Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi priti sot një delegacion të Bundestagut Gjerman të kryesuar nga Johannes Selle, deputet e njëherë Kryetar i Komisionit për Ekonominë, Bujqësinë, Mjedisin, Turizmin dhe Infrastrukturën. Zoti Selle shoqërohej nga përfaqësues të shoqatave gjermane të biznesit dhe ekspertë të ekonomisë. Në takim u diskutua për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe ofrimin e asistencës gjermane për reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi e falenderoi zotin Selle në emër të qeverisë shqiptare për ndihmën afatgjatë që Gjermania i ka ofruar Shqipërisë. Ai shprehu vlerësimet e qeverisë për projektet e suksesshme sociale, ekonomike e infrastrukturore që janë realizuar në bashkëpunim me GIZ dhe KfW, të cilat jo vetëm kanë ndikuar në përmirësimin e situatës në shumë sektorë, por kanë krijuar edhe modele të suksesshme të cilat po ndiqen sot nga qeveria shqiptare.

Zëvendëskryeministri i njohu zyrtarët gjermanë edhe me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit dhe shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion tërheqës për investimet e huaja. Ai u shpreh se pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera ka ende shumë hapësirë dhe nevojë për të zgjeruar bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Angazhimi ynë do të jetë maksimal, tha ai, për të berë gjithçka që investitorët gjermanë të gjejnë në Shqipëri një ambient tërheqës, pasi kjo jo vetëm që do të ndihmonte ekonominë shqiptare duke sjellë investime e punësim, por do të ishte njëkohësisht edhe një reklamë shumë e mirë për vendin.

Një tjetër temë që u diskutua në takim ishte integrimi evropian i Shqipërisë. Zëvendëskryeministri e njohu delegacionin me reformat për përmbushjen e 5 prioriteteve dhe vendosmërinë e qeverisë për t’i parë reformat integruese jo thjesht si kërkesa të BE, por mbi të gjitha si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit.

Zoti Selle i konfirmoi Zëvendëskryeministrit se procesi i integrimit gëzon mbështetje nga i gjithë spektri politik në Gjermani dhe se një nga qëllimet e vizitës së tij ishte pikërisht identifikimi i atyre pikave ku Gjermania mund të ofrojë mbështetjen e saj për Shqipërinë. Zoti Selle deklaroi se eksperienca e bashkimit të dy Gjermanive i ka dhënë atij mundësinë të shohë sesa i vështirë mund të jetë procesi i integrimit, por shtoi se ai beson tek potenciali i brezit të ri në Shqipëri dhe përshpejtimi i ritmeve të integrimit. Ai e falenderoi Zëvendëskryeministrin për angazhimin e qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më të mirë për investimet gjermane në Shqipëri. Gjermania ka dëshirë të investojë në Shqipëri, tha ai, por për këtë duhen krijuar kushtet e favorshme dhe unë besoj se qeveria e re ka potencialin për ta kthyer Shqipërinë në një vend tërheqës për investitorët gjermanë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.