Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Iftarin e shtruar në Berat nga komuniteti mysliman i zonës:
Të dashur vëllezër dhe motra të besës islame!
Të nderuar të pranishëm!
Jam i nderuar që edhe unë jam sot, në Berat, sëbashku me ju, pikërisht në këtë qytet që ndër shekuj ka magjepsur çdo udhëtar dhe çdokënd që e ka parë së largu, me rrugët e tij të kalldrëmta, ku minaret e xhamive ndërthuren në një simfoni unikale paqeje dhe harmonie me kupolat e kishave bizantine.
Hoxhë Tahsimi, filozofi dhe astronomi nga Konispoli, që ngjiti shkallare të paimagjinueshme të botës së dijes, duke u emëruar deri dhe rektor i Universitetit të Stambollit, duket se kishte parasysh të njëjtën pamje magjepsëse kur shkruante se “i gjithë njerëzimi është një familje e përbashkët. Të gjithë njerëzit janë vëllezër të një fisi dhe të një gjaku” dhe se “është haram që robi i Zotit, ne, të gjithë frymorët e kësaj toke të ndahemi në ndasi të kota që nuk kanë asgjë të përbashkët me vullnetin e Krijuesit tonë”.
“Vetëdija e Zotit konsiston në një akt të përjetshëm që sjell inteligjencën dhe ndërgjegjësimin e parë të qenies sonë”, shkruante shumë shekuj më parë dijetari Ibn Sina.
Ndërsa një tjetër dijetar i madh i botës islame, Ibn Kajim El Xheuzije udhëzonte se “njeriu ka një Zot, të cilin do ta takojë dhe një shtëpi ku do të banojë, ndaj ai duhet që të kënaqë Zotin e tij përpara se ta takojë dhe të ndërtojë shtëpinë e tij përpara se të banojë”.
E teksa askush në botë, as edhe më të fuqishmit mes vdekatarëve nuk mund të shpëtojnë asgjë më shumë se vetë shpirtin e tyre, ajo që një shtet mund të bëjë, duke marrë frymëzim nga fjalët e Ibn Kajimit, është të ndërtojë një shtëpi ku të gjithë besimtarët të gjejnë amshim dhe të ndihmojë që të gjitha shtëpitë brenda oborrit të madh të bashkëjetesës në një vend të përbashkët të mbahen në këmbë e të mbajnë brenda në qetësi e siguri banorët e tyre.
Prandaj, për mua është një moment kënaqësie dhe krenarie që, përveç shtëpisë kryesore, më të madhes, xhamisë qendrore që po ngrihet në Tiranë, pak javë më parë, këtu nisi puna për restaurimin e të tre xhamive antike të këtij Qarku, xhamia Mbret, xhamia e Beqarëve dhe Teqeja Helvetiane. Këto janë vetëm tre nga dhjetëra e dhjetëra objektet e çmuara të trashëgimisë islame në vendin tonë, që janë rikthyer, apo po rikthehen në identitet.
Restaurimi i këtyre xhamive antike është një kontribut i drejtpërdrejtë që ne bëjmë jo vetëm për besimtarët, jo vetëm për të ardhmen dhe aq më pak, jo vetëm për turizmin, por për vetë shpirtin e bashkëjetesës në një shoqëri si e jona, sepse, ashtu siç mes shumë të tjerëve ka shkruar edhe një ndër katolikët më të mëdhenj të këtij vendi, At Gjergj Fishta, islami është i pandashëm nga shpirti i kombit tonë.
Një tjetër kontribut i yni për të ngritur dhe forcuar themele mbi themele për kthinën tonë të përbashkët të shpirtit, pavarësisht cilës feje i përkasim, apo nëse besojmë, ose nuk besojmë, sepse në fund të ditës feja është përveçse besim i një pjese dhe përkatësi shpirtërore dhe identitare e të gjitha pjesëve, është finalizimi që vetëm pak ditë më parë u bë realitet i projektit për dixhitalizimin e plotë të arkivit të Komunitetit Mysliman pranë Arkivit Qendror të Shtetit.
Për Shqipërinë janë mbi 500 mijë faqe shkresa dhe dokumente të digjitalizuar, që përbëjnë një thesar të paçmuar, një bibliotekë të shpëtuar dhe të rigjetur, që për nga rëndësia në përmasën tonë të vogël nuk besoj se do të ishte e tepruar të krahasohej me atë të Aleksandrisë së Lashtë, e cila tanimë vihet në shërbim të historianëve, dijetarëve dhe studiuesve të fesë islame në vendin tonë dhe kujtdo tjetër që është i interesuar të dijë më shumë rreth saj. Mes këtij oazi goxha të gjerë informacioni, për herë të parë kanë dalë në dritë edhe dokumente të panjohur, që provojnë se si intelektualët myslimanë shqiptarë luajtën një rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e shtetit shqiptar në vitin 1912.
Ashtu siç më vonë, pasardhës të tyre u shquan edhe në mençurinë me të cilën ditën të bëjnë dallimin dallim, që është i qartë sot e gjithë ditën, mes kombit dhe fesë, duke hedhur një gur themeli dhe duke vendosur gur mbi gur një trashëgimi që sot na përket të gjithëve dhe është detyra e të gjithëve ne që ta ruajmë, ta pasurojmë e ta fuqizojmë me të tjerë gurë kontributesh.
Ju e dini më mirë se kushdo se sa e vështirë, se sa sakrifica dhe urtësi duhet të ndjekësh përditë për të qenë një besimtar i vërtetë. Janë të pavdekshme fjalët e Profetit Muhamed, Paqja e Zotit qoftë mbi të, që na kujtojnë se “kush bie në sexhde, do të kursehet nga mundimet e xhehenemit”.
