Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Spitali Rajonal i Fierit, i cili do të ndërtohet me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Turqisë, do të jetë një shembull i sistemit shëndetësor dhe një qendër e transferimit të teknologjisë e të dijes nga sistemi shëndetësor turk në sistemin shëndetësor shqiptar. Këtë vletësim bëri sot, Kryeministri Edi Rama në Fier, ku sëbashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim në Bashkinë e Fierit me kryebashkiakun Armando Subashi, për të diskutuar mbi vendndodhjen e spitalit dhe përshpejtimin e procedurës të lejes së ndërtimit dhe shpronësimeve përkatëse.

Administrimi i spitalit, me mbarimin e punimeve do të kryet në çdo pavion prej ekspertëve e mjekëve turq për një periudhë tranzitore, deri në kalimin e kompetencave tek drejtuesit shqiptarë, të cilët do të punojnë krah për krah ekspertëve turq, për ta marrë më pas të gjithë përgjegjësinë.

Kryeministri inspektoi edhe vendndodhjen e mundshme ku do të ndërtohet spitali, e lokalizuar pranë autostradës, të cilin e vlerësoi një vend të përshtatshëm e të aksesueshëm lehtësisht.

Lidhur me këtë projekt, Kryeministri Rama u shpreh:

“Duhet urgjentisht të përcaktojmë një vend domethënës për Spitalin Rajonal të Fierit, që do t’i shërbejë të gjithë jugut të Shqipërisë dhe jo vetëm, por dhe të tjerëve. Do jetë një pol tjetër i shërbimit shëndetësor. Nuk është vetëm ndërtim, është edhe transferim teknologjie dhe transferim dijeje, sepse për një periudhë kohe do të administrohet nga burimet njerëzore të sistemit shëndetësor të Republikës së Turqisë; menaxheri, shefi i burimeve njerëzore, shefat e pavioneve do të jenë të gjithë të sistemit shëndetësor publik të Republikës së Turqisë.

Do të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve publike të Republikës së Shqipërisë. Do të shërbejë me të njëjtat standarde në aspektin financiar, nuk do ketë asnjë ngarkesë për qytetarët. Do të jetë shërbim falas, siç është në të gjithë spitalet sot publike dhe për një periudhë kohe do të bëhet në këtë formë, deri kur të transferohet komplet nga pikëpamja e menaxhimit dhe nga pikëpamja e drejtimit të pavijoneve tek mjekët dhe administratorët tanë.

Burimet njerëzore do të administrohen, siç thashë, nga vetë ata, me të njëjtin sistem, do të rekrutohen mekjet, infermierët, me të gjithë standardet e duhura.

Spitali do shërbejë si një laborator i dijeve të transferuara, rritje kapacitetesh, eksperiencë e mbi të gjitha do të realizojë atë objektiv që kemi pasur prej kohësh, që të kemi në zonën e Fierit një spital që i shërben popullit në të gjithë zonën e jugut e pastaj, natyrisht, edhe të tjerët.

Në vend që të ikin në Turqi, ata që e kanë fiksim që duhet të shkojnë në Turqi, të mund të vijnë këtu e të kenë të njëjtin shërbim si të jenë në mes të Stambollit apo Ankarasë.

Sfida është që ky spital do ndërtohet për 3 muaj. Duhet të përcaktojmë me urgjencë zonën dhe zona duhet të jetë domethënës, duhet të jetë në anë të autostradës, pra, jo larg nga autostrada. Duhet të ketë patjetër akses të plotë në infrastrukturë nga pikëpamja e ujit, energjisë që nuk është problem kjo.

Javën tjetër fillon puna, në kuptimin që vijnë të hënën, njerëzit e ngarkuar për këtë punë, për të bërë matjet. Projektin janë ndërkohë duke e bërë gati, bazuar në të gjitha modulet që ata i kanë e i përdorin kudo për veten e tyre.

Ne do t’i vëmë në shërbim gjithçka. Asnjë zvarritje, jo leja e ndërtimit, jo leja e kësaj apo asaj. Kjo është detyra jote e kjo punë duhet bërë sa hap e mbyll sytë. Duhet të ngresh këtu një skuadër me tre veta që të merren vetëm me këtë punë. Nuk kanë punë ata të vijnë e të kërkojnë na duhet kjo e na duhet ajo, apo shko merr atë të zjarrit,  merr atë të mjedisit. Këto do i bëjmë ne, do i shërbejmë ne. Ministrja ka caktuar një person vetëm për këtë. Ta bëjmë këtë punë me sukses.

Po ta arrijnë ata, – se është sfida e tyre nuk është sfida jonë, – 3 muaj, shkëlqyeshëm. Nëse ata nuk e arrijnë, të mos jetë për familjen tonë, të mos thonë që na vonuat ju për këtë apo atë. Ne duhet të jemi në rregull nga ana jonë, pastaj bëhet për 3 muaj, për 4 apo për 5, është puna e tyre. Ata thonë e bëjmë për 3, të vijnë ta bëjnë për 3.

Të shkojmë të shohim  në vend çfarë keni identifikuar si vende të mundshme, sepse ky duhet të jetë një spital shëmbëlltyrë e vizionit dhe e ambicies që kemi ne dhe duhet të jetë i aksesuehsmë me shpejtësi nga të gjithë. Nëse do kemi një sipërfaqe publike, perfekt. Nëse do jetë publike dhe private, s’ka problem, me pronarët e mundshëm do të bëjmë menjëherë kontaktin dhe marrëveshjen, që ata të dakordësohen me ne të na japin akses të punojmë dhe ndërkohë, ne të angazhohemi me shkrim, me marrëveshje, që gjithë procedurat e shpronësimeve do të kryhen në kohë. Jo siç u bënë tërkuz shpronësimet e Levanit për autostradën, që na i la Saliu në kurriz mal e që as letra nuk kishin bërë dhe kishin humbur dhe dokumentet e na u desh kaq kohë që më në fund t’i sistemojmë, por të jetë një marrëveshje e saktë, që njerëzit ta dinë. Ata do jenë të gatshëm ta lënë pronën në dispozicion, por ta dinë që në filan datë do marrin lekët e çdo ditë që shkon përtej angazhimit, ne jemi të detyruar të paguajmë penallti për çdo ditë.“

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.