit të Parkut Olimpik. Më vjen shumë keq, si ish-sportit i Dinamos, për të gjithë ata bashkudhëtarë, bashkëvajtjes, bashkëndërrimtarë si Muhe Targaj që është këtu përballë, por dhe të tjerë, sepse kemi kaluar një pjesë të jetës tonë në godinën që do të shembet në ditët në vijim. Kam marrë shumë mesazhe, kur u shpall ky projekt, nga nostalgjikët, që si ka mundësi, do zhduket godina e heroizmave të së shkuarës. Por, në fakt, godina ka pushuar se qeni godinë e Dinamos prej shumë kohësh dhe për fatin më të keq dhe për turpin më të madh të të gjithë atyre që kanë pasur diçka për të bërë për sportin në gjithë këto vite, godina që kemi mbrapa u kthye në kafazin e pëllumbave të shumësportëshit. Aty janë strehuar për vite të tëra federatat e shumësportëshit, për të cilat brenda projektit dhe programit të Parkut Olimpik, ne ndërtuam godinën e re që është më pas. Tanimë këtu mungon vetë, federata e federatave që është Federata e Futbollit, e cila pas 18 muajsh do të ketë një tjetër godinë simbol të rilindjes së sportit, rilindjes së futbollit, por edhe të rilindjes së qytetit.

Jo vetëm kaq, por kjo shtëpi e futbollit me këto mjedise përreth, me fushat e kështu me radhë, plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik, që do të përfundojë me një fazë të tretë, ku është pjesa më tutje, me pishinën e re të mbyllur dhe me mjedisin e Parkut të parashikuar nga Bashkia e Tiranës. Paralelisht ka përfunduar projekti për transformimin rrënjësor të zonës kufitare ku është Kopshti Zoologjik dhe Kopshti Botanik, ku do të jetë një Kopsht tërësisht i ri Zoobotanik i Tiranës. Pra, kjo është një pamje besoj e të sotmes dhe e të nesërmes, që meriton vërtet vëmendje dhe njëkohësisht që e meriton qyteti ta shikojë të materializuar.

Për të gjitha këto, unë dua të them që është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën e një transformimi që ka nisur. Sigurisht, transformimi udhëhiqet së brendshmi nga vetë komuniteti, por pa mbështetjen e qeverisë, jo këtu, por në asnjë vend që kërkon të zhvillojë sport, që kërkon të zhvillojë futbollin e që kërkon të zhvillojë një marrëdhënie të re mes sportit dhe njerëzve, është e pamundur. Ne e kemi pasur qysh në ditën e parë prioritet të ri mbështetjen e sportit. Kem bërë jo pak. Shifrat flasin vetë dhe rezultatet flasin vetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për futbollin, por për sportin në tërësi. Do vazhdojmë të bëjmë edhe shumë më tepër akoma. Të gjithë ata shembuj të mirë që janë në sytë e të gjithëve, të stadiumeve të rindërtuara, apo të ndërtuara nga e para, nuk janë fundi, por janë vetëm fillimi i një procesi transformimi tërësor të infrastrukturës. Por sigurisht që kjo nuk mjafton. Qeveria do të shkojë më tutje, duke e thelluar procesin e nisur nëpër shkolla, sportin nëpër shkolla, që është një program i nisur me futjen në radhë të parë të orëve të edukimit fizik, pas shumë vitesh braktisje totale të këtij aspekti nga ana e shkollave, do të shkojë në një nivel tjetër me fillimin e krijimit të klasave sportive të futbollit, apo të sporteve të tjera dhe do të përbëjë një bazë shumë të mirë dhe një mbështetje të domosdoshme për të gjithë sistemin.

Edhe njëherë tjetër përgëzime dhe mbarësi për të gjithë komunitetin. Unë jam besimplotë që pas 18 muajsh, ne do të jemi vërtetë të çliruar nga një barrë, nga një borxh i madh për shumë e shumë vite tëra ndaj ekipit kombëtar, i cili ka bërë shumë për këtë vend dhe ka merituar dhe e meriton të ketë vërtetë shtëpinë e vet, qoftë për t’u stërvitur, qoftë dhe për të luajtur. Kështu që, me këtë mjedis këtu, me Arenën Kombëtare, që sipas të gjitha gjasave do të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm, për të pritur ekipin kombëtar, besoj që ndjenja e çlirimit nga borxhi i madh i shumë i viteve është plotësisht legjitime.

Edhe njëherë shumë faleminderit shumë të gjithëve!

Ju lutem mos më ngatërroni mua me zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit.

* * *

Kombëtarja shqiptare e futbollit tashmë do të ketë shtëpinë e vet, të munguar në kaq vite, në ambientet e kompleksit Dinamo. Programi i qeverisë shqiptare për rilindjen e sportit ka përfshirë edhe modernizimin jo vetëm të zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe të ambienteve ku do të mikpritet kombëtarja. Ky projekt është pjesë e programit të Parkut Olimpik, ku brenda 18 muajve parashikohet të ngrihet një qendër ekselence për futbollin në Shqipëri, në të cilën do të vendoset FSHF, struktura qeverisëse e futbollit, por ku do të zhvillohen dhe edukimi në vazhdim i trajnerëve, apo kurse dhe aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Kompleksi i ri përfshin edhe një mini stadium me 500 vende, me të gjitha kushtet dhe parametrat moderne për të zhvilluar aktivitetet sportive. Kjo qendër plotëson fazën e dytë të Parkut Olimpik, i cili do të marrë formën përfundimtare me fazën e tretë, ku është parashikuar një pishinë e re e mbyllur e mjedise të tjera.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.