Por, në kohën që jetojmë, vijat ndarëse midis virtytit dhe mëkatit janë rëndom shumë të zbehta, shpesh të padukshme dhe lehtësisht të kapërcyeshme dhe prandaj, edhe kjo përpjekje e juaja drejt pastrimit dhe përsosjes është edhe një shembull pozitiv, një dritë më shumë.
Dhe me Shqipërinë, që ka një të ardhme të projektuar qysh prej të parëve tanë në gjirin e kombeve të qytetëruara të Europës dhe që sot është edhe në një moment kyç në rrugëtimin drejt Europës, të gjithë ne ndodhemi përpara një sfide të re, pavarësisht dallimeve tona dhe pavarësisht ndarjeve natyrale mes besimtarëve të feve të ndryshme. Por një gjë dua ta them sot dhe është një përsëritje, në fakt, që uroj dhe shpresoj që në të gjithë jetën e kombit tonë të mos bëhet kurrë e mërzitshme, që shembulli i devotshmërisë ndaj vëllazërisë ndërfetare dhe i bashkekzistencës mes të gjitha komuniteteve në paqe dhe në harmoni është modeli më i mirë i vyer që ne, jo vetëm duhet të mbrojmë për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë, por dhe mund të eksportojmë në një Europë të përçarë nga tensionet fetare dhe nga një islamofobi që në fakt ngërthen në vetvete variantin më të poshtër për të ardhmen e kontinentit tonë.
Modeli ynë, por falë kontributit të komunitetit tuaj dhe të komuniteteve të tjera, është përgjigja më e mirë ndaj këtij versioni urrejtjeje dhe përçmimi ndaj besimtarëve apo njerëzve të përkatësisë islame. Një version që për fat të keq ka prekur shumë njerëz, të cilët as nuk e kanë idenë së çfarë është islami i vërtetë dhe për fat të mirë nuk ka prekur shumë njerëz mes nesh në bashkësinë tonë shqiptare, sepse në jetën e përditshme, për të gjithë ata që nuk i përkasin këtij besimi është e qartë që njerëzit e këtij besimi në tërësinë e tyre përçojnë dëshirën për harmoni dhe vullnetin për paqe mes të gjithë komuniteteve.
Nëse ka diçka të sigurt në këtë vend është që përtej bukurive të rralla, magjepsëse me të cilat e ka bekuar Perëndia Shqipërinë, përtej një trashëgimie unikale, të shkruar në vorbullën e shekujve të mundimshëm të historisë sonë, harmonia jonë fetare përbën padiskutim elementin më të çmuar dhe ndoshta dhuratën më të shkëlqyer që ne mund t’i bëjmë si shembull vendeve të qytetëruara, sepse askund tjetër si në Shqipëri nuk ndodh që të krishterët të ulen në tryezën e Iftarit për të nderuar vëllezërit e tyre myslimanë, apo që myslimanët të ulen në tryezën e Krishtlindjeve për të nderuar miqtë dhe motrat e vëllezërit e tyre të krishterë.
Koha ka treguar se Komuniteti Mysliman ka qenë gjithmonë një aleat shumë i qëndrueshëm i shtetit dhe i çdo i qeverie në mbështetje të së mirës. Më vjen jashtëzakonisht mirë që mund ta nënvizoj atë që Komuniteti ka shënuar në një mbështetje që dha sëbashku me komunitetet e tjera zyrtarisht për Reformën në Drejtësi, si një ndër reformat më madhore në historinë e shtetit shqiptar dhe si një reformë që pa mbështetjen e plotë dhe këmbënguljen e madhe të shumicës më të madhe, që mund të bëhet sëbashku, të qytetarëve tanë, nuk do të kishte qenë e mundur.
“Drejtësia ekziston vetëm sepse ajo banon në zemrat e njerëzve”, thoshte Sokrati, kohë përpara se fjala e ndritur e Kuranit t’i diktohej Profetit Muhamed.
Të njëjtat fjalë u zbuluan edhe në Kuran. Referuar Hadithit 24:24, “Ekziston një sadaka për çdo pjesë të trupit të njeriut dhe për çdo ditë në të cilën lind dielli do të ketë shpërblim si i sadakasë për këdo që vendos drejtësi mes njerëzve”.
Të dashur miq nuk dua të zgjatem më tej. Muaji i Shenjtë i Ramazanit është një kohë sprove dhe në sensin më fisnik të fjalës, një lloj larje hesapesh me veten, me ndërgjegjen, me çka të gjithë bartësit e kësaj barre i bën plotësisht fetarë, por fatmirësisht dhe plotësisht qytetarë për nga fryma dhe nga shëmbëlltyra.
Ndaj le të shfrytëzojmë, nëse mund të përdoret kjo fjalë dhe ndjesë nëse mund të tingëllojë jashtë frymës, këtë Muaj të Shenjtë, të gjithë sëbashku, për të kërkuar në shpirtin tonë forcë nga drita që të gjithëve iu është dhënë qysh në pikënisje, por që jo të gjithë arrijnë ta mbartin rrezatuese brenda vetes.
“Ramazani i bekuar është një shans i artë dhe një dhuratë prej Allahut që zemrat dhe gjuhët të shpëtojnë nga sëmundjet dhe urrejtjet me të gjitha llojet e tyre,” thotë Shejh Abdu Rrezak El-Bedr.
Siç na dikton Kurani, në kapitullin kushtuar profetit Ismail: “Mos e shih Zotin të ndarë nga krijesat. Bëje Zotin një mbulojë të krijesave, ndërsa krijesat një perde të Zotit”…
Shumë faleminderit!