Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Pas një investimi 2 milionë euro, linja e paketimit të vajit në fabrikën “Bomira”, në Urën Vajgurore në Berat, nxjerr sot, në treg, një produkt të standardeve europiane. Një linjë paketimi e teknologjisë bashkëkohore siguron standarde të larta të prezantimit të produktit në treg. Fabrika ka të instaluar edhe një linjë moderne të prodhimit të shisheve dhe enëve plastike.

Kjo fabrikë ishte ndalesa e sotme e Kryeministrit Rama, në vijim të vizitave që po kryen për të parë nga afër disa nga investimet më të rëndësishme në industrinë agropërpunuese.

Pronari i fabrikës thotë se ka ndjerë në investimin e tij, një impakt real nga lehtësitë fiskale të qeverisë për këtë sektor. Ai veçon ndër to heqjen e TVSH-së për makineritë e pajisjet për prodhim, çka i ka dhënë atij mundësi për pasur në dorë më shumë kapital për investim. “Heqja e TVSH-së është një ndihmesë e madhe, se këtu ku jemi sot janë 2 milionë euro të investuara. Nëse heqim 20% e TVSH janë 400 mijë euro që më mbetën dhe që mua më japin frymëmarrje për biznesin. Është goxha pjesa e referencës, e cila çalon më shumë në treg, se njëri taksohet me 7, njëri me 10. Është goxha selektive. Pavarësisht “Bomira” ka krijuar 6 dosje në 6 vite të ndryshme, të kaluara, sot them që ato dosje janë në procesin e likuidimit dhe kthimit në arkën e fabrikës,” – thotë pronari.

Një tjetër përfitim për sipërmarrësin ka ardhur edhe nga Fondi qeveritar i Nxitjes së Punësimit. Ai thotë se me kapacitetin e shtuar të fabrikës pas këtij investimi, deri në 600 tonë vaj në muaj, synon të rrisë ndjeshëm edhe numrin e punonjësve. Për këtë i është drejtuar zyrës së punës në Berat. Aktualisht ka të punësuar 70 vetë dhe pret që në muajin qershor të punësojë edhe 30 të tjerë. “Njerëzit që janë këtu kanë qenë 1 vit e gjysmë me specialistë kinezë dhe është bërë trajnimi i tyre. Unë sot mund të them me gojën plot që të gjithë njerëzit, të cilët punojnë këtu janë të specializuar, të aftë që të specializojnë edhe njerëzit e rinj. Kam përgjigje pozitive që në muajin qershor mund të sigurohen këto vende të reja pune nga Zyra e Punësimit. Rrogat në fabrikë janë nga 30 mijë deri në 120 mijë  lekë,” – thotë sipërmarrësi, i cili shton me humor se kjo fabrikë ka ndjerë Rilindjen.

Mbështetja e investimeve në infrastrukturën prodhuese dhe për krijimin e ciklit të mbyllur të prodhimit janë qëllimi i skemave të mbështetjes së sektorit. Kryeministri siguroi se mbështetja për prodhuesit dhe agropërpunuesit do të disafishohet, duke e çuar deri në 70 milionë euro në vit në katër vitet e ardhshme.

“Kemi një skemë të re tani për ciklin e mbyllur. Është një skemë e re që do ta lançojmë shumë shpejt, po bashkëpunojmë me BERZH dhe po arrijmë në një formulë të re. Fondin e sotëm të mbështetjes së prodhuesve dhe agropërnuesve nga AZHBR ta disafishojmë në vit. Nëse sot ne kemi një shumë që nuk iu përgjigjet financiarisht të gjitha kërkesave që ka nga prodhuesit, agropërpunuesit apo sipërmarrësit që duan të futen në ciklin e prodhimit besojmë që me këtë formulë dhe me mbështetjen e bankave duke marrë shteti përsipër garancitë dhe interesat të sigurojmë që formua e sotme e AZHBR të jetë disafish e financueshme. Synimi ynë është që ta çojmë financimin për mbështetjen direkt të prodhuese dhe agropërpunuesve në fshat në 40 deri në 70 milionë euro në vit, në katër vitet që vijnë, që do të jetë një bum i madh.”

Këto investime, tha Kryeministri, janë dëshmi reale edhe e funksionimit të zinxhirit të nxitjes së punësimit nga Fondi i Nxitjes së Punësimit dhe i funksionimit zyrave të punës.

Me Kryeministrin, sipërmarrësi foli për ambiciet e tij për të zgjeruar aktivitetet sipërmarrëse, që do të sjellin e vende të reja pune për Beratin. Kështu, ai thotë se është në prag të nisjes së një investimi tjetër të rëndësishëm për ndërtimin e një qendre tregtare në Berat. “Një objekt të vjetër, të rrënuar, për ta kthyer në një qendër tregtare. Investimi për tregun e ri shkon 5 milionë euro në total.” Ndërsa falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që ka marrë në realizimin e projekteve të tij. “Është  mbështetur dhe nga ana juaj. Ka mbetur vetëm pjesët e fundit për t’u mbyllur, ana teknike e kontratës.”

Kryeministri garantoi se mbështetje do të jetë në rritje. E rëndësishme është që kthesa e rimëkëmbjes ka nisur dhe jemi në drejtimi i duhur.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